Menu

Ndikimi i mendimit politik të Ukshin Hotit në çështjen Kombëtare

User Rating:  / 0
PoorBest 
Karakteri shumë dimenzional i mendimit të Ukshin Hotit

Nga Mr. sc Ymret Reshiti Ukshin Hoti- Mr. sc. Ymret ReshitiMendimi politik i Ukshin Hoti paraqet mendimin më të guximshëm politik shqiptar në ish Jugosllavi që nga vitet 1945-1991, ngase u bë intelektual dhe zyrtari i parë i ish krahinës së Kosovës që mori mbi supe misionin e shenjtë të mbrojtjes dhe legalizimit të së drejtës së Kosovës për republikë, në kohën kur fatet e popullit shqiptar nën Jugosllav ishin në rrezik.

Gjatë kësaj periudhe kohor mendimi politik për Çështjen Shqiptare në ish Jugosllavi dhe çështjen e republikës së Kosovës, shtrinte shtrat dhe zhvillohej në ilegalitet të thellë nga veprimtarët e kohë.

Demonstratat e pranverës së vitit 1981 sollën zgjimin kombëtarë në Kosovë dhe kudo që kishte shqiptar, dhe pikërisht ishte kjo ngjarje që solli edhe shpërthim intelektual të profesor Hotit, këtij uragani të mendimit politik të çështjes kombëtare shqiptare, i cili rrezatoj dritë atdhedashurie mbi errësirën që politika sllave na kishte krijuar para syve tanë, nën parullën e bashkim –vëllazërimit dhe internacionalizmin socialist.

Ishte profesor Hoti, i cili lidhur me demonstratat e studentëve të prillit të vitit 1981 në mbledhjen e OB të LK’së në fakultetin Filologjikë me 19.11.1982, bëri mbrojtjen e demonstratave të studentëve, me argumente shkencore duke theksuar se demonstrata dhe kërkesa për Kosovën republikë ishte evolucion i kohë, i shkaktuar nga pabarazia statusore ekonomike e Kosovës si njësia më e varfër në federatë dhe pikërisht kjo pabarazi kishte shkaktuar Jazin e madh social të Kosovës me njësit tjerat të zhvilluara të Jugosllavisë.

Si politikan vizionar dhe i guximshëm, profesor Hoti përpiqej të bindte politikën zyrtare në Kosovë, Serbi dhe Jugosllavi, se do të ishte i dobishëm avancimi politik  statusor i Kosovës nga krahina në republikë, duke potencuar rolin esencial që  ka vendosja politike në përcaktimin e parakushteve për zhvillimin ekonomik dhe të  hovshëm në këtë krahinë.

Ai insistonte fortë që këto ngjarje të kuptohen në ligjshmëri me shkaqet dhe rrethanat dhe mos të merren të fragmentuara dhe shkëputurazi sepse të gjitha bashkërisht përbënin një unitet dialektik  shkak - pasoj. Në kontekst të  kësaj prof. Hoti thoshte: Për këtë shkak kjo që ngjau, dhe kërkesat që u shtruan në atë mënyrë, esencialisht ndodhën brenda kësaj ligjshmërie dhe nuk mund të shpjegohen jashtë saj. Me fjalë të tjera, kërkesa për Republikë në esencë nuk është asgjë tjetër veçse kërkesë për zhvillim të shpejtuar dhe të gjithanshëm ekonomik.

Mendimi politik i profesor Ukshin Hotit ishte mendim që përbrenda tij kultivon demokracinë me vlerat e saj më sublime, atë lirisë së mendimit dhe të fjalës. Atë demokraci të cilën e kultivoi brenda vetës së tij të madhe edhe pse jetonte në një ambient fare të ngushtë, për përmasat e tij intelektuale që i pati, që jetoi në një ambient  ku çdo qastë  përballej me përndjekjen, burgimin, izolimin dhe lënqimin (bojkoti). Profesor Hoti në gjykimin e vitit 1994, i drejtohet me këto fjalë gjykatës serbe: ”Ju të gjithë e dini se republika e Kosovës ekziston; se ndodhet në procesin e krijimit të institucioneve vetjake, dhe mund të pohoj se republika e Serbisë de facto e njeh”. Liria e mendimit dhe fjalës u mishëruan pandashëm me profesor Hotin, i cili kudo që gjendej  kultivonte dhe mbronte me fanatizmin intelektual dhe patriotik këto vlera, në gjykime, burgje, izolime, në gazeta, protesta dhe tubime, kudo që i jepej mundësia. Ai paraqet avokatin më të madh të Çështjes Kombëtare, i cili krijoi një praktik të re gjyqësore, që nuk njihej deri atëherë nga gjyqësori ngase përmes fjalës së tij të mbrojtjes, para gjykatës serbe, në mënyrë brilante bëri mbrojtjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare, me fakte dhe dëshmi historike, politike, ekonomike, sociale dhe praktike, kështu duke demaskuar para botës regjimin serbo sllav, i cili përmes gjykimit të shqiptarëve, po e gjykonte dhe e dënonte të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe Bashkim Kombëtar.

Mendimi politik i  Ukshin Hotit ishte mendim  paqësor dhe jo ekstremistë, ngase jepte porosinë paqësore, pasi që ndiqte rrugën institucionale të realizimit. Profesor Hoti shprehej, "Duke e njohur edhe de jure republikën e Kosovës, serbët nuk bëhen popull më i vogël dhe as shqiptarët popull më i madh. Në këtë mënyrë ata do të bëheshin të tillë çfarë janë në të vërtetë". Luftën e parashihte si proces të pashmangshëm, bazuar në zemër ngurtësinë e politikës  serbe  për të pranuar Kosovën si republikë, ashtu siç e shihte si proces të pashmangshëm pavarësinë e Kosovës dhe Bashkimin Kombëtar. Për luftën profesor Hoti thoshte: “Një popull që nuk i frikësohet luftës mund të jetë vetëm i marrë, por frika e luftës kurrë njëherë, asnjë popull, nuk e ka penguar të luftojë për idealet e veta. I takon virtytit të mençurisë së një populli përpjekja që idealet e veta t'i sendërtojë pa gjakderdhje. Do të duhej të ishte në natyrën e idealit të sendërtohej pa gjakderdhje”.

Mendimi politik i Ukshin Hotit ishte force nxitëse dhe shtytëse, në lëvizjen e proceseve politike në vend e rajon sepse kreativitetin shkencor të politikës e ndërlidhte me rrethanat politike që mbretëronin asokohe. Aksioma e mendimi politik të Ukshin Hotit ishte: Veprim, rezistencë, qëllim, unitet, rezultat. Mendimi politik i profesor Hotit kërkonte rezistencë aktive ndaj regjimit Serb. Sipas Profesor Hoti, rezistenca  aktive nënkuptonte aksionin ”se duhet të jesh më i pranishëm në ngjarjet, më agresiv në kërkesat, më i vendosur në pikëpamjet tua dhe më demokratik në hapësirën informative”. Mendimi i tij politik mishërohej me argumente shkencore dhe në  lidhje dialektike me tërë proceset politike të kohës, diku duke ju prirë e diku duke i shtyrë ato tutje.

Mendimi i tij politik i Ukshin Hoti ishte i drejtpërdrejt dhe bindës. Në shprehjen e mendimit të tij, i shmangej dykuptimësive, sipërfaqësisë dhe përgjithësimeve. Ai dëshironte që të kuptohej drejtë ajo që e mendonte dhe që e shprehte sepse vetë kështu mund të kuptohej “esenca e çështjes” dhe mund të gjendej zgjidhja. I vetëdijshëm se mendimi i tij ishte i drejtë, e mbronte deri në imtësi me guximin dhe me sakrificën më të madhe intelektuale dhe patriotike. Profesor Hoti me bindje thoshte se “Një popull, ose e dëshiron realizimin e një qëllimi politik, dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund të jetë tjetër pos bashkimit të tij një shtet të vetëm shqiptar”. Në lidhje me luftën e popullit Shqiptarë për vetëvendosjen e Kosovës dhe bashkimin kombëtar  shqiptar në një shtet, bindja e profesor Hotit shkonte deri në sakrificën e tij, i cili thoshte: “Nuk ekziston asnjë arsye me peshë që të mos fitohet kjo luftë. Ndoshta do të humbet ndonjë betejë, por lufta doemos do të fitohet, sepse kurrë njëherë nuk do të pajtohemi me rënien e jetës”.

Mendimi politik i Ukshin Hoti nuk kishte kurrfarë ngjyre ideologjike, pos idealeve të shenjta të popullit. Nuk është e drejtë që ai të akuzohet, herë si majtistë e herë si djathtist, vetëm pse promovonte më shumë se çdokush tjetër konceptin e demokracisë. Ishte çështje e maksimës së tij  të ndërlidhjes së tij me popull dhe për popullin. Profesor Hoti angazhohej që demokracia ndër shqiptarët të linde natyrshëm, pa imponime dhe pa kopjime. Vetëm Demokracia autentik ishte demokracia e vërtet me tërë fizionominë e saj natyrore dhe ai ishte kundër fragmentarizmit të demokracisë dhe stereotipave të saj. Sipas prof. Hotit “Demokracia Autentike me një linjë të qartë të zhvillimit dhe të orientimit të vet dëshiron që t'u ofrojë mundësi të barabarta, të gjitha opsioneve -që të shfaqen, të gjitha specificiteteve-që të shprehen, dhe të gjitha angazhimeve -që të marrin trajtë... ajo nuk dëshiron ta detyrojë shoqërinë t'i përshtatet demokracisë, por që demokracinë t'ia përshtatë shoqërisë.”

Mendimi politik i Ukshin Hotit është mendim thellësisht intelektual, që vinte në spikamë urtinë. Profesor Hoti thoshte “Okupatorët provojnë që përmes individit të kontrollojnë masat e gjera...” Ai përkujtonte udhëheqjen  politike të Kosovës për obligimin që kishin ndaj popullit, që të mos bënte gafe në dëm të çështjes së Kosovës ose ,,axhamillëk”. Sipas tij “Vrapimi pas famës mund të shpjerë në donkishotizëm, kurse veprimet politike kanë kuptim në vete, vetëm atëherë kur një njeri apo shumë sish me veprimet e tyre bëjnë që fama t’u vijë pas“. Gjatë një ligjërimi të profesor Hotit në një tubim, një aktivist politik i kishte drejtuar një pyetje provokative profesor Hotit duke i thënë ”se mos doni të na ktheni komunizmin?”Por profesor Hoti me urtin që kishte, ia ktheu: “Jo, por duam t’ua çrrënjosim feudalizmin”.

Mendimi politik i Ukshin Hotit është mendim  vizionar. Në lidhje me perspektivën e kombit shqiptar, profesor Hoti thoshte: “Perspektiva e bashkimit të shqiptarëve në një shtet shqiptar rrjedh pikërisht nga nevoja e zhvillimit, nga nevoja e rritjes së brendshme dhe nga theksimi i dobisë së përgjithshme prej saj”. Vizioni i Ukshin Hoti tejkalonte kombëtaren dhe mbizotëronte ndërkombëtaren. Si luftëtar i denjë për lirinë dhe pavarësinë, ai insistonte që edhe Evropa e Bashkuar të ishte faktor i rëndësishëm dhe domethënës në proceset globale, në shërbim të vetvetes dhe jo në shërbim të diktatit të të tjerëve. Profesor Hoti thoshte: ”Evropën e Bashkuar nuk e shoh si mbështetje të diktatit të një apo dy fuqive, por në mbështetje të popujve të saj. Evropa do të duhej të ishte në funksion të vetvetes, e jo në funksion të dominimit të jashtëm.”

Mendimi politik i Ukshin Hoti për shumë vite u bë institucion i fuqishëm  që brumoste thukët argumentet shkencore dhe praktike, mbi të drejtën e Kosovës për republikë dhe zgjidhjen e drejtë të Çështjes Shqiptare në Ballkan. Mendimi i tij politik u bë Muzë mbrojtëse dhe fije shpresë për rinin e rebeluar studentore kundër zgjedhës serbo jugosllave, dhe si fanar u rrezatoi mendjeve të tyre të njoma, duke iu trasuar rrugën e drejtë dhe autentike të çlirimit, pavarësisë dhe bashkimit. Mendimi politik i profesor Hotit u bë pikë strehë dhe  pikë referimi në krijimit dhe zhvillimit e rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mendimi i politik si doktrinë politike Hotiane

Dekada e vitit 1981-1991 mbeti nën hijen e mendimit politik të Ukshin Hoti, si mendim i vetëm që i kundërvihej propagandës dhe elaborateve serbo sllave ndaj Kosovës dhe Çështjes Shqiptare në Ballkan, prandaj, nuk do të ekzagjerojmë nëse themi se kjo dekadë mund të quhet si  dekada e mendimit politik Hotian.

Vlera e mendimit të tij politik dhe filozofik, janë vlera të pamohueshme, të pakapërcyeshme, që burojnë nga një mendje thellësisht intelektuale, që mendimin e tij politik autentik, e ngre mbi të vërtetën historike juridike të kombit shqiptar, në rrethana tepër të vështira për kombin, i cili mendim pastaj u formësuar në doktrinë politike Hotiniane.

Ukshin Hoti është princi i mendimit politik shqiptar, krahas princave tjerë, të kombit shqiptar si: Sami Frashri, Ismajl Qemajli, Hasan Prishtina, Fan Noli, Gjergj Fishta etj.

Dimensioni i mendimit të tij politik, më së miri profilizon figurën e ndritur të profesor Ukshin Hotit, të cilin e bënë KOLOSË të mendimit politik Shqiptar.

Sa herë që do të mblidhemi për të folur për Ukshin Hotin, gjithnjë e më shumë do të kuptojmë se kemi thënë mjaftë pak ...fare pak dhe do të bindemi, se për të kemi për të thënë shumë e më shumë, ndër vite e brez pas brezi.



Komente   

 
0 #4 Miri 2013-05-23 06:07
Shume shkrim i mire.Verte paska nje analize profesionale e figures se te madhit Ukshin Hoti. Krenarise politike qe e ka kombi shqiptar dhe qe nuk e kuptuan kurr deri ne fund mendimin e tij, dhe as sot kur nuk eshte ne mesin tone. Nje kompliment per ty z.Rashiti qe na ke sjellur ne menyre kogja te formatuar figuren dhe mendimin e tij politik, Te zberthyer mire dhe ne shume dimensione. te kisha lute qe te angazhohesh me nje punim kushtuar kesaj figure sepse vertet per mua je njeri i pare qe me se miri keni kuptuar dhe keni zberthyer mendimin politik dhe figuren e Ukshin Hotit ma mire dhe me shume se qdo shkrim deri me tash. Kuptova se ishe i Rahovecit dhe bashqytetar i profesor Ukshinit. Permes ketij shkrimi kam fituar pershtypjen se koka jonte nuk eshte larg nivelit te kokes se Ukshin Hotit. Nuk eshte kompliment por realitet sepse zberthyesit e enigmave eshte aq i vlereshem sa krijuesi i enigmave.
Quote
 
 
0 #3 komentLogu 2013-05-22 11:42
Shkrim shume nice.
E kom lexu krejt me ka pelqy.
Quote
 
 
0 #2 komunetZena 2013-05-22 09:47
Koka nji shkrim shume i mire. Me bon te krenohem qe kemi nji patrot si Ukshin Hoti. Para lufte kam ndegju pak per ket trim te madh dhe itelektual. Ju kisha thon me lexu ket shkrim dhe me shpernda sa ma shum per me dit Kosova kush esht Ukshin Hoti.
Quote
 
 
0 #1 komentAtdheu 2013-05-21 11:01
Me pelqen ky shkrim per patriotin e madh Ukshin Hoti.
Ky shkrim dallohet per nga origjinaliteti i shprehjeve dhe konstaimeve per figuren e profesor Ukshin Hotit.
Te lumt zoteri Reshiti per kete shkrim sepse jemi mesuar te lexojme e te degjojme ne menyr te perseritur fajale te njejta nga disa personalitete per profesorin U.Hotin.
Ky shkrim na sjell nje risi ,origjinalitet dhe freski dometehenese tek opinioni i gjere sa i perket figures se ketij patrioti te madh te kombit shqiptar.
Ja vlene te lexohet e te rilexohet ky shkrim dhe te shperndahet me te madhe te lexuesit.
Sinqerisht Alberti.
Quote
 

Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm