Menu

Një kronikë historike mbi demonstratën në Podujevë më 27 nëntor 1968

User Rating:  / 0
PoorBest 

Kopertina e librit - Demonstrata e vitit 1968 në Podujevë, dasmë e madhe në llap - Nga autori Abdullah Nishefci

Në librin me titull “Demonstrata e vitit 1968 në Podujevë, dasmë e madhe në llap” autori Abdullah Nishefci i ka përmbledhur zhvillimet shoqërore-politike të viteve ‘50 e ‘60 të shekullit XX me theks të veçantë ato të viteve 1968-1969, kur u zhvilluan demonstratat e vitit 1968 dhe shumë procese pas tyre në gjithë Kosovën, pra edhe në trevën e Llapit. 

Libri me të drejtë cilësohet si një kronikë historike, një vepër fotografike për zhvillimet e kohës. Autori ka hedhur dritë mbi atë periudhë, duke u bazuar në dokumentet që i posedon dhe në kujtimet nga veprimtaria e tij në Grupin e Llapit, i cili organizoi demonstratën e vitit 1968 në Podujevë dhe pjesëmarrjen e llapjanëve në demonstratën në Prishtinë.

Libri i kushtohet vetëm një periudhe të shkurtër historike që përmbledh ngjarjet e vrullshme të vitit 1968 që kulmuan me demonstratat e nëntorit në Kosovë dhe konkretisht në Llap, të cilat me të drejtë vlerësohen si zë i fortë kundërshtues i shqiptarëve dhe si pikënisje e prosperitetit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, mirëpo aty gërshetohen edhe shumë ngjarje e personalitete të viteve ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar.

Një pjesë e ngjarjeve të kohës, të cilat trajtohen në librin e Nishefcit, janë dokumentare, ku autori ishte vetë pjesëmarrës i atyre zhvillimeve dhe proceseve, ndërsa një pjesë vijnë si kujtime të tij dhe të bashkëveprimtarëve.

Pra, ky libër, në rend të parë është një kronikë autentike rrëfimi dhe ditari, si dhe një formë personale e meditimit krijues që lidhet me të kaluarën e afërt të Kosovës së fundshekullit XX.   

Autori, duke qenë edhe vet vrojtues-protagonist, njëkohësisht dëshmitar dhe shënues autentik i rrethanave nëpër të cilat u detyrua të kalojë Kosova, bën përpjekje të na i prezantojë me kujdes dhe me përkushtim përpjekjet titanike të popullit shqiptar në Kosovë për liri dhe pavarësi.

Libri, duke u shtrirë kryesisht në vitet ’50 e ’60 të shekullit njëzet, mund të merret edhe si një kronikë e ngjarjeve të përjetuara të autorit, i cili përshkruan dhe spikatë disa aspekte të veprimtarisë ilegale, pjesë e të cilës ishte edhe ai, dënimet dhe burgosjet politike, angazhimin e përkushtuar me detyra specifike, kontributin në luftën çlirimtare etj.

Ky libër shpërfaq një pjesë të lëvizjes ilegale në rrethin e Llapit, pasqyron ndjekjet e vazhdueshme të rinisë sonë nga regjimi, paraqet burgosjet e pareshtura, duke na njohur edhe me shumë protagonistë, me veprimtarë të devotshëm e të përkushtuar të çështjes kombëtare, disa prej të cilëve sot janë dëshmorë të kombit.

Këtë sintezë hapësire dhe kohe autori e realizon përmes një kronike historike, të artikuluar përmes tre kapitujve të rëndësishëm të librit, të cilët janë të ndarë veç e veç por që kanë një të përbashkët e ajo është veprimtaria në ilegalitet si kundërvënie regjimit pushtues jugosllav.

Një nga kapitujt e veçantë është ai që flet për atë se çka i parapriu dhe si u organizua demonstrata e 27 nëntorit 1968 në Podujevë, ku pasqyrohet zanafilla e Grupit të Llapit , që ishte bërthama kryesore e organizimit të demonstratës, në ballë të së cilës ishin gjimnazistët dhe e cila u duk si një dasmë e madhe llapjane. Në këtë kapitull zënë vend edhe vlerësimet që pushteti ia bëri demonstratës, duke e quajtur armiqësore, si dhe ndëshkimet e rënda që pasuan për  organizatorët me nga disa vite burg.

Dëshmi dhe të dhëna të shumta për veprimtarinë ilegale në Llap gjenden edhe në kapitullin me kujtime për frymëzuesit, shokët e grupit dhe kundërshtarët. Këtu autori hedh dritë në veprimtarinë e disa personaliteteve të njohura të trevës së Llapit dhe pasqyron ngjarje të shumta, të cilat plotësojnë hapësirat e historisë dhe ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës sonë historike.

Nuk do ta teproj nëse them se ky libër është një kronikë historike, e cila nuk është plotësisht e liruar nga një shpalim shpirtëror jo vetëm i ngjarjeve, por edhe i prapaskenave dhe skenave të atyre ngjarjeve, nga këndvështrimi i autorit si pjesëmarrës aktiv në to. Nëse aty-këtu autori përshkruan situata që i përjeton shpirtërisht dhe emocionalisht, kjo qasje mendoj se nuk e zbeh fare rëndësinë e librit, përkundrazi e bën më të lexuar dhe më të fortë në drejtim të ruajtjes së kujtesës sonë historike.

Pra që nga fillimi deri në fund në libër haset zëri i vetë autorit si një narracion për lexuesin që e mban me shpjegimet konkrete, si shpjegues i atypëratyshëm dhe si vlerësues i çastit dhe rrjedhës së mëvonshme. Ky zë i autorit në asnjë rast nuk është refuzues për lexuesin, sepse nuk është një zë imponues e as një zë që nga pikëpamja e sotshme dëshiron t’i ndreqë apo t’i retushojë ngjarjet.

Gjithashtu duhet theksuar se me ngjarjet dhe zhvillimet që trajtohen në këtë libër autori nuk mëton të paraqitet si historian, por thjesht ofron të dhëna të bollshme me argumentet që posedon për kohën e vrazhdë që ka kaluar populli shqiptar në Kosovë nën terrorin serb në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar, me theks të veçantë në demonstratat e nëntorit të vitit 1968.

Bazuar në modelin e të shkruarit, si dhe në strukturën rrëfyese, lexuesi ka përpara vetës kronikën origjinale që kujton dhe shënon një përudhë nga kohët e vështira nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar i Kosovës.

Ky libër me dëshmi e kujtime nga ajo kohë mund të konsiderohet një kontribut i rëndësishëm i autorit për pasqyrimin e atyre ngjarjeve tejet të rëndësishme. Mirëpo, ky libër mund të merret edhe si produkt i rrugëtimit jetësor të autorit, i peshës së kohës në të cilën jetoi në atdheun e robëruar, i përjetimeve në robëri, por edhe i pikëpamjeve për zhvillimet historike, politike, kulturore e shoqërore të atdheut sidomos në vitet ’50 e 60’ të shekullit XX, por edhe më vonë. 

Duke lexuar këtë libër në të cilin ka rrëfime e kujtime të ndryshme, fitohet përshtypja se ato, në një mënyrë gati të pandashme, i lidh atdhedashuria dhe gjakimi për liri e pavarësi të Kosovës.

Prandaj, lexuesi, nëpër faqet e librit, e has gjendjen shpirtërore të autorit dhe përjetimet e tij jetësore, por edhe praninë e dy përkufizimeve të përmendura më lart, atdhedashurinë dhe lirinë si gjakim. 

Duke lexuar këtë libër nuk është vështirë të nxirret edhe përfundimi se autori Abdullah Nishefci ishte një zë kundërshtues i një periudhe të rëndë të jetës së tij dhe popullit shqiptar të Kosovës, duke mos e kursyer vetën në asnjë moment, ndonëse është i bindur se ai personalisht u kursye nga të tjerët, madje edhe nga ata kundër të cilëve ishte me tërë qenien.

Gani Bajrami

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm