Menu

Ballkani perëndimor dhe dyert e mbyllura të BE-së

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nga Xhelal Zejneli - Xhelal Zejneli Vende të Ballkanit Perëndimor konsiderohen: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bonja dhe Hercegovina dhe Serbia. Vendet e sipërthëna i takojnë Gadishullit Ballkanik dhe që të gjitha kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Duhet theksuar se Kroacia dhe Sllovenia kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Austro-Hungareze. Këto dy vende, as gjeografikisht dhe as në pikëpamje kulturore-historike, nuk i përkasin Gadishullit Ballkanik. Që të dyja janë anëtare të strukturave euro-atlantike. Duhet theksuar se Kroacia ka lidhje historike të ngushta me Gjermaninë dhe rrjedhimisht gëzon edhe mbështetjen e madhe të Berlinit.

Dy vendet e tjera të rajonit – Rumania dhe Bullgaria, po ashtu janë anëtare të strukturave euro-atlantike, përkundër faktit se nuk i plotësojnë standardet për të qenë pjesë e BE-së. Këto dy vende ia dolën të bëhen pjesë e saj, për dy arsye:

- e para, gjeografikisht janë afër Rusisë dhe si të tilla, paraqesin interes strategjik për Uashingtonin dhe Berlinin;

- e dyta, që të dyja këto vende, në historinë e kohës më të re, kanë pasur lidhje me Gjermaninë, ndaj Berlini që i prin BE-së, i kooptoi pa kusht në gjirin e familjes evropiane. Duhet shtuar se Rumania, gjeografikisht nuk i takon Gadishullit Ballkanik.

Karakteristika të vendeve e Ballkanit Perëndimor janë:

-       shkalla e ulët e zhvillimit ekonomik;

-       shkalla e lartë e papunësisë;

-       problemet e theksuara sociale;

-       niveli i ulët i demokracisë;

-       mediumet e kontrolluara, përkatësisht mungesa e mediumeve të pavarura;

-       niveli i lartë i korrupsionit;

-       mungesa e shtetit ligjor;

-       partizimi dhe politizimi i skajshëm i institucioneve publike dhe i administratës shtetërore, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë vendor;

-       polarizimi i skajshëm ndërmjet partisë në pushtet dhe opozitës politike;

-       denigrimi i oponentit politik me fjalë dhe shprehje pezhorative, që s’e has dot as në vendet afrikane;

-       shkalla e lartë e kriminalitetit, vjedhjet, vrasjet, reketimet, trafikimi i armëve, i lëndëve narkotike dhe i qenieve njerëzore dhe abuzimet e llojeve të ndryshme;

-       nëntoka urbane dhe ndërtimet pa leje.

* * *

Vendet e të ashtuquajturit Ballkan perëndimor, kanë ndër vete mosmarrëveshje të mëdha, madje edhe historike.

Serbia është në konflikt pothuajse me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, si për shembull:

- ndaj Kosovës ka pretendime territoriale dhe nuk e njeh pavarësinë e saj;

- Malin e Zi e konsideron krahinë të vet, ndërsa malazezët - serbë; në Mal të Zi e ka edhe kolonën e pestë të vet;

- në Bosnjë dhe Hercegovinë i mbështet tendencat secesioniste të entitetit serb, d.m.th. të Republikës Serbe;

- Kishës Ortodokse Maqedonase nuk ia njeh autoqefalinë.

Duhet theksuar se Serbia ka pretendime territoriale edhe ndaj Kroacisë. Po ashtu duhet shtuar se Beogradi ndjek politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), ndaj myslimanëve të Sanxhakut si dhe ndaj hungarezëve të Vojvodinës.

Ëndrra për Serbi të madhe jeton e gjallë sot, po aq sa edhe në kohën e Naçertanies (1844)Ilia Garashaninit. Serbia vazhdon të jetë satelite politike e Rusisë dhe vazhdimisht i kanoset Perëndimit se do ta sjellë Rusinë në gadishull.

* * *

Bosnja dhe Hercegovina është shtet me dy enitete dhe me tre popuj shtetformues. Entitete janë Federata Musliman-Kroate dhe Republika Serbe, ndërsa popuj konstituivë janë: myslimanët që identifikohen si boshnjakë, serbët dhe kroatët. Ndërmjet dy entiteteve ka mosmarrëveshje të mëdha. Republika Serbe që ka për kryeqytet Banja-Llukën, në asnjë pikëpamje nuk i bindet Sarajevës dhe ajo haptazi manifeston tendenca separatiste dhe secesioniste, duke synuar t’i bashkëngjitet Serbisë.

Serbia ndërkaq, përhap propagandë nëpër kancelaritë evropiane:

- se në Bosnjë dhe Hercegovinë ka fundamentalizëm islamik;

- se myslimanët e BH-së, përçojnë në rajon dhe në Evropë interesin turk, arab  apo iranian;

- se myslimanët e BH-së funksionojnë me sistem oriental të vlerave dhe jo me sistem perëndimor vlerash;

- se nga BH-ja rekrutohen të rinj për të luftuar në Siri dhe gjetkë, në radhët e ISIS-it.

Myslimanët e BH-së apo boshnjakët, siç e quajnë ata veten, e fajësojnë Beogradin për luftën e përgjakshme të viteve 1992-95 si dhe për gjenocidin e kryer nga serbët.

* * *

Mali i Zi është vend me probleme të caktuara, si:

- shqiptarët në këtë vend janë plotësisht të diskriminuar;

- në Mal të Zi ekziston kolona e pestë serbe, e cila në mënyrë permanente vepron për destabilizimin e saj;

- në Mal të Zi, në mënyra të ndryshme, synon të penetrohet Rusia, por edhe duke blerë prona në brigjet e Adriatikut.

Sipas një barcolete, çdo i treti qytetar i Beogradit është malazez.

* * *

Maqedonia është shteti më i nacifikuar në Evropë. Ajo ka probleme të shumta, si:

- kriza e identitetit e popullit sllavo-maqedonas;

- problemet ndëretnike midis shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, që janë pasojë e çështjes shqiptare të pazgjidhur;

- nacionalizmi i skajshëm që është pjesë thelbësore e programit politik dhe partiak të VMRO-së;

- identiteti i mohuar i sllavo-maqedonase nga Bullgaria, sipas së cilës, sllavo-maqedonasit nuk janë veçse bullgarë;

- mosmarrëveshjet me Serbinë, e cila e mohon kishën sllavo-maqedonase;

- problemet me Athinën rreth emrit.

Ideologjia e VMRO-së dhe pretendimet e saj për lidhjet e sllavo-maqedonasve me maqedonasit antikë të kohës së Filipit dhe të Lekës së Madh, paraqesin pretendime territoriale ndaj Maqedonisë së Egjeut në Greqi si dhe Maqedonisë së Pirinit në Bullgari.

* * *

Kosovës i kërkohet nga Brukseli:

- demarkacioni me Malin e Zi, në dëm të vet, dhe

- krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe, po ashtu në dëm të saj.

* * *

Shqipëria ndërkaq, nuk ka probleme të theksuara me vendet e Ballkanit perëndimor. Me Greqinë ende është në fuqi gjendja e luftës të cilën Athina nuk tregon gatishmëri ta suprimojë, ndërsa çështja çame vazhdon të injorohet nga grekët.

Brukseli, përkatësisht perëndimorët vërejnë te shqiptarët:

- dukuri të fundamentalizmit apo të radikalizmit islamik;

- pjesëmarrjen e një numri të caktuar të shqiptarëve nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Maqedonia në luftërat e huaja, si në Siri dhe në Irak.

- ndikimin, në segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni - të vendeve të caktuara islamike, si p.sh. të Turqisë dhe të disa vendeve arabe.

- ndërtimin e një numri të madh të xhamive me mbështetjen financiare të vendeve islamike.

Shqiptarët duhet ta dinë se kauza shqiptare nuk është problem fetar. Shqiptarëve u duhet zhvillim ekonomik, sistem arsimor bashkëkohor, sistem shëndetësor modern, infrastrukturë moderne, ndërmarrje prodhuese, krijim vendesh pune, rritje e përqindjes së punësisë, parandalimi i shpërnguljes masive të të rinjve dhe jo objekte fetare, xhami apo kisha, ngase të tillat nuk mungojnë.

*  *  *

Brukseli duke i parë problemet e sipërthëna të vendeve të Ballkanit perëndimor, nuk është e interesuar t’i pranojë ato në gjirin e vet. Por, Brukseli kurrë s’u thotë atyre se nuk do të pranohen në union. Mësuesi i mirë, edhe nxënësit më të dobët, kurrë s’i thotë se nuk mund të arrijë më shumë. Si pedagog që është, e këshillon që të punojë, të angazhohet e të mësojë më shumë dhe se suksesi nuk do të mungojë. Kurrë si thotë: ti s’di, ti je për kurrkund, ti do të përsëritësh, ti duhet të ngelësh.

Brukseli çdo vit u dërgon vendeve të Ballkanit perëndimor raporte vjetore në të cilat jep vlerësime për punën e bërë. Një pjesë e vlerësimeve janë pozitive, sa për t’i  kënaqur qeveritarët. Por jepen edhe do sugjerime për angazhim më të madh, sa për t’ia bërë qejfin edhe opozitës. Raportet vjetore të Brukselit dërguar vendeve që aspirojnë BE-në, janë shndërruar në klishe.

Sot si duket, dyert e Brukselit për vendet e Ballkanit perëndimor duken të mbyllura. Këtyre vendeve u sugjerohet të krijojnë njëfarë tregu të përbashkët, që do t’u  mundësonte atyre integrim ekonomik rajonal. Brukseli nuk dëshiron t’i pranojë në gjirin e vet vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe për arsye të tjera, si:

- frika nga shpërngulja masive e të rinjve të këtyre vendeve drejt Perëndimit;

- pranimi i këtyre vendeve në BE, paraqet për Brukselin ngarkesë financiare të jashtëzakonshme;

- popujt e vendeve, anëtare të BE-së, janë të ngopur me emigrantë, ndaj nuk duan të dëgjojnë për të tjerë;

- pranimi në BE i vendeve të Ballkanit perëndimor i forcon partitë e ekstremit të djathtë dhe nxit ksenofobinë;

- pranimi në BE i vendeve të Ballkanit perëndimor mund të ngjallë sindromin e Brexit-it edhe ndër vendet e tjera anëtare.

Ka të tillë që pandehin se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mund të shkaktojë ballkanizimin e Evropës.

*   *   *

Si mund ta pranojë Brukseli Serbinë në BE, përderisa Beogradi i është betuar Moskës se kurrë s’ka për të hyrë në NATO. Brukseli dhe Uashingtoni nuk të lënë të rrish në dy karrige: edhe anëtare e BE-së, edhe aleate strategjike e Rusisë. Serbia në BE do të ishte Kalë Troje i Moskës. 

Kur është fjala për integrimin në strukturat euro-atlantike, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë asnjë alternativë. Dikur ekzistonte Traktati i Varshavës dhe Këshilli për Ndihmë Ekonomike të Ndërsjellë. Anëtare të tyre kanë qenë – kundër vullnetit të popujve të vet – vendet e Evropës lindore apo kampi socialist. Me prishjen e murit të Berlinit, këta dy organizma, që kontrolloheshin nga Moska, u zhbënë. Lidhja me Rusinë sot, e ndonjë vendi ballkanik, do të ishte për të, gabim strategjik dhe historik.

*   *   *

Shqipëria dhe Kosova nuk e kanë vendin në atë farë tregu të përbashkët rajonal. Bie në sy se në një union të tillë do të bënin pjesë katër ish-republika të Jugosllavisë së dikurshme: Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia. Në një union të tillë, pamëshirshëm do të dominonte Serbia. Një zonë e tillë kurrë s’ka për t’u themeluar. Në një union të tillë në të cilin bëjnë pjesë popujt sllavë të jugut, shqiptarët s’kanë ç’të kërkojnë. Ky farë unioni, s’ka sesi të mos quhet mini Jugosllavi. Shqiptarët, që nga viti 1912 e këndej luftuan për t’u shkëputur nga bashkësia e sllavëve të jugut, ndërsa sot, në shekullin XXI, u dashka t’i rikthehen asaj!! Popujt që kanë luftuar ndër vete, s’mund të krijojnë union, qoftë edhe ekonomik. Serbët nuk kanë dhënë prova se janë për Evropë. Vili Branti u përul para viktimave të nazizmit, ndërsa Nikoliqi, Vuçiqi dhe Daçiqi e mohojnë se ekzekutimi i 8000 vetëve në Srebrenicë ka qenë gjenocid.

Kroatët qëmoti kanë thënë se kurrë nuk kanë për të hyrë në ndonjë union ekonomik rajonal, duke shtuar prerazi: Aty ku janë serbët, ne  s’jemi.   

*   *   *

Vonimi i shqiptarëve për t’u bërë pjesë e BE-së paraqet dështim për klasën politike të tyre. Është dështim edhe i inteligjencies shqiptare. Brenda 27 vjetëve, ajo që quhet klasë politike shqiptare, nuk ia doli të tregojë kapacitet shtetformues të duhur, nuk arriti të krijojë shtet ligjor, demokratik dhe të konsoliduar.

Shqiptarët duhet të dinë se nuk mjafton të maten apo të ndeshen me njëri-tjetrin. Perëndimi i ka kriteret e veta të matjes. Shqiptarët duhet të maten, jo me vetveten, por të përgatiten për të dalë në arenë dhe të maten me të tjerë, të paktën në shkallë rajoni. Nuk mjafton të thuhet: Jemi popull i lashtë, jemi autoktonë, pasardhës të ilirëve, kemi histori të lavdishme, jemi popull vital, kemi Skënderbeun, jemi bij të Kastriotit, shqipja është gjuhë e lashtë, inspirim yni janë rilindësit, Nënë Tereza – krenaria jonë, kolosi Kadare...

Një popull duhet t’i përvesh krahët, të punojë me nder dhe të ballafaqohet me realitetin, pa mite dhe legjenda. Pasurimi brenda natës i oligarkëve, shpie, jo në familjen evropiane, por në  unionin tregtar serbo-sllav. Për çdo dështim nuk mund të fajësohet e kaluara dhe historia. Njeriu, fajin për fatkeqësinë e vet, duhet ta kërkojë në vetvete. (Sartre). Fitorja i përket atij i cili shkon çdo ditë në luftë për tëthotë Gëte

Midis ballkanizmit të Evropës dhe evropianizimit të Ballkanit, Brukseli, duke sugjeruar krijimin e tregut të përbashkët rajonal për vendet e Ballkanit Perëndimor, tregon se është përcaktuar për të dytën, pra për evropianizimin e Ballkanit dhe jo për ballkanizmin e Evropës.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm