Menu

Demir Lena - Atdhetari që i kushtoi jetën lirisë

User Rating:  / 0
PoorBest 
Demir LenaSa here na flet historia kur i kushtojmë një shkrim, një personaliteti të kombit shqiptar po ashtu historik, jo rrallë vëmendja na shkon tek secila figurë, e cila jetën dhe veprën e tij e ka lidhur me luftën për çlirimin kombëtar dhe Shqipërinë e lirë e të pavarur. Fati i atdheut mbetet në duart e atdhetarëve, me vetëdijen që ata kanë pasur për idealin e tyre të paçmuar, trashëgiminë shembullore dhe vendin që u takonte duke çuar më lart zërin e të parëve tanë, të cilët para gjithçkaje ose atë çka ishte më e shtrenjtë e quanin atdhe. Jeta e këtyre personaliteteve që spikatën me përpjekjet e gjithanshme për ndryshimin e historisë së kombit të vet mbetet një thirrje për historianët.

Demir Lena u lind në vitin 1855 në fshatin Ladorisht të Strugës në një familje patriotike dhe u edukua duke trashëguar qysh në fëmijëri virtytet e babait të tij Ali Lenës, i cili kishte dëshmuar gjatë jetës, dashurinë për atdheun dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi. Demir Lena mori pjesë aktive si luftëtar i devotshëm dhe komandant i çetës së tij në kryengritjen antiserbe në mes të shtatorit 1913. Kur u mor vesh se ushtria serbe po vinte nga Resnja në drejtim të Ohrit, Demir Lena mblodhi luftëtarët nga fshati Ladorisht dhe rrethinat e Strugës dhe u takua me çetën e Irfan bej Ohrit me Petar Çaulevin e të tjerë. Pas atij takimi çetat morën drejtimin për në Petrinjë, në vijën e frontit në malin e Petrinjës që udhëhiqeshin nga kapedani malësor Dan Cana, Ramadan Bogovica, Çaulevi. Kurse në vijën e frontit duke pasur parasysh se qafa e Bukoves ishte pikë shumë strategjike u thirrën luftëtarët shqiptarë nga Struga të prirë nga Demir Lena i cili luftoi heroikisht kundër ushtrisë serbe. Demir Lena dhe luftëtarët qëndruan trimërisht dhe ushtria serbe pati humbje të madhe. Në këtë shteg malor pati të vrarë edhe nga luftëtarët shqiptarë, ku ra dëshmor Ramadan Bogovica dhe ku ushtrisë serbe i erdhën në ndihmë forca të mëdha.

Demir Lena dhe forcat shqiptare në malin e Pretinjës dhe qafën e Budakovës u tërhoqën gjatë natës dhe vetë Demir Lena mori plagë në trup. Ashtu i plagosur ai arriti në Ohër. Rastësisht e shikon një prift maqedonas. Ai e vuri re që Demir Lena mbante plagën me dorë dhe e kuptoi se ai kishte nevojë për ndihmë. Prifti e mori në shtëpinë e tij duke i dhënë ndihmën e parë. Në mungesë të barnave mjeksore ai merr mashën e skuq në zjarr dhe ia djeg plagën. Gjatë ndihmës ai e pyeti. “Nga e ke marrë këtë plagë”?! “Në përpjekje kundër ushtrisë serbe, - iu përgjigj gjakftohtë komandanti Demir Lena. Në këtë moment prifti maqedonas u shqetësua shumë dhe i tha: “Më vjen shumë keq, por duhet të largohesh shpejt. Djali im lufton në ushtrinë serbe!

Prijësi Demir Lena u largua menjëherë. Në dalje nga qyteti i Ohrit gjatë mbrëmjes posa errësohet, buzë liqenit gjen një lundër. Kjo ishte e vetmja rrugë për t’i shpëtuar kthetrave të pushtuesit dhe bashkpunëtorëve të tyre. Dhe kështu, me lundrën dhe lopatën e vogël, lundroi drejt Pogradecit. Në orët e para të mëngjesit, afër bregut të liqenit sheh një peshkatar i cili e pyeti : « Kush jeni ju ?! Nga vini ?! - Jam Demir Lena, nga Ladorishti i Strugës. Jam i plagosur. Jam mik i Jashar bej Starovës »!. Peshkatari e nxori në breg. E mbështeti në një trung të peme dhe i dërgoi lajm Jashar Beut. Kur e mori lajmin Beu, bashkë me shokët dhe kuajt e tij, shkoi në vendin ku e priste Demir Lena. Në shtëpi të Jashar Beut ai u shërua plotësisht për pesë muaj.

Tokat shqiptare që për fat të keq u ndanë në copa-copa ku mbeti një Shqipëri kaq e vogël edhe pse qëndronte në pikat më të larta të Ballkanit Demir Lena e shtronte çështjen e kombit si një zgjim të të gjithë shqiptarëve që kërkonin përparimin dhe qytetërimin europian. Ai e shihte të ardhmen e shqiptarëve në Europë.

I vendosur në Shqipëri Demir Lena nuk i lëshoi armët nga dora. Ai u bashkua me çetën e patriotit Shaban Blloshmi që luftonte kundër andartëve grekë. Mandej me luftëtarët e tij Demir Lena zbriti në jug në prefekturën e Korçës. Ai u bashkua me çetat e tjera shqiptare, si me çetën e Sali Butkës, Hysen Nikolicës, Shaban Blloshmit, Zalo Prodanit, Kajo Babienit e të tjerë dhe u nisën të gjithë në luftë kundër pushtuesit grek. Demir Lena u emërua oficer i xhandarmërisë shqiptare nga Komisioni Ndërkombëtar i kontrollit

Greqia pandehte se nëpërmjet luftrave do të arrinte qëllimin e saj barbar që ta rrëzonin, themelimin e Shqipërisë edhe pse vetë Europa e themeloi Shqipërinë.

Në mars të vitit 1914 grekët filluan luftën në Korçë duke vrarë, djegur e plaçkitur gjithçka. Populli i rrethinave dhe fshatarët e Korçës morën armët dhe luftuan me trimëri duke i përzënë grekët nga Korça dhe viset rrotull saj. Ushtarët grekë të zënë rob provuan se barbarizmat në Korçë dhe Shqipërinë e jugut i kishte bërë qeveria greke.

Demir Lena së bashku me luftëtarët shqiptarë pa dallim feje, krahine dhe ideje besuan se lufta ishte e vetmja që mund të bënte në atë kohë drejtësi. Ata nuk mund të merrnin mbi vete mallkimin e atdheut dhe fëmijëve të tyre ndaj luftuan burrërisht për të thyer armikun. Ndaj ai luftoi deri në fitoren kundër grekëve që kishin për qëllim të pushtonin jugun e Shqipërisë.

Çështja e mbrojtjes me anë të luftës i bënte jehonë gjithë shqiptarëve se të drejtat e tyre mund ti mbronin ata, ashtu siç i kishte mbrojtur heroi ynë kombëtar Skënderbeu.

Lufta është ajo që e zgjon një komb për tu mbrojtur dhe ruajtur nderin e atdheut. Në luftën shqiptaro-greke bashkë me luftëtarët e kazasë së Korçës erdhën edhe luftëtarë të veriut, për të mbrojtur toskërinë nga armiku barbar grek. Në betejat për çlirimin e jugut të Shqipërisë, në veçanti të Korçës dhanë kontributin e tyre edhe Z. Spencer, konsull i përgjithshëm i Amerikës në Korçë dhe dashamirës i shqiptarëve.

Demir Lena dha një kontribut të madh në betejën e Nikolicës ku gjendej Jashar bej Starova me 140 luftëtarë besnikë. Lufta filloi që pagdhirë ditën e 24 prillit 1914 nga andartët grekë që përbëheshin nga afro 3000 veta. Lufta u bë fort e rrezikshme sepse armiku me aq shumë ushtarë, topa dhe mitralozë mund ta rrethonte në mes Nikolicën dhe të luftonte pa ndrojtje në të dyja anët me qëllim që ti vriste të gjithë luftëtarët shqiptarë ose t’i kapte të gjallë. Mirëpo Demir Lena, strateg, vizionar dhe luftëtar i shkëlqyer me të parë rrezikun e rrethimit i shpërndau forcat shqiptare kodrave përreth, i mori krahun armikut duke luftuar me aq burrëri e heroizëm sa ushtria greke zu të thyhej e të dërmohej. Gjatë betejës që po zhvillohej në Nikolicë, erdhi për ndihmë kapedan Kajoja, Shaban Blloshmi, Refat Blloshmi, etj. Ata pas betejës së Arzës arritën në kohën e duhur t’u vinin në krah luftëtarëve në Nikolicë duke luftuar me trimëri të rrallë edhe pse ushtria greke ishte e armatosur me topa e mitralozë. Gjithashtu në këtë betejë mori pjesë edhe vetë populli i Arzës të cilët në çdo betejë kanë treguar heroizëm të lartë.

Për këtë betejë Jashar bej Starova, shkruan në gazetën “Koha”, të Korçës: “Lufta në Nikolicë filloi ditën e enjte me 24 prill. Lufta krisi në Nikolicë me kapiten Vardën atje ku isha unë me luftëtarët e mij, prej të cilëve 40 i ndava se kishin armë. Në emrin e Shqipërisë u betuan të gjithë luftëtarët. Nën urdhërin e zotit oficer Demir Lena u pikas dhe në minutë mori 40 luftëtarë që kish marrë me vete nga Struga dhe 50 luftëtarë prej Arze. Këto luftëtarë vullnetarë, në krye me Demir Lenën u emëruan “Tabori i Strugës. Kjo betejë qe e rreptë dhe armiku u dërmua. Lufta zgjati shumë derisa andartët grekë arritën në kufirin grek. Midis ushtrisë greke të vrarë ishin edhe tre oficerë grekë. Në lidhje me këtë betejë shkruajtën edhe gazetat e huaja, si gazeta londineze « Tajms », gazeta parizene « Figaro », gazeta belge « L’Etoile », si dhe shtypi europian, grek, amerikan etj.

Oficeri ynë Demir Ali Lena u shqua për trimërinë e tij të madhe në luftën e Nikolicës duke vrarë 30-40 andartë grekë dhe me qindra të plagosur. Ishte meritë e tij organizimi i kësaj beteje të lavdishme. Ai u bë shembull dhe emri i tij ze faqen më të bukur të përlindjes së Shqipërisë. Kjo figurë kryesore e ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare, megjithëse për disa kohë mbeti në heshtje të shurdhët për shkak të regjimit sllav, asnjëherë nuk u shua nga zemrat e shqiptarëve. Kauza e tij largpamëse ishte një komb i vetëm shqiptar. Ai i ndoqi deri në Mokër rebelët haxhiqamilistë dhe esadistë që luftonin nën flamurin turk.

Pas betejave të mëdha heroike Demir Ali Lena u kthye në vendlindjen e tij në Ladorisht. Regjimi serb që e dinte se ai i kishte bërë një shërbim të shenjtë kombit shqiptar, u hakmor duke i vrarë pesë djemtë e tij. Serbët besuan se do ta thyenin shpirtin e heroit. Por Demir Lena mbi gjithçka kishte në shpirt atdheun e tij. Gjaku i djemëve i duhej kombit shqiptar.

Ja çfarë shkruan Shaban Blloshmi për luftëtarin e lirisë Demir Lena në gazetën « Koha »: Oficeri ynë Demir Lena tregoi se ishte në rradhë të parë një luftëtar i vyer, trimëria, zgjuarsia, vetëmohimi dhe heroizmi i tij nuk tregohet dot.

Në tetor të vitit 1944 pushtuesit gjermanë sulmuan dhe rrethuan Ladorishtin duke djegur pjesën më të madhe të këtij fshati nga ku kishin dalë luftëtarë trima për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare. Ata pushkatuan mbi 120 persona dhe midis tyre legjendën e luftëtarit të lirisë Demir Lena. Populli i këtyre trojeve shqiptare e kujton me krenari veprën dhe jetën e tij. Ideja se : Ky vend ka Zot, dhe Shqipëria është e shqiptarëve ka mbetur ideali i të gjithë brezave. Ndaj përjetësimi i heroizmit të Demir Lenës duhet të ngrihet në piedestalin e lirisë.

Për kontributin ndaj atdheut dhe veprës së tij heroike Demir Lena u dekorua me urdhërin: « NDERI I KOMBIT », nga presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë, si luftëtar i shquar i lirisë e pavarësisë së kombit shqiptar duke përjetësuar kështu jetën dhe veprën e tij.

Mëvetësia e Shqipërisë nuk mund ta arrihej pa kryengritjet dhe betejat e armatosura në të gjithë trojet shqiptare. Kurorëzimi i përpjekjeve e luftrave të popullit tonë për pavarësi kombëtare bënë që aspirata e shqiptarizmës të ishte çështje e madhe e kombit më të vjetër të Europës. Pesha e lirisë për të qenë një komb më vete me të drejtat e tyre kombëtare si popujt e tjerë të Ballkanit mbetet dhe sot një e drejtë e pamohuar e shqiptarëve.

Violeta Allmuça / Shkrimtare



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm