Menu

Shqiptarët në Treviso, mbajnë tubim paqësor, solidarizues me shtetin nikoqir

User Rating:  / 0
PoorBest 

Në Treviso të Italisë me datën 09 Prill, është realizuar një Tubim paqësor. Arësyeja: para një jave janë arrestuar katër shtetas tonë të dyshuar për veprimtari terroriste.

"Të nderuar bashkatdhetar,
të nderuar vëllezër e motra,
të nderuar miq, dashamirë të Italisë, përkrahëse e Pavarësisë së Republikës së Kosovës,

sot, jemi mbledhur këtu, që me praninë tonë, në këtë shesh, me këtë marsh paqësor, të rikonfirmojmë kundërshtimin tonë të fuqishëm, kundër çdo akti individual, që mund të bie ndesh me ligjet e shtetit mikpritës, Republikës së Italisë, e cila ndër të parat e njohu pavarësinë e shtetit tonë Kosovës.

Jemi mbledhur këtu, të kundërshtojmë çdo akt individual i cili është kundër vlerave të Italisë, vlera këto që i shohim si tonat, tolerancën, paqen dhe unitetin në ndryshime, vlera këto të Bashkimit Evropian, synim dhe aspiratë e Republikës së Kosovës.

Jemi duke ndërtuar shtetin e Kosovës ku garantohet e drejta e besimit, përkatësisë etnike, përkatësia politike, gjinia, prejardhja dhe të drejtat tjera universale, pa asnjë dallim.

Të drejtat e njeriut, minoriteteve dhe bashkësive fetare janë shembull për këtë pjesë të Evropës. Për këtë ne jemi krenar.

Në rrugën tonë kemi shumë sfida. Sfidat janë të lidhura me përkushtimin tonë për realizimin e procesit integrues euro-atlantik, që pa asnjë rezervë gjendemi në anën e vlerave perëndimore, në anën e vlerave evropiane që populli ynë u nda për shumë shekuj padrejtësisht.

Ju e dini se kemi qenë, dhe përherë jemi pjesë e Europës dhe kulturës europiane. Besoj se jeni në dijeni se kryeministri i parë italian ishte një arbëresh, Francesco Crispi, shok dhe mbështetës i Giuseppe Mazzini dhe Giuseppe Garibaldi.

Ata që e njohin Venedikun, besoj të kanë hasur në disa toponime, për shembull;

"Calo dei albanesi", ose "Campello di albanesi".

Njihej prej të gjithë venecianëve "Scuola dei albanesi". Familja e lavdishme Albanezi dha piktor, arkitekt, dijetar për treqind vjet me radhë.

Anija kryeministrore e Dozhëve venedikas, Buçintoron, bashk me barkën më të madhe e më të famshme të të gjithë Mesdheut, në kiç mbannin me krenari imazhin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit.

Nëse e heqë modestinë, mund të përmendi se ne, iliro-arbëro-shqiptarët, në selinë apostolike të Romës kishim dhjetë papë. I fundit ishte Papa Klimenti i XI.

Vëllezërit Giovanni e Paolo Gazulli, poeti Michele Marulli, kronisti Marin Barleti, filozofi Leonik Tomeu, piktori Vitore Karpaçio, dhe shumë të tjerë, të cilët shkëlqyen me talentin dhe me veprat e tyre, lanë gjurmë në Venedik, vendin emigrues duke u njohur në të gjithë botën.

Me këtë marsh paqësor, duam të rikonfirmojmë se vlerat tona të përbashkëta janë të pacenueshme, miqësia jonë është e paprekshme dhe mikpritja nga Republika e Italisë për shtetasit tanë është shembullore. Ju falënderojmë për këtë. Kështu, besojmë fuqishëm se do të mbetet.

Asnjë akt individual, kundër vlerave të Republikës së Italisë nga bashkatdhetarët tanë, nik mund të dëmtojë këto marrëdhënie tona.

Ky marsh është edhe keqardhje për çdo akt jotolerance, keqkuptimi apo paragjykimi në mesin tonë, jo vetëm për shtetin mikpritës por edhe për vendin tonë nga vijmë.

Shën Tereza thoshte: "jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe".

Ne, me këtë marsh paqësor, duam të bëjmë një gjë të vogël, akt që kundërshton çdo tendencë që prish imazhin e vlerave të shtetit tonë, Republikës së Kosovës, të njohur e të dëshmuar për tolerancë fetare, si një nga vlerat fundamentale të popullit tonë. Ju faleminderit."

Pjesë nga fjalimi i Kryetares së Shoqatës Iliria ne Treviso znj. Ermira Zhuri.

Xhevat Muqaku

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm