Menu

Shtatorja karikaturë e Clinton - të shkrihet

User Rating:  / 0
PoorBest 

Shkruan: Idriz Zeqiraj - Idriz ZeqirajShkrimi i publicistit Ilir Muharremit "Shtatorja e Bill Clinton-it, krijim i zbehtë", është sa i qëlluar, aq edhe i vonuar. Vërtet, ka pasur edhe shkrime të tjera, të cilat konvergojnë në një pikë: "Shtatorja skulpturë e presidentit Clinton, nuk është realizuar, as për së afërmi". Dhe, si e tillë, assesi nuk do të duhej të ekspozohej para opinionit. Shqiptarët janë ndjerë keq, kur presidenti Clinton vizitoi Kosovën dhe e pa vetën në një karikaturë të bronztë!

Por, Ilir Muharremi bën një analizë profesionale, të veçantë, që nga hapësira që duhet të zëjë një shtatore e, deri ke realizimi, gjë që lënë shumë për të dëshiruar. Dështimi do të mbetej në përmasën e gabimit, nëse nuk do të publikohej. Por, me vendosjen e shtatorës, kemi të bëjmë me fajin e konsumuar. Nëse gabimi qortohet, faji penalizohet. Kështu duhej vepruar, edhe në rastin e ngritjes të shtatorës-karikaturë të Bill Clinton-it.

Pra, nuk mund të fajësohet skulptori Izeir Mustafa, pse nuk arriti ta realizojë skulpturën e tij, por, e pafalshme pse ai e mbivlerësoi vetën, duke e dorëzuar punimin e tij, për derdhje në bronz. Autori mund të reagojë, se skulptura nuk është pikturë dhe nuk mund ta arrijë ngjashmërinë e plotë të figurës në punim, siç ndodhë në pikturë. Megjithatë, arsyetimi nuk mund të përligjet, sepse ngjashmëria është e largët, gadi, deri në mosnjohje të personit, që i kushtohet skulptura-shtatore

Autori i shkrimit, Ilir Muharremi, me të drejtë, qorton skulptorin Izeir Mustafa, "pse nuk ka bashkëpunuar me asistentë ose sugjërues?!"

Një shembull i mirë: Skulptori i Shtatorës të Sali Çekaj, në Deçan, nuk arritur ta përmbyllë, finalizojë skulpturën e tij. Dhe, i kërkoi ndihmë skulptorit të popullit, akademik Muntaz Dhramit. Ai, modestisht e fisnikërisht, i ofroi ndihmën profesionale dhe, së bashku, realizuan, mrekullisht mirë, Shtatorën e Heroit të Kosovës, Sali Çekaj. Megjithatë, skulptor Dhrami e konsideroi si një ndihmë kolegut, pa pretenduar për t'u bërë hisedar në autorësi.

Fajtorë në dështimin e shtatorës-skulpturë të presidentit Clinton, janë dy palë:

1) Skupltori Izeir Mustafa, për arsyen që u tha më lartë dhe

2) Kryetari i komunës të Prishtinës, në atë kohë, sepse ka paguar paratë nga arka e shtetit dhe nuk e ka kontrolluar punën, për realizimin me sukses të skulpturës-shtatore. Këta të dy duhet t'i bartin pasojat. Pra, të mbulojnë shpenzimet për ribërjen e shtatorës në fjalë.

Shtatorja Clinton, obligim moral i shqiptarëve

Kosova u çlirua dhe u bë shtet, me projektin dhe vullnetin amerikan, të nismuar në fillim të viteve '90-a. Idenë e shpalosi dhe e arsyetoi bindshëm, madje, me pamundësi hamendësimi apo refuzimi logjik, njeriu që nuk ka ndërmjetës, në historinë shqiptare, që nga epoka e ndritur e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut e deri me sot, mentori atdhetar, Dr. Ibrahim Rugova.

Mendimin e shprehur e faktoj me bisedën e bërë, me ambasadorin e parë amerikan Rajerson, në Shqipërinë pluraliste, më 9 prill 1992, përgjatë një pauze, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, kur po zgjidhej Dr. Sali Berisha president. Në pyetjen e bërë, se çfarë do të bëhet me Kosovën tonë, ambasadori Rejerson tha: "Dr. Rugova, edhepse në kushte okupimi, është në drejtimin e duhur. Kosovën do ta çlirojë Amerika dhe për këtë mos keni asnjë dyshim".

Mikut tim, i vetmi i pranishëm, Dr. Osman Kazazit, ish-udhëheqës i një çete balliste, në Rrafshin e Dukagjinit, në Luftën e Dytë Botërore, i cili, për këtë, vuajti burgun politik të Enver Hoxhës, për 43 vjet radhazi, i rrodhën lotët e gëzimit. Ambasadori Rejerson, që e respektonte shumë Dr. Kazazin, për vuajtjen e gjatë, stoike e dinjitoze, u prek së tepërmi, i vuri dorën në krah, e shikoi ngultas dhe ngushëllueshëm. Dhe, vërtet, 7 (shtatë) vjet më vonë, bombarduesit e NATO-s, të prirë nga Amerika forcëmadhore, e çliroi Kosovën.

Prandaj, presidenti Clinton, si përfaqësim dhe mishërim i popullit dhe i shtetit federal amerikan, meriton të përjetësohet në skulpturë, mjeshtërisht e dinjitetshëm. Shtatorja Clinton në një shesh të Prishtinës, është shtatore mirënjohjeje për vet Amerikën, e cila identifikohet me ruajtjen e qenies tonë fizike, njerëzore, në këto troje stërgjyshore.

Shtatorja-skulpturë nuk është fotografi, për ta ngjitur në murin e një pallati, siç është vepruar me skulpturën karikaturë aktuale. Shtatorja kërkon hapësirë rrethore, për të mos humbur nën hijen e gjigandizmit të pallateve. Ajo duhet të gëzojë hapësirë të bollshme, ashtu si shtatoret tjera simotra, për të qenë e denjë, në sytë e popullit shqiptar, të kudondodhur si dhe të të huajve, që do ta vizitojnë kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën tonë.

Mendoj se heshtjes së tanishme, për të mos e korrigjuar një gabim, më sakt, faj, duhet dhënë fund. Pajtohemi të gjithë se presidenti Clinton, që identifikohet me Amerikën, meriton mirënjohjen tonë të madhe, për çlirimin e Kosovës tonë.

Dhe, ne, duke mos pasur mundësi, ta bëjmë ndonjë mrekulli për Amerikën, të paktën, ta shprehim mirënjohjen tonë të dlirë, me një Shtatore-skulpturë të dinjitetshme, si simbolikë e shprehjes të mirënjohjes, respektit dhe të dashurisë së dlirë, për popullin amerikan, për mikën tonë Amerikë. Dhe, të veprohet menjëherë, pa humbur kohë:

1. Të shpallet konkurs i hapur dhe i pakufishëm, për punimin e skulpturës-shtatore, për presidentin Bill Clinton;

2. Të caktohet lokacioni, me hapësirë të mjaftueshme, në një shesh, që do të ishte në përputhje, me përmasën e figurës shumëdimensionale të presidentit Bill Clinton;

3. Skulptura-shtatore aktuale karikaturë Clinton, të dërgohet në shkritore.

Skulptura peshon tre tonë dhe masa e shkrirë, është e mjaftueshme për ta bërë, tamam, një skulpturë të re: Skulpturën-Shtatore të presidentit Bill Clinton.

Kjo do të lehtësonte shqiptarët e Kosovës dhe të botës. Dhe, Familja e zëshme dhe fisnike, Clinton, do të vinte, sërishmi, në Kosovë, për ta parë Shtatoren-Skulpturë, të mikut shpëtimtar të shqiptarëve të Kosovës, presidentin e dashur, deri në adhurim, Bill Clinton.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm