Menu

Vokrri i lirë, rasti në gjyq

User Rating:  / 1
PoorBest 

Foto: Driton Bublaku

Pas 48 orësh sa qëndroi në paraburgim, Fadil Vokrri është liruar të shtunën.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) para disa ditësh kishte shkaktuar një aksident në trafik, duke i goditur dy këmbësore femra, të cilat janë ankuar të jenë lënduar, ndërsa Vokrri nuk ishte ndalur, por kishte ikur nga vendi ku e kishte shkaktuar aksidentin.

Me ndihmën e dëshmitarëve, Policia e Kosovës e kishte identifikuar dhe pastaj të enjten edhe e arrestoi Fadil Vokrrin.

Fillimisht iu kishte përcaktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh, ndërsa të shtunën, ish-futbollisti i famshëm është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku fillimisht është marrë në pyetje nga prokurori publik, Elez Blakaj, e pastaj është lënë i lirë.

Ndërsa, rasti do të shqyrtohet në proces të rregullt gjyqësor. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Vokrri për "Zërin", nëpërmjet telefonit, menjëherë pasi është liruar.

Vokrri mund të dënohet deri me 8 vjet burgim!

Fadil Vokrri u lirua, por me kaq nuk përfundon telenovela e tij. Aksidenti, që udhëheqësi i futbollit tonë e ka shkaktuar në trafik, do të shqyrtohet në proces të rregullt gjyqësor.

"Zëri" mëson se Vokrri është ngarkuar me dy vepra penale: shkaku i rrezikimit të trafikut publik dhe për shkak të ikjes nga vendi ku e ka shkaktuar aksidentin dhe mosdhënies së ndihmës dy femrave të lënduara.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, rrezikimi i trafikut publik është veprim i dënueshëm. Dënimi mund të varet nga pasojat apo dëmet e shkaktuara. Mirëpo, dënimi maksimal mund të shqiptohet deri më 8 vjet burgim.

Vokrri: U besoj organeve të drejtësisë

Pasi u lirua nga paraburgimi, Fadil Vokrri është kontaktuar nga gazeta "Zëri". Ish-futbollisti i famshëm i Prishtinës shprehi keqardhje për aksidentin që e ka shkaktuar në trafik, ndërsa pret verdikt të drejtë nga organet e drejtësisë së Kosovë, meqenëse rasti i tij do të shqyrtohet në proces të rregullt gjyqësor.

"Po është e vërtetë se ka ndodhur një aksident komunikacioni, fatmirësisht pa pasoja të rënda", deklaroi Vokrri për "Zërin". "Organet kompetente janë duke investiguar rastin dhe unë nuk kam arsye të mos u besoj organeve të drejtësisë", theksoi i pari i Futbollit të Kosovës.

Vokrri ka patentë shoferi

Kur mediat lajmëruan rreth aksidentit në trafik që e ka shkaktuar Fadil Vokrri, duke e vozitur veturën, shumëkush ka mbetur i habitur.

Kjo pasi Vokrri më herët nuk është parë nga shumëkush duke ngarë makina, saqë të premten shumëkush pyeste se a ka pasur patentë shoferi kreu i FFK-së. Por, Vokrri ka konfirmuar për "Zërin" se e posedon lejen për të vozitur vetura.

Arrestimi i Vokrrit, lajm në Serbi

Arrestimit të Fadil Vokrrit i kanë kushtuar vëmendje edhe mediat e Serbisë.Ato kanë raportuar rreth arrestimit të ish-futbollistit të famshëm nga Policia e Kosovës shkaku i një aksidenti që e ka shkaktuar me veturë në Prishtinë. Këtë lajm ato e kanë përfunduar me pak tekst rreth karrierës së bujshme të ish-futbollistit nga Llapi./Zëri

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm