Menu

Prishtina, qytet në çdo lagje - 100 Zotime, në 10 fusha

User Rating:  / 0
PoorBest 

VETËVENDOSJE! në Prishtinë ka mbajtur konferencë për media ku u fol për arritjet e deritashme të Komunës së Prishtinës si dhe zotimet tona për mandatin e radhës.

"Në fund të vitit 2013, pak njerëz besonin se qeverisja e VETËVENDOSJE!-s do të mund ta kthente në binarë Prishtinën, pas devijimit që ia kishte shkaktuar LDK për 14 vite. Përmes VETËVENDOSJE!-s dhe Shpend Ahmetit, tashmë është dëshmuar se kur ke program dhe vullnet politik, ndryshimet jo vetëm që janë të mundshme, por edhe bëhen shpejtë", theksoi Kryetari i Lëvizjes, Visar Ymeri.

"Për vetëm 4 vite mandat Komuna e Prishtinës nën qeverisjen e Lëvizjes dhe Shpendit është bërë komunë kundërkorrupcionit dhe komunë transparence; e vetmja që i ndali ndërtimet pa leje dhe e ktheu rregullin, ligjin dhe cilësinë në ndërtim, komunë që i lehtësoi shërbimet për qytetarë përmes investimeve në sisteme të ndryshme dixhitale; që e përmirësoi infrastrukturën lokale duke investuar proporcionalisht në zonat rurale sikur ato të urbanizuara; Komunë që e çliroi pronën publike nga uzurpimi dhe e menaxhoi atë në dobi të qytetarëve; që ia ktheu funksionalitetin ndërmarrjeve publike dhe i vuri ato në shërbim të qytetarëve, sikur transportin publik që për herë të parë pas dekadave funksionon si duhet, apo ndërmarrjen banesore, e cila për herë të parë pas dekadave investon në mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta të banimit; që e përmirësoi dukshëm në procesin e menaxhimit të arsimit, e transformoi thellësisht dhe thelbësisht sistemit shëndetësor; i ndali parregullsitë, i eliminoi dallimet, privilegjet; e largoi luksin dhe shpenzimet e kota nga qeverisja komunale; u doli në mbrojtje punëtorëve; vendosi rregull dhe riogranizim në qytet; identifikoi, mirëmbajti dhe i shtoi hapësirat e gjelbra", tha Ymeri. Ai më tej shtoi se pas 22 tetorit, Kosova do të vazhdojë ta ketë një kryeqendër, por do të ketë shumë Prishtina, të mirëqeverisura, të lira nga uzurpimi, me qeverisje shërbyese e jo ngulfatëse – komuna të qytetarëve e jo pushtetarëve.

Nënkryetari i Lëvizjes, Dardan Sejdiu, foli për 4 vjet qeverisje të Prishtinës, kohë kjo kur ai shërbeu si nënkryetar i Komunës, dhe zotimet e realizuara.

"Furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm - i vlerësuam humbjet; i bëmë planifikimet dhe investimet e nevojshme duke ndërruar rrjetitn. Brenda 2 viteve, për 8 lagjet më të mëdha të qytetit u sigurua furnizimi i pandërprerë me ujë. Sot, e gjithë Prishtina ka 24 orë në ditë ujë të pijshëm.

Arsimi në shërbim të zhvillimit - siguruam kifle dhe qumësht falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, si dhe për ata nga klasa e gjashtë deri në të nëntë në mësimin tërëditor; bëmë përzgjedhjen e hapur e drejtorëve dhe stafit, me pjesëmarrje të komunitetit; organizuam "Prishtina Lexon"; përmirësimi i infrastrukturës së brendshme, me ç'rast edhe kompletuam 102 kabinete të reja shkencore.

Tregu i prodhimeve të vendit - treg mobil i të veçantë për bujqit vendor.

Çerdhet me kosto të përballueshme - hapëm 5 çerdhe të reja me bazë në komunitet, dhe dy të tjera janë gati për t'u hapur.

Barazi në Prishtinë - lehtësim i qasjes së personave me nevoja të veçanta nëpër institucione, rrugë, trotuare, si dhe nëpër banesat ku jetojnë; Integrim i fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla; Largim nga banimi në kontejnerë; Ndarje e drejtë e banesave sociale; Lirim nga pagesa për shërbime komunale për rastet sociale dhe grupet e rrezikuara; Transport publik falas për pensionistët.

Rregullimi i Trafikut në Prishtinës - Reformimi i transportit publik;51 autobusë të rinj me standardet më të larta; Themelimi i kompanisë publike "Prishtina Parking" – zonimi i parkingjeve në hapësirat publike dhe në lagje; Plani i qëndrueshëm i lëvizjes do të definojë kahjen e rrugëve, linjat e autobusëve, stacionet e reja, parkingjet, shtigjet e çiklistëve, etj; Udhëtim pa pagesë për pensionistët në linjat publike; Lirim i trotuareve për qarkullim të lirshëm të këmbësorëve.

Vendosja e rregullit në planifikim urban – u ndalën ndërtimet pa leje; U bënë plane të reja rregulluese; Zgjidhje urbane të qëndrushme; Shërbime online për informata nga planet rregulluese.

Shëndeti në shërbim të zhvillimit - Investime cilësore në 16 Qendrat e Mjekësisë Familjare; Hapja e QMF-së për studentët; Dixhitalizimi i shërbimeve shëndetësore; Vizita sistematike nëpër shkolla për të identifikuar dhe parandaluar problemet shëndetësore tek nxënësit; Dezinsektimi – për herë të parë dezinsektohen mbi 6000 hektarë.

Hapja e Komunës për qytetarët – Menaxhimi i palëve ku nga 2-4 orë pritje, sot presin më pak se 5 minuta; Open Data; "Prishtina Ime"; E – kiosku; Qasje e plotë në prokurim; Rekrutim i hapur; Dixhitalizim i procedurave administrative, i Inspekcionit, si dhe i subvencioneve në DKRS. Reformimi i tatimit në pronë - Është ndryshuar baza tatimore, duke u përafruar me vlerat e tregut; Lagjet ku pronat janë më të shtrenjta, paguajnë më shumë; Lagjet ku pronat janë më të lira, dhe qytetarët më të varfër, paguajnë më pak.

Vendimmarrja në lagje - Funksionalizim i bashkësive lokale dhe i këshillave të lagjeve; Rreth 140 diskutime publike nëpër fshatra dhe lagje të qytetit; Platformë e veçantë online për pjesëmarrje në vendimmarrje, ku banorët parashtrojnë kërkesat dhe votojnë për prioritetet e investimeve në lagjet", u shpreh Sejdiu, duke përmendur ndër të tjera edhe shumë punë tjera infrastrukturore që janë realizuar jashta 12 zotimeve tona.

Kryetari Shpend Ahmeti theksoi mandati i parë i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë ka qenë i fokusuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndaljen e ndërtimeve pa leje, ofrimin e shërbimeve bazike publike, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, dhe uljen e pabarazisë. "Shërbimet bazike janë kthyer dhe tani është koha që Prishtina të kalojë në fazën e zhvillimit të hovshëm dhe të qenit Qytet në Çdo Lagje. Qyteti në çdo lagje nënkupton qasjen policentrike të kryeqytetit, ashtu që qyteti të jetë i barabartë në shërbime në çdo cep", theksoi Kryetari Shpend Ahmeti, në fillim të paraqitjes së prioriteteve për mandatin e radhës. E 10 prioritetet tona, për Prishtinën qytet në çdo lagje, janë:

1. Lagjja jonë e pastër, me rregull dhe rend
2. Lagjja jonë me Sport dhe Rekreacion
3. Mobilitet dhe Parkingje në çdo lagje
4. Shëndet dhe Mirëqenie Sociale për të gjithë
5. Prona jonë e barabartë në Planifikim
6. Lagjja jonë me arsim të mirëfilltë
7. Zhvillim në çdo cep
8. Art në lagjen tonë
9. Infrastrukturë në çdo lagje
10. Ndërmarrjet Publike në shërbim të qytetarëve

"Në këto 10 fusha, janë plot 100 zotime. Ne po kërkojmë votën jo vetëm për Kryetar të Komunës, por edhe për Kuvend Komunal. Vetëm në këtë formë do të arrijmë që t'i përmbushim zotimet tona, zotime këto që do t'i shpalosim një nga një ditëve në vazhdim, që janë të detajuara, dhe lehtë të realizueshme", tha në fund Ahmeti.

Me zemër e me mendje,
Jepi krahë Prishtinës!

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm