Menu

Autenticiteti i një ditari - dëshmi reale e një zezone

User Rating:  / 1
PoorBest 

Kopertina e librit - Ditari i një luftëtari të UÇK-së - Nga autori Halit Elshani

Nga Bedri TAHIRI - Qysh nga antikiteti është provuar së dëshmia më reale për një ngjarje, për një betejë, për një luftë, për një sakrificë, pa dyshim se është ditari. Shembull tipik që e sforcon këtë mendim është humanisti ynë i madh, bashkëkohaniku i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, kronisti Marin Barleti, me shënimet e tij, me veprat monumentale “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Historia e Skënderbeut”, të cilat u shndërruan në gurrë të pashtershme frymëzimi e informacioni, ku, vite e dekada më vonë, shumë e shumë krijues, shuan etjen e tyre, duke na dhuruar libra e vepra për lavdinë tonë kombëtare, për “Motin e Madh”shqiptar, i cili përmbi një çerek shekulli rrezatoi liri mbi trojet e Arbërit dhe paqe mbi gjithë krishtërimin evropian.

Kjo traditë e bukur vazhdoi edhe më vonë, duke kulmuar gjatë luftës sonë të fundit çlirimtare, gjatë luftës lavdiplote të UÇK-së, udhëhequr nga komandanti ynë legjendar Adem Jashari. Gjatë kësaj periudhe të ndritur lindën shumë ditarë, të cilët, në aspekte e rrafshe të ndryshme pasqyruan besnikërisht realitetin e kohës përkatëse.

I tillë është edhe libri “Ditari i një luftëtari të UÇK-së”, i veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare, krijuesit Halit Xh. Elshani. Në fakt, bërthamën e librit përbën ditari i protagonistit Gani Sylë Shala nga Ruhoti i Pejës, komandant Togu në Lug të Drinit, i cili në vete ngërthen gjithë  golgotën e përjetuar brenda një periudhe zezonë dhe mbijetesën për vesh gjilpëre e nëpër kalvarin e përmasave biblike.

Ditari, ashtu origjinal, autentik, pa ndërhyrje e retushime, paraqet një vlerë të dokumentuar për një periudhë të caktuar kohore, lufte e paslufte, nëpër të cilën, jo vetëm kryepersonazhi, por edhe mbarë populli ynë, në veçanti luftëtarët e lirisë, u përballen me egërsinë mynxyrore të sojzinjve karpatianë dhe ia dolën të mbijetojnë.

Odisejada e Gani Sylë Shalës nis më 23 prill 1998, kur mësyu Alpet Shqiptare, për ta kaluar kufirin vëllandarës e për të marrë armatim në Shqipërinë mëmë, që ta luftoi hasmin shekullor që ia kishte zënë kryet e vatrës. Rruga e tij është e gjatë, e mundimshme e përplot sfida. Ajo e shpie zigzakeve hileqare e përplot rreziqe, nëpër Junik, Gjocaj, Rrasë e Zogut, Shkëlzen, Tropojë e gjetiu. Ai ka edhe shumë bashkudhëtarë e bashkëluftëtarë dhe i bie të takojë luftëtarë trima që vdekjen e shikonin drejt në sy dhe i thoçin plaç, si: Bekim Berishën-Abënë, Bedri Shalën, Ramush Haradinajn, Sali Veselin, Lum Haxhiun, Agim Zenelin, Agush Gjocajn etj.

Trimi atë rrugë e kishte marrë sa e sa herë. Herën e fundit, në të kthyer, fati nuk e kishte mëshiruar. Tek e kalonin Urën e Erenikut plagoset rëndë dhe bie në duart e kriminelëve serbë. Këtu edhe fillojnë të zezat e mëdha për të. Tortura, kërcënime, maltretime. Por, ideali i fortë i mund të gjitha.

Para kriminelit të Pejës, me nofkën „Vula“, paraqitet me emrin e të vëllait, Shemsiut. Dhe, trimi, me nëntë plagët e Gjergj Alisë në shtat, qëndron i pathyeshëm. Fjala e burrit, pesha e gurit! As ndërrimet e burgjeve anë e kënd Serbisë, në Mitrovicë të Sremit, në Nish, në Zajeqar, në Pozharevc, në Prokuple, në Beograd etj., nuk arrijnë ta përkulin këtë lis të fortë trimërie e burrërie.

Ganiu përjetoi edhe sulmin mbi burgun e Dubravës dhe masakrën çnjerëzore që u ushtrua mbi të burgosurit shqiptarë. Takimi me Ukshin Hotin dhe fjalët e tij: „Edhe sikur të na vrasin të gjithëve këtu, Kosova ka djemë e vajza që do t’i dalin zot Kosovës”,- u kishin dhënë zemër të gjithë të burgosurve. Aty pa dhe përjetoi nëntë rrathet e ferrit dantesk, të paparë e të pa dëgjuar në historinë e njerzimit. “Masakra e Dubravës është një brengë e pashlyer në kujtimet e kombit shqiptar. Është një ndërgjegje e thyer në analët e historiografisë ndërkombëtare. Është padyshim një shkelje e rëndë e të drejtave dhe lirive të njeriut të sanksionuar nga Konventa Ndërkombëtare“- konstaton me të drejtë autori Halit Xh. Elshani.

Megjithatë, edhe këtë katrahurë arriti të mbijetoi. Por, vuajtjet e tij, sërish nuk marrin fund. E dërgojnë në burgun e Lipjanit dhe paskëtaj në Nish e në Beograd, ku qëndroi deri në vitin 2001, duke përjetuar torturat më çnjerëzore. Cerberët katilë shkojnë aq larg saqë, për dy javë rresht i bëjnë presion e tortura mizore, një kryq ia vizatojnë në gjoks e një tjetër, të rëndë 5 kg, ia varin në qafë, derisa e detyrojnë të pranojë t’ia jap veshkën një oficeri serb. Mirëpo, për fat, e shoqja e kriminelit, kontakton me Ganiun dhe kur e kupton se ky ishte pjesëtar i UÇK-së, nga urrejtja që kishte për formacionin tonë më të lavdishëm ushtarak, nuk pranon që burri i saj të bartë veshkën e një luftëtari shqiptar të UÇK-së.

Më 7 prill 2001, lirohet nga kazamatet serbe dhe kthehet në Pejë, për t’iu nënshtruar operacionit (heqjes së këmbës) e përballjeve të mëtejme me hilet e jetës, të cilat, edhe sot e kësaj dite e përcjellin si një hije makthi...

Mirëpo, autori i librit „Ditari i një luftëtari të UÇK-së“, i palodhuriHalit Xh. Elshani, i cili deri sot ka botuar mbi tetë libra e të gatshme ka edhe ca dorëshkrime, nuk u mjaftua me kaq. Ai, me një ndjesi të hollë krijuese e me një përkushtim të thellë atdhetarie, faqet e ditarit, të shkruara me penën e ngjyer në gjak lirie, i ka brumosur dhe i ka mveshur me petkun historik, duke e vënë atë dhe heroin e tij në kontekstin e ngjarjeve të përgjithshme kombëtare. Plotësimi me të dhëna për familjen, fëmijërinë, organizimet, veprimtaritë e shumta të luftëtarit të lirisë, Gani Sylë Shala, bëri që libri të dalë një unikat i llojit të vet, një konglomerat interferimesh e diskursesh, që, besoj, do të tërheq vëmendjen e lexuesve kureshtarë. Në fund të fundit ai do të shërbej si një dëshmi e fuqishme për një luftë të drejtë e çlirimtare, për një qëndresë e një mbijetesë si dhe për një gjenocid të paparë që ushtroi një popull ardhacak, i cili edhe duhet dënuar nga drejtësia e botës së civilizuar.

Në përmbyllje po i citoj edhe fjalët e kolegut e krijuesit të shquar Bedri Halimi kur thotë: ”Këtu çdo gjë është origjinale, sepse çdo gjë flitet nga zemra dhe shpirti i njerëzve që e kanë mbijetuar këtë golgotë. Këtu nuk ka komente, këtu ka vetëm argumente”.

Dhe, fare në fund, autorit Halit Xh. Elshani, i urojmë shëndet të mirë e krijimtari të begatë, ndërkaq librit jetëgjatësi në bibliotekat tona.

Galicë, 10 Dhjetor 2017

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm