Menu

Albin Kurti: Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

User Rating:  / 0
PoorBest 

Me betejë për drejtësi e me zemër përplot dashuri, në shërbim për qytetarët e Republikës dhe me mendjen te progresi i vendit, për mbarësi e begati për të gjithë dhe secilin, jeta jonë mbushet me kuptim dhe ia vlen çdo ditë e saj.

Prandaj, unë, sot, këtu, para juve dhe për Lëvizjen tonë, për popullin tonë dhe vitet në vijim të qeverisjes sonë, ju siguroj që:

Do ta mbroj Kosovën dhe interesat e saj vitalë, do ta mbroj imazhin dhe mesazhin e Kosovës. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Do ta mbroj synimin evropian të Kosovës, dhe idealin kombëtar të popullit tonë. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Do të punoj që të ndërtohet një besim evropian dhe ndërkombëtar në shtetin dhe institucionet e Kosovës. Do t'i luftojmë ndarjet e përçarjet që na dobësojnë ndërkombëtarisht. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Do të mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar për stabilitet dhe paqe, pa e humbur dinjitetin. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Kosova do të jetë aktive në politikë regjionale, synimi ynë do të jetë paqja, e për atë na duhet ushtria. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Do të synojmë balancimin e forcave në rajon, duke u afruar shumë e shpejt me Shqipërinë, pastaj Kroacinë, Bullgarinë e Turqinë, e duke e mbushur me kuptim marrëdhënien tonë speciale me Amerikën e partneritetin jetik me Gjermaninë. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Ringjallja e institucioneve publike do të jetë puna jonë e parë, që prej fillimit të qeverisjes. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Mediat dhe OJQ-të do të mbështeten që të jenë të pavarura dhe të na kritikojnë sa më shumë qeverinë kudo që ajo bën gabim. Ne jemi transparentë dhe synimi ynë më i fortë është demokracia. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Do ta pastrojmë mjedisin tonë, që fëmijët mos të sëmuren nga mbeturinat, nga ajri i ndotur, apo nga rrezatimet që po shkaktojnë sëmundje të rënda. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Do të krijoj mundësinë e bashkimit dhe bashkëpunimit mes të gjithëve, gra e burra, të fshatit e qytetit, në punë a të papunë, që t'i tejkalojmë sfidat ku na la pushteti që u rrëzua. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Prodhimi vendor është mendimi dhe puna e një populli, prandaj dhe ekonomia e tij. Atdheu është vendi i duhur ku mendimi dhe puna të mbështetura nga qeveria, marrin vlerën e zhvillimit. Mbështetja për prodhimet e Kosovës do të jetë detyra jonë e do të bëhet shpëtimi ynë. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Rinisë sonë do i ofrojmë arsim profesional për zhvillim teknologjik e punësim industrial, shkencë dhe kulturë, infrastrukturë e programe sportive. Migrimi jashtë vendit dalngadalë do i lë vendin investimeve të mërgatës në vend. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Do t'i jap secilit prej jush, në jetën publike, profesionale apo private, gjithçka që Kosova mund të japë. Pra, të gjitha mundësitë që i kemi, do të jenë për të gjithë. Zotohem, me mendje! Betohem, me zemër!

Me mendje e me shpresë, me zemër e me besë, votojeni Vetëvendosjen dhe numrin e saj 35!

Fjalimi i Albin Kurtit në përmbyllje të fushatës, Prishtinë

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm