Menu

Fadil Vata: Idealisti që qëndroi burrërisht....

User Rating:  / 1
PoorBest 

Me rastin e 24 vjetorit të vdekjes së Fadil Vatës

Afrim Zhitia dhe Fadil Vata

Askush nga zemra ime s'ma heq këtë qëllim,
Këtë vullnet e zjarr, vrull, kushtrim, dëshirë!
Viktor Hygo

Shkruan: Kadri Gërvalla - Fadil Vata shquhej si një atdhetar i moderuar e intelektual, ishte prej atyre djemve që përcaktonte me saktësi filozofinë e kauzës kombëtare, mbase ishte edhe luftëtar i paepur për liri. Fadil Vata për kauzën kombëtare kurrë nuk pushoi së vepruari, u vu në vijën e veprimit aktiv, në luftë për liri dhe çlirim të trojeve etnike si shumë djem dhe vajza shqiptar-e, që për synim kishin Shqipërinë Etnike. Këtyre radhëve të atdhetarëve, për liri, padyshim se i takonte edhe Fadil Vata, i lindur në fshatin Sallagrazhdë, Komuna e Therandës më 1962, Shkollën fillore e mbaroi në fshat, të mesmen në Therandë, ndërsa regjistrohet në fakultet, dega Filozofi-Sociologji, në Universitetin e Prishtinës.

Si nxënës edukohet me ide përparimtare e atdhetare, e në saje të këtij vullneti atdhedashës bie në kontakt me shumë veprimtar të çështjes kombëtare. Demonstratat e fuqishme të 1981-së Fadilin e gjen në shërbimin ushtarak, në Pozharevc të Serbisë. Ndërsa me dy maj të këtij viti nga shërbimi i sigurimit shtetëror i ish-Jugosllavisë arrestohet me akuzën për “nacionalizëm dhe irredentizëm” dhe në saje të kësaj akuze dënohet me 7 vite burgim të rëndë dhe dërgohet në vuajtje të dënimit, në burgun famëkeq të Pozharevcit. Vlen të theksohet se në këtë burg, Fadil Vata, takoi edhe shumë shqiptar me këto procese të rënda politike.

Megjithatë, Fadil Vata, në burg përjetoi të zitë e ullirit, e përkundër këtyre torturave kundërnjerëzore që i bëheshin atij dhe shokëve të tij qëndroj moralisht i fortë dhe kurrë nuk u thye para torturave të UDB-së. Për këtë qëndrim stoik dhe kokëfortësi atdhetare, forcat e rendit të burgut e dërguan 30-ditë në qeli. Pas daljes nga qelia, atë e dërgojnë me te burgosurit tjerë ordinar, serb, në një pavijon. Duke u përballur edhe me një të padrejtë tjetër të radhës, Fadili kundërshton guximshëm dhe mu për këtë hedhet në grevë urie. Përpjekjet e gardianëve për ta thyer moralisht, Fadilin, ishin të kota dhe në shenjë të hakmarrjes prapë e kthejnë në qeli edhe për 30-ditë tjera.

Andaj me përkushtimin e një idealisti të pathyer ju qëndronte burrërisht qelive, ndonëse për fat të keq nga këto qeli filloi t’i keqësohej gjendja shëndetësore, e për këtë shqetësim ju tregoi edhe shokëve se ndiente dhimbje te forta në shpinë dhe gjoks. Sëmundja behej shumë serioze, mbase edhe e padurueshme, mu edhe për këtë përgjegjësit e burgut e dërgojnë në spitalin ushtarak të Beogradit, në vjeshtën e vitit 1985, ku edhe i nënshtrohet një operacioni shumë të rëndë.

Fadili pas disa muajsh qëndrimi në spital, gardianët prapë e kthejnë në burg ku edhe vuante më parë dënimin. Gëzimi i shokëve ishte i madh pasi që edhe njëherë e shohin Fadilin në jetë, e pas transferimit e vendosin në një një dhomë me Afrim Zhitin, Sabit Veselin, Halil Selimin dhe afër në dhomën tjetër, kishte edhe Sami Kurteshin dhe Nezir Myrtën.

Fadili më 30 prill 1987 lirohet nga burgu për ta vazhduar aktivitetin aty ku e kishte lënë dhe bashkë me Afrim Zhitin filluan ilegalen, që përmes saj të arrin ta finalizojnë qëllimin e tyre kombëtar. Këto dy figura për LPRK-së (LPK) ishin figura të rëndësishme të ilegales. Kështu, Lëvizja politike ilegale në Kosovë, duke pasur për udhëheqës Sekretarin politik,Fadil Vatën dhe Sekretarin organizativ, Afrim Zhitinë, përpjekjet shqiptare për liri nisën t´i merrnin konturat e një lëvizjeje ma ndryshe në aspektin organizativ dhe strukturor. Viti 1989, ishte vit i ngjarjeve të mëdha dhe Lëvizja për çlirimin e atdheut kishte formën organizative shumë aktuale. Vdekja e Afrim Zhitisë e lëndoi shumë shkon e idealit Fadilin por lufta duhet vazhduar dhe ky me shumë shokë të tjerë vazhduan amanetin e Afrimit.

Gjendja shëndetësore e Fadilit behej më e rëndë dhe shumë serioze,këtë dhimbje të tij e përjetuan përpos familjarëve edhe shokët  e organizatës, ku pas shumë peripecive të mëdha që pësoi Fadil Vata në burg, tani përballej edhe me sëmundjen e cila ia rëndoi jetën tej mase. Fadili, jashtë vullnetit të tij u detyrua, me ndihmën e shokëve, të shtrihej në spitalin e Bazelit në Zvicër ku nën përkujdesën e shokëve dhe të mjekëve jep frymën e fundit më 25 prill të vitin 1990.

Këtë lajmë të vdekjes, familjarët, shokët dhe vet organizata, e mbar shqiptarët e pritën me dhimbje, po dhe me krenari, se që birë i kishin fal atdheut. Kthimi i tij për t’u varros në vendlindje e priti thua i tërë kombi, ishin të pranishëm shokë dhe me qindra mijëra pjesëmarrës për t’i thënë lamtumirën e fundit, atdhetarit, ideologut të Shqipërisë Etnike, që deri në frymën e fundit nuk pushoi të së vepruarit për Shqipërinë e Bashkuar. Pra, vdekja e tij i erdhi si pasoj e torturave dhe keqtrajtimeve të rënda që i ushtronin mbi të gardianët e burgut. Nga këto tortura të tmerrshme përfunduan me vdekje më parë edhe Fazli,Graiqevci, Shaban Shala, Rexhep Elmazi, Zija Shemsiu e shumë atdhetar të tjerë, ku mbeten edhe frymëzim për gjeneratat e reja për ta vazhduar dhe formuar edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Familja Vata ishte një familje patriotike, ndërsa shtëpia e kësaj familje ishte dhe mbeti njëra nga bazat më frymëzuese të veprimtarisë kombëtare.

Fshati Sallagrazhdë mbeti njëri ndër fshatrat heroike, sepse aty u lind dhe u rrit atdhetari i kombit, Fadil Vata. Po sa të hysh në këtë fshat në anën e djathtë janë varrezat e fshatit. Aty pushon edhe trupi i dëshmorit Fadil Vata, që me krenari lisat e mëdhenj, aty afër, i bëjnë roje trimit. Nuk ke si të kalosh pran varrit, të Fadilit, pa u përshëndetur me heroin e kombit dhe për t’i thënë uratat më të sinqerta, sepse në saje të veprimtarisë së tij sot ne të gjallit ndihemi të lirë.

Sa herë që kam vizituar Familjen Vata ,gjithmonë kam marr forcë, guxim më tepër, për të vepruar në rrugën e nisur për çlirimin e atdheut. Dyert e familjes Vata gjithmonë kanë qenë të hapura për shokët e Fadilit, ndërsa mikpritja, bujaria e prindërve, Nebih dhe Tahire Vata, ka qenë shumë e ngrohët.

Sa herë që kam shkuar te Lokmadhja, Nëna Tahire, tash e ndjera (vdiq më 2007) na ka përqafuar me shpirt të hapur, e kurrë nuk kemi dalur nga kjo shtëpi pa ngrënë bukë, se Nëna Tahire thoshte: “kam amanet nga djali, Fadil, që më patë thënë, para se te vdiste; Sa herë të vijnë shokët e mijë, ta dish se kam ardhur edhe unë me ta”.

Pas vdekjes së Fadilit me iniciativën e shokëve të LPK-se,nga Zvicra dhe LPK-së nga Austria u morr vendim për themelimin e Shoqatës Patriotike “FADIL VATA“ me seli në qytetin Melk të Austrisë. Iniciator ishin: Fazli Veliu, Sejdi Gega, Murat Bytyqi, Kadri Gervalla, Agim Selimi, Xhevat Xhemaliu, Fatmir Zhitia etj. Kjo shoqatë ka funksionuar qe nga viti 1992-deri në vitin 2002, ishte një nga shoqatat më aktive në Austri. Po ceki një segment nga aktiviteti i kësaj shoqate gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998/99”Shoqata “FADIL VATA” është njëra ndër shoqatat që ka një aktivitet të ngjeshur në Austri, për përgatitjen e vullnetarët nga diaspora t’i bashkëngjiten UÇK-së. Ishte dhe seksioni humanitar nënë aksionin “Ndihmë për të ardhurit nga Kosova”, dërgoi mbi 25 tonelata ndihma humanitare në Tropojë të Shqipërisë, që kapin vlerën mbi një milion shilinga austriak. Kjo shoqatë ka arritur të hapë shkollën shqipe në Austrinë e Ultë, ka gazetën,e cila është organ i shoqatës, pra gazetën ”ALBA”, ka seksionin e kulturës, pastaj e para në Austri ka formuar fondin “VENDLINDJA THËRRET”: shoqata ka më shumë se 200 anëtarë dhe ka pritur mysafirë, të cilët i ka anëtarë nderi, si: Adem Demaçin, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Lum Haxhiun etj. Shoqata patriotike “FADIL VATA” i ka dërguar edhe vullnetarët në radhët e UÇK-së dhe ka drejtuar sektorin për informim dhe propagandim të fondit “Vendlindja Thërret” dhe fondit ”LIRIJA KOMBËTARE” në AUSTRI. gjatë luftës në Kosovë dhe Maqedoni”. Pra Idealizmi dhe idealistët, si Fadil Vata, i kanë dhënë frymën e heroizmit dhe të sakrificës epokave të ndryshme në historinë njerëzore e në veçanti historisë sonë kombëtare. Jemi shumë të sigurt se po të mos kishte trima, si Fadil Vata, Kosova nuk do të arrijë të ketë lirinë që kemi sot. Po të mos kishte trima si Fadil Vata liria do të vonohej. Vepra dhe ideali i tij do të jetë i përjetshëm.

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit Fadil Vatës ! Lavdi dëshmorëve të kombit !

Autori i këtij shkrimi ishte 10-vjet kryetar i shoqatës patriotike “FADIL VATA“ në Austri.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm