Menu

Premiera e filmit "Shpirtrat e Humbur" në Nju Jork, një sukses i regjisorit Xhustin Kristian

User Rating:  / 0
PoorBest 

Xhustin Kristian ishte një nga yjet që shkëlqeu në tapetin e kuq të festivalit Java e Filmit Shqiptar në Nju Jork, për filmin e tij "Lost Souls". Filmi "Shpirtra të humbur" pati interes të madh nga publiku dhe u shfaq te Producers Club Theaters në Maj 2017 në Nju Jork, ku regjisori ishte i pranishëm gjatë debatit Q&A.

Xhustin Kristian ka filluar karrierën e tij artistike në Tiranë, Shqipëri ku është rritur dhe ka studiuar për “Drejtësi”. Mbasi diplomohet vendos ti përkushtohet pasionit duke ndjekur edhe trajnimet e para profesionale për “Aktrim” dhe “Teatër Fizik”.

Daljet në skenat profesioniste datojnë në vitin 2012. Nga ai moment deri sot numëron disa role në skenat e Shqipërisë. I njohur për rolet kryesore: Franci në dramën teatrale “Premtimi” dhe Kalorësi i Zi në komedine satirike “Uraganet e Lirisë”. Gjithashtu në skenat e teatrit është parë si Blerimi në shfaqjen “Kur mungon fjala” dhe Rokisti ne shfaqjen “Çifti i shqyer”, me regji te Gjergj Menës. Prej vitit 2015 i dedikohet kinematografisë në aktrim dhe regji duke nisur hapat e para në filma artistikë (regjisori dhe aktori protagonist i filmit të tij të shkurtër “Shpirtra të Humbur” dhe seriale televizive Prifti në “Një dopio histori”. Ai ka qënë gjithashtu asistent regjie në filmat e shkurter “Motër e Vëlla” dhe “Faji është i qiellit”, me regji nga Ajola Daja.  Deri tani ka arritur ta zhvillojë karrierën e tij me sukses.

Momentalisht Xhustin Kristian po punon si as. regjisor për filmin e ri "Emili" me skenar dhe regji të Ajola Dajës. Ndërsa në tetor 2017 do zhvillohet projekti filmik "Balkan's Gate" në zonën e Prespës.

Xhustin Kristian - Photo Erald Deda

Intervistë me regjisorin dhe aktorin Xhustin Kristian

Bisedoi Ermira Babamusta

Na tregoni më shumë rreth vetes. Fillimet në fushën e aktrimit?

Aktrimi ka qënë një pasion i hershëm, i trashëguar ndoshta, e si i tillë kemi lindur sëbashku. Që në fëmijërinë time më ka shoqëruar gjithmonë në cdo aktivitet të mundshëm duke provuar kështu skenën e teatrit te Korçës, qytetit tim te lindjes që në moshën 8 vjecare. Edhe pse fillova studimet universitare në një fushë tjetër ky pasion nuk u shua kurrë, përkudrazi u forcua deri sa një ditë vendosa ti bashkohem rrugës së tij duke u trajnuar nga profesionistë të fushës. Daljen e parë në skenë, në shfaqje profesioniste e kam patur në shtator te vitit 2012, e mandej jam munduar ti qëndroj sa më afër saj. Teatri të fal emocione unike por edhe filmi është magji më vete. Kështu së fundi i jam dedikuar kinematografisë si një fushë që ka shumë nevojë për kontribut në vendin tonë.

Me cilat projekte po mereni tani? Për çfarë bën fjalë?

Projeki më i afërt do jetë “Balkan’s Gate” që do të zhvillohet në tetor të këtij viti në zonën e Prespës. Një platformë që do të bëjë bashkë për dhjetë ditë të rinj të kinematografisë nga vënde të ndryshme të Ballkanit duke u mundësuar realizimin e projekteve të tyre filmike. Eshtë një projekt në bashkëpunim me skenaristen dhe regjisoren Ajola Daja, një nga talentet e ketij brezi, të cilës i takojnë edhe meritat kryesore të kësaj nisme.

Me skenar dhe regji të Ajola Dajës gjithashtu po punojmë për filmin artistik “Emili” në të cilin më është besuar as.regjia. Jemi ende në fazën përgatitore.

Xhustin Kristian në skenë, xhirimi Motër e Vëlla

Si po sjell produksioni diçka të re në këtë histori të filmit?

“Emili” ka zgjedhur të trajtojë një problematikë tepër delikate dhe bashkëkohore për realitetin e shoqerisë shqiptare. E pa trajtuar më parë kjo temë është totalisht një risi për kinematografinë shqiptare. Duke mos dashur të zbuloj më tepër jam i bindur se shikuesi do të gjejë veten në këtë film.

Si është lidhja juaj gjatë punës me regjisorin?

Kam patur përvoja shumë të mira gjatë punës me regjisorët. Bashkëpunimi i aktorit me regjisorin duhet të jetë gjithmonë mirëkuptues, tepër i ngushtë e reciprok. Kështu kanë mundësi të kuptojnë pikëpamjet e njëri-tjetrit dhe të arrijnë rezultatet e kërkuara. Ata duhet të ndajnë mes tyre vizion të njejtë të harmonisë emocionale të karakterit-personazh, kjo përbën dhe vështirësinë thelbësore. Gjithsecili duhet ta dashurojë atë që bën, të gjitha të tjerat vijnë mbas.

Xhustin Kristian në skenë, xhirimi shpirti i humbur

Çfarë do t’a befasojë publikun për këtë film?

Do të shkëpusja një elemen tepër të veçantë që filmi “Emili” trajton, dualitetin dashuri-urrejtje. Ti shohësh keto dy ndienja të bashkëjetojnë aq natyrshëm mes tyre për mua ka qënë emocionuese, besoj e tillë do jetë edhe për shikuesin.

Cili ka qenë filmi më i bukur ku keni marrë pjesë?

Shpresoj shumë që ai film të vijë. Puna ime ka qënë më tepër e fokusuar në skenë. Do të veçoja dramën “Premtimi” ku kam luajtur një nga rolet kryesore, Francin, për te cilin kam një dashuri të veçantë. Ai është një artist bohem, i destinuar në vetmi, që mbasi zhgënjehet duke eksperimentuar gati cdo argëtim sipërfaqesor të shoqërisë njerëzore kupton që dashuria dhe familja janë pasuria më e madhe.

Në cilat filma keni luajtur rolin kryesor?

Tregu i kinematografisë në Shqipëri është tepër i ngushtë dhe është vështirë për mundësi të tilla, madje qoftë edhe për audicione. Kam zgjedhur të luaj personazhin kryesor, Gabrielin, në filmin tim të parë “Shpirtra të Humbur”, me bindjen ndoshta sepse kam qënë shumë më afër karakterit të tij sesa dikush tjetër.

Çfarë lloje filmash ju pëlqen të jeni pjesë?

Diku në filmin “Hugo” të Martin Scorsese thuhet: “Filmat kanë fuqinë për të kapur ëndrrat”. Sa më ëndrrimtar të jetë një film aq më afër meje është; fantazi, aventurë, sci-fi… Personazheve komplekse dhe sureale të propozuara nga këto kategori nuk mund t’ju them kurrë jo.

Xhustin Kristian në skenë, xhirimi shpirti i humbur

Çfarë roli luan arti në shoqëri?

Ashtu si dhe historia tashmë ka vërtetuar, artin do ta vendosja në shtyllat themelore të edukimit të shoqërisë, përkrah me rëndësinë që i jepet familjes dhe shkollimit. Nga mënyra sesi depërton në brendësi të qënjes sonë merr vlera unike dhe i atribuoen potenciale të jashtëzakonshme. Besoj që arti në vetvete ka një mision shumë më sublim sesa thjesht krijimin e të bukurës dhe argëtueses. Ai duhet të jetë ambasadori i mesazheve humane, të paqes e dashurisë mes njerëzve, në vecanti në kohë krizash specifike të shoqerisë. Për sa kohë ndergjegjësohemi për pushtetin e jashtëzakonshëm të artit mbi masën dhe investojmë pastërtisht te ai, kemi kuptuar kështu celësin për të ndërtuar një shoqëri njerëzore shumë më të mirë nga sa e kemi sot.

Çfarë talente të tjera keni?

Aktrimi kërkon gjithmonë shumë kur bëhet fjalë për aftësitë e tua edhe në fusha të tjera të jetës dhe artit në përgjithësi. Kështu kam dhënë dedikimin tim maksimal për të njohur sa më shumë nga të gjitha. Do të vecoja kërcimin, këngën edhe pikturën.

Këshilla juaj për dike që dëshiron të ndjekë këtë karrierë?

Duhet të jetë i sinqertë me veten.Nëse ai është bindur që kjo është vërtet ajo çka dëshiron të bëjë, ushqimi i shpirtit të tij dhe motiv për jetën, të luftojë për ta arritur pavarësisht pengesave. Sigurisht do kërkojë shumë sakrifica por shpërblimi do të jetë unik.

Çfarë mund të presim nga ju për vitin 2017?

Përpiqem gjithmonë të jap më të mirën, sot më shumë nga dje. Më pëlqen të surprizoj veten, ashtu edhe ju. Jam besimplotë se produktet e këtij viti do jenë të suksesshme.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm