Menu

Vargje me temë e përkushtime atdhedashurie

User Rating:  / 0
PoorBest 

Kopertina e librit - Epitaf Lirie - Nga autori Nehat Jahiu

Rreth librit të Nehat Jahiut “EPITAF LIRIE”

Shkruan: Halil Haxhosaj - Halil HaxhosajKrijuesi Nehat Jahiu është i njohur si poet, sepse ka disa përmbledhje të shkruara e të botuara me poezi, por ka shkruar edhe tregime e vepra të tjera. Por, ky shkrimtar më shumë ka shkruar poezi për të rritur dhe për fëmijë, andaj portreti i tij është i njohur si poet. Interesimet poetike të Nehat Jahiut nuk janë vetëm të një vështrimi këndor artistik, por ato gërshetohen, pothuajse, në të gjitha poret e shtrirjes së vargëzimit, andaj janë kolorit i pasur, ashtu siç është edhe poezia e këtij krijuesi.

Edhe vepra me titull, paksa metaforik, i përmbledhjes “Epitaf lirie” e shkruar në fund të shekullit të kaluar, XX, dhe e botuar në vitin e parë të shekullit të XXI, në vitin 2000, shtrihet në imazhin e kohës dhe hapësirës së njohur për njerëzimin tanë, gjegjësisht për shqiptarët, kudo që ata jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në Kosovën Lindore, në Çamëri e Greqi, por edhe në Mal të Zi e më gjërë. Koha e këtij fundshekulli për këtë hapësirë shqiptare ishte e mbushur përplot ngjarje e forma që ishin tragjike, pse jo edhe vdekjeprurëse, në luftë për liri e pavarësi, ose edhe për dalje nga shtypja e egër totalitare e diktaturës komuniste, e cila ishte plot insinuata dhe sjellje të kobshme e mortare. Mu në këto ngjarje me lufta, tragjedi e forma të tjera, poeti Nehat Jahiu, arriti të gjejë gurrën e frymëzimeve poetike dhe ato t’i transmetojë artistikisht në vargëzimet e tij artistike në veprën “Epitaf lirie”. Me të vërtetë, shumë u thurën epitafe në pllakat e varrezave të dëshmorëve, të rënëve, luftëtarëve e të tjerëve shqiptarë për këtë liri, e cila edhe kështu çfarë është, pati tagër të lartë. Këtu, në këto gurra gjaku, në këtë tragjedi, por edhe në ato fitore për ta fituar lirinë, autori poet shkroi epitafin e vet përkushtues me vargëzim dhe la një vulë dhe shenjë të duhur. Andaj, ai bëri një vepër me vargje dhe tema që janë përkushtime të atdhedashurisë, që është tematika artistike dominuese e këtij vargëzimi nga pena e poetit Nehat Jahiu. Ndër të tjera ai vargëzon: “Për gjakun e lirisë dot/ Nuk qahet s’derdhet lot/ S’i duan lotët trimat dëshmorë/Gjaku i lirisë thur kurorë  (“Gjaku i lirisë”).

Për këtë gjak nuk duhet të derdhën lot, sepse ai është bërë kurorë lirie në momentin kur është derdhur dhe ka rënë në tokën e dheun e saj. Kurora e këtillë është e shtrenjtë, por shpaguhet me fitoren e lirisë, andaj për të nuk dhimbset të derdhet gjaku. Edhe pse ndonjëherë ky gjak shndërrohet në ëndërr të vrarë, nusja e dhëndërrit të vrarë për liri shndërrohet në kangjelë kur e përcjell të dashurin të shkojë në luftë për të fituar lirinë. Poezitë e këtij motivi dhe të kësaj natyre nuk janë të fiksuara vetëm në një vend, por ato janë të skalitura në mozaikun e atdhedashurisë në çdo pëllëmbë të atdheut. Andaj nuk është fare e rastësishme kur autori në vargje të këtilla përmend emërtime nga mbarë gjeografia kombëtare. Kjo shtrirje ia shton vlerën këtij synimi poetik dhe kësaj tentative të artistikes së poetit, Nehat Jahiu.

Shtrimi i vargjeve nëpër këto paralele e meridianë poetikë kombëtarë shqiptarë janë mbështjellë kurorë e gjakut të derdhur për liri, mëvetësi, pavarësi dhe qenie kombëtare. Lufta për këtë synim nuk është e re, por ajo daton që në parahistori, apo që në Ilirinë e lashtë, nëpër Dardaninë deri në Arbërinë, Albaninë, Shqipërinë, e Kosovën e sotme. Ky marshim ngarend hovshëm, sepse mbi këtë tokë ka shumë varre që janë përmendore të dëshmisë së historisë sonë të vjetër e deri tek kjo e reja. Rrugët dhe trasimi i këtyre garave për të dalë në shteg, madje për të mbërritur në cakun e dëshiruar ishte i shtrenjtë, ishte i vështirë, ishte plot e përplot pengesa, tragjedi e sakrifica. Por nga trimat e luftëtarët u tejkaluan ato dhe liria erdhi e kuqe, dhe u la me gjak, i cili u skalit edhe në flamurin tonë kombëtar, që sot ka ngjyrën e kuqe të tij e dy koka shqiponjash të zeza siç ishte koha e hapësira e historisë sonë kombëtare. Për të gjitha këto, por edhe për Vlorën, Çiçavicën, Gjakovën, Prekazin, Drenicën, Dukagjinin dhe betejat e njohura të këtyre trojeve shpërfaq gurrat e frymëzimit për vargëzimin dhe artistiken e vet, poeti Nehat Jahiu. Poezia e  këtij vëllimi vjen pa metafora dhe figura të përmbushura që i hasim edhe në sa e sa poezi të tjera. Fjala e tij poetike është e hapët, origjinale, e kuptueshme, e drejtpërdrejtë pa qenë e mbingarkuar dhe e hermetizuar. Poeti i shkruan këto vargje si vrojtues i drejtpërdrejtë i të gjitha katrahurave dhe tragjedive që kanë ndodhur gjatë luftërave çlirimtare kombëtare, e posaçërisht në luftën e fundit çlirimtare të Kosovës, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe të tokave shqiptare në Maqedoni. Kur shkruan për këto, sidomos për luftën e Kosovës, ai flet për halle, jo vetëm të luftëtarëve të UÇK-së, por edhe të popullit, dhe të gjitha këto i flet me gjuhën e poezisë pa pispillosje, por “shkurt e shqip”, pa u fshehur e as po u mbyllur. Kështu ia arrin të poetizojë për atdheun e luftën çlirimtare pa pompozitet të tepruar dhe mbingarkime. Poezia e kësaj natyre është një prurje efikase me nuanca, domethënie dhe vlera të veçante, pse jo, edhe origjinale. Hije të paska gjerdani i dëshmorëve/Trimat ta thurën malin e kurorave/ Ta thurën vashat, vashat trime/Ty, Kosovë, rreze me shumë gëzim (“Liria”) Për të rënët e dëshmorët, për djalin e vrarë në luftë për liri, nëna nuk vajton as nuk qanë, sepse këtë ia ka lënë amanet djali, por për çdo pranverë do ta vizitojë varrin dhe mbi të do të vë kurora lulesh. Madje varrin e tij do t’ia mbulojë edhe me flamur, sepse i mbështjell me të. Ai u vra dhe u përjetësua. Flijimi i dëshmorit, djalit të nënës për liri është i vullnetshëm, andaj: “Mos më qaj nënë me lot në sy/Se jetën e fala për të dashurën liri/Mos më qaj, nënë, mos derdh lot/Gjakun tim e dhashë për këtë tokë” thuhet në këto vargjet e poezisë “Mos më qaj” (Amaneti i një dëshmori).

Ka edhe tema motive e elemente të tjera interesante në poetikën e kësaj vepre. Madje, secili motiv, temë, vështrim, trajtim artistik dhe këndvështrim është paksa specifik, depërtues, trajtues dhe, madje pse jo, në disa momente edhe evidentues. Vrojtimet e këtilla përkojnë me temën, për të cilën shkruan autori, sepse vetëm kështu ia arrin qëllimit që ta sendërtojë synimin e kësaj forme përkushtuese të vargëzimit. Madje, në këtë mënyrë, lindin edhe të ashtuquajturat poezi përkushtuese, të cilat poeti ua kushton disa personave realë, si: dëshmorit të kombit Ismet Jashari, poetit Ymer Elshani, poetit dhe mikut Agim Spahiu, e të tjerëve.  Në përgjithësi, vargjet e kësaj poezie vijnë tek lexuesi më të latuara dhe të drejtpërdrejta se asnjëherë më parë.

Vëllimi poetik “Epitaf lirie” është i pajisur me elemente të bollshme të ndërtimit të poezisë, si në aspektin gjuhësor, me rrjedhshmëri të vargut, me rimën e vargëzimit, me komunikim të lehtë e transparent në shprehjen e mendimit dhe mesazhit të qëndrueshëm, me vlerë të duhur stilistike dhe me prekje të ndjeshme tematike. Kjo poezi me formën e me vargëzimin e saj në përgjithësi me rimë formash të ndryshme, paraqet mëtimin e autorit të saj kah artikulimi i tronditjeve shpirtërore për fenomenet, ndjenjat, përjetimet, por edhe katrahurat e luftës, të cilat e preokupojnë secilin njeri.

Të vargëzuara kështu, ato flasim me gjuhën, që s’thuhet nga secili përjetues, apo nuk rrëfehet në këtë mënyrë, siç e shpreh në vargje poeti, Nehat Jahiu. Rrëfimi i fjalës poetike ka fituar një pjekuri dhe një siguri të dukshme dhe kur të këtillë e lexojmë, para se gjithash, e kuptojmë si një proces evolutiv në shprehjen artistike dhe ngjyrosjen e penës së tij poetike në të kuqen me ngjyrë gjaku.

Kjo formë e paraqitjes artistike e luftës dhe sakrificave për të shfaqur përkushtimin, arritjen, skalitjen dhe ndriçimin e luftës çlirimtare për liri e pavarësi të shqiptarëve të të gjitha trojeve të veta në përgjithësi, por të Kosovës në veçanti, në fundin e shekullit të kaluar, XX, dhe në fillimin e këtij shekulli, është edhe një dëshmi artistike e poezisë së Nehat Jahiut, por edhe e poezisë sonë në përgjithësi.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm