Menu

Jorgji Kota – Veprimtar i shquar i Rezistencës Antifashiste Shqiptare

User Rating:  / 0
PoorBest 

Jorgji Kota

-Jorgji ishte lexues i rregullt i Naim Frashërit, Vaso Pashës, librat e tyre i kishte nën jastëk

Nga Harallamb Kota

Lëvizja Popullore, largimi i Zogut dhe revoltat kundër pushtimit të Shqipërisë

Lëvizja Popullore dhe revoltat kundër pushtimit të Shqipërisë nisën më 7 prill 1939. Jorgji ishte patriot dhe e donte shumë atdheun e tij. Vite më parë kishte lexuar; veprën e Sami Frashërit "Shqipëria, ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet", vjershat e Naim Frashërit, Vaso Pashës dhe mbante mënd shumë mësime të mara nga babai i tij Llambi N.Kota. Këto libra ai mbante në jastëk dhe sa herë gjente kohë i rilexonte me dhjetëra herë. Burrat e kombit me Ismail Qemalin, shpallën pavarësinë e Shqipërisë në 28 nëntor 1912 dhe e ndërtuan sipas parimeve të "Manifestit të Rilindjes". Jorgji respektonte shtetin e tij. Edhe në kohën e qeverisjes nga Fan Noli, për të cilin kishte trashëguar mirënjohjen më të lartë, për aktin e madh të krijimit të kishës autoqefale shqiptare, Jorgji ishte treguar një shtetar dhe qytetar i denjë. Në kohën e mbretërisë, ai gëzonte një pozitë shoqërore dhe kishte një ekonomi shumë të mirë, por largimin e mbretit Zog pa hedhur asnjë pushkë nuk e kuptonte dhe nuk e përkrahte.

Ardhja e italianëve dhe premtimet e bujshme të Duçes

Italianët erdhën në Shqipëri, me ushtri të armatosur, me muzikë, këngë, teneqe me marmelatë, thasë me miell dhe arka me makarona, të cilat i shpërndanë fillimisht falas e më tej mbytën tregun. Rezistenca e nisur nga Mujo Ulqinaku u shua. Premtimi i Duçes, për bashkimin e trojeve shqipfolëse, krijoi çoroditje e ngjalli entuziazmin e patriotëve. Gjermanët që erdhën më pas premtuan të njëjtën gjë. Besimi i shqiptarëve tek fuqitë europiano-veriore e kishte zanafillën qysh në kohën e miqësisë së lidhur midis Huniadit dhe Skënderbeut. Situata u qartësua menjëherë pas hyrjes në luftë të Amerikës. Shqipëria u Rilind nga Veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare, por u krijua nga përkrahja e SHBA-ve.

Patriotët dhe atdhetarët shqiptarë, pa asnjë mëdyshje u bashkuan me forcat aleate, duke krijuar formacione ushtarake dhe kundërshtuar pushtuesit nazi-gjerman.

Gjyshi Kol Kota luftoi e u vra në prill të 1912 në moshën 54- vjeçare, në përpjekje me andartët grekë

Jorgji u përfshi me grupet e rezistencës, i bindur se ishte në rrugën e drejtë të nisur nga paraardhësit e tij. U lind në lagjen "Goricë" në Berat në 5 tetor 1909 dhe u vendos në Tiranë në 28 janar 1922. Familjet Kota, si pjesë të pandara të kombit shqiptar, historikisht kanë manifestuar kundërshtime ndaj pushtuesve të huaj. Largimet e tyre nga vendlindja e hershme shekullore nga kalaja e Beratit, janë bërë nga dhuna sistematike e ushtruar nga administrata otomane. Porta e Lartë në bashkëpunim me Patrikanën e Stambollit, punonin kundër shqiptarëve duke synuar që ata të deklaroheshin, osman, grek, apo vlleh. Gjyshi i Jorgjit, Kol Kota luftoi për Shqipërinë e u vra në prill të 1912 në moshën 54-vjeçare, në përpjekje me andartët grekë. Babai, Llambi N.Kota ishte pjesëmarrës mjaft aktiv në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe ishte një Rilindës i vërtetë. Ai ishte kontribuues në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 dhe pjesëmarrës (delegat përfaqësues i Korçës) në Kongresin e Dibrës në 1909. Në fillim të 1919 u zgjodh Kryetar i të gjitha klubeve shqiptare të Misirit, detyrë të cilën e kreu deri në qershor 1919 dhe më pas e ushtroi Andon Zako Çajupi. Në tetor të 1919 në moshën 41-vjeçare, i ati u shua në Egjipt në vrullin e punëve për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi dhe synimet grabitqare të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë.

Kontaktet e para me grupet e rezistencës me Riza Jasa, dhe Ramazan Demën

Aktiviteti i Jorgjit në interes dhe favor të lëvizjes Nacionalçlirimtare në mjediset qytetare dhe katundare ra në sy te xhandarmërisë, që filloi ta survejonte dhe ta kishte në qendër të vëmendjes. Jorgji ishte përgjegjës i disa grupeve të rezistencës në zonën, ku banonte dhe punonte. Në lagjen "Sulejman Pasha", e cila përfshinte territorin e Tiranës së vjetër, shtëpitë e qytetarëve Tiranas te banuara nga familjet Katroshi, Bumçi, Mara, Dingu, Prizereni, Kraja, Huta, Alibali, Laja, Dema,etj., hapeshin e strehonin shokët e tij, që punonin kundër okupatorit. Kontaktin e parë me grupet e e rezistencës e pati me Riza Jasa, që i rekomandoi bashkëpunimin me Ramazan Demën. nga familja autoktone Tiranase.

Njohja me Gogo Nushin dhe ndihma me ushqime dhe veshmbathje për batalionin Dajti

Tregtari i madh Hasan Laja, e ndihmonte vazhdimisht me veshmbathje e ushqime, të cilat Jorgji i çonte nëpërmjet shokëve të tjerë në batalionin Dajti. Shok të mirë dhe të besës kishte Gogo Nushin, i cili ishte kryetar i Lëvizjes Popullore në krahinën e Tiranës. Në të gjitha fshatrat e katundet që shkonin takonin mjaft njerëz, të cilët i bindnin për luftën e drejtë nacionalçlirimtare.

-"Hotel Paris" vendi ku punonte Jorgji u bë qendër e lidhjes së korrierëve

-Kontroll i befasishëm i gestapos dhe zhdukja e dokumenteve komprometuese në nevojtore

Jorgji kishte vite që punonte si administrator i "Hotel Paris" një ndër hotelet më luksoz të kohës në Tiranë. Ai hotel ndodhej ku është sot gropa e Hajdin Sejdisë. Pronar i hotelit ishte Gafur Dibra me origjinë nga Dibra. Ai kishte një hotel tjetër në Pogradec, një në Itali dhe një në Stamboll. Administrator kishte caktuar Jorgji Kota. Me lidhjen e Jorgjit me lëvizjen, spiunët kishin kohë që e survejonin. Një kontroll i befasishëm u bë nga gestapo (kur ai nuk e priste), në "Hotel Paris" vendi ku Jorgji punonte. Me shpejtësi Jorgji doli në oborrin e pasmë dhe hodhi në pus dokumente me emrat e aktivistëve e vendndodhjen e tyre. U kontrollua dhe shpëtoi për mrekulli. Spiunët ishin kudo. Pas disa kohësh arrestohet e dërgohet në qelitë e xhandarmërisë. Në xhepin e xhaketës kishte një bllok me emrat e shokëve. Rënia në dorën e tyre, do të ishte një katastrofë e vërtetë. Me dhjetëra do arrestoheshin e vriteshin. Një xhandar që punonte për lëvizjen, qëndronte në këmbë. Pasi u largua shefi i gestapos, bëri shenjë të zhdukte bllokun mbi tavolinën e kontrollit. Pa humbur kohë Jorgji e mori, e grisi dhe e hodhi në nevojtore. Pas njëzet ditë qëndrimi në birucë, i zhytur me orë të tëra në fuçi me ujë të ftohtë, u lirua me ndërhyrjen e Gafur Dibrës, që ishte pronari i Hotel "Parisit" dhe punëdhënësi i tij.

Arrestimi i dytë në shtëpi nga forcat e Xhafer Devës

Në papafingo ishte strehuar Islam Petrela, një partizan i plagosur dhe mik i tij.

Arrestimi i dytë u realizua nga forcat e Xhafer Devës. Xhandarët erdhën në shtëpinë ku banonte dhe kontrolluan kudo. Në papafingo ishte strehuar Islam Petrela, një partizan i plagosur dhe mik i tij. Në dhomën e gjumit gjetën një komplet rrobash ushtarake, të cilat Jorgji do i vishte në momentin e urdhrit për të shkuar në mal e ti bashkohej batalionit "Dajti". Situata ishte e vështirë dhe Jorgji rrezikonte internimin ose burgimin. Me dhjetëra njerëz dërgoheshin në kampin e përqendrimit në Prishtinë.

Gafur Dibra ndërhyn tek Kryeministri Fiqiri Dine për lirimin e Jorgjit

Përsëri Gafur Dibra ishte shpëtimtari. Kishte biseduar me Kryeministrin Fiqiri Dine, të cilin e kishte dibranin e tij dhe ishte larguar nga Tirana. Një xhandar vjen te porta e shtëpisë dhe troket fort. Lika, gruaja e Jorgjit ishte vetëm në shtëpi me tre fëmijët e saj, Koçon, Margaritën dhe Lirinë. Hapi portën dhe në oborr u fut xhandari i cili me zë të ulët i tha: -Shko shpejt në Hotel Dajti, sepse atje ndodhet Kryeministri. Sipas porosisë, duhet ti kërkosh lirimin e Jorgjit. Lika një grua trimëreshë, mori me vete tre fëmijët dhe në shkallët e Hotel Dajtit, u gjend përball kryeministrit Fiqiri Dine e i tha: -Më lironi burrin, ndryshe më arrestoni edhe mua me të tre fëmijët. Kryeministri qëndroi dhe u tha të pranishmëve:-Po qe se edhe Jorgji Kota është bërë komunist, dijeni që i gjithë populli qenka bërë i tillë. Kjo nuk ka mundësi, prandaj të lirohet Jorgji Kota menjëherë.

Masakra e 4 shkurtit 1944, një xhandar që i njihte shpëton familjen Kota

Në mëngjesin e 4 shkurtit 1944, Lika me Margaritën për dore, po shkonin përposhtë rrugës "Vllazën Huta", në mulli për të blerë miell. Në anën tjetër te rrugës, tek dera e marangozëve, ishte shtrirë i vrarë usta Jorgji, marangozi i vjetër i lagjes, që kishte të njëjtin emër me Jorgji Kotan!. Kishte filluar masakra makabre e 4 shkurtit. Në rrugë kishte shumë të vrarë dhe Tirana ishte tepër e zymtë. Një xhandar i gjatë që me sa duket i njihte si familje, bën zë dhe u thotë:

-Shkoni shpejt në shtëpi. Mos dilni sot fare. Rrini brenda këto ditë. Të tmerruara nënë e bijë, u kthyen mbrapsht. Jorgji Kota kishte dalë nga porta e oborrit dhe bashkë me to u fut përsëri brenda. Ishte një qetësi ngjethëse e në rrugicat e Tiranës, lëviznin pa zhurmë vetëm disa njerëz me shapka në kokë. Një masakër e vërtetë ndodhi atë ditë në Tiranë dhe Jorgji Kota shpëtoi për mrekulli pasi i thanë të mos dalë nga shtëpia. Puna ku ai ishte rrethuar nga nazistët.

Komisar i frontit për Tiranën e vjetër dhe më pas sekretar i lagjes "Sulejman Pasha"

Në 29 nëntor të vitit 1944, "Qeveria Demokratike" e Enver Hoxhës, hyri triumfalisht në Tiranën e çliruar nga partizanët. Ky moment, e gjeti aktivistin Jorgji Kota në detyrën e komisarit të frontit për Tiranën e vjetër dhe më pas sekretar i lagjes "Sulejman Pasha". Ishte punë e vështirë dhe me shumë përgjegjësi. Ishte koha dhe kur mllefet ndaj pasanikëve ishin në zenit pa të drejtë. Po ndërroheshin dy sisteme krejt të kundërta. Dy sisteme që do të luftonin për jetë a vdekje me njëri-tjetrin.

Urdhri "Top Sekret",, të arrestohet Gafur Dibra, Jorgji e lajmëron në mënyrë të fshehtë

Në zyrat e pushtetit ai njihet me listat e tregtarëve, nacionalistëve,bashkëpunëtorëve te okupatorit dhe me urdhrat për arrestimin e tyre. Në një listë të gjatë, shtypur me makinë shkrimi, ishin shënuar emrat e tregtarëve të mëdhenj të cilët duhej të dorëzonin floririn. Në mbrëmje ai takon mikun e tij, Hasan Laja dhe i thotë: -Është dhënë urdhër që tregtarët të dorëzojnë nga pasuria e tyre një sasi parash ose flori. Do të vij kontrolli në dyqan ose në shtëpi, prandaj dorëzo aq sa të thonë, pasi rrezikon të të arrestojnë. Në një listë tjetër, ku dallohej qartë shënimi "Top Sekret", Jorgji dalloi emrin e tregtarit Gafur Dibra, mikut më të ngushtë të familjes së tij. Poshtë shënimit me shkrim dore thuhej: -Të arrestohen menjëherë e të dërgohen në gjyqin e popullit. Situata ishte tepër e vështirë. Balli ju mbulua me një vello djerse të ftohtë. Sytë ju mjegulluan, aq sa nuk mund të lexonte asnjë emër tjetër. Ju krijua ndjesia që kjo nuk ishte e vërtetë. Sidoqoftë e kishte marrë vendimin dhe duhej të vepronte menjëherë. Gafur Dibra e kishte punësuar administrator të pronave tregtare. Ai e kishte shpëtuar tre herë nga thonjtë e Gestapos. Duhej ta shpëtonte mikun e familjes. E takon, e vë në dijeni dhe i kërkon të largohet menjëherë. Gafuri e përqafon dhe me lotin që i rrodhi nga mallëngjimi i tha: -Të falënderoj e të konsideroj djalë. Prano një nga pronat e mija. Jorgji e shtrëngon fort e me zë të dridhur ju përgjigj: -Lamtumirë o miku im. Ti largohu sa më shpejt e shpëto. Ne nuk do të na duhen pronat. Gafuri i pikëlluar u nda me Jorgjin, u largua në fshehtësi nga Tirana, shkoi në Durrës e me vaporin e parë mbërriti në Itali. Pas kësaj ndarje të dhimbshme e të fshehtë, "Plaku dhe i Riu", nuk u takuan asnjëherë dhe nuk patën letërkëmbime.

Pushteti dhe aktivistët e Tiranës: Jorgji Kota, një shqiptar patriot

Në Shqipërinë e pasluftës komunistët filluan arrestimet. Në fillim listat u mbushën me bashkëpunëtorët e pushtuesit, funksionarët e mbretërisë, pasanikët, tregtarët, intelektualët që kishin studiuar jashtë shtetit dhe së fundmi me çdo person që kundërshtonte regjimin. Situata ishte tepër e rrezikshme. Jorgji mbylli gojën dhe "mohoi" një pjesë të historisë familjare.

Në vitet e para të "Qeverisë Demokratike", Jorgji u caktua me detyra të rëndësishme në pushtetin qendror dhe në pushtetin lokal. Në vitin e parë pas çlirimit të Shqipërisë nga okupatorët nazifashist, pronarët Gazheli të frikësuar nga konfiskimet e pasurive që kishin, i ofruan Jorgjit njërën nga shtëpitë në lagjen "Sulejman Pasha", në mëhallën e Katroshëve. Shtëpia ishte me dy kate e rrethuar me bahçe. Jorgji e sistemoi menjëherë familjen me pesë vetë, e cila deri në vitin 1951 u shtua edhe me tre fëmijë të tjerë. Në marsin e 1953 u lind Llambi Kota (Harallambi). Familja Kota sipas ligjeve në fuqi, përfitoi një lopë qumështi. Në dhjetor 1955 erdhi në jetë fëmija i tetë Arturi dhe për mbarësi lopa lindi viçin femër. Tashmë, ëndrra e patriotit Jorgji Kota për një familje të madhe shqiptare ishte bërë realitet.

Mëhalla ku banonte familja Jorgji Kota ishte shumë e madhe. Shtëpitë e banimit me një dhe dy kate, të vjetra e të ndërtuara më të shumtat me qerpiç, qarkuar me bahçe të mbjella me drurë frutorë, ku dallohej caraca, fiku, mani e kumbulla, ishin të rrethuara me murre ndarëse që quheshin avlli. Largësia midis dy avllive, krijonte një rrugicë që kishte dalje në rrugën kryesore. Në krye të kësaj rruge gjendej çezma, në të cilën mbushnin ujë të gjitha familjet. Shtëpia e familjes Jorgji Kota, rrethohej nga shtëpitë e familjeve Gazheli, Hoti, Huta, Katroshi, Mema, Halibali e shumë të tjera. Gruaja e Jorgjit, Lika me fëmijët e sajë bënte një jetë tepër të qetë dhe kalonte shumë mirë me gjitonët. Shtëpia ku banonte, ishte ngjitur me shtëpinë e Havasë, gruas së Majorit dhe me shtëpinë e Fluturës,që ishte shoqe me Margaritën vajzën e saj të madhe. Të vegjlit e Likës, për të dalë lart tek çezma e mëhallës, kalonin dy deriçka të vogla, nga bahçja e tyre tek bahçja e Havasë. Komshinjtë ishin të besimit mysliman dhe ata respektonin fenë e njëri tjetrit. Në ditët e festave myslimane, Lika gatuante hallvë ose asude dhe në ditët e festave të krishtera, ajo lyente me bojë të kuqe vezët e pashkëve dhe ua ndante fëmijëve të lagjes. Jorgji e mbante të gjallë miqësinë me familjen Alimehmeti.

1956 dy "tërmete" tronditën Tiranën, burgosja e të pasurve dhe çarja e shtëpisë

Jorgji Kota kishte miqësi me katundarinë e Tiranës, prandaj për ditët e festave të besimit bektashian, ai shkonte në shtëpitë e tyre. Zakonet e shqiptarëve, pavarësisht besimit fetar, pothuajse ishin të njëjta. Ato ndryshonin vetëm në mënyrën e jetesës dhe në kontaktin me ambientin e jashtëm. Lika me të motrat dhe kushërirat e saj visheshin allafrënga. Ato dilnin nga shtëpitë, kalonin nëpër rrugicat e lagjes dhe shëtitnin në rrugën mbretërore. Gratë e mbyllura të lagjes, që i përkisnin një besimi tjetër, i kishin zili dhe njëkohësisht i admironin duke vuajtur mungesën e lirisë së tyre. Viti 1956, ishte fillimi i zhgënjimeve të mëdha. Kishin filluar erërat dhe korentet. Lufta e bërrylave dhe lufta për pushtet po hante koka njerëzish, kuadrosh dhe patriotësh. Dy tërmete tronditën Tiranën. I pari kishte punë me njerëzit dhe i dyti me banesat e tyre. Shtëpia në të cilën banonte familja Jorgji Kota, u plasarit dhe muret u çanë. I mbetur rrugëve disa muaj me radhë, ai e sistemoi më së fundmi familjen e tij në zonën "Tirana e Re". Jorgji rridhte nga një familje atdhetare dhe me këtë ndjenjë, ishte angazhuar në lëvizjen për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist, duke marrë pjesë në grupet e rezistencës të Tiranës. Në mungesë të arsimit të duhur për të qëndruar në poste të larta, me ndershmërinë që e karakterizonte,u kërkoi strukturave ta vendosnin në vendin e duhur dhe ti jepnin detyra që mund ti kryente. Ndershmëria e tij, u shfrytëzua nga elementë karrieristë, të cilët synonin të ngjiteshin lart në vende të pamerituara.

Shef Bujqësie në Tiranë, angazhimi për ngritjen e kooperativave, populli nuk donte

Pasi u largua nga detyra e sekretarit të komitetit ekzekutiv të rrethit Tiranë, u emërua Shef Bujqësie. Në detyrën e re u angazhua në ngritjen e kooperativave bujqësore në fshatrat Lundër, Gurrë, Domje, Laknas, Vorë etj.. Pas formimit të kooperativave, sipas kërkesave të fshatarëve, që kishin grupuar tokën bujqësore, bagëtitë dhe drurët frutorë, qëndronte për pak kohë si kryetar. Udhëheqja qendrore dhe ajo lokale, pasi e larguan nga detyra e Shefit të Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, me argumentin që në atë vend drejtimi duhej një agronom i lartë, e emëruan Jorgjin, Kryetar Lokaliteti në Vorë.

Dështimet në sektorin e bujqësisë ishin tepër të dukshme. Jorgji e shihte me sy varfërimin e fshatit dhe e prekte me dorë pakësimin e rezervave ushqimore për njerëzit dhe bagëtinë. I ndërgjegjshëm në punën e tij' e i papërkulur në karakter, shprehej haptazi në rrethet shoqërore, në mbledhjet e pushtetit dhe të organizatës ku militonte, që duhej të ndryshonin taktikat e strategjitë për zhvillimin e bujqësisë dhe të fshatit. Qëndrimi që ai mbante dhe fjala e çiltër që shprehte, shkaktoi kundërshtarët e parë. Individ nga radhët e udhëheqjes së partisë, po mendonin se kishte ardhur koha ta kryqëzonin.

Kryetar kooperative në fshatin Gurë dhe paralajmërimi për ta përjashtuar nga partia

Jorgji Kota u ul përsëri në detyrë dhe u caktua kryetar kooperative në fshatin Gurë. Porosia nga lart ishte:

-Të marrë me vete gruan dhe tetë fëmijët. Jorgji nuk e pranoi këtë mënyrë të urdhëruari. U thirr në K.Q. të partisë. I bënë presion dhe e paralajmëruan për ta përjashtuar nga partia. Filloi koha e përgjimeve dhe përndjekjeve. Po e ndjente veten si në kohën kur militonte në grupet guerile e përndiqej nga xhandarmëria dhe gestapo. Një agjent me emrin Lefter, e ndiqte këmba këmbës dhe i përgjonte bisedat që bënte me miqtë. Lefteri spiunonte në polici. Një mbasdite pas orarit të punës, ishte me Koçon djalin e madh dhe kishte takuar Ramazan Demën dhe disa shokë të tjerë. Po pinin birra në një lokal në pazarin e ri dhe po bisedonin për qejf të tyre. Lefteri po i përgjonte. Jorgji e pikasi dhe e shau, por ai iku me vrap duke thënë: -Shpejt do të përfundosh brenda. Jorgjin e thirrën në rajon, sepse kishte sharë një oficer policie. Prokurori i çështjes Mynyr Tirana, që ishte shoku i tij i njësiteve të rezistencës kundër pushtimit nazifashist, e la menjëherë të lirë. Ishte viti 1960.

Pakënaqësia ndaj hatëreve, tarafeve, njerëzve të pushtetit që u ndanë nga hallet e popullit

Tragjedia sa kishte filluar. Jorgji fliste hapur dhe shprehte pakënaqësi ndaj disa njerëzve të pushtetit e disa funksionarëve të lartë të partisë. Ishte i papërmbajtur e në shoqërinë e miqve në një ambient publik u shpreh hapur dhe tha: -"Peshku po qelbet nga koka", duke belbëzuar emrat e disa funksionarëve të lartë të partisë e shtetit. Në këtë mënyrë,u shpreh të nesërmen në mbledhjen e organizatës, ku militonte. Debatet ishin të ashpra. I vetëm midis një grupimi të madh shokësh të djeshëm, të kthyer në kundërshtar të egër, u mbërthye me fjalët "antiparti" dhe u kryqëzua në "emër të popullit".-Ti Jorgji, u shpreh me egërsi i deleguari i partisë, nuk na ke thënë që je djalë tregtari.

Akuza e pa merituar: ke lidhje gjaku me ish-kryeministrin e mbretërisë Koço Kota

Mbiemri Kota shpreh shumë!? Ke lidhje me kryeministrin e mbretërisë Koço Kota?!!. Pse e ke fshehur të shkuarën tënde?. Ke ndihmuar largimin nga Shqipëria të pronarit tënd Gafur Dibra?!. Ti je mosbesues me vijën e partisë dhe e kundërshton hapur atë ?!. Fill pas këtyre sulmeve, u deklarua i përjashtuar nga partia dhe në moment u arrestua. Dalja para një gjykate shqiptare ishte një absurd i vërtetë për patriotin dhe luftëtarin e e rezistencës antifashiste Jorgji Kota. I ulur në bankën e të akuzuarit përballë shokëve të luftës, që ishin bërë gjykatës, u përhumb në të shkuarën e tij të afërt dhe ndërmend i erdhën arrestimet nga xhandarmëria dhe gestapo. Shokët me të cilët kishte mendime të kundërta, e kishin plasur pa mëshirë në duart e gjykatësve. Çanga ra, sipari u ul dhe prokurori shpalosi me egërsi padinë: -Jorgji Kota, akuzoheni për ......!! dhe dënoheni me.......?!!. Jorgji pyeste veten: -Jam para gjykatësit shqiptar, kadiut turk, apo dhespotit grek?!. Të tre bashkë i kishin drejtuar gishtin tregues dhe po e akuzonin.

I pari e mori fjalën Kadiu: -Unë, të dënoj në emër të Padishahut. Kol Gjon Kota paraardhësi yt, në vitin 1450 braktisi kështjellën e Beratit dhe u bashkua me ushtrinë e Skënderbeut. Ju shqiptarët e quani kreshnik, ndërsa ne otomanët e quajmë tradhtar.

I dyti e mori fjalën Dhespoti: -Unë të dënoj në emër të ...nëk...nëk...nëk. Paraardhësit e tu nuk e nderuan kombësinë nëk ...nëk, nuk u bënë as grekë e as vlleh. Ju Kotat jeni shqiptar kokëshkëmb...... kok gur ....kok fort..... shqip..fort.

I treti e mori fjalën Gjykatësi: -Dënohesh, pasi në kundërshtim me politikën e miqësisë shqiptaro-turke, paraardhësit e tu kanë kundërshtuar sundimin otoman. Dënohesh, pasi në kundërshtim me politikën e fqinjësisë me Greqinë e Rumaninë, familjet Kota qëndruan shqiptar e nuk u deklaruat as grek as vlleh. Dënohesh se gjyshi yt, Nikoll (Kol) Kota u vra duke mbrojtur kufijtë e Shqipërisë, ndërsa babai yt Llambi N. Kota, mori pjesë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe përkrahu idetë e Rilindjes Kombëtare shqiptare. Dënohesh se je pasardhës i një familje me parime kombëtare nacionaliste, ndërsa ti Jorgji Kota, kundërshton hapur vijën e Partisë. Kadiu, Dhespoti e Gjykatësi u ngritën në këmbë, shtriqën duart e vendosën shputat mbi tryezë. Panë njëri tjetrin. E kishin marrë vendimin. Fol ti, i thanë Kadiut. Kadiu otoman, duke i buzëqeshur gjykatësit shqiptar dhe dhespotit grek, tha: -Kishim shekuj që të kërkonim, por s'të zumë dot. Tashmë që të kapën të tutë, siç po e sheh, po të dënojmë ne. Plasu brenda e mos u lodh më për atdhe. Pas disa vite gjumi letargjik Jorgji Kota, u zgjua nga kllapia. Me Dekret të Presidentit të asaj kohe, mësoi se ishte shpallur i pafajshëm.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm