Menu

Identiteti shqiptar dhe politikat arsimore

User Rating:  / 0
PoorBest 

Punoi: Llazar Syziu - Llazar SyziuFushat e veprimtarisë njerëzore janë shumë. Sigurimi i suksesit në çdo fushë, nëpërmjet rastësisë, intuitës dhe spontanitetit, është i pamundur sot. Kjo, për arsye të zhvillimit shumë të madh shoqëror. Procesi i cili do të siguronte sukses, patjetër që është edukimi. Kjo ndodh edhe në shoqërinë shqiptare. Veçoritë dhe karakteristikat e kësaj shoqërie dallojnë nga shoqëritë e tjera. Pikërisht ky diapazion vlerash, ka të bëjë me identitetin kombëtar shqiptar. Niveli i zhvillinit arsimor të një vendi është tregues i qartë i zhvillimit shoqëror të tij. Shqiptarët janë ndër banorët më të hershëm të trevës së Ballkanit. Luftërat e shumta që ata kanë bërë në shekuj, për liri dhe pavarësi, janë pasqyruar edhe në përpjekjet për arsim dhe kulturë bashkëkohore. Çdo shoqëri zotëron një sasi njohurish, zakonesh dhe përvojash, me anë të të cilave rregullon marrëdhëniet midis anëtarëve të saj, ose me grupet e tjera shoqërore. Me shtimin e popullsisë, zhvillohen, zgjerohen dhe shumëfishohen këto vlera. Pra arsimimi i të rinjve shoqërohet me një tërësi institucionesh, që bëjnë të mundur edukimin e tyre me vlerat morale të pranuara nga shoqëria dhe përvetësimin e dijeve të kultivuara prej saj.

Le të hedhim një vështrim thellë në histori. Sasia e madhe e gjurmëve arkeologjike në Shqipëri, po ashtu dhe përmasat e tyre, janë tregues të ekzistencës së një shoqërie mjaft të zhvilluar, që prej 2500 – 3000 vjet më parë. Të njëjtin përfundim nxjerrin punimet arkeologjike edhe në truallin e Kosovës. Qendrat e zhvilluara kanë qenë të shumta, por prej tyre po përmendim Dyrrahun dhe Apoloninë. Figura të shquara, të cilat kanë bërë histori në Romën e lashtë, e kanë marrë formimin e tyre në moshën e rinisë në këto qendra me zhvillim të admirueshëm tregëtar dhe kulturor. Fillimet e Apolonisë kanë qenë me origjinë ilire, por zhvillim të madh mori kjo qendër kur në të filluan të vendosen kolonët dhe tregëtarët grekë. Së bashku me mallrat, ata realizuan prurje edhe në ide, shprehi kulturore etj. Në këtë kohë nuk bëhet fjalë për "politika arsimore" por mund të themi me siguri, që ekzistonte një nivel edukimi bashkëkohor. Me siguri prirjet për edukim fizik dhe ushtarak dominonin mbi edukimin ekonomik, shkencor dhe filozofik.

Çdo popull gjatë ekzistencës së tij, ka kaluar periudha të ngritjes dhe lulëzimit si komb, po ashtu edhe periudha të rënies apo shthurjes shoqërore. Ka kaluar periudha të bashkekzistencës paqësore brenda vendit, ose me popujt e tjerë. Ka kaluar gjithashtu përmes luftërash me disfatat dhe fitoret e tij. Pra ai ka siguruar vlera të caktuara, si rrjedhojë e kësaj rruge të gjatë. Pikërisht këto vlera të realizuara në të kaluarën e afërt dhe të largët, kanë të bëjnë me identitetin e tij si komb.

Karakteristika kryesore e identitetit tonë si komb, është rezistenca mijëravjeçare kundër procesit të asimilimit të gjuhës, kulturës dhe zakoneve tona. Lufta për mbijetesë të cilën shqiptari e ka zhvilluar kundër të huajve, ka bërë, që ai të kaloj në plan të dytë zgjidhjen e problemeve të brendëshme, në tendencë të vazhdueshme, për të fituar lirinë dhe pavarësinë e tij. Difekt ky që vërehet deri në ditët tona. Shpesh herë shqiptarët i zgjidhin kontradiktat e brendëshme jo me frymën e bashkekzistencës paqësore, por të mbështetur në luftën ndaj kundërshtarit "deri në vdekje", sepse ky është motivi i fiksuar në luftë me të huajt. Nuk mbeten prapa për elemente të tilla negative, jo vetëm në Kosovë por edhe në Maqedoni ku shqiptarët në përputhje me legjislacionin vendas kanë krijuar bërthama bashkëqeverisëse funksionale.

Edukimi si proces ka lidhje të ngushtë me shërbimet ndaj shoqërisë, në mënyrë që brezi i ri të marrë këto vlera. Trevat Ilire përjetuan sundimin Romak, Bizantin, Sllav dhe atë Osman. "Mohaks. Fushëbeteja antike, ku në vitin 1526 Mbretëria e Hungarisë, e mundur nga turqit, u harrua për shekuj. Mohaksi, si Kosova, është monument epokal, një betej që vulos për shekuj fatin e një populli". (Claudio Magris, autor i librit "Danub") Këto perandori e kishin qendrën diku gjetkë, pra trojet shqiptare mbeteshin gjithmonë në periferi, larg zhurmës së zhvillimeve të vrullshme. Me gjithë antikitetin e hershëm të lulëzuar kjo shoqëri mbeti e pa zhvilluar me treguesit e domosdoshëm shoqëror. Simpati për këtë popullsi të reduktuar, e cila qëndroi gjatë, me durim dhe pa u vënë re, e nënshtruar, një tokë pjellore e përulur, e cila priti me shekuj momentin për të lulëzuar.

Deri 130 vjet më parë shqiptarët ishin një popull rural bujqësor dhe blegtoral. Luftërat e vazhdueshme e kishin zvogëluar vetëdijen e shqiptarit në karakteristika si: trimëria, besa, mikpritja, ndjenja e punës dhe atdhedashuria e flaktë. Synime këto që realizoheshin në lidhjet familjare, ndërveprimet fisnore, ose në luftë të drejtpërdrejtë me të huajt. Por ja që administratat perandorake duhet të vilnin taksat në trojet shqiptare, pra duheshin kështjellat si njësi luftarake dhe organet e kultit si njësi bindjeje për të siguruar nënshtrimin. Marrëdhëniet që krijoheshin, në mënyrë të tërthortë siguronin edhe gërshetimin e evolucionin e vlerave kulturore. Veprat e shumta monumentale, ndërtimet e kultit dhe kështjella të modeleve bizantine, sllave e osmane janë tregues për këtë.

Ne jemi mësuar të komentojmë qëndresat e shqiptarëve në shekuj kundër të huajve, por me plot gojën mund të themi se shumë shqiptar që kanë lënë gjurmë në histori, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj, edukimin fillestar e morën në këto kisha dhe manastire. Në atë kohë njerëzit më të ditur dhe me njohuri më të plota për shoqërinë dhe natyrën, ishin klerikët. Nje numër i vogël shqiptarësh i lejonte mundësia ekonomike të merrnin kulturë në lindje, perëndim, apo kryesisht në shkollat turke. Arsimi në gjuhën shqipe nuk i ka fillesat në 7 mars 1887, kur u hap shkolla e parë shqipe në Korçë por shumë më herët. Fillesat e tij arsimi shqiptar i ka patur rreth viteve 1250, në kohën e lindjes së gjuhëve popullore në Evropë. Para kësaj periudhe, gjuhë e shkruar ishte kryesisht latinishtja dhe greqishtja e vjetër. Dokumente që vërtetojnë lindjen e gjuhës shqipe janë ato të, Pal Engjëllit 1462, Gjon Buzuku 1555, Frang Bardhi 1625, Pjetër Bogdani 1680. Klerikët shqipëtar, qenë të parët, që do të shkruanin gjuhën shqipe, por jo vetëm këta që janë të faktuar. Shkalla e kultivimit të kësaj gjuhe tregon më së miri se të tjerë më parë e kanë përpunuar këtë gjuhë. Difekti shoqëror i shoqërisë së mbyllur socialiste, ka lënë gjurmë edhe në këto dokumenta të pakta të cilat e faktojnë ekzistencën e kësaj gjuhe të lashtë. Sot shoqëria shqiptare po përjeton një hapje të shpejtë, pra dhe mundësi më të mëdha për të farkëtuar identitetin tonë të hershëm kombëtar.

Në civilizimet e asaj kohe vetëm klerikët, kjo shtresë e shoqërisë ishte e arsimuar. Ata ngritën shkollat e para shqipe në trojet tona, por në kushtet e veçanta të viseve shqiptare, u detyruan që për disa shekuj rresht, të ishin mësuesit e vetëm të shqipes në vend. Kështu pra u hapën shkollat shqipe në kuvendet Françeskane, dhe këto për qëllimin kryesor të realizimit të shërbesave fetare. Edhe këtu nuk flasim për politika arsimore, sepse ato ishin në fazat embrionale edhe në qytetërimet e mëdha të kohës. Një pjesë e vogël e shoqërisë në atë periudhë kohore arsimohej. Vetëm ata që udhëhiqnin shoqërinë në planin ekonomik, fetar dhe politik. Por ne mund të flasim me vendosmëri për përpjekje bashkëkohore në konsolidimin e një gjuhe popullore. Shkronjat e përdorura ishin të alfabetit latin.

Lufta kundër gjuhës shqipe ka qenë rregullisht e ashpër dhe shpesh herë frontale. Të gjithë të huajt që kanë shkelur tokën arbërore e kanë mohuar dhe luftuar gjuhën dhe shkollën shqipe , duke ndryshuar emrat e maleve , lumenjve dhe qendrave të banuara. Duke i quajtur shqiptarët "të paudhë" dhe "barbare", dhe gjuhën e tyre të pa vlerë. Mbijetesa e kësaj gjuhe, do të realizohej nga shqiptarë të shkolluar në medresetë turke, në manastiret greke, në kishat katolike, në kuvendet Françeskane apo në shoqëritë e Jezuitëve. Prandaj kjo ndikoi që deri në vitin 1900 gjuha shqipe të shkruhej me shkronja greke, turke, serbe dhe latine. E para politikë e mirëfilltë e arsimit shqiptarë ka qenë njehsimi i gjuhës shqipe vetëm me germa latine, i cili u fiksua në Kongresin e Manastirit. Në trojet shqiptare përpjekjet u bënë në të katër vilajetet, por ja që kufiri shqiptar u tkurr në më pak se gjysmën e tij dhe shumë pjesë të kombit, si Kosova dhe Çamëria , trojet në Maqedoni dhe Mal të Zi mbetën jashtë Shqipërisë. Dokumentacioni i periudhës së rilindjes gjendet në sasi të madhe në turqisht, sepse kjo ishte gjuha zyrtare e kohës dhe nga ana tjetër gjuha shqipe, akoma e pa kultivuar mirë, nuk e zotëronte fjalorin e domosdoshëm për të plotësuar dokumentacionin e përpiktë zyrtar. Edhe gjurmët më të qarta, të ngjarjes më mbreslënëse të kohës "Lidhjes së Prizrenit" i gjejmë në gjuhë të huaj, turqisht, anglisht, frëngjisht etj.

Në çdo periudhë të historisë, por veçanërisht gjatë Rilindjes Kombëtare gjuha shqipe do të ishte simbol i fuqishëm kombëtar. Pavarësisht dialekteve, ku spikatnin dy më kryesorët gegërisht dhe toskërisht. Dialekte ka çdo gjuhë, por në kuadrin shqiptar ato janë krijuar në një sipërfaqe relativisht të vogël. Arsyeja e parë është se prapambetja shoqërore nuk favorizonte qarkullim të fuqishëm të njerëzve, për shkak të mungesës së qendrave të mëdha të zhvilluara, mjeteve të transportit etj. Arsyeja tjetër është se gjithë shoqëria shqiptare ka qenë e përçarë. Bashkimi i saj ka qenë i pjesshëm dhe për periudha të shkurtëra kohe. Faktorët e përçarjes kanë qenë kryesisht administrativ dhe fetar. Roli i rëndësishëm i gjuhës në bashkimin dhe përparimin e kombit duket jo vetëm në egërsinë me të cilën janë zhdukur dokumentat shqip nga të huajt, por edhe në etjen e mendimtarëve të ndritur shqiptar, për të faktuar lashtësinë e saj.

Vepra e Sami Frashërit "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet", ka qenë një platformë e sigurt, për gjenerimin e politikave të arsimit shqiptar. Kështu, në qoftëse Mësonjëtorja e parë në Korçë, ishte shkëndija fillestare e qëndrueshme e arsimit shqip, Normalja e Elbasanit ishte konsolidimi i përpjekjeve, që arsimtarët shqiptar të përgatiteshin brenda vendit. Deri në këtë kohë mësuesit shqiptar ishin përgatitur në sholla të lindjes apo të perëndimit. Përgatitja e tyre ishte bashkëkohore, por ata ishin të paktë. Në fillesat e tij arsimi shqiptar, e thithi pedagogjinë e kohës pa aftësi të qarta përzgjedhëse. Mësues të tjerë që kishin dalë nga shkollat shqipe nuk i zotëronin në shkallën e duhur cilësitë profesionale. Pas shpalljes së pavarësisë në 28 nëntor 1912 me vendim të ministrisë së arsimit shkolla fillore u bë e detyrueshme për fëmijët e Shqipërisë. Kjo performancë e politikës arsimore shqiptare e futi drejt zhvillimit më të qëndrueshëm shkollën shqipe. Megjithatë mangësitë ishin të shumta. Dalloheshin më tepër për këto mangësi sidomos trevat me popullsi shqiptare, të cilat ishin ende të varura nga të huajt në administrimin e tyre.

Deri në këtë kohë arsimi në gjuhën shqipe kishte mbajtur gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe dha ndihmesë të madhe në mënyrë që të mos asimilohej kombi ynë. Tani detyra ishte edhe më e vështirë. Që të përparonte vendi, shkollat jo vetëm duhet të hapeshin në çdo skaj të Shqipërisë por duheshin siguruar mjetet financiare dhe materiale, në mënyrë që këto të funksiononin pa ndërprerë. Fatkeqësisht para dhe pas Luftës së parë Botërore, këto ndërprerje ishin të shumta. Shoqëritë shqiptare të ngritura në Greqi, Sofje, Bukuresht, etj..., i ishin përgjigjur shkollave të para shqipe me tekste, programe, mësues të përgatitur dhe materjale të tjera. Mësuesit e shkollës së parë shqipe dhanë mësim me armë në brez, patriotët shqiptarë funksiononin më lehtë jashtë kufijëve të Shqipërisë në rolin përkrahës, që realizonin për shkollat. Kjo tregon për elemente të shumtë të shoqerisë sonë të cilët, të lidhur me sunduesin, bllokonin hapësirat e mundëshme për ecurinë e shkollave dhe procesit të edukimit në gjuhën shqipe, në përgjithësi. Megjithatë, kontributi i patriotëve shqiptar, bëri që të arrihen rezultate në zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Një problem tjetër i cili filloi të zgjidhet ishte hapja e shkollave profesionale, në mënyrë që arsimimi të përputhej me kërkesat e shoqërisë. U hapën shkolla teknike, bujqësore, artistike etj... Së bashku me arsimin u zhvillua së tepërmi jeta kulturore. Shteti që drejtoi Ahmet Zogu mbase eleminoi spontanitetin në hapjen dhe mbylljen e shkollave, por gjendja e programeve, teksteve, mjeteve didaktike, objekteve shkollore dhe kushteve të punës së mesuesve dhe nxënësve të tyre ishin tregues të përkujdesjes së paktë për arsimin. Shtoi kësaj edhe spaletat fashiste, të cilat i vuri shkolla e asaj kohe. Botimet ishin të shumta, me materiale didaktike dhe pedagogjike, për shkollat shqiptare.

Ky komb i rezistoi coptimit gjatë Luftës së Parë Botërore dhe kontriboi në kampin antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për disa vjet gjatë kësaj lufte botërore Kosova dhe Çamëria iu bashkangjitën truallit mëmë. Kështu u krijuan kushte për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha trevat shqiptare. Edhe arsimi pati zhvillimet e veta. Kështu rreth 100 arsimtarë nga Shqipëria punuan me përkushtim në shkollat e Kosovës dhe Çamërisë. Por mbarimi i kësaj lufte dhe krijimi i shtetit të ri shqiptar e shpërfilli këtë përpjekje heroike të mësuesve, në kuadër të koniukturave të bashkëpunimit me shtetin Jugosllav. Pas luftës në kuadër të bashkëpunimit me Jugosllavinë këta mësues patriot provuan dënimet si nga jugosllavët ashtu edhe nga shqiptarët në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ndërshtetëror.

Zhdukja e analfabetizmit ishte e treta zgjidhje që realizuan politikat arsimore dhe u krye në periudhën e pushtetit popullor. U hapën kurse dhe shkolla sezonale që realizonin shkollimin e njerëzve pa shkëputje nga puna. Arsimi u bë i masave të gjera popullore. Aq e vërtet ishte kjo, sa që çdo njeri që kërkonte të arsimohej më së miri, ose të ngrihej në strukturat shtetërore, kishte prioritet në qoftëse përdorte frazën : "Vij nga një familje e varfër punëtore, ose fshatare, me tradita patriotike etj..." Arsimi i detyruar 8-vjeçar siguroi ligjshmëri pothuajse bashkëkohore në arsimin shqiptar. Numri i shkollave dhe pjesëmarrja e nxënësve në to, u shumëfishua. Ky vend, në fillim arriti të ngrejë institute dhe më tej shkolla të larta të specializuara për shumë degë të ekonomisë, derisa u themeluan universiteti, Akademia ushtarake etj. Akademia e shkencave është "ikonë" e krijuar në periudhën e pushtetit popullor. Por këto arritje kishin mangësi, sepse përvoja e shkollave tona ndërthurej vetëm me shkollat e lindjes dhe sikur të mos mjaftonte kjo, spaleta marksiste e izoloi shkollën shqiptare duke ngushtuar së tepërmi vizionin e saj tradicional. Fryma e kolektivizimit, që kërkonin politikat e arsimit të asaj kohe, realizoi më së miri gjithëpërfshirjen e njerëzve në ngritjen e nivelit kulturor. Arsimimi i studentëve jashtë vendit tonë kryesisht në vendet e lindjes, realizoi në shumë drejtime, thithjen e përvojës bashkëkohore. U përgatitën kuadro të arsimit të lartë në të gjitha fushat . Kjo i përgjigjej edhe modernizimit të jetës së vendit në bujqësi, industri, ushtri etj.

Një aspekt i politikës arsimore, i cili doli shumë në dritë në këtë kohë ishte rregullimi i marëdhënieve të brendëshme në arsim. Kur u bë i detyruar arsimi, mësues nuk ishin vetëm njerëzit me ide të theksuara patriotike, por edhe njerëzit të cilët e përdornin arsimin si mjet të mundshëm punësimi. Termi që përdorej dendur ishte: "Revolucionarizimi i mëtejshëm i shkollës" dhe ky nënkuptonte para së gjithash, mësues me një etikë të përcaktuar profesionale dhe shoqërore. Jo rrogëtar por misionar në arsim. Aplikimi i trekëndëshit revolucionar: "Mësim, punë fizike dhe stërvitje ushtarake" vërtet i vinte njerëzit në mënyrë të rëndomtë në punë të papaguar, ose nga ana tjetër, krijonte iluzionin se të gjithë të huajt ishin armiq. Por ai krijoi kushte, për marrjen e njohurive të shumta, për jetën civile dhe ushtarake dhe parasëgjithash, tek nxënësit dhe studentët lidhej teoria me praktikën, si element i rëndësishëm i të mësuarit të qëndrueshëm, kritik dhe aplikativ.

Arritjet e arsimit shqiptar të kësaj periudhe janë të shumta, për përmirësimin në planin kulturor dhe profesional të mbarë shoqërisë. Por shoqëria jonë u mbyll dhe u izolua nga ideologjia e theksuar e ndërtimit të socializimit me mentalitetin "si në rrethim". Kjo bëri që njerëzit të çorientohen, në kohë dhe hapësirë. Kështu p.sh. u forcua së tepërmi ideja se shoqëria jonë katërmilionëshe jetonte në mënyrë më të suksesëshme se shoqëritë e tjera. Kjo bëhej edhe kur flitej për shoqërinë amerikane qindramilionëshe. Dihet mirë që bashkëjetesa në një komb kaq të madh, realizohet duke zgjidhur probleme shumë herë më të mëdha se problemet të cilat i zgjidhte shoqëria jonë. Vetë fakti që shqiptarët u sistemuan në mënyrë të shpejtë dhe të qëndrueshme në këto shoqëri gjatë viteve të demokracisë, tregon se vlerat e tyre ishin të mëdha, por mbyllja dhe veçimi ideologjik e dëmtoi rëndë vizionin e shoqërisë shqiptare. Veprimtaritë të cilat realizonin këto sforcime shoqërore kushtëzuan rënien e këtij shteti. Kufizimet në mënyrën e jetesës së shoqërisë krijuan pakënaqësi tek njerëzit, të cilët filluan të largoheshin në mënyrë demonstrative nëpër botë. Izolimi për një kohë të gjatë nuk ishte vetëm fizik, por edhe mediatik. Dikush, që ndiqte edicionet informative, apo edicione të tjera drejtëpërdrejt nga media e huaj, kishte rrisk të madh për diskriminimin shoqëror. Me të njëjtin ton mund të përshkruhen edhe mosfunksionimet ndër shqiptarët e Kosovës, por gjithmonë duke patur parasysh intensitetin e ngjyrave dhe problemin e pa zgjidhur nacional.

Hapja ndaj botës pas vitit 1991 krijoi hapësira të reja për indentitetin shqiptar. Thyerja e tabuve ideologjike i dha mundësi orjentimit mendor të pa kufizuar të njerëzve, në lidhje me vlerat më të mira kulturore dhe institucionale të vendeve të tjera. Fitoi standarte të reja niveli i jetesës së popullsisë, në ekonominë tone hyri fjala e fundit e shkencës dhe teknologjisë bashkëkohore. Shqipëria është sot vend me përfaqësitë e tij në shumicën e organizmave rajonale dhe ndërkombëtare. Shkollat shqiptare, një shekull më pare morën gjithëshka nga sistemet edukative bashkëkohore dhe ia nënshtruan zhvillimit e përparimit të vendit, i cili kishte përvojë të paktë në këtë fushë. Sot arritjet në hapësirat e edukimit botëror shfrytëzohen në mënyrë kritike. Përvoja jonë e arsimit shqiptar po plotësohet çdo ditë me idetë dhe arritjet e shkollave të përparuara evropiane, amerikane dhe mbarë botërore. Sot në qendër të politikave arsimore të Shqipërisë, janë kompetencat themelore evropiane, në synimet për edukimin e brezit të ri. Krijimi i shtetit të ri shqiptar në trojet dardane të Kosovës, ka krijuar mundësi të reja, për identifikimin e arsimit, kulturës dhe aftësive shprehëse të gjuhës së përpunuar, të cilën ata kanë përdorur. Le t'i ballafaqojmë ato në dritën e nivelit të përvojës sonë tradicionale.

Komunikimi në gjuhën amëtare. Ky synim quhet plotësisht koherent me traditën e vendit tonë. Të formohet brezi i ri, në mënyrë të përgjegjëshme, për të respektuar dhe mbrojtur indentitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore. Jo rrallë krijohet ideja e shpërfilljes së indentitetit tonë. Kështu vërehen mosha të reja të cilat preferojnë të shfaqen në shoqëri, duke dëgjuar këngë të huaja, përdorin frazeologji të huaj, ose debatojnë për vlera të shoqërive të tjera, duke nënvlerësuar vlerat shqiptare. Pra këta duke manifestuar një sjellje të tillë, vlerësojnë çdo gjë, mjafton të ketë etiketën "e huaj" . Njohuritë e tyre për botën zakonisht i kanë të fituara nëpërmjet opinioneve jorealiste. Vetëizolimi bëri vërtet, që vendi ynë të pësonte prapambetje në mjaft fusha, por të tjerë, të cilët jetojnë jashtë vendit, pa mohuar vlerat e shoqërive të huaja, e gjejnë motivin, për të vlerësuar botën shqiptare. Atje ku ata janë, jo vetëm që krenohen me indentitetin e tyre, por realizojnë edhe aktivitete artistike, edukative dhe kulturore me natyrë të theksuar kombëtare.

Komunikimi në gjuhë të huaj. Shpesh gjuha e huaj ne Shqipëri ka patur synime politike. Kështu mësohej rusisht, sepse rusët perbënin qendrën e kampit socialist. U hoq rusishtja, sepse nuk do të ndiqet më ideologjia e socializmit dhe komunizmit. Komunikimi në gjuhë të huaj duhet të sigurojë për vendin shkëmbimet shkencore, kulturore dhe përvojat shoqërore, pra masivisht duhet të mësohen në shkolla gjuhë të vendeve me potencial të lartë në fushat e ndryshme të jetës. Në këtë mënyrë do të krijoheshin baza për prurje të ndryshme pozitive në shoqërinë tonë.

Kompetenca matematikore, shkencore dhe teknologjike, është trajtuar vazhdimisht me thellësi dhe aktualitet. Ndër lëndët që trajtohen me provim përfundimtar të detyruar ka qenë gjithmonë matematika. Kontrollet inspektuese në shkolla gjithmonë kanë realizuar me prioritet kontrollin e cilësisë së zhvillimit të lëndëve shkencore. Dukuri këto, që kanë ndikuar në rritjen e përkushtimit dhe vëmendjes për arritjen e këtyre kompetencave.

Kompetenca dixhitale. Zhvillimi i madh i pajisjeve kompjuterike ka ndodhur me shpejtësi të madhe në dekadat e fundit, pra ky synim i politikës arsimore është novator, jo vetëm për ne, por edhe për arsimin botëror. Veçoritë e zhvillimit të sotëm në të gjitha fushat shoqërore kërkojnë realizimin me nivel të lartë të detyrave menaxheriale, drejtuese dhe planifikuese. Këto nuk mund të mendohen të realizuara pa ndihmën e teknologjisë së informacionit, medias elektronike apo botës së pafund të internetit.

Kompetenca e të nxënit gjatë gjithë jetës. Tradicionalisht, kjo ka patur bazë të gjerë praktikimi i shkollave pa shkëputje nga puna. Liberalizimi i sotëm i arsimit të lartë dhe bashkë me këtë edhe i studimeve pasuniversitare ndihmon së tepërmi për realizimin e kësaj kompetence. Shkollimi pasuniversitar zakonisht bëhet për të mbajtur vendin e punës, ose për të arritur një vend të ri pune. Cilido që të jetë qëllimi, ai është tregues në rritje i cilësisë së edukimit në vendin tonë. Të mësuarit gjatë gjithë jetës, i ndihmon njerëzit të realizojnë vetkontrollin në mënyrë më racionale dhe të jenë gjithmonë pranë risive interpretuese të dukurive shoqërore dhe të problemeve të praktikës prodhuese. Praktikimi në shkolla i projekteve kurikulare dhe punës së pavarur, gjithashtu përgatit nxënësit për të fituar edukatë pune për të gjithë jetën. Inisiativa e tepruar, së bashku me antivlerat e shoqërisë, ka shpërfillur një vlerë të qartë të saj. Aplikimi prej nxënësve i punës praktike në bujqësi, apo industri, realizon në mënyrë të tërthortë lidhjen e teorisë me praktikën. Dikur kishte ndërrmarje shtetërore dhe krijoheshin mundësi për realizimin e infrastrukturës së nevojshme, që të aplikohej praktika në këto ndërrmarje. Sot ka sipërrmarje private, prandaj duhet të rregullohen me ligj mënyrat e aktivizimit të rinisë shkollore drejtpërdrejtë në prodhim. Deri diku kjo realizohet vetëm në shkollat profesionale. Për rrjedhojë brezi i ri sot, megjithëse merr njohuri të shumta teorike, ka vështirësi në aplikimin praktik të tyre. Këtë të metë të madhe e zbuloi dukshëm testimi që realizoi projekti ndërkombëtar " PISA" në vendin tonë. Rinia në shkollat e arsimit të detyruar dhe në shkollat e mesme të përgjithëshme, që kanë rolin kryesor në furnizimin e arsimit të lartë, ka mangësi të dukshme në këtë drejtim. Rinia shqiptare, e di më së miri ku janë qendrat turistike, po ashtu dinë shumë mire ku janë diskotekat dhe lokalet e ushqimit me nivel turistik, por është e huaj për qendrat private apo shtetërore, të cilat prodhojnë të mira materjale.

Kompetenca shoqërore dhe qytetare ka patur bazë të gjerë tradicionalisht. Në planin social, sot identiteti shqiptar shfaq dukuri negative. Ne sot quhemi shoqëri e monitoruar. Në çdo hap që bëjmë në strukturat shoqërore, ne presim miratimin e Parlamentit Evropian. Për të siguruar votime të rregullta, ne kërkojmë prezencën e vëzhguesve të huaj. Pyetja e ngulitur në mendjen e çdo shqiptari është: "A i arritëm standartet shoqërore?" Shpesh herë shoqëria jonë kalon sforcime të panevojshme. Këto çoroditje vijnë ndonjëherë nga një njeri, nga një grup shoqëror, ose nga një parti politike. Filozofët e lashtësisë e kanë patur frikë demokracinë. Për ata forcë drejtuese e shoqërisë ishte autoriteti. Pra ata nuk mund të kuptonin drejtimin e një shoqërie, ku të gjithë janë të lirë të flasin dhe të realizojnë veprimtaritë. Ata nuk kishin ligje për funksionimin e demokracisë popullore. Por sot ka ligje. Pa kujdesin e duhur në zbatimin e këtyre ligjeve demokracia kthehet në anarshi. Edukimi për bashkegzistencë paqësore është prioritar në politikat arsimore. Por sot ajo ka fituar cilësi të reja të gjithëpërfshirjes, bashkëjetesës në harmoni, pranimi i vlerave të tjetrit, mirëkuptimi, toleranca dhe mbi të gjitha trajtimi i problemeve lokale në prizmin e globalizimit.

Rryma të caktuara në Shqipëri dhe në Kosovë, i bren së tepërmi ideja e bashkimit të këtyre dy shteteve. Njehsimi i gjuhës dhe kulturës, është barra që i adresohet politikave arsimore. Nxitja artificiale e këtyre tendencave krijon premisa për kontradikta. Pavarësisht izolimit real që ka ekzistuar, ndryshimet kulturore dhe gjuhësore midis tyre janë sipërfaqësore. Jo direktivat arsimore, por konkurenca e gjallë dhe reale do të sfidojë elementët e panevojshëm kulturor, apo gjuhësor dhe do të përforcoj alternativat me përfitim të përbashkët dhe ndërvarësinë reciproke. Meqenëse kjo shoqëri ka pësuar hapje të shpejtë dhe të fuqishme në të dy shtetet, figura të shquara në të dy vendet kanë hapësira më të mëdha për ballafaqim opinionesh gjuhësore, kulturore, ekonomike dhe sipërmarrëse për të dy vendet. Kjo është rruga e vetme e njehsimit kombëtar dhe jo deklaratat e papërgjegjëshme të figurave politike në të dy shtetet. Këto deklarata mund të krijojnë hapësira për kredibilitet të përkohshëm politik të rrymave të përcaktuara shoqërore dhe partiake, por në përgjithësi acarojnë kontradiktat mes popujve, së bashku me këtë, vështirësojnë zgjidhjet e vështira administrative në shoqrinë shqiptare. Sot është akoma e nevojshme të çlirohet raporti mes shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre historikë, nga një spirale e ndërsjellë dyshimesh e mosbesimesh, nga hijet e paragjykimeve të vjetra, mbi epërsinë e njërës palë, por edhe të hakmarrjes insistuese të tjetrës.

Kompetenca e iniciativës dhe sipërrmarjes, përgjithësisht në shkollat tona nuk është vlerësuar ndonjëherë drejtëpërdrejtë me nota. Por duke qënë se nxënës pa rezultate premtuese në shkolla, arrijnë nivele të larta të përshtatjes shoqërore, në drejtim, apo novatorizma teknologjikë, shfaqet qartë, se sa i rëndësishëm është ky tregues për shoqërinë që po konsolidohet. Ndoshta në periudha të tjera kohore, kjo aftësi do të vlerësohet drejtpërdrejtë me nota. Problemet bujqësore në vendin tone janë të shumta. Bujqësia shqiptare funksionon e parcelizuar, prandaj realizon produkt me kosto të lartë. Konkurimi i tregut të huaj është evident në shumicën e produkteve të saj. Edhe në industri është e njëjta gjendje. Sipërmarja, jo vetëm bujqësore, por edhe ajo industriale, në fillim është realizuar nëpërmjet intuitës personale. Kjo nuk siguron gjithmonë sukses. Funksionimi i njësive të mëdha bujqësore dhe industriale, që të parashikojnë me efikasitet shërbimet dhe njohjen e kërkesë-ofertës në treg, do të ishte zgjidhje e problemit. Sot sipërmarrja edukohet në shkolla, nëpërmjet lëndëve të Ekonomisë dhe Edukimit për karrierë. Pra sipërmarësit e ardhshëm, do të favorizojnë jo vetëm bujqësinë por edhe industrinë, transportin, shërbimet, etj.

Kompetenca e formimit kulturor dhe shprehjes është në përputhje me traditën, por dikur kishte kufizime në fushën politike dhe atë ideologjike. Heqja e këtyre kufizimeve ka bërë që njerëz të sferave shkencore, ekonomike dhe politike të kenë mundësi të arrijnë performancë të qartë në trajtimin e problemeve të cilat e shqetësojnë shoqërinë. Një synim i ri i politikës arsimore është edhe sensibilizimi i njerëzve në problemet mjedisore. Në fakt ky aspekt i rëndësishëm është shfaqur më i mprehtë në shoqëritë me popullsi të madhe, sepse shkalla e shfrytëzimit të burimeve mjedisore nga njera anë dhe krijimi i ndotjeve nga aktiviteti i përditëshëm në anën tjetër, po realizojnë tjetërsimin e mjedisit dhe pakësimin e biodiversitetit aq të domosdoshëm për mbijetesën e mbarë shoqërisë.

Prirjet e pjesëmërrjes së prindërve në mënyrë aktive në edukimin e fëmijëve të tyre, burojnë nga fakti që prindi është edukatori i parë i çdo fëmije. Edhe dikur ka qenë i rëndësishëm komunikimi midis nxënësit, mësuesit dhe prindit, por sot është vënë në baza të reja, me krijimin e bordit të shkollës dhe këshillit të prindërve, qeverisë së nxënësve etj. Pra tendenca e politikës arsimore në Shqipëri priret të jetë sa më bashkëkohore. Politika jonë arsimore ashtu si dikur edhe sot, ka siguruar një ndërgjegjësim në rritje të zhvillimit të prirjeve pozitive të shoqërisë sonë. Në këtë mënyrë shqiptarët përsosin kulturën shoqërore dhe arrijnë të ndërveprojnë sa më denjësisht me civilizimin botëror bashkëkohor.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm