Menu

Në ditëlindjen e shqiptarit të madh, Afrim Zhitia

User Rating:  / 0
PoorBest 

I dashur axha Osman, e dashura nëna Qamile, të nderuar pjestarë të familjes së heroit të kombit Afrim Zhitia,
Të nderuara familje të heronjve e dëshmorë të kombit,
Të nderuar invalidë, veteranë e luftëtarë për lirinë dhe çlirimin e atdheut,
Të nderuar të pranishëm,

Afrim Zhitia: Patrioti e veprimtari i madh i çështjes kombëtareSot e ka ditëlindjen patrioti e veprimtari i madh i çështjes kombëtare, ish i burgosuri politik, udhëheqësi e sekretari organizativ i Komitetit Drejtues të LPRK-së, heroi i kombit Afrim Zhitia.

Në vitin e largët, më 14 shkurt 1965, në Llugën heroike të krahinës së Llapit të panënshtruar nëpër shekuj, nëna e madhe Qemile, e cila është sot në mesin tonë, solli në jetë djalin e saj, Afrim Zhitinë, i cili u bë nderi dhe krenaria e popullit shqiptar.

Sot e ka ditëlindjen shqiptari i madh, Afrim Zhitia, që luftës për liri, historia dëshmon se i hyri me shumë vendosmëri. Kishte shumë arsye të mëdha që luftën për liri ta fillonte e të mos e ndalte kurrë ky burrë, sepse që në fëmijëri kur kishte filluar ta mësonte historinë e familjes, ishte informuar se dy gjyshërit edhe nga babai edhe nga nëna ia kishin vrarë të njëjtit armiq, pra pushtuesit serbë.Ky realitet i hidhur tragjik nuk kishte pasur mundësitë mos të hetohej qartë e të mos vihej në spikamë, që do t'i shërbente për të marrë masa të mëdha organizative, në drejtim të organizimit të luftës politiko-ushtarake të popullit shqiptar të Kosovës dhe Viseve të saj.

Historia e popullit shqiptar, njeh pak, shumë pak shqiptarë që kanë rënë në Prishtinë, duke luftuar me armë në duar. Dhe njëri ndër ata të pakët shqiptarë të mëdhenj që e ka ujitur Prishtinën me gjakun e tij është edhe Afrim Zhitia, i cili së bashku me Fahri Fazliun, në Bregun e Diellit, u bënë  dielli çlirimtar, duke ndriçuar me gjak mbi tokën e robëruar të atdheut të tyre!

Afrim Zhitia i erdhi atdheut si një prej lindjeve më të mëdha.

Korpusit të madh të luftëtarëve çlirimtarë Afrim Zhitia jo vetëm iu bashkua, por i doli në ballë dhe e udhëhoqi me shumë sukses  e dinjitet, duke dëshmuar shkathtësitë e mëdha organizative dhe qartësinë e prerë politike kombëtare, për çlirim të domosdoshëm të Kosovës nga dhuna e Serbisë pushtuese.

Pak ditëlindje të të mëdhenjve i nderojnë dhe i festojnë popujt e ndryshëm, por në mesin e atyre që populli ia feston dhe lindjen edhe rënien heroike, është edhe heroi i kombit Afrim Zhitia, e kjo jo vetëm e thjeshtë, pse ka rënë heroikisht në luftë të armatosur me armiqtë shekullorë, por edhe pse ishte një nga bijtë e rrallë në udhëheqje të lartë, që kishte dhënë shumë në konsolidimin me çdo kusht të lëvizjes politike ilegale patriotike të Kosovës dhe viseve të saj, që i ishin shkëputur padrejtësisht Shqipërisë!

Të nderuar të pranishëm,

Të shumta janë lindjet anembanë globit, edhe të popullit shqiptar. Kjo ka ndodhur gjatë gjithë historisë së njerëzimit, por të pakta janë ato lindje të atyre personaliteteve që nderohen e respektohen. Pra, në mesin e personaliteteve të mëdha kombëtare qëndrohet me shumë respekt e mirënjohje është edhe heroi i kombit Afrim Zhitia. E si të mos nderohet e respektohet Afrim Zhitia kur tanimë të gjithë e dimë se atdheut ia kushtoi tërë jetën e tij të paktë në vite, por të rëndë për nga pesha dhe të madhe për nga vlera e saj.

Me vetëm 24 vjet u bë yll i vërtetë i kombit.

Edhe në aktivitete të ndryshme shkollore, ku  i hyri aktrimit, dhe shokët thonë se kishte shumë talent. Edhe si gjimnazist kur nisi jetën e veprimtarinë e organizuar politike ilegale.

Edhe kur u arrestua e u burgos dhe gjatë tërë qëndrimit në burg qëndroi me stoicizëm e heroizëm.

Ia ndryshuan datëlindjen, për t'ia dhënë tetë vjet burg, ngase ndryshe nuk mund ta dënonin, sepse ishte i mitur e as ligji nuk e lejonte të dënohej!

Është njëri nder të vetmit ose nga të rrallët që kalon në ilegalitet me vetëdije të plotë, këtë e dëshmojnë shumë fakte, por që e vlen këtu të thuhet në mesin e llapjanëve të tij të dashur e të nderuar, se vetëm Afrim Zhitia vjen në Kosovë nga shërbimi ushtarak në pushim dhe nuk kthehet më, por i dërgon me postë rrobat e ushtrisë në kazermën e APJ-së!

Mund ta imagjinoni në atë kohë të ndërmerrej një veprim i tillë dhe se sa shumë duhej të ishe i vendosur, sepse do të vepronte një aparat i tërë i sistemit të Jugosllavisë së atëhershme për të gjurmuar e kapur.

Të gjithë të rënët për atdhe meritojnë të nderohen jo vetëm atë herë kur kanë lindur dhe atëherë kur kanë rënë, por heroi i kombit, Afrim Zhitia, që së bashku me heroin e kombit, Fahri Fazliun, e ujiten me gjak tokën e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinën, meriton t'i nderohet, pos ditëlindjes e ditërënies, çdo sekondë e jetës së tij, sepse e tërë jeta e tij ishte në funksion të luftës për liri e çlirim të Kosovës dhe viseve të saj.

LAVDI HEROIT TË KOMBIT AFRIM ZHITIA!
LAVDI TË RËNËVE PËR LIRI!

Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 14 shkurt 2014

 

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm