Menu

Të gjykojmë por si të gjykojmë?

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nga Dr.Përparim Demi - Përparim DemiI prirur të lehtësosh gjërat mund dhe të gabosh. Kjo ndodh kur eksperienca neglizhohet dhe paragjykimi kthehet në faktor përcaktues gjatë marrjes së vendimeve. Ndryshe mund të flasim për veprime të nxituara, të pa menduara, të ndikuara nga entuziazmi i momentit, nga dëshira, ndoshta dhe e mirë qoftë kjo, apo nostalgjia, rrjedhoje e kujtimeve personale apo kolektive. Ndodh që bindjet kthehen në paragjykime dhe e kundërta, këto modifikojnë përceptimin e realitetit.

Të gjitha këto situata janë të kuptueshme dhe mund të transformohen në argumente justifikuese dhe ndonjëherë dhe falëse. E megjithatë, nuk duhet të harojmë efektet, pasojat e vendimeve të nxituara, të cilat në rastin më të keq mund të jenë të gabuara, me një impakt përtej kufijve personale të vendimarrësit dhe mund të implikojnë apo të ndikojnë në krijimin e situatave jo të favorshme për popullin, mjedisin dhe vendin. Mund të lënë gjurmë që shtrihen në kohë duke dëmtuar breza gjeneratash të tëra pasardhëse.

Rëndësi ka që këto nuk duhen të përzihen dhe të ngatërohen me situata të tjera kur vendimarrja është e qëllimshme, rezultat i zbatimit të një plani, i një projekti të pashpallur, e diktuar nga forca të jashtme, të cilat për mos tu bërë të dukëshme, përdorin ndërmjetës, marioneta, njerëz të parapregatitur me kohë, të cilët ndryshe quhen dhe "koka turku", ose mercenarë për tu sakrifikuar në momentin e duhur. Sa shumë të tillë ka historia e vëndit tonë?

Në këtë drejtim duhet të gjykojmë drejtë dhe pa pasion, pa u implikuar emocionalisht, duke bërë një analizë mbi bazën e fakteve dhe jo interpretimeve të influencuara nga faktorë të ndryshëm të interesuar. Jo çdo gjë që duket është dhe e vërtet, prandaj analistit i duhet një punë serioze për të parë atë që fshihet pas ngjarrjes. Në popull fjala "gjykoj" ka raste që zëvëndësohet me fjalën "peshoj". Kuptohet se përdoret figurativ, por që ka një kuptim të thellë, që do të thotë ti masish mirë gjërat, situatat, personazhet e implikuara, pasojat, momentet dhe kohën, rrethanat etj.

Të fajësosh dikë është një punë aspak e lehtë, megjithëse shohim në median tonë plot raste kur akuzat janë të cekëta, të nxituara, jo të vërteta, qëllimkëqia, përfituese, hakmarrëse etj. Qëllimisht nuk përmënda rastet e akuzave publike të paguara, pasi kjo kategori duhet analizuar veçant dhe nuk përbën objekt të këtij shkrimi.

Njerëzit në shumicën e rasteve veprojnë emocionalisht dhe gjykojnë po ashtu, por ka raste që nuk kemi të bëjmë fare me një gjykim, por thjesht në të shprehet interesi personal apo i grupit konkurues, i cili mundohet të influencojë.

Objekti manipulues, mbi të cilin vepron media në raste të tilla është masa e madhe e lexuesëve, e dëgjuesëve, e spektatorëve, të cilët së bashku zënë një vend të rendësishëm në atë që quajmë, apo konsiderojmë, opinion publik si madhësi kompakte dominuese. Beteja, e cila konsumon shumë fonde dhe burime njerëzore gjatë fushatave të zgjedhjeve, pushton tërë hapësirën publike dhe penetron deri në teritorin e ngusht shoqëror apo familjar. Ajo kryhet me qëllim për të mos lejuar gjykimin personal të dalë mbi atë të servirur nga projektuesit (manipuluesit) e zgjedhjeve. Slloganet e parapregatitura janë fjalë-kyçe, formula të gatëshme, të cilat duhet thithen kollaj nga publiku i emocionuar, i papregatitur, i ndikuar, i tërhequr sipërfaqësisht etj.

Kompetiviteti në vendin tonë merr formën e një konkurence agresive, e cila krijon viktimat dhe heronjtë e saj.

Çdo gjë bëhet virtuale dhe vlera, esenca shpërbëhet, copëtohet në grimca të vogla që penetrojnë kollaj në mentalitetin konservator i papregatitur të ndryshojë. Njohësit e psikollogjisë kolektive dinë dhe kërkojnë hapësirat boshe që të përcaktojnë volumin e duhur të inzhektimit mediatik, pa shkaktuar derdhjet e panevojshme. Por jo gjithmon llogaritë i kanë të sakta, pasi masa kritike nuk është statike, ajo është fluide dhe shpesh ky është motivi që ndeshim në të papritura.

Gjykimi kolektiv është një kumul, është bashkësia më rezistente, e cila përbën një forcë reale. Ndodh që ajo nuk i raportohet realitetit, por projeksionit të tij dhe këtu kemi një problem të madh shoqëror. Kërkojmë zgjidhje, progres, rrugëdalje, por në jetën e përditëshme mbetemi të burgosur në të kaluarën, të lidhur emocionalisht dhe të shfrytëzuar nga forca që nuk na përfaqësojnë më. Kështu vendimi i shkëputjes sa vjen e bëhet më vital, nga i cili varet perspektiva. Inercia që përjetojmë bazohet në besueshmërinë e një realiteti të shkuar si pjesë e eksperiencës tonë, ndërkohë paralelisht jetojmë në një kohë të ndryshimeve thelbësore, e cila sakrifikon personalitete, figura, modele, idetë. Prandaj gjëja më e vështirë bëhet parashikimi. Kush pretendon se di gjithshka dhe flet si një fallxhor, meriton të përceptohet nga publiku i gjerë si një mashtrues, fatkeqësisht ka mjaft individë që i besojnë akoma.

Bukuresht, 22.08.2017

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm