Menu

Historia dhe utopia e shqiptarëve…!

User Rating:  / 0
PoorBest 

Punoi: Llazar  Syziu - Llazar SyziuTë informohesh mbi Ballkanin, do të thotë të informohesh edhe me raportet e tij me shqiptarët. Hendeku midis natyrës dhe kulturës e vë në siklet këtë të fundit. Kultura shqiptare është e vetëdijshme për këtë shqetësim dhe shfaq prirjen shpëtimtare për ta zbuluar natyrën e vërtetë të dukurive natyrore dhe shoqërore. Qytetërimi ynë zhvillohet brenda një sistemi vlerash të mbarsur me kontradikta. Lirisë në kuptimin demokratik të fjalës i kundërvihen liritë e grupimeve, “e drejta antike”, që mbron pabarazitë shoqërore të shtresëzuara nga shekujt. Nuk është natyra njerëzore universale, por realiteti historik, ai që vendos për vlerën dhe të drejtat e një njeriu.Zgjidhja e prolemeve zakonisht realizohet përmes raportit të tendosur midis ekzistencës dhe rregullit, mes vlerës dhe jetës.

Gadishulli Ballkanik dikur quhej Gadishulli Ilirik.

“Lumi ka shumë emra. Pranë popujve të ndryshëm, Danubi dhe Istro tregonin rrjedhën e sipërme dhe atë të poshtëme, por nganjëherë edhe rrjedhën e tërë. Plini, Straboni e Ptolemeu pyesnin se ku mbaronte njeri, e ku fillonte tjetri, ndoshta në Iliri, apo te Portat e Hekurta” (Claudio Magris tek libri “Danub”). Pra kufiri më i afërt i Danubit me trevat shqiptare do të ishte vendi ku degëzohet lumi Sava, pranë Beogradit, kryeqytetit të Serbisë. Kufiri më i largët i Ilirisë ndoshta edhe më tej. Kufijtë verior më të gjerë të termit arkeologjik “Iliri” dhe trojet e këtij populli që quhej Ilir, duhet të kenë qenë përtej Danubit. Sa për kufijtë jugor nuk ka hezitime. Bota Helene më herët dhe Bota Romake më vonë i ka patur ndërveprimet të fuqishme me Enciklopedine Ilire. Pa paragjykuar civilizimin apo barbarinë në dyndjet sllave, fakt është që bëhet fjalë për një popullsi, e cila zhvendosej me periudha, duke konsumuar trojet e gjera të Ilirisë. Gjurmët e dikurshme trgojnë se nënshtrimi këtij kombi pjesërisht, në kohë dhe në treva të banueshme, ka lehtësuar mbijetesën e tij deri në ditët e sotme. Lufta e periudhave të tilla, zakonisht ka patur moton: “Fitimtari…, gjithshka”. Njihen popuj historikë, që për arsye të qëndresës së papërkulur, kanë humbur territoret e banuara prej tyre, në rastin më të keq janë eleminuar edhe fizikisht, duke u kthyer sot në terma të thjeshtë historik. Karakteristikë e dyndjeve sllave nuk ka qenë përparimi masiv në periudha të shkurtëra kohore, por konsumi pak nga pak i këtyre trojeve, duke keqtrajtuar banorët kufitar të trevave ilire. Për vet hapësirën e madhe dhe primitivitetin e sistemit të transportit, duhet të pranojmë një homogjenizim të dobët të fiseve që përfshiheshin në këto troje.

Çfarë kërkojnë shqiptarët sot? Ilirinë! Këtë term arkeologjik! Po, mundet. Ky realitet mebtjesh mijëra vjeçare shërben për të zbuluar vetveten çdo shqiptar, që zotëron elementët më pozitiv të nocioneve kulturore të sotme. Sipërfaqja mjaft e madhe e Ilirisë nga njera anë dhe format ekzistuese të menaxhimit shoqëror, na tregojnë se nuk mund të përcaktohen saktë kufijtë e saj. Pra shqiptarët nuk kërkojnë kufijtë e Ilirisë, por shenjat dalluese të civilizimit, të realizuara në vedbanimet e njohura të saj. Intuita e tyre kërkon vetveten dhe nuk mund ta kërkoj tjetërkund atë përveçse tek ilirët, banorët e lashtë të Gadishullit Ballkanik. A e kanë gjetur? Sigurisht! A kanë akoma për të gjetur? Patjetër! Një shqiptar që flet shqip nuk mund të etiketohet “nacionalist shqiptaromadh”, i cili kërkon të zgjeroj sipërfaqen e kombit shqipfolës në kurriz të kombeve të tjera, vetëm e vetëm se kërkon të penetroj nëpër identitetin shumëshekullor të tij. Kufijtë midis shqiptarëve, si pasardhës të ilirëve, dhe kombeve të tjera kanë ekzistuar vazhdimishtë në realitet. Kufij kulturor dhe territorial. Në këta kufij fati i shqipëtarëve ka qenë raskapitës. Shënimi i këtyre kufijve ka qenë i vështirë, ndoshta nga lëvizja e tyre e shpeshtë, si meandrat e një lumi, prej vorbullave marramendëse të historisë. Ndoshta nga mungesa e formave të larta gjithëpërfshirëse të menaxhimit shoqëror.

Përgjithësisht interesat e këtyre banorëve të lashtë përputheshin. Ata kishin mbrojtje dhe siguri njeri-tjetrin, mbartësin e vlerave të përafërta kulturore. Por ja që kjo botë ishte e përçarë. Interesat e lidershipit të kohëve historike, ashtu si edhe sot, e nëpërkëmbin nocionin “kulturë e njëjtë”. Interesi i tyre ka qenë dhe është pasuria, forca dhe pushteti. Pasi kanë sigurur këto ndodh që kujtohen edhe për paqen. Elemente këto thelbësore në të gjitha format e administrimit shoqëror. Në këtë mënyrë ajo vijë e fatit të vështirë të shqiptarëve ka lëvizur shpesh. Me hir apo me pahir, me fitore apo me dështime historike. Kështu ka ndodhur në tokë dhe në det. Në fusha dhe në malet e thepisura. Kufij sipas mbretërive, sipas fiseve, kufij tokësor e social, pa llogaritur këtu kufijtë e ideve të përcaktuara nga përvoja e gjithsecilit. Megjithatë fati i hidhur i përbashkët i shqipëtarëve i ka detyruar vazhdimisht ata, që të bëjnë dalje idetë e tyre personale për të siguruar mbijetesën.

Edhe sot gjen në arkivat turke të kohës së ekzistencës së perandorisë, kufij të saktë të trojeve me kombësi shqiptare. Por shqiptarët nuk e kanë të lehtë të kërkojnë këta kufij, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se nuk ka ekzistuar ndonjë shtet shqiptar me këto konture. Këto vija të qarta ndarjeje administrative, i kishte përcaktuar një perandori e mirëorganizuar, në mënyrë që të shfrytëzonte sa më lehtë pasuritë natyrore dhe shoqërore vendase. Kufijtë e katër vilajeteve shqipëtarë, në fund të fundit përfshinin brenda tyre edhe banorë të etnive të tjera. Historia si gjithmonë edhe në këtë rast e kishte thënë fjalën e saj. Lëvizjet kaotike të njerëzve dhe të grupeve të interesit brenda perandorisë së madhe Osmane e kishin përzier etninë dhe kulturën shqiptare.

Frymëzimi nuk është privilegj vetëm i poetëve, apo artistëve në përgjithësi. Është, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një grup i caktuar njerëzish, të cilët i viziton sistematikisht frymëzimi. Janë këta, të gjithë ata që me vetëdije e zgjedhin punën e tyre dhe e kryejnë atë me dashuri dhe imagjinatë. Ka të tillë mjekë, pedagogë, kopështarë, njerëz të qindra profesioneve të tjera. Ka edhe historian, bile edhe historianë patriot. Epo kush ndjek vetëm frymëzimin, i ndodh që papritur mund të gjendet i vetmuar. Koha i përjashton dhe i dënon me harresë vetëm ato vepra të duarve dhe mendjeve tona, të cilat nuk nevojiten në ndërtimin shekull pas shekulli të godinës së madhe të civilizimit. Shumica e njerëzve punon për të siguruar mjetet e jetesës. Punojnë se duhet të jetojnë. Dhe nuk janë ata që zgjedhin me pasion punën e tyre, janë rrethanat e jetës që zgjedhin për ta. Puna e papëlqyer, puna që të mërzit, puna e vlerësuar vetëm për faktin se kjo është një nga format që mund të mbijetohet. Ky është një nga mundimet më të mëdha njerëzore. Por ja që ky kontigjent krijon atë bazë të paqëndrueshme ku testohen të gjitha teoritë dhe ideologjitë. Në këtë kudhër farkëtohen edhe pikëpamjet që udhëheqin historianët.

Logjika popullore, jo shkencore është e cekët. Shumë, shumë, në rastin më të mirë, u beson bashkëfolësve vetëm nëse ata do të ishin dëshmitarë okular dhe jo nëse ata sjellin lajme nga të tjerët. Qëndron kjo deri në shfrytëzimin e dukurive me imtësi telepatike. Edhe kjo rrugë të shpie në vërtetësi, por shpesh herë shumë vonë. Në një kohë kur nuk ka më mundësi akoma, që të menaxhohen problemet, por vetëm mbetet të përjetohet optimizmi apo pesimizmi. Në jetë nuk duhet ti dorëzohemi pikëllimit, për shkak të gabimeve, apo mëkateve tona, sepse e kaluara nuk është e mbyllur dhe merr kuptimin nga veprimet tona të mëtejshme.

Theli i realitetit është kuptimi. Atë që nuk ka kuptim e quajmë të pa vërtetë. Forca lëvizëse e shkencës njerëzore është njëmendësia, që në fund të gjurmimit ajo rreh të gjej kuptimin përfundimtar të botës. Ajo e kërkon këtë kuptim në ndërtimet e saj dhe në agregatet e shumëllojshme natyrore e shoqërore. Kush beson tek zoti mund të ndihet papritmas i braktisur. Natyra përkundrazi ekziston, nuk zhduket, nuk di të braktisi, rrjedh besnike, diçka që duket. Atë nuk e trembin rreziku i teologjisë apo zvetënimet ideologjike.

Shumë formacione shoqërore me treva plotësisht të përcaktuara njeh bota shqiptare. Jehona e Principatës së Arbrit, 500 vjet më parë, e cila e udhëhoqi botën shqiptare, për një periudhë të gjatë, në luftë kundër Perandorisë Osmane, është ende simbol krenarie për patriotët shqiptarë. Demostrimi i forcës së Pashallëkut të Shkodrës, apo bëmat e Ali Pashë Tepelenës tregojnë qartë tendencat për pavarësi të botës shqiptare. Por këto kanë qenë vetëm shkëndija, të cilat projektuan të ardhmen e këtij kombi të lashtë.

Ja një ditë të bukur, më tepër se një shekull më parë, edhe kombit tonë i ndriti fati. U kurorëzuan përpjekjet për krijimin e një shteti shqiptar. 

Sipas Syrja Vlorës: “Të mos kish qenë dora shpëtimtare e monarkisë Austro-Hungareze, (së cilës me hir dhe me pahir ju bashkua Italia) që u ngrit në mbrojtje të Shqipërisë, përpjekja e parë për të krijuar një Shqipëri të mëvetshme do të kish qenë sot një ëndërr tashmë e harruar. Për ne shqiptarët shkatërrimi i saj (Monarkisë) ka qenë një katastrofë e rëndë. Ne nuk kishim pjekurinë e duhur politike…”

Vetë Ismail Qemali në bisedë me përfaqësuesin francez në KNK është shprehur se: “Do të ishte mosmirënjohje të mohohej roli i Austrisë në çështjen e krijimit të shtetit shqiptar”

Mehmet Konica, pjesëtar i delegacionit në Londër, i dërgon një letër qeverisë austriake ku ndër të tjera shkruan se: “Shqipëria i detyrohet një mirënjohje të thellë madhërisë së tij Franc Jozefi dhe qeverisë së tij, për të gjitha sakrificat që Austro-Hungaria po bën duke synuar që të krijohet një Shqipëri e fortë dhe e aftë për të jetuar e pavarur”

Franc Ferdinandi, trashëgimtari i fronit Austro-Hungarez, i deklaroi Syrja Vlorës se: “Sipas një marrëveshje midis Monarkisë dhe Italisë, Shqipëria duhet të mbetet një shtet i pavarur për të ruajtur baraspeshën ballkanike dhe për të penguar hegjemoninë e pa kufizuar të sllavëve. Ajo duhet të gëzojë mirëdashjen dhe kujdesin e veçantë të pjesëve gjermane dhe hungareze të Monarkisë”

Nuk jemi në gjendje të përcaktojmë se sa e madhe do të ishte përkrahja Austro-Hungareze sikur simboli në flamurin shqiptar, të mos kishte ngjashmëri me një simbol të vjetër gjerman, të shqiponjës me dy krena. Por dimë saktë se territori i shtetit shqiptar mori formën e gjurmës së çizmes së ushtarit austriak, e cila do të siguronte mosdaljen e rusëve në Detin Adriatik përmes serbëve. Sepse kjo do t`u mundësonte atyre që t`i bënin karshillëk Italisë, Monarkisë dhe gjithë Evropës. Ky është një simbol i vjetër i botës gjermane, i cili nuk mund të përcaktohet qartë se çfarë tregon, për njerëzit që ka udhëhequr. Gjatë studimit të botës njerëzit dikur, (dendur kjo ndodh edhe sot) e kanë të lehtë ta ndajnë atë në dy pjesë, në të mirë dhe në të keqe, në të re  dhe në të vjetër, në përgjithësi në progresive dhe regresive. Çfardo kuptimi që të ketë patur ky simbol, ai i tejkalon mjaft cilësitë dalluese të shqiponjës, si mbreti i shpendëve.

Bazuar në intensitetin e lëvizjeve për liri, ndoshta më parë do ti takonte të përfshihej në kufijtë e shtetit shqiptar trualli i Kosovës. Por ja që interesi i vendeve të huaja nuk u përputh si duhet me historinë patriotike të shqiptarëve. Në fund të fundit, kufijtë e këtij shteti ishin më të mëdha se sa e lejonin pretendimet e vendeve fqinje. Në kufijtë e tij u përfshinë pjesa më e madhe e të krishterëve shqiptarë, qofshin këta katolikë apo ortodoks. Kjo arsye e fundit i krijonte më tepër siguri Monarkisë, sepse qytetërimi gjerman, do të thotë totaliteti i krishterë.

Shqiptarët e dinë mirë se shpesh të drejtat e tyre i kanë fituar duke ndërkombëtarizuar çështjen tonë. Në fakt ndërkombëtarë për shqiptarët kanë qenë shtete të fuqishme evropiane, aziatike, ose amerikane dhe jo gjithë bota, siç pretendon kjo fjalë e magjishme. U deshën edhe 100 vjet të tjera histori, që të krijohej një shtet i ri shqiptar në trojet e kosovës. Populli shqiptar i Kosovës gjatë periudhës së autonomisë së kufizuar, nën diktatin e kuq serb, arriti të krijonte një klasë politike me një pjekuri relative, e cila duke bashkëpunuar ka pritshmëri të krijojë një histori politike më të qëndrueshme për të ardhmen e vendit. Të paktën histori më të qëndrueshme, se ajo e shtetit të parë shqiptar të Ismail Qemalit. Nuk mund ta themi saktë, se sa e shpejtë dhe e fortë do të kishte qenë, ndërhyrja e Nato-s në tragjedinë që ndodhi në trojet Kosovare, në qoftëse shkëputja që kërkonte populli shqiptar në Kosovë, nuk do të influenconte në dobësimin e Lidhjes Jugosllave dhe mënyrën e saj socialiste të jetesës. Mënyrë jetese e cila binte ndesh me shumë nga parimet e ndërtimit të jetës së Komunitetit Evropian dhe të shoqërisë amerikane. Për këtë kontribut të ndërkombëtarëve flamuri i Kosovës do të qëndiset me yjet e Komunitetit Evropian. Yje këto që shtruan rrugën e vetvendosjes së shtetit shqiptar të Kosovës. Në të dy shtetet shqiptare ndihma ka ardhur nga qendra e Evropës. Në të dy rastet gjakderdhja ndër përfaqësuesit ndërkombëtar ka qenë zero. Kjo, si duket se gjaku i kurbanëve të kombit shqiptar, të rënë për liri dhe pavarësi, ka dalë dhe ka tepruar për këtë vetvendosje të mundimshme. Në të dy rastet shpresat e kombit kanë qenë më të gjera, për arritjen e suksesit.

Bota transformohet, por me një ritëm të ngadaltë, aq sa duket e palëvizëshme për njeriun, të cilit i fal ndjesinë e përjetësisë. Të privilegjuarat ligjësi u mbijetojnë shekujve, duke parashikuar të organizojnë jetën, sipas një rregulli të caktuar dhe ta çojnë pak nga pak në thellësi të kohës. Kjo vërtetësi është në luftë të vazhdueshme me moralin e kohës, i cili e vesh me lavde të shkuarën, ku ligji duket se ka vepruar mirë, duke e organizuar si duhet botën. Autorët që pasqyrojnë me vërtetësi historinë bashkëkohore pa lajka e zukurime, në përgjithësi konfliktohen me gjithshka përreth tyre. Nuk ka si të ndodhi ndryshe. Ata pasqyrojnë lojën tekanjoze dhe rebele të erosit; ata janë shkatërruesit më të mëdhenj të çdo hierarkie të pa depërtueshme shoqërore; ata janë çoroditësit e çdo tufe të rregullt letrash, që përdorin paratë me kupa e me shpata, për ta bërë sa më të dashur lojën. Pavarësisht se utopitë e lidhura me realitetin u ngatërrohen nëpër këmbë. Në fakt thënia e të vërtetës është provë e lirisë, kurse nga gënjeshtra njihet vetëm robërimi. Kush pasqyron me vërtetësi aktet historike, me siguri që ka shërbyer si burim i shpërndarjes së dozave të qartësisë, sigurisë dhe optimizmit. Kjo për të gjithë ata që janë në gjendje dhe e zotërojnë vullnetin e të nxjerrit të kuptimit, në radhët e stivosura me germa.

Metodë do të thotë ndërtim i përvojës. Çdo eksperiencë është rezultat i një metode të qëndrueshme. Shkencat ndihmojnë në ruajtjen e arsyes, ato udhëheqin përpara për të zbuluar botën. Gjërat ndryshojnë vazhdimisht dhe e humbasin identitetin e tyre. Kush ka një formim shkencor të mirë, ndihet mirë mes gjërave. Në përgjithësi bota është mjaft heterogjene. Në këto shtete heterogjene të kësaj bote, idetë patriotike ndërthuren me aftësitë e njerëzve për të respektuar vlerat e etnive, që ndryshojnë nga etnia vendase. Kur këto shtete janë të fuqishme ekonomikisht dhe politikisht, favorizohet më tepër lulëzimi i këtyre ndjenjave të partneritetit ndërkombëtar. Individët e kombësive të tjera e kanë më të lehtë dhe e ndiejnë më të fuqishme, nevojën e integrimit me shoqërinë vendase. Të dy shtetet e kombësisë shqiptare, janë etnikisht mjaft të pastra. Kjo ndikon në krijimin e kushteve të favorshme për lulëzimin e patriotizmit dhe nacionalizmit ekstrem. Kjo realizon atë, që në etiketimin e kastës qeverisëse, gjejmë shumë emërtime për tradhëti të interesave utopike të pseudopatriotëve shqiptarë. Patriotë të cilët çdo gjë e matin me njësinë e tyre të përcaktuar nga dëshirat kombëtare. Mirë do të jetë që ata të korigjojnë dëshirat e tyre me mundësinë që kanë dy shtete të vogla, nën trysninë konjukturale të shteteve të fuqishme. Konjuktura këto që rëndom nuk i përfillin vështirësitë, nevojat dhe kërkesat e shteteve të vogla. Duke vërejtur se sa të pakta janë mundësitë e ekzistencës së pavarur si shtet kur ke fuqi të pakta ekonomike dhe njrëzore, kuptohet menjëherë se sa të rëndësishme kanë qenë dhe janë kontratat e përkohëshme të lidershipit shqiptar, me faktorë të rëndësishëm politikë. Sidomos kur këta historikisht kanë patur dhe kanë pretendime të padrejta territoriale ndaj Shqipërisë. Përdorimi i shprehjes tradhëti kombëtare, duhet të ketë fakte konkrete dhe argumentim korrekt, ndryshe do të ngeleshim në labirinthin e akuzave ndaj shumicës së lidershipit, për tradhëti ndaj atdheut. A do të mund të ekzistonte Shqipëria me gjithë këta udhëheqës tradhëtarë? Edhe flamuri i Kosovës, i këtij shteti të dytë shqiptar, është i ngarkuar me disa yje, që e kanë origjinën nga qendra e Evropës. Kjo jo vetëm nuk e rëndon ndërgjegjen e shqiptarit por as cilësinë e jetës së tij të pavarur. Përkundrazi ky duhet të jetë një ogur i mirë për kombin shqiptar, për të rritur cilësitë bashkëpunuese, për të kujtuar vazhdimisht që mbijetesa e tyre e pavarur në këtë botë të madhe, do të varet patjetër nga zhvillimi i këtyre aftësive.

A do të këndojnë shqiptarët për bashkim kombëtar? Po. A do të vazhdojnë shqiptarët të rizgjojnë historinë e tyre të lashtë? Po. A kanë drejtë shqiptarët të ruajnë ekuilibrat koniuktural, për të mbrojtur fitoret e arritura? Patjetër. Shqiptarët kërkojnë bashkëjetesën që pranon morali i civilizuar botëror, prandaj u takon vendi i nderit në familjen e madhe evropiane. Kjo nuk i pengon shqiptarët në të dy shtetet e tyre të kërkojnë, që të respektohen të drejtat e popullsisë shqipfolëse e cila jeton jashtë këtyre dy shteteve. Të drejtën për të përdorur gjuhën amtare, për të festuar festat e tyre tradicionale dhe kombëtare, të drejën e tyre për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur në institucionet e vendeve ku jetojnë. Dhe mbi të gjitha të drejtën për të jetuar si të barabartë në mes të barabartëve në trojet e tyre shumëshekullore ku historia si një lum i turulluar ju ka tjetërsuar herë pas here kufijtë.

Ka një gjuhë shqipe dhe vetëm një. Në përbërje të saj vërehen dialekte, ku më kryesorët janë dialekti Toskë dhe dialekti Gegë, por të gjithë kuptohen me njeri-tjetrin. Natyrshëm kjo, çdo gjuhë ka dialektet e saj. Ka një komb shqiptar, i cili ka shqiptar që flasin shqip. Këta shqiptar i gjen kudo nëpër botë. Të integruar në çdo shoqëri. Kush po i pengon shqiptarët të flasin shqip? Kush po i pengon të transmetojnë brez pas brezi, këtë gjuhë mjaft të konsoliduar? Kush po i pengon të shpalosin dijet, aftësitë dhe prirjet e kultivuara historikisht, prej ekzistencës së shoqërisë shqiptare? Askush!

Ka një truall shqiptar. Po emërtoj truall shqiptar vendet me shumicë të popullsisë shqiptare. Dhe kam të drejtë. Historia e njerëzimit nuk njeh ndonjë invazion ilir, arbëresh apo shqiptar, në trojet e popujve të tjerë. Të kundërtën, po, e ka fiksuar në celuloidin e historisë botërore. Ah, po. Historia njeh lëvizje të veçuara shqiptarësh, të cilët e braktisin vendin e tyre për një jetë më të mirë dhe të sigurt. Në këtë truall shqiptar gjen minoritarë grek, serbë, maqedonas, apo malazez. Kush duhet ti pengoj ata të integrohen në shoqërinë tonë? Askush.

Të persekutuar prej dominimit historik të Romës, Bizantit, bullgarëve, grekëve,apo serbëve, shqiptarët kanë performuar cilësi mjaft të mira. Cilësi këto që mund të frymëzojnë ndjenja patriotike nga më ekstremistet. Por e vërteta është se në atë truall ku shqiptarët jetojnë për breza me radhë të pavarur, nuk kanë cilësi jete më të mira se në ato treva, të cilat përfshihen ende në territorin e shteteve si Greqia, Maqedonia, Serbia, apo Mali i zi. Ky është një motiv i fortë që tregon se nacionalizmit ekstremist shqiptar për bashkim trojesh, i duhet vënë fre.

Sot ka dy shtete shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë, të cilat kanë ndërtuar forma të pavarura qeverisje. Dy shtete që kanë lindur në zjarrin e luftës për liri të shqiptarëve. Dy flamuj që identifikojnë saktë kohën kur u krijuan dhe alternativat bashkëkohore respektive, që patën përkrahje. Dy shtete të vogla që kanë si detyrë të parë mbijetesën. Mbijetesë e cila është garanci e sigurt për respektimin e vlerave shqiptare në trojet tona, në Ballkanin e trazuar, në Evropën e bashkuar dhe kudo nëpër botë ku jetojnë shqiptarët.

Bota do të jetë e rrezikua ndoshta, derisa të mësoj ta ndiej, thuajse me një perceptim fizik, se çdo komb është i destinuar të ketë orën e tij dhe se nuk ekzistojnë në mënyrë absolute qytetërime të mëdha apo të vogla, por një rrokullisje e njëpasnjëshme stinësh e lulëzimesh të popujve.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm