Menu

Cilësia kërkon standarde në vlerësim

User Rating:  / 0
PoorBest 

Konteksti shqiptar i vlerësimit

Nga LLazar Syziu - LLazar SyziuStandardet në kontrollin e njohurive janë të paraprira nga standardet në mësimdhënie. Por, që të funksionoj zinxhiri i dijeve, kërkohen standarde edhe në vlerësim. Vlerësimi i peshuar nga këndvështrime të shumta krijon mundësi objektive për zhvillim dhe performancë individuale të nxënësve. Tendencat për të arritur standarde në këtë proces janë mbështetje për një mësimdhënie, e cila zbut konfliktet dhe sheshon kontradiktat.

Notën mësuesit nuk e matin dot me peshore farmacie, por vlerësimet në kohë dhe momente të ndryshme, plotësojnë kuadrin e përafërt të gjendjes së njohurive dhe aftësive, që zotëron nxënësi. Edhe nxënësi nuk ka gjithmonë motivimin dhe vullnetin e duhur në përvetësimin e dijeve, si rezultat dhe arritjet e tij kanë luhatje.

Vlerësimi tek nxënësi është mirë të mos jetë "i çastit" sepse kështu do të merrej një diapazon notash të cilat nuk tregojnë gjithmonë realitetin. Shpesh herë nota përdoret për motivimin e nxënësit për punë dhe kjo është pozitive.

Përveç nje dokumenti të shtypur me makinë shkrimi, i cili tregonte se si do të kalohej nga sistemi i vlerësimit me pesë nota në atë me dhjetë nota, nuk më ka rënë rasti të shoh kritere të sakta për vlerësimin e nxënësve. Kjo duhet të ketë arsyet e veta. Nota maksimale në nivele të ndryshme shkollimi, gjathashtu edhe në lëndë të ndryshme duhet të ketë kritere që luhaten shumë. Mirpo kjo ka bërë që shpesh mësuesit i vendosin notën "dhjetë" nxënësit "më të mirë" të klasës dhe të tjerët sa vjen sipas aftësive dhe njohurive vlerësohen me notat në vazhdim. Ose ndodh edhe e kundërta, që mësuesi i mat nxënësit me veten dhe notën dhjetë nuk e lëshon lehtë. Një mësues me përvojë në arsim dhe mbi të gjitha, që ka vlerësuar nxënës të niveleve të ndryshme, ka më tepër mundësi të vendosi një notë reale dhe të pranueshme. Të gjitha këto e bëjnë notën tepër subjektive dhe procesin e vendosjes së saj shumë të përfolur. Edhe kur testet bëhen me vlerësime me pikë, domethënë testi quhet objektiv, përsëri varet shumë nga ajo se kush e ka përpiluar atë test dhe ku e ka vendosur pragun e njohurive. Megjithatë këtu janë formuluar disa kritere që aplikoj për nxënësit e shkollës së mesme në lëndët e shkencave natyrore. Mbase kam realizuar kritere sa më të pranueshme nga të gjith ata që në një mënyrë, ose në një tjetër janë të lidhur me arsimimin e brezit të ri.
Nxënësit dhe treguesit e tyre kur marrin një notë të caktuar.

1. Nxënësi që merr notën "dhjetë" duhet të shprehet shumë mirë me gojë, me fjali të plota, me rrjedhshmëri logjike. Kur është përgjigje me shkrim duhet të shkruaj bukur dhe pa gabime. Kryen llogaritje të sakta. Duhet të realizoj përgjigje konkrete në formën më të lartë të arsyetimit si p.sh krahason, analizon, bën sintezën dhe ajo që është më e rëndësishme ilustron me shembuj jashtë librit. Kurdoherë të ketë pavarësi mendimesh nga shokët, libri etj. Diskuton me bindje të plotë dhe është i sigurt në vetëvlerësim. Zotëron aftësi sipërmarrëse dhe e luan mirë rolin e liderit në grup.

2. Nxënësi që merr notën "nëntë" e ka kuptuar dukurinë apo temën mësimore, por kur shprehet ai ka mangësi. Natyra e këtyre mangësive është i nivelit të tillë, që po të bësh pyetje ndihmëse ai të përgjigjet me korrektësi. Me llogaritjet në përgjithësi e arrin saktësinë e dëshiruar. Me shkrim dhe me gojë shprehet qartë, por vërehen gabime "shpejtësie". Shpesh herë në këtë nivel vlerësimi vërehen shprehje karakteristike të librit, gjë që tregon për kujtesë vizive. Pra vërehet, se qartësia e të menduarit nuk ka rrjedhshmërinë e duhur. Ilustron mendimet me shembujt e librit. Shkallën e aplikimit të njohurive e ka të nivelit të lartë. Bisedon dhe diskuton qartë. Orjentohet drejtë në punën me grupe.

3. Nxënësi që merr notën "tetë" e ka kuptuar mësimin, por gjatë shpjegimit të tij shprehet me mangësi në përdorimin e terminologjisë specifike për lëndën. Kur shkruan bën, gabime ortografike dhe mendimet zakonisht e prishin rrjedhën logjike. Me rritjen e ndërikimit të veprimeve me numrat, shtohen edhe gabimet. Orientohet në mënyrë të mirë gjatë pyetjeve ndihmëse. Ka varësi të plotë nga njohuritë e tekstit ku ka lexuar. Ndërton dhe aplikon mirë dijet. Shprehitë në zgjidhjen e ushtrimeve zakonisht i kanë të plota. Shumë njohuri i kanë shabllon dhe shoqërohen me kujtesë të dyshimtë. Aplikon me korrektësi aftësitë sipërmarrëse.

4. Nxënësi i cili merr notën "shtatë", e ka kuptuar rrjedhën e dukurisë shoqërore apo natyrore. Por zakonisht nuk jep një përgjigje të plotë. Elementët njohës i ka të plotë si p.sh. perifrazon, përshkruan, ritregon etj. Ka vështirësi që duken pak gjatë aplikimit, por sa vijnë dhe bëhen të qarta kur kërkohet analizë dhe deduksion. Vërehen mangësi në ndërtimin e fjalive me shkrim. Nuk orjentohet në 25% të pyetjeve ndihmëse. Në veprimet me numrat është i suksesshëm vetëm me ushtrimet që kërkojnë zbatim formule. Deri në këtë nivel nuk kuptohet që nxënësi të mos bëjë detyrat e udhëhequra, të pavarura, ose të ketë mangësi në mjete mësimore. Zakonisht të gjitha qëndrimet tregojnë për punë të paktë të pavarur dhe mungesë vullneti. Përpjekjet për ilustrimin e njohurive me shembuj shpesh herë dështojnë. Merr pjesë aktive në veprimtaritë sipërmarrëse.

5. Nxënësi që merr notën "gjashtë". Ka kuptuar pjesë të çështjes mësimore ose të dukurive. Nuk arrin të shprehet qartë edhe në nivelet e ulëta të njohjes. Pothuajse i mungon puna e pavarur në shtëpi, por falë vëmendjes në klasë, herë pas here krijon lidhje logjike, të cilat e lejojnë të ketë aftësitë e nevojshme për të hyrë në bisedë. Nuk arrin të përfundojë llogaritjet në mënyrë të pavarur. Në diskutim nuk merr pjesë, por edhe kur shprehet është kontradiktor në pritshmëri. Shkruan me gabime dhe ndërton fjali jo të plota drejtshkrimore. Orjentohet në pyetjet ndihmëse, por me fjali mjaft të shkurtra, ose vetëm me pohime dhe mohime. Ka frymën e bashkëpunimit në grup.

6. Nxënësi i cili merr notën "pesë". Kalon sepse ka motivimin e mjaftueshëm për të realizuar prezantimin e dijeve, por ka vështirësi të shprehet pa e coptëzuar dukurinë ose çështjen në disa elemente më të thjeshtë. Llogarit saktë vetëm me veprimet themelore matematikore. Mund të pohojë dhe mohojë saktë, por nuk formulon dot fjali kuptimore për temën, që të ballafaqohet në bisedë ose në diskutim. Me pyetje ndihmëse ai realizon aftësi në nivel njohje dhe aplikimi. Zbaton mirë rolin e ndihmës në punën me grupe.

7. Nxënësi që merr notën "katër" (d.m.th. notë negative) nuk e ka kuptuar dukurinë apo çështjen mësimore. Ka tendenca për të shprehur konceptet me gojë, por në përgjithësi krijon fjali të cilat nuk prekin thelbin e dukurisë. Me shkrim shkruan keq dhe me gabime. Ngatërron edhe veprimet themelore me numrat. Ka mangësi të theksuara në punë të pavarur dhe në punë të udhëhequr. Përballë pyetjeve ndihmëse nxënësi mund të orjentohet përkohësisht. Nuk përdor frazeologjinë përkatëse në ndërtimin e fjalive. Kërkesat për tu përgjigjur një pyetje të caktuar zakonisht marrin përgjigjen "nuk e di". Nuk arrinë të siguroj qasje ndaj veprimeve të grupit dhe nuk orjentohet drejt në procese sipërmarrëse.

Ka edhe nxënës të cilët nuk marrin dot as katër, sepse njohuritë e tyre i kanë difektet serioze, që në klasat e mëparshme. Ka të tillë, që kur lexojnë, ndalojnë në mes të fjalës, pa le pastaj, që për intonacion, pauzat tek presja, pika, apo pikëpyetja nuk bëhet fjalë fare. Shkruajnë në atë mënyrë sa edhe vetë nuk e kuptojnë dot informacionin e shkruar. Një arsyetim i thjeshtë tregon, se këta nxënës nuk janë në gjendje të nxjerrin dot informacion nga libri. Megjithatë nota me të cilën këta vlerësohen është përsëri "katër". Puna me këta nxënës duhet të jetë e diferencuar.

Shpesh herë tek nxënësit këto cilësi mund të jenë dominuese në mënyrë shpërpjestimore në njërin drejtim, ose në tjetrin. Ky është tregues i mungesës së një edukate të punës sistematike dhe spontanitet në proceset edukuese. Të përdorurit e vendosjes së notës si proces përfundimtar i veprimtarisë së edukimit, shpesh herë krijon opinione të paqëndrueshme dhe të dëmshme për nxënësit. Gjatë vlerësimit të ngjarjeve të reja të prezantuara nga nxënësi, është mirë që opinionet e mëparëshme të përmirësohen me opinionet aktuale dhe jo e kundërta. Kjo mënyrë e vendosjes së notës do të ishte progresive, e qëndrueshme dhe do të ndihmonte zhvillimin e procesit edukues pa kontradikta të mëdha. Kam mendimin se sa më tepër përvojë të ketë mësuesi me brezat e niveleve të ndryshëm, aq më objektiv dhe real do të ishte vlerësimi, gjithmonë kjo, kur nuk bëhet fjalë për konflikte ndërvarësie dhe interesi të ndërsjelltë.

Të mos harrojmë se ai numër, i cili quhet note, është reklama e "produktit shkollor". Dihet mirë roli i reklamës në aktivitetin e tregut. Pra tregu i punës është mirë të mos zhgënjehet nga reklama për dijet shkollore, që kanë përfituar nxënësit. Vlerësimi i pavëmendëshëm, do të ishte jo cilësor. Kjo do të ishte tregues i mësuesit, i cili nuk e ka mbaruar detyrën ndaj nxënësit dhe i një shkolle, që duhet të plotësoj më mirë kërkesat e shoqërisë.

 

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm