Menu

Dokument: Kur ushtarët e FARK'ut të Bujar Bukoshit i dorëzonin armët tek serbët dhe ia mbathnin

User Rating:  / 0
PoorBest 

Gazeta “Epoka e re” për herë të parë publikon fakte për numrin dhe llojin e armëve të dorëzuara tek forcat serbe nga oficerët me pagë mujore të Qeverisë Bukoshi në rajonin e Deçanit gjatë luftës çlirimtare në Kosovë.

Miratimi në lexim të parë i Projektligjit për Veteranët e UÇK-së nga Kuvendi i Kosovës ka ngjallur përsëri debat rreth formacionit ushtarak të formuar nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Kosovës në ekzil pas dështimit për ta futur nën kontroll UÇK-në. Në këtë projektligj nuk figuron askund asnjë formacion tjetër ushtarak, por tashmë dihet se po sipas këtij ligji asnjë ushtar që ka luftuar nën emblemën e UÇK-së nuk do të mbetet i anashkaluar.

Për ta argumentuar domosdonë e përfshirjes së formacionit ushtarak të formuar nga Qeveria Bukoshi në Ligjin për Veteranët e UÇK-së, LDK-ja vazhdon të thirret në Marrëveshjen e Oslos, e cila, sipas saj, ishte bërë për ta vënë UÇK-në nën kontroll. Por, ekzistenca e një marrëveshjeje të tillë, e arritur me Ahmet Krasniqin, është hedhur kategorikisht poshtë nga përfaqësuesit e UÇK-së. “Mbledhja e Oslos ekziston. Mbledhja e Oslos është mbajtur me qëllim për ta ndihmuar UÇK-në dhe Qeveria e Bukoshit me dhanë pare dhe bashkërisht me u ndihmu kryengritja e cila është zhvilluar në Kosovë nën udhëheqjen e UÇK-së”, ka deklaruar këto ditë Adem Demaçi, njëri nga përfaqësuesit e UÇK-së, pjesëmarrës në takimin e mbajtur në Oslo. Por çfarë bënë në të vërtetë oficerët e paguar me pagë mujore nga Qeveria e Bujar Bukoshit ?

Në kohën kur ushtarët e UÇK-së po rezistonin në përballje me forcat serbe gjithandej Kosovës, disa ushtarë, nën komandën e disa oficerëve të Qeverisë së Bujar Bukoshi, ua kishin dorëzuar mijëra armë, nga më të ndryshmet, policisë dhe ushtrisë serbe në rajonin e Deçanit, konkretisht në Isniç, më pas ishin larguar nga Kosova, duke lënë nën mëshirën e fatit qindra ushtarë të UÇK-së të plagosur.

Për këtë ngjarje të pazakontë që ndodhi gjatë luftës tashmë kanë folur edhe ushtarë e politikanë të ndryshëm. Së fundi ka folur edhe Adem Demaçi. “Kur i dështoi mundësia Bukoshit me shti nën kontroll UÇK-në me anë të parave - unë jap para, ju luftoni dhe unë vij e bëhem çlirimtar - atëherë u kthyen dhe u kapën me Tahir Zemajn, oficerin e KOS-it të Serbisë dhe u munduan të formojnë njëfarë 'Farku' , i cili dihet se si përfundoi. Erdhën me luftu e ikën duke i lënë 600 e kusur të plagosur në fushëbetejë dhe i lanë me mijëra armë nëpër fusha”, pati deklaruar para disa ditësh Demaçi.

Lënia e këtyre armëve nëpër fusha si dhe dorëzimi masiv i tyre tek forcat serbe, ky është fokusi i dosjes së siguruar, i mbështetur mbi argumentin e procesverbaleve dhe listave të këtyre armëve të dorëzuara. “Sot 29.09.1998 është kryer pranimdorëzimi i këtyre armëve, municionit dhe lëndëve të tjera shpërthyese, të gjetura nga ana e punëtorëve të SPB-së dhe të dorëzuara nga ana e qytetarëve të fshatrave me përkatësi shqiptare të cilët jetojnë në Komunën e Deçanit”, shkruan në një dosje të dokumenteve të Sigurimit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, Njësia e Punëve të Brendshme në Deçan. 

Kjo dosje përmban numrin e armëve dhe numrin serik të tyre të dorëzuara nga oficerët me pagë mujore të Qeverisë Bukoshi. Sipas kësaj dosje, janë hedhur dhe dorëzuar këto armë: pushkë automatike të prodhimit kinez, kalibri 7.62 mm, me numrin vijues, gjithsejtë 735 (mbyllet me numrin rendor 735) (armët nga faqja 2, 3, 4, 5), 222 copë pushkë automatike kineze me karikatorë, kalibri (i palexueshëm qartë), 419 pushkë gjysmautomatike të prodhimit kinez të kalibrit 7.62 mm, 23 copë pushkë të ndryshme (“M-48”, “Leninka”, “Taljanka”, “Karabina” të kalibrit 7.9 mm dhe të tjera, 7 automatikë rus “Ahpagini”, 82 pushkomitraloza të kalibrit 7.62X39, 70 pushkomitraloza të kalibrit 7.62X 54, pushkomitraloza “Broving” 35 copë, 53 mortaja dore të prodhimit kinez, 6 topa pa dridhje, një minahedhës i kalibrit 82 mm, 7 copa minahedhës të kalibrit 60 mm, granata për topin pa dridhje 62 copa, (jo i lexueshëm lloji i armatimit) 1 050 copa, 7 granata për minahedhës 60 mm dhe 82 mm, 196 granata për mortaja dore, 5 mina kundërtanke, eksploziv tritol 4 kg, 225 054 copë fishekë të kalibrit 7.62x39 dhe 7.32x54 dhe 392 karikatorë pushkësh automatike. Kjo është vetëm një pjesë e të bëmave të oficerëve të paguar nga Qeveria Bukoshi, që e dëmtuan seriozisht luftën çlirimtare në Kosovë.



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm