Menu

Demonstratat antijugosllave të 68-shit që paralajmëruan pavarësinë e Kosovës

User Rating:  / 0
PoorBest 

Kopertina e librit - Demonstrata e vitit 1968 në Podujevë, dasmë e madhe në llap - Nga autori Abdullah Nishefci

Viti 1968 ishte plot kthesa, duke filluar nga intervenimi rus në Çekosllovaki (1968), dalja e Shqipërisë de jure nga Pakti i Varshavës, demonstratat masive kundër pushtetit në Beograd  dhe demonstratat patriotike shqiptare në Kosovë në nëntor 1968, të cilat tërë çështjen e “mollës së ndaluar”  e kthyen në pikën, prej kah ishte nisë rrugëtimi i shkatërrimit të famës së shtetit të “mos inkuadruar” që quhej Jugosllavi.

Demonstratat  patriotike shqiptare të 27 nëntorit  1968 në Kosovë, ndonëse ende nuk janë studiuar nga këndi domethënës si ngjarje me renome botërore dhe nga këndi i filozofisë së historisë, ato ishin ngjarje me renome botërore. Aso kohe Jugosllavia socialiste kishte arritur të avancohet në lider të Botës së Tretë, dhe në atë shoqëri, dëshiruam apo jo, J. B. Tito, e kishte rolin e prijësit.

Demonstratat që i studion me urtësi Abdullah Nishefci, ia nxjerrin rrënjën katrore tërë asaj fame, tërë atij autoriteti të shtetit katrahurë, që për një ditë do të rrënohet si kulla prej letrës, kur i vihet zjarri. Autoriteti i Jugosllavisë, me demonstratat patriotike shqiptare më 1968, e nxjerr në “ankand” tërë besimin që gëzonte dhe e vë para një dileme dhe sprove të madhe udhëheqjen: Si të sillet tash e tutje me shqiptarë; t’u lejohet republika që e kërkojnë, sepse nuk kërkojnë më tepër, apo t`u zgjerohen të “drejtat” nacionale. Dilema ishte në tavolinë e shkruar. Dhe “treni shqiptar”, do të niset me kërkesa minimale, për republikë që ishte përfolur dhe kërkuar pas Plenumit të Brioneve (1966), të cilin shqiptarët politik dhe llafazanët e odave, e shpjeguan si triumfalizëm një kohë të gjatë. Këtë filozofi të odave do ta pranoi edhe estabilishmeni politik shqiptar, më 21 mars 1967 në Brezovicë, kur hapur u deklarua para Eduard Kardelit se: “Nuk jemi për Republikë”!

Demonstratat e vitit 1968 Abdullah Nishefci i përshkruan si i ka parë, por edhe si i ka përjetuar sepse ka qenë akter i tyre, në organizim dhe propagandim, kuptohet me veprimtari ilegale. Ato ndodhin në një muaj që për shqiptarët  është ideali vetë. Shumë do të flitet dhe insufiencohet deri në madhështi kulminacioni i tyre. Ishte kështu, sepse ngjarja si e tillë u nevojitej edhe organizatorëve, por edhe shtetit të Shqipërisë që kishte armiqësi me Jugosllavinë deri në vdekje, por ajo dëshirë për vdekje të Jugosllavisë, nuk guxonte ta kalojë Rubikonin e të dalë jashtë kornizave “marksiste leniniste”! Ishte kjo një fatamorganë ideologjike. Aq ishte dioptria politike e kësaj ideologjie, që kishte shënuar kulm në Evropë, si fonemë  Eurokomunizëm, sikurse sot fonemat: liberalizëm, globalizëm e izma të tjerë insifinet, për interesa të ngushta ideologjike apo të tregjeve ku gatuhet varfëria dhe robëria e disa popujve ende në pambarim.

Abdullah Nishefci, në dorëshkrimin e tij, jo voluminoz, përmend shumë emra, të cilët kishin kontribuar në ato ngjarje, ndonëse nuk  e kishte për detyrë të nxjerrë prej tyre një diagnozë se ku ishte shoqëria jugosllave, e ku participonte shoqëria shqiptare.

Demonstratat e vitit 1968, në Kosovë e dëshmuan ATROFINË e pushtetit dhe autoritetit jugosllav në të njëjtën kohë. Tani shqiptarëve u mbetej një detyrë shumë delikate, ta dëshmojnë nëpër botë: ta dëshmojnë insufiencën politike dhe shtetërore që në asnjë levë nuk i përthekon të drejtat e tyre elementare, sepse ai shtet robërues ua kishte zgjeruar (insufiencuar) të drejtat serbianëve dhe sllavëve të tjerë, në mënyrë që Kosova dhe shqiptarët të mbesin populli më i izoluar, më i prapambetur në Evropë.

Çka sollën demonstratat e Kosovës (shqiptarëve) më 1968, është studim solid dhe esencial i Abdullah Nishefcit, në këto rrethana të botës së trazuar, i cili nuk ndalet vetëm në përshkrimin e asaj që ka ndodhur në ato demonstrata, por merret edhe me atë se ku kanë gabuar shqiptarët në hapa historikisht në ato momente të shekullit që lajmëronte një Pranverë të shëndetshme pastaj, në vijim. Me një anë ishin renditur edhe atëherë “tradhtarët”, të cilëve nuk guxohej tu shtohet asnjë kundrinë, sepse duhet të mbetej në funksion definicioni i tyre. Se definicion tjetër s’ka mendim tjetër në shoqërinë totalitare ku vetëm drejtuesi  i fetishizuar guxon të mendojë, të gjithë të tjerët duhet ta përcillnin sikur lutjet në religjionet rituale sektare. Ishte ajo një filozofi e “priftëzuar politike”, prej së cilës dilet diçka ngadalë por sigurt  përmes avancimit shqiptar në afrim.

Në këta dy binarë (patriotë dhe tradhtarë) shterej e tërë energjia për rrugëdalje nga gremina e robërisë jugosllave, të cilën Abdullah Nishefci e studion me urti, përmes pamjeve të veta, përmes debateve me shokë të idealit, përmes fjalëve të njerëzve që kishin përvojë jetësore.

Pushteti obskurantist jugosllav kishte për moto sa më shumë ta insufinecoj (zgjeroj) autoritetin e vet në botë. Rinia dhe shumica e popullit ishin të privuar që ta atrofizojë sa më shumë “famën e shtetit model në botë”, sepse realiteti tregonte ndryshe.

Studimi i Abdullah Nishefcit dëshmon se dalja në rrugë e rinisë duke demonstruar do ta shtrijë për tokë autoritetin e Jugosllavisë dhe atë do ta përbaltë tej mase. Ndërsa, pushteti do të ndërmerr furishëm në FAZËN E PARË, disa masa për ta ngushtuar (atrofuar) famën e demonstratave.

Mund të konstatohet se dorëshkrimi i Abdullah Nishefcit nuk është ndonjë paradë fjalësh, por është një studim që hap horizonte të reja për një analizë dubioze shkencore eksplikative, pra jo analizë dhe shkrimësi si deri me tash: si ka ndodhur demonstrata `68, kur ka ndodhur, ku kemi qenë si persona, çfarë roli kemi luajtur, çka kemi parë etj, por pse ka ndodhur dhe kah është dashur të shkojmë, të rreshtohemi dhe a e kemi bërë rrugën e drejtë, me kohë dhe si duhet. Faktet flasin se PO! E ato fakte dhe atë rreshtim Abdullah Nishefci në shkrimin e tij e dëshiron të ishte më i fuqishëm, më kuptimplotë, më avangardist, më patriotik, pa vetëkënaqësi, por me kërkesa të reja për dasma të reja, të cilat okupatori do të na i përgjakë të gjitha, duke filluar nga e para, më 1968, ku kishim vetëm një viktimë, një hero të rastit madhështor.

Shkrimi i Abdullah Nishefcit e nxjerr në rreshtim se duhej populli të lirohej prej ideologjisë, ku shpenzonte shumë “kalori”. Pra duhej  zbatuar shkollën DEMAÇIANE që: mendon, flet dhe vepron me popullin  e dëlirë, me të tërin si një.

Demonstratat që i shtjellon Abdullah Nishefci zbulojnë se një shtrese të popullsisë shqiptare i interesonte karriera, për të jetuar në robëri, ndërsa një pjese shumë më të madhe i interesonte fitimi i më shumë të drejtave për popullatën shqiptare, e cila nuk mund të ngjitej në piedestalin  e deshifruar pa e zhveshë “mbretin lakuriq”.

Shkrimi i Abdullah Nishefcit për demonstratat 1968 shtron edhe pyetjen se kush bëri më shumë për kombin: ata që ishin patriotë ilegal, apo ata që nuk guxonin të quhen patriotë publik, sepse ishin të gozhduar nga pesha e pushtetit. Asnjëra palë, nuk ia pranonim meritat palës tjetër. Cila do ta nxjerrë qerren nga balta: ilegalja apo institucionalja. Të dyja do të ndeshën në kënetën e skamjes dhe robërisë Kosovë, por në kënetë nuk do të mbesin sepse së bashku në një mënyrë, duke u arsimuar do ta dalin në breg dhe prej aty nuk do të fillon për asnjërën palë historia, por do të bëhet historia çlirimtare. Është ky dimensioni në formë ideali që Abdullah Nishefci i jep, përmes personazheve që i sheshëzon, objektivit ndërtimi i kalasë Kosova Republikë. 

Lakimi i shumë emrave në këtë studim të qetë dhe plotë emocione të kohës, tregon se Abdullah Nishefci, është shumë serioz në koncepte dhe emocione perceptive historike, posaçërisht kur është në pyetje kombëtarja, kultivimi i saj, mbajtja e asaj peshe mbi supe me shumë krenari. Fakti se Abdullah Nishefci në asnjë fjali nuk shpreh ngarkesa urrejtëse, dëshmon se e ka kuptuar shumë mirë shkollën e Rilindëseve e të tjerëve që i kanë imituar ata.

Koha dëshmoi se lufta e ilegales dhe e të padisiplinuarve që janë të gatshëm t`i rrokin armët, ishte e vetmja rrugë e çlirimit Kosovës. Pa këtë rrugë as të huajt nuk do të na ndihmonin në arritjen e lirisë sado që të na  kishin për zemër.

Me gjithë këtë studimi i demonstratave 1968 që hapin horizonte se si ta krijojmë ardhmërinë, na mbetet si mësim se duhet të jemi ndaj veti më modest, do të më thotë Adem Demaçi këto ditë. Të tjerët do ta duan për aq sa ne jeni të aftë të prodhojmë histori. Do të shtoja, se lufta e të huajve dhe e  tanëve  që me çdo çmim Adem Demaçin ta izolojnë, nga koha kur doli nga burgu e deri me sot,  tregon se kemi ende  rrugë të kombit, të panjohura, të “pa-asfaltuara, që janë plot gropa, por që nuk po i hetojmë nga veturat e blinduara”. Kështu po dëshmohet se ende jemi në fillim të ëndrrës së Rilindëseve. Prandaj edhe porosia e studimit të Abdullah Nishefcit është që mos të ndalemi në rrugën e pakryer. Ende ka punë.

Në fund edhe një çështje. Në bazë të tërë studimit shtrohet pyetja notore, pse nuk u burgos Abdullah Nishefci, kur i tërë aktiviteti antijugosllav dhe ai për organizimin e demonstratave 1968, sidomos në Podujevë më 4 nëntor 1968 e pastaj më 27 nëntor,  zhvillua në punëtorinë ku punonte ai. Lidhur me këtë, shkencërisht del në pah një pyetje investigative. Punëtoria e Abdullah Nishefcit dhe prindit tij, Halitit, frekuentohej nga të gjithë aktivistët patriotë, me të cilët bashkëpunonte dhe i organizonte aksionet. Del se Abdullah Nishefci është hetuar në shkallë permanente nga pushteti, i cili ishte i interesuar që nga një detaj të kuptojë tërësinë, prandaj punëtoria  retroaktivisht e ka shpëtuar atë, sepse është “kursyer” për interes identifikimi të shokëve të tij pa e ditur ky fare, pa e ditur fare pronari i saj, Haliti. Nëpërmjet një punëtorie të këtillë frekuentive pushteti kishte mundësi ta mbajë në survejim tërë grupin e veprimtarëve. Për ndryshe, po ta dinte Abdullah Nishefci se punëtoria po e largon nga burgu, sigurisht, me entuziazmin që e kishte me shokë, do ta mbyllte atë, por dëmi do të ishte shumë i rëndë për suksesin e aksioneve të shumta patriotike, për lëvizjen në përgjithësi. Këtu mendojmë se pushon çelësi pse ka mbetur në liri Abdullah Nishefci gjatë të gjitha furtunave demonstrative e ku ishte subjekt aktiv i tyre, sidomos më 1968.

Duke i uruar autorit punë të mbarë edhe në studime të tjera me interes për historinë e detalit, për historinë që na ka rreshtuar drejtë kah ardhmëria propozojmë me respekt që studimi i Abdullah Nishefcit të botohet.

(Pjesë nga një recension më i gjatë i Prof. Dr. Hakif Bajramit dhe Prof. Dr. Liman Rushitit për librin e Abdullah Nishefcit, “Demonstrata e vitit 1968 në Podujevë, dasmë e madhe në Llap”)

Prof. Dr. Hakif Bajrami  & Prof. Dr. Liman Rushiti

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm