Menu

E ardhmja e kombit vjen e sigurt kur pranohet e shkuara dhe e sotmja (V)

User Rating:  / 0
PoorBest 

“Ndryshe nga gjithë  krijesat e gjalla, Zoti i fali njeriut dy dhunti: të meduarit dhe të shprehurit, të cilat ai duhet të dijë: si, kur dhe ku duhet t’i përdorë. Bazuar në të menduarit logjik,vetëm përmes arsyes, njeriu arrin të njohë realitetin në një këndvështrim tërësor. Duke e shprehur këtë botëkuptim përmes fjalës, njerëzit ndahen në të virtytshëm ose të pavirtytshëm. Sipas bëmave, ata që vijnë pas nuk duhet të thonë: "Ju shoftë emri"! Por kur flitet për dikë që ka ditur ta përdorë mendimin dhe fjalën për të mirat e jetës, thonë: “Iu madhoftë emri!”
Vivra

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Për sa kam shprehur në katër kapitujt e botuar, po qe se lexuesi  ndalet dhe i analizon me mendje të ftohtë, ka për të dalë në disa përfundime… Cilitdo i bije në sy:

* Tradhtia e madhe që iu bë kombit nga diktatura komuniste që i premtoi “liri e mirëqenie”për 50 vite. Si në politikën e jashtme dhe atë të brendshme ligjet i bënin miqtë e mëdhenj të Shqipërisë (Beogradi, Moska dhe Pekini), kurse të lëbyrtët të ngopur me idealizëm, duartroksinin parrullat: “Ç’thotë populli, bën Partia”, apo “ç’thotë partia, bën populli”.

* Zhveshja nga prona: pronarët e vegjël, të mesëm apo të pasur, i shpronësuan. Konfiskimi i pronave pa asnjë shpërblim, reforma agrare ishin faktorë që sollën varfëri të skajshme kombëtare.

* Lufta e klasave:më e egra e njerëzimit,solli urrejtje,hakmarrje, ndarjen e shqiptarëve në pro dhe kundër partisë-shtet. Luftë e vërtetë klasore është ajo që nisi me vrasjet pa gjyq e pas shpine, qysh gjatë luftës e që vazhdoi me burgosje, internime, vrasjet e fisnikërisë dhe intelektualëve me kulturë perëndimore. Kjo luftë  e pandërprerë vazhdoi me përndjekjen dhe mohimin e të drejtave apo vlerave të tyre deri më 1990. Një formë më të moderuar (mafioze) ndjekin dhe sot bijtë e nipat e persekutorëve

me brezin e katërt të këtyre dy shtresave që bëjnë palcën dhe trurin e kombit.

* Ligjbërëse dhe ligjzbatuese në ekonomi, ekzekutiv, drejtësi, kulturë e diplomaci ishte PPSh e udhëhequr nga partitë “simotra”.

* Komunizmi vrau besimin, i cili është çelësi që hap dyert e së ardhmes. Në një vend ku mungonte liria, shkatërroi institucionet fetare dhe vrau shpirtin që i mbante në këmbë.

* Vrau bukurinë shpirtërore të njeriut, duke e kthyer në shabllon të parrullave farse të marksizëm-leninizmit, krijoi njeriun robot të ideve të huajtura nga sllavo-grekët.

* Çamëria i kaloi Greqisë më 1945.

* Kosova u bë Republikë e gjashtë e Federatës Jugosllave më 1948. Ç’bëri PKSh që ishte në pushtet?! Nuk ka asnjë kërkesë, apo dokument që të shprehë revoltën e shtetit shqiptar kundër shkëputjes së gjysmës së territorit shqiptar. Mësuam se E.Hoxha ua fali me dëshirë.

* Bunkerizimi i vendit bëri që shqiptarët të gatuanin në banjë, jetonin 2-3 familje në një apartament, kur në vend të 750 mijë bunkerëve mund të ndërtonin nga një apartament për çdo familje.

* Izolimi gjysëmshekullor i vendit, solli regres në çdo fushë të jetës, sidomos në kulturë dhe ekonomi.

* Genocid brenda llojit: Vrasja me apo pa gjyq, burgosje, internime, pushime nga puna, mohimi i arsimimit,dhuna psikologjike e vazhdueshme.

Metodat e terrorit, ishin të shumëllojshme. Nisnin me tortura e krime si shprehje e hakmarrjes klasore, ku shprehej urrejtja demoniane dhe sadizmi i diktaturës ndaj gysmës së shqiptarëve,që ishin të shkallëzuara. Sigurimsat qëndronin si hije vdekjeje mbi gjithë shqiptarët  që e donin atdheun pa kushte, pa tradhti, pa interes, pa mashtrime, pa hipokrizi dhe pa dogma politike. E donin këtë tokë se aty kishin lindur stërgjyshët e tyre pellazgë;  se në këtë baltë lindën dhe u varrosën gjyshllarët ilirë; këtu jetuan e punuan të gjithë brezat deri te baballarët tanë Arbër, që mbi gërmadhat e së djeshmes ngritën jetën e re. Këta janë Shqiptarët autoktonë në trojet e tyre, bijtë e bijat, që mbi të shkuarën e dhimbshme e të ndritur dhe në të sotmen e hallakatur, është pikërisht kjo tokë që u shërben si pasaportë identiteti. Ndaj palca dhe truri i kombit që u vra, u nëpërkëmb, u gjymtua, u sakatos dhe u mohua, kishte një ideal të shenjtë dhe kishte një emër të ndritur “Shqiptari”. Për këta atdhetarë të vërtetë, kostumegritë me syza të errëta si ferri, krijonin psikoza si:

* Ngjallja e frikës së pushtimit nga imperializmi, revizionizmi, armiku i klasës, sabotuesit, për të shkaktuar urrejtjen ndaj Perëndimit. Madje u fol edhe për fushatën kundër karkalecit amerikan.

* Fushata e mbledhjes se floririt, e cila shoqërohej me tortura dhe kërcënime,deri sa dilnin të vdekur nga qelitë më të ftohta se vdekja dhe më të ngushta se varret. Një rast i tillë ishte vdekja e të riut Lekmi Sharra më 1953, në hetuesinë e Vlorës të cilin e mbyllën në një dollaop hermetik prej hekuri dhe në mëngjes e gjetën të asfiksuar, kishte pësuar hemoragji cerebrale në tru e insufiçencë kardiake, vetëm se çoi një verdhushkë floriri që e kishte gjetur e ëma në çantën e saj, me të cilën donte t’i bënte nuses së re një unazë. Për një unazë martese i morën jetën. Doktorin që shëroi shpirtërat e lënguar të të burgosurve të burgut të Tiranës, Bulqizës dhe Shtyllasit, me barishtet e burgut, Isuf Hysenbegasi, për javë të tëra e varën nga  krahët në tubot e jashtëqitjes, në banjën e burgut. I etur për një pikë ujë nga ethet e i uritur, me buzë e fyt të tharë e me shpirt të zhuritur, shoi etjen dhe urinë duke ngrënë krimbat dhe duke lëpirë ujërat e zeza.

* Tatimet e jashtëzakonshme. Kush nuk i paguante futej në burg.

* Aksionet për ndërtimin e veprave: punë vullnetare, festë pa ndërprerje,  mitingje pamabarim e të vazhdueshme. Njihen: aksioni kundër karkalecit më 1945, rruga Kukës Peshkopi 1946, hekurudha Durrës-Elbasan, Durrës-Rrogozhinë, Durrës-Tiranë, Shkodër-Titograd, 1947-50. Nisën aksionet "Tu qepemi kodrave e maleve", pyllëzimet, tokat e reja etj. Kudo i detyronin njerëzit të dilnin vullnetarë. Kishte shumë idealist mendjemykur, që shkonin vet, të tjerët shkonin nga frika. Tregojnë se Skënder Sallakut, artistit të  humorit i thanë të dilte vullnetar. Ai rrudhi supet: -Sa për formë, se nuk të çojmë ty.Si u regjistrua e pyetën: -Ku e do? -Kë?-Vendin e aksionit? -Këtu,-dhe ngriti gishtin. –Ku?- e pyetën prapë. - E dua në lule të ballit!"- pra askush nuk shkonte me dëshirë.

* Fushatat ishin një formë tjetër e detyruar me dhunë. Si "Lëmi i parë shtetit" bënte që drithi të grumbullohej me detyrim. 

* Huat shtetërore për pasurimin e buxhetit të shtetit, gjë që i varfëroi akoma më tepër shqiptarët e gjorë. Garë mes fshatarëve dhe qytetarëve:

* “kush jep më shumë, është më i miri.” Po s’e jipje vete, e caktonin ata shumën.

* Shpallnin kulak gjithë ata që nuk dorëzonin detyrimet. Si damka e turpit, ishte një presion psikologjik që e vuanin, jo vetëm të rriturit, por  edhe fëmijët e shkollës fillore apo tetëvjeçare. Të gjithë fshatarët më të zot, me prejardhje fisnike, më punëtorë, më të pasur i shpronësuan, u morën tokën, bagëtinë, u vunë tatime të larta dhe tatim jetik e i shpallën kulakë,

* Repartet e punës u krijuan me njerëzit e padëshiruar nga partia-shtet.

* "Reaksionarët" i mblidhnin veç, pa armë, me vegla varri(kazma e lopata) kryenin punë të detyruar në Ushtri,në gurore, në hapjen e tokave të reja, në këneta e bonifikime. 

* Internimet politike gjysmën e popullsisë e bën armik të klasës në fuqi. Të gjithë familjet e të arratisurve, të burgosurve dhe të dyshimtëve që jetonin në zonat kufitare, i largonin nga trojet e tyre dhe i çonin në zonat kënetore. Fillimisht i dënonin 5 vjet, pastaj 10-15, 25 dhe deri ne 40 vjet. Gjyq për ta nuk kishte, vetëm u komunikohej shtesa e internimit. 

* Internimi ekonomik, ishte për njerëzit që nuk paguanin detyrimet, taksat e papërballueshme.

* Hapja e  dosjeve për shumicën e popullsisë në moshë madhore, gra e burra, djem e vajza, të cilat i plotësonin sipas oreksit dhe mendjes së tyre të mykur.

Farsitetin sajesën dhe gënjeshtrën e dosjeve po ua tregoj nga përvoja ime. Nuk ka ç’më duhen gjurmët, kur ujkun e kam këtu, më hungërinë e më ka skërmitur dhëmbët  para syve.

Të nderuar lexues, unë kam lindur pasi kishte ikur dhe gjermani i fundit nga vendi. Në vitin 1990 kur shkova në Arkivin e Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Vlorës, për të marrë dëshminë e pushimit nga puna (i bërë më 15 gusht 1966 bashkë me 165 intelektualë të tjerë. Me ne nisi faza e parë e revolucionit kulturor që diktatura komuniste shqiptare, huajti dhe ndoqi shembullin e motrës së madhe, Kinës). Kjo dëshmi më nevojitej për t’u rikthyer në arsim. Në atë dosje kam lexuar poshtërsinë më të madhe, gënjeshtrën më monstruoze, shpifjen më vulgare të dikaturës komuniste. Në të thuhet:”Vilhelme Vranari, lindur në Kaninë,më 8 dhjetor 1944, me profesion mësuese, del jashtë rradhëve të arsimit si reaksionare. Familja e saj dhe vet Vilhelmja kanë lyer duart me gjak”. Nuk di sa çaste ngela pa gojë...Jo vetëm unë, bashkëshorti, fëmijët, nipat dhe mbesa ime, por gjithkush që lexon rreshtat e kësaj dosjeje të zezë, ka të drejtën legjitime të pyesë : kur i kreva këto krime, kur isha në bark të nënës?!- të tilla, të zeza si shpirti i tij prej Demoni, ishin dosjet e sigurimit të shtetit shqiptar.

 *Spiunët ishin në numër të madh, për të kontrolluar më mirë njëri-tjetrin.Kudo në botë spiunët i kërkojnë me para, kurse në Shqipëri të afrohen vetë. Spiunllëkun e duan të gjithë,por spiunin nuk e do askush, pasi të ngjallë neveri, të pështiroset kur të qëndron pranë duke u jargavitur është gati të lëpijë me gjuhë edhe shollin e këpucëve të eprorit. 

* Parrullat: Njerëzit i tmerronin parullat demoralizuese:”Në tre vetë, njëri është spiun”. Kjo i duhej pushtetit komunist themelevithisur për të krijuar pasiguri dhe humbje besimi tek njerëzit. Spiunët kishin kategori të ndryshme. Rezidentët quheshin me tallje "brigadierët që mbledhin letra". Ata kishin bazat, shtëpitë e takimit, strehuesit. Ishin një rrjet i gjerë të cilit ishte e vështirë t’i shmangeshe, pasi gjithmonë ishe nën ndjekjen e tyre. Kishte spiunë nga dëshira, spiunë nga detyrimi, spiunë që paguheshin 120 leke të vjetra, spiunë që imponoheshin se i kishin kapur duke vjedhur, vajza ose gra që i kishin zënë në imoralitet.Sigurimi i Shtetit përdorte metodat e djallit.

* Rekrutonin shumë spiunë, djem të rinj në Ushtri, apo nëpër shkolla vetëm për të fituar bursa studimi. Këtë e bënin për të ruajtur statusquo-në (statutkuo) gjendjen ekzistuese të mjerimit, për të mos u tundur nga istikami diktatorial.

* Arrestimet ishin akte drithëruese për ata që rastisnin, sepse ato bëheshin fshehtas, natën. Kurse ditën i bënin vulgare, pompoze,  me ceremoni në ndërmarrje dhe institucione . Diskreditime në mbledhje të lagjes, të frontit, me demaskim moral. Kur donin të mos merrej vesh, e nisnin personin me shërbim dhe e arrestonin larg shtëpisë.  Ja se ç’tregojnë njerëz të shtetit diktatorial, që janë akuzuar bashkë me Koçi Xoxen:

Vango Mitrojorgji (shef i shtatmadhorisë) tregon për një proces fallso të bërë gjoja për të burgosurin Kolë Kuqali i cili kishte kohë që kishte varur veten. Ky proces u tregohej të burgosurve të tjerë si i bërë nga ai vetë. Kolë Kuqali ishte nacionalist, demokrat, deputet i Kuvendit Popullor, baba i dëshmorit Gjikë Kuqali.

Kleanthi Andoni tregon për torturat me hekurin e skuqur mbi trupin e avokat Myzafer Pipës deri në humbjen e ndjenjave, madje u përdorën tortura çnjerëzore edhe në prag të vdekjes së tij.

* Grupet armiqësore i krijonin sipas situatave shpifëse : Akuza falso: Priftërinjtë i akuzonin si spiunë të Vatikanit. Tregtarët i torturonin për t’u rrëmbyer floririn. Burgosnin oficerë të Zogut, Intelektualë e Shkrimtarë. Grupi i deputetëve, Grupi Tekniko-Intelektualë i Fullcit, Imperializmi amerikan, Grupi i Maliqit. Fronti i Rezistencës i sajuar nga Sigurimi, Gjyqi i Koci Xoxes, Vaskë  Kolecit, Vango Mitrojorgjit, Bedri Spahiut-Tuk Jakovës ;Gjyqi i Teme Sejkos e Liri Belishovës. Gjyqi i kinezeve Abdyl Këllezi, Koco Theodhosi, Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume, Mehmet Shehut.

Njerëzve të tillë, në nivelet e larta të Partisë e shtetit, ua bëri mirë, sepse edhe ata kanë pjesën e tyre të krimeve ndaj të persekutuarëve të vërtetë. Gjithë njerëzit e partisë e të pushtetit që eliminoi E.Hoxha, nuk janë më pak fajtor se ai, nuk janë më pak kriminel se udhëheqësi i tyre. Ata paguan për krimet e bëra, pa marrë parasysh synimin e diktatorit. (luftë për pushtet)

* Gjyqet e popullit i bënin në kinema me altoporlant jashtë. I shëtisnin të lidhur me zinxhir në këmbë e duar si skllevër, të cilëve në kraharor u kishin varur një tabelë, ku shkruhej: "Kriminelët në litar". Myzafer Pipa avokat u arrestua në sallën e gjyqit dhe doli i vdekur.

* Dënimet: Ngjiteshin pllakata të shtypura për t’i demaskuar.

* Pushkatimet bëheshin në mëngjez pranë varrezave, gjyq në lagje, në fshat, në kooperativë.

Pas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria po shkonte drejt situatave politiko-historike të panjohur më parë, drejt socializmit totalitar. Shqipëria ishte një nga ato vende që kishte luftuar nazifashizmin , ndaj pas krijimit të PKSh, nën ndikimin e PKJ e Pk të BS, literaturës që vinte nga komunistët grek apo nga Franca, ishin krijuar premisat e favorshme  për të vendosur  regjimin komunist në Shqipëri. Pas Luftës së Dytë Botërore vendi ynë hyri në histori me ngjarje të mëdha politike, ekonomiko-shoqërore si në politikën e brendshme dhe atë të jashtme. Fillimi i vendosjes së komunizmit, Shqipëria e pasluftës, e raskapitur me një varfëri të skajshme u kushtëzua nga marrëdhëniet politike dhe ndihmat e dhëna nga aleatët e saj prej vitit 1945-1978. Jugosllavia ishte i pari vend  komunist që i ofroi ndihmë të madhe Shqipërisë, themelimit të P. K.Sh dhe veçanërisht E.Hoxhës për të ardhur në pushtet. Meqë Shqipëria donte të njihej si shtet i Pavarur në arenën ndërkombëtare, Hoxha iu drejtua për ndihmë BS, Anglisë dhe ShBA-ve. Më 11shkurt 1945, pas një jave "pazaresh" intensive, mes tre liderëve kryesorë të Aleatëve, përfundoi konferenca e Jaltës, qytetit rus në brigjet e Detit të Zi. Ajo ishte konferenca e dytë e "Tre të Mëdhenjve", udheheqësve të Aleatëve –fitues: Presidentit Amerikan Franklin Donald  Roosvelt, Kryeministrit Britanik Winston Churchill, dhe udheheqësit sovietitk Josif Stalin. Në mungesë të ChurChillit, Roosvelt i la dorë të lirë BS në Evropën Juglindore, duke e lënë kujdestar  të Ballkanit, ku natyrisht edhe Shqipëria u bë pjesë e bllokut lindor. Duke qenë e kushtëzuar politika e Shqipërisë,e cila kalonte përmes Beogradit, PKJ u bë përfaqësuese e politikës shqiptare në arenën nd/kombëtare. Kudo fliste Jugosllavia në emër të Shqipërisë.

Kur kjo marrëdhënie u fuqizua, filloi të bëhej shqetësuese për Stalinin, sepse i interesonte Shqipëria. Sytë i kishte te gjiri i mbrojtur i Vlorës për të krijuar bazën ushtarake të Traktatit të Varshavës. Siç e dimë Orikumi ose Pashalimani u bë baza kryesore ushtarake e Mesdheut, ku u vendosën  nëndetset ruse. Sa e vuri re E. Hoxha interesimin e Stalinit, e drejtoi vëmendjen nga BS, i cili në këtë kohë kishte një armik të përbashkët me Shqipërinë, Titon. Konflikti Tito -Stalin shërbeu pozitivisht se ndihmoi në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-B.S. Udhëheqësi komunist shqiptar që drejtonte një vend të vogël, e quante këtë një fitore të madhe të PPSh. Pas vdekjes së Stalinit e në krye të BS u vu Hrushovi, ndryshoi edhe politika që i bashkonte dy vendet. Sipas Hoxhës, Hrushovi kishte shkelur parimet e marksizëm-leninizmit,si dhe kritikat e tij ndaj kultit të Stalinit, i quajti gabime të mëdha politike. Kjo solli mosmarëveshjet e bllokut komunist lindor, të cilat ndikuan në marrëdhëniet e Shqipërisë me BS. Kjo u ndje më dukshëm sidomos pasi doli hapur konflikti sovjeto -kinez. Shqipëria në vitin 1961 u pozicionua në mbështetje të Kinës. Këtu nis bashkëpunimi i Shqipërisë me një tjetër vend komunist, jo pak aktiv në skenën politike të kohës, me Kinën. Shqipëria e vogël e ndjente nevojën e mbështetjes te kjo fuqi e madhe politiko-ekonomike për disa arsye:

a - Të dyja vendet i bashkonte e njëjta ideologji, se donin  të bëheshin pishtare të marksizëm-leninizmit në botë.

b - Kina i ofroi mbështetje të madhe ekonomisë shqiptare, me anë investimesh si në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese, në metalurgji, në tekstile etje.

c - Ndihma në nivel ushatark, Shqipëria duhej të ishte gati për ndonjë sulm të jashtëm.

Nga viti 1912 e deri në vendosjen e socializmit totalitar, vendi ynë nuk krijoi një traditë qeverisëse. Pasi mënjanoi influencën e ShBA më 1946, në marrëdhëniet diplomatike e kulturore, u vendosën tri marrëdhënie njëra pas tjetrës:

1 - Shqipëri-Jugosllavi (1944-1948);

2 - Shqipëri-BS (1948-1960) dhe,

3 - Shqipëri-Kinë (1961-1978)

Rrugëtimi që ka bërë Shqipëria në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore ka qenë me oshilacione të mëdha. Ka pasur ulje e ngritje, por nga këto lidhje miqësore Shqipëria nuk bëri ndonjë hop cilësor të dukshëm që ta ndryshonte pozitivisht gjendjen e mjeruar të vendit. Shqipëria varfërohej për ditë e më tepër. Një nga arsyet kryesore të nivelit të ulët të jetës social –ekonomike në vend, ishte sepse u orientua drejt komunizmit dhe aleancat i bëri me vende komuniste, që kishin një sistem politik të paprovuar më parë. Edhe pse Shqipëria nuk ishte faktor ndikues, gjithsesi bënte pjesë në trekëndëshin komunist B S-Shqipëri-Kinë. Ky zinxhir nxiti marrëdhënie të reja në arenën politike jo vetëm brenda bllokut komunist, por edhe jashtë tij. Në kohën kur në krye të BS erdhi Hrushovi, ai e ndryshoi politikën sovjetike të ndjekur deri në atë kohë duke i kushtuar më tepër rëndësi ndjekjes së një politike më liberale drejt Perëndimit. Ky ndryshim e përshpejtoi në një farë mënyre bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kinës. Kjo është parë nga shumë autorë si një aleancë në nivel të pabarabartë politik dhe ekonomik. Për politikën e jashtme të Shqipërsë gjatë viteve të komunizmit ka patur një vëmendje të veçantë nga autorë të huaj dhe AQSh,

 * Politika e diktaturës në optikën e studiuesve

Studiuesit që janë marrë me politikën e diktaturës në Shqipëri janë të shumtë. Sipas tyre, E.Hoxha ka kritikuar “veprimet revizioniste” të Titos dhe Hrushovit ku shfaqet frika nga rreziku i kanosjes së pozitave të tij nga “Titistët” & “Hrushovianët” brenda Byrosë Politike shqiptare. Me vlera janë disa studime si të: Elez BiberajShqipëria e Kina, një aleancë e pabarabartë” trajton aleancën shqiptaro -kineze, si dhe orientimin kinez të Shqipërisë ,që u duk në solidaritetin dhe zbatimin e Revolucionit Kulturor Kinez në vend. Studiuesi Hamit Kaba në librin “Shqipëria në rrjedhën e luftës së ftohtë (AKSH, “Historia e popullit shqiptar”, Vëll.- IV-t (Tiranë, 2002), hedh dritë në zhvillimet politiko- ekonomike shqiptare gjatë viteve 1945 -90. Me vlera të mëdha janë botimet e historianit Kastriot Dervishi, i cili ka pasuruar me një analizë të thellë historinë politikën, ekonominë e shoqërisë shqiptare gjatë ekzistencës së Shqipërisë si shtet, në studimin “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005,” Vlera të veçanta trajton studiuesi Enver Bytyçi, avokat Spartak Ngjela. Vlen si burim informacioni me faktet e libri të tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2000”. Ai evidenton se E.Hoxha ka frenuar idetë liberale të intelektualëve shqiptare për të ndryshuar sadopak shoqërinë shqiptare. Prof. Uilliam Griffith shkroi librin  mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me dy fuqi të mëdha, B.S dhe Kina, “Albania and the Sino-Soviet rift”. ku përfshin ngjarje të viteve ’60, pozicioni i Shqipërisë në mes të dy zgjedhjeve të mëdha; shkëputja nga BS, forcimi i marrëdhënieve me Kinën, (si një ambicioze e madhe për të dominuar botën komuniste. Studiuesi Griffith kërkon të nxjerrë në pah faktin që Shqipëria ka qenë pjesë përbërëse e lëvizjes ndërkombëtare komuniste, e aftë për t’u pozicionuar sipas rrethanave politike të kohës. Duke qenë një botim i vitit 1963, këndvështrimi i tij ka qenë më afër realitetit dhe për këtë arsye ai i ka kushtuar edhe një vëmendje të veçantë “Shqipërisë aktuale”.Diplomacisë,si instrument i pazëvendësueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, Me vlerë janë botimet e diplomatit Henry Kissinger si “Diplomacia”, “Për Kinën”, “A ka nevojë Amerika për një politikë të jashtme” etj.. Duke analizuar politikën e jashtme amerikane, Kissinger pasqyron politikën e BS-së dhe Kinës. rolin që patën shtetet e vogla në këtë kohë. Kina kishte filluar të ndiqte politikën e “hapjes” me Perëndimin, ndërsa BS tashmë po e ndjente frikën e një bashkëpunimi mes amerikanëve dhe kinezëve. Ky trekëndësh marrëdhëniesh dhe konfliktesh ndikoi edhe në politikën e jashtme shqiptare. Ten Rong është vajza e një prej figura më të rëndësishme të politikës kineze siç ishte Tien Ciao Pini, i cili ishte një personalitet i politikës kineze që herë ishte krahu i djathtë i Maos dhe herë kthehej në kundërshtar. Ten Rong në librin “Ten Ciao Pin dhe Revolucioni Kulturor”, shkruan për ndikimin e revolucionit kulturor kinez në Shqipëri. Studiuesi Bernard Lory, në analizën që i bën politikës Ballkanike, ndalet edhe në historinë komuniste të shtetit shqiptar duke krahasuar politikën e Shqipërisë me atë të vendeve të rajonit. Libri i tij “Europa Ballkanike nga 1945 në ditët tona” trajton skenarin politik për vendosjen e regjimeve komuniste në Ballkan dhe ecurinë politike të tyre. Kurse për vitin 1967 rrjedhën e luftës së ftohtë dhe përpjekjet për kontrollin e armëve bërthamore. Këtu fillon pikërisht konflikti mes BS-së dhe Kinës, i cili përfshiu edhe Shqipërinë. Deklaratat e Hrushovit për “bashkëjetesën paqësore” i hapën rrugë politikës tolerante ndaj Perëndimit, e cila binte ndesh me politikën e ndjekur deri në atë kohë nga vendet komuniste. Sipas tij, duke parë zhvillimin e komunizmit në Europën Lindore, Shqipëria ishte një tjetër gur shahu që gjatë këtij konflikti filloi të merrte “urdhra” nga Pekini dhe jo nga Moska. Ajo, së bashku me Kinën kërkonte që të vërtetonte se ishte partia më besnike ndaj parimeve të marksizëm-leninizmit.

Kjo do të ishte Shqipëria e Kongresit të Berlinit-1878, “një shprehje gjeografike” sipas Kancelarit Gjerman Bismark. Synimi i të gjithë shteteve që i ofruan miqësi Shqipërisë ka qenë që ta fshinin nga harta gjeopolitike e Evropës.

Këtu e ka zanafillën edhe aleanca e pabarabartë mes dy vendeve, sepse Shqipëria po ndiqte rrugën e nisur nga një vend shumë herë më i fuqishëm politikisht dhe ekonomikisht nga vetë ajo. Për Shqipërinë flet  dokumenti i vitit 1959, ku jepen informacione zyrtare të të dy qeverive dhe mosmarrëveshjet mes dy liderve të mëdhenj të botës komuniste, Mao Ce Dunit dhe Hrushovit. Analistët japin një pasqyrë të politikës së jashtme shqiptare dhe të aleancës së krijuar mes Shqipërisë dhe Kinës. “Trekëndëshi i marrëdhënieve Shqipëri -Kinë-BS” ata bëjnë një analizë të marrëdhënieve brenda bllokut komunist, ku aktorë janë Shqipëria,Kina dhe BS. Në këtë periudhë, brenda bllokut komunist filloi të fryjë një erë e re konfliktesh, fillimisht midis Tito- Stalin e më pas konflikti sovjeto -kinez, pjesë e të cilit ishte Shqipëria. Si pasojë është prishja e marrëdhënieve mes BRSS-Shqipërisë -Kinës, forcimi i lidhjeve miqësore Shqipëri- Kinë, si dhe dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës.

Ndëshkimet monstruoze të Hoxhës

Situatat politike ndërshtetërore e kontinentale të krijuara nga shtetet e mëdha, qysh gjatë pushtimit fashist,e më pas nazist, Shqipëria që kishte fituar pavarësinë më 1912, tashmë ishte shndërruar në një vend të komanduar nga të mëdhenjtë. Konkretisht drejtohej dhe varej nga agjentura jugosllave, kleri grek dhe mikja e madhe Rusia, të cilën e zëvendësoi me Kinën. Asnjë herë qeveria shqiptare nuk ka vepruar sipas interesit dhe nevojave kombëare, por sipas udhëzimeve të aleatëve , që përherë kanë qenë të përkohshëm. Sado kriminale ishin udhëzimet e sllavëve të Moskës dhe Beogradit, PKSh ishte gati të zhdukte inteligjencën e arsimuar. Injoranca, mungesa e kulturës  ndër shqiptarët, u interesonte miqve tanë të mëdhenj, sepse kështu i arrinin synimet e tyre më mirë dhe më shpejt.Të parat që duhej të realizonte PKSh-ja, ishin interesat e fqinjëve, kurse vendin e zhyti në varfëri, mjerim, armiqësi mes bashkëkombasve. Cilat ishin pasojat e kësaj politike? Vrasjet e njerëzve të arsimuar apo që ushtronin një nga tri besimet fetare. Më parë vrau besimin si ideologji fetare, pastaj eliminoi individët, që të tjerët të mos e zinin më në gojë besimin në Zot. Vrasjet në kufi kanë qenë nga më të zakonshmet,sepse shqiptarët për një jetë më të mirë, arratiseshin. Kush kishte fat kish mundur të kërkonte strehim politik në vendet perëndimore. Të pafatët vriteshin në kufi. Burgosjet dhe vrasjet monstruoze sidomos gjatë zbatimit të “Revolucionit Kuturor Kinez” në vendin tonë që e nisi fushatën në shkurt 1967. Sipas arkivavae konstatojmë se:

Të gjithë klerikët katolikë shqiptarë gjatë diktaturës komuniste kanë kryer së bashku 881 vjet burg ose afro 9 shekuj. Ndërkohë që të gjithë klerikët katolikë shqiptarë kishin kryer së bashku 450 vjet studime në 24 universitete të Evropës. Pas 22 vitesh punë kërkimore shkencore, nga e gjithë kjo e dhënë rrënqethëse Vatikani përzgjodhi mes tyre 38 klerikë duke i shpallur martirë, prej të cilëve vjen një fakt edhe më rrënqethës: 28 prej 38 martirëve nuk kanë fare varr.

Observator-2 shkurt -2016 fotot sekrete të sigurimit të shtetit nga vrasjet në kufi

Nuk mund të mos ndjesh dhembje e rrëqethje kur flitet për fundin e tyre tragjik, mes të cilëve do të veçohen si më të rëndat: Dom Lazer Shantoja, pasi hetuesi i preu këmbët me sopatë, e pushkatuan dhe e hodhën në një gropë pa emër. At Serafin Koda, vdiq pasi hetuesi i futi thonjtë në fyt në kuptimin e vërtetë të fjalës. Maria Tuci, pasi refuzoi të bëhej e dashura e kryetarit të degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, u torturua duke e futur në një thes të mbyllur bashkë me një mace dhe e qëllonin me shkop. Papa Josif Papamihali, u torturua dhe e mbytën në baltën e kënetës së Maliqit. Imzot Jul Bonati, u mbyll pa qenë i sëmurë në çmendinën e Durrësit dhe vdiq teksa mjekët bën me të eksperimente si një kavie. Dom Aleksandër Sirdani, pasi u tërhoq zvarrë i lidhur pas një kali, u mbyt në një grope të ujërave të zeza

Bota e re” që kishte ardhë nuk kje botë shqiptare; kjo e huej, sdihej e kujë. Nji botë me inade e maraze, pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, pa nderë e pa liri, pa gëzime as dëshirë, pa shpresa për të ardhmen. Kështu u ngrysën vitet e gjatë mbi atë vorr, ku prehej poeti: në nji robni që vetëm armiku e dëshiron”,- shkruan At Zef Pllumi. Më pas frati françeskan ndalet në 6 shkurtin e vitit 1967 për të shpjeguar atë që u quajt nga regjimi si “revolucion kulturor” në qendër të cilit ishte shfarosja e fesë. “Kishat e xhamijat u shembën në tokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spijuen e tradhëtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër iu suellën varrit në fund të kishës e dhunuen e shkatërruen”, -kujton Atë Zef Pllumi. Më tej ai vazhdon duke shkruar se “Kjo natë,simbas nji dishmitari okuar, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e i hodhën në Drin.” ( At Zef PllumiRrno për me tregue” Ishin eshtrat e të madhit At Gjergj Fishta, Homerit shqiptar që na la kryeveprën e letërsisë shqiptare” Lahuta e Malcisë

Edhe kush mundi të dalë i gjallë nga burgjet komuniste, ka vdekur me kancer në mushkri. Meqë vrau, burgosi e internoi qindra mijëra njerëz, Hoxhën e tmerronte ndjenja e persekucionit, sepse e kishte ndërgjgjen të përlyer.  Një luftë të tillë bëri edhe në gjirin e partisë. Në vitet 1941 -1970, Enveri ka përjashtuar 30.000 anëtarë partie. Nga 21 anëtarë e kandidatë të KQ P K Sh, që udhëhoqën luftën, 19 u përjashtuan, u burgosën ose u pushkatuan. Nga 7 anëtarët e parë të Komitetit Qendror Provizor të vitit 1941, u pushkatuan, u burgosën ose u vranë, 6 prej tyre. Nga 80 kuadrot drejtuese të formacioneve kryesore të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare,mbi 60 janë pushkatuar, burgosur ose përjashtuar. Portretin e tij të vërtetë, nga shkolla e Gjirokastrës, në Liceun e Korçës e deri në Francë, ia ka sjellë Foto Bala, një intelektual me emër. Pse iu pre bursa në Francë nga ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, për arsyen e vetme të mosmarrjes së provimeve, e vdiq në burg. ”Më 1947 u dënua me 7 vjet në burg, atëherë Dr.jurisprudent Mirash Ivanaj pyeti trupin gjykues: - Po për çka jam dënue zotni? - Ke ardhur me ide që të bësh propagandë (në Shqipëri).- Po a ka ligj në botë që të dënojnë mendimin?” (Wikipedia & panorama 20-6-2004)- të tillët vrau E.Hoxha dhe komunizmi.

Ngritjet dhe uljet e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë

Duke studiuar dokumentet historike, apo të autorëve që kanë hulumtuar për këto vite,si ata, edhe unë kam dal në disa përfundime. Intelektualë dhe atdhetarë të tjerë (themeluesit e 4 grupeve komuniste) ishin  ata që dhanë kontribut maksimal për formimin e forcës së parë politike shqiptare, por çuditërisht ishin agjentët serb Mugosha e Popoviç që themelun PKSh, dhe ishte pikërisht agjentura serbe, ajo që nxori në krye të Partisë dhe të shtetit të ri shqiptar, E.Hoxhën. Pse u duhej pikërisht Enveri? Se ishte një njeri pa një diplomë, pa ideale kombëtare, pa karakter, me moral pervers që mund t’u shërbente me lehtësi e të bëhej palë (ortak) me cilindo armik të Shqipërisë. Shfrytëzuan karakterine tij të dobët, me anë të cilit do të arrinin synimet e tyre për ta bërë Shqipërinë Republikë të shtatë të Federatës Jugosllave. Aq me karakter të ulët dhe i paskrupullt ishte E.Hoxha, sa me urdhër të Titos, shumicën e anëtarëve të K.Q provizor të PPSh, siç e pamë i burgosi, i vrau, (si agjent jugosllav apo poliagjentë), dhe vetëm ai ishte besnik i idealit komunist shqiptar. Çudi?!

Pak ditë pas formimit të qeverisë së re të E.Hoxhës, gazeta "Bashkimi" boton kryeartikullin me titull "Jugosllavia faktor paqeje në Ballkan dhe në botë". Në këtë kryeartikull, vendin kryesor e zë fjala e Enver Hoxhës në Kuvendin Popullor, që ka thënë:

"Miqësia dhe vëllazërimi që na lidh me popujt e Jugosllavisë, do të jetë e përhershme se është vitale për popullin shqiptar dhe indipendencën e tij. Miqësia që na lidh me Jugosllavinë, është nga ato miqësi të rralla e të sinqerta që ndihmojnë aq shumë popullin tonë dhe nderojnë e respektojnë sovranitetin e Shqipërisë".

Në vazhdim, gazeta shkruante se popujt e Ballkanit "janë solidarë me popujt e Jugosllavisë  për problemin e Triestes dhe Julika Krajna‑n", të cilat Hoxha i quante "krahina të martirizuara".

Dy ditë më vonë, po e njejta gazetë citon fjalimin e Koçi Xoxes të mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të F D, si më poshtë: "Për popujt vëllezër të Jugosllavisë së re të mareshallit Tito, populli shqiptar ushqen ndjenjat më të pastra dhe të sinqerta të një miqësie dhe vëllazërimi të shëndoshë...Të kesh në kufi një demokraci përparimtare dhe të fuqishme siç është ajo e RFPJ‑s, do të thotë të kesh në kufi një aleat të shëndoshë e të sinqertë që të do të mirën dhe që të ndihmon pa kursim. Këtë miqësi të sinqertë, që lidh popullin tonë me popujt e Jugosllavisë, shumë njerëz e kanë halë në sy, se ata përbëjnë radhët e fashistëve dhe mbeturinat e fashizmit".Nuk kaloi shumë dhe Koçi Xoxe u vra si agjent i jugosllavëve. Kurse tashmë është zbardhur një shkrim i vitit 1978, nga “New York Times” sipas  një liste amerikane mes 22 diktatorëve më famëkeq të botës, është edhe Enver Hoxha. Më tej vazhdon:

“Diktatori komunist i Shqipërisë krijoi armiqësi si me Bashkimin Sovjetik ashtu dhe me Kinën para se të promovonte një politikë kombëtare të mjerueshme të bazuar te vetë-besimi që e ktheu vendin e tij një version ballkanik të Koresë së Veriut në ditët e sotme. Gjatë sundimit të tij prej katër-dekadash, Hoxha ndaloi fenë, urdhëroi ndërtimin e mijëra bunkerëve në të gjithë Shqipërinë, ndërmori projekte ekscentrike të ndërtimit publik, spastroi vazhdimisht rrethin e tij të brendshëm dhe shkëputi pothuajse të gjitha marrëdhëniet e rëndësishme ndërkombëtare të Shqipërisë. Hoxha krijoi një shoqëri plotësisht të izoluar me asnjë tolerancë për disidentët politikë. Rreth 200,000 vetë u burgosën për krime politike gjatë sundimit të Hoxhës, në një vend me një popullsi aktuale rreth 3 milion.” Gazeta “Dita” 1- April -2016

Rënia e murit të Berlinit dhe “rrëzimi” i diktaturës komuniste në Shqipëri

Rënia e murit të Berlinit më 1989, solli ndryshime në hartën gjeopolitke të kampit socialist, rriti shpresat e shumë popujve që jetonin  nën diktaturën e proletariatit dhe kishin përqafuar mësimet dritëdhënëse të marksizëm-leninizmit. Ndalemi pak te Shqipëria.

Shpesh është thënë e thuhet se, “Shqipëria ka qenë modeli i harmonisë ndërfetare”. Ose “Feja e shqiptarit është Shqiptaria” Kurse sot po ndodh tepër rëndom një fenomen i çuditshëm. Pikërisht ata bijë të devotshëm të Partisë së Punës, që ishin në krye të kësaj shfarosjeje, të  tjetërsimit të besës shqiptare, të zhdukjes së zakoneve dhe traditës sonë të bukur mijëravjeçare, kurse sot janë pikërisht ata që kanë dalë mbrojtës të flakët të Zotit, të kulteve e besimeve fetare. Këtu ka një gjë. Madje edhe në drejtim të fesë e besimit është një strategji e studiuar mirë nga projektzbatuesit e Katovicës. Në kohën e transformimeve të mëdha politiko-sociale pas rënies së Murit Berlinit 1989, nisi të gjejë zbatim Katovica afatgjate. Për të mos u ikur pushteti nga duart e komunistëve, udhëheqësit e partive komuniste u mblodhën në Katovicë, ku ishte edhe Ramiz Alia dhe dhanë porosi shpërbërjen e pushtetit të centralizuar. Ky pushtet i ri i decentralizuar duhet të përfaqësohet nga shumë parti me programe demokratike, do të ndërtohej pushteti i ri pluralist, duke marë si shmbëlltyrë mogelet e demokracive më të zhvilluara në botë. Pas një dasme apo feste solemne, e fundit që mbyll ahegun është torta. U duk sikur çdo shqiptar mori pjesën e tij të “tortës”, por Katovica i ndau shqiptarët me gjak të shprishur në shumë parti pluraliste sipas interesave të poltikës së vjetër. Pas gjysmë shekulli, më 1990, ky pushtet i ri, u nda mes njerëzve të besuar të PPSh. U duk sikur po bëhej një transformim ku po hidheshin bazat e shtetit të ri, shtetit të së drejtës ligjore, ku do të ndërtohej një demokraci e brishtë në vend. Tek këto transformime shqiptarët me shpirt të zbrazët, me mendje të tjetërsuar e të varfëruar dhe pa kacidhe në xhep, besuan. Por shumë shpejt pësuan zhgënjimin më të madh. Kryetarët, stafet e partive politike, parlamentarët, qeveritarët, e gjithë drejtësia, Bashkitë, Qarqet dhe Prefekturat vunë në krye ish anëtarët e KQ të PPSh, bijtë, bijat, nipërit dhe mbesat e tyre. Drejtuesit e bizneseve, krerët e diplomacisë, të drejtësisë, drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme ekonomike, politike dhe kulturore, arsimi, shëndetësia, mediat që janë pushteti i katërt, u vunë të gjithë njerëzit e besuar të PPSh. Jo vetëm kaq por dhe analistët social -politikë, në krye e në menaxhimin e firmave piramidale, në krye të OJQ-ve, në drejtim të shoqatave, si ato të çdo fshati apo të shkrimtarëve u vunë njerëzit e besuar të PPSh, me demek të rinovuar. Shoqatat atdhetare kulturore bëjnë çdo vit takime brezash po i lënë stafetën brezit të ri. Epo tek ne ecet me trashëgimi. Bëmë o baba, të të ngjaj... “O pushtet..., me pamjen e madhërishme të Meduzës. Kush u ul njëherë në karrigen tënde, zor se e lëshon më...” (vo: -Vivra-“Vështroni Meduzën-trilogji-2005)

Ndaj emigrimi i shqiptarëve po shndërrohet në një gangrenë kombëtare,sepse intelektuali, pronari legjitim, i arsimuari,i afti profesionalisht, edhe pse plotëson të gjitha parametrat apo kërkesat që do koha, përsëri nuk e gjen veten në vendin e tij. I duket vetja i huaj ose i tepërt, tamam si njeri pa atdhe. Edhe sa kohë do të lëngojnë shqiptarët nga plagët që hapin politikat e mbrapshta? Edhe sa kohë do të endet nëpër udhëkryqet e botës shqiptari i gjorë?! Kush e di ! Kush e di?!...

Ky zotëri, Edip Tërshana quhet me plot gojën “DISIDENT”, i cili në nëntorin e 2017 mbush 70 vjet që ia rrëmbyen jetën!

Në foto -Majtas: Edip Tërshana. Djathtas: Enver Hoxha me dy përfaqësues jugosllavë

Letra e Edip Tërshanës dërguar Enver Hoxhës më 1947

Kjo letër u botua për herë të parë në Albumin “Terrori Komunist në Shqipëri”. Në një intervistë të tij në media, studjuesi dhe bashkëautori i Albumit, Enver Kushi thotë: “Duke parë rrugën që mori pushteti pas Luftës Antifashiste, ai i dërgoi një letër Enver Hoxhës. Është një letër shumë kurajoze, që vetëm një burrë si ai mund të merrte kurajën t’i drejtohej Enver Hoxhës me TI dhe t’i thoshte se ishte kundra pushtetit dhe se ai ishte tradhtar. Tërshana u dënua me pushkatim, por vrau veten në qeli pak minuta pasi shkroi këtë letër. Origjinali ishte shkruar me laps në një copë gazete dhe na u desh ta deshifronim për ta bërë të lexueshme.

Më poshtë letra e plotë:

Enver! Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja Nacional Çlirimtare është një tradhëti e Atdheut, se jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomisht. Sot organizatorët Sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtëme e juaj sllave, ka shkaktuar që UNB të jetë kundër nesh, humbin shumë miq; kjo është Tradhti.

Jam kundra për vrasjet me Gjyq dhe pa Gjyq, që i bëhen këtij Populli, pse kështu don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti. Ky është pushteti, që varfënoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkohë, që ne kishim për 20 vjet rresht –mbathje, kjo është pra tradhtia.

Jam kundra këtij Pushteti, se është spekulator tue e grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregëtarët po ja shet ma shtrejt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve, kinse spekullatorë. Kurse Pushteti është më spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15, mori duhanin 15-20 Fr, ja shiti 100-120 Fr.

Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e te Titua. Kjo është tradhti. Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion Fr.shq për të ushqyer Pecot e amshorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për Pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhëti këto?

Jam kundra thirrjeve “Jemi bij të Stalinit”, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë, sa kur përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundra, se injoranca s’don kulturën: kështu duan sllavët. Kjo bësoj është tradhëti. Jam kundra, sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin?

Jam kundra, se në historinë për shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekëve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepullli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotshëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe tek ne kësaj ëndrre.

Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht. Jam kundra, se oficerët të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabit gratë e botës, me grabit karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi. Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?

Enver!

Tue i çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranue, se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mbanë. Pret nënë e mjerë, pasi i jati do të vrasë të birin e të bijën e vet. Edhe kjo është tradhëti e pushtetit popullor.

Ky Pushtet futi përçarjen toskë e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhti e naltë. More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin. Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut dhe me politikën tuaj të jashtme. A s’është tradhti?

Rroftë Ideali Kombëtar!

Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ia falët Jugosllavisë!

Rroftë Populli Shqiptar!

Rroftë Flamuri Kombëtar i panjollosur!

Nga i dënuari me pushkatim Edip Tërshana-22.11.1947

* * * * *

Duke marrë shkas nga letra kurajoze e martirit Edip Tërshana, po i drejtohem lexuesit në mbyllje të këtij punimi. Pasi lexova e botova këtë letër nga dora e një shqiptari të vërtet, flas me sinqeritet se jam shumë e vonuar për ta quajtur sot  tradhti kombëtare politikën e diktaturës. Kjo e vërtetë e madhe është thënë kur unë isha vetëm 2 vjeçe nga Edip Tërshana, i cili vlen të quhet “DISIDENT”

Të nderuar lexues dhe miq!Për sa kohë do të durojë shqiptari përbuzjen, pabarazinë, mosvlerësimin nga atdheu? Ju politikanë, që u ka buzëqeshur fati, kurrë mos harroni një gjë: atdheu është i të gjithëve! Ndaj shikojini të gjithë me syrin e nënës dhe jo të njerkës! Hiqni dorë nga

 * Atdheu s’është vetëm i imi, as i yti, porse na përket të gjithëve. 

* Të kthejmë sytë nga e kaluara e mundimshme dhe padrejtësitë që i janë bërë vendit tonë.

* Pësimi për këdo, për politikën apo individët, duhet të shërbejë si mësim.

* A do të rishikohen dhe ndëshkohen ndonjëherë fajtorët për krimet makabre që u janë bërë shqiptarëve?

* Të pranosh sfidën do të thotë të jesh i bindur në vetvete se je pajisur me dije shkencore për ku do të aplikosh.

* Po ne kur do të bëhemi si bota? A do të jemi ndonjëherë shtet i së drejtës ligjore që me politikat e tij në çdo fushë të jetës, do të pasqyrojë identitetin kombëtar?

*Po nuk u shkul gozhda e Nastradinit nga trualli ynë, ne do të vuajmë pafundësisht! ”Vivra-“Pa koment fq-145”

Ju politikanë të djeshmes, të tashmes dhe të nesërmes, që u ka buzëqeshur apo do t’ju ndris fati, kurrë mos harroni një gjë: atdheu është i të gjithëve! Ndaj shikojini të gjithë me syrin e nënës dhe jo të njerkës! Hiqni dorë nga partishmëria e sëmurë, nga verbimi i militantizmit se është ves i mesjetës së errët, që pengon dritën e vërtetë. Jo të gjithë ata që japin votën për interesa të ngushta vetjake, janë të aftë apo japin vlera kombëtare. Papunësia është armiku më i madh i jetës, që e hedh njeriun në krahët e dëshpërimit dhe të mosbesimit! Politikat partiake apo shtetërore duhet të jenë të tilla që çdo qytetar të frymojë lirisht, të ushtrojë profesionin, të gëzojë të drejtat dhe liritë që ia jep Karta e të Drejtave të Njeriut. Mos lejoni të përsëriten tragjeditë e diktaturës, se po mbushen burgjet me të pafajshëm, kurse kriminelët e vërtetë, peshkaqenët e korrupsionit, trafikantët e drogës, armëve dhe të mafies, e blejnë lirinë me para. E kjo nuk është demokraci. Para ligjit të gjithë shtetasit duhet të jenë të barabartë. Për fat të keq ata që nuk kanë para edhe për gabime ordinere ose të paqena, i fajësojnë dhe përfundojnë nëpër burgje, sepse ata gjyqtarë që dënuan baballarët, sot trashëgimtarët e tyre po dënojnë fëmijët dhe nipat e të persekutuarëve. Botës mos i tregoni se po bëni Reformë në drejtësi duke futur nëpër burgje cironkat.

Reforma në drejtësi duhet të nisë me  shpronësimin, hetimin e burimeve të pasurisë dhe  shkarkimin nga detyra të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve milionerë. Pastaj bëni emërime të reja. Atëherë do të funksionojë vettingu dhe do të gjejë zbatim reforma në Drejtësi. Kur Demokracia ndërtohet me parametrat e vendeve të zhvilluara, çdo individ shikon tek e nesërmja dritën e shpresës. E këtë dritë që ua jep Zoti dhe e drejta e të qenit qytetar të Republikës shqiptare, mos ua venitni, mos ua zbehni! Lerini që kjo dritë shpresëdhënëse t’u ndriçojë rrugën e gjatë të jetës!

Vivra 26 -2 -2017

Fund

Kliko dhe lexo

Pjesa I - Pjesa II - Pjesa III - Pjesa IV - Pjesa V

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm