Menu

Atdhetari i shquar LLambi Kota, ende i panjohur

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nëpërmjet dokumentesh që botohen për herë të parë

LLambi KotaNë nëntor të vitit 2009, bije zilja e telefonit të shtëpisë time dhe një zë nga larg prezantohet dhe thotë: -Jam Elida Jorgoni. Kërkoj Z. Llambi Kota?-Unë jam, ia ktheva. Doja t'ju pyesja, vazhdoi ajo,-Si quhet gjyshi juaj? Llambi Kota, ja ktheva unë. Atëhere, tha ajo, më së fundmi të gjeta dhe më dëgjo me vemendje. Me rastin e festimeve kushtuar 100 vjetorit të Kongresit të dytë Kombëtar të Manastirit, që u zhvillua nga data 09 deri më 11 prill 1910 në qytetin e Manastirit, është ngritur një komision organizativ për të drejtuar dhe udhëhequr gjithë punën për të realizuar tërë programin e përcaktuar për organizimin e festimeve. Ndër të tjera komisioni po përpiqet të gjej dhe të ftoj për të marrë pjesë në ceremoninë e festimeve delegatë të Kongresit dhe në pamundësi të tyre, pinjoj, bijë apo bija të tyre. Me këtë rast duke qënë se Llambi Kota ka qënë kontribues në atë Kongres dhe pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës 23-26 korrik 1909, si një nga katër delegatët përfaqësues të qytetit të Korçës dhe meqënëse Llambi nuk është më në jetë, jeni i ftuar ta përfaqësoni, pasi jeni nipi i tij dhe mbani po të njëjtin emër. U befasova, por befasi e këndëshme. Nuk u besova veshëve të mi, ndaj iu drejtova bashkëbisedueses: lutem mundësisht ma thoni edhe njëherë problemin sepse nuk e mora vesh plotësisht. Zonja Elida pa hezituar aspak. plot gatishmëri, elegancë dhe kujdes i përsëriti edhe njëherë fjalët që më kishte thënë pak më parë. E falënderova dhe i shpreha mirënjohjen më të thellë për gjithçka që më tha në emër të komisionit organizator, për të cilin iu luta ti transmetonte falënderimet dhe mirënjohjen time. Menjëherë një ndjenjë gëzimi më përfshiu dhe zemra po më rrihte më fort. Deri në atë moment nuk kishja asnjë dijeni për veprimtarinë patriotike të gjyshit tim, por vetëm disa të dhëna të pakta për jetër jetën e tij, të cilat i kishja dëgjuar nga im atë dhe nga familjarët e mi. Sipas tyre të parët e tij ishin larguar nga Berati në vitin 1801 dhe ishin vendosur në qytetin e Korçës në vitin 1803, ku kishte lindur gjyshi dhe babai i tij. Llambi-gjyshi im kishte lindur më 21 mars 1878 në Berat në shtëpinë e Kota-ve në lagjen Kala.

Në Egjipt

Në vitin 1881 familja e tij ishte vendosur në Lagjen Goricë dhe në vitin 1888 u largua nga Berati dhe emigroi në Egjipt ku u vendos në Aleksandri. Në tetor  të vitit 1909 ai u kthye në Berat. Në 5 tetor 1909 e shoqja Elena i solli në jetë djalin-Jorgjin dhe më 21 prill 1912 të bijën Evgjeninë, por  Llambi qendronte shumë pak në Berat, kohën më të madhe e kalonte në qytetin e Korçës ku kishte kushërinjtë dhe prej andej dërgonte mallra për dyqanin e tij në Lagjen Goricë në Berat. Në 21 prill 1912 Llambit i vdiq  gruaja Elena dhe në korrik 1918 e bija e cila u sëmur nga kolera që si epidemi përfshiu qytetin e Beratit asokohe. I biri shpëtoi për mrekulli sepse familjarët e Elenës e strehuan fillimisht në Ballësh dhe pastaj në Drobonik. Duke mos gjetur gjurmët e Llambit ata e pandehën të vdekur nga kolera. Më 28 janar  1922, dajllarët e larguan Jorgjin nga Berati dhe e sistemuan në Tiranë. Në rregjistrimet e organizuara nga administrata e Shtetit Shqiptar, të afërmit e Jorgjit e deklaruan Llambi N. Kota të vdekur. Kaq dijeni kishja për jetën dhe familjen e gjyshit tim, prandaj lajmi që mora nga Zonja Elida Jorgoni më befasoi dhe më ngjalli dëshirën, shpresën dhe kuriozitetin të njihja jetën dhe veprimtarinë e tij që për mua ishte e panjohur dhe që në të vërtetë më takonte plotësisht mua ta zbuloja.  Pranova me krenari dhe kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në ceremonitë e festimeve që do të zhvìlloheshin në qytetin e Manastirit në datat 9--11 prill 2010 me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të dytë të Manastirit. Mora pjesë në ato festime së bashku me bashkëshorten  time dhe në shoqërinë e Z. Perikli Jorgoni e të tjerë, duke demonstruar patriotizmin tonë në Shtëpinë Muze të A, B, C, në shtëpinë e motrave Qiriazi dhe në ambientet e caktuara për atë manifestim. Flamuri Shqiptar u shpalos e u valëvit në rrugët e qytetit të Manastirit dhe ne kënduam këngë patriotike.

Që nga ai çast në ndërgjegjen  time qytetare më lindi një ndjenjë kureshtjeje dhe dëshirë e madhe  për ti hyrë punës për të zbuluar dhe mësuar mbi veprimtarinë atdhetare e politike të gjyshit tim. Shumë mendime, dilema, mjaft të panjohura, të shoqëruara me njëfarë ndjenje mosbesimi në vete dhe pasigurie më qarkullonin ato çaste të para. Sidoqoftë isha i vendosur t'ja nisja punës. Në momentet e para më dhanë kurajo disa të fakte, ndonëse shumë episodike, për jetën dhe veprimtarinë e gjyshit tim Llambi Kota që i mësova gjatë ditëve të festimit të 100 vjetorit të Kongresit të dytë të Manastirit në Manastir, në stendat e Muzeut kushtuar atyre ngjarjeve Kombëtare, sidomos fotokopje të gazetave shqiptare të viteve 1908, 1909, 1910 në të cilat gjeta edhe të dhëna për veprimtarinë e gjyshit. Gjithashtu dhe në biseda të lira me pjesëmarrës në festime të cilët më rekomanduan edhe burime ku mund të gjendeshin të dhëna të tjera për gjyshin tim Llambi Kota. Pjesëmarrja në ato festime më hapi një horizont të ri për realizimin e detyrës që i kisha vënë vetes. Mbi të gjitha nisa të orientohesha drejt dhe krijova besim se do ta arrija qëllimin. Rekomandimet e tyre më nxitën të filloja procesin e kërkimeve të mija.

Pikëpamja e mendimi i LLambi Kota's për alfabetin e njësuar të Gjuhës Shqipe. Letra e tij drejtuar Fehim Zavalanit ndër organizatorët kryesor të thirrjes së Kongresit të Manastirit 14-22 Nëntor 1908

Fillimisht kërkova dhe më ra në dorë një e dhënë shumë e rëndësishme, me shumë vlerë jo vetëm historike, politike e patriotike, por shumë domethënëse edhe për qëllimin tim për të sqaruar çështjet e mësipërme. Kjo ishte një vepër shkencore shumë e rëndësishme, botim akademik, Monografia ''Kongresi i Manastirit'' me autorë akademikët e nderuar dhe të mirënjohur Shaban Demiraj dhe Kristaq Prifti, botuar  nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në vitin 2008, ku në faqen 22 të saj,  ndër të tjera theksohet se...... Për alfabetin latin u shpreh edhe Llambi N.Kota (Gjyshi im –Ll.Kota), në letrën që i dërgonte Klubit të Manastirit nga Aleksandria më 20 tetor 1908. Dihet se pas disa ditësh më 14 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i parë i Manastirit në të cilin u diskutua dhe u vendos  njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Pra Llambi ia drejtoi letrën nismëtarëve dhe organizatorëve të Kongresit, me anën e së cilës parashtroi mendimin e tij për problemin e alfabetit që pritej të diskutohej dhe të vendosej në kongres nga që asokohe në trojet shqiptare ishin në përdorim alfabete të ndryshme. Llambi Kotta përkrahte alfabetin latin dhe u propozonte organizatorëve të Kongresit ta kishin parasysh  edhe mendimin e tij. Duke u mbështetur në këtë të dhënë iu kushtova me këmbëngulje punës për të gjetur  letrën e sipërshënuar. Ajo gjendej në fondet e Arkivit Qendror Shtetëror të Republikës së Shqipërisë, ku sipas rregullave e ligjeve shtetërore arrita të marr një fotokopje të saj. Letra është e plotë dhe unë këtu mendoj ta paraqes të plotë për lexuesin, ashtu sikurse e gjeta. Letra i drejtohej drejtpërdrejt njërit prej figurave të shquara të Rilindjes kombëtare Shqiptare Fehim Bej Zavalanit, i cili asokohe ishte ndër organizatorët kryesorë të thirrjes së Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe kryetar i klubit ''Bashkimi'' të Manastirit.  Ja përmbajtja e plotë e letrës që Llambi Kota i dërgoi më 20 tetor 1908 nga Aleksandria, Fehim bej Zavalanit në Manastir: ''Mik i vlerë Zoti Fehim Bej, Në Manastir. U lip ndiesën se nga punrat që na ardhë përgnëriesh, menuar përghighem ne-të ndersmen letre të Zotri-sate. Më ghëzon pa anë lëvizia që nisi me të madhe dëshirë në të gjithë viset e Shqipërisë për të msuar gjuhën e vet. Më të mbëdhegnjtë  Filosofë  kanë  thënë se gneriu nuku gdhendet pa funt, përvets me ghuhën e memes vet, për këtë shkak lipset  dhe ne Shkipëtarët të punojmë me sa na mundet për këtë qëllim. Të filluarin e Klupit Manastirit e mësum  jo vetëm  nga letrat e Zotsisë tuaj, po dhe nga shumë fletë të uaja!!! I lutem Zotit Madhë të Shkipëtarëvet tu falgnë rojtie dhe përparim të funtë.  Ju lutem pra të më bëni nderë të më shkruani dhe mua shok në klupnë  që  Zotërija juaj nderoni dukme  qënë  Kryesognes, dhe pres Kanonismën që tu dërghong të ollat e pajtimit të motit. Mora  përsëri  dhe gnë tiatër letre e tsila ka për shkak të bashkuarin e a be sesë  shqipe, mbesong  se Velazëria  jona e këtushma do tu shkruangë  për këtë ghere e ghiatë. Mendia ime është që të zghidhet ajo e Shoqërisë Shkodrës e tsila është fieshtë  Latinishte pa pasur asgne letre  gherkisht as sllavisht. Lipset abeseja Shkip të jetë e paqme, e fisme, e sojtë, (jo e trazuar me shumë lëngrash) se kësi soj do të ketë dhe kaligrafi të bukur. Ju lutem të bëni të falja me nder të ghidhë miqve dhe shokëve tanë, të vetsanta Z. Jashar dhe Z. Natsit. Ju përqiafognë me shumë nder. Miku juaj Llambi N. Kotta''. Kjo ishte letra e plotë. Çdokush që e lexon e kupton se ajo shpreh mendimin dhe pikëpamjen e Llambi Kotta-s në atë moment politik të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Problemi themelor i letrës, ishte shprehja e mendimit dhe njëherazi propozimit të Llambi N. Kotta-s për alfabetin e njësuar, çështjen e të cilit e trajton jo vetëm si problem kulturor, por edhe si problem politik-mjet e rrugë bashkimi të shqiptarëve, një komb një alfabet. Ai i lutet Zotit të Madh të Shqipëtarëve (këtu ai ka parasysh kombin shqiptar të bashkuar rreth idesë kombëtare me ndjenjën e shqiptarizmit mbi gjithçka pa marr parasysh fetë. Me këtë koncept Llambi dëshmon se ishte i një mëndjeje me Rilindësit e mëdhenj të cilët theksonin se gjithë shqiptarët janë vëllezër dhe kanë një zot dhe ky zot është Shqipëtaria) tu falë rojtje (jetë) dhe përparim. Llambi me këtë pikëpamje paraqitet si një patriot vizionar i largimit, shkëputjes të shqiptarëve nga Orienti dhe afrimi me Oksidentin, me Perëndimin. Siç shihet qartë në letër Llambi duke u shprehur për alfabetin latin spiegon edhe arsyet pse e përkrah atë. Mëndia ime ,-thekson ai,- është që të zgjidhet ajo e Shoqërisë së Shkodrës e cila është thjeshtë latinishte pa pasur asnjë gërmë greke as sllave. Pra ai e vlerëson atë si alfabet të pastër, sepse nuk kishte asnjë gërmë të alfabetit të gjuhës greke apo të alfabetit të gjuhës sllave. Ai shkon më tej në arsyetimin e vet. Llambi thekson se, lipset abeceja (alfabeti—H.K.) shqip të jetë e pastër, e fismë e sojshme (jo e trazuar me shumë lëngra) se kësi soj do të ketë kaligrafi të bukur. Sa thellë e analizon procesin e njësimit të alfabetit, sa gjërë e drejtë gjykon, mendon e shpreh pikëpamjen për nevojën dhe domosdoshmërin e krijimit të një alfabeti shqip të pastër të fismë e të sojtë, sepse kështu, arsyeton ai, do të ketë kaligrafi të bukur, pra shkrim të bukur. Propozimi i tij përmban një veçori dhe synim themelor domosdoshmërinë e krijimit të një alfabeti origjinal, të veçantë e të dalluar nga alfabetet e gjuhëve të fqinjëve ballkanas, sepse edhe gjuha shqipe ishte e veçantë në gjuhët e popujve të tjerë ballkanas. Origjinaliteti, individualiteti, dallimi i alfabetit që do krijohej ishin kërkesa të kohës dhe të programit  të qarqeve më largpamëse të Rilindësve. Nga letra del qartë  se  Fehim Zavalani i  kishte dërguar letër Llambit me anën e së cilës i kërkonte të jepte mendim dhe të shprehte pikëpamjen e vet për varjantin e alfabetit që përkrahte. Pra Atdhetari i madh Fehim Zavalani priste përgjigjen nga Llambi Kotta. Qysh në fjalinë e parë të letrës që i drejton Llambi Fehim Zavalanit i kërkon ndjesë për vonesën e përgjigjes për shkak të punëve të paparashikuara. Midis këtyre personaliteteve patriotike ekzistonte një letërkëmbim. Dihet se letërkëmbimi midis personaliteteve dhe figurave të shquara gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare ishte mjaft intensiv, jo vetëm si mjet komunikimi por edhe si një rrugë për të shfaqur mendimet, alternativat e tyre për zgjidhjen e problemeve politike, atdhetare, kulturore e shoqërore që shqetësonin kombin shqiptar. Letërkëmbimi ishte një proces i domosdoshëm dhe i nevojshëm sepse ai ndikoi fuqishëm në përpunimin e mendimit politiko-shoqëror të asaj periudhe të historisë së shqiptarëve. Në rastin konkret letërkëmbimi midis Llambi Kotta-s dhe Fehim bej Zavalanit veç sa pohuam më sipër na jep të drejtën të pohojmë se Llambi Kotta bënte pjesë në radhën e atyre figurave patriotike të cilave duke iu çmuar e vlerësuar kultura, përkushtimi ndaj çështjeve të kombit shqiptar, u kërkohej mendimi, pikëpamja e tyre për probleme themelore të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, siç ishte edhe problemi i njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në letër Llambi shprehet: ''më ghëzon pa anë lëvizja që nisi me të madhe dëshirë, -siç shprehet ai,- në të ghidha viset e Shqipërisë për të msuar ghuën e vet'' Kjo ide e tij tregon se  ndonëse gjendej larg Shqipërisë ai ndiqte me kujdesin dhe vëmëndjen më të madhe ecurinë e zhvillimeve politike, kulturore ekonomike në të gjitha viset e Shqipërisë. Atë e gëzonte pa masë,- sikurse shprehet në letër,-lëvizja e shqiptarëve për të mësuar gjuhën shqipe. Tek kjo lëvizje ai dallonte dy tipare kryesore e themelore: 1-ajo nisi dhe zhvillohej me dëshirë të madhe dhe 2- zhvillohej në të gjitha viset e Shqipërisë d.m.th. në të gjitha trojet shqiptare. Këto tipare të saj ia gëzonin zemrën Llambi N. Kotta-s Kjo letër provon gjithashtu se Llambi ishte në dijeni të programit dhe detyrave themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që preokuponin kombin shqiptar në atë periudhë shumë të rëndësishme, të dekadës së parë të shekullit XX. Përmbajtja e letrës së sipërshënuar tërheq vemendjen për një nga problemet më të rëndësishme të momentit politik dhe historik që kalonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare në atë periudhë. Duket qartë se asokohe Llambi e vlerësonte dhe e përjetonte atë  problem me ndjenjën e patriotit të përkushtuar çështjes së Atdheut dhe të kombit të vet. Llambi ishte i ndërgjegjshëm, i vetëdijshëm, e kuptonte mirë dhe qartë peshën dhe rolin  që do të luante (sikurse e luajti në të vërtetë) alfabeti i njësuar i gjuhës shqipe jo vetëm në aspektin kulturor për mësimin e gjuhës dhe të shkrimit shqip, por mbi të gjitha në aspektin politik kombëtar, për bashkimin e shqiptarëve dhe konsolidimin e mëtejshëm të origjinalitetit dhe individualitetit të etnisë shqiptare në trojet e veta. Në letër Llamdi Kota i kërkon Fehim Zavalanit ta rregjistronte si anëtar të Klubit ''Bashkimi'' të Manastirit dhe ti dërgonte statutin e klubit ''Kanonizma e ligja e klubit të Shqipëtarëve në Manastir'', për të cilin do ti çonte të hollat përkatëse. Këtë letër Llambi N. Kota e ka nënshkruar duke vendosur firmën e tij Ll.N.Kotta, duke na qartësuar në këtë mënyrë që personi i tij i publikuar edhe në shtypin e kohës do të botohej herë Llambi N. Kota dhe herë Llambi N. Kotta

LLambi Kota ndër delegatët dhe përfaqësuesit e Korçës në Kongresin Kombëtar të Dibrës (23-29 Korrik 1909 në Dibër) dhe vperimtaria politike, ekonomike, kulturore e tij në Qytetin e Korçës gjatë viteve 1908-1910

Veç letrës së mësipërme, pas një pune të pandërprerë, në burime të tjera kam gjetur të dhëna të reja që e ndriçojnë më tej veprimtarinë  patriotike, politike dhe shoqërore të Llambit. Në revistën kulturore, letrare e shkencore  "Diturija" që botohej nga Lumo Skëndo (Mit-hat Frashëri), numri i pare i së cilës doli më 1 janar 1909 në Selanik, në numrin e tetë të saj, pra në muajin gusht 1909, në rubrikën:" Lajmet dhe të rat e vendit(lajmet dhe të rejat e vendit)" ndër të tjera shënohet... "Delegatë të Korçës  për në Kongresin e Dibrës u zgjodhën Hafëz Ali Korça, Llambi Kotta. Hymer Beu, Loni Logori". (Sikurse dihet Kongresi i Dibrës u mbajt nga 23 deri 29 korrik 1909 në qytetin e Dibrës dhe shqyrtoi probleme të arsimit dhe të shkollave shqipe). Ky burim historik më dha një fakt të rëndësishëm. Prej tij mësova se Llambi Kotta qënka zgjedhur një nga katër delegatët (përfaqësuesit) e Korçës  për Kongresin e Dibrës. Kjo më gëzoi dhe më entusiazmoi shumë, sepse  e dhëna përbën një fakt që dëshmoni se Llambi Kotta në vitin 1909 paska qënë figurë dhe personalitet mjaft i njohur në qytetin e Korçës. Ai paska gëzuar besimin dhe respektin e Korçarëve të cilët i dhanë të drejtën ti përfaqësonte në atë mbledhje kombëtare,d.m.th. Llambi Kotta paska qënë figure e nderuar patriotike që jo vetëm ka marre pjesë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, por kishte arritur në nivelin e liderëve të saj aq sa populli patriot, i kulturuar, arsimdashës, trim dhe punëtor i Korçës i besonte dhe e nderonte duke i dhënë të drejtën ta përfaqësonte në atë mbledhje  kombëtare me rëndësi për  fatet e Kombit Shqiptar.

Po ashtu në shtypin e vitit 1909, i cili shpërndahej në qytetin e Korçës ka mjaft lajme dhe njoftime për ngjarje e veprimtari publike ku përmëndet edhe emri i Llambi N. Kotta si një nga organizatorët, kontributorët material dhe pjesëmarrësit më aktiv të ngjarjeve që ishin në favor të zhvillimit ekonomik, duke krijuar fronte pune dhe në interes të përmirësimit të shëndetit të popullit të qytetit të Korçës e të krahinave për rreth saj dhe më gjërë. Ja disa njoftime të shtypit: Revista ''Diturija'' e muajit Gusht 1909 në rubrikën:''Të ra.Të shkurtëra'' jep dy lajme. Në të parin theksohet:-''Mësojmë se prej Korçe, u bë një kërkim(kërkesë—Ll.K.) në Vilajet të Manastirit për Kënetën e Maliqit. Kërkimi u bë pej zotërivet Loni Logori, Llambi Kota, Qani dhe Hysejn be. Për të qeruar (tharë---Ll.K.) këtë kënetë duhen afro 15 mijë lira, të cilat do të gendene pej një shoqërije anonime me aksione. Pandehet se nja 30 mijë streme (dynymë) do të dalë shesh dhe kështu do ti bëhet një shërbim shumë i madh vendit se do të pastrohet dhe Fusha e Korçës dhe do te hapet pune qe te mundnin t'e ushqehene me mije njerez. Urojmë që kjo shoqeri të mundin te mbarojne qellimet e saj''. Në lajmin e sipërshënuar shihet qartë se Llambi Kotta ishte ndër nismëtarët dhe hartuesit e kërkesës drejtuar Vilajetit të Manastirit për të lejuar me vendim të posaçëm  tharjen e Kënetës së Maliqit. Ky akt, ndërmerrej në zbatim të programit politik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shpallur me veprën e Mendimtarit të madh Sami Frashëri ''Shqipëria ç'ka qënë, ç' është e ç'do të bëhetë?'',''vepër madhore e mendimit politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku është formuluar strategjia e taktika e saj dhe është përpunuar në mënyrën më të plotë programi i Rilindjes''---- Fjalor Enciklopedik Shqiptar vëllimi III faqe 2617, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2009.  Në atë vepër të Sami Frashërit, ndër të tjera përcaktohej ndërtimi i pushteteve dhe zhvillimi ekonomik i vendit ku rol të veçantë do të kishte bujqësia në zhvillimin e së cilës do të ndikonte tharja e kënetave dhe përfitimi i tokave me pjellori  të lartë. Organizimi dhe ngritja e pushteteve qendrore dhe lokale duhej të bazoheshin në traditën e popullit tonë, mbi bazën e pleqësive dhe në krye të zgjidheshin në mënyrë demokratike njerzit që kishin pasuri, gëzonin respektin e popullit, që kishin marrë arsim e dituri në një ose në disa universitete. Llambi Kotta u frymëzua nga ajo platformë dhe e mbështeti atë duke zbatuar idetë e saj në veprimtarinë e tij. Qysh në krijimin e shoqërisë të patriotëve shqiptarë në Aleksandri  e cila drejtohej nga Pleqësia, Kryetari i saj u zgjodh Ai në mënyrë demokratike  me shumicë votash në mbledhjen e shoqërisë.

Gjatë muajit tetor 1909 Revista ''Lidhja Orthodhokse'' ne numrin 6, në rubriken ''Njoftime'' publikoi dy lajme të rendesishme. Në lajmin  e parë që e publikoi në datën  9 tetor njoftonte se:-''Pleqesia e Shoqerisë''Band e Lirise''...ka ndere te emeroje mirëbërës de keta te nderçim de te ctrenjte atdetare, te cilet patne miresine t'i ndihmojne coqerise. Keta te ndercim Z-nj jane: Z. Llambi  Kotta, Vasil Logori, Cahin Kolonja, Kristo Meksi, Petro Terpo etj''. Ja pra një sferë tjetër, sfera e kulturës, ku  ndihej dhe vlerësohej aq lart kontributi dhe ndihma e Llambi Kotta-s. Ai ishte ndër personat që kontribuonte për forcimin dhe konsolidimin e atij formacioni artistik të qytetit të Korçës, që luante rol të rëndësishëm në jetën artistike  të qytetit. Ne lajmin e dyte që publikoi në fund të tetorit revista njoftonte se:''Ne Manastir u da(dha—H.K.) vendim qe gjoli i Sovjanit të qerohet prej nje Kompani Korçare me Z. Loni Logori ede  Llambi Kotta  në krye  ede pritet per se cpejti te vije nje inciner per te matur kufite. Kjo lajm gezojti gide(gjithe---H.K.) kazane tone se pervec  begatise do te kemi ede shendenë, se ky i prishte klimen''. Në këtë lajm bije në sy fakti se Llambi Kotta dhe Loni Logori ishin në krye (drejtuesit) të një kompanie Korçare të cilës me vendim të autoriteteve të Vilajetit të Manastirit iu dha e drejta të thante Gjolin e Sovjanit që ndodhej afër kënetës së Maliqit.  Duke e analizuar më tej  lajmin e sipërshënuar vëmë re se Llambi Kotta duke qënë një nga drejtuesit e një kompanie Korçare, pra del si sipërmarrës dhe jo thjesht  një nismëtar apo organizator i një veprimtarie me karakter  ekonomiko-social, por edhe si një personalitet  i angazhuar për zgjidhjen e problemeve që shqetësonin banorët e qytetit të Korçës por edhe të fshatrave e të krahinave rreth saj.

Faktet  e mesiperme, janë mjaft  të vlefshme sepse hedhin dritë të re dhe të panjohur deri tani  mbi rolin dhe veprimtarinë e Llambi Kotta-s ne jetën ekonomike-shoqërore, politike e kulturore të Korçës. Siç del qartë nga faktet e mësipërme Llambi  ka qënë ndër nismëtarët dhe organizatorët e nismës më të rendësishme për tharjen e Kënetës së Maliqit. Kjo dëshmon se ai ishte i bindur dhe i ndërgjegjshëm për vlerat e mëdha e të gjithanshme që do të kishte ky veprim, në fushën e zhvillimit të ekonomisë, për përmirësimin e jetës së fshatarësisë dhe të qytetarëve të Korçës. Kjo tregon se Llambi Kotta ishte personalitet  vizionar, që kishte njohuri për rrugët e zhvillimit  ekonomik. Ai nuk ishte një soditës pasiv i ngjarjeve dhe i gjendjes, përkundrazi ishte  mjaft aktiv, ishte njeri i veprimit  konkret, jo vetëm për parashtrimin e ideve por edhe kontributor material dhe organizator për realizimin e tyre në të mirë të komun itetit, pra mirëbërës. Pikërisht këtë tipar të tij e vë në dukje shtypi i kohës. Po të shikojmë me vëmëndje shtypin e kohës ai qëndroji në Korçë gjatë gjithë verës,sikurse shprehen gazetat ai e ''kaloj tërë beharin në Korçë ''dhe në tetor Llambi  Kotta shkoj per ne Misir (Egjipt).

Të dhënat që parashtruam më lartë dëshmojnë  për përkushtimin dhe këmbënguljen e Llambi Kott-as  për realizimin e qëllimit të vet, deri në marrjen e vendimit nga autoritetet e Vilajetit  të Manastirit  për tharjen e Kënetës së Maliqit në kazanë e Korçës. Veç inisiativave ekonomike. sikurse thekson publicistika e kohës, ai shquhej edhe për kontibutet dhe ndihmesat që jepte për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit, duke financuar edhe për ngritjen e forcimin e grupit  artistik ''Band e Lirisë'' të qytetit të Korçës. Për Llambi Kotta-n duhet vënë dukje një veçori që e dallon dhe e rendit  figurën e tij pranë patriotëve të mëdhenj të kombit  tonë, edhe ai sikurse ata edhe pse larg atdheut, në mërgim në Aleksandri, në tokë të huaj, mendja e tij punonte për Shqipërinë dhe shqiptarët, për atdheun e tij, që nuk e harronte  asnjëherë, për asnjë çast dhe në asnjë rrethanë e situatë.

Deri tani kemi zbuluar vetëm këto të dhëna që parashtruam më lart të cilat pasqyrojnë veprimtarinë e  gjërë dhe të shumanëshme të Llambi Kotta-s gjatë gjysmës së dytë të dekadës së parë të shekullit XX, (posaçërisht gjatë viteve 1908-1910) pra para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për periudhën nga 1910 deri më 1918 nuk kemi gjetur asnjë dokument. Nuk na besohet që LLambi Kotta ta ketë ndërprerë aktivitetin. Pohojmë kështu sepse kemi gjetur dokumente që dëshmojnë për veprimtarinë e tij në vitet 1919-1920.

Aspekte nga Veprimtaria Patriotike Kombëtare e LLambi Kota's gjatë periudhës 1918-1919 në Aleksandri të Egjiptit

Gjatë kërkimeve në Arkivin Qendror Shtetëror zbuluam edhe dokumente  që evidentonin veprimtarinë politike intensive dhe të fuqishme të emigrantëve shqiptare në Egjipt dhe veçmas të kolonisë shqiptare të Aleksandrisë ku midis të tjerëve dallohej Llambi Kota. Në këto dokumenta vihet në dukje edhe veprimtaria e gjyshit tim Llambi Kota, roli dhe kontributet e tij, mendimi dhe pikëpamjet politike e shoqërore, qendrimi, alternativat që parashtronte ai për zgjidhjen e çështjeve që shtroheshin për forcimin e pandërprerë të punës e të ndihmesave të emigrantëve shqiptarë në interes të zhvillimit dhe të forcipi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Gjithashtu në këto dokumente pasqyrohen me detaje postet, detyrat që i besuan Llambi Kota-s jo vetëm emigrantët shqiptarë të Aleksandrisë ku jetonte dhe vepronte ai por edhe gjithë emigrantët shqiptarë të Egjiptit, aq sa i dhanë detyrën më të lartë të Kryetarit të Pleqësisë së Përhershme të tyre e cila ishte organi më i lartë drejtues dhe përfaqësues i tyre.

Dokumentet  janë kryesisht proces-verbale mbledhjesh të organizuara në vitet 1918-1919 gjatë periudhës që zhvillonte punimet Konferenca e Paqes në Paris pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore më 11 nëntor 1918, të cilat gjyshi im i ka firmosur Ll.N.Kotta duke më ngjallur firmën e babait  tim Jorgji Kota, i cili firmoste me dy tt JKotta.

Siç dihet Konferenca e Paqes u hap zyrtarisht më 18 janar 1919. Megjithëse Shqipëria mbajti qendrim asnjanës gjatë Luftës së parë Botërore, Konferenca e Paqes nuk i përfilli kërkesat e drejta të delegacionit shqiptar për të ruajtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shtetit Shqiptar dhe për të rishikuar kufijtë në favor të tij, duke përfshirë brenda tyre ato territore shqiptare që ishin shkëputur më 1878 e 1913. Në Konferencën e Paqes  jo vetëm nuk u morën parasysh kërkesat e drejta të shqiptareve, përkundrazi u përkrahën kërkesat shoviniste të Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë në dëm të Shqipërisë dhe u hartuan plane për coptime të mëtejshme dhe zhdukjen e saj nga harta politike e Europës si shtet i pavarur dhe sovran. Në kushtet kur Shqipëria ishte e pushtuar nga forcat ushtarake të palëve ndërluftuese ishte e pamundur organizimi dhe zhvillimi intensiv i Lëvizjes kombëtare brenda Shqipërisë, ndaj për zhvillimin e saj ndihmesa të mëdha dhanë shqiptarët e emigruar. Pikërisht për këto arsye jo vetëm në Shqipëri por edhe kudo ku ndodheshin shqiptarë nisi lëvizja për t'iu kundërvënë planeve antishqiptare që hartoheshin në Konferencën e Paqes. Në këtë proces u angazhuan dhe dhanë ndihmesën e tyre të vyer edhe emigrantët shqiptarë në Egjipt. Angazhimi,veprimtaria dhe kontributet e  tyre në ato momente të vështira dhe të rënda për fatet e Atdheut pasqyrohet në proces-verbalet e mbledhjeve të organizuara prej tyre. Gjithsesi duhet të theksoj se process-verbalet kanë ndërprerje, nuk janë të plota dhe të vazhdueshme, Sidoqoftë po  paraqes gjithçka kam mundur të gjej deri tani. Nuk kam qëllim të bëjë historinë e veprimtarisë patriotike kombëtare të tyre, por synoj që duke shfrytëzuar këto proces-verbale të nxjer prej tyre dhe të evidentoj veprimtarinë  atdhetare të Llambi Kotta-s e cila deri tani nuk njihej. Këto proces-verbale dhanë mundësinë të zbulohet puna dhe kontributi i  tij në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Ky është qëllimi i vetëm i këtij punimi. Gjithsesi nuk kam asnjë pretendim.

Proces-verbali i parë (ndonëse jo i plotë) pasqyron  zhvillimin e një mbledhjeje më 14 dhjetor 1918 në Aleksandri. Sipas  përmbajtjes së këtij proces-verbali rezulton se  mbledhja e 14 dhjetorit  në Aleksandri  është diktuar nga  nevoja e forcimit  të bashkëpunimit  të shqiptarëve të Misirit që kishte theksuar mbledhja e Shqiptarëve të Misirit në Kajro me të parën e dimërorit 1918 (më 1 dhjetor 1918)  e cila zgjodhi edhe një komision të përkohshëm në të cilin si përfaqësues të shqiptarëve të Aleksandrisë u zgjodhën Llambi Kota dhe Leonidha Naçi. Meqënese nuk ishin lajmëruar shqiptarët e Aleksandrisë nuk muarën pjesë në mbledhjen e të parës dimërorit 1918 (1 dhjetorit 1918) në Kajro Prandaj Komisioni i zgjedhur nga mbledhja e asaj dite (1 dhjetor 1918) i mbledhur më 7 dhjetor 1918 vendosi të dërgonte tek Shqiptarët e Aleksandrisë dy prej anëtarëve të tij N. Kasnecin dhe Sotir Pluska të cilët do njoftonin për zhvillimin e mbledhjes së Kajros dhe vendimin e saj për zgjedhjen e një komisioni të përkohshëm në të cilin prej shqiptarëve të Aleksandrisë ishin zgjedhur Llambi Kota dhe Leonidha Naçi  dhe do të kërkonin bashkëpunimin e  tyre si përfaqësues të Aleksandrisë me anëtarët e tjerë të Komisionit. Dy anëtarët e komisionit që u dërguan në Aleksandri, më 14 dhjetor 1918 organizuan një mbledhje të Shqiptarëve të Aleksandrisë ku ndër të tjera Llambi Kota dhe L.Naçi u zotuan të bashkëpunojnë me anëtarët e tjerë të Komisionit që ishte krijuar. Mbasi  komisioni i përkohshëm të plotësonte detyrat që i kishte përcaktuar mbledhja do përpiqej sa më shpejt të organizonte një mbledhje të përgjithëshme e cila do të zgjidhte një tjetër Komision apo Komitet  të përgjithnjëshëm (të përhershëm) i cili do të përfaqësonte tërë shqiptarët që ishin vendosur në tokën e Egjiptit për çdo punë që do ti përkiste çështjes atdhetare.

Një proces-verbal tjetër me datë 8 dhjetor 1918 është mbajtur në një mbledhje të organizuar në Kajro në shtëpinë e Filip Shirokës. Mbledhja vendosi  të hartohej një Memorandum i cili tu dërgohej  Ambasadorëve të Shteteve Aleate (Anglisë,  Francës dhe Italisë—H..K.) të Amerikës në Kairo. Memorandumi do  hartohej prej një komisioni anëtar i të cilit u caktua edhe Llambi Kotta. Ky komision do t'ua jepte Memorandumin Ambasadorëve të shteteve të sipërshënuar. Gjithashtu, mbledhja vendosi tu dërgoheshin telegrame Ministrave të Punëve të Jashtme të Francës, të Anglisë, të  Italisë dhe të Amerikës. Tu bëheshin telegrame marrëveshje Shoqërisë ''Vatra'' në Boston, Z, Mehmet bej Konica në Londër, Pandeli Cale në Lozanë, Pandeli Evangjeli në Bukuresht, Kol Rodhe dhe Tefik Mborja në Romë, Kristo Luarasi në Sofje, Sotir Kota në Korçë dhe Shoqërisë ''Bashkimi'' në Shkodër. Tu bëheshin  telegrame filoshqiptarëve Herbet në Londër, Miss Durham në Boston, Nerve në Paris. U vendos që dy anëtar të Komisionit të shkonin në Skënderie që të bisedonin dhe të  merreshin vesh me vëllezërit shqiptar të atjeshëm.

Proces-verbali i dates  05.janar 1919 pasqyron zhvillimin e Mbledhjes së Komisionit të Shqiptarëve të Misirit (Egjiptit). Komisioni prej nëntë vetësh, një nga të cilët ishte edhe Llambi Kotta, siç e vumë në dukje më lart, ishte zgjedhur ditën e parë të dimërorit 1918 (mendoj se duhet të jetë fjala për datën 1 dhjetor 1918—H.K.). Ky organizëm që ishte zgjedhur dhe përfaqësonte gjithë emigrantët shqiptarë të Egjiptit u krijua për të organizuar dhe drejtuar gjithë veprimtarinë e tyre në favor dhe në interes të mbrojtjes së të drejtave të shtetit shqiptar të pavarur dhe sovran nga ambicjet dhe synimet antishqiptare që shtetet shoviniste fqinj i kishin paraqitur Konferencës së Paqes. Në rendin e ditës të mbledhjes ishte shfaqja e mendimeve dhe diskutimi i tekstit të Memorandumit që do tu jepej Ambasadorëve  të Fuqive të Mëdha në Kajro për ''të kërkuar të drejtat e Shqipërisë''. Ti dërgohej telegram Presidentit të Amerikës Dr. W. Wilsoni për të cilin ishin përkujdesur prej kohe Shqiptarët e Aleksandrisë (ku jetonte dhe ishte mjaft aktiv Llambi Kota) në mbledhjen e tyre të dates 15 nëntor 1918. U diskutua dhe u vendos që ky telegram u duhej dhënë disave prej gazetave Evropiane. Të mireshin masat që duheshin për të dërguar nga ana e Shqiptarëve të Misisrit (Egjiptit) të një ose dy përfaqësuesve në Konferencën e Paqes në Paris, ose gjetkë. Organizimi i një fushate për të mbledhur të hollat që do të duheshin për shpenzimet e përfaqësuesve. Gjithashtu në rend të ditës u vu edhe diskutimi i çështjes: Në i përket këtij komisioni që të marrë kompetenca, në kohën që do ta gjykojë të vlefshme për të zgjedhur një Komitet të përgjithënjëshëm (të përhershëm) i cili të përfaqësonte Shqiptarët e Misirit (Egjiptit) pas rregullimit (statutit, rregullores) i cili do të ngjiste nga ky Komitet. Mbledhja pasi miratoi rendin e ditës nisi diskutimin e dha vendimin për çdo problem. Ajo filloi me diskutimin e projektit të Memorandumit që kishin përgatitur  N. Kasneci dhe A.Zako. i cili pasi u miratua u nënshkrua nga anëtarët e gjithë komisionit dhe u vendos  që ata të përpiqeshin pët tu dhënë nga një kopje Ambasadorëve të Amerikës, të Francës, të Anglisë  edhe të Italisë në Kajro me lutjen që ta dërgojë secili në Ministritë e Punëve të Jashtme të shteteve që përfaqësojnë, dhe kësisojë të arrijë në duart e delegatëve të tyre  në Konferencën e Paqes. Mbledhja vendosi që Telegramin që kishin përgatitur(për W.Wilsonin) Shqiptarët e Aleksandrisë, të kujdeseshin t'ia dërgonin ata vetë sa më shpejt. Pas një diskutimi të gjatë u vendos që nderi i Shqiptarëve të Misirit, si dhe rëndësija e punës edhe e rastit e do që të dërgoheshin në Konferencën e Paqes një ose dy përfaqësues të cilët do ti zgjidhte komisioni. Për të siguruar të hollat e nevojshme për  shpenzimet e dy përfaqësuesve u hap një fushatë në gjithë qytetet ku ndodheshin shqiptarët. Z.A.Zako e Rustem Begu u caktuan për në Kajro, Vasil Thomaidhi për në Aleksandri, N.Kasneci e Xhaferr Begu për në Mansur-Zagazig, S. Pluska  për  në Bibeh-Beni Suef, Llambi Kotta për në Shibin-el-Kom, Loni Logori për në Minieh dhe Jani Vruhoja për në Fayoum. Komisioni i kushtoj vëmëndje të madhe  problemit të zgjedhjes së një Komiteti të Përgjithnjëshëm(të përhershëm) dhe vendosi që pasi të përfundonte punët për të cilat u zgjodh të merrte masat që duheshin për krijimin e një ''Komiteti të Përgjithnjëshëm (përhershëm) me atë mënyrë që do ta gjykojë të vlefshme për votimin të të gjithë shqiptarëve që gjenden në dhe (tokën) të Misirit''. Proces-verbali i mbledhjes së Komisionit  u mbyll pasi e nënshkruan gjithë anëtarët e tij.

Komisioni i Shqiptarëve  të Misirit, anëtar i të cilit ishte edhe Llambi Kotta, më 5 shkurt 1919, pra pas një muaji nga mbledhja e 5 janarit 1919, zhvilloi një mbledhje në shtëpinë e Andon Zako (Çajupit) në Kajro. Sipas proces-verbalit mbledhja ndër të tjera diskutoi në se duhej të dërgohej, edhe ne do dërgohej, sipas vendimit që u muar në mbledhjen e komisionit  më 5 janar 1919, një ose dy përfaqësues të shqiptarëve të Misirit, në Mbledhjen e përfaqësuesve  të shqiptarëve edhe te të tjerave Koloni Shqiptarësh në Evropë. Të hollat që do mblidheshin në mos ishin të mjaftueshme për dy përfaqësues  të dërgohej vetëm një. Përfaqësuesi që do dërgohej të caktohej me votimin e anëtarëve të komisionit..Gjithashtu mbledhja vendosi të diskutonte për caktimin e ditës dhe datës  për Mbledhjen e Përgjithshme në të cilën do zgjidhej një Komitet të Përgjithnjëshëm (përhershëm) i cili do të kishte detyrë të bënte rregullimin e ri (rregulloren e re). Mbledhja e 5 shkurtit  zbatoi vendimin e mbledhjes së 5 janarit për zgjedhjen e një përfaqësuesi të Shqiptarëve të Misirit që do të dërgohej në mbledhjen e Përfaqësuesve të Shqipërisë në Europë. Me votim të fshehtë me shumicë votash u zgjodh Leonidha Naçi si përfaqësues i Shqiptarëve të Misirit në Mbledhjen e Përfaqësuesve të Shqipërisë në Svicër, ose gjetkë. U vendos që Mbledhja e Përgjithshme për zgjedhjen e Komitetit të Përgjithnjëshëm (përhershëm) të bëhej në fund të shkurtit ose në fillim të marsit 1919, në shtëpinë e Filip Shirokës.

Mbledhja e Përgjithëshme e Shqiptarëve të Misirit u bë më 9 mars 1919 në Kajro. Morën pjesë direkt mbi 52 delegatë të pranishëm, ndër të cilët edhe Llambi Kotta. Veç tyre,  me letra përfaqësimi morën pjesë 7 vetë nga Aleksandria, 4 nga Wasta, 2 nga Beni-Suefi, 11 nga Bibeh, 9 nga Shibin-el-kom (3 nga të cilët i dhanë të drejtën e përfaqësimit të tyre  Llambi Kotta-s), 6 veta nga Mansurah, 10 nga Kajro, 4 nga Fashnja, 1 nga Zagazigu. Kryetar i Mbledhjes së Përgjithshme të asaj dite me një zë u zgjodh Llambi Kotta i cili e hapi dhe e drejtoi mbledhjen. U votua për zgjedhjen e Pleqësisë së Përherëshme prej 9 personash. Në mbledhje u propozuan 11 kandidatë për të cilët u votua. Nga 114 votues Sotir Pluska mori 111 vota, Niko Kaznetsi mori 109 vota, Llambi Kotta mori 109 vota, Leonidha Naçi  mori 107 vota, Rustem Korça  mori 99 vota, Andon Zako mori 98 vota, Jan Armodhi  mori 73 vota, Miltiadh Adhami mori 59 vota, Filip Shiroka mori 52 vota, Koço Donato mori 39 vota dhe Vasil Thomaidhi  mori 29 vota. Pra nga 11 veta që u votuan fituan 9 të parët, Koço Donato dhe Vasil Thomaidhi nuk arritën të hynin në Pleqësinë e Përherëshme, por mbledhja e përgjithshme vendosi të ishin vendzënës (zëvendësues). Mbledhja vendosi që 3 anëtar të Pleqësisë të ishin në Aleksandri, 3 në Kajro, 2 në Misir të Sipërmë dhe 1 në Misir të Poshtëm dhe Pleqësia u zgjodh për dy vjet. Mbledhja nuk arriti të përcaktojë Qendrën e Shoqërisë dhe të Pleqësisë dhe ia la në kompetencë për zgjidhje Pleqësisë së re që u zgjodh. Gjatë diskutimit të kësaj çështjeje Leonidha Naçi tha se ''për shumë shkaqe qëndra duhet të jetë në Aleksandri se ajo është buzëdeti edhe se atje ka qënë qendra e Vëllazërisë së mëparëshme e cila është e njohur nga shumë qendra të jashtme e të tjera'' Edhe ky problem nuk u arrit të zgjidhej nga Mbledhja e Përgjithëshme dhe u la ta zgjidhte Pleqësia e Përhershme

LLambi Kota u zgjodh Kryetar i pleqësisë të përhershme të vëllazërisë të gjithë Shqiptarëve të Misirit (Egjiptit)

Po më 9 mars 1919 në shtèpinë e Andon Zakos në Heliopolis në ora 5 pasdreke u bë  Mbledhja e Pleqësisë së Përherëshme që u zgjodh paradreke nga Mbledhja e Përgjithëshme. Nga 9 anëtar të zgjedhur morën pjesë 8(Andon Çako, Filip Shiroka, Llambi Kotta, Leonidha Naçi, Miltiadh Adhami, Nikola Kaznetsi, Rustem Qemal Korça, Sotir Pluska, mungoi Jani Armodhi. Mbledhja u hap dhe u zhvillua nën kryesinë e Llambi Kotta-s. Mbledhja zgjodhi drejtuesit e Pleqësisë. Kryetar i Pleqësisë u zgjodh Llambi Kotta, nënkryetar Andon Zako, sekretar Leonidha Naçi dhe arkëtar Jan Armodhi dhe 5 të tjerët të ishin këshillës(anëtar apo këshillues') U diskutuan dhe u vendosën ndryshime të nyjeve (neneve) të rregullores së vjetër të miratuar që në vitin 1910 kur u krijua dhe filloi veprimtarinë ''VELLAZERIA E SHQIPTAREVET MISIRITE  BASHKIMI'', e cila në saj të punës dhe veprimtarise sistematike  në shërbim të çështjes së kombit shqiptar u bë e njohur jo vetëm në trojet Shqiptare, por edhe në Egjipt dhe në shumë vënde të Europës. Mbledhja  vendosi që Qendra e Vëllazërisë të shqiptarëve të Egjiptit  të mbetej në Aleksandri. Që nga 9 marsi 1919, kur u zhvillua mbledhja e parë e Pleqësisë që zgjodhi po atë ditë Mbledhja e Përgjithëshme e Shqiptarëve të Egjiptit, Llambi Kotta u zgjodh Kryetar i Pleqësisë për 2 vjet, pra u zgjodh drejtues i organit kryesor që udhëhiqte gjithë veprimtarinë e Lëvizjes Atdhetare të Vëllazërisë të Shqiptarëve të Egjiptit. Me të drejtë Ai e çmoi dhe e vlerësoi jo vetëm si besim dhe nder të madh që iu bë nga gjithë bashkësia shqiptare në Egjipt e përqendruar më shumë në Kajro dhe Aleksandri por edhe si një detyrë me përgjegjësi të veçantë. Kështu Llambi Kotta u bë ndër drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Atdhetare të Shqiptarëve të Egjiptit. Iu kushtua punës  për realizimin e detyrave  që diktonte nevoja e përparimit të lëvizjes atdhetare në shërbim të Shqipërisë. Më 26 prill 1919 nën drejtimin e tij u organizua Mbledhja e Pleqësisë të Vëllazërisë të Shqiptarëve të Egjiptit, e cila i zhvilloi punimet në zyrën e hëpërhëshme (përkohëshme) të Vëllazërisë në Aleksandri. Në mbledhje u lexuan dhe u nënshkruan proces-verbalet e mbledhjeve të mëparshme, të mbledhjes së Përgjithshme që u bë në Kajro  dhe i mbledhjes së Pleqësisë që u zhvillua në Heliopolis. U vendos që mbasi të dërgoheshin ndryshimet që u propozuan ti bëheshin Rregullores së Vjetër të Vëllazërisë nga Mbledhja e Pleqësisë në 9 mars 1919 dhe nga persona të tjerë kryesor, pasi të miratoheshin në Pleqësi, rregullorja e re  të shtypej. Gjithashtu mbledhja vendosi ti dërgonte një ndihmë prej 200 frangash gazetës Shqip ''Kuvendi'' në Romë dhe Vëllazëria të abonohej në Gazetën ''Messaggero'' për një vit.

Më 15 qershor 1919 në Aleksandri në shtëpinë e Sotir Pluskës u zhvillua Mbledhja e Pleqësisë  të Vëllazërisë së Shqiptarëve të Egjiptit. Morën pjesë të nëntë pjestarët e saj. Ndër të tjera mbledhja diskutoi dhe vendosi çështjen e ndërrimit të Qendrës së Vëllazërisë nga Aleksandria në Kajro.Nga ky ndryshim dhe me qënë se sipas rregullores së Vëllazërisë ishte përcaktuar që Kryetari, Sekretari e arkëtari duhet të gjendeshin kurdoherë atje ku ishte qendra e Vëllazërisë u detyruan të jepnin dorëheqjen e tyre Kryetari Llambi Kotta, Sekretari Leonidha Naçi dhe arkëtari Jan Armodhi dhe në vend të tyre Pleqësia zgjodhi: Andon Zako kryetar dhe arkëtar, Leonidha Naçi nënkryetar, Filip Shiroka sekretar. Kështu për shkak të ndryshimit të qendrës së Vëllazërisë nga Aleksandria në Kajro, Llambi Kotta që banonte në Aleksandri u detyrua të jepte dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Pleqësisë dhe mbeti një anëtar i saj. Ky ishte proces-verbali i fundit që kam mundur të gjej deri tani. Por pavarësisht nga kjo kam bindje të patundur se edhe me këto dokumente që botohen për herë të parë zbulohet puna e veprimtaria e madhe patriotike e shqiptarëve të mërguar në Misir ku ndonëse larg Atdheut, ngrinin në lartësi të reja Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe punonin me vendosmëri për memedheun e tyre dhe atje midis tyre shquhej puna dhe mendimi  politiko-shoqëror me karakter kombëtar edhe i Gjyshit tim LLambi Kotta-s i cili në saj të kësaj veprimtarije  hyri në analet e historisë tonë kombëtare dhe figura e tij mbeti në kujtesën kombëtare të shqiptarëve.

Tiranë, më  30 janar 2014 / Harallamb Kota



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm