Menu

Rilindja e një Isopolifonie Malëshovite

User Rating:  / 0
PoorBest 

Isopolifonia e Malëshovës

Impresione nga grupi Isopolifonik i Malëshovës

Kur lexon një libër të tillë si: “Një psherëtim e marrë me vete” nuk mund të mos përsjellësh tek miqtë dashamirësit e këngës popullore disa refleksione, ndijesi mbi këto perla popullore, të cilët poeti Riza Çato i ka qendisur aq bukur; e që isopolifonia, pse jo dhe ajo e gjithë Shqipërisë, do i ketë si buranë këto këngë, që ndërvite e shekuj do të rrjedhë dashuria, dhimbja, me universin e tyre.

Me pushtetin e fjalës poetike, Rizai zgjoi nga gjumi 35 vjeçar isopolifoninë e kësaj treve, duke gjumëruar luginave, pllajave, staneve, e duke goditur me qilivure mendjet e zemrat malëshovite e më gjerë.

Në kërkim të zërit të brendshëm poetik, autori i këtyre perlave, definon së fundmi me këtë përmbledhje poetike, e me këtë grup krahinor, duke nxjerr në pah vlerat autoktone të një kulture muzikore; ku tingujt melodioz vijnë si përtej shekujve shprehur artistikisht te kënga “Besën e kam te kënga”, ku: “Unë besoj te kënga / kënga malëshovite / që më këndoi nëna, / në mote e vite” / Që më këndoi motra / babai, vëllai, / Ara dhe lugina / Iso mbajti zalli / Iso vetëtima”

Me këtë sipërmarrje artistike, me këtë ngulth ndjenjësor, mbarsur me ekstrakte nga fondi i artë popullor, në këtë egërsi sociale që po kalon vendi nga hungërimat partifobike, Rizai zgjodhi partinë këngë, sepse siç ka thënë ambasadori Lik Sehiti në Athinë: “Kënga zbut dhe kafshët e egra e jo më njerëzit e butë, mëndjet e shpirtrat e egërsuara në situate dhe kohë absurde,”, sepse siç definon poeti tek poezia “I thonë Malëshove”: “Brenda zemrës time, / Kënga labërishte, / Ja pëlcet e kolme / dhe nëpër zallishte.”

Vladimir Muça - Autori i shkrimit

Në krijimtaritë poetike me taban popullor, ka pasur gjithmon emra e fenomene të cilët janë bërë ekujivalentë, simbol i një krahine të tërë, janë bërë pjesë e kujtesave historike të folkut, si emër i një bardi i cili me mjeshtri ka ngritur në art shpirtin e popullit.

Pa asnjë mëdyshje i tillë më vjen dhe poeti Çato me librin e tij “Një psherëtinë e marrë me vete” një sipërmarrje e para në llojin e saj, aranzhuar bukur me grupin isopolifonik në gjurmët e të mëdhenjve Neço Muho, Lefter Çipa, Demir Zyko, Selvi Çato.

Pa dyshim, pas një letargjie mbi 30 vejçare të këngës popullore malëshovite, poeti Çato është pena më e dukshme e mëndja e shpirti krahinor, që po ringren e gjallon shpirtin e këngës, kësaj miniere fosforine, që rrëzëllen aq bukur nëpër lugina, pllaja, nometë, tek ngasin barinjt kopetë duke goditur këngën e vështrimet me qilivure.

Me talentin poetik, stisur në këto brigje, gërxhe, dhjare, pllaja e lugina, Riza Çato u bë një bard i gjallë me talentin e lindur, i pa parashikueshëm në këto estetika për ne vëzhguesit e artit poetik.

Folku, kurdoherë ka ardhur si magji që trondit jo vetëm shpirtrat, zemrat, mëndjet e  dëgjuesve të thjeshtë, por dhe të kritikëve profesionist, me madhështinë që pëcjellë me ekstraktin e virtuozitetin e tij.

Pesha e bardit malëshovit në folkun e zones, padyshim që do të marrë peshën e Neço Muhos, Selim Bratit, Lefter Çipës e të dhjetra bardëve të tjerë që i dhanë shpirtin e tyre këngës popullore. Magjia e këtye këngëve, tek i lexoja në rrjetin social “Facebook” më bëri dashnor të këtyre këngëve. Kur lexoja librat e Riza Çatos ndjeja se nëpër to po bulonte folku i isopolifonisë dhe nuk u zhgënjeva.

Me koshiencë këtë e ndjente dhe e përjetonte, e frymonte dhe vetë poeti kur shkruante ato vargje të mrekullueshme me atë brumëardhje të folkut.

Poeti Çato duke e rrahur pëllëmbë për pëllëmbë trevën, nga fëmijëria gjer sot si një nostalgjik i këtij biodiversiteti nëpër fshatrat e malëshovës, Dhembelit, Çajupit, atje ku: “Këndon dhe një gurë, / Lisi në korije, / Ku më thonë Çimadhi, / Vërtetë më ka hije.”

Atje ku qëmtohet isopolifonia dhe këngëtarët me fame, të cilët me këngët e tyre i japin jetës dimensione të reja dhe vlera të pakthyeshme këngës, kulturës dhe traditës shqiptare. Një traditë ku gërshetohet kureshja dhe adhurimi për vendin.

Ky grup polifonik do të ushtojë si këmborët e këtyre maleve duke ndejllë nëpër vendlindjet e tyre të ikurit nga këto troje të magjishme. Në këtë magji është dhe magjia e poetit Riza Çato i cili me krenari për vendin, me një punë disa vjeçare, këmbëngulese, ringriti si sfinksi nga hiri i tij këngën malëshovite pas një letargjie, duke përcjellë mesazhe mbresëlënëse duke ngacmuar ndjesitë e artdashësve kudo ku ndodhen.

Isopolifonia e Malëshovës

Dhe mua nga qyteti bregdetar Durrësi, muza e këtyre këngëve më ngacmoi lukthin e shpirtit duke i lexuar e dëgjuar përkitazi në këtë gjëndje që është vendi tani, i mbytur nga sojë e soje tallavashë të muzikës e të politikës, ku liderët e konsiderojnë Shqipërinë si plaçkën e tyre dhe jo si pasuri e gjithë popullit, sikundër janë këto këngë të cilët mbajnë zgjuar memorjen kulturore të kombit. Që nga këto troje, këto këngë do të gjumërojnë tryezave e të githë shqiptarëve ngado ku janë, duke zgjuar ndjesitë më të bukura në kasetofonat e makinave, arave, nomeve, rrugëve të kurbetit duke zhjuar ndjesitë mëmëdhetare e qëndruar si zonjë e vërtetë në sofatet e kohërave. Ata do të zënë vend në panteonin e folkut ngritur nga gjigandët e këngës popullore shqiptare.

Kjo sipërmarrje kulturore, e këtij grupi magjepsës malishovit do të ruaj e transpetoj ndër breza historinë, kulturën autoktone- muzikore, do të zërë vendin në altarin këngëve popullore duke i bërë qëndresë marrëzive të kohës.

Këto do mbeten visare të kulturës, si hipoteka të patjetërsueshme që kurrë nuk dalin në ankande, do ruajnë vlerat më të larta të kombit, përcjellin historinë dhe traditën në supstanca të reja kohore.

4 Qershor 2017
Vladimir Muça / Shkrimtar Kritik

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm