Menu

Kontributi i gruas shqiptare në altarin e lirisë

User Rating:  / 0
PoorBest 

Kopertina e librit - Gjak e jetë i dhanë lirisë - Nga autori Selim Musaj

E takova për herë të parë përpara tre vjetësh në Rovereto atë burrë fisnik e flokëbardhë, që pavarësisht peshës së viteve mbi supe nuk përtonte të bënte qindra kilometra rrugë me makinë për të marrë pjesë në aktivitete e iniciativa që kanë të bëjnë me çështje të kulturës, gjuhës e historisë kombëtare.

Ky malësor atdhetar, veprimtar i palodhur shoqëror, thelelues i UNIKOMB-it e kryetar nderi i tij, është edhe autor librash mbi historinë kombëtare e mbi figura të dëshmorëve të rënë në luftë për lirinë e atdheut e çështjen kombëtare.

Kisha lexuar librin e tij "Gjaku i tyre në damarët tanë" shkruar në bashkautorësi me Halil Katanën, kushtuar dëshmorëve të Malësisë së Gjakovës rënë në luftën për çlirim si dhe të dëshmorëve të demokracisë e të luftës së Kosovës. Një punë e lavdishme në evidentimin dhe përjetësimin e atyre figurave që i kanë dhuruar gjakun lirisë.

Autori i librit - Gjak e jetë i dhanë lirisë - Selim Musaj

Dhe ja, të shtunën që kaloi, bashkë me kolegët e miqtë e mi, Klodian Cami e Lili Bimi, udhëtuam deri në Treviso për të marrë pjesë në promovimin e librit të më të ri të autorit Selim Musaj, organizuar nga shoqata kulturore mjaft aktive "Iliria" e këtij qyteti.

Ndodheshin plot aktivistë të kësaj shoqate dhe të shoqatave të tjera në zonë, si; kryetarja e shoqatës "Lidhja e Prizrenit" dhe ish anëtare e keshillit drejtues te FNAI-t Edi Xhyheri, krijues e dashamirës të letërsisë.

Kishte ardhur edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Austri, Imer Lladrovci, si gjithnjë mjaft aktiv, dashamirës dhe i pranishëm në aktivitetet e shoqatave shqiptare e në veprimtati të tjera me karakter kulturor e atdhetar.

Nga Austria kishte ardhur edhe kryetarja e fondacionit "Dukagjini", Shpresa Kameraj Patterer, që organizon një sërë aktivitetesh me rëndësi gjatë gjithë vitit.

Ndërsa nga Koperi i Sllovenisë kishte ardhur kryetari i shoqatës "Iliria" e atij qyteti, Heset Ahmeti, me të cilin jemi takuar edhe në aktivitete të tjera.

Shkrimtarja dhe veprimtarja e njohur e diasporës, Vitore Stefa Leka e poetja Mardena Kelmendi, erfhën nga qyteti i bukur i Triestes.

I pranishëm si gjithnjë gazetari Florim Zeqa, i vëmendshëm në pasqyrimin në shtyp te veprimtarive të komunitetit shqiptar në zonë. Marie Lala, moderatorja e evenimentit, kërkon t'i japë secilit vendin e vet. Ndërsa kryetarja e shoqatës, Ermira Zhuri është gjithnjë në lëvizje, duke u kujdesur për çdo detaj që ky aktivitet të shkojë sa më mirë.

Promovimi i librit - Gjak e jetë i dhanë lirisë - Nga Selim Musaj

Një recension mbi librin "Gjak e jetë i dhanë lirisë" mbajti krijuesi dhe veprimtari i njohur shoqëror Beqir M. Cikaqi, i cili evidentoi vlerat e librit dhe punën e madhe që ka bërë autori për të sjellë portretin e 100 grave luftëtare nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, sidomos nga Malësia e Gjakovës dhe nga e tërë Kosova.

Mbi jeten e aktivitetin e palodhur te Selim Musajt dhe mbi vlera të veçanta të këtij libri folën edhe Ragip Thaqi, Ermira Zhuri, Muamer Murtezani,Vitore Stefa Leka, Heset Ahmeti, Imer Lladrovci, poeti Bari Dervishllari, Mejdi Bislimi, e pjesëmarrës të tjerë.

Vogelushja e talentuar Eriona Halabaku meritoi duartrokitjet me recitimin e saj emocionues. Autori Selim Musaj falënderoi pjesëmarrësit dhe diskutantët që e morën fjalën dhe në mes tjerash tha: "kur është fjala për çështjen kombëtare mosha e një njeriu nuk ka rëndësi, ndaj unë do të vazhdoj të punoj e të shkruaj për sa kohë të kem forca e energji".

Grupi i njohur i valltarëve të Trevisos e bën edhe më të këndshme atmosferën me vallet e bukura shqiptare. Emocionues ishte momenti kur bashkëshortja e autorit i dorëzoi atij një tufë të madhe me lule në shenjë mirënjohjeje dhe krenarie familjare.

Pasditja letrare vazhdoi deri vonë nën tingujt e muzikës së bukur shqiptare.

Ndue Lazri

Promovim i librit "Gjak e jetë i dhanë lirisë" i Selim Musajt

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm