Menu

Ideali i tyre ishte çlirimi i Kosovës

User Rating:  / 1
PoorBest 

Vend i vrasjes të Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, në Untergruppenbach të Heilbronn-it - Homazhe të bëra më 17.01.2015

Shkruan: Idriz Zeqiraj

Shoqata Kulturore Shqiptare "Kadri Zeka", në Kirchheim-Teck, të Landit Baden Würtemberg, në Gjermani, prej shumë vitesh zhvillon veprimtari kulturore, humanitare dhe atdhetare. Ajo u themelua me vullnetin dhe nismën e mërgimtarëve tanë në atë mjedis. Qëllimi fisnik i themelimit të Shoqatës në fjalë, tuboi shumë mërgimtarë, qoftë si anëtarë apo simpatizantë.

Bashkatdhetarët tanë në Kichheim-Teck me rrethinë kontribuan në shumë drejtime. Atdheu, Kosova ishte dhe mbeti dhembja, malli dhe dashuria skajore. Përgjatë kohës të paqes relative, ndihmuan për mbijetesën e popullit, përkrah shumë mijëra mërgimtarëve tjerë anekënd botës demokratike dhe të begatë. Gjatë luftës, përveç përfaqësimit fizik në luftë, Mërgata tuboi sasi të konsiderueshme materialësh dhe para.

Shoqatën "Kadri Zeka" për disa vite e udhëhoqi njëri nga krijuesit e saj, veprimtari i shquar Xhafer Leci. Zotëri Leci i përkët kontigjentit të emigrimit në vitet '70-a. Me ardhjen në Mërgatë të Jusuf Gërvallës me shokë, ai aktivizohet në organizimet e ndryshme të asaj kohe, për të mos u ndalur as sot e kësaj dite. Njeri i fjalës, i shkrimit, i veprimit, me aftësi të veçanta organizative dhe të komunikimit me sivëllezërit e tij mërgimtarë.

Kryesia simpatike e Shoqatës Kulturore "Kadri Zeka", e përbërë nga. Taxhidin Bakiu - kryetar, Selami Morina - nënkryetar, Ramadan Zuka - sekretar, Fatmir Krasniqi - arkatar, Sabit Ejupi - anëtar dhe Bujar Osaj - delegatë në Bashkësinë e Klubeve dhe të Shoqatave për Landin e Baden Würtembergut, është e vyeshme, e gatshme për veprimtari të ndryshme, lokale e kombëtare, gjithnjë, vullnetarisht, pa shpërblim.

Gazetari Halil Rrustemaj dhe kryetari i Shoqatës - Taxhidin Bakiu

Vlerësim meritor dhe i çiltër

Nëse flasim me shifra, rezulton se veprimtarët dhe anëtarësia e Shoqatës, përgjatë 10 (dhjetë) viteve, kanë tubuar 1. 175.000 marka gjermane, dedikuar për shëndetësinë, arsimin, luftën në Kosovë. Ndihmat tjera materiale, individuale dhe kolektive nuk janë përfshirë në këto shifra.

Zotëri Xhafer Leci është pensionuar. Ai nuk ka pranuar të riciklohet edhe mëtej si kryetar i Shoqatës, me arsyetimin logjik se kryesimin duhet ta marrë ndonjëri nga të rinjtë. Dhe, ashtu ndodhi: Taxhidin Bakiu, nga Kalishta e Gostivarit, i dalë në Tetovë të Iliridës, u zgjodh kryetar. Ndërkohë, Kryesia, bazuar në veprimtarinë sa të shumanshme, aq edhe të suksesshme, e shpalli, njëzëshëm, Xhafer Lecin - Kryetar Nderi të Shoqatës Kulturore "Kadri Zeka".

Ky vlerësim sa meritor, aq edhe i çiltër, ndryshon nga disa dekorime hileqare, të cilat jipen "sa për sy e faqe", për ta pensionuar dhunshëm të padëshiruarin, për ta hequr qafe, pra, për ta larguar përfundimisht. Këtë metodë e ka përdorur edhe ndonjë klan, i një partie me nam të mirë. Por, ka rezultuar hipokrit dhe tërësisht i pistë, sepse nuk është respektuar si i dekoruar, madje nuk është ftuar edhe atje ku duhej të ishte i pranishëm dhe nuk është pyetur për asgjë!

Ndërsa rasti i Xhafer Lecit, si Kryetar Nderi i Shoqatës; i Fazli Gashit - si Kryetar Nderi i Aktivit të LDK-së, në Starnberg të Bavarisë, i mbiquajtur edhe - Aktivi i Ibrahim Rugovës -, meqë është i vetmi aktiv në Mërgatë dhe Kosovë, që ka ruajtur tërësisht organizimin dhe frymën rugoviane, ndryshon për të mirë nga rastet tjera.

Këta dy veprimtarë, Leci dhe Gashi, që veprojnë ndaras, në Kirchheim-Teck dhe Starnberg, jo vetëm që nuk kanë zvetnuar aktivitetin, por, përkundrazi, e kanë shtuar, duke bashkërenduar veprimtaritë me kryesitë e tyre, për të dhënë përvojen shumëvjeçare. Kjo e vërtetë sipërore u vërtetua edhe në Akademinë Përkujtimore për mërgimtarët e vrarë në pusira, në errësirë dhe në dritë, para tri dekadave, njësoj si në vrasjet para, gjatë dhe pas luftës në Kosovën tonë.

Gjashtë dëshmorët e Mërgatës

E veçanta e kësaj Akademie Përkujtimore është se u përkujtuan së bashku të 6 (gjashtë) dëshmorët e Mërgatës.

Përtej tri dekadave, përçarësit e popullit, agjentët e UDB-së jugosllave, të infiltruar brenda Lëvizjes, madje të katapultuar në krye të saj, i privatizuan dëshmorët e Untergruppenbach-ut, heronjtë e Kosovës Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, kinse si bashkëluftëtarë me ata, edhepse ekziston dyshimi i bazuar se pikërisht këta rrugaçë e kriminelë, janë të implikuar në vrasjet e tyre. Pra, vrajë natën, vajtojë ditën!

Ndërsa për dëshmorët e Brukselit: Enver Hadri, Vehbi Ibrahimi e Musa Hoti, sajuan shpifje monstruoze, duke i quajtur agjentë të Serbisë dhe të Rusisë, edhepse njërit syrësh, Enver Hadrit, Hero i Kosovës, kur po vritej, u përgjak edhe dosja për terrorin në Kosovë, e përgaditur dhe në rrugëtim për ta dërguar në Parlamentin Evropian, ku Ai i kishte dyert e hapura.

Dekori i skenës është ideuar në harmoni me përmbajtjen e Akademisë Përkujtimore. Në ballore Kadri Zeka, emrin e të cilit e mbanë Shoqata Kulturore Shqiptare; lart: vëllezërit Gërvalla në lojë me gitare. Në ekranin e madh janë renditur fotografitë - portrete të heronjve të Mërgatës Shqiptare: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri, Vehbi Ibrahimi dhe Musa Hoti.

Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri, Vehbi Ibrahimi dhe Musa Hoti.

E reja moderatore Filloreta Shahini hapë Akademinë Përkujtimore me përshëndetjen "Mirë se keni ardhë"! Dhe, nën tingujt muzikorë fillon këndimi i Hymnit Kombëtar, duke pasuar heshtja nderuese.

Vajza dhe djem, me veshje kombëtare, të Shoqatës Kulturore Gjermano-Shqiptare "Scanderbeg", nga Freiburgu, luajnë dy valle burimore shqiptare. Kryetari i Klubeve dhe i Shoqatave Shqiptare në Landin e Baden Würtembergut, Skënderbeg Klaiçi, kryeson Shoqatën dhe udhëheq këtë grup artistik, vajza dhe djem të lindur dhe të rritur në Freiburg me rrethinë.

E reja moderatore Filloreta Shahini hapë Akademinë Përkujtimore me përshëndetjen "Mirë se keni ardhë"! Dhe, nën tingujt muzikorë fillon këndimi i Hymnit Kombëtar, duke pasuar heshtja nderuese.

Vajza dhe djem, me veshje kombëtare, të Shoqatës Kulturore Gjermano-Shqiptare "Scanderbeg", nga Freiburgu, luajnë dy valle burimore shqiptare. Kryetari i Klubeve dhe i Shoqatave Shqiptare në Landin e Baden Würtembergut, Skënderbeg Klaiçi, kryeson Shoqatën dhe udhëheq këtë grup artistik, vajza dhe djem, të lindur dhe të rritur në Freiburg me rrethinë.

Xhafer LeciXhafer Leci, Kryetar Nderi i Shoqatës "Kadri Zeka", përshëndet mysafirët e ftuar dhe të pranishmit e tjerë, për të vazhduar me fjalën e rastit:

"Shoqata Kulturore Shqiptare "Kadri Zeka", në bashkëpunim me Klubin Kulturor "Bardhosh Gërvalla", sot na ka mbledhur këtu, në Kirchheim/Teck të Gjermanisë, për të nderuar dhe përkujtuar ata që dhanë vlerat e guximit në mbrojtje të kombit, të lirisë, demokracisë dhe të pavarësisë së Kosovës. Për të nderuar heronjtë dhe dëshmorët tanë, të cilët punuan pa hezitim, organizuan protesta e demonstrata, nëpër metropolet dhe qendrat e rëndësishme evropiane, për internacionalizimin, çlirimin dhe bashkimin kombëtar, për bërjen e Shqipërisë Etnike- Natyrale.

Përkujtimi ynë i përbashkët në këte Akademi, me pjesëmarrjen e shumë bashkëveprimtarëve të tyre, sadopak, përmbushë borxhin ndaj vëllazërve tanë, që na prinin dhe na udhëzonin aso kohe, ne, mërgimtarëve, se për çlirimin e tokave tona nga okupatorët shekullorë, duhet të sakrifikojmë duke punuar deri në flijimin tonë, që brezat e rinj të gëzojnë lirinë e atdheut. Një pjesë e synimeve tona të përbashkëta sot është realizuar me çlirimin e Kosovës.

Edhe ne, mërgmitarët, si pjesë përbërëse e shtyllës kombëtare, jemi përpjekur vazhdimisht dhe kemi dhënë kontributin tonë në forma të ndryshme.

Këtu, në Përendim, kundër shqiptarëve atentatet dhe vrasjet nga UDB-ja jugosllave kanë historikun nga viti 1981.

Me 14 maj 1981, në Frankfurt të Gjermanisë, qe plagosur rëndë Rasim Zenelaj, i cili mbeti përherë i palëvizshëm.

Ndërsa, viktima e parë e terrorit serb ishte vrasja e Vehbi Ibrahimit dhe plagosja e gruas së tij, më 10 tetor 1981, në Bruksel të Belgjikës.

Kurse, më 17 janar 1982, në Heilbronn - Untergruppenbach të Gjermanisë, nga Sigurimi dhe bashkëpunëtorët serbosllavë, u vranë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Sigurimi jugoslav vazhdon me vrasjet radhës:

Më 25 janar 1990, në Bruksel të Belgjikës, vritet Enver Hadri, për të vazhduar edhe me vrasjen, gjegjësisht, mbytjen e Musa Hotit, më 16 janar 2004, po ashtu në Bruksel.

Mërgata jonë ka pasur e ka edhe shumë veprimtarë të gjallë, që kanë punuar me përkushtim për çlirimin e vendit dhe popullit tonë, të cilët kanë pasur fatin t´u shpëtojnë përndjekjeve për zhdukjen e tyre fizike nga ish- bashkëpunëtorët e sigurimit sekret - UDB-ës.

Dimensioni i dëshmorëve dhe heronjëve tanë, ishte i madh. Ata ishin të denjë dhe besnikë ndaj atdheut tonë të përbashkët, për atë bashkëveprimtarët dhe populli shumicë u besoi dhe kurrë nuk e tradhtoi idealin e tyre.

Mërgata jonë, në shenjë respekti e mirënjohje, gjithmonë të lartpërmendurëve u bëri nderimin me homazhe për çdo vit tek varrezat e tyre në Stuttgart e Bruksel.

Vepra e lavdishme e këtyre 6 martirëve të lartpërmendur, pavarësisht bindjeve të tyre ideologjike, ishte burim i sakrificës dhe mobilizimit të shqiptarëve në radhët e UÇK-së, për çlirimin tonë kombëtar prej pushtimit të Serbisë.

Mërgata jonë, atëbotë, jo mjaft e arsimuar, kishte shumë nevojë për veprimtarë dhe intelektualë të devotshëm të çështjes tonë kombëtare, siç ishin Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri, Bardhosh Gërvalla, Vehbi Ibrahimi e Musa Hoti, të cilët në Kosovë kishin lënë familjet, të afërmit, bashkëveprimtarët dhe kolegët e tyre të shkollës dhe të punës.

Për ata 6-të martirë të Kosovës, të cilët ish-UDB-ja Jugosllave ua kishte frikën, janë shkruar shumë shkrime e libra. Po përmendi vetëm disa nga autorët në mërgatë, siç janë: Emin Fazlija, me librin: "Doktori i Maleve të Lira të Drenicës Dardane"; Faridin Tafallari, me librin: "Terror, Dhimbje, Qëndresë"; Halit Elshani, me librin në dy vëllime: "Çeta e Brukselit"; Reshat Sahitaj, me librin monografik: "Musa Hoti- shënime, përjetime, kujtime, dokumente"; Antologjia e autorëve Hasan Qyqalla dhe Neki Lulaj: "Trinomi i lirisë", kushtuar 30 vjetorit të vrasjës së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Lavdi e mirënjohje e përjetshme heronjve dhe dëshmorëve të kombit!"

Neki Lulaj, Fazli Hajdaraj, Lush Cana, Fidanete Lulaj, Idriz Zeqiraj, Shpend Shala ....

Nga e gjithë Gjermania

Në mesin e shumë mysafirëve, nga Kosova kishte ardhur nipi i Heroit Kadri Zeka, Zenun Pajaziti - Zeka, deputet i Republikës të Kosovës, Faket Kajtazi, Konsull i Republikës të Kosovës në Stuttgart.

Akademia Përkujtimore përfaqësohej, pothuajse, nga të gjitha Landet e Gjermanisë, kryesuesit e klubeve dhe të shoqatave me bashkëpunëtorë, si: Afërdita Dauti - Xheladini, kryetare e Shoqatës së Gruas Shqiptare "Nënë Tereza" dhe përfaqësuese e Degës së Fondacionit "Nermin Vlora - Fallashi", Heidelberg, Osman Ferizi, bashkëlutëtarë i Sali Çekaj dhe kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptaro - Gjermane "Sali Çekaj", në Gjermani, Vitor Spaqi, kryetar i Qendrës Kulturore Shqiptare", në Stuttgart, Abaz Imeri, kryetar i Këshillit Organizativ Gjithëshqiptar, në Heilbronn, Asim Lokaj, kryetar i SHKSH "Malësia" në Hechingen, Jahja Gashi, kryetar i SHKSH "Nënë Tereza, në Göppingen, Shoqata e Krijuesëve dhe e Artistëve Shqiptarë në Mërgatë, e kryesuar nga Hasan Qyqalla dhe të tjerë

Për të nderuar heronjtë e Mërgatës, kishin ardhur familjarë të të rënëve për lirinë e Kosovës, bashkëpunëtorë e miq të heronjve: Kolë Mërturi, Isë Demi, Nami Ramadani, Mehmet Koka dhe të tjerë. Shpend Shala, oficer i karrierës dhe pjesëmarrës në luftë, Xhavit Bazaj, ushtar në luftën e fundit, motra dhe vëllai dëshmorë. Përfaqësues të mediave televizive, elektronike dhe të shkruara: Halil Rrustemaj, Maxhun Smajli, Muhamet Hoxha, Asllan Dibrani. Veprimtarë të Mërgatës: Tefik Kallaba, Lekë Preçi, Ibrahim Ukëhaxhaj, ushtarak dhe pjesëmarrës në luftën e Kosovës, Tahir Buçolli, Skënder Alihajdaraj, Nezir Fejzaj me shokë.

Veprimtarët Lekë Preçi e Tefik Kallaba me shoqe e shokë

Tej 500 km ardhje e kthim, nga Bavaria e largët kishte arritur Osman Ferizi e Shemsi Haziri; nga Aktivi i zëshëm i LDK-së në Starnberg të Bavarisë Fazli Gashi me kryesinë; nga Rheinland Pfalzi kryetari dhe nënkryetari i Nëndegës të LDK-së, përkatësisht, Fazli Hajdaraj dhe Lush Cana me shokë. Mejdi Laçaj kishte ardhur nga Sllovenia, i cili, gjatë kohë, kishte jetuar e verprua në këtë mjedis, së bashku me veprimtarin e palodhshëm Qemal Morina, tanimë, na mungon, ndjesë pastë, ishin krah i djathtë i kryetrarit të atëhershëm Xhafer Leci. Tani, djali i tij, Selamiu, nënkryetar i Shoqatës "Kadri Zeka", plotëson, në një masë, mungesën e bacës Qemal.

Me praninë e tyre në këtë Akademi Përkujtimore, aktivistët e dalluar të hershëm, dëshmuan se mbetën gjithnjë të zellshëm në veprimtaritë e Mërgatës: Gani Gashi, Hazir Beqaj, Gjylie Lecaj, Neriman Bajraktari, Fehmije Hoxha, Zef Prenga, Ali Bekteshi, Hysen Matoshi, Nue Lekaj, Naser Sulejmani, Selim Limani, Ekrem Haziri, Sejdi Rexhepi, Arif Haxhija, Qani Rexhepi, Xhavit Krasniqi, Agim Gashi-Hajvalia, Hajriz Fetahu me shokë.

Në Ludwigsburg, afër Stuttgart-it ka jetuar dhe vepruar heroi Bardhosh Gërvalla, andaj, Klubi Kulturor, krenarisht, gëzon emrin e Tij. Kryesia e Klubit është freskuar, pjerërisht, me Bedrush Nezaj - kryetar, Isuf Gashi - zv.kryetar, Bekim Luzha - sekretar, Isak Shabani - arkatar, Afrim Gërvalla, Rasim Jasiqi, Haki Demiri, Frashër Tolaj, Besim Gërvalla, Rifat Tolaj, Zymer Shala, Hysni Latifi, Driton Ferati - anëtarë kryesie.

Veprimtaritë e Klubit janë të shumëta, prandaj edhe punët janë të ndara: Enver Haklaj, trainer i ekipit të futbollit; Naim Dautaj, ndihmës dhe përgjegjës për siguri të ekipit; Rashid Ferizi, drejtues i grupit të valltarëve.

Shquhen në aktivitete edhe disa nga anëtarët e Klubit, si: Ibrahim Baldedaj, Sahit Mustafi, Naim Maxharraj, Ahmet Rama, Halil Hulaj, ish-kryetari Afrim Sylejmani, Blerim Bunjaku, Istref Hulaj, Bajram Kastrati, kryetari i hershëm i Klubit dhe mësuesi vullnetar, Sylejman Aliçkaj dhe të tjerë.

Bërthamë e Klubit janë: Sokol Dobraj e Fazli Smira - shokë dhe bashkëpunëtorë të Vëllezërve Gërvalla.

Bedrush NezajBedrush Nezaj, kryetar i Klubit Kulturor Shqiptar "Bardhosh Gërvalla", në Ludwigsburg, bashkorganizator i kësaj Akademie, përshëndet mysafirët dhe të pranishmit: "Ju përshëndes dhe njëherit ju falenderoj përzemërsisht, që na nderoni me pjesëmarrjen tuaj.

Posaçërisht i përshëndes ata të cilët nuk u ndalën kurrë me vite dekada, duke organizuar e punuar në mënyrë vullnetare.

Unë ndihem i privilegjuar kur flas për heronjtë e Lirisë sonë kombëtare, e sidomos për qëllimin apo idealin e shejtë, që ishte atdhedashuria dhe bashkimi kombëtar.

Prandaj, i ftoj të gjithë shqiptarët që të respektojmë amanetin e këtyre burrave të mëdhenj të Shqiptarisë, të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin dhe, të paktën, një bashkim shpirtëror të të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

Ne, si komb, jemi disa milionë, të shpërndarë, por, në krahasim me armiqtë tanë historik mbesim pak.

Unë do ta përmbylla, duke falenderuar të gjithë heronjtë me thënien, e cila është moto e Klubit "Bardhosh Gërvalla":

Ranë, për të mos vdekur kurrë!

Faket KajtaziZotëri Faket Kajtazi, konsull i Republikës të Kosovës në Stuttgart, duke përshëndetur Akademinë Përkujtimore, në emër të stafit diplomatik dhe të shtetit të Kosovës, në mes tjerash tha:

"Ju keni ardhur për të nderuar heronjtë dhe kjo është detyrë dhe fisnikëri. Përshëndes familjet e dëshmorërve, veteranët dhe invalidët e luftës, të burgosurit politikë, bashkëveprimtarët e luftëtarëve të rënë, kryetarët e shoqatave dhe të klubeve shqiptare, Shoqatën e Krijuesëve dhe të Artistëve në Mërgatë dhe të gjithë ju, të pranishëm në këtë përkujtesë morti, nderi e lavdie.

Historia jonë e dhimbshme, me ikjet e shumëta nga represioni i UDB-së jugosllave, vazhdimi i veprimtarisë atdhetare edhe në Mërgatë e deri ke flijimi për liri, janë pjesë e historisë tonë.

Rënia e këtyre heronjve në muajin janar, përkujtohet si manifestim gjithëkombëtar, me emërtesën simbolike e artistike "Flaka e Janarit". Në këtë kuadër mbahet edhe kjo Akademi Përkujtimore. Ne nuk guxojmë t'i harrojmë heronjtë, sepse ata lanë veprën dhe emrin e mirë, si: Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, Adem Jashari me shokë".

Konsulli Faket Kajtazi

Konsulli Faket Kajtazi, duke kërkuar ndjesë pse shfrytëzon tribunën e kësaj Akademie Përkujtimore, për të bërë një apel, thirrje publike të pranishmëve, për ta përçuar porosinë e madhe tek njerëzit e tyre e më gjerë në Atdhe, për të mos lëshuar vatrat e tyre, për të mos marrë rrugët e kurbetit.

Stafi i Konsullatës dhe deputeti Zenun Pajaziti e Xhafer Leci

Ai përmendi shembuj konkret të hetimit të organeve kompetente gjermane, mënyrën, rrugën e ardhjes masive të ikanakëve shqiptarë. Dhe, ka zbuluar se përgaditja e pashaportave bëhet në Serbi, duke e bërë përcjelljen e shqiptarëve deri në kufi të Evropës së Bashkuar.

Ata mendonin dhe vepronin për t'i bashkuar shqiptarët

Zenun PajazitiOrganizatorët kishin ftuar, në këtë Akademi Përkujtimore, nipin e heroit Kadri Zeka, Zenun Pajazitin - Zeka, deputet i Repubikës të Kosovës. Prania e tij i preku deri në përlotje të pranishmit. Amshimi i Kadri Zekës ishte i hershëm dhe nuk la fëmijë prapa. Por, ai la një familje të tërë të nderuar, vëllezër e motra; nipër e mbesa të edukuar dhe të shkolluar. Dhe, ky është ngushëllimi jonë i madh për Kadri Zekën, Hero i Kosovës.

Deputeti Pajaziti përshëndeti organizatorët e kësaj Akademie Përkujtimore, konsullin Faket Kajtazi, veprimtarët veteranë Emin Fazlinë e Faridin Tafallarin me shokë dhe të gjithë të pranishmit.

"Takova, në verë, bacën Xhafer (Leci) dhe më ftoi, nëse mund të vij në këtë Akademi. Premtova, prandaj erdha në mesin tuaj. Ndjehem sa i prekur, aq edhe i privilegjuar. Për ne, familjarët, që kemi humbur njerëzit e dashur, udhëtimet e tilla janë emocionuese, rëndojnë fort në mendjet dhe zemrat tona.

Misioni i tyre ishte i madh

Sot bëmë vizitën ke vend-vrasja e Jusufit, Bardhit dhe të xhaxhait tim, Kadriut. Misioni i tyre ishte i madh. Ata mendonin dhe vepronin për t'i bashkuar shqiptarët. Dhe, pikërisht, në nismën për ta realizuar këtë mision të shenjtë, i cili ishte jetik për veprimtarinë e koordinuar për kauzën e lirisë të Atdheut, ata u goditën për vdekje nga Sigurimi jugosllav".

Zotëri Pajaziti u përqendrua më shumë ke veprimtaria e Jusuf Gërvallës, ideali i tij i madh, përgaditja intelektuale, komunikimi i çiltër dhe tërheqës me bashkatdhetarët e mërguar.

Deputeti i Republikës të Kosovës, Zenun Pajaziti, tha se "bashkatdhetarët tanë mërgimtarë kanë qenë frymëzues dhe kontribues për popullin në Kosovë, duke e ndihmuar atë moralisht e materialisht dhe, së fundi, edhe fizikisht për luftën, lirinë e Kosovës. Kosovës i duhet ndihma juaj e gjithëmonshme, investimi juaj në Atdhe.

Organizimet e juaja të kësaj natyre, janë ngushëllimi ynë i madh. Ju çmoni dhe vlerësoni me dinjitet bashkëmërgimtarët tuaj, të cilët u flijuan në përpjekje për të koordinuar veprimtarinë atdhetare në dobi të Atdheut të robëruar".

Ai përmendi rastin kur një mërgimtar më solli fotografitë nga përkujtimi i vitit 1983 i dëshmorëve, të rënë në Untergruppenbach, pas plot 30 vjetësh. Për familjen tonë ishin një dhurim i veçantë dhe na preku shumë se si mërgimtari, dikur i ri, e tani i pensionuar, kishte ruajtur kujtime të kohës, të cilat emocionojnë shumë.

"Vizitova Konsullatën e Kosovës në Stuttgart. Konsulli Faket Kajtazi me stafin e tij më folën për punën e tyre në shërbim të bashkatdhetarëve. U mrekullova për rregullin dhe përkushtimin e madh në përmbushjen e detyrave nga ky institucion diplomatik. Andaj, sugjeroj të mbani lidhje të përhershme me zyrat konsullore, sepse në hapjen e tyre, gjithësesi, është edhe kontributi juaj i pakursyer", - përmbylli fjalën e tij, nipi i Kadri Zekës, deputeti Zenun Pajaziti - Zeka.

* * * * * * * * * *

RUGOVA DHE GËRVALLA - DASHURI TË PAKUFISHME
PËR SHQIPTARËT

Idriz Zeqiraj

Për jetën dhe veprën e heronjve të Mërgatës, shpalosën kujtimet bashkëkohësit dhe miqtë e tyre: Idriz Zeqiraj, Faridin Tafallari dhe Emin Fazlija. I pari, Idriz Zeqiraj, si bashkënxënës në Gjimnazin e Pejës, në vitet '60-a, portretizoi Jusuf Gërvallën si mondan në sjellje dhe me shpirt artisti, tipik perëndimor, duke u shquar, krahas Ibrahim Rugovës, nga të tjerët, qysh në rininë e tij të hershme.

Në historinë tonë kombëtare e, ndoshta, edhe më gjerë, është unik respekti, dashuria dhe adhurimi gjithëshqiptar, për dy personalitet e fuqishme, siç janë Ibrahim Rugova dhe Jusuf Gërvalla, Heronj të Kosovës.

Bashkëshkollarë në gjimnaz, të shquar në mjediset ku mësuan, punuan, krijuan, vepruan dhe jetuan; fjalëpakë, mendjethellë, të matur dhe fort të imponueshëm. Kundërshtia e tyre e bazuar, e shprehur me tone njerëzore, urtë e but, por bjeshkë e pakalueshme, kur është fjala për mbrojtjen e parimeve jetike për popullin e vet.

Të dy, Rugova dhe Gërvalla, njohës të shkëlqyer të popullit të vet, dashuri të pakufishme për shqiptarët e kudondodhur, ata shprehnin respekt të një mase ndaj shkollarit dhe bariut, bujkut. Andaj, emri i tyre, kujtimi për ata, që sot na mungojnë vetëm fizikisht, përlotë, njëherësh, të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare.

Për vrasjen e djemve të Kosovës, në Untergruppenbach të Heilbronn-it, në Gjermani, nuk mungojnë faktet, për të zbuluar autorët e krimit të trefishtë, por, mungon vullneti i mirë, sepse ka një lidhshmëri faktike të krimit të atëhershëm, me krimet e luftës dhe të pasluftës në Kosovë, të bëra nga agjentët e UDB-ës, brenda Lëvizjes (LPK-së). Dhe, këta kriminelë në pushtet, sabotojnë dhe pengojnë hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e krimit dhe të vetë vrastarëve, të organizuar në mafinë e krimit politik dhe ekonomik.

Zotëri Tafallari, si bashkëveprimtar i dëshmorëve, në Stuttgart, foli për idealet dhe shpirtin luftarak të heronjve të Untergruppenbach-ut. Ai shtoi se amaneti i Jusufit me shokë nuk është realizuar, sepse antikombëtarët kanë shkelur mbi gjakun e dëshmorëve, të heronjve tanë, duke i harruar ata.

Ndërsa veterani i Mërgatës, kryetari i Besëlidhjes Demokratike Shqiptare, Emin Fazlija, alias - Emil Kastrioti, më shumë u përqendrua për jetën dhe veprimtarinë e burrave të Kosovës, të ekzekutuar në Bruksel: Enver Hadrin, Vehbi Ibrahimin, Musa Hotin, duke mos harruar as plagosjen e rëndë, mbetja në karrocën invalidore, të veprimtarit të Beslidhjes - Rasim Zenelin.

Referimet e këtyre tre folësve do të jenë botime të veçanta, ndaras.

Në pamundësi për të qenë të pranishëm fizik, me postë elektronike e kanë përshëndetur këtë Akademi Përkujtimore dhe kanë vlerësuar lart kontributin e heronjve në Mërgatë: Ambasada e Republikës të Kosovës në Berlin e Bernë, përkatësisht, ambasadorët Skënder Xhakaliu e Naim Malaj; ish-Presidenti i Republikës të Kosovës, prof.dr. Fatmir Sejdiu, përshëndetje kjo që u shoqërua me duartrokitje të gjata, si dëshmi faktike se ish-Kryetari i LDK-së, ende nuk është i tepërt as për partinë e tij; Dr. Bekim Balidemaj, internist dhe veprimtar si dhe Kryebashkiakja e qytetit të Kirchheim - Teck-ut, zonja Angelika Matt - Heidecker.

Një letër përshëndetëse, shumë emocionuese, i ka dërguar Shoqatës "Kadri Zeka" dhe të pranishmëve në Akademinë Përkujtimore, ish-nusja dhe bashkëveprimtarja e Kadri Zekës, Saime Isufi, të cilën e lexoi nënkryetari i Shoqatës, Selami Morina:

Saime IsufiMotra e vëllezër!
Të dashur familjarë të dëshmorëve!
Veprimtarë të respektuar të shoqatës „Kadri Zeka"!
Të nderuar të pranishëm!

Së pari ju falënderoj për ftesën e dërguar për pjesëmarrje në tubimin tuaj përkujtimor, kushtuar tre prijësve të mërgatës shqiptare të viteve të 80-ta; tre dëshmorëve të Atdheut: Kadriut, Jusufit e Bardhoshit, rënë para 33 vitesh në mërgim, në krye të detyrës për bashkimin e shqiptarëve në një front të vetëm!

Në pamundësi për pjesëmarrje në tubimin tuaj, shfrytëzoj rastin t'ju përshëndes dhe t'ju uroj mbarëvajtje në kujtim të jetës dhe veprës së dëshmorëve.

Gruan e shihte si një forcë zhvillimi

Në 33 vjtorin e rënies së Kadriut, Jusufit e Bardhoshit, kam nderin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm të shfaq përpara jush disa kujtime për ta, pasi pata fatin e madh të bashkëpunoja me Kadriun; t'i njihja e t'i çmoja Jusufin e Bardhin. Shumë është shkruar dhe është folur për këta tre dëshmorë dhe fjalët për ta vazhdojnë të rrjedhin siç rrjedh vetë jeta, sepse ata i dhanë jetë jetës sonë në lirinë që po jetojmë.

Kadriun e njoha, apo thënë më mirë, Kadriu na njohu ne, një grup të rinjsh, që vepronim në qytetin e Gjilanit. Ishim të rinj dhe pa përvojë organizative. Ai na mblodhi e na organizaoi në grupin ilegal. Me të do të vepronim në një celulë, deri në vitin 1978, kur ai i ndjekur nga UDB-a u detyrua të largohej, jo për të shpëtuar vetën, por për të punuar edhe më shumë larg atdheut, në gjirin e mërgimtarëve. Organizimi dhe udhëheqja e demonstratave në Evropë, gjatë vitit '81, në krye të të cilave qenë Kadriu, Jusufi e Bardhoshi, është e njohur, tanimë, për të gjithë.

Gjatë veprimtarisë sonë të përbashkët në një celulë, tek Kadriu njoha cilësitë e një njeriu të përgatitur, të devotshëm, të përkushtuar e të përbetuar ndaj çështjes së Atdheut. Ai shquhej si organizator i mërgimtarëve, si gazetar e publicist i gazetës "Liria". Kadriu shquhej edhe për një kulturë të gjerë vlerash emancipimi e civilizimi.

Ishte njeri me pikëpamje përparimtare e civilizuese edhe rreth emancipimit dhe barazisë së gruas. Gruan e shihte si një forcë, pa kontributin e së cilës, shoqëria nuk do të kishte përparim. Ky qëndrim i tij rreth gruas, bashkë me idealin e lirisë së atdheut, çoi edhe tek lidhja jonë, e cila qe jetëshkurtër, por që për mua Kadriu mbeti një shok dhe burrë shembullor.

Duke kujtuar Kadriun dhe veprimtarinë e tij si në Atdhe ashtu edhe në mërgim, kujtoj edhe bashkëveprimtarët e tij të pandashëm në mërgim: vëllezërit Gërvalla. Për Jusufin, Kadriu më kishte folur me një respekt të veçantë, si një shok, si një bashkëveprimtar, pavarësisht se ai i takonte një organizate tjetër ilegale.

Jusufin dhe Bardhin pata fatin t'i njihja në shtëpinë e tyre. Që në takimin e parë, Jusufi të linte përshtypjen e një njeriu me kulturë, që dinte të respektonte dhe që ishte i interesuar shumë të pyeste rreth demonstratave të vitit '81.

Çmonte pjesëmarrësit e këtyre demonstratave; jashtë mase i vlerësonte veprimtarët e organizuar. Ndaj Kadriut kishte një respekt tepër të veçantë. E veçantë ishte edhe lidhja e tyre! Kjo lidhje ishte forcuar gjatë punës rreth organizimit të demonstratave të vitit '81 me mërgimtarët.

Ishte ideali dhe përkushtimi i tyre ndaj çështjes së Atdheut më i fortë se sa përpjekjet e disa matrapazëve dhe patriotëve të rremë, që gjatë kohës së bashkëveprimit dhe pas rënies së tyre u përpoqën t'i përçajnë e ndajnë, por që s'arritën dot. Emrat e tyre janë lidhur dhe qëndrojnë në një fjalë të vetme të pashkëputur: JUSUFKADRIBARDHOSH!

Për fund s'mund të lë pa përmendur se Jusufi e Bardhi ishin dasmorët tanë të veçantë më 2 janar 1982. Fill pas dy javësh që të tre do të binin në krye të detyrës, pas aktit të bashkimit të organizatave. Përveçse me bojë ata do të nënshkruanin me gjak marrëveshjen e bashkimit, më 17 janar 1982.

LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË KADRIUT, JUSUFIT E BARDHOSHIT!
LAVDI TË GJITHË TË RËNËVE PËR LIRI!

Me respekt,
Saime Isufi, bashkëveprimtare dhe ish-bashkëshorte e Kadri Zekës

Kosova nuk bëri kurrgjë për vrasjen e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka

Fazli Hajdaraj - vëllai i Smajl Hajdaraj, komandant dhe deputetFazli Hajdaraj, vëllai i Komandatit të Rugovës dhe deputetit të Parlamentit të Kosovës, i vrarë në mbremjen e 17 janarit 2002, plot 20 vjet pas vrasjes të Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, përshëdeti në emër të Familjeve të Dëshmorëve:

U vranë nga grupet kriminale

"Ju përshëndes në emër të gjithë Familjarëve, djemtë e të cilëve u vranë nga grupet kriminale, që, në fakt, sot janë të gjithë dëshmorë të Kosovës. Ju përshëndes për pjesëmarrjen tuaj në këtë Akademi kushtuar Vëllezërve Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri, Vehbi Ibrahimi e Musa Hoti, të cilën po e bëni kaq madhështore

Unë fjalimin tim po e nisi pak më ndryshe, i ngacmuar nga deklarimet e zotërinjve Pajaziti dhe Tafallari, që bënë apel për t'u bashkuar dhe për t'i lënë ndasitë dhe inatët politike. Kjo në fakt ma përkujtoj të kaluarën, kur pas përmbysjes të komunizmit në Shqipëri, Partia Socialiste, me emisarët e vetë, kërkonin për një - Pajtim Gjithëkombëtar.

Ne kishim një rast për t'u bashkuar, por nuk e bëmë. Përkundrazi, disa e thelluan ndarjen, përçarjen, madje qëllimshëm, me vetëdije të plotë. Tani, edhe unë do t'i bashkohesha këtij apeli, kësaj thirrjeje, por Kosova i ka edhe do procese, që duhet me i krye. Dhe, kur t'i kryejmë këto, atëherë do të bashkohemi!

Edhe ky janar, si gjithë të tjerët, neve, po na sjell dhembje dhe lot, por krenar, padyshim. Sepse të gjithë këta burra u vranë për kauzën kombëtare, e që qarqeve shoveniste greko-serbe, bashkë me kriminelët shqipfolës u pengonin, për çështje krejt egoiste dhe pushtetare. Prandaj edhe e përgjakën Kosovën. Kur sot i kujtojmë këta burra, të cilët ranë në altarin e lirisë, familja duhet të jetë krenare, krenarë duhet të jemi të gjithë.

Në janar, përveç vrasjes të Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, Enver Hadri,Vehbi Ibrahimi, Musa Hoti kishte edhe vdekje të natyrëshme. Ne janar vdiq Presidenti Historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, që në asnjë rast nuk e përmendi kush, përveç zotëri Idriz Zeqiraj.

Kishim një shpresë në hetuesinë dhe organet e ndjekjes

Pati edhe vrasje të figurave të shquar si: Tahir Zemaj, Komandant i Zonës së Dukagjinit, Smajl Hajdaraj, Komandant i Shtabit Rajonal të Rugovës si dhe deputet në Parlamentin e Kosovës. Gjatë këtyre 13 viteve kam qenë tepër modest dhe asnjëhere, në fjalimet që kam bërë nëpër këto data përkujtimore, nuk e kam përmendur vëllain tim Smajlin. Këtë e dinë ata që më njohin dhe më kanë përcjellur.

Kësaj radhe do ta përmendi, meqë po kujtojmë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka. Avdyl Gërvalla, miku im, kur u vra Smajli tha:"Smajl Hajdaraj mund të vritej një javë, dy, para apo pas 17 janarit. Por, u vra, pikërisht, në të njëjtën datë dhe gati në të njëjtën orë, kur u vranë Vëllezërit Gërvalla. Prandaj, duhet të këtë qenë njeri i madh".

Këto dy vrasje kanë një lidhshmëri edhe me vrasjet tjera që kanë ndodhur gjatë gjithë historisë.Tani, Familjarët e të gjitha vrasjeve politike, që u bënë pas luftës, pyesin: "Çka bënë pushtetarët e të gjitha Qeverive, për t'i zbuluar kriminelët dhe vrasësit"? Ne themi, asgjë, duke mos e liruar nga përgjegjësia asnjë subjekt politik, që qeverisi me Kosovën.Përkundrazi, i sabotuan dhe i penguan hetimet.

Kishim një shpresë në hetusinë dhe organet e ndjekjes, por nuk bënë asgjë. Kosova si shtet nuk bëri kurrgjë për vrasjen e Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka. Kosova, pas pavarësisë, e kishte mundësinë të kërkonte nga Gjermania për zbulimin e vrasësve. Vrasja dihet se u bë nga UDB-a jugosllave, por kjo nuk do të ndodhte kurrë pa bashkëpunim të njerzëve shqipfolës.

Për vrasjen e Gërvallajve dhe Kadri Zekës është folur dhe shkruar për aktorët e mundshëm, me emër e mbiemër, brenda shqiptarëve. Prandaj, Prokuroria e Kosovës do duhej t'i hetonte këta njerëz. Dështimi total i organeve të Drejtësisë në Kosovë, detyroj Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare për ta themeluar Gjykatën Speciale për Kosovën.

Megjithatë, duke parë dështimin e UNMIK-ut, të Tribunalit të Hagës dhe të EULEX-it, për zbulimin e ndëshkimin e kriminelëve, Familjarët e dëshmorëve janë skeptikë, mosbesues edhe për Gjykatën Speciale të radhës. Megjithatë, lë të shpresojmë se një ditë krimi dhe kriminelët do ta marrin dënimin meritor, për t'i lehtësuar dhe qetësuar, sadopak, shpirtërat e trazuar të Familjeve të Dëshmorëve. Thonë se - shpresa vdes e fundit! Andaj, sërishmi lë të shpresojmë!

Lavdi të gjithë dëshmorëve! Zoti i bekofte!
Uroj për mirëkuptim dhe ju falemnderit për dëgjim!

Atje ku ka varre si tuajat, atje ka jetë dhe ngjallje

Maxhun Smajli - gazetar, publicist, reporter i luftës, përshkroi figurën e Jusuf Gërvallës si njeri, intelektual, krijues dhe martir:

Së pari, më lejoni t'ju thëm se nuk do të flas gjatë për madhështinë e këtyre tre dëshmorëve, veçmas, për Jusufin si intelektual, poet e shkrimtar. Çdo shqiptar e di këtë gjë. Mirëpo, për të shpjeguar Jusufin dhe veprën e tij ka një çelës, të cilin duhet kërkuar tek vuajtjet e popullit shqiptar, nga i cili rrodhi dhe nga rrethi ose ambienti ku studjoi, punoi e jetoi.

Për një kohë të gjatë kam qenë i angazhuar me veprat e Jusufit, të cilat i kam dhuratë nga bija e Tij, si motra ime, Donika, ku gjeta historianin, poetin e shkrimtarin, që na zbulon periudhën e rëndësishme të kohës, në të cilën jetoi autori.

Fryma e këtyre veprave, ndryshon, sadopak, sipas gjendjes shpirtërore të autorit në çastin kur i shkruante, ku para më shfaqej një martir, që vuante si në çdo ferr feje, kur shihte shtypjen dhe padrejtësinë që i bëhej popullit të tij.

Jusufi ishtë pjellë e tri qytetërimeve: Dukagjinit ku ai lindi, Kosovës ku ai arriti famë, Gjermanisë, ku u hyjnizua dhe vdiq. Kjo figurë madhore, ishte mbartës, përçues e përcjellës i një modestie, aq të jashtëzakonshme dhe thellësisht njerëzore e po kaq admiruese.

Tani, dhuratë, kemi Donikën. Ajo me aftësinë dhe zotësinë e saj, me afrinë vëllazërore, na e sjell shpresën, për një të ardhme të mirë të Kosovës, na sjell Jusufin tonë, për veprat e të cilit kemi nevojë.

Dhe, për fund, u drejtohem martirëve të kombit: - Prehuni o shpirtëra të martirizuar! Lufta e juaj nuk ka qenë e kotë. Se atje ku ka varre si tuajat, atje ka jetë dhe ngjallje.

Organizimi i krijuesëve mërgimtarë në një Shoqatë, i ka dhënë shtysë jetës kulturore dhe artistike në Mërgatë. Shoqata e prirë nga kryetari Hasan Qyqalla e Pal Sokoli me shokë, tashmë, është bërë pjesë e çdo aktiviteti të mërgimtarëve. Përfaqësuesit e klubeve dhe të shoqatave duhet të bashkëpunojnë me Shoqatën simpatike të krijuesëve, sepse ata janë intelektualë dhe kanë përgaditje të lartë shkollore e profesionale.

Organizatorët, duke pasur parasysh artistin e kompletuar Jusuf Gërvalla, kishin ftuar Shoqatën e Krijuesëve dhe Artistëve të Mërgatës, për ta begatuar programin e kësaj Akademie me krijimet e tyre poetike, kryesisht, kushtuar këtyre heronjve. Kjo Shoqatë, nën përkujdesjen e drejtuesëve të saj, Hasan Qyqalla e Neki Lulaj, ka botuar librin me poezi "Trinomi i lirisë".

Me krijimet e tyre frymëzuese, zhdaravitën zinë mortore të kësaj Akademie, duke freskuar mendjet dhe shpirtërat e të pranishmëve. Dhe, gjithënjë të bëhej se vargjet po i shoqëronin Jusuf e Bardhosh Gërvalla, me kitaret e tyre, në një foto të zmadhuar në ekranin ballor. Poetë dhe poete si: Miradije Gashi, Neki Lulaj, Mentor Thaçi, Seveme Fetiqi, Fran Tanushi, Gonxhe Letmi - Begisholli, Sylë Bajrami, Lirie Osmani - Asllani .... recituan dhe lexuan vargjet e tyre. Pjesëmarrja e femrave krijuese, më ktheu në kujtimet e viteve '60-a, kur si gjimnazist, Jusuf Gërvalla perifrazonte mendjendriturin e Frashëllinjve, Samiun se "pa emancipimin e burrit, nuk ka emancipim të gruas". Dhe, kësaj mbremjeje burrat e emancipuar, krenoheshin me nuset e tyre poetesha.

 

Gonxhe Letmi - Begisholli

IKJE PAKUFi

Ika unë, ike edhe ti
ata ende dëshirojnë të ikin
rradha prek në rrënjë
Mollën e kuqe.....

Trolli rrënqethet
pa njohje motesh
pa barometër....
hapat ku do të ndalen
në "ëndrrën e bardhë"!

Shtegtim mes vijave të kuqe
me valën e lumit prej "fatit"
drithërimë këmbësh
mbi dhembjen(që rëndon)
vuajtja mbi samar
shpirti peshon
sytë s'kanë më as lot

Atdheu përpëlitet
me "gripine ri"
drejt europës...!?

Fëmijët i humbën lodrat
Abetaren lënë në klasë
shkronjat shkruajnë nëpër duar
Kosovë e dashur, të duam!

Shpirtërat prehen me lot
buzëqeshje e dhimbshme
si prarimi i Diellit
apo zbehja e yjeve në ikje
ikje në pakufi....!

Fati i popullit tim
gjithmonë mbetet jetim
ikje në pakthim....!

 

Neki Lulaj

HËNË E LODHUR

Kmesë terri mbi brirët e mjegullës së hapur
Pabesia pi ujin në gurrën e lotëve
Hëna e stërlodhur rrezaton zbehtë shpatën e cokatur
Mbi tehun e jetës gjurmët e gjakut pellgun spërkatën
Kush po i kositë sot vallë këto flatra shpirt
E Shpata e turpit e këputë jataganin në dysh
E ëndrrat e lodhura nëpër mote kohën e zhagitën
Mbi kuaj të pa shaluar me bajrak do ta arrijmë
Bashkë tek caku ku u dha betimi
Lulkuqet çelin në janar edhe mbi karter vullkani
Ujitën me ujin e bekuar qe me sheka e bartëm tatëpjetave kalistrok
Nëpër të çarat e jetës plotë zgala një litar me nyje malli
Këmishën e shkyer kalldremave të kohës e furtunave të egra
Do ta qepim gjithësesi bashkë o sot o në mot....!

 

Miradije Gashi

TRE YJE, TRE YLBERË

(Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit)

Derisa ngjitemi sipër resh
Si shqipet krahëshkruar,
Tre Yje, midis yjesh
Përherë i gjejmë të zgjuar.

Për Atdhe rrinë pa gjumë
Natën, ditën digjen flakë,
Tre Yje midis yjesh shumë
Bijtë e Nënëlokes plakë.

Këta të pashuar cilët janë,
Cilët qenë trimat me fletë,
Në shi e borë e tramundanë
që bien e ngrihen kaq lehtë?

Të Tre YJE, prush të përndezur
Të tre YLBERË për krahosh,
Në ballë të Mëmëdheut vallehedhur:
JUSUF, KADRI E BARDHOSH.

E shkon e vjen i bardhë janari
E vjen e shkon janari i zi,
Tre ylberë e yje ka shqiptari,
Tri emblema në kurorën Liri.

 

Mentor Thaçi

Ditari Poetik

Tha Bardhi i Bardhit të Gërvallë Dukagjinit -

dje, n´themelet e Kullës në Dubovikun e Kanjushave të verdha
gjeta t´fshehur, t´ruajtur ... një fletore ... shkollore

letra të vjetra, e verdhë tashmë nëpër mote
me kopertina epoke

edhe shkrimi ishte zverdhur
nga koha e blozës, mbi të derdhur

një vjershërim kryengritës, një zgjim ... këndim ... nxitës,
aty diku ... kështu ... Unë, Bardhi i Bardhit të Din Dukagjinit
të falem o Dardani ...

ke Përroni i Gërvallëve, peng lash lojen time
që të burrërohem pak më heret ... o Nënë,
ajo loja tjetër e hardallëve ... me ngile pas shpine
nga të mjerët ... më bëri të nemë

do ti shes gështënjat që mblodha në Belle e kah Çelia,
do të blejë një Gitarë ... ma paratë e mia
dhe, me Jusufin, bashk, do këndojm këngën që kemë dashtë

tevona, nga puna e mërgimit, kur të vjen baca Hysen,
neve, burra do të na gjenë ... o Nënë ...

ah ... shmova ... rënkova ... përanash Ditarin ... ia lashë motit,
dhe fshina sytë ... me mëngën e mitanit të grisur ... të qullur prej lotit

paj, Bardhët janë aty ... Bardhi i Bardhit të Bardhit të Bardhëve
të Gërvallëve të mi, Lisa me Plisa në Përjetësi, o Arbëri

 

Fran Tanushi

KU BJEN UDHA PËR NË LIRI

në thellësinë e një nate të errët
ia prenë udhën
kur gjymtyrët i ishin të çalë

i mbyllën rrugën
për të hapur shtigje
shtati i mbushur me plagë

në dendësinë e territ të natës
kërkonte (dhe) yjet për ti pyetur
ku i bjen udha për në liri

agu (i vonuar) i ditës se re
natën e gjatë e treti
rruga shëndrite nga dielli.

Grupi artistik "Scanderbeg" nga Freiburg-u

Grupi artistik i Shoqatës "Scanderbeg", nën drejtimin e kryetarit Skënderbeg Klaiçi, përformoi para të pranishmëve valle nga trojet shqiptare. U pëlqye shumë "Vallja e çobanit", e luajtur nga djem e vajza, shoqëruar me këndim të melosit jugor të Shqipërisë.

Me këngët kushtuar heronjve, këngëtari i njohur Bujar Osaj, me shoqërimin e instrumentistëve - Vëllezërit Gjocaj, mbyllën pjesën e dytë dhe krejt programin e kësaj Akademie Përkujtimore, kushtuar dëshmorëve të Mërgatës shqiptare.

Gazetari, mjeshtri i kamerës dhe veprimtari i kudondodhur i Mërgatët tonë, Halil Rrustemaj, fiksoi dhe regjistroi të gjithë Akademinë, duke intervistuar, për televizionin publik - RTK-në, edhe disa nga pjesëmarrësit, shokë të heronjve dhe organizatorët e kësaj Akademie dinjitoze.

 



Komente   

 
0 #1 Abaz Imeri HeilbronnAbaz 2017-12-15 23:11
Ishte nje nder organizimet me te mira qe ju kushtohet triomit
pa dyshim se keta tre jan trinomi qe shenojn iden e bashkimit politik te forcave te organizuara, unifikimin e faktorit politik ku do qe ai vepronte mbrenda dhe jashte vendit . I nderuari z. Xhafer Leci ju pergezoi per kete Akademi perkujtimore !
Quote
 

Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm