Menu

Kriza e historisë, letërsisë dhe e kritikës

User Rating:  / 0
PoorBest 

Jo më nën ndikim të “stilistikës” idelogjike ishkomuniste, ateiste dhe të  asaj sllavo-bizantine.

Disa konsiderata për shkrimtarin Bedri Tahiri dhe kritikun Fatmir Minguli 

Nga Skënder S. KAPITI - Skënder KapitiAjo se çfarë vërehet e konstatohet lehtësisht në Shqipëri dhe Kosovë në këto kohë moderne dhe të përshpejtuara pasi që tashmë duken dhe kanë dalë në sipërfaqe janë jo vetëm kriza politike dhe ajo e identitetit por edhe kriza letrare, historike dhe e kritikës.

Letersia dhe krijimtaria letrare, “studimet” dhe pseudohistorianët si dhe kritikët e paaftë, pa intelekt dhe të cekët akademikisht po na japin leksione dhe na kanë mbuluar e zënë mediat, reklamat, politikën, pushtetin dhe patriotizmin, duke përvetësuar kështu, kjo injorancë “moderne”, edhe kompetencat e talentit, të mënçurisë, të akademisë, dhe të dhuntisë. Ndërsa shkencëtarët, shkrimtarët, historianët dhe kritika e kritikët e vërtetë, meritokracia intelektuale dhe patriotike janë eklipsuar dhe përjashtuar duke mos i lënë që ato të ngjisin shkallët dhe lartësinë që meritojnë.

Mësimi i historisë, letërsia dhe kritika ashtu si edhe politika e diplomacia në Shqipëri vazhdojnë të jenë të ndikuara nga ideologjia komuniste dhe ajo sllavo-bizantine ortodokse pavarësisht hipokrizisë dhe mbulesës demokratike proeuropiane.Këtu nuk përjashtohet as veprimtaria fantazmë e shumë intelektualëve serbo-grekofilë si edhe e mediave në Shqipëri dhe në Kosovë. Prandaj së pari duhet rishkruar me sa më shumë vërtetësi dhe realisht historia e cila i hap rrugët edhe zhvillimit të letërsisë së vërtetë shqiptare në themel të së cilës duhet të qëndrojë patriotizmi dhe kombëtarizmi shqiptar, tradita dhe autoktonia e specifika shqiptare dhe jo huazime e kopje nga tradita e huaj, nga ideologjizma politike ateiste, të internacionalizmit prolear por as nga globalizmi gllabërues modern.

Unë po përmend sot dhe po shpreh konsiderata për shkrimtarin nga Kosova, Bedri Tahiri dhe analistin e kritikun nga Durrësi, Fatmir Minguli, si shembuj të një veprimtarie letrare dhe kritike reale duke mos iu “bindur” vullnetit dhe dëshirimeve subjektiviste as të të autoritetshmëve dhe as të të pushtetshmëve të politikës dhe as mercenarizmit materialist. Letërsia e Tahirit dhe kritika letrare e Mingulit janë pozitiviste, mirënjohëse dhe ndërtimore të cilat inkurajojnë, nxisin, përmirësojnë dhe edukojnë gjithnjë për nga më e mira.

Bedri Tahiri është kryesisht shkrimtari i Luftës së Lavdishme të UÇK-së, shkrimet dhe veprat letrare të të cilit po shkruajnë dhe kanë përjetësuar historinë e madhe të Luftës heroike shqiptare.

Bedriu është individi më i shquar i kohëve të sotme i cili ka grumbulluar dhe shkruar memorien kolektive dhe realitetin tani,në kohën e duhur pa pritur që letërsia ta shkruajë historinë në të ardhmen kur memoria dhe brezat të shkojnë dhe memoria të shlyhet dhe të harrohet, dhe pastaj  historia edhe të manipulohet, duke edhe fabrikuar heronj të paqënë dhe duke harruar e fshirë heronjt e vërtetë. Pra veprat letrare të Bedriut kanë shkruar të vërtetën historike moderne të ngjarjeve dhe të heronjve realë. 

Letërsia e Bedri Tahirit ashtu sikurse edhe kritika kompetente, pozitive dhe reale e kritikut Fatmir Minguli flasin, tregojnë, zgjojnë dhe nxisin e inkurajonë zgjimin, evolimin dhe progresin e letërsisë, historisë, kritikës si dhe inkurajojnë dhe nxjerrin në skenë të vërtetën, heronjtë dhe talentët e panjohur, meritokracinë e vërtetë akademike dhe intelektuale të cilët nuk i lë inkompetenca, egoizmi dhe xhelozia pseudointelektuale që të dalin në skenë.

Në Shqipëri ka kritikë dhe analistë shumë, por shumica janë kritikë të paaftë dhe të dobët e të cekët intelektualisht. Si kritikë në Shqipëri të cilët duken në publik, në televizione e në media na janë vetëm ca farë opinionistësh e analistësh të cilët as nuk dinë se çfarë është letërsia, as historia, as feja, as patriotizmi, as filozofia, as demokracia dhe as politika.

Këta lloj kritizerësh sharlatanë “universalë”të sotëm janë zëdhënes, altoporlantë të zhurmshëm e mercenarë të ryshfetit, të parasë dhe të pushtetit. Këta kritikë në fakt janë propagandues të ndonjë shkrimi apo ndonjë libri pa vlera artistike të shokëve të tyre, të ndonjë  mediatiku, politikani e pushtetari, (kryeministri, deputeti e biznesmeni) nëpër panaire, në reklama televizive, veprat e të cilëve as nuk i blen dhe as nuk i lexon njeri; “vepra”të cilat myken në raftet e harresës që të nesërmen.

Unë shumë autorë, krijues dhe shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e diaspora i kam njohur nga analiza që kritiku Fatmir Minguli u ka bërë letërsisë së tyre. Dhe kjo është edhe e veçanta e madhe e këtij intelektuali të madh dhe erudit, e Z. Fatmir Minguli, i cili na bën të mundur që ta njohim botën letrare  shqiptare, pra kulturën letrare  në ato gazeta e portale të cilat botojnë kritikën dhe analizën e tij reale, pozitive, të vërtetë, të paanshme, kompetente dhe jo të blerë e të nxitur nga fqinji, paraja, njohja, servilizmi, politika e pushteti siç bëjnë e veprojnë të tjerët, që janë të shumtët fatkeqësisht e mjerisht.

Pra si kritika dhe analiza e Mingulit ashtu edhe letërsia e Tahirit u kanë dhënë atyre dimension panshqiptar, shtrirë e që ka përfshirë gjithë hapësirën etniko-territoriale shqiptare me ngjarje, personazhe, heronj dhe krijimtari e kritikë historiko-letrare duke i dhënë kështu frymarrje tërë kulturës kombëtare shqiptare sepse aktualisht kultura shqiptare në botë është e vogël pasi është shumë pak e njohur.

Historia dhe letërsia shqiptare nuk përfaqësohen vetëm me një, dy apo ca heronj  rreth të cilëve vërtitet edhe “kritika” lëvdatë e mitizimit të tyre. Si shembull po marrim mitizimin e shkrimtarit Ismail Kadare i cili sado që mundohet  dhe me fanatizmin e me egoizmin e shqueshëm të tij  që ta vetëmitizojë veten e tij së bashku me ndihmën e  shokëve të tij letrarë, mediatik, politiko-ideologjik  dhe ateisto-komunistë, ai nuk mundet kurrë që t’i shpëtojë kujtesës apo memories kolektive, pasi është shkruar dhe dokumentuat dhe aq më tepër është akoma gjallë brezi që ka pësuar dhe përvuajtur sketerrën e regjimit enverist, regjim  të cilin ai e ka mbrojtur,mitizuar dhe hiperbolizuar, e ka ushqyer intelektualisht si shërbëtor i zellshëm, propagandues dhe oborrtar i të cilit ka qenë Ismail Kadare. Pra, memoria kolektive nuk e shlyen dot nga kujtesa shkrimtarin “e madh” të Realizmit Socialist. Pavarësisht, se vepra e tij letrare ka vlera artistike, ai mbetet nje shkrimtar së pari ideologjik, i luftës së klasave dhe ateis i cili na është bërë tani edhe fetar duke i bërë madje thirrje shqiptarëve që të ndërrojnë edhe fenë e tyre pasi kështu ia do interesi perfitues personal i Kaderesë, interesi i këtij kamaleoni : komunist dje, i formësuar dhe shërbëtor ideologjik i regjimit komunist, dhe tani, pas atij regjimi, ndërroi ngjyrë dhe formë dhe po na del e don të duket si“kampion” letrar demokrat e properëndimor. Pra, është e vërtetë se Kadere është kryekëput së pari shkrimtar “i madh”, por ama si shkrimtar i  madh i Realizmit Socialist dhe ideologjik i asaj kohe . Ai nuk ishte vetëm shkrimtar ideologjik por edhe një kritik i “madh” i tillë. Ja p.sh.se çfarë kritiku egoist dhe tepër negativ dhe politik është Ismail Kadare kur ai për Shkrimtarin e Madh Gjergj Fishta shprehej:

“Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale,apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, himnizues i primitivizmit, armik i egër i përparimit- ky është portreti i këtij letrari prift”.

Ky Kadareja, dëshiron të duke edhe si “kampion” i historisë por në fakt është tepër i vogël si historian, pasi historicizma letrare e tij e shkruar prej tij është si një përrallë letrare ideologjike edhe ajo.

Vepër absulutisht të mirë  nuk ka, dhe sado e madhe që të jetë ajo, do të ketë ndonjë faqe “të zezë” në të, dhe prandaj edhe nuk mund t’i shpëtojë kritikës, si nga kritika dhe memoria e kohës së saj në qoftëse memoria intelektuale individuale dhe ajo kolektive është e lirë dhe nëqoftëse ajo guxon, dhe nuk i shpëton dot as vlerësimit e gjykimit në të ardhmen pasi e ardhmja është e lirë dhe e pakërcënuar nga frika e kërcënimi dhe gjykon paanësisht dhe në mënyrë më të pakorruptuar. Edhe koha e tashme ngre mite të rrejshme dhe këtë e bëjnë si gjithmonë injoranca, nënshtrimi, frika, servilizmi, paraja dhe pushteti, por  është po koha ajo që i rrëzon mitet e rrejshme.

Pra memoria kolektive është ajo që thotë dhe konservon të vërtetën siç është edhe rasti i sipërcituar i Ismail Kadaresë, kritikët kundër të cilit si dhe kritikët e tjerë ndaj letërsisë dhe historisë së shkruar në kohën e komunizmit, si dhe kritikët e kritikës së kritikuesve që e lartësonin dhe i shërbyen himnizimit të atij regjimi nuk ka pse të shpallen apo të shikohen e të paragjykohen si “heretikë”nga masa e të indoktrinuarve prej ideologjisë komuniste sllavo-bizantine.

Edhe historia, letërsia e kritika nuk janë një dhe as postulate doktrinore të ndokujt që duhen pranuar a priori, pasi ato shkruhen dhe vështrohen, vlerësohen e gjykohen nga këndvështrime të ndryshme të individëve të ndryshëm në përpjekje për të thënë e shkruar dhe gjetur të vërtetën. Dhe kjo është edhe vetë liria.

E përmënda këtë rast për të treguar se në Shqipëri nuk është vetëm Kadareja dhe një shpurë shkrimtaro-kritizerësh me orientim bizantino-sllav e formim ateisto-komunist të cilët akoma mundohen t’ia zgjasin jetën letrarëve ideologjik dhe historisë së falsifikuar dhe të manipuluar, por ka shkrimtarë e historianë dhe kritikë shumë të mirë , por të panjohur e të paekspozuar pasi nuk i lë dhe i lufton mediokriteti, servilizmi, korrupsioni dhe propaganda e televizioni si dhe kritika të cilat janë politikisht dhe materialisht edhe të shitura e të mercenarizuara.

Ne jemi një popull i lashtë, vital dhe heroik e i lavdishëm por këto i themi si parulla pasi për to ka shkruar shumë pak letërsia shqiptare, madje edhe pjesa më e madhe kësaj letërsie ka shkruar për to me nuanca, ndikime e mbështjellje politiko-ideologjike dhe ateiste të cilat më shumë kanë bërë vetëm dëm dhe çoroditje intelektuale. Tërësisht ndryshe nga kjo na paraqitet letërsia e Bedri Tahirit dhe kritika e Fatmir Mingulit.

Tahiri dhe Minguli me veprat dhe me punën e tyre janë shëmbulli i përpjekjeve që ata bëjnë për ta përjetësuar dhe përhapur letërsinë, historinë dhe kulturën si shkrimtar njëri dhe si analist dhe kritik tjetri pasi nuk qëndron letërsia, kultura dhe historia pa studim, pa analizë e gjykim, pra, pa kritikë.

Tahiri është një shkrimtar vepërmadh ndërsa Minguli është një shkencëtar i letërsisë i cili me vlerësimet dhe gjykimet e tij zbërthen enigmën dhe të fshehtat e shkrimtarit dhe të veprës së tij; ai është një kritik joegoist por shpirtmadh duke treguar së pari shenja simpatie për veprën e autorëve të shumtë ndoshta edhe të atyre me të cilët kam përshtypjen se ai edhe nuk është takuar ndonjëherë.

Kritika e Mingulit dhe Letërsia e Tahirit nuk janë zhurma që shurdhojnë dëgjimin dhe që bajasin intelektin dhe mëndjen, pra nuk janë zhurma që çorodisin lexuesin por janë vepra që tërheqin dhe ushqejnë lexuesin. Dhe për të tillët si Tahiri dhe Minguli prandaj edhe i shpreha këto konsiderarata, edhe si mirënjohje ndaj tyre pasi ata po shkruajnë dhe po kontribuojnë për letërsinë, për historinë, për kritikën, pra për këto deficite jashtëzakonisht të mëdha edhe si intelektuale e patriotike që ka sot shoqëria jonë e verbur dhe e kapur nga përbindëshi politikë.

Minguli dhe Tahiri, dhe të tjerë shkrimtarë, historian e kritikë të këtillë si ata, janë në kohën  e tashme, ata po  shkruajnë me të vërtetat e së tashmes për të tashmen, pa pritur që këto t’i shkruajë e ardhmja apo pa pritur më keq akoma ashtu sikurse është bërë historikisht gjithnjë: që për historinë, letërsinë e kulturën tonë të shkruajnë të huajt ashtu si duan dhe si u pëlqen dhe do interesi i tyre.

Historia, letërsia dhe kritika gjithmonë është mirë të shkruhen në kohë, dhe nga vetë Ne. Kjo sepse po të shkruhen në të ardhmen ato mund të deformohen e të duken e të na tregohen pastaj si përralla historike e politike të cilat ngatërrojnë, paragjykojnë dhe polemizojnë dhe nuk kanë vlerë të madhe pasi e ardhmja nuk e shkruan dhe as nuk e ndreq dot të shkuarën sepse e ardhmja nuk jeton në realitetin e së shkuarës. Prandaj, falë teknologjisë e cila na jep mundësinë dhe lehtësinë për të shkruar, si dhe falë dhe demokracisë e cila më nuk pengon dhe as nuk inkuizicionizon si mesjeta dhe diktaturat, është mirë që letërsia, historia dhe kritika të shkruhen në kohë, sepse nuk dogmatizohen pasi nuk e lejon dhe nuk e pranon këtë memoria e gjallë kolektive e kohës.

Këtë e bëjnë realisht edhe z.Minguli e Tahiri të cilët janë edhe të lirë sepse nuk janë të shtërnguar nga politika dhe as nga oborri i saj; janë të paanshëm, dhe  janë edhe të guximshëm dhe realë.I shkrova këto konsiderata për shkrimtarin Tahiri dhe kritikun Minguli, pasi është mirë që i kemi këta si dhe që kemi edhe të tjerë si këta të dy, puna dhe vepra e të cilëve  shërben që t’ua kthejë besimin lexuesve të letërsia, te historia dhe te kritika e vërtetë, pasi letërsia dhe kritika e paguar e ka çoroditur dhe larguar lexuesin nga libri, të cilin sot po e shkruajnë kushdo, e më së shumti ata që nuk dinë.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm