Menu

Portreti artistik i atdhetarit e mësuesit Mumin Kastrati

User Rating:  / 0
PoorBest 

Kopertina e librit - Mumin Kastrati, Mësuesi i përkushtuar, atdhetari - Nga autori Nehat Jahiu

Nga Nexhat Rexha - Libri  përkushtues i Nehat Jahiut ” Mumin Kastrati, Mësues i Përkushtuar, Atdhetari”, në fokusim të vargjeve ka shpalosjen për njeriun e sakrificës në të gjitha variantet e mundshme të karrierës së tij si njeri e intelektual. Nehat Jahiu vetë është njeri i arsimit dhe penës, kur këto dy faqe shpalosin  jetën e një mësuesi atdhetar, mësojmë  kreativitetin e pasionin prej njeriu e atdhetari për të shkundur pluhurin e harresës. Fjala nxjerrë fjalën, e vepra sjell  veprën. Kështu autori i këtij libri me vullnetin, dashamirësinë prej  njeriu, fillo iniciativën për të bërë librin dhe e bëri. Ajo doli falë mundit e lutjeve miqësore  nga miqtë e tij të shumtë krijues.   Libri ” Mumin Kastrati, Mësues i Përkushtuar, Atdhetari”, erdhi si rezultat i hulumtimeve të autorit  për të bërë libra dhe kështu i bien në dorë edhe  fletët e shkruara të një kohe barbare për shqiptarët. Në mesin  e këtyre dokumenteve zgjojnë kureshtjen shkronjat e zeza të një kohe të zezë, aty takohet me arsimtarin e gjuhës shqipe, i cili kishte punuar në shkollën  e Sllupçanit dhe  të Likovës. Po edhe Nikolla Jorga kështu e zbuloi “Formulën e Pagëzimit”, duke hulumtuar dokumente që i duheshin atij dhe krejt rastësisht i ra në dorë ky dokument ndër më të rëndësishmit për kulturën tonë. Po kështu edhe shkrimtari Nehat Jahiu, kërkoi  dokumente dhe takoi  mësuesin ideal të tij. Nga vullneti e dashuria për jetën e të ardhmen, vjen edhe  arti nga jeta reale, ai të kthen në retrospektivë, kështu, dokumenti i arkivuar ndriçon ngjarje e personalitete. Libri i Nehatit ka këtë shpalosje të realitetit tonë të një kohe të egër.

Libri ka hyrjen e shkruar nga autori, në të cilën jepen të dhëna  për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Mumin Kastartit në të shpaloset puna e tij prej mësimdhënësi dhe dashuria për përhapjen e diturisë në shkollat shqipe. Kurse ajo që specifikon është tradicionalisht e ditur pozita gjeografike ku shtrihet; Kumanova, Gjilani, Presheva,Vitia, Dardana e Bujanoci  i kanë lidhjet e gjata në jetën e tyre, jo vetëm nga gjaku e gjuha shqipe,por  vetë rrethanat historike  i kanë edhe ndodhitë e tyre sa të dhembshme po aq edhe krenare, e në këtë valë e trazimesh kohore, fati i ka lidhur shumë atdhetarë e intelektual të bashkërendojnë kohën e vështirësitë për njëri tjetrin. Në këtë kontinuitet ngjarjesh  e ka dërguar fati e jeta edhe Mumin Kastratin, si kur atdhetarët të tjerë si Metush Krasniqin, Sejdi Kryeziun e shumë të tjerë nga mbarë vendi ynë. Mumin Kastrati punoi për disa vite në këtë trevë ku kërcënonte dhuna e pushtetit diktatorial komunist. Ishte koha  kur shqiptarët shpërnguleshin dhunshëm nga vendi i tyre  për Turqi,  Kumanova e Shkupi ishte stacioni  për të shkuar në shkretëtirat e Anadolit, për të mos u kthyer kurrë. Ishte koha kur tregimet e Adem Demaçit të botura në atë kohë, sinjalizonin këtë proces famëkeq. Në këtë atmosferë  politike punoi edhe Mumin Kastrati, cili rrezatoi dritë në çdo shtëpi shqiptare. Puna, sjellja e tij prej edukatori e patrioti e pengoi sigurimin shtetëror të asaj kohe dhe  ndërpreu zellin e të ardhmen e përhapjes së diturisë nga mësuesi, i cili përkrahej, çmohej nga nxënësit dhe popullata e kësaj treve. Mësuesi Mumin u dënua me tetë vjet burg, ku nga ato gjashtë vite i vuajti nën torturën më mizore në burgun më famëkeq të Idrizovës  në Maqedoni. Këto kondita të ashpërsisë ndaj tij  i kishte ruajtur edhe dokumenti i shpalosur nga shkrimtari Nehat Jahiu.

Në këto shpalosje  pastaj vijnë edhe vargjet e këtij libri, të cilat vijnë e rrezatojnë nga të gjitha trevat e atdheut tonë. Vetë poetët me fjalën artistike kanë dhënë shkëlqimin  e tij prej njeriut  të qëndresës për të gjitha kohët. Poezitë e të gjithë autorëve, parashtrojnë  e motivojnë lexuesin për idealizmin e këtij intelektuali, sepse kudo që ndodhej ai, me vullnetin e tij  e dha mesazhin e kohës. Ai diktoi te gjeneratat e reja se si duhet  të punohet e të kultivohet dashuria, dituria për atdheun tonë të robëruar.

Nëpër këto përkushtime poetike radhiten poezitë e 46 autorëve, të cilët  me vargun e tyre kanë shprehur respektin për mësuesin  Mumin Kastrati. Vetë autori i librit  e fillon poezinë me kushtrimin, e thirrjes për dituri. Poezia “ Zilja që nuk hesht”, sikur bënë thirrje për të dëgjuar hapat e mësuesit në shkollën ku ai punoi,  jo vetën në dy lokalitete të Kumanovës po gjithandej ku  punoi. Fjala e dokumenti ruajnë më së miri të gjitha tiparet, veprimet e njeriut, kur ai shkrin veten për të ndriçuar të tjerët e i tillë ishte edhe Mumin Kastrati. Këto tipare ai  i kishte kultivuar së pari nga  familja e tij në Hogosht, për t`i shpërndarë kudo. E kjo edhe e kishte penguar sistemin totalitar të  Serbisë, deri atëherë kur e largoi Mumin nga procesi edukativo-arsimor. Në të gjitha  vargjet mësojmë se ai frymonte optimizëm, edhe ne që e njohëm nga afërsia, kuptojmë qartë vargjet kushtuar atij, sepse ai kudo që punoi  me veprimet konkrete të tij e tha fjalën rrafsh e bukur shqip. Poezitë e  këtij vëllimi kanë parashtrime  në të gjitha kohët dhe ato vijnë edhe  me dy poezi akrostik të autorëve Jashar Selmanaj dhe Milazim  F. Kadriut, sikur që vijnë edhe  poetët bashkëvendës nga Hogoshti; Musa Ahmetaj, Avni Biçku, Muharrem Kastrati.  Poetët  tjerë poezitë përkushtuese i  kanë  artikuluar në brendinë e vargjeve të tyre deri në thellësi, duke i paraqitur në kontekstin për të dalluar cilësitë,  e pikëpamjet edukative- arsimore dhe atdhetare  për të gjitha frymëmarrjet e tija. Libri është plotësuar edhe me shkrime tjera , të cilat begaojnë biografinë e atdhetarit Mumin Kastrati nga Shefik Sadiku dhe Dr. Hysen Kobellari.  Autori i librit Nehat Jahiu ka afruar për lexuesin edhe fotografi të ndryshme, të cilat plotësojnë dhe i afrojnë lexuesit  mundësinë për të  pa nga afërsia portretin e  Mumin Kastartit. Në të gjitha faqet e këtij libri, fjala e vargu krijon mundësi  për lexuesin e cilësdo kohë që të përjetojë nga afërsia klimën politike të viteve  të 50 e 60-ta, si dhe të ruajë portretin e mësuesit të asaj kohe. Duke lexuar librin me poezi dhe pjesë tjera, arrijmë në njohje sa krenare, po aq edhe të dhembshme për njeriun  e përkushtuar për arsimim e atdhetari.

Kështu, duke shkruar për jetën dhe të bëmat e mësuesit  të përkushtuar për çështjen kombëtare, arrijmë në mesazhin e dhënë nga autori Nehat Jahiu, se sa do që rrethanat jetësore diktojnë heshtjen e pakuptimtë, ato rizgjojnë  veprimtarinë atdhetare të kujtdo qoftë, sikur zilja  e zhurma e nxënësve të shkollës në të gjitha kohët. Ideali në jetë dhe krijimtari artistike i ka lidhjet e gjata  tek të gjithë popujt e botës, e në këto ecje kohësh vjen e radhitet edhe vepra përkushtuese e Nehat Jahiut për mësuesin e atdhetarin Mumin Kastrati.  Ky libër përkushtimesh, ka vlerën e vet të rëndësishme, sepse vepra në tërësi shpalos e ruan  idealizmin  tonë për dije, arsimim e shtet sa më të avancuar e të unifikuar. Puna e karakteri prej njeriu të pathyeshëm ka diktuar që nëpërmes vargjeve të njihet, të përkujtohet me përsiatje personaliteti i  Mumin Kastratit.

Prill 2017

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm