Menu

Gudar Beqiraj: Deklarata e Ramës nuk besoj se është vendim zyrtar

User Rating:  / 0
PoorBest 

Kryetari i rizgjedhur i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Gudar Beqiraj, thotë se pas procesit të djeshëm zgjedhor, nesër hapet faqja e re e reformave. Në një intervistë me "Albanian Free Press", z. Beqiraj vlerëson se letra, - si ajo e akademikut Artan Fuga, - nuk duhet të nxisin as kryeministrin dhe as opinionin publik në përplasje institucionale. Kurse ka një parashikim të trishtë për fatin e ASH-së. Ai thotë, nëse Rama zbaton vendimin e shpallur në rrjetet sociale për prerjen e fondeve dhe kalimin e tyre tek universiteti shtetëror, atëherë Akademia e Shkencave do të mbyllet. Gjithsesi, z. Beqiraj ka shpresë se kjo nuk do të ndodhë, pasi mund të ketë ndërhyrje ndërkombëtare.

Prof. Dr. Gudar Beqiraj

Kryetari i rizgjedhur i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Gudar Beqiraj, flet mbi zhvillimet e fundit, me gazetën "Albanian Free Press"

Bisedoi: Albert Z. Zholi

Intervista e plotë që gjeni më poshtë, u bë ndërsa z.Beqiraj shkoi në Durrës, për të organizuar vullnetarisht, Kampionatin Europan të Peshëngritjes. "Do të jem në këtë aktivitet gjatë gjithë kohëzgjatjes, për t'i dhënë atdheut diçka të bukur", - u shpreh dr. Beqiraj.

Si e komentoni deklaratën e kryeministrit Rama, për ndërprerje fondesh? Çfarë ndodh në një rast të tillë?

Nuk besoj se është vendim zyrtar, pasi është një thënie në Facebook. Nuk është e lehtë të ndërpriten fondet për ASH-në. Por, nëse nuk jepen fonde, ASH-ja mbyllet. Megjithatë, nuk është e thjeshtë, pasi gjërat do të kthjellohen dhe besoj se z. Rama do të hapë rrugën e bisedimeve për të vazhduar reformat. Ne kemi 3 vjet që përgatitemi për reformat dhe kryeministri do të na kuptojë. ASH-ja është institucion i rëndësishëm shkencor, ku dhe organizmat ndërkombëtarë kanë fjalën e tyre. Personalisht, besoj në rrugën e drejtë të zgjidhjes. Dje u mbyll një kapitull, ai i zgjedhjeve të rregullta; sot, hapet një kapitull i ri bashkëpunimi, në interes të ekonomisë së vendit. Personalisht, nuk kam asnjë koment tjetër dhe zgjedhjen time nuk e quaj favor, por përgjegjësi. Dëshiroj të bëhet vetëm ajo që i shërben atdheut, ekonomisë së vendit, përparimit të tij.

A jeni edhe ju për reformë të ASH-së, ashtu siç lëshoi ultimatum z. Rama?

Deklarata e Ramës është keqinterpretuar. Kryeministri tha që nuk do të na japë mbështetje, nëse nuk kryhen reforma. Pra, ne jemi për reforma të thella dhe mbështesim nismat e qeverisë, që do shërbejnë në rritjen e ekonomisë së vendit. Pra, qëllimi i Ramës nuk është të ndërpresë fondet, por është që Akademia të jetë funksionale dhe të reformohet. Prerja e fondeve mund të ndodhë nëse nuk do të kryhen këto reforma, dhe nuk do marrin rrugë idetë tona në shërbim të ekonomisë, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë. Bashkëpunimi shmang çdo kolaps dhe ne, kështu, vihemi tërësisht në shërbim të kërkesave të ekonomisë së vendit. Këto mund të them nga gjithë eksperienca ime 45-vjeçare, në këtë fushë. Akademia vepron sipas ligjit, ashtu siç u veprua edhe me zgjedhjet. Nëse dikush ka parë ndonjë proces që nuk është zhvilluar konform ligjit, le të flasë.

Pse mendoni se po zhvillohet ky konflikt mes kryeministrit Rama dhe Akademisë së Shkencave?

Duhet të them me përgjegjësi që, me të drejtë, kryeministri Rama ka dhe shqetësime, pasi ka lexuar letrën që ka dërguar akademiku Artan Fuga. Pra, duhet dëgjuar çdo njeri që ka mendimin e tij. Por, në këtë rast, bëhet fjalë që vetëm një njeri ka qenë kundër të gjithëve, - një kundër 33 akademikëve! Pra, kush është gabim 1 apo 33? Kush është arsyeja që 1 të dalë kundër 33 akademikëve të respektuar dhe të nderuar?! Letra të tilla mund t'i çohen sërish kryeministrit, është e drejta e gjithsecilit, por çdo letër e një apo dy personave nuk mund të hedhë poshtë mendimin apo logjikën e funksionimit të ASH-së, që ka për bazë mendimin dhe idetë e 33 akademikëve të tjerë. Ne jemi në një shoqëri demokratike, në një shoqëri të lirë. Kur mazhoranca fiton, ku mazhoranca ka më shumë ide progresiste, ide në shërbim të vendit dhe më gjerë. Ashtu si në zgjedhjet parlamentare, mazhoranca flet apo triumfon me votë. Por, në këtë rast, ne nuk jemi mazhorancë, por supermazhorancë. Ka një njeri që leh dhe del gjithmonë kundër ASH-së, sa herë bëhen zgjedhjet, dhe kurrë nuk është afruar me një program, me një platformë, me një vizion. Unë i drejtohem zotit Fuga, se çfarë ke bërë në jetë? Çfarë i ke sjellë ASH-së? Personalisht, gjithë jetën i kam dhënë atdheut diçka modeste me punën time, për naftën dhe gjeologjinë, kam drejtuar dhe një Institut të Informatikës që, për dhjetë vjet, kam punësuar 1.200 veta, veç projekteve të ndryshme shkencore. Z. Fuga artikullin më të mirë, për mua, ka atë të gështenjashitësit poshtë pallatit të tij, i cili nuk i shiste më gështenjat me kaush, por i shiste me kandar farmacie.

Cilat janë objektivat tuaja për katër vitet e ardhshme? Cilat janë pikat më të forta të ASH-së?

Objektivi kryesor i ASH-së, është ndërmarrja e reformave brenda institucionit, - reforma të thella për të cilat jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me qeverinë. Ky është objektivi kryesor i cili qëndron dhe do të qëndrojë në themel të punës sonë. Të gjitha reformat do të kryhen në bashkëpunim me qeverinë dhe në funksion të programit të qeverisë. Ne nuk mund t'i bëjmë reformat pa bashkëpunimin me qeverinë. Edhe qeveria nuk e bën dot reformën e vetme në ASH, pa bashkëpunimin korrekt me ne. Duke biseduar gjatë me të gjithë stafin, duke parë punën dhe gabimet e së kaluarës, si staf akademik arritëm në përfundimin se, puna nuk është e gjallë duke qenë pa institute, - pavarësisht se akademikët kanë punuar, kanë shkruar, kanë nxjerrë produkte që i shërbejnë ekonomisë, duke filluar nga shkencat e ujit, energjisë, arkeologjisë dhe deri tek teknologjia ku kanë nxjerrë vepra cilësore në fushat e tyre. Duke parë zhvillimet e fundit dhe kërkesat e kohës, Akademia duhet të ketë institutet kryesore, duke filluar nga Instituti i Gjeo-Shkencave, duke përfunduar tek Albanologjia. Pra, duhen institute bashkëkohore që kanë brumin, idetë dhe vizionin, në funksion të ndihmës ndaj ekonomisë vendase. Unë e shikoj dhe e mendoj Akademinë e Shkencave një laborator të madh pune, vetëm në funksion të ekonomisë. Objektivat janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga afrimi i shkencëtarëve të rinj dhe bashkëpunimin me akademitë e rajonit, në funksion të ndihmës së ekonomisë. Reforma duhet të ketë bazë, ide, mendim, pasi nuk duheshin hequr Institutet e hidraulikës, sizmike, fiziko-bërthamore, biologjisë, historisë, gjuhësisë, informatikës, etj. Ishte nisma e Berishës për të reformuar ASH-në dhe në krye të reformës, vuri z. Artan Fuga. Çfarë ndodhi? Reformatori Fuga e shkatërroi ASH-në. Ai me idetë e tij, i hoqi ASH-së të gjitha institutet dhe për t'i çuar në universitet, gjë që solli çoroditje. Mësimi duhet ndarë nga shkenca. Mësimdhënia mbetet mësimdhënie, kërkimi shkencor mbetet kërkim shkencor. Ku është sot, Instituti i Informatikës që ishte bashkëkohor dhe standard, kishte të punësuar 60 vetë dhe që gjatë funksionimit 10-vjeçar punësoi 1200 veta? Është zhdukur.

Ku mendoni se duhet të ketë më shumë përqendrim të ASH-së?

Përqendrimi më i madh do të jetë në studimet dhe programet në bujqësi, ujërat, energjetikë, turizëm, - ku ka më shumë nevojë ekonomia jonë. Mund të them se bëmë një bashkëpunim të shkëlqyer me Akademinë e Malit të Zi, për studimin e lumit të Bunës dhe liqenit të Shkodrës. Efikasiteti ishte i plotë. Por të tilla mund t'i bëjë vetëm ASH-ja, jo Universiteti.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm