Menu

Djali me flamur e djaloshi liberator, Ushtar i Atdheut e dëshmor i Kombit

User Rating:  / 0
PoorBest 

Ramadan Çerkin Peci - Dani

(Në 15-Vjetorin e Përjetësisë)

Shkruan: Xhemail Peci

Poema e Përgjakur e Gurëve të Gdhendur

N’Kaçanik e n’mal të Tomorrit, / mos m’i luni gurët e vorrit! (Ndre Zadeja-Poet i Ëmbëlsisë, pushkatuar nga diktatura komuniste):

Fazli Smajli, i vrarë në luftime të ashpra e në një luftë të pabarabartë nga Ushtria e Mbretërisë Jugosllave dhe bashkëpunëtorët e tyre, në mbrojtjtje të Kullës, të Votrës Stërgjyshore dhe të Truallit Amtar, në pranverë të vitit 1921.

Sadri Smajli, i vrarë në pranverë të vitit 1921, nga Ushtria e Mbretërisë Jugosllave dhe bashkëpunëtorët e tyre, në mbrojtjtje të Kullës e të Truallit Stërgjyshor.

Hajriz Smajli (i vëllai i Smajlit - babait të Fazli, Sadri e Ali Smajlit), i vrarë në pranverë të vitit 1921, nga Ushtria e Mbretërisë Jugosllave dhe bashkëpunëtorët e tyre, në mbrojtje të Kullës e të Truallit Arbëror.

Ali Smajli, i likuiduar në burg nëpërmes së sasisë së tepruar të kripës të cilën ia jepnin me detyrim, në dimrin e vitit 1921, si kundërshtar i përbetuar i regjimit të Monarkisë Jugosllave.

Bardheci (nipi prej Kllodernice: i Fazli, Sadri e Ali Smajlit), i vrarë në pranverë të vitit 1921, nga Ushtria e Mbretërisë Jugosllave dhe bashkëpunëtorët e tyre, në mbrojtjtje të Kullës së Smajlajve.

Sylë Polaci (Drenica), bashkëluftëtar besnik i luftëtarit të maleve të lirisë Fazli Smajlit, vrarë në pranverën e vitit 1921, nga Ushtria e Mbretërisë Jugosllave dhe bashkëpunëtorët e tyre, në mbrojtjen e Kullës së Smajlajve.

Xhemë Smajli - Peci, i marrë nga shtëpia dhe i pushkatuar nga forcat okuptarore të Ushtrisë Jugosllave, me 21 shkurt 1947, Luftëtar i Paepur për Lirinë e Atdheut e të Kombit, për Shqipërinë e Lirë dhe  Demokratike.

Ramadan Çerkin Peci, i vrarë më 28 maj 1999 në në një luftë heroike si Luftëtar i Përbetuar i Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës. I Biri i Atdhetarit Çerkin Hajdar Peci.

* * *

Xhemë Smajli-Zhazha dhe gryka e pushkës së tij e çeli shtegun e dritës

Hordhitë e egra barbare në lukuninë e tyre të çmendur, pasi kishin bërë plojën përmbi burrat e një familjeje bukëdhënës e atdhetare, kishin synuar ta zhduknin ate me çdo kusht nga faqja e dheut.

Xhemë Smajli me të vëllanë Hajdarin, të mbrojtur nga Ora e Zotit, ndonëse fëmijë, njëri 12 e tjetri 9 vjeç, që në moshë aq të njomë panë plumbat mizorë tek fishkëllonin mbi kokat e tyre dhe tek përshkonin rrobat e tyre, por falë Zotit nuk u ngulën në mishërat e tyre.

Dora e zezë mizore, e bashkuar me dorën e zezë tradhtare, qëlloi përmbi ta, por nuk i vrau dot. Një gjarpër i zi që kishte rrethuar Kullën, kishte bërë kërrdinë duke mbjellur tragjedi në vatrën familjare, ua kishte vrarë vëllezëit e ua kishte tharë krahun, por nuk ua kishte shuar shpresën e as zjarrin në zemër.

Xhema dhe Hajdari, do të shpëtonin e do të rriteshin, do të qëndronin e do të shtoheshin, por edhe do të mbanin në mendjet e tyre dhe në zemrat e tyre, të paharruar ate që u kishte ndodhur.

Fija e fatit ishte holluar por falë Zotit nuk ishte këputur.

Ata do të falenderonin përjetësisht Zotin që i kishte shpëtuar, falenderim dhe mirënjohje të cilën ata do shprehnin me dashurinë e madhe ndaj njëri-tjetrit, të bindur se ku është dashuria është edhe Perëndia.

Xhema dhe Hajdari ishin të lidhur si mishi me thoin, me njëri-tjetrin, dhe se vetëm me një dashuri dhe me një respekt të ndërsjelltë ata do të mbijetonin, të vetëdijshëm se kështu nderonin edhe kujtimin e vëllezerëve dhe të afërmve të tyre që ranë fli për liri, atë ditë të kobshme kur orgjitë e egra barbare u sulën dhe u vërsulën për ta zhbirë nga faqja e dheut një familje shqiptare, e cila kishte mbirë aty - në truallin stërgjyshor, jo me uirdhërat e moskovit, por me bekimin e Zotit.

Oda ku takoheshin: Levendët e Lirisë së Shqipërisë

Në odën e Xhemë Smajl Zhazhës takoheshin burra të besës e të pushkës, të fjalës e të aksionit: Ukshin Kovaçica e Bislim Bajgora, Ahmet Selaci e Riza Selaci, Bedri Gjinaj e Sali Elhyka… Nga oda e tij u nis vargani i burrave me në krye Ahmet Selacin për në Kongresin e Blinajës.

Aty do të vinin njerëz që  ì  binte puna, ì zinte nata e ì sillte rruga, njerëz që kishin mallë për t’u parë dhe takuar me të e për të qarë së bashku hallet sa malet, mentarë të urtë por edhe luftëtarë zemërzjarrtë të cilët kishin nevojë për të kuvenduar e për t’u miqësuar edhe më.

Në votrën e ngrohtë dhe bujare të traditës shqiptare, të mikpritjes dhe të bujarisë së dëgjuar shaljane, përherë ishte buka, kripa dhe zemra, e shtegtari ì vonë pritej ashtu siç kishte thënë Naimi ì Frashëllinjve në poemat e tij: Me besë, me nder, me respekt dhe bujari.

Oda bëhej shpesh një kuvend burrash se në odën e atyre kullave me gurë të gdhendur si ledhe kështjellash, piqeshin dhe niseshin shpesh luftëtarët e lirisë, të cilët nuk ia danë kurrë luftën pushtuesve shekullorë të tokave shqiptare, vrasësve të lirisë së shqiptarëve. Ato kulla kishin qenë dëshmitare të gjalla të vrasjes së tre burrave për një ditë nga ana e xhandarëve të kralevinës serbe, të cilët kishin vra pra me mizori të paparë Fazliun, Sadriun dhe të nipin e tyre Bardhecin, duke plagosur në luftë e sipër Sylë Polacin, duke vrarë më tej axhën e tyre Hajrizin. Por ata nuk ishin mjaftuar me kaq, Aliun e kishin marrë me vete dhe e kishin mbytur me kripë në burgun famëkeq të Mitrovicës.

Ato kulla do të zgjasnin me tej sfidën e tyre ushtarake dhe politike kundër pushtuesve barbarë dhe bashkëpunëtorëve të tyre servilë e hileqarë, duke e shkruar me gjakun më të kulluar etjen për liri dhe idealin e shenjtë të Shqipërisë së bashkuar.

Në ato kulla kreshnike do të lindej pinjolli ì brezit të vitit 1908 (siç shkruan në poemën e gurit të varrit), luftëtari ì paepur dhe anëtari aktiv e ì shquar ì Frontit të Rezistencës Kombëtare kundër hordhive të egra dhe barbarëve sllavo-çetniko-komunistë, Xhemë Smajli-Zhazha, ì cili do të pushkatohej me 21 shkurt të vitit 1947 nga bandat shoveniste të ushtrisë jugosllave, në një fshat ngjit me Boletinin historik, fshat të cilin si për ironi të fatit, Perëndia sikur ì kish falur harresën, po të mos ishte shkronja e 36-të e alfabetit: Zhazha.

Pesha e viteve të egra, mizore sa dhe të pabesa, bashkë me hallet e shumta, do të binte mbi supet e njoma të Hajdar Zhazhës së ri, ì cili nuk do të jepej por përkundrazi, do të kalitej edhe më nëpër dallgët e shumta e në stuhitë e tërbuara të kohëve hileqare. Pushkatimi ì të vëllait, Xhemë Zhazhës, si dhe vrasja me të pabesë e vëllezërve të tjerë, do t’ia thante krahun, por ai do të dinte të qëndronte si një rrap shekullor me rrënjë të lashta në tokën stërgjyshore.

Në sofrën e shtruar, tek avulli ì bukës së misrit shpërndahej majës së tavanit, Hajdar Zhazha me të pestë bijtë e tij - në të majtë, dhe me të pestë bijtë e vëllait të pushkatuar - në të djathtë, do ta ndiente veten si një shqiponjë me flatra. Kuvendonte shtruar mentar ì urtë e fjalën e fliste ngadalë, duke qëndruar ashtu në ballë të kuvendit, krenar dhe trim, e fjalën zjarr të qëruar e fliste. Gdhendësi ì gurëve për të mbijetuar, për të siguruar kafshatën e gojës për familjet, ì kushtonte rëndësi fjalës, e gdhendte ate dhe ì bënte të tjerët sy e veshë, ì bënte për vete me zgjuarsinë që ì kishte falur natyra dhe me virtytin e guximin e tij, tipare këto të trashëguara në trungun familjar.

Hajdar Zhazha e dinte Poemën e Përgjakur të Gurëve të Gdhendur! Breza të tërë kishin jetuar dhe mbijetuar duke gdhendur gurin, por kish pasur dhe asi që ì ua kishin përgjakur gurët, ua kishin plagosur ëndrrën, por s’ua kishin vrarë kurrën e kurrës Këngën, Poemën e tyre të përbashkët, përgjakur por kurrë përkulur ndër shekujt.

I rrahur nga stuhi të shumta të jetës, në rreziqe, në sfida e në ndeshtrasha, Hajdar Zhazha mishëronte malësorin trim, shqiptarin bujar, njeriun e besës e kryezotin e një shtëpie bukëdhënëse. I matur në biseda e i mençur në veprime, i shquar për trimëri dhe për mençuri, ai nuk e bjerrte shpresën. Madje, edhe kur Millan Bursaqët dhe zgaqët e lakejtë e tyre parashikonin se pushteti gjakatr i Bastiljës së Beligardit do të zgjaste ‘1000 vjet’!

“Beli vallha Hajdar, qyshty e kie edhe për 1000 vjet!” - ì thoshin Haxhi Hajdar Zhazhës, e provokonin, e ai ua kthente me mençurinë dhe me profecinë e tij solomonike: “Qy, qy po budalla që je, s’ka mujtë me e majtë sulltani e jo pot a ma ky farë ponlani!”, duke iu referuar krajlit kroat, satrapit që kishte shkelur mbi gjakun e shqiptarëve njëlloj si pararendësit e tij - Titojës, tek ì cili puthadorët ì varnin shpresat duke iu bindur verbërisht dhe qenërisht.

Hajdar Zhazha me të qeshurën e tij të ëmbël e me humroin e tij të hollë, sfidonte krrokamën e korbave të Karpateve. Ishte një përgjigje e ngjashme me ate që do ta thoshte shkrimtari ì madh irlandez Xhejms Xhois: “Kruajeni zgjeben dhe qelen tuaj, lakminë lakuriqe të mishit. Fryma e dashurisë në ju është bajate, e thënë apo e kënduar. E thartë si fryma e lopëve, ashpërsia e gjuhës së tyre…Askush nuk do t’ì donte ato gojë që kini mbi fytyrën tuaj…Nxirreni zemrën tuaj, gjakun e kripur të saj, frut ì lopëve. Merreni dhe kapërdijeni!” Asgjë më shumë dhe asgjë më mirë se një deklarim ì tillë nuk do t’u përshtatej puthadorëve, të cilët prapë s’kanë se si të mos më kujtojnë shprehjen e poetit të madh të Përlindjes italiane, Françesko Petrarkës: “Aq të padenjë, sa nuk do të meritonin t’ì fshinin as dhëmbët e derrave”.

E tillë është e vërteta e pathënë akoma për kolerën e kuqe që shkretoi Shqipërinë dhe shqiptarët, pasojat e barbarisë dhe egërsisë të së cilës ndihen akoma, nga pasojat e të cilit varrët dhe plagët kullojnë ende gjak në trupin e këtij kombi martir

Baci, ose Baba Plak, siç do ta quanim më vonë në shenjë nderimi dhe respekti, detyrimi, mirënjohjeje dhe fisnikërie, barti tek brezat me një këmbëngulësi të veçantë, dashurinë për dijen dhe për shkollën shqipe, për Atdheun dhe për Kombin, për Shqipërinë, për Kosovën dhe për Çamërinë, si dhe urrejtjen për armikun e për nëperkat e mbuluara me lajle dhe me lule, me profka e me lajka, që për nënë të tyre e dinin: Serbinë!

Hajdar Zhazha ishte vetë tradita e lashtë dhe e përtërirë e një familjeje e cila do ta zgjaste edhe më sfidën e saj ushtarake dhe politike kundër armiqve shekullorë të atdheut dhe të kombit.

Në Odën e Xhemë Zhazhës kishin ardhur Pajazit Boletini, Ukshin Kovaçica, Bislim Bajgora, Ahmet Selaci, Bedri Gjina dhe shumë e shumë luftëtarë dhe atdhetarë të tjerë të shquar të kohës. Në atë odë të besës, të mikpritjes, të burrërisë e të bujarisë, ku rrinte dhe kuvendonte këmbëkryq edhe Hajdar Zhazha, do të vinin mes tjerësh edhe Tafil Boletini (njeriu trim, fisnik e bujar) e mësuesi atdhetar nga Kavaja e Aleksandër Moisiut - Salih Elhyka, i cili në Boletinin historik mbajti të gjallë prushin e Prometheut, e të cilin shovenistët serbomëdhenjë, pushtuesit shekullorë të tokave shqiptare, pas shtatëmbëdhjetë ditëve dhe netëve sa do të zgjaste tortura, terrori dhe gjykimi nëpër kazamatet famëkëqija të CZ-së së Beogradit, do t’ia humbin gjurmët.

Shaban Shala Fjalë-Flamuri: Një Akademi e Atdhetarizmit dhe Flamurtar i Shqipërisë së Rilindur

Në atë odë ku shpesh kishte munguar edhe buka e bollshme a edhe kripa e paktë - po kurrë Shqipëria dhe bisedat për të dhe për fatet e kombit të shumëvuajtur, do të vinte dhe politikani ì shquar e nacionalisti militant, politikani ì shkathët e vizionari, misionari dhe shërbestrai ì shquar për Shqipërinë e bashkuar, (që bashkë me Ali Pecin, shokun e tij të idealeve dhe të burgjeve, kishin themeluar organizatën atdhetare “Shlirimi ì Shtetit Shqiptar Nën Flamurin Kuq e Zi”), Shaban Shala ì Letancit të Llapit, ì cili nuk do të shtrohej kurrë përpara kërcënimeve dhe torturave të UDB-ës famëkeqe, deri sa do të helmohej mu në ditën kur pritej të lirohej nga burgu dhe kur me mallëngjim dhe me padurim i ati ì tij Axha Beh’ - një burrë fisnik po e priste me rrobe të reja tek dyert e Burgut të Prishtinës.

Shabn Shala do të bëhej një shpirt i pashuar frymëzimi dhe do të përmendej e do të përmendet si një zjarr i pashuar i atdhetarizmës shqiptare: Përjetësisht! ...

Ali Xhemë Peci:

Atdheu ynë është Shqipëria. Tokat Shqiptare - Ideologjia

Frymëzuar nga tradita atdhetare kombëtare dhe familjare, e veçmas nga mendësia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, epokë për të cilën poeti i thelpinjve të hollë lirik Lasgush Poradeci, e kishte thënë me të drejtë se e bëri Shqipërinë - Shqipëri për shqiptarët, dishepulli i Shaban Shalës - përballë flamurit kuqezi e përballë portretit të Gjergj Kastriotit, Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit, Naim Frashërit e Gjergj Fishtës, përpunonte platformën politike për veprimtarinë e mëtutjeshme atdhetare.

Në një frymëzim si ky, në shkollën shqipe të Boletinit, aty ku Salih Elhyka kishte mbajtur gjallë zjarrin e shqiptarizmës, këndohej për çdo mëngjes - prirë nga arsimtari Ali Peci, Himni Kombëtar i shkruar nga Asdreni, në një kohë kur edhe Himni edhe Flamuri ishin të ndaluar…

I burgosur politik tri herë, i përjashtuar nga puna shumëherë, i ndaluar për të punuar në procesin edukativo-arsimor si “i papërshtatshëm ideo-politikisht”, i ndaluar e i survejuar, por gjithmonë duke besuar në doktrinën politike që kishin përpunuar me Shaban Shalën dhe shokët e idealit: për Shqipërinë e Bashkuar…

Çerkin Hajdar Peci: Militant Politik e Ideologjik për krijimin e një Shqipërie si Zonjë në Gadishullin Ilirik

Çerkin Peci, në mes tjerash do ta trashëgonte një tipar të theksuar të babait të tij. Askush nuk u besonte fjalëve të Hajdar Zhazhës se Titoja e as regjimi i tij nuk ishin të përjetshëm, në një kohë kur Millan Bursaqët dhe zgaqët e tyre po vranin dhe po kthjellnin; ashtu sikundër nuk u besonin as fjalëve të Çerkin Pecit kur Jugosllavia po hiqte grrahmat e fundit.

Kur e përjashtuan profesor Çerkin Pecin nga puna, puthadorët dhe mëkatarët që ua kalonin edhe personazheve të Ferrit të Dantes, pandehnin se po e dënonin!

Në mjerimin e tyre moral që ngjante aq shumë me një moçal, ata as që mendonin se që atë ditë profesor Çerkin Peci do të bënte punën më të mirë dhe punën më të madhe, punën më fisnike dhe punën më atdhetare. Ai dhe shokët e tij të idealit, do të militonin dhe do të vepronin që të ndihmonin Zotin në punën e tij të bekuar: për të ngritur shkallët prej ku do të thyenin qafën ata që ishin verbuar nga gjaku i thithur, e bashkë me ta edhe puthadorët e përbetuar nga pozita, nga kolltuku dhe përfitimet që të vërtiturat e çastit ua kishin dhënë në mënyrë të papritur.

Koha, kjo dëshmitare e ngjarjeve të parreshtura e valltare vigane e shekujve, do të dëshmonte më së miri se ata që e kishin përjashtuar profesor Çerkin Pecin nga puna - ishin mashtruar, madje shumë keq.

I burgosur tri herë për shkak të veprimtarisë politike, i ndaluar për të punuar në procesin edukativo-arsimor si “i papërshtatshëm ideo-politikisht”, por edhe si i papunë, profesor Çerkin Peci i ka mundur moralisht dhe intelektualisht, ata të cilëve punëdhënësit e rezhimit të Bastiljes së Beogradit u kishte caktuar punën: e puthadorëve…

Djaloshi Liberator

Në një familje të tillë me tradita të lashta atdhetare, do të lindej, do të rritej e do të formohej, do të edukohej e do të frymëzohej djaloshi ì ri, buzagaz, ì dashur dhe ì afërt, Ramadan Çerkin Peci - Dani, Ushtar ì Atdheut dhe Dëshmor ì Kombit.

Ai kishte një kërshëri të vecantë, një dashuri, një kurreshtje të pashuar për të dëgjuar kuvendimet e burrave në Odën e Haxhi Hajdar Zhazhës, ku nga babai Çerkin Peci flitej shpesh për politikën kombëtare, për çështjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve; ku nga Ali Peci flitej për padrejtësitë historike ndaj kombit shqiptar; ku në ligjërimet për historinë kombëtare me pasion të veçantë dhe me krenari të ligjshme flitej nga xhaxhai Bedri Peci: për Kosovën dhe për Çamërinë.

Flitej shpesh për Abdyl Frashërin e për Ismail Qemalin, për Lidhjen e Prizrenit, për Isa Boletinin dhe për Idriz Seferin, për Azem Bejtën, për Shote Galicën e për Marie Shllakun, për Shaban Polluzhën e për Luftën e Kadri Bistricës, për Rifat Berishën e për Ajet Gërgurin, për Ahmet Selacin e Rizah Selacin (ky ì fundit ì pushkatuar në po të njëjtën ditë kur pushkatohet edhe Xhemë Zhazha, si dy personalitetet të zotë, të aftë dhe të rrezikshëm për të organizuar dhe udhëhequr një kryengritje të mundshme të armatosur në Shalë).

Luftërat që kishin bërë Bislim Bajgora e Ukshin Kovaçica (ì vrarë bashkë me të birin në Vllahi të Shalës nga forcat serbo-çetnike), Mehmet Gradica, Ahmet e Rizah Selaci; Ymer Selaci (ì cili do të qëndronte për shtatë ditë në një shkurre ì plagousr e me varrët që ì kullonin gjak, e të cilin tradhtari me damkë e xhelati ì nacionalistëve shqiptarë Ali Shukria, do ta dënonte me pushkatim), Faik e Isuf Boletini, Salih Boletini - një levend që do të vritej aq dhembshëm dhe aq tragjikisht tek po pinte ujë tek kroi në një mëngjes të hershëm në Boletin; Hajrullah Vllahia - ì vrarë në vitin 1945 në Selac të Shalës, e sa e sa të tjerë, të cilët grykë për grykë e dhëmbë për dhëmbë iu kishin përgjigjur hordhive barbare sllavo-komuniste e çetnike; të gjitha këto bënin një përshtypje të veçantë tek të pranishmit e edhe tek Ramadan Çerkin Peci - Dani. Rrëfimet për mësuesit atdhetarë Din Saraqini e Qamil Demë Jaha, për Salih Elhykën e Bedri Gjinën, për faktin se për çdo mëngjes nxënësat e Ali Pecit në shkollën shqipe të Boletinit historik e kishin kënduar Hymnin Kombëtar të Flamurit të shkruar nga Asdreni, shprushnin zjarrin e ndërgjegjes kombëtare…

Ata kishin qenë burra të zotë, të rrahur me vaj e me uthull, të hurit e të litarit, burra të pushkës e burra të besës, të fjalës së dhënë dhe të fjalës së mbajtur, duke ì dalë zot gjithmonë tokës stërgjyshore, prandaj dhe për ta flitej shpesh, shpesh dhe me respekt të thellë, në një kohë kur ishte e ndaluar edhe të mendohej, pa lëre më të flitej për ta. Recitoheshin shpesh vargjet e Naimit: “Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar,/Zemrën ti ma gatove, plot me dëshirë dhe me zjarr”; vargjet e Gjergj Fishtës: “ Edhe hana le ta dijë, /edhe dielli le t’ketë pa,/ se për çark ksaj rrokullie,/si Shqypnia ì vend nuk ka”; vargjet e Hilë Mosit: “Ah Shypni, mos thuej mbarova,/ se djemt tu ende janë gjallë,/ n’kambë asht çue e rrept o Kosova,/ e ban luftën o ballë o për ballë”. Flitej më tej për Kullën e Vraninës e për Kullën e Dinoshës, për Mic Sokolin e për Oso Kukën, për Dedë Gjo Lulin, për Isa Boletinin, për Mehmet Shpendin, flitej gjërë e gjatë për Shqipërinë dhe për atdhetarët shqiptarë…

Ramadan Çerkin Peci-Dani dëgjonte sy dhe vesh. I biri ì atdhetarit dhe ì veprimtarit të devotshëm për çështjen shqiptare dhe për Shqipërinë e bashkuar, Çerkin Hajdar Peci (ì dënuar tri herë nëpër kazamatet e Jugosllavisë titiste, e cila kaherë ishte bërë Bastilja e shqiptarëve; një nga udhëheqësit e Frontit Nacional për Çlirimin dhe Bashkimin e Kosovës, Front ky ì cili kishte qëllimin thelbësor formimin e bërthamave që do të shpienin në konsolidimin e një ushtrie kombëtare shqiptare si e vetmja forcë dhe e vetmja zgjidhje për fatet e Kosovës së përgjakur); do të mbushej urrejtje për komunizmin, për armiqtë e kombit shqiptar dhe për lakejtë e sllavëve.

Që në rini të tij, si ì biri ì atdhetarit dhe si ì biri ì një familjeje atdhetare, me urdhër të posaçëm të sahanlëpirësave të politikës pansllaviste të Beligradit, do të përjashtohej nga bankat e Gjimnazit të Mitrovicës dhe do të shkonte mëpastaj në Shqipëri, me shpresën se do të gjente përkrahjen dhe mbështetjen, por si shumica e kosovarëve të cilët shkuan dhe kërkuan shpëtim në shtetin amë, edhe ai ì provoi grilat e regjimit komunist, që me gjak dhe me hekur shtypte dhe ndrydhte ndjenjën shekullore të shqiptarizmës, e cila sa vinte dhe rritej dhe e cila do të shpërthente një ditë me fuqinë e një tërmeti të paparashikuar politik, si një urragan ì urrejtjes së popullit ndaj ferrit mesjetar dhe ndaj shpirtkazmave e shpirtkatranëve veshur me petkun e komunizmit, të marksizmit, të leninizmit, të stalinizmit, të dreqit e të birit.

Së këndejmi Dashuria për Atdheun do t’ì bëhet Ideal dhe Këngë. Këngë e përjetësuar në çiftelinë e tij, të cilës ì binte aq bukur dhe me aq pasion, IDEAL të cilit do t’ì falte një ditë maji edhe jetën e vet në një moshë aq të njomë, në lule të rinisë, përkrah shumë shokëve të tjerë, në luftën ballë për ballë me shkijet e shkinisë, pikërisht ashtu siç e kishte dëgjuar tek recitohej në Odën e Haxhi Hajdar Zhazhës, Lahuta e Malëcis e Poetit Kombëtar Gjergj Fishta: “Kadal shka he ì biri ì shkinës,/ se s’ke pa shqiptar me sy,/ kalli veten e t’faroj ty”.

Vuajtjet e tij, vuajtjet e familjes së tij, dhe veçmas vuajtjet e babait të tij Çerkin Hajdar Pecit, ia shtuan urrejtjen për armikun dhe dashurinë për atdheun.

Kosova ziente prej vitesh si një krater vullkani, flakët e të cilës që të mos shpërthenin me furi, shuheshin me zjarr dhe me hekur, me lak dhe me gjak, e trualli ì shqipes djep vullkani, bashkë me kullat që nëpër shekujt barutin e ternin në gjirin e tyre, këndonin Këngën e të Gjitha Këngëve, këngën e shkruar me gjakun më të dlirë të Shqiponjës së Gjuhës Shqipe - Petro Nini Luarasit, e Petro Nini Fjalëflamurit: “Arbëri moj shpatë e zhveshur,/ që kur të njeh historia,/ dyfekun e mbajte mbi supe,/ në gjak të mbiu liria./ Ngrehu dhe rrëfeju,/ ç’është Gjak ì Shqipërisë,/ me armikun tend mbërthehu,/ dhe rrëfeja gjithësisë”…

Kur trualli ì Kosovës kreshnike, pas shumë pranverave të përgjakshme dhe kryengritëse, më në fund e veshi Uniformën Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramadan Çerkin Peci-Dani u rradhit Vullnetar në rradhët e atyre që e banë dekën si me le, për ta bërë Në Vizionin dhe Në Misionin e Tyre Historik:

Dardaninë Diell Dardanësh!

Duke iu përgjigjur kushtrimit shekullor për të rrokur armët në mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar, Ramadan Çerkin Peci-Dani e përmbushi Misionin e Tij për Idealin e Shenjtëruar të Lirisë e të Pavarësisë së Kosovës.

Rënia e Tij Heroike si dhe e Shokëve të Tij Martirë të Kosovës, që ranë Fli për Shqipëri, më kujton aq dhembshëm vargun e Bajronit: “Në këngë dhe në vajtim u drodhën fustanellat”.

Në këngë dhe në vajtim u drodhën çiftelitë!

Në luftëra luanësh e në krisma tupanësh:
Dardania Diell Dardanësh!

Poema e gurëve të gdhendur nga gjyshi e stërgjyshi u përgjak prapë.

Mbishkrimi këtë herë ishte ashtu si dhe në kohën e gjyshërve e të stërgjyshërve:

S’TA LËSHOJMË RRUGËN PA T’LA ME GJAK!

Rënia e Tij dhe rënia e Tyre, sa Heroike aq edhe Tragjike, më përkujton Vargun e Poetit të Hymnit Kombëtar, Asdrenit:

“AMANET JU LËMË SHPIRTËRAT TANË”.

Kishte të drejtë Lasgush Poradeci, kur kërkonte që vargun e Asdrenit ta vinte si Mbishkrim mbi Monumentin e Luftëtarit Kombëtar në Korçë.

AMANET, DO ME THËNË, PËR TRASHËGIM JU LËMË SHPIRTËRAT TANË.

LIRINË…

Ashtu siç kishte thënë edhe vetë Ismail Qemali:

“DJEMTË E MI NUK BËRA PASURI T’JU LËJA TRASHËGIM. PO JU LË AMANET SHQIPËRINË. LAMTUMIRË”…

Shërbestarët e Shqipërisë, Djalëria Shqiptare, Djelmënia e Atdheut, Luftëtarët e Devotshëm të Trojeve Shqiptare, Vullnetarët e Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare, ashtu si dhe Radhët e Ushtrisë së Heroit Tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit - Skëndërbeut, dëshmuan edhe një herë se Atdheu nuk është vetëm një emër, se Flamuri nuk është vetëm një leckë që ta rrëzojë kush të dojë dhe kur të dojë duke e marrur nëpër këmbë, dhe se Ideali nuk është vetëm një ëndërr.

Rënia heroike sa edhe tragjike e Ramadan Çerkin Pecit-Danit dhe e shokëve të tij të idealit, si edhe të gjithë atyre që ranë fli në Altarin e Shenjtë të Atdhedashurisë, më përkujton aq shumë dhe aq mallëngjyeshëm, Dyvargëshin e Famshëm për Luftëtarët e Epopesë së Lavdishme të Orman Çiflikut:

“DËSHMOR I ATI, THEROR I BIRI, / KËSHTU VDES VETËM ILIRI”.

Dani - Djali me Flamur. Djaloshi Liberator. Ushtar i Atdheut. Kalorës i Lirisë. Dëshmor i Kombit.

Një fotografi e tij e hershme ku kishte dalur si fëmi, jo vetëm që në sfond shfaqte një bardhësi por edhe e thoshte një profeci: Engjëll si fëmi, Engjëll në rini, Engjëll për Liri e Engjëll në Përjetësi.

Ramadan Çerkin Peci - Dani u frymëzuar nga historia dhe tradita kombëtare e familjare, por në mënyrë të veçantë nga gjyshi i tij Hajdar Zhazha, i cili në vitet e rënda të zezonës kuqaloshe që kishte shkaktuar murrlani i Moskës, kur mungonte buka në sofër a kur drita e llambës së vajgurit vetëm sa nuk fikej, e merrte Lahutën Hyjnore të lashtë sa plisat e dheut, dhe këndonte me mallëngjim, me lot në sy por edhe me një zjarr të shenjtë dashurie në zemër këngët e kreshnikëve dhe të bëmat e bijve të mëmëdheut të cilët i kishin dalë zot tokës bujare të gjakut.

Ramadn Çerkin Peci - Dani do të frymëzohej nga këngët e gjyshit, dhe njëlloj si gjyshi i tij, edhe ai do të këndonte nën tingujt e çiftelisë të cilën e deshti aq shumë dhe të cilën e muarr në dorë aq shpesh: herë për të përkujtuar trimëritë e levendëve të lirisë së Shqipërisë, e herë për të uruar me magjinë e tingujve dhe me zemërbardhësinë e tij - edhe për një diplomim në fakultet.

Dani, nga gjyshi i tij trashëgoi bujarinë dhe zemërgjerësinë, nga babai i tij trashëgoi mençurinë dhe trimërinë. Nga të dy, pra nga gjyshi Hajdar Zhazha dhe nga babai Çerkin Hajdar Peci, Dani trashëgoi: Atdhedashurinë.

I brumosur me idealin e shenjtë të lirisë, i frymëzuar për të sfiduar pushtuesit e tokave tona shekullore si dhe lakejtë e tyre, i vendosur për të rrokuar armët jetike për idealin e brezave të shqiptarëve atdhetarë - Shqipërinë Etnike, të cilin ideal Breznitë Orëmira e kishin larë me gjakun e tyre më të kulluar, i betuar për të mos u dorëzuar, i përbetuar për të mos pushuar kurrë së luftuari derisa Kosova të çlirohej nga thundrat barbare, derisa Kosova e çliruar të merrte frymë kombëtarisht, Ramadan Çerkin Peci - Dani iu fal dhe iu përfal: Lirisë së Shqipërisë, asaj lirie ku Kosova ka qenë gjithmonë firmamenti i përgjakur i shqiptarëve ndër shekuj.

I rritur pra duke dëgjuar rrëfimet për të bëmat atdhetare të të parëve të tij bujarë dhe fisnikë, bukëdhënës e të besës; i rrëmbyer nga tingujt gjithë magji të Lahutës të cilën Baba Plak nuk e lëshonte nga dora, i ushqyer me vargjet e Lahutës së Malëcis - të shkruar si një mermer monumental nga Poeti i Kombit Gjergj Fishta, vepër të cilën profesori i Gjuhës dhe letërsisë shqipe Çerkin Peci, e mbante si thesarin më të çmuar, dhe e cila bashkë me veprën Mrizi i Zanave, ishin jo vetëm dy librat më të lexuara por edhe më të recituarat nga anëtarët e familjes; i përjashtuar padrejtësisht nga shkolla, nga po ata që aq pabesisht i kishin ngritur gishtat për ta përjashtuar nga procesi mësimdhënës/edukativo-arsimor, nën masat mesjetare të diferencimit famëkeq ideo-politik e inkuizicionist, profesorin atdhetar Çerkin Peci; i privuar aq egërsisht për të gëzuar edhe të drejtën më themelore të edukimit të mëtutjeshëm - nga po ata që aq qyqarisht dhe gjithmonë dhelpërisht kishin denoncuar babain e tij, të cilët i ishin sulur dhe vërsulur në lukuninë e tyre të çmendur prej poltronësh; i tradhtuar nga nomenklatura e kuqe e shtetit kuqalosh - përderisa ëndërronte se ndoshta një rreze drite do të ngrohte Shqipërinë komuniste, i maltretuar, i torturuar, i survejuar dhe i sfiduar në një luftë dhe në një front të pabarabartë, Ramadan Çerkin Peci - Dani ndonëse në moshë të njomë, u kalit edhe më shumë.

Në mendjen e tij zinte vend vizioni për çlirimin kombëtar dhe shoqëror, në zemrën e tij rrahte flatrat liria, dhe në qenien e tij më e shenjta ishte Shqipëria, ishte Atdheu, Flamuri, Kombi, Gjuha, Toka që e lindi dhe e rriti e të cilës ia fali jetën bashkë me shokët e idealit të përjetësisë.

Ramadan Çerkin Peci - Dani ishte një vëlla i dashur, një shok i urtë, një shpirt njeriu i cili ndiente dhembje për të varfërit e i cili solidarizohej me skamnorët, me të shtypurit dhe të shfrytëzuarit, duke ushqyer dashuri për njerëzit e mirë e atdhetarë dhe urrejtje për armikun e për veglat e tij qorre.

Ai shquhej për bujari e për besnikëri, kurse për trimëri u dëshmua në fushën e nderit, virtyte dhe tipare këto të trashëguara brez pas brezi në trungun e tij familjar.

Bujar dhe i dashur, i qeshur dhe solidar, trim dhe punëtor, i fjalës dhe i besës, i aksionit e i pushkës, ai u radhit si Ushtar i Atdheut dhe iu fal Përjetësisë si Dëshmor i Kombit.

Ai - Djaloshi Liberator, i cili e recitonte përmendësh poemën e Pashko Vasës O Moj Shqypni, iu fal Shqipërisë duke iu përgjigjur kushtrimit që kishte lëshuar po Pashko Vasa: “Urdhërat e ndërgjegjës kombëtare duhet të na vijnë për krerë, dhe të bindin për ushtarë”.

Lavdi dhe Krenari për Ramadan Çerkin Pecin - Danin!

Lavdi e Përjetshme:

Bashkudhëtarëve dhe Bashkëmendimtarëve në Rrugën e Lirisë së Shqipërisë!

Qoftë i Përjetshëm: Kujtimi dhe Nderimi për Ta!

Qoftë: Frymëzim Brezash e Dritë Lirie, në jetë të jetëve!

Qoftë me të gjjithë Ata që besuan se Dashuria për Atdheun është Ushtria më e Fortë e një Kombi:

Bekimi i Shenjtë i Perëndisë dhe Bekimi i Shtrenjtë i Shqipërisë Mëmë!

Një popull nderon dhe respekton bijtë dhe bijat e tij më të mirë e më të devotshëm, flamurtarët e lirisë së tij, sogjetarët e përjetësisë së tij, jo vetëm duke u ngritur monumente, buste e statuja, jo vetëm duke u përkulur përpara lapidarëve të tyre, jo vetëm duke puthur mermerin monumental, jo vetëm duke mbajtur fjalime e duke përkujtuar flakadanët e lirisë, por në radhë të parë e përmbi të gjitha, duke përjetësuar idealin e tyre, duke e formuar, duke e forcuar dhe duke e konsoliduar shtetin kombëtar shqiptar, duke i bashkuar radhët e veta rreth vëllazërisë shqiptare, duke besuar se dijetarët dhe atdhetarët janë gjithmonë të bashkuar, duke shuar plagët e mallkuara të: gjakmarrjes, varfërisë dhe mërgimit; duke shtuar dashurinë dhe duke flakur urrejtjen, smirën dhe xhelozinë; duke kthyer sytë kah mëmëdheu dhe duke iu përveshur punës për mirëqenien e tij kombëtare dhe sociale, duke ngritur një shtet ligjor e duke formuar dhe respektuar një rend të qëndrueshëm ku do të sundonte puna, parimi, respekti, bindja, vlera dhe arsyeja - në vend të frikës, padrejtësisë dhe shpërfilljes, indiferencës, papunësisë, zhgënjimit dhe anarkisë; ku arsimi, shëndetësia dhe ushtria do të vepronin në harmoni dhe në vëllazëri, ku do të respektohej dija dhe puna, ku do të nderohej vepra e të rënëve dhe kur do të lartësohej ideali i tyre, i shkruar me gjakun më të kulluar të bijve dhe bijave të këtij kombi të përvuajtur, por trim e martir…dëshmi se stërgjyshërit tanë kanë pasur dikur një shtet dhe një shkëlqim, të cilin ne - stërpnipërit e tyre, e kujtojmë me kreanarinë e ligjshme të të qenunit shqiptarë e bij shqiptarësh; një shtet i cili dikur quhej: ILIRI…

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm