Menu

"EDUKATA QYTETARE" - libër që ia vlen ta ketë çdo familje shqiptare

User Rating:  / 0
PoorBest 

Kopertina e librit - Edukata qytetare - Nga autorët Sabri Rexha dhe Nusret Pllana Nehat Jahiu

Musa Limani

Nga: Prof.dr.Musa Limani

Me rastin e promovimit të  tekstit universitar “Edukata qytetare”, autorë:
Dr. Sabri Rexha, Dr. Nusret Pllana, Prishtinë, 2017

Zonja dhe zotërinj,
Diskutimin tim si njëri nga recensentët e këtij teksti universitar, do ta ndaja në dy pjesë kryesore:

a) Së pari, do t’i them disa fjalë për librin të cilin po e promovojmë, me vështrim të veçantë për pjesën ekonomike dhe

b) Së dyti, do t’i them disa fjalë për bashkëautorin, Prof. Dr. Nusret Plllanën si ish student i imi.

Që në fillim përgëzojë autorët, që morrën guximin ta hartojnë një tekst universitar, siç është “Edukata qytetare”, me karakter inter dhe multidisiplinar, që në vete kërkon një diapazon të gjerë njohurish të jetës njerëzore. Në përmbajtjen e këtij teksti i është kushtuar një pjesë e veçantë shkencave ekonomike. Unë, si njëri nga katër recensentët, kam dhënë mendimin profesional dhe shkencor në mënyrë më të përafërt  të pjesëve ekonomike, të cilat nuk do t’i përsëris tani. Mirëpo, në kontekst të kësaj duhet potencuar se,  autori i kësaj pjese të librit, ka zgjedhur postulatet kryesore ekonomike, nga të cilat studentët e Fakultetit të Edukimit do të njihen me kategoritë më elementare të shkencave ekonomike. Me këtë rast, për të shkruar këtë pjesë të librit, autori ka konsultuar literaturë të nevojshme profesionale, materien mirë e logjikisht e ka sistematizuar dhe në mënyrë profesionale e sipas metodologjisë shkencore e padagogjiko-didaktike e ka shtruar, shqyrtuar dhe analizuar. Është përdorur terminologji adekuate profesionale, janë dhënë përkufizime të qarta për kategoritë ekonomike, me ç’rast iu është ofruar njohuri e përgjithshme për çështjet ekonomike dhe rëndësinë e ekonomisë në shoqërinë njerëzore, por  edhe studentëve të Fakultetit të Edukimit. Niveli dhe stili i shkruar në pjesën ekonomike është i mjaftueshëm për studentët e Fakultetit të Edukimit, nga të cilët kërkohet të kenë njohuri elementare nga ekonomia si shkencë dhe si i tillë i përgjigjet të jetë pjesë përbërëse e këtij teksti universitar. Andaj, duke u bazuar në përmbajtjen dhe përfshirjen e materies dhe literaturën e shfrytëzuar, libri në fjalë paraqet një tekst të kompletuar universitar, e i cili është hartuar në bazë të planit e programit të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, që mendojë se autorët e këtij libri universitar kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm në literaturën profesionale, në gjuhën shqipe nga kjo fushë.

Literatura profesionale, veçmas tekstet universitare, në gjuhën shqipe ende janë të mangëta, ndonëse kohëve të fundit po bëhen përpjekje, qoftë me hartimin dhe botimin e teksteve origjinale universitare në gjuhën shqipe, qoftë me përkthime nga gjuhë të huaja. Megjithëkëtë, është për të ardhur keq, por është konstatim i saktë se, veprimtaria botuese është lënë pas dore nga institucionet përkatëse arsimore të Kosovës dhe të Universiteteve publike. Profesorët nuk kanë motiv që të shkruajnë një tekst universitar, për të cillin duhet punuar me vite të tëra dhe duhet njohur mirë materia e asaj fushe, sepse nuk mbështeten materialisht. Tani Ministria e arsimit nuk ka fond të veçantë për të mbështetur veprimtarinë botuese të teksteve universitare. Dikur ishte Enti për Botimin e Teksteve, i cili mbulonte shpenzimet e botimit, plus autorit i ipej honorari i caktuar. Tani, jo që nuk ka kurrfarë honorari, por edhe shpenzimet e botimit i heq vet autori. Kështu u botua edhe ky tekst, me financimin e vet autorëve. No koment a?.  Në këtë drejtim më tepër po bëjnë disa nga Kolegjet private. Në rastin konkret, duhet të merret si shembull Kolegji “BIZNESI” në Prishtinë, i cili i mbulon shpenzimet e botimit për të gjithë profesorët që ofrojnë dorëshkrimin për tekste universitare të këtij Kolegji. Një rrugë të tillë po e ndjek edhe Kolegji Evropian i Kosovës.

Veprimtaria botuese në Kosovë, tani po përballet me sfida të shumta, e për t’i përmendur janë:

- Plagjiatura: Pas vitit   1999, si në fusha të tjera, ashtu edhe në arsim u bënë reforma, të cilat u inicuan dhe u bazuan në Deklaratën e Bolonjës. Me këtë rast u bë ndryshimi i regjimit të studimeve, duke përdorur modelin 3+2+3, por, pa ndonjë analizë të mirëfillt. Kjo reformë e devalvoi në masë të madhe sistemin arsimor në Kosovë, ku për nga cilësia në arsim radhitemi në vendet më të pazhvilluara të botës. Është e pranishme dukuria e zhvlerësimit të vlerave. Gjthandej, na ka kapluar dukuria, që brenda “natës” po merren diplomat, tituj masterësh e magjistraturash, bile edhe doktoratë shkencore, me plotë plagjiaturë e blerje diplomash. Pra, na ka kapluar sëmundja e plagjiaturomanisë. Lypset reformë rrënjësore në sistemin arsimor të Kosovës.

- Përdorimi i termave të huaja. Kur kemi të bëjmë me tekste universitare në gjuhën shqipe, unë shoh një defekt shumë të madh në përdorimin e termave nga gjuhë të huaja. Lidhur me këtë dukuri, unë bëjë thirrje te kolegët që me rastin e hartimit të teksteve universitare të përdoret terminologjia dhe gjuha e pastër shqipe, sepse studimet janë në gjuhën shqipe. Në tekstet universitare në gjuhën shqipe si në Kosovë, e më tepër në Shqipëri, hasim në terma: kurikulet, syllabuset, të cilat i kemi edhe në këtë tekst - në vend lëndët e programet, ekonomiksi-në vend ekonomia, departamenti-në vend drejtimi, stafi-në vend personeli, asetet-në vend pasuria, fondet, kesh-në vend me para të gatshme, sociale-në vend shoqërore, sex-në vend gjinore etj. Këto, dhe shumë  terma të tjera tani janë familjarizuar në gjuhën shqipe, që besojë se një numër i tyre as që e kuptojnë domethënien e tyre. Po ju tregojë vetëm një rast konkret. Isha duke marrë benzin tek një pompë, ku shërbente një djal i ri. Ai, me rastin që donte të më shërbente, m'u drejtua me këto fjalë: si do ta paguajsh, me “kesh”?. Unë iu përgjigja, jo more çun, unë kam ardhur me marrë benzin, e jo me qesh. Jo nuk po të them me qesh, por si do ta paguajsh? Atëhere unë e pyeta. Mirë, e din ti fjalën “kesh”, jo më tha, atëherë pse po e përdor, të gjithë po e përdorin, po e përdori edhe unë. Me këtë rast po e sjell vetëm edhe një shembull, se si bastardhohet gjuha shqipe edhe në tekste universitare. Në një tekst të Makroekonomisë, në gjuhën shqipe, autori shqiptar, i botuar në Tiranë, hasim edhe këtë formulim të fjalisë: “Popullsia paraqet elementin kryesor në konsumin final. Në kuadër të poplullsisë, rol të veçantë ka struktura moshore dhe sex -i”. Një situatë të këtillë të bastardhimit të gjuhës shqipe, e patën vërejtur dhe konstatuar edhe rilindasit tanë, me ç’rast i madhi Atë Gjergj Fishta, do të thoshte në poezinë e tij “Gjuha shqipe”, e cila tani është më aktuale se në kohën kur është shkruar:

Pra, mallkuar qoftë njaj bir shqiptari
që këtë  gjuhë të Perëndisë,
trashëgim si na la i pari,
trashëgim s’ia len fëmijës,
dhe atij iu thaftë goja,
që e përbuz këtë gjuhë hynore,
e në gjuhë t’huej kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e len mbas dore.

Andaj, duke u bazuar nga ajo që u tha më sipër, është imperativ i kohes që të miratohet Ligji për pastrimin dhe për mbrotjen e gjuhës shqipe, unike dhe standare. Përfitoj nga rasti që të apelojë te Qeveria e re e Kosovës, që urgjentisht të nxjerrë Ligjin për spastrimin dhe ruajtjen e gjuhës letrare shqipe. Në Francë eksiston Ligji, nëse përdor terma të huaja, a eksiston në gjuhën fënge, ke bërë vepër penale.

Disa fjalë për studentin tim

Në jetë vetëm dy veta nuk janë xheloz: prindi dhe mësuesi. Kam respekt të konsiderueshëm për Prof. Dr. Sabri Rexhën, por le të më lejohet që t’i them disa fjalë për ish studentin tim - Nusret Pllanën. E njoha gjatë studimeve. Ishte student i dalluar, si për nga sjelljet, ashtu dhe suksesi në studime. Që gjatë studimeve, zbulova talentin e tij kreativ. Me rastsin e punimit seminarik dhe veçmas me punimin e diplomës, ku unë isha mentor, vërejta se Nusreti kishte prirje për punë hulumtuese dhe kërkimoro-shkencore. Andaj, duke e vërejtur këtë veti, unë i propozova që ai të vazhdojë studimet, dhe për fat të mirë kështu ndodhi, duke arritur gradën më të lartë shkencore, doktor shkence.

Nusreti, edhe si student dallohej për nivel të lartë të vetëdijes kombëtare. Ai çdo herë, e në çdo kohë ishte luftëtar i pa kompromis i kauzës sonë kombëtare, nga kjo rrugë nuk mundën  ta ndalin kurrfarë ernash dhe furtunash që fryenin, gjatë kohës së studimeve dhe pas kryerjes së tyre. Këtë konstatim më së miri e vërtetoi pjesëmarrja e tij aktive në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke na njoftuar me zërin e tij burrëror për rezultatet e luftëtarëve tanë në terren, nëpërmjet Radios “Kosova e Lirë”.

Veprimtaria botuese e Nusret Pllanës, është mjaft e bujshme. Veprimtaria shkencore dhe plublicistike është nga fusha të ndryshme, duke përfshirë diku gjithsej 63 vepra. Me këtë rast do të dalloja Monografinë “Terrori I Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” në vitin 2015, botim i gjashtë i plotësuar, dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës. Kjo monografi është marrur nga bibliotikat më të njohura Evropiane e botërore, e cila është promovuar dhe për të cilën janë mbajtur ligjërata në mbi 10 universitete në vende të ndryshme të botës. Këtë monografi kam pasur rast që personalisht ta promovojë në një Kolegj privat në Detroit të SHBA. Kur personeli i këtij Kolegji pa fotografitë e gjenocidit të bërë me shekuj nga serbosllavët, u tmerruan. Mirëpo, për fat të keq, kësaj monografie nuk iu dha vend i merituar në Kosovë. Për botimin e kësaj Monografie, autori z. Nusret Pllana trokiti derë më derë nëpër firma të Kosovës për t’ia mbuluar shpenzimet e botimit. Kjo monografi morri mirënjohje nga shumë institucione e biblioteka botërore, por jo edhe nga Kosova.

Në fund mund të konstatojmë se, Prof. Dr. Nusret Pllana si pedagog hyn në rradhën e profesorëve të dalluar dhe i respektuar nga ana e studentëve, kurse nga kolegët e tij ishte dhe tani është shumë i çmuar, aty ku punoi dhe ku punon tani. Ndërkaq, nga aspekti profesional dhe veprimtarisë botuese, hynë në rradhën e plejadës së gjeneratës së mesme më produktiv në Kosovë. Veprimtaria e tij botuese, bëri që emri I Prof. Dr. Nusret Pllanës të simbolizojë punëtorin shkencor dhe intelektualin e mirëfilltë, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Spektri profesional e shkencor i tij është shumë i gjerë. Andaj, duke u mbështetur në vepritarinë e tij botuese profesionale e shkencore, me të drejtë mund të konstatojmë se Prof. Dr. Nusret Pllana, paraqet një pedagog, punonjës shkencor, intelektual, hulumtues e krijues, si referues e debatues në shumë tubime shkencore, person të urët, racional, kreativ, parimor, human, koshient dhe modest për punën e tij, që e bëjnë të jetë personalitet me virtyte të larta të një intelektuali e punëtori shkencor. Kam nderin që isha profesor i tij, e që ishte student i imi.

Dhe krejt në fund, duke i dëshiruar shëndet, presim që Prof. Dr. Nusret Pllana sa më parë të na paraqitet me botime të reja.

Ju falemnderit për vëmendjen Tuaj!

Prishtinë, 22 Maj 2017

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm