Menu

Shumë rrugë për një qëllim

User Rating:  / 0
PoorBest 

Punoi: Llazar Syziu - Llazar SyziuDecentralizimi në zgjidhjen e problemeve të shkollës, shoqërohet domosdoshmërisht me diversitet mendimesh  për aktivitetet në arsim. Ç`është e drejtë? Apo ç`është e gabuar? Këto nuk përcaktohen me lehtësi. Këto diversitete mendimesh, opinionesh dhe veprimesh nuk janë vetëm si rezultat i përvojës. Ekzistojnë shumë teori mbi të nxënit e suksesshëm. Meqenëse këto teori kanë ekzistuar dhe mbijetojnë të mbështetura në përvojën edukative të mësuesve, ato përfshijnë shumicat e praktikave mësimore në shkollë. Mësuesit edhe kur nuk janë të vetëdijshëm plotësisht për këto teori, kanë shanse të mëdha të përfshihen prej tyre. Më saktë mund të themi, priren të arrijnë veprimtari  përputhëse me opinionet ideologjike të njohura sot.

Të pesë filozofitë mësimore:   

  • 1-Esencializmi,
  • 2-Perenializmi,
  • 3-Progresivizmi,
  • 4-Egzistencializmi dhe
  • 5-Biheiviorizmi,

e shikojnë formimin e nxënësit nga këndvështrime të ndryshme, gjithashtu tentojnë të përgatisin brezin e ri, për një shoqëri me tipare plotësisht të përcaktuara. Ato nuk mund të ndahen me thikë nga njera tjetra. Një ese filozofike mund ta realizoja me tipare të qarta progresiviste. Megjithatë këto teori dallohen më mirë kur i vendosim në kontrast me njera-tjetrën. Kështu që unë për ta nxjerrë në pah progresivizmin do ta kundërvë atë me esencializmin, nëpërmjet një teme mësimore të lëndës së kimisë. Kjo temë do të zhvillohet dhe pyetet shkurt,në dy mënyra të ndryshme, nga dy mësues me bindjet përkatëse, si progresivist dhe si esencialist.

 Tema është :"Ndërtimi i lëndës" (Atëherë të dëgjojmë pak kimi nga një mësues esencialist):

Mësuesi autoritar i cili hyn në klasë, ose me një buzëqeshje sipërfaqësore, sepse i shikon nxënësit si një objekt i punës së tij. Mund të hyjë me shikim të prerë dhe të ftohtë, por s'është çudi të vijë dhe i vrejtur, ngaqë kur ka hyrë, ka parë nxënës të cilët kanë shkelur rregullin në klasë. Plotëson dokumentet. Prezantimi i temës bëhet me saktësi nëpërmjet fakteve të pakundërshtueshme. Nxënësi “i padisiplinuar” duhet të dëgjojë pa bërë pyetje,sepse mësuesii di të gjitha dhe herët ose vonë do ti thotë të gjitha...

Molekula është njesia më e vogël e lëndës, e cila ruan vetitë e saj. Ajo është e përbërë nga atomet. Njihen rreth 3.000.000 substanca, pra secila prej tyre ka një ndërtim plotësisht të përcaktuar të molekulave të saj. Molekulat janë në lëvizje të parreshtur. Kjo lëvizje është kaotike (e paorientuar) dhe është lëvizje lëkundëse rreth një pozicioni të caktuar, në trupat e ngurtë. Në trupat e lëngët, është lëvizje zhvendosëse në hapësira shumë të vogla ndërmjet tyre. Në gjendjen e gaztë hapësirat midis molekulave janë shumë të mëdha, prandaj dhe lëvizjet zhvendosëse janë më të shumta. Avullimi tregon kalimin e lëndës nga gjendja e lëngët në gjendjen e gaztë. Ngrirja është kalimi i ujit nga gjendja e lëngët në gjendjen e ngurtë. Shkrirja është procesi i kalimit të ujit nga gjendja e ngurtë në atë të lëngët. Sublimimi quhet kalimi i substancës nga gjendja e ngurtë në gjendjen e gaztë, pa kaluar përmes gjendjes së lëngët. Brymëzimi është kalimi i ujit, pa kaluar përmes gjendjes së lëngët, nga gjendja e gaztë në gjendje të ngurtë. Trupat e ngurtë kanë formë dhe vëllim të përcaktuar, sepse molekulat  e tyre qëndrojnë në kulmet e rrjetës kristalore. Lëngjet kanë vëllim të përcaktuar por marrin formën e enës ku ndodhen. Gazet nuk kanë, as formë dhe as vëllim të përcaktuar. (Të mos zgjatemi më tej)

Kur vjen puna për të pyetur të njejtën temë, do të ngrihen nxënësit që ka planifikuar mësuesi, megjithëse për rutinë bën pyetjen: “Kush ka mësuar të ngrejë dorën?” Ose kur është i mërzitur: “Kush nuk ka mësuar të dali përpara klasës” (dhe të marrë dënimin e merituar). Kur realizon pyetjet, kërkon mendimin kritik p.sh. Ku ndryshon gjendja e lëngët nga ajo e ngurtë?  Por kur vëren nivele të ulëta të të mësuarit, atëherë pyetjet bëhen për nivele të thjeshta njohjeje. Cila është gjendja e molekulave në fazën e gaztë?  Dhe niveli më i ulët i pranueshëm për të kaluar do të jetë thënia e përkufizimit se ç`është molekula etj... I kënaqur do të mbetej vetëm kur dëgjon një mësim të argumentuar, nga fillimi deri në fund. Korrigjimet për gabimet  e mundshme i bënë vetë dhe po bëri disa korrigjime, fillon dhe e ngre zërin, për të treguar se nxënësi është fajtor që nuk ka mësuar mirë mësimin. Vlerësimet që realizon ky mësues zakonisht janë me nota në regjistër, sepse ai merret për një kohë mjaftë të gjatë me një nxënës. Kjo mënyrë shpjegimi përgatit nxënës me dije të shumta, por me aftësi të pakta. Përgatit nxënës të edukuar, por ka shumë të tjerë të cilët rrinë me frikë nga dënimet, sepse nuk janë në një mendje me shokët e tyre. Këta nxënës, që të jenë në rregull duhet të respektojnë verbërisht traditën.

Tani të dëgjojmë këtë temë nga një mësues Progresivist.

Mësuesi, që hyn në klasë duke u folur në emër nxënësve “çapkën”, të cilët kërkojnë të përshëndeten të parët me mësuesin. Ai nuk fillon të plotësojë dokumentat pa konstatuar shqetësimet e dukshme tek nxënësit, sepse nxënësit nuk janë vetëm objekt por edhe subjekt i aktivitetit edukativ. Pas plotësimit të regjistrit i kushton rendesi mikroklimës në klasë, apo gjendjes së tyre emocionale. Kriter ky, i cili do ta ndihmoj të ketë në kontroll monitorimin e gjendjes së klasës. Fillon mësimin zakonisht duke kapur një problem dhe pastaj nxënësit tentojnë të orjentohen me zgjidhjet e tyre. Kështu i njëjti mësim do të zhvillohej në atmosferë bisede ose diskutimi, por gjithmonë roli i mësuesit si orientues është parësor.

Pse e ndjejmë erën kur fryn? (përgjigje të mundëshme) Sepse ajri përplaset në lëkurën e fytyrës, kjo do të thotë që ajri përbëhet nga grimca të cilat janë të padukshme. Pse e ndjejmë aromën e një parfumi megjithëse ai qëndron i hapur në cep të klasës? (përgjigje të mundëshme) Sepse grimcat e vogla të kësaj substance avullojnë, dalin nga ena dhe vijnë deri në receptorët tanë të nuhatjes. Kjo tregon se edhe parfumi përbëhet nga grimca. Si i quajmë këto grimca? Disa thonë atome, të tjerët thonë molekula. Kur vërehen përgjigje jo të plota, ose nuk ka përgjigje fare mësuesi ndihmon me pyetje ndihmëse. Po atome kemi vetëm 100 lloje, kurse aroma mund të ndjejmë me mijëra lloje? Atëherë grimcat janë molekulat e formuara nga kombinimi i atomeve.

Po të vërejmë një rreze drite, e cila hynë në një dhomë të errët, duket se ka një numër shumë të madh objektesh të vogla, të cilat bëjnë lëvizje kaotike (të çrregullt) në ajër. Pyetja është pse lëvizin ato? Dikush thotë nga era. Po erë nuk ka në dhomë! Atëherë mbetet përgjigja e mësuesit e ilustruar me skemë. Ky trup,i cili mezi shikohet me sy të lirë, arrin të lëvizi, sepse goditet nga trupa të tjerë, që nuk shikohen me sy të lirë dhe këto janë molekulat. Verifikimi i molekulave në gjendjen e gaztë lehtëson të kuptuarit e pranisë së tyre në gjendjen e lëngët, e cila merr formën e enës, por nuk ngjeshet. Ҫfarë ndodh me grimcat e një trupi të ngurtë kur e deformojmë atë? Hezitimi i nxënësve për të kthyer përgjigje, shpesh është i pranueshëm dhe parashikohet më parë nga mësuesi. Përgjigjet duhet të ilustrojnë sa më mirë shembullin e prezantuar. Në qoftëse nuk e lejon struktura lëvizjen midis grimcave, ai do të thyhet. Kur e lejon struktura një lëvizje të kufizuar midis grimcave të trupit të ngurtë atëhere kemi deformim, (Stampimi, telëzimi etj...) Në temperaturë të lartë këtë veti e fitojnë gjithmonë dhe më shumë trupa të ngurtë. Edhe vetitë mikroskopike për secilën gjendje të ngurtë, të gaztë dhe të lëngët, kuptohen më lehtë. Kjo qëndron edhe për proceset avullim, kondensim, ngrirje, shkrirje, sublimim dhe brymëzim.

Kur pyet mësimin radhën tjetër, mësuesi fillon me një problem intrigues: Duke ditur se shpejtësia e lëvizjes së molekulës është e krahasueshme me shpejtësinë e lëvizjes së plumbit kur del nga pushka, si shpjegohet që era e parfumit vonohet shumë sa të mbushi ambjentin brenda në klasë? Konkluzioni tentohet të arrihet me pyetje ndihmëse, si për shembull: Bosh është hapësira midis parfumit dhe njeriut që e ndien? Ose: Ç është difuzioni? Çfarë do të ndodhi nëse në një gotë me ujë të pastër hedhim një pikë bojë? Po të hedhim pak kripë? Po të hedhim pak sheqer? Përgjigje: Uji bëhet i ëmbël dhe sheqeri nuk vërehet më. Atëherë themi që grimcat e vogla të cilat kanë vetitë e sheqerit nuk zhduken, por përhapen në ujë.

Çfarë mat termometri?  Përgjigje: “Temperaturën”  

Atëhere duhet treguar se termometri vlerëson shpejtësinë mesatare të molekulave që përbëjnë lëndën. Pas gjithë këtyre veprimtarive me pyetje-përgjigje termat sublimim, shkrirje, ngrirje etj..., janë më të lehta për t`u mbajtur mend. Edhe vetitë mikroskopike për secilën gjëndje të lëngët, të ngurtë dhe të gaztë fiksohen më lehtë dhe në mënyrë më të qëndrueshme. Hija e dyshimit për të tilla dukuri largohet prej mendimeve të pa kompletuara përfundimisht tek nxënësit. Mësuesi me këto pikëpamje asnjëherë nuk kërkon nga nxënësi, mësimin e plotë, por pjesë të caktuara, sipas problemeve që trajtohen. Vlerësimet që ky mësues realizon mund të jenë me shprehje gojore ose me nota në regjistër.

Në rastin e parë nxënësit më të mirë, do të marrin njohuri shabllone dhe shkalla e alpikimit të tyre do të ishte e dyshimtë. Në rastin e dytë nxënësit kanë përjetuar fortësisht pozitën zbuluese në të cilën ata mësuan, prandaj ndjesia emocionale do të bëj, që efektet të qëndrojnë më gjatë, kështu edhe dijet bëhen më të plota.

Të mësuarit e parë quhet pasiv, të mësuarit e dytë quhet aktiv.

Teoria e parë i mëson nxënësit, se si ti nënshtrohen rregullave, kurse e dyta i mëson, se si të përcaktojnë rregulla të cilat i plotësojnë më mirë nevojat fizike dhe sociale të secilit prej tyre.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm