Menu

Mbi Edukimin në Arsim

User Rating:  / 0
PoorBest 

Në shkolla nxënësit përgatiten për të përballuar sfidat e jetës.

Punoi: LLazar Syziu - LLazar SyziuModelimi i këtij postulati na orienton drejt mësimit dhe edukimit. Me mësim, do të kuptojmë marrjen e njohurive të reja, për botën që na rrethon, kurse me edukim do të përfshijmë aftësinë për të mbajtur një qëndrim të caktuar ndaj kësaj bote.

Të njohurit e botës përreth e tërheq njeriun, sepse atë e shoqëron kurdoherë ndjesia e kuriozitetit karakteristik të moshës. Pra në shunicën e njohurive të programit shkollor nxënësi ballafaqohet me ganxhat e kuriozitetit.

Sa mësojnë nxënësit sot?

Për mendimin tim mësojnë shumë. Mësojnë nga ato që mësuesi shpreh, por mësojnë edhe nga mënyra se si ai shprehet. Mësojnë nga veprimet e pritëshme të mësuesit por edhe nga mosveprimet e tij. Nxënësit përfitojnë nga sinqeriteti i mësuesit fillestar, po ashtu edhe nga sjellja komplekse e mësuesit profesionist në klasë. Ata kapin, që në ajër mesazhin e mësuesit  komunikues, i cili krijon klimë shkollore të shëndetshme, por mësojnë të distancohen dhe të ndërveprojnë në grup ndaj mësuesit autoritar. Por konsolidimi i qëndrimit ndaj këtyre dijeve, është një çështje ku mësuesi duhet të ndalet patjetër. Mundësisht ai duhet të japi një zgjidhje origjinale dhe bashkë me zgjidhjen edhe diçka nga vetja, nga përvoja bashkëkohore.

Po të kenë parasysh postulatin e parë dhe të mos i krahasojnë gjithmonë nxënësit me dijet e mësuesve të tyre, besoj se janë të shumtë ata që janë dakord me këto përfundime. Atëherë cila do të jetë masa për ekuivalentimin e dijeve të nxënësve? Matja e saktë do të ishte shkalla e aplikimit të dijeve, ndërveprimit të nxënësve  në situatat shoqërore dhe lehtësia me të cilën ata përqafojnë veprimtaritë e reja prodhuese apo performuese.

Përfshirja në veprimtari të reja kryhet shpejt nga fëmijët, Ata gjithmonë e lënë përgjysëm analizën për veprimtaritë e kaluara. Propabiliteti i tyre, për të nxjerrë përfundime të sakta nga ngjarjet e dikurshme është i paktë. Vazhdimësia llogjike, po ashtu paraqet nivele të ulëta. Kjo monotoni e mërzitëshme thyhet me sukses nga ngjarjet e reja, por jo nga veprimtaritë rutinë, që përsëriten në mënyrë të vazhdueshme. Shmangia e fëmijëve nga aktivizimi është tregues i domosdoshmërisë, së një procesi të edukimit të qëndrimeve.

Po për edukimin e nxënësve në shkolla çfarë mund të themi?  

Edukimi i një individi është produkt shoqëror. Pra vetëm një pjesë e tij bëhet në shkollë. Në fund të fundit nxënësi përgatitet për jetën, por ja që për një farë kohe i duhet të fitojë disa kredite edhe në jetën shkollore. Të mësosh një nxënës mund të jetë e vështirë, por ta edukosh atë është më tepër se e lodhshme. Mirë është që mësimi dhe edukimi të ecin paralel. E them këtë sepse një pjesë e edukatorëve e quajnë të përfunduar edukimin që në klasat e ulta të arsimit të detyruar. Shprehja: “Nxënësi tani e di se ç`është e mirë, apo e keqe”, është tregues i këtyre koncepteve të rutinës pasive. Edukimi i qëndrimeve nuk mbaron kur nxënësi  “e di”,  por atëhere fillon. Ky edukim duhet të vazhdoj në radhë të parë me shembullin personal të vetë mësuesit, me insistimin për sjellje korrekte të familjes në lidhje me detyrimet shkollore dhe ajo që është më e rëndësishme, me mënyrën e zgjidhjes së problemeve që lindin gjatë ndërveprimeve shkollore.

Nxënësit të edukuar, por të pamësuar si duhet zakonisht i thonë “i urtë”, sepse ai nuk krijon probleme në shoqëri. Në përgjithësi, çfarëdo emri që t’i vendosim një nxënësi të mësuar, por jo të edukuar si duhet, ai do të përmbante në vetvete rrezikshmëri të lartë shoqërore. Edukimi i nxënësit ka filluar dikur,diku, kur ai nuk ishte aspak i vetëdijëshëm për rëndësinë shoqërore të sjelljeve të tij. Pra përkëdhelitë apo qortimet që ai ka marrë gjatë jetës kanë konsoliduar qëndrime të caktuara shoqërore. Në rastin më të mirë mësuesi në mënyrë intuitive ose profesionale duhet që t’i njoh këto qëndrime dhe pastaj të ndërtojë mbi ato, qëndrime të tjera shoqërore. Në rastin më të keq mësuesi krahas qëndrimeve të reja duhet të shkatërrojë opinionet, paragjykimet dhe qëndrimet e vjetra. Në klasat e ulëta të ciklit fillor kjo duket sikur realizohet më së miri. Por me rritjen e nxënësit dhe mishërimin e veprimeve të pavarura, vërejmë se edukimi nuk është realizuar. Një pjesë e kontigjentit të fëmijëve përballë personalitetit të mësuesit vetëm kanë bërë “sikur janë edukuar” sepse ata duke u dhënë pas impakteve vetiake, nuk kanë mundësi të sigurojnë forcën e duhur për t`iu kundërvënë veprimtarive edukative që realizohen në shkollë.

Ato që mësohen sot në shkollat tona, përgjithësisht bien ndesh me parimet e brezave që jetonin dhe punonin, vetëm 25 vjet më parë. Shoqëria jonë e shqetësuar nga tranzicioni ka elementë të tepërt pengues në edukimin e fëmijëve me kulturën e shoqërizimit në shkolla. Për sa kohë shoqëria ka probleme të mprehta sociale të pa zgjidhura, vëmendja e të rriturve do të kthehet rrallë në edukimin e fëmijëve. Influencë në edukimin e nxënësve me tipare negative ka edhe media elektronike dhe e shkruar.

Institucioni i familjes është shumë i vjetër në shoqëri. Në familje edukimi ndodh natyrshëm. Por ja që morali familjar, sado i përsosur që të jetë, nuk e arrin dot shkallën e shoqërizimit të moralit në institucionin shkollor.

Ashtu si padrejtësia e gjakmarrjes ngujon fëmijë e të rritur brenda katër mureve të shtëpisë, edhe qindra padrejtësi të vogla shoqërore, ngujojnë fëmijë e të rritur në kllapinë e guaskës familjare. Opinioni me bazë interesin e familjes, bëhet përshkues i vetëdijes shoqërore. Ngushtimi i kësaj vetëdije, nuk i lejon njerëzit, që ti zgjidhin, as teorikisht me parametra të shoqërizimit të nevojshëm, problemet personale dhe shoqërore. Të mos harrojmë se ndodh, që pre e këtyre ndërveprimeve bie dhe mësuesi. Kështu ai nuk gjen dot motivin e duhur për veprimtari edukative objektive, sepse nuk e lejon horizonti i tij i përcaktuar nga niveli i sjelljeve shoqërore, të cilat ai arrin të realizoj.

A mund të shmangen lehtë këto opinione të ngulitura në predispozita të shumta të mjediseve të larmishme shoqërore? Të zhduken jo. Por mësuesi i përgatitur, me horizont dhe motivues, ka shumë mundësi të lehtësoj fëmijët të paktën gjatë aplikimi të aktiviteteve shkollore.

Bashkohem me mendimin se baza e konfliktit në shkollë nuk është vizioni shumë i ndryshëm i protagonistëve për shoqërinë, por në radhë të parë shkalla e ulët e shoqërizimit të sjelljeve të aktorëve në arsim. Puna rutinë e mësuesve vetëm me nxënësit e zellshëm e minon barazinë sociale në klasë dhe në shkollë. Adoleshenti është i prekshëm ndaj sjelljeve shoqërore të mësuesit, të cilat nuk realizojnë gjithpërfshirjen në veprimtaritë shkollore. Ai është i lidhur me botën e ideve dhe pretendon se i ushtron ato në praktikën e përditshme. Kjo e shtynë atë të atakohet me procesin edukativ dhe aktorët e tij, kudo në shkollë dhe shoqëri. Klima e gjithëpërfshirjes në klasë dhe në shkollë do të ndihmonte edukimin e mirë të nxënësve më tepër se veprimtaritë diferencuese që bëjnë mësuesit sot, duke filluar me fjalën dhe me notën që vendosin.

Shpesh herë shoqërinë njerëzore  e drejtojnë njerëz me karakter të fortë, tepër impulsiv që i karakterizon fryma e aventurës. Pasoj e kësaj janë lëvizjet shoqërore të pa strukturuara dhe me kohëzgjatje relativisht të shkurtër. Këto lëvizje dallohen për tipare përjashtuese ndaj shtresave të caktuara të shoqërisë, po ashtu edhe për moralin shoqëror që ato mishërojnë. Kjo ndodh edhe me grupmoshat e fëmijëve. Fëmija me edukim të rregullt dhe parashikues i mosrealizimit të veprimtarive mes moshatarëve, përjashtohet, shpërfillet dhe etiketohet me epitetin “ndjell ters”. Ky realitet që përsëritet dendur në ambjentet e fëmijëve, është tregues i qartë i vakumit edukativ në mjediset që frekuentohen nga fëmijët. Ky vakum edukativ i munguar dikur midis fëmijëve ka prodhuar sot, ndoshta edhe nesër, lider shoqëror ekspresiv, të pa ekuilibruar shoqërisht, abuziv moral dhe material dhe mbi të gjitha me talentin e spikatur për futjen e shoqërisë në “qorrsokak historik”.

Kam mendimin se mësuesit sot, pa lënë mënjan mësimin, duhet t`i kushtojnë  vëmendje të madhe të edukimit. Kjo, jo vetëm që të përballojnë me sukses barrën shoqërore të edukimit, por edhe të bëjnë më të lehtë punën në këtë profesion të nderuar.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm