Menu

Dy fjalë për tregun

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nga Dr.Përparim Demi - Përparim DemiNë fakultet kemi bërë një lëndë, e cila quhej ekonomia politike. Në fakt ajo përmbante shumë politikë dhe aspak ekonomi, prandaj pas rënies së diktaturës ne s'ja kishim haberin se si duhej të orientohej ekonomia e vendit tonë. Bile, pa bërë ndonjë gabim të madh mund të them se as tani, pas 27 vitesh, qeveritë tona janë komplet profane në këtë fushë. Për politikë nuk qahemi, e kemi me bollëk, veç jo për popullin.

Në atë lëndë citohej Marksi, Lenini, Stalini, gjeje gjithshka nga kongreset tona dhe patjetër citatet e Enverit, të detyrueshme në provimin e lëndës. Diku permëndej shkarazi Smithi apo Prudoni, vetëm sa për ti treguar me gisht, pa cituar asgjë nga ato ç'ka lanë ata të shkruar. Nejse këto dy emrat e fundit ishin të ndaluara të përdoreshin në biseda të lira mes shokësh, ato ishin monopol i profesorave të shkolluar në shkollën e partisë (tek rruga e Durrësit pa vajtur në Laprakë), të cilët ishin imun dhe dinin si ti shpjegonin do gjëra të ngatëruara.

Ne, studentat, duhej vetëm të dëgjonim, por nuk këshillohej që ti mbanin mënd, pasi ishin emra të ndaluara.

Atëhere, për herë të parë emrin e Prudonit e dëgjova në një fjalim të Enverit, diku në një kongres apo konferencë partie dhe ne të gjithë pyesnim njëri tjetrin se kush ishte ky shkrimtar dhe çfarë romanesh paska shkruar.

Mësova atëhere se ishte francez dhe dikur, para një shekulli, paska patur ca debate me Marksin, kuptohet që arrita të lexoj vetëm variantin e Marksit të polemikës, pa ditur se çfarë kishte shkruar ky autor. Shumë më vonë mësova se në fakt s'ka qënë fare polemikë, por Marksi etj. e kritikonin, si puna e variantit të librit të Leninit "Imperializmi dhe Impiriokriticizmi", ku ishin përmbledhur të gjitha "vërejtjet" e Leninit që i bënte Avenariusit, Mariusit, Plehanovit, Kautckit etj., dhe asgjë se çfarë mendoni këta për Leninin dhe "teoritë" e tij. E njëjta gjë u përsërit me Stalinin, kur shante Buharinin dhe Trockin dhe mos flas pastaj për polemikën "e madhe" të Enverit me imperialistët dhe social-imperialistët-revizionist të botës, e cila na ofrohej monokolor një herë në pesë vjet nëpër kongrese. Hej ta marsha, si i kërcënonte ai që do u bënte namin, ndjeheshim krenar. Pale pastaj nëpër zbore që i shkelnim me këmbë gjithë armiqtë, fqinjët tanë e deri tek ata të mëdhenjtë e botës, e soi-sorollopin e tyre, ku së fundi u rradhit dhe Kina e varfër atëhere. Mos e pyt më, se u bemë telef duke i marrë kodrat e Dajtit me sulm dhe duke tundur pushkët prej druri që na jepnin. Të shkretët ushtarë u bënë si urithat, hap llagëme dhe tunele, e ngul bunker, s'u nda lopata nga dora. Ushtri për kokë të ushtrisë, me oficera që s'lexonin dot hartën topografike të katundit të tyre. Mirë që na pruri ca lodra kinezi (tanke dhe topa) se hall do kishim për paradat, do bëheshim me turp me ato që na la rusi nga beteja e Stalingradit.

Haj të kthehemi tek titulli. Në ekonominë-politike mësuam mbi "luftën për tregje", si shkaktare e të gjitha të këqiave dhe të zezave që i ranë mbi kokë njerëzimit dy shekujt e fundit. Atëhere mendoja se sa të lumtur ishim ne në Shqipëri që nuk kishim treg fare dhe nuk kishim se me kë të luftonim për të. Tek ne ishte fare e thjeshtë puna, i mendonte dhe e bënte planin për gjithshka partia. Dihej sa gram buk na takonte në ditë, sa kokra vezë në javë, më tej gjërat ishin të qarta, 1 kg mish (apo kocka), 1 kg miell, 1 litër vaj etj....çfarë mbante lista. Lum ata që s'kishin fëmijë se u binte racioni më i madh. Në familjen time për shëmbull, nëna dhe babai se vinin mishin fare në gojë, thjesht s'ju pëlqente mishi, e kishin zët, kështu që racionin e tyre e ndanim ne, katër fëmijët, gjë që prap nuk ishte ndonjë gjë e madhe, diçka simbolike, bereqarves. Ishim plotësisht të bindur se ishim të sigurt, pasi kishim partinë (që flinte me një sy) dhe sidomos birin e popullit që na i ftillonte të tëra.

Nuk e di pse më kujtohet tani pas kaq vjetësh këto gjëra të kaluara (për ca dhe të shkuara e të haruara).

Ndoshta ngaqë ka ardhur koha të na lindi një tjetër bir i popullit, po aq trim dhe po aq i mënçur, po ashtu i bredhur nëpër (apo nën) urrat e Parisit. Vërtet jo aq i bukur sa ai, por më i gjatë ama. Edhe ky ja vuri "dy këmbët në një këpucë" grekut dhe Brukselit, bile shau dhe Trapin matanë. Reformist e shkuar reformistit, do e qethi tani krejt qeverinë e vet, me ministra e zëvëndësa, me drejtora e drejtoresha, ambasadora e sekretarë. Të shkretët janë bërë si minjtë s'dinë ku të futen, mirë, haj mos e ekzagjërojmë fare, se do u gjendet nga një vrimë diku, të hapur special për ta, me siguri. Kështu puna, e ka marrë në dorë vetë tani, tamam si merhumi që i zbuloi vetë të tërë.

Për Adamin e shkretë dhe tregun e lirë na foli dhe Gagaçi nëpër mitingje në 91-shin, kur tundi si flamur "çekun e bardhë", që u nxi sa doli. Djalë i zoti rahmet pastë, kishte lexuar shumë nga revistat e bibliotekës së Nexhmies.

E bëri tregun me çanta, të lirë fare ore fare kupton, dhe shqiptarët aq deshën, o burra, s'priti puna hiç. Rrodhi parja sa nëpër dysheqe e këllufa jastëqesh, apo nëpër corape dhe brekë. Ekonomi si ajo se kishim parë kurrë ndonjëherë, bile se gjeje në asnjë qitap. Ça të shihje, inxhinjera tu shty karoca, mesuesa tu bë qofte, mjek tu bo llaç dhe vetëm katundarët analfabetë zgjodhën diplomacinë. Nejse preferencat nuk diskutohen. Ja tani u ka ardhë radha piktorëve të dalin në krye, ke çu thua? Fol po deshe, tregu i lirë pra mo.

Kështu me tregun tonë mbaruam punë, s'vë këmbë aty askush se e hedhim në erë. Bile as shqipëtarëve të larguar mos u shkoj nëpërmënd, kush iku iku, mbaroi kjo punë, tani e kemi radhën ne që zumë qoshen vetë.

Tregu është vetëm i joni dhe pikë. Tani kemi hallin e fqinjëve, si ti fusim në thes? Pikërisht këtu del puna e Vuçiçit, e kemi mik apo jo? Ai po na e jep tregun e Ballkanit në tavë. Pa pa pa... çfarë djali, për kokë të djalit, veç për ne shqipëtarët mendon. Hapni gojën, çfarë doni – thotë – se jua sjell lala sa të hapish e të mbyllish sytë.

Lej pastaj që kemi dhe Erdoganin vëlla e shkuar vëllait. Kujt ja mban me na ngacmu, ta shohi ke vëllai i madh.

Ore po, ç'është kjo kështu, është kthy bota përmbys, me këmbë përpjetë. Në shekullin e XX-të deshën me na hëngër të gjallë të gjithë, e tash kush e kush me na ndihmu. Çudi hesapi, çfarë s'bën vaki.

Hej lahu tehe vela!

Bukuresht, 27.08.2017

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm