Menu

Intelektualët e Shqipërisë kërkojnë që Albin Kurti të votohet për kryeministër

User Rating:  / 0
PoorBest 

Albin Kurti - Gjatë fushatës zgjedhore në Gjakovë

Disa intelektualë, pedagogë, artistë, studentë dhe sipërmarrës, përmes një shkrimi publik, sot kanë kërkuar nga qytetarët e Kosovës që më 11 qershor ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për kryeministër.

Sipas tyre, vetëm Lëvizja Vetëvendosje në qeveri, do t'i mbyllej rruga njëherë e përgjithmonë krijimit të zajednicës dhe demarkacionit të dëmshëm të kufirit me Malin e Zi.

Komunikata e plotë e intelektualëve shqiptarë:

Thirrje drejtuar qytetarëve të Kosovës

Ne, qytetarë të Republikës së Shqipërisë, intelektualë, pedagogë, artistë, studentë, u shprehim sot qytetarëve të Republikës së Kosovës mbështetjen tonë për forcimin e shtetësisë dhe për zhvillimin e vendit. Qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të drejtë, të pakorruptuar, kombëtare, që do t'u kthejë atyre dinjitetin dhe shpresën për të ardhmen, një qeverisje e cila do të drejtojë punën e përbashkët për ta kthyer Kosovën në një shtet të mundësive të barabarta për të gjithë. Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit kanë marrë përmasë historike sepse përcaktojnë një sërë çështjesh themelore të lidhura me ardhmërinë e Kosovës. Ndaj, më së pari ftojmë në një pjesëmarrje masive qytetarët dhe mërgatën në votime.

Me ndërgjegje konstatojmë se qeverisja e kaluar jo vetëm që nuk ka realizuar premtimet e shpallura në fillim të mandatit, por i ka dëmtuar jashtë mase interesat jetike të Kosovës. Përpjekja për zbatimin e dy marrëveshjeve, "Zajednicës" dhe demarkacionit të kufirit të përbashkët me Malin e Zi ishte dobësim i drejtpërdrejt i përgjegjësisë dhe subjektivitetit të shtetit të Kosovës. Tashmë nuk ka asnjë dyshim se zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të cenonte integritetin territorial, barazinë e shtetasve të Kosovës para ligjit, mirëkuptimin mes shqiptarëve dhe pakicave etnike, si dhe afrimin e Kosovës me Shqipërinë. Me mobilizimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të opozitës, fatmirësisht zbatimi i tyre nuk u realizua.

Me shqetësim po vëmë re se në paraqitjen e programeve elektorale dhe në fjalimet elektorale, dy partitë e koalicionit të kaluar nuk kanë reflektuar dhe nuk zotohen për anulimin e firmosjes së marrëveshjeve, për të cilat ato vetë mbajnë përgjegjësi. Ekziston gjithnjë rreziku që në legjislacionin e ardhshëm këto marrëveshje të rikthehen të pandryshuara për miratim në Kuvend. Një situatë e tillë do të ishte një vonesë dhe një regres i shtet-ndërtimit në Kosovë. Vërejmë se vetëm Lëvizja Vetëvendosje! ka mbajtur një qëndrim të qartë kundërshtues lidhur me to dhe ka parashikuar në programin elektoral masat që do të ndërmarrë lidhur me to qeverisja e kryesuar prej Albin Kurtit.

Ne jemi të mendimit se është e domosdoshme që t'i mbyllet rruga njëherë e përgjithmonë "Zajednicës". Jemi të mendimit se marrëveshja e demarkacionit kufitar me Malin e Zi duhet rinegociuar nga një ekip i ri i ekspertëve në transparencë të plotë publike. Vendimet e gabuara mbi këto çështje do t'u kushtonin shumë brezave të ardhshëm të Kosovës.

Prandaj, ne ju ftojmë që në zgjedhjet e 11 qershorit të votoni për Lëvizjen Vetëvendosje! dhe Albin Kurtin për kryeministër të Kosovës, si garancia më e mirë për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të republikës.

Ne kemi dëshirën për të parë një Kosovë të zhvilluar e të begatuar, ashtu siç e kanë ëndërruar të gjithë ata që ndër breza shqiptarësh janë flijuar për lirinë dhe demokracinë. Me zemër e mendje jemi me ju!

Tiranë 05.06.2017

Lista e nënshkruesve:

  • Moikom Zeqo – Shkrimtar
  • Doan Dani – historian
  • Brizida Gjikondi – avokate
  • Enis Sulstarova – pedagog
  • Hysamedin Feraj – Profesor i filozofisë
  • Aleksandër Kocani – profesor i filozofisë
  • Sofokli Meksi- pedagog, studiues
  • Krenar Zejno – Shkrimtar
  • Bashkim Rodoni – Regjisor
  • Blendi Kajsiu – pedagog
  • Ergys Mertiri – sociolog, gazetar
  • Klejdi Këlliçi – pedagog
  • Endrit Reka – shoqëri civile
  • Blendi Çeka – pedagog
  • Orgest Azizi – pedagog
  • Hasan Bello – historian
  • Hati Çokalli – inxhiniere
  • Alma Pulaj – pedagoge
  • Klisi Murati – student
  • Suela Demiri – punonjëse sociale
  • Xhenis Gjini – studente
  • Liridona Hoxha – studente
  • Alma Shyti – sipermarrëse
  • Myzejen Lulo – punonjëse sociale
  • Pavjo Gjini – studiues
  • Kleida Abbas – profesore
  • Evi Veliu – studente
  • Genc Shehu – psikolog klinik
  • Alida Karakushi – shoqëri civile

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm