Menu

Shaban Binaku, flijim dhe besnikëri kombëtare

User Rating:  / 10
PoorBest 

Shaban Binaku 1851-1910

Trim e mendimtar i rrallë, bir i Malësisë kreshnike dhe luftëtar e prijës i paepur shumëvjeçar i betejave më të ndritshme shqiptare i cili për jetën dhe veprën e tij do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e kombit.

I tillë do të përshkruhej nga pleqtë e kohës dhe ata që e njohën më për së afërmi këtë burrë të përmendur, nga ata që me kohë e kuptuan rëndësinë e vërtetë të kombit, Malësinë dhe heronjtë e kësaj treve kreshnike, në vitet kur në mesin e kullave të bardha të Bujanit, shkëlqente si yll i pashuar polar, kulla-kala e Binak Alisë, në të cilën u lind e u rrit Shaban Binaku.

Shabani erdhi në jetë më 1851, në Bujanin e historisë, si djali më i ri i Binak Alisë së Krasniqes së madhe të  Malësisë së mirë, siç  do ta quante me krenari Binak Alia, ndërsa vdiq i kapur me tradhti për tu dënuar me vdekje dhe ekzekutuar me varje në litar, nga organet pushtuese xhonturke, më 27 nëntor të vitit 1910, në Pazar të Gjakovës.

Dy varre historike

Sa ka dhënë Malësia trima,
Nuk kanë dhënë disa krahina....

Tash e mbi një shekull më parë, vetëm pak hapa larg Urës së Tabakëve edhe sot e kësaj dite qëndrojnë dy varre historike, binjake dhe të ndërtuara pothuajse ngjitur me njëra tjetrën, ashtu siç e patën edhe vet jetën të pa ndarë asnjëherë, deri në rënien e tyre heroike.

Shaban Binaku dhe Abdullah Hoxha ecën një jetë të tërë së bashku në çdo tubim e përpjekje kombëtare, kudo që i thirri zëri i atdheut të cilët ditën të flasin burrërisht në kuvende, e të qëndrojnë stoikisht në beteja si dhe luftojnë trimërisht në ballë të çdo lufte për liri.

Mu këta dy burra legjendar nga Malësia, 104 vite më parë do të kapeshin me tradhti dhe dënoheshin me varje nga organet pushtuese turke, ndaj që nga ekzekutimi i tyre në fund-nëntorin e vitit 1910,në një distancë krejt të shkurtër me themelet e Urës së Tabakëve edhe sot e kësaj dite qëndrojnë varret e këtyre heronjve, si përmendore e kohës. 

Rënia e tyre u “gdhend” me pietet në kronikat e heroizmave kombëtare dhe luftërave mbinjerëzore për lirinë e vendit me të kaluarën e ndritshme që ata kishin, duke hyrë përjetësisht në historinë shqiptare, varret e të cilëve nuk u vendosën rastësisht atje ku qëndrojnë edhe sot, por ishte historia ajo e cila para më tepër se një shekulli, aty ua përcaktoi “tapitë” e përjetësimit.

Kjo do të ndodhte në momentet vendimtare, kur kombi ynë pas shumë kryengritjesh të pareshtura kishte filluar ti numëronte ditët e fundit të pushtimit 500 vjeçar turk, pas të cilave duhej të vinte liria e trojeve shqiptare dhe historia në kalendarin e saj numëronte vetëm edhe një ditë, për fillim-zbritjen e dy viteve të fundit të robërisë otomane, para se Shqipëria Etnike përfundimisht të shpallte Pavarësinë e saj.

Ishte 27 nëntori i vitit 1910, dhe dy burra vigan e legjendar si Shaban Binaku dhe Abdullah Hoxha të cilët njiheshin nga të gjithë shqiptarët si luftëtar dhe prijës e mendimtar të rrallë të Malësisë kreshnike e më gjerë, pasi që kishin bërë emër të mirë dhe treguar zotësi të pashoqe në shumë përpjekje e beteja për lirinë e trojeve të veta kombëtare, do të lëkundeshin pa jetë, të varur mizorisht nga organet pushtuese xhonturke, në mes të pazarit të Gjakovës.

Shaban Binaku dhe Abdullah Hoxha, u lindën në njërën nga trevat më të njohura shqiptare që nuk pranoi asnjëherë pushtimin, vendlindja e të cilëve, shumë herë do të digjej e shkrumbohej për liri dhe çlirim nga pushtuesi, për tu ngritur përsëri po aq herë, duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë e këtij populli, ku ata edhe do të rriteshin të përkundur në djepin e ëndrrave të lirisë së përjetshme.

Shabani ishte djali më i vogël i Binak Alisë, njeriut të bëmave të mëdha kombëtare dhe drejtësisë e pleqërimit tradicional shqiptar i cili jetoi dhe veproi gjatë shekullit 19, në Bujanë të Malësisë së mirë dhe më gjerë, rrugë që do ta ndiqnin djem e nipa, e në mesin e tyre do të dallohej, djali Shabani dhe nipi Zeqir Halili të cilët do të binin që të dy, heroikisht në altarin e lirisë së Atdheut.

Ashtu si Binak Alia edhe bijtë e pasardhësit e tij, ishin dhe mbetën deri në fund, ushtarët më besnik të Lidhjes së Prizrenit dhe Çështjes Shqiptare në përgjithësi, ndaj me të dëgjuar për arritjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit në fund-gushtin e vitit 1878, në Gjakovë për ti dorëzuar Malit të Zi, Plavën dhe Gucinë, Shaban Binaku ndër të parët do të shkonte atje që me të gjithë fuqinë e dufit të tij kombëtar tu kundërvihej mureve të zymta të kullës së Avdullah Pashë Drenit, të cilat pabesisht dhe në kundërshtim me interesat kombëtare, mbanin brenda armikun e të gjithë shqiptarëve, në ato kohë të liga.

Madhështinë e heroizmave të Familjes së Binak Alisë, do ta rrisnin dhe ngritin lartë e më lartë, flijimet e pareshtura të pinjollëve të saj të cilët ranë duke luftuar me vetëmohim për idealet kombëtare, kundër cilitdo armik që guxoi tua mësynte trojeve shqiptare kudo qofshin ato, në Shqipëri e Kosovë apo edhe tokat tona kombëtare që sot mjerisht gjenden nën mal të zi, si Ulqini, Hoti, Gruda, Plava dhe Gucia etj, duke u përballur trimërisht me pushtuesit turq, malazez, italian e gjerman, për bashkimin e të gjitha trojeve etnike dhe krijimin e një shteti të lirë e të përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Ndaj edhe në tubimin e mbajtur përkujtimor me rastin e 100 vjetorit të rënies së Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës, në Gjakovë, Prof. Dr. Isuf Bajraktari, me të drejtë në mes tjerash do të theksonte:

Të 100 vitet e kaluara, tregojnë më së miri historinë e dhembshme dhe kohën e gjatë të vuajtjes së popullit tonë nga luftërat e shumta e të pareshtura kombëtare që bijtë e tij më të mirë zhvilluan, si dhe heroizmin e familjeve më të njohura nga Malësia dhe viset tjera shqiptare, të cilat u sakrifikuan për lirin e Atdheut.

Mjerisht, siç e thotë z. Bajraktari, mu këto Familje, do të vuanin shumë edhe nga të ashtuquajturat pushtete popullore.

Por, përkundër të gjitha përjetimeve të dhembshme, ashtu siç nuk kishin të ndalur terrori e dhuna dhe përgjakjet e popullit tonë nga pushtuesit turq edhe kryengritjet e shqiptarëve për lirinë dhe të drejtat tyre nuk pushuan asnjëherë, deri në përzënien përfundimtare të otomanëve dhe çlirimin e përjetshëm të Shqipërisë nga Perandoria osmane.

Ardhja në pushtet e xhonturqve me ndihmën e shqiptarëve

Organizata politike e turqve të rinj, apo xhonturqve siç njiheshin ata, ishte formuar në Stamboll që në maj të vitit 1889, nën emrin “Bashkim e Përparim” e cila në vitet e 90-ta, do të vendosej në Paris dhe vepronte jashtë Perandorisë turke, për rrëzimin e sulltan Hamitit II.  (Shqipëria.com "Revolucioni i turqve të rinj (1908) dhe shqiptarët")

Megjithëse për ndihmën që do të ofronin në rrëzimin e sulltanit- xhonturqit premtonin futjen e reformave në Perandori, ndryshime kushtetuese dhe pranimin e të drejtave të popujve tjerë nën perandorin turke, ata deri në qershorin e vitit 1908, këtë ofertë nuk do ta shpalosnin edhe për shqiptarët, ani-pse në Lëvizjen Xhonturke, merrnin pjesë një numër i konsiderueshëm i tyre.

Por, duke parë se pa ngritjen e shqiptarëve nuk mund të arrinin rrëzimin e Sulltan Hamitit II, Lëvizja Xhonturke vetëm në qershorin e vitit 1908, vendosi që përmes nenit 16-të, të programit të saj, i cili parashihte të drejtën e mësimit në gjuhën amtare, zhvillimin e kulturës kombëtare dhe organizimin politik të popujve nën Perandorinë osmane, tu premtonte të drejta kombëtare dhe hapjen e shkollave në gjuhën amtare edhe shqiptarëve, shkolla të cilat deri atëherë vetëm në gjuhën shqipe mungonin.

Me shpresën se pas rrëzimit të Sulltan Hamitit II, përveç shkollimit në gjuhën amtare dhe të drejtave tjera kombëtare, do të realizonin edhe autonomin e tyre shtetërore, nën udhëheqjen e Isa Buletinit, ku do të merrte pjesë edhe Shaban Binaku e Abdullah Hoxha, nga 14 deri më 22 korrik të vitit 1908, në Ferizaj do të organizohej një tubim masiv, i cili në datat 20- 22 korrik, do të arrinte në mëse 30, mij shqiptar të armatosur që kërkonin vendosjen e kushtetutës e cila njihte të drejtat e tyre gjuhësore dhe kombëtare, me ç`rast do të mblidheshin edhe mbi 1500 nënshkrime të pjesëmarrësve për rrëzimin e Sulltan Hamitit II. 

Madje, në kulmin e këtij organizimi, më 22 korrik të vitit 1908, nga Kuvendi i Ferizajt, shqiptarët do ti dërgonin edhe një telegram kërcënues Sulltan Hamitit II, përmes të cilit i kërkonin me këmbëngulje shpalljen e menjëhershme të kushtetutës, para-se 30 mijë burrat e armatosur nga Ferizaj të niseshin në drejtim të Shkupit, për çlirimin e tij nga forcat pushtuese të Perandorisë.

Ndaj nën presionin e madh të kryengritësve nga Kosova e Malësia si dhe frika nga ndonjë kryengritje e përgjithshme e shqiptarëve, më 23 korrik të vitit 1908, Sulltan Hamiti do të detyrohej që ta shpallte kushtetutën (hyrjetin) dhe pas 32 vitesh sundimi si sulltan fuqiplotë të kufizonte të drejtat e tij sunduese, pranonte vendosjen e turqve të rinj (xhonturqve) në pushtet dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Perandorisë.

Tradhtia e xhonturqve

Por me të ardhur në pushtet, turqit e rinj (xhonturqit), ende pa kaluar as dy muaj sundimi, më 15 shtator të vitit 1908, ata do të sillnin një ligj diskriminues zgjedhor i cili kufizonte të drejtat e kandidimit të jo-turqve në parlamentin perandorak.

Ligji i lartcekur, nuk njihte kombësitë e tjera dhe të gjithë popujt nën Perandori, i shpallte osmanlinj, kurse kandidatët për deputet, para se të konkurronin në zgjedhje, duhej ta pranonin “kombësinë” osmane, në mënyrë që të kishin të drejtë kandidimi për deputet në parlamentin perandorak. (Shqipëria.com “Shqipëria gjatë zgjedhjeve të vitit 1908 dhe kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909”).

Madje, pa kaluar shumë kohë, njëjtë si paraardhësit e tyre të njohur për tradhtitë dhe qëndrimet antishqiptare, edhe xhonturqit me tu rehabilituar në pushtet, vendosën që të gjitha shkollat në gjuhën shqipe dhe klubet e sapo-hapura kombëtare, ti mbyllnin me forcë duke nisur që në pranverën e vitit 1909, edhe ekspedita të mëdha ushtarake kundër shqiptarëve si ajo e Xhavit Pashës, e cila në qershorin e atij viti do të arrinte Malësinë, në qëndresën e së cilës do të shkëlqente me trimëri edhe Shaban Binaku.

Sulltan Hamiti II, duke parë pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj ekspeditës së xhonturqve, me shpresën se ata do ngriheshin kundër tyre dhe ai do të përfitonte për të rimarrë edhe një herë plotfuqinë në pushtet që kishte deri më 23 korrik të vitit 1908, më 27 prill të vitit 1909, do të organizonte në Stamboll një kryengritje të dështuar, pas përfundimit të së cilës do të shkarkohej përfundimisht nga froni i sulltanit, për tu zëvendësuar nga i vëllai, Mehmeti V-t, i cili çuditërisht, do të nxirrej nga burgu ku e kishte vendos Sulltan Hamiti II, për tu shpallë sulltan i plotfuqishëm dhe kalif i Perandorisë.

Është interesant të theksohet se sipas shënimeve biografike të këtyre dy sulltanëve të cilët ishin vëllezër dhe bij të një nëne shqiptare, vëllai i madh, sulltan Hamiti II, do ta (mbyllte)burgoste për hiç më pak se 45 vjet, vëllain më të ri, Mehmetin e V-të, në të ashtuquajturin –“Konak Sindshirli Kuju” në pjesën evropiane të Stambollit, të cilin do ta thyente fizikisht dhe shpirtërisht deri në fund. (Wikipedia „Mehmed V.“)

Por megjithatë, përkundër ndarjes së tij të stërgjatë kohore, nga njerëz dhe ngjarje për gati gjysmë-shekulli, Mehmeti V-t, nga xhonturqit do të emërohej sulltan fuqiplotë dhe kalif, sado që ai nuk ishte psiqikisht as fizikisht në gjendje të orientohej, veproj as gjykoj realisht dhe si duhet, e lëre më të ushtronte poste shtetërore apo të udhëhiqte edhe perandori.

Megjithatë, xhonturqve do tu mjaftonte që ai të qëndronte si emër aty, kurse Perandorinë ata dëshironin të qeverisnin vet, derisa paralelisht postin e sulltanit dhe të kalifit, Mehmeti V-t, do ti mbante deri më 1918, kur edhe do të shkarkohej nga Kemajl Ataturku, për shkak të humbjes së pothuajse të gjitha luftërave dhe shumicës së territoreve të Perandorisë.

Por, le tu kthehemi edhe një herë mashtrimeve të paskrupullta të xhonturqve, të cilët para se të vinin në pushtet, u kishin premtuar shqiptarëve se do tu linin duart e lira, ashtu si edhe popujve të tjerë, për të zgjedhur vet alfabetin e gjuhës së tyre, ndërsa me ardhjen në pushtet, rreth katër muaj më vonë, aty nga fundi i vitit 1908, përmes Ministrisë së Arsimit perandorak, do të urdhëronin që në të gjitha shkollat shqipe të mësohej me alfabet arab.

Madje, një urdhër i tillë do të përsëritej edhe një herë në muajin shkurt të vitit 1909,pas të cilit do të mobilizohej jo vetëm administrata shtetërore dhe klerikët radikal islamik por edhe oficerët më të lartë perandorak duke organizuar edhe ekspedita të mëdha ushtarake për ndalimin e alfabetit shqip, shkatërrimin e të gjitha klubeve shqiptare, mbledhjen e taksave me dhunë dhe rekrutimin e të rinjve me forcën e armëve.

Ndaj kjo do të nxiste pakënaqësi të mëdha tek të gjithë shqiptarët të cilët sipas rapsodit popullor, Portës dhe mbretit do ti dërgonin këtë porosi:

Le ta dijë mirë Porta dhe Mbreti
Se si kondisim ne këtij hyrjeti

Megjithatë, sikur të mos mjaftonte ekspedita e përgjakshme ushtarake e Xhavit Pashës e cila do të zgjaste gjatë gjithë verës, në vjeshtën e vitit 1909, xhonturqit nxorën edhe dy ligje të rrepta ndëshkuese, të cilat kryekëput, rëndonin vetëm mbi shqiptarët:

1. Ligji mbi “Bandat” i cili përveçse ndalonte rreptësishtë organizimet e armatosura kundër Perandorisë dhe dënonte ashpër pjesëmarrësit dhe pjesëtarët e familjeve të tyre, ai ndalonte edhe veprimtaritë shkollore dhe klubet kulturore të shqiptarëve që për arsye të pakuptueshme vetëm ata konsideroheshin rrezik për perandorinë, por jo edhe popujt e tjerë të cilët lirisht mësonin dhe shkolloheshin në gjuhën amtare.

2. Ligji mbi “Shoqëritë” që ndalonte të gjitha format e organizatave kombëtare, përveç atyre me kombësi turke apo përkatësi osmane.

Rrezikimi i shkollimit amtar dhe shkronjave në gjuhën shqipe do ti detyronte patriotët shqiptar që nga 2 deri më 10 shtator të vitit 1909, të thirrin Kongresin e Shkollave në Elbasan i cili mori vendim për hartimin e programit unik të arsimimit kombëtar, vendosi dialektin e të folmes së Elbasanit si standard të mësimit në gjuhën shqipe për të gjithë shqiptarët si dhe mori vendim për hapjen e Normales së Elbasanit e cila fal ndihmës së madhe dhe përpjekjeve të gjithanshme të patriotëve të vendit, në mesin e të cilëve shkëlqeu atdhetari Hasan Prishtina duke mos kursyer mundin as pasurin e tij, do të përjetësohej vetëm tre muaj më vonë, pra që në dhjetorin e vitit 1909.

Por xhonturqit nuk do ndaleshin me obstruksionet e tyre, ata për të penguar përhapjen e shkollave kombëtare dhe ndalimin e alfabetit shqip si dhe imponimin e abetareve me alfabet arab, nxitën edhe reagimin e klerikëve islamist shqiptar, nga Jugu e në Veri, nga Vlora e Manastiri deri në Dibër dhe Prishtinë duke bërë thirrje përmes mitingjeve dhe qarkoreve të organizuara nga imam të tillë antikombëtar dhe turkoman të përbetuar, që të refuzohej alfabeti shqip dhe imponohej ai arab.

Megjithatë, përkundër fushatës së madhe të klerikëve të shitur, histori e hidhur kjo që si traditë e keqe, mjerisht edhe sot në shumë pjesë të vendit përsëritet, përhapja e shkollës shqipe dhe përvetësimi i alfabetit të saj nga shqiptarët, nuk kishte të ndalur, ndaj në shkurt të vitit 1910, Valiu i Kosovës i dëshpëruar nga mosngulfatja e arsimit kombëtar, urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave në gjuhën amtare. (Shqipëria.com Histori K R E U XI “KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910”)

Por edhe shqiptarët nuk do të rrinin duarkryq, ata për mbrojtjen e shkronjave shqipe të lindura risht dhe shkollës së sapo filluar në gjuhën tonë, me moshën e saj të njomë dhe traditën vetëm një vjeçare, nga 1 deri më 3 prill të vitit 1910, me nismën e klubit "Bashkimi", nën udhëheqjen e Dervish Himës, do të organizonin Kongresin e Dytë të Manastirit, në të cilin do të kërkohej me këmbëngulje mbrojtja e mësimit në gjuhën amtare dhe ruajtja e alfabetit shqip, si dhe mospranimi i zëvendësimit të tij me shkronja arabe siç kërkonte qeveria xhonturke dhe disa klerik antishqiptar të ndërsyer dhe vënë në shërbim të xhonturqve.

”Na kanë shpallur luftë në fushën e shkronjave”, thekson Dervish Hima, në Kongres, prandaj ....”Ne që jemi mbledhur këtu, bashkë me gjithë atdhetarët shqiptarë, do t'i mbrojmë me çdo mjet shkronja tona kombëtare...” Ato ishin, njëherazi, një paralajmërim për kryengritjen e armatosur që do të shpërthente në pranverën e vitit 1910. (“Në vigjiljen e 100 vjetorit të Kongresit të dytë të Manastirit” Parajsa.com 15.03.2010 Dr. Nebi Dervishi)

Besëlidhja e madhe shqiptare te Verrat e Llukës, (Prill 1910) 

Urdhëresa për mbylljen e shkollave në gjuhën amtare, mbledhja e taksave me forcë përfshi edhe taksat e  dy viteve të mëparshme si dhe detyrimi për rekrutimin e të rinjve shqiptar në ushtrinë perandorake turke, kishte nxitur popullin tonë që ti bënte gati edhe njëherë armët, për vetëmbrojtje nga pushtuesit otoman.

Të vetëdijshëm se lufta shqiptaro-turke ishte në prag, para se ajo të shpërthente, për ta përballuar ekspeditën e madhe ushtarake që Perandoria do të niste kundër Kosovës dhe trojeve tjera etnike, shqiptarët e panë të nevojshme që sa më parë të merrnin masa urgjente organizative dhe ushtarake, për të cilat në mesin e muajit prill të vitit 1910, nën udhëheqjen e Isa Buletinit, Shaban Binakut, Abdullah Hoxhës, Sylejman Batushës etj, do të mbahej një tubim i madh gjithë-popullor në vendin e quajtur te Verrat e Llukës.

Madje, jo vetëm se një tubim si ky, deri atëherë nuk kishte njohur historia, por edhe Besa e dhënë aty, nuk u thye për asnjë moment. Zhvillimi i tij nën moton “BASHKIMI BËNË FUQIN”, unifikoi fort të gjithë shqiptarët në mes veti, histori e cila do të përsëritej edhe me 1 maj të vitit 1990,kur me të njëjtat ide dhe qëllime do të tuboheshin mbi 500 mijë shqiptar të Kosovës, por tanimë për luftimin e një pushtuesi tjetër, siç ishte Serbia.

Në tubimin e vitit 1910, të udhëhequr nga prijësit më të njohur të kombit si Isa Buletini, Shaban Binaku, Sylejman Batusha etj, u vendos për pajtimin e gjaqeve dhe bashkimin e të gjitha krahinave shqiptare, për mbrojtje të unifikuar nga ekspeditat e Perandorisë turke, që ishin gati të nisnin.

Ndaj, kujtimi autentik i kronikave të pa shkruara popullore mbi ngjarje madhore si kjo, do të ruhej dhe përcillej me besnikëri përmes këngës, e cila tubimin e vitit 1910, te Verrat e Llukës, do ta përshkruante kështu:

Mbledhë shqiptarët bit e vij
Në Mitrovicë deri në Guci

*****

Te Verra të Llukës janë mbledhë te tanë
Kanë lidhë Besën anë për anë

Megjithëse atëbotë gati kishte shkelur në të 60-tat, ai me vitalitetin e një djali të ri dhe vendosmërinë prej malësori, duke zgjedhur me kujdes fjalët më të mira mobilizuese që kërkonte situata e para gjendjes së luftës, aty ku për ngjarje me peshë të veçantë kombëtare bashkoheshin Kosova dhe Malësia, do të fliste edhe Shaban Binaku, i biri i Binak Alisë-Urtakut të njohur të rrafshit verior të Shqipërisë së epërme, i cili ndër të tjera do të thoshte:

Të merremi vesh(të kuptohemi) burra; bisha është plagosë, por fati i trojeve tona varet nga ne që jetojmë këtu. Vendi ynë rrezikohet nga shumë armiq, ndaj o sot o kurrë, duhet të bashkohemi dhe ti dalim zot me çdo gjë që kemi dhe gjithçka mundemi të gjithë pa përjashtim. 

Pra, plumbi do plumb, kurse unë si bir i  Krasniqes, ua them këto fjalë nga zemra dhe shpirti, sepse pajtimi dhe bashkimi i shqiptarëve, sot na duhet më shumë se kurrë, pajtim e bashkim nga të gjithë për mbrojtjen e fëmijëve tanë dhe tokave të Atdheut, nga sulmet osmane që janë gati të  fillojnë mbi ne, pa dëshirën tonë.

Shaban Binaku 1851-1910

Mësymja e Malësisë nga forcat turke

Qeveria e turqve të rinj, nuk do të ngopej vetëm me shkeljen e premtimeve të dhëna pak kohë më parë për të drejta dhe përmirësimin e jetës së shqiptarëve, ndaj vetëm një muaj pas ardhjes në pushtet, që në gushtin e vitit 1908, ajo do të sillte ligjin për thirrjen e të rinjve shqiptar në shërbimin ushtarak të Perandorisë, për të vazhduar rritjen e zullumit ndaj popullit tonë në  fillim vitin 1909, me ngarkimin e taksave të pa-mbledhura edhe për dy vitet e kaluara, fakte këto që do ta keqësonin gjendjen aq shumë sa që shqiptarëve të mos u mbetej asnjë  rrugëdalje tjetër përveç organizimit për vetëmbrojtje me armë dhe kryengritje të reja.

Ndaj, për shtypjen e pakënaqësisë së tyre në Kosovë dhe Shqipërinë veriore, qysh në pranverën e vitit 1909, për gjashtë muaj rresht, duke filluar nga muaji maj deri në muajin tetor të atij viti, do të dërgohej anti-shqiptari i përbetuar Xhavit Pasha, komandanti i divizionit të 18-t,në Mitrovicë, me 10 batalione këmbësorie dhe 32 topa të artilerisë turke, i cili nënë kërcënimin se do tua digjte pasurinë dhe shtëpitë, tentonte që ti detyrojë shqiptarët për pagimin e taksave dhe dërgimin e djemve të tyre ushtar të perandorisë, kërkesa të cilat ata nuk do ti pranonin pa u mundur në luftë.

Sikur të mos mjaftonte barbaria e Xhavit Pashës, nga mesi i muajit prill të vitit 1910,kur numri i ushtarëve turq që do të mësynin Kosovën, tanimë kishte arritur në 40 mijë vetë, Shefqet Turgut Pasha, filloi sulmin e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse shqiptare në Kaçanik dhe Carralevë. (Shqipëria.com "Historia Shqiptare "K R E U   XI   "KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910")

Për mbrojtjen e tokave të tyre, nga 6 mijë trupat vullnetare sa llogaritet se kishin udhëheqësit shqiptar nën komandë, 3 mijë nga ta, me në krye Idriz Seferin do ta zinin grykën e Kaçanikut kurse tremijë të tjerë me në krye Isa Buletinin, do tu zinin prit forcave pushtuese turke në grykë të Carralevës.

Në mesin e luftëtarëve të radhëve të para të Isa Buletinit, edhe këtu ishte Shaban Binaku i rreshtuar në ballë të frontit të luftës, kur luftëtarët shqiptar nga 7 deri më 10 maj të vitit 1910, edhe pse përballë një ushtrie me epërsi të mëdha forcash ushtarake dhe armatimi modern, për tri dit dhe tri net lufte heroike, qëndruan trimërisht, me ç`rast do të plagosej edhe vet Isa Buletini.

Megjithatë, ata nuk do ti lëshonin pozicionet e tyre dhe për asnjë çmim nuk do të lejonin kalimin e forcave turke përmes grykës së Carralevës, deri në momentet e fundit, kur përveç mungesës së ushqimit, veshmbathjes dhe forcave ndihmëse të cilat ishin penguar tu shkonin në ndihmë, kishte filluar tu mbarohej edhe municioni, dhe rrezikoheshin me rrethim të tërësishëm nga armiku.

Ndaj, vetëm më 10 maj të vitit 1910, pas tri ditë e tri net qëndrese biblike, dhe një beteje të tmerrshme që do të zgjaste gjatë gjithë asaj dite, kryengritësit e mbetur pa municion, barna dhe ushqime, me Isa Buletinin në krye edhe pse i plagosur, në orët e mbrëmjes do të qanin rrethimin dhe bartnin edhe të plagosurit tjerë, për të vazhduar rezistencën në vende tjera, me kryengritje të njëpasnjëshme dhe heronj të rinj, deri në çlirimin përfundimtar të Atdheut nga Perandoria turke.

Numri i ushtarëve që ministri turk i luftës posedonte sa vinte e rritej, madje kur ai do të arrinte në Gjakovë  dhe Pejë, kishte hiq më pak se 50 mijë ushtarë dhe 70 bateri artilerie me një pjesë të madhe të të cilëve, tanimë përgatitej ta mësynte Malësinë dhe Shkodrën.

Ndaj, në qershorin e vitit 1910,trimat e Krasniqes dhe Gashit të Gurit nga Malësia e mirë, (siç do ta quante plaku i urtë Binak Alia), me rreth 2000 burra, të komanduar nga Bajram Curri, Zeqir Halili, Avdullah Hoxha e Shaban Binaku, do të zinin prit në Qafë të Morinës, për të ndalur depërtimin e ushtrisë turke në trevat e tyre.

Megjithëse Kryengritësit në Qafë Morinë, pas një rezistence të fortë, u detyruan të tërhiqeshin përkohësisht, forcat turke do të ndesheshin përsëri me shqiptarët edhe në Rrafsh të Dukagjinit e Qafë të Kolshit duke pësuar edhe shumë humbje tjera nga kryengritësit.

Tradhtia turke ndaj Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës

Megjithëse kryengritja e vitit 1910, në masën më të madhe të saj do të thyhej, por jo edhe të shuhej tërësisht, qeveria turke në këtë gjendje, do të detyrohej që t`i bënte disa lëshime para  shqiptarëve, por paralel kësaj ajo përdori edhe mashtrime për kapjen e udhëheqësve të dalluar të tyre me tradhti.

Në vjeshtën e vitit 1910, ajo së pari do të hiqte ligjin e ashtuquajtur mbi “Bandat” të cilat ndalonin edhe veprimet e klubeve gjuhësore dhe grupimeve tjera kulturore, duke lejuar hapjen e ndonjë shkolle në gjuhën shqipe, por gjithmonë nën pretendimin që mësimi të zhvillohej me alfabetin arab, si dhe do të ndërpriste përkohësisht çarmatosjen e shqiptarëve dhe rekrutimin ushtarak të djemve të tyre.

Madje, në atë kohë, qeveria xhonturke hoqi dorë përkohësisht edhe nga grumbullimi i taksave dhe premtoi ndërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta e pranverë-verës së atij viti, kurse për të penguar një ri-shpërthim të kryengritjeve të reja, dërgoi edhe disa komisione ndërmjetësimi, që kishin për mision qetësimin e gjendjes dhe rehabilitimin e kryengritësve përmes marrëveshjeve me krerët vendor. (Shqipëria.com "Historia Shqiptare "K R E U   XI  "KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910")

Në kuadër të këtij programi, nga vet Turgut Pasha do të ftoheshin edhe Shaban Binaku si prijës i Krasniqes dhe Abdullah Hoxha si Prijës i Gashit, kinse për përmbarimin e marrëveshjeve të lartcekura në zyrat e organeve të pushtetit turk në Gjakovë, me ç`rast do të burgoseshin pabesisht dhe dënoheshin që të dy me varje në Pazar.

Ky pra ishte udhëtimi i tyre i fundit, udhëtim pa lamtumirë dhe pa kthim prapa në shtëpi. Ata megjithëse nuk u besonin pashallarëve turq, shpresonin pak a shumë që pas gjithë këtyre luftërave, më në fund Perandoria otomane do ti përmbahej kushtetutës, amnistisë së shpallur nga vet ajo dhe programit për qetësimin e gjendjes në marrëveshje me prijësit e krahinave.

Shaban Binaku edhe sipas këngëve të rapsodëve popullor, për të vërtetuar mosbesimin që ndjente ndaj pushtetarëve osman, me rastin e nisjes për tu takuar me pashain turk, do tu linte lamtumirën  përgjithmonë krahinave ku kishte vepruar, shokëve dhe vëllazërisë së tij:

Lamtumir Rekë e Malësi
Se ma s`keni me më pa me sy 

I cili mosbesimin e tij do t`ia rikujtonte edhe fisit të vetë, të cilit do ti qonte fjalë.

Në qoftë se doni  të më shihni gjallë
Të dielën herët ju me dal në pazar

Mjerisht, përkundër ngjarjeve tragjike që ndodhnin me aq shpejtësi në ato ditë të vështira për të, Malësinë dhe të gjithë atdhetarët shqiptar, përkundër përpjekjeve të tij si një shqiponjë e plagosur, Zeqir Halili, nuk do të arriti ta shpëtonte xhaxhain Shaban Binakun dhe bashkëluftëtarin e tij Abdullah Hoxhën, pasi që pushteti turk duke njohur potencialin kryengritës të Malësisë, do ti ekzekutonte me shpejtësi të dy këta burra legjendar.

Por, edhe para kërcënimeve me varje në litar, Shaban Binaku e kishte të freskët porosinë e Binak Alisë, i cili para se të vdiste ua la të bijve amanet, që për çështjen Atdheut dhe lirinë e tij, të vdisnin me nderë dhe të pa njollosur në jetë, ndaj ashtu si nuk pranuan dikur paret e krajlit për shitjen e tokave shqiptare edhe tani ai dhe Abdullah Hoxha nuk do ti pranonin as paret e pashait turk, për nënshtrimin e Malësisë dhe dërgimin e djemve të saj në ushtrinë e perandorisë.

Madje, siç e thotë kënga popullore, edhe në momentet më të vështira, e vetmja gjë për të cilën Shaban Binakut do ti vinte keq, ishte fakti se i qëlloi (Abdullah) Hoxha me veti, të cilin e kishte dashur gjithmonë pa hile, ndaj do të mundohej që edhe në çastet e fundit, ti epte forcë dhe kurajë, anipse as ai vet nuk i besonte Turgut Pashës.

Qëndro Hoxhë e banë gajret
Se neve pasha s ‘un na pret
Ndoshta nuk na vret ne sulltan Mehmeti
Se rren Murtati, e nuk rren hyrjeti....

Por, fatkeqësisht kur ishin në pyetje atdhetarët e kombit, rrenin të gjithë, madje nuk kishte ligj as kushtetutë që mbronte shqiptarët patriot, nga inatet e sëmura të pashallarëve turq.

Megjithatë, burrëria e tij shkëlqeu edhe në kulmin e fatkeqësisë. Ai nuk u ligështua as para litarit turk, fakt ky që këngëtari ynë popullor do ta pasqyronte me shumë realizëm, trimërisë së të cilit do ti këndonte me aq krenari:

Ai Shabani si gjylja e topit
Rreptë ec trimi drejt konopit

Duke pasur parasysh gjithë kontributin kombëtar që ata kurdoherë dhanë për popull dhe vend të vet, sado që martirizimi i Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës dhemb shumë edhe sot, vepra e tyre na bënë përjetësisht krenar të gjithëve, kur mendojmë se Malësia kreshnike, pati e dha bij të tillë edhe në kohët më të vështira për Atdheun.

Ndërsa lidhur me prerjen në besë, që atij i bëri pashai turk, Shaban Binaku për të nipin- Zeqir Halilin, do të linte këtë porosi: 

Fjalë Zeqirit me mi que
Një tabor me shkri për mue

Dhe vërtetë nuk do të kalonte shumë kohë kur kryengritjet më të reja për çlirimin përfundimtar të tokave shqiptare nga Perandoria osmane do të lidheshin zingjir njëra pas tjetrës, dhe pas më pak se dy vitesh, bazuar në vendimet e Kuvendit të Junikut (21-25 maj 1912), luftëtarët e Krasniqes, Gashit e Bytyçit, nën udhëheqjen e Bajram Currit dhe Zeqir Halilit, më 9 korrik të atij viti, nga fshatrat e Hasit, do ti suleshin garnizonit turk në Qafë të Prushit, të cilin do ta shkatërronin tërësisht.

Atë ditë, do të kapeshin rob, jo vetëm shumë ushtar, por edhe oficer të lart turq. Ushtarët e thjesht pas çarmatosjes do të liroheshin, me ç`rast një numër prej tyre si shqiptar që ishin do tu bashkoheshin kryengritësve të atdheut.

Kurse, Zeqir Halili, i cili ende kujtonte me dhembje porosinë e xhaxhait të tij, Shaban Binakut, do të zgjidhte tre nga oficerët e lart turq, të cilët do ti dërgonte në Bujan që ti varte në degët e një mani 100 vjeçar, për shpagimin e ekzekutimit me tradhti të Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës, nga ana e xhonturqve.

Eshtrat e këtyre oficerëve do të gjendeshin në vitet e demokracisë ,gjatë gërmimeve me makineritë e rënda për rregullimin e infrastrukturës së kësaj pjese të Malësisë, siç tregon Agim Mulosmanaj, njëri nga pasardhësit e familjes së nderuar të Zeqir Halilit, ndërsa për historinë e mbetjes së tri varreve turke në atë vend, do të ri-dëshmonin edhe një herë, pleqtë më të vjetër të asaj ane.

Ndaj, të kujtojmë edhe me këtë rast se me gjithë kalimin e kohës, emri dhe vepra e këtyre burrave të Malësisë nuk do të harroheshin asnjëherë. Madje me  rastin e 100 vjetorit të rënies, falë nismës së intelektualëve të komunës, me 27 nëntor të vitit 2010, Kuvendi i Gjakovës, në shenjë nderimi, do të zbulonte memorialin e tyre përkujtimor dhe emëronte një shesh me emrat e heronjve Shaban Binaku dhe Avdullah Hoxha

Poashtu, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ministri i atëhershëm shqiptar i mbrojtjes, z. Imami, në mesin e dhjetëra personaliteteve të shquara për kontribut të veçantë ushtarak dhe luftëtarëve popullor të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, më 23 nëntor të vitit jubilar 2012, shpalli Abdullah Hoxhën “Dëshmorë të Atdheut” si dhe dekoroi Shaban Binakun me Medalje, “Për shërbime të shquara dhe kontribut të çmuar për liri dhe pavarësi” të vendit.

Ndaj, i emocionuar nga kjo ngjarje madhore, Agim Çeku, shefi i Forcave të Sigurisë së Kosovës, atëbotë do të shprehej: “Gjatë rrugës kur po vija në Shqipëri po mendoja për këtë ditë, po mendoja se sa i madh është nderi dhe lavdia e këtyre burrave të mëdhenj të Kosovës dhe viseve të banuara prej shqiptarëve, që sot me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë të nderohen me dekoratën dhe statusin e “Dëshmorit të Atdheut”. www.mod.gov.al/arkiv/index.php “Ministri i Mbrojtjes Imami vlerëson dhe dekoron 38 figura të shquara të luftës për liri dhe pavarësi”.

Pra, duke u bazuar në ato sa u thanë deri më tani, dhe shumë akte të tjera trimërie e heroizmi që lan pas vetes, ata me siguri meritojnë edhe shumë nderime. Si Shaban Binaku ashtu edhe Abdullah Hoxha, megjithëse do të vdisnin me dëshirën e paplotësuar për ta parë atdheun e tyre të lirë, për të cilin luftuan dhe u munduan gjatë gjithë jetës, gjenin e tyre kryengritës prej malësori dhe shpirtin liridashës të heronjve, nuk arritën ta thyenin dënimi me vdekje as varja barbare në litar.

Madje, atyre jo vetëm se do tu grabitej mëmëdheu me dhunë, por do tu shkelej edhe liria kombëtare e njerëzore me zjarr e hekur, duke i shkëputur edhe nga jeta tradhtisht për tu shuar në mënyrën më barbare, nga dora kriminele e pushtuesve osman.

Rënia martirizuese e këtyre heronjve me rastin e 100 vjetorit të parë u përkujtua me nderimet më të larta, për të hyrë kështu edhe më bujshëm në shekullin e dytë të përjetësisë së tyre. Veprat heroike si këto mbeten të pa harruara përgjithmonë, kurse varret e përndritësuara në historinë e heronjve më sublim shqiptarë, që nga flijimi i Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës, vazhdojnë tu flasin brezave përherë me krenari dhe vetëm kombëtarisht.

* * * * *

Burimet:

1. Shqipëria.com "Shqipëria gjatë zgjedhjeve të vitit 1908 dhe kundërrevolucionit të vitit 1909"
2. Shqipëria.com "Historia Shqiptare "KREU XI "KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910”
3. „Harry Bajraktari“ Dokumentar për Binak Alinë, Shaban Binakun. Malësia e Gjakovës PART II“ youtube.
4. gazetadielli.com Roli historik i klubit bashkimi te manastirit drejte bashkimit shpirtëror te kombit. Dr. Vebi Xhemajli
5. “Në vigjiljen e 100 vjetorit të Kongresit të dytë të Manastirit” Parajsa.com 15.03.2010 Dr. Nebi Dervishi)                                                     
6. “Ministri i Mbrojtjes Imami vlerëson dhe dekoron 38 figura të shquara të luftës për liri dhe pavarësi” www.mod.gov.al/arkiv/index.php
7. ”Historia e popullit shqiptar II“ Tiranë 2002 
8. "Historia e Perandorisë Osmane" Tiranë 1997
9.  “Nderohen bijtë e Malësisë, Shaban Binaku e Abdullah Hoxha“ Bota Sot | 14.12.2010.
10. Dul po vet Sulltan Hamiti Youtube
11. Dul po vet Dergut Pasha Youtube
12. Wikipedia „Mehmed V.“

Gani Bajram Qarri Cyrih, Tetor 2014

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm