Menu

Vjollca Ajasllari-Koni, poetesha e pjalmit të vargut

User Rating:  / 0
PoorBest 

Kopertina e librit - Ti, qindvjetësh - Nga autorja Vjollca Ajasllari-Koni

Poezia nuk është mendim i vënë në vargje, por është ndjenjë, e derdhur në varg...”
(Lasgush Poradeci)

Nga: Hysen Grajçevci - Hysen GraiçevciPas dy vëllimeve të botuara, “Bio” më 2013 dhe më 2014 “Poseidon, ky malli im”, më 2014, tani kemi në dorë botimin e vëllimit të tretë, me titullin, “Ti, qindvjetësh”. Në të, janë të përfshira, gjithësej, 102 (njëqind e dy) poezi, në të cilat poetja Vjollca Ajasllari – Koni derdhë nektarin e mbledhur, për të na e bërë dhuratë freskie.

Poezia e kësaj autoreje është krijim lirik, ku fjalën e gjetur ia kushton vargut. Aty na duket sikur, për moto, ka mendimin e lirikut tonë të madh, Lasgush Poradeci. Këtë mendim ajo përpiqet, në vazhdimësi, ta jetësojë në vargjet e veta. Poezia e Vjollcës është organike, e cila në vete përmban brumin natyror, të thjeshtën, të bukurën, burimoren, nga ku lindi, u rrit dhe u zhvillua, bashkë me të, në hapërimin jetësor e në përjetimin ndjenjor.

Poezinë e kësaj autoreje e karakterizon nocioni filozofik, si formë e mendimit, ku pasqyrohen tiparet më thelbësore të dukurive dhe të realitetit objektiv. Por nuk mungon as nocioni logjik – letrar i së bukurës, i derdhur në varg, për të fuqizuar strukturën e shtrirjes së poezisë, ndaj rrafshit poetik të kërkuar. Prandaj, kemi të bëjmë me gjetjen e temave, brenda të cilave zhvillohet metafora dhe fjalori figurativ, me shumëllojshmërinë e ngjyrimit poetik e letrar. Fuqia e fjalës, në të gjitha poezitë e këtij vëllimi, është porosi e zhvilluar në ecje, e cila vjen si një vrullimë vullkanike, për t`iu mveshur vargut.

* * *

Autorja e këtij vëllimi, me origjinë nga Greva e Skraparit dhe tani me banim familjarisht në Austri,  vazhdon në rrugëtimin e saj poetik, për të gjetur dhe për ta pajisur shprehjen me të bukurën, qenësinë dhe veçantinë e fjalës, si element estetik e letrar, përkatësisht, estetikën e fjalës, të cilën e shohim, para së gjithash, në karakterin dhe aktin receptiv, në ndërlidhjen e së vërtetës, me të vërtetën estetike.

Poeteja Ajasllari – Koni pati fatin e mirë, dhuratë nga natyra, të thithë të njëjtin ajër, të marrë ngrohtësinë e të njëjtave rreze dielli; të pijë ujë nga të njëjtat kroje, ku shoi etjen dhe u ushqye “poeti rebel” i asaj treve, Xhevahir Spahiu. Siç dihet, me punën dhe magjinë e artit të tij krijues, ky  la gjurmë të ndritshme, në letërsinë shqipe. Ky korife, ndikoi edhe te autorja e këtij vëllimi me poezi, e cila përpiqet ta ketë model për shëmbëlltyrë, në udhëtimin e saj letrar. Si shembull moral e njerëzor, si bashkëvendës dhe si njeri i vlerave, gjatë punës së saj krijuese e letrare, disa herë, Vjollca i kthehet penës së tij, portretit të tij. Në krijimin poetik, me të cilën fillon vëllimi, “Një poezi për Ty”, ajo vazhdon me krahasimet figurative, letrare e poetike, që në letërsi njihen figura stilistike (simbolika letrare). Figura të tilla janë veçori, të cilat shërbejnë për të ndriçuar më mirë anën e shprehur dhe për t`i dhënë gjallëri e përqendrim aspektit figurativ:

Deri sa ti je maja e Tomorit,
ku madhështinë mban kurorë,
dua të jem shtizë flamuri,
mbi bedena kalash, me pishtar në dorë...

Ndërsa te poezia, “Një varg për Ty – Poet”, e prekur thellë nga sëmundja e Xhevahirit, siç shprehet vetë për “Poetin e ëndrrave të saj”, në një çast përmallimi, shkruan:

I trishtë  më vjen vargu, kur shkruaj për Ty!
Më djeg loti, dhimbje kam në zemër,
nga Tomori një shkëndijë,
vjen e ndalet mbi tëndin emër!

Te të gjitha poezitë e Vjollcës, studiuesi, por edhe lexuesi i rregullt, vë re lirizmin e vargjeve, të cilat bartin me vete ndjesinë e lartë estetike dhe brishtësinë, duke tërhequr, kështu, përqendrimin e vëmendjes, për ta lexuar vëllimin, me një frymë. E lindur dhe e rritur në një mjedis magjepsës, autorja di të marrë dhe përafrojë tablotë e saj, për t`i sjellë, më pas, të gdhendura e të kristalizuara, si imazhe të pikturuara dhe me ngjyrime të natyralizuara, të të gjitha stinëve tës vitit. Di t`i kompozojë bukur motivet, në partiturat e vargëzimit dhe di ta intonojë frymëzimin, me notat e butësisë shijuese, që rrëmbejnë botën shpirtërore. Ndjesitë e dashurisë për të bukurën, emocioni shpërthyes poetik dhe malli për vendin, e shndërrojnë në puhizë të lehtë, për të kapërcyer detet e malet, e shndërrojnë në kanarinë, ku nuk lë degë ulliri e bliri, nuk lë degë pishe e shteg ograje; nuk lë burim kroi e lule kopshti, pa i dhuruar fjalën e ëmbël, ngrohtësinë dhe freskinë e vargut; nuk lë pa i marrë nektarin luleve të natyrës, freskinë puhisë ledhatuese, valës a pikëvesës, të bukurën, për ta mbëltuar brenda vargëzimit, për ta sajuar efektin përjetues dhe për ta  nxitur ndjeshmërinë ndaj vlerës, ndaj konstruktit artistik, që ofron.

Në poezinë “Unë shkruaj vargje” shprehet;

Këndoj për fushën, lulet, bagëtinë;
pishat gjelbëroshe, lisat e gjatë…

* * *

Fatin e hidhur, që jo rrallëherë ka goditur popullin tonë, dukuria e shpërnguljes, të mërguarit larg vatrës, e përjetoi edhe kjo poete, e shtyu  atë në kërkim të një jete më të mirë, në një ringjallje të shpresës së re, në një tjetërsim shpirtëror. Megjithatë, te ajo do vazhdojë përçuarja e ndjesive të ngulitura, tani në një formë të kultivuar, në një strukturë të ndërtuar, brenda së cilës do ravijëzohet jeta e ndërlikuar, e derdhur në një realitet letrar. Aspektet shoqërore shpërfaqen të përvijuara në këtë strukturë, me vërtetësinë e përjetimit dhe ndijimit: dhembshuria e dashuria për Atdheun. Malli e mallëngjimi shkrihen në këtë përshkrim me formën, stilin, semantikën, intonacionin dhe ritmin e brendshëm të vargut. Në njëkohësi me këto reflektime, vjen poezia “Aromë Shqipërie“, e cila mundëson përshtatjen e shpërfaqjes së emocionit, në gjatësinë e shtrirjes së motivit:

Jam një copë- jetë Shqipërie,
rrënjët kam lënë atje!…

Vargjet e potes Vjollca Ajasllari-Koni, kaherë, kanë bashkuar kufijtë natyrorë të Shqipërisë. Duke jetuar jashtë Atdheut e duke qenë e pranishme në veprimtaritë letrare, të organizuara nga Bashksia Shqiptare në mërgim, me fjalën e saj artistike, ajo është bërë pjesë e pandashme e tyre dhe, për më tepër, ka depërtuar kudo, ku jetojnë e punojnë ata: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Çamëri e në gjithë diasporën shqiptare. Me buzën shkrumb, shpirtin e pikëlluar, syrin e njomur nga loti dhe zemrën djegur nga malli, poetja nuk ndalet, por si identifikim i vetëvetes dhe Kombit, që përfaqëson, shpreh atë traditë të shkëlqyer, që e bën të ndihet përjetë krenare. Ndarja nga Atdheu, humbja e babait në moshë të parakohshme, largimi nga nëna dhe rrethi familjar, te Vjollca përjetohen me dhimbje të thellë. Është vargu ai, që shoqëron dhe i mundëson poetes të shpërfaqë emocionin e ndjenjës, në njërën nga poezitë kushtuar nënës, me titullin “Të ngremë dolli”:

Nuk i trembem kohës,
që mua më plakë…
Për ditët e tua që ikin,
zemra më  kullon gjak!...

E bindur në misionin, që e karakterizon, ajo ngrihet si në mitizim dhe bën paralelizmin e tokës së prehjes atërore, që i është shenjtëruar dhe shndërruar, në të vetmen prehje dhe paqe të amshuar, për bijtë dhe brezat që kalojnë:

Betohem, me fjalën time në sy,
se frymën e fundit, te Ti, do e lë!...

Janë këto vargje refleksionesh shpirtërore ose një rrëfim, me fillim të pafund?! Me imagjinatën e pasur, ndjesitë emotive, me frymëzimin dhe natyrshmërinë krijuese, që e karakterizojnë: shprehja, ndjenja, dëshira, idetë e largpamësia, për një art sa krijues, po kaq dhe të brumosur e ngjeshur, me tërësinë e fjalës, në  poezinë shqiptare.

Vjollca Ajasllari – Koni është pjesë e këtij kreativiteti, nga vëllimi në vëllim, duke përformuar me individualitetin krijues, një origjinalitet artistik dhe ligjërim poetik. Aktualiteti ynë letrar përfaqësohet edhe me denjësinë e vijimësisë së traditës dhe bashkëkohores, që bartë emrin e saj, sepse ajo hapëron suksesshëm, drejt së nesërmes sonë letrare.

Prishtinë, korrik 2017                                                                                   

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm