Menu

Zeqir Halili, një jetë në luftë për liri

User Rating:  / 7
PoorBest 

Zeqir Halili 1853-1918

Kryengritësi i pavdekshëm dhe prijësi e idealisti i përjetshëm i kauzës "Ja vdekje-ja Liri"gjatë gjithë përpjekjeve të tij heroike nëpër flakët e luftërave të pareshtura mëse 30, vjeçare për çlirimin e atdheut, pas 65 vitesh jete, një herë të vetme do të ndalonte për pak kohë atje, ku nga të tjerët njihej si vendpushim për familje dhe shoqëri.

Por, i prerë në besë, "pushimi" në Qafë të Markofqës, ishte dhe mbeti i pari dhe i fundit takim me pjesëtarët e familjes për gjallje të tij, ndërsa Bjeshka e Gjarprit, brenda vetëm pak minutash u kthye në vend-përjetësim, ku ai ra për të gjetur përgjithmonë qetësinë.

Ndaj sot, në atë vend pranë njëra tjetrës qëndrojnë dy simbole me dy histori, një pllakë përkujtimore e cila mbanë të shënuara vitet e jetës dhe të përpjekjeve për liri, si dhe një gur i madh varri, që tregon vend rënien e tij.

Zeqir Halili i Krasniqes, ishte djali i vetëm dhe fëmija i parë i Halil Binakut, djalit të madh të Binak Alisë, të mirënjohur në Malësi, Kosovë dhe gjithë Shqipërinë e Epërme. Ai u lind në vitin 1853 në njërin nga vendet më heroike, të përmendur për bëmat e mëdha kombëtare, në Bujanin historik të Mic Sokolit dhe vdiq më 18 gusht të vitit 1918, i vrarë në pabesi nga një ekspeditë austro-hungareze, pranë vendit të quajtur Qafa e Markofqes, në Bjeshkët e Gjarprit, të Malësisë së mirë.

Zeqiri u rrit dhe burrërua para kohe në Odën e gjyshit të tij emër-madh, të dëgjuar për pleqërim e dije kudo, por edhe për trimëri e luftëra si dhe udhëheqje kuvendesh të mëdha, të cilat u bënë shembujt më sublim, patriotik dhe kombëtare në histori.

Odat shqiptare nuk ishin thjeshtë, vetëm vend ku njerëzit tuboheshin për çlodhje e bashkëbisedime, por edhe qendër e grumbullimit të dijes, arsimit dhe edukimit të brezave, në të cilat flitej për luftëra e heroizma, mësohej historia dhe tradita si dhe takoheshin burrat më me nam për luftëra e kryengritje, ku lidhej Besa për bashkim dhe merreshin vendime me rëndësi, duke filluar nga peshimi i drejtësisë kanunore deri te shqyrtimi i çështjeve madhore kombëtare për çlirimin e atdheut dhe mbrojtjen e tij.

Binak Alia, qysh nga rinia e hershme e Mic Sokolit, të mbetur jetim si çun13 vjeçar dhe nën përkujdesjen e tij, e kishte kthyer në ritual burrërimi, vendimin që posa djemtë të rriteshin dhe arrinin moshën e pjekurisë, ai personalisht tu epte atyre lekët nga xhepi i vet, për blerjen e një Plisi të Bardhë, Jatagani dhe Pistolete, ditë nga e cila ata konsideroheshin të rritur dhe kishin për obligim ti dilnin zot Atdheut si dhe të bëheshin argat të mirë të vendit të tyre.

Ashtu siç veproi me Micin dhe të katër djemtë e tij, Binak Alia të njëjtin veprim do ta përsëriste edhe me të nipin, Zeqir Halilin i cili do të jetonte e vepronte me këshillat e zgjedhura dhe porositë domethënëse të gjyshit, duke i bartur ato gjithmonë në mendje e zemër, për të mos i harruar asnjëherë, në luftë as në paqe,derisa ishte gjallë.

Ndaj, përveç betimit për mbajtjen e fjalës së dhënë dhe respektimit të Besës, nga gjyshi i tij- Binak Alia, Zeqir Halili mësoi se si të mbetej çdo herë i ndershëm dhe të ruhej gjithmonë nga interesi e pavendosmëria, dobësi të cilat ia prishin trimit- burrërinë.

Madje, edhe në veprimtarinë atdhetare të tij, ai e sprovoi në lëkurën e vet, se përgjatë gjithë përpjekjeve për liri kundër armiqve të shumtë dhe pushtimeve të gjata, vetëm mbajtja e besës dhe bashkimi i vërtetë, edhe në çastet më të vështira, i bënë shqiptarët "më të fortë se guri", të pamposhtur në qëndresë dhe të pavdekshëm në histori.

Ndaj, Zeqir Halili, si prijës sublim i Malësisë së mirë,përherë mbajti një qëndrim të atillë burrëror, të cilin vetëm bijtë e trojeve epike shqiptare patën forcë, trimëri dhe guxim ta përjetësonin me stoicizëm, duke u bërë frymëzim brezash për besnikëri ndaj atdheut dhe idol i luftërave për lirinë e tij.

Ai,sa herë ishte në pyetje fati i kombit dhe liria e atdheut, nuk toleroi asnjë pushtues siç nuk njohu as u pajtua kurrë, me pashë as mbret.

Ishte koha kur "Himnin Kombëtar" "Mos shikoni kisha e xhamia" -si të shenjtëruar nga Perëndia, e donin të gjithë shqiptarët pa dallim, mote kur populli ynë zhvillonte luftë kombëtare për jetë a vdekje, në vitet e para të fillim shekulli njëzet, njëqindvitësh sprovash e peripecish të panumërta të shqiptarëve, i cili do të hynte në histori si shekulli i çlirimit të popullit tonë, ani pse jo tërësisht.

Ndaj, ashtu, ashtu siç kishte vepruar për vite e dekada më parë, Kosova me gjithë plagët e rënda që i thernin kudo në trupin e saj të plagosur gjithandej nga luftërat e pareshtura për çlirim, edhe kësaj radhe do të kthehej edhe në qendrën e zhvillimit të kryengritjeve kombëtare, duke gjetur forcë edhe një herë për tu ri-ngritur më fuqishëm se kurrë, në luftë për dëbimin përfundimtar të pushtuesve osman nga trojet shqiptare.

Tradita luftarake e pinjollëve të Binak Alisë

Në Bujanin Historik si vend me inspirime të pashtershme kombëtare,në mesin e kullave të bardha,që nga koha e lindjes së heronjve të tyre, dy nga to ruajtën përherë shkëlqim të veçantë; ajo e Mic Sokolit dhe e Binak Alisë.

Në odat e këtyre kullave -kala, herë pas here do të mblidheshin udhëheqës të njohur krahinash shqiptare dhe prijës të dalluar luftërash kombëtare, në të cilat që nga aprovimi i Tanzimatit, lidhej besa për bashkim fisesh dhe merreshin vendime mbi shpallje kryengritjesh për luftimin e pushtuesit dhe çlirimin e vendit me armë në dorë.

Përpjekjet e pareshtura gjithë-popullore dhe kryengritjet e njëpasnjëshme kombëtare që pasonin njëra tjetrën, e kalitën Zeqir Halilin, qysh të vogël, me aktet më sublime të trimërive të Krasniqes dhe Malësisë së mirë kudo.

Lufta kundër të ashtuquajturave reforma turke, nisi qysh në vitin 1845, për tu përsëritur edhe në vitin 1862, kur nën udhëheqjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit, ushtarët otoman do ta sulmonin edhe një herë Bujanin historik bashkë me kullat e gjyshit të Zeqir Halilit, duke tentuar nënshtrimin e Malësisë, për t'u tërhequr pas pak kohësh të thyer dhe të shpartalluar prej malësorëve trima të prirë mjeshtërisht nga Binak Alia, gjyshi i Zeqir Halilit dhe Sokol Rama, (babai i Mic Sokolit) të cilët mbi të gjitha çmonin jetën e lirë në vendin e tyre, pa ligjet shtypëse të Perandorisë.

Megjithëse në vitin 1862, Zeqir Halili ishte i ri dhe vetëm në moshën 9 vjeçare, nga ngjarjet historike nëpër të cilat do të kalonte kombi shqiptar, ai do të rritej para kohe dhe për tridhjetë vjet me radhë, edhe ai vet do të shndërrohej në njërin ndër protagonistët kryesor të tyre, jo vetëm në Bujan e Malësi, por në Kosovë dhe Shqipërinë e epërme kudo.

Kullën zëmadhe të Binak Alisë do ta trashëgonte babai i tij Halili e më pas Zeqiri si nip i Binakut, i cili do ta ngrinte lart e më lartë lavdinë e saj me bëmat e mëdha dhe trimëritë e rralla që dëshmoi gjatë gjithë jetës së vet heroike.

Ngjarjet dhe heroizmat, për të cilat ai kontribuoi, kudo në trevat kryengritëse shqiptare, do ta ngrinin dhe përjetësonin emrin e tij në piedestalin e udhëheqësve të lartë ushtarak, për ç'shkak, treva prej nga ai vinte, do ta shpallte gjeneral të Malësisë, apo "vojvod" siç quhej në gjuhën popullore, titull i huazuar nga vendi fqinj-Mali i zi, ku me emrin "vojvod" nderoheshin udhëheqësit e arrirë të ushtrisë dhe artit luftarak, aso kohe.

Zeqir Halili udhëhoqi luftime të panumërta dhe u priu po aq shumë betejave, jo vetëm kundër turqve, por edhe kundër serbëve e malazezëve, akte trimërie këto të cilat këtë luftëtar të përbetuar të kauzës sonë kombëtare e kthyen në legjendë të qëndresës dhe përpjekjeve atdhetare për liri, derisa një ditë edhe pse në moshën 65 vjeçare,do të qëllohej për vdekje, në pabesi, nga xhandarët austro-hungarez.

Që nga vitit 1800 e këtej, përgjatë një periudhe mbi dy shekullore, nuk mund të kalosh asnjë faqe historie të Malësisë dhe Kosovës, pa hasur disa herë në bëmat heroike të Binak Alisë, Mic Sokolit, Qerim Binakut, Zeqir Halilit etj, të cilët si pinjoll të së njëjtës familje historike me veprat sublime që lanë pas vetes, u ngritën në lartësitë e heroizmave kombëtare, ndaj me të drejtë, emrat e tyre u shënuan me germa të arta në analet e historisë së luftërave më të mëdha për bashkimin e kombit dhe lirinë e atdheut, do të thuhej në mes tjerash edhe në një dokumentar kushtuar këtyre trimave.

Që nga Koha e Binak Alisë, në kullën e tyre, hynin e dilnin njerëz të njohur dhe të dëshmuar për vepra kombëtare, nga të cilët Zeqir Halili do të përvetësonte vendosmërinë dhe personalizonte sakrificën që kërkonte atdhedashuria siç mësoi edhe mbajtjen e qëndrimit të denjë kombëtar, ndaj sa herë ishte në pyetje çështja e trojeve etnike, ajo madhore shqiptare dhe liria e atdheut, ai do të luftonte me grykë të pushkës si kundër pushtuesve turq ashtu edhe kundër pushtuesve serbo-malazez.

Një gjë e tillë, do të dëshmohej bindshëm edhe nga një dokument i datës 15 tetor të vitit 1912, gjetur në arkivat ushtarake të Malit të Zi, në të cilin nga oficerët e këtij shteti hegjemonist fqinj,raportohej se si nga data 2 maj e atij viti, Bajram Curri dhe Halil Zeqiri, nuk u lan asnjë herë qetësi dhe sulmonin çdo ditë pozicionet malazeze.

Madje edhe përjetësimin e dijes dhe përdorimin e saj në momente të duhura, siç ishte traditë familjare tek pasardhësit e Binak Alisë, Zeqir Halili i Krasniqes do ta dëshmonte bindshëm dhe në kohë e vend të duhur, i cili si njohës i mirë i gjendjes në vend dhe halleve të mëdha e varfërisë së theksuar të shqiptarëve, ai përveç në luftë, edhe në kuvende e bisedime, do të shkëlqente si udhëheqës i vendosur dhe mbrojtës besnik i popullit të tij.

Thuhet se në fillim vitet e 70-ta të shekullit XIX, Binak Alisë do ti kërkohej një mashkull, i cili përveç trimërisë duhej të kishte edhe zotësi oratorie për udhëheqjen e delegacionit të Malësisë, të ftuar për bisedime nga Veziri në Shkodër.

Binak Alia si kryefamiljar dhe njeri i sprovuar në jetë, i cili njihte trimërinë dhe vendosmërinë e të nipit,por edhe qëndrimet e ashpra të Vezirit, sado që atë kohë i nipi ishte ende i ri, megjithatë ai vendosi që për ballafaqim me të, ta dërgonte Zeqir Halilin.

Vendimi i Binak Alisë, u dëshmua i drejtë dhe frytdhënës, ngase Zeqir Halili, do ta nxirrte të gjithë Malësinë të lehtësuar nga tatimet dhe faqebardhë në duelin e ashpër me Vezirin.

Edhe pse Zeqiri ende nuk kishte arritur moshën 18 vjeçare, këmbënguljeve dhe kërcënimeve të Vezirit për imponimin e pushtetit turk dhe pagimin e taksave të vëna nga pushtuesit osman në Malësi, do tu përgjigjej pa ju trembur syri dhe pa asnjë hamendje, troç, shkurt dhe shqip; Jo!

Unë si përfaqësues i Malësisë,do të vazhdonte Zeqiri, kam ardhë në Shkodër të flas me takatin e atyre që më kanë dërguar këtu, se po të flisja nga pozita e Vezirit, me pasurin tuaj do ta mbaja, dy vjet Malësinë me bukë.

Një jo e fortë, e cila do ta lironte nga barra e rëndë e taksave dhe ngarkesat tjera të shumta otomane, gjithë trevën e tij kreshnike.

Lufta e vitit 1885 dhe lirimi i Sylejman Vokshit e Abdyl Frashërit

Zeqir Halili po-ashtu,dëshmoi trimëri të mëdha në shumë lufta dhe beteja të Lidhjes së Prizrenit, përpjekjet e të cilit do të vazhdonin edhe pas shuarjes së saj, me ç'rast vlen të veçojmë luftimet e vitit 1885 kundër forcave të Vesel Pashës në Gjakovë e rrethinë.

Siç mësojmë nga historia jonë kombëtare,në shkurt të vitit 1885, në fshatrat e Prizrenit, do të shpërthente një kryengritje e re,kurse më 1 mars të atij viti, pasi prenë lidhjet telegrafike, kryengritësit shqiptar do ta sulmonin Prizrenin, ku edhe përkundër zjarrit të fortë të ushtrisë turke, ata arritën të depërtonin në qytet dhe çlironin shtëpitë e para të tij. (https://www.shqiperia.com/Kryengritjet-kunderosmane.)

Kundër tyre, si rëndom, edhe kësaj here Perandoria osmane, do të dërgonte një ekspeditë të madhe ushtarake, me në krye mareshalin turk, Vesel Pasha, të cilit përkundër forcave të mëdha iu nevojitën, jo ditë a javë, por edhe muaj, për ta qetësuar gjendjen në qytet.

I informuar nga bashkëpunëtorët, se diçka e madhe po përgatitej edhe nga Sulejman Vokshi, ai papritmas më 1 gusht të vitit 1885, do ta mësynte Gjakovën, ku në befasi do ta arrestonte atë me bashkëpunëtorë, nën drejtimin e të cilit bëheshin përgatitjet e fundit për formimin e një lidhje të re antiosmane.

Pas arrestimit të Sylejman Vokshit, ashtu siç u vërsulën në shtator të vitit 1878, dhe vranë Mehmet Ali Pashë Maxharin, shqiptarët e zemëruar, do të mësynin nga të gjitha anët edhe ushtrinë e Vesel Pashës e cila kishte bllokuar Gjakovën, ku do të shkëlqente trimi dhe martiri i kombit, Zeqir Halili me luftëtarët nga Malësia.

Megjithëse Vesel Pashës, do ti vinin përforcime nga Prishtina, luftimet e ashpra nuk do të pushonin për disa kohë, ndaj derisa në mes të luftëtarve shqiptar dhe ushtarëve të Vesel Pashës në Gjakovë ende vazhdonin përballjet, kryengritja kundër Perandorisë turke, do të shpërthente edhe në Rumelinë Lindore e cila vetëm disa ditë më vonë do ta shpallte bashkimin me Bullgarinë.

E gjendur në mes dy zjarresh, Perandoria turke, do të detyrohej tu bënte shqiptarëve disa lëshime me rëndësi, përfshi edhe lirimin e udhëheqësve kryesor të Lidhjes së Prizrenit nga burgu, si Sylejman Vokshi e Abdyl Frashëri, që ishte kërkesa më këmbëngulëse e kryengritësve.

Madje për qetësimin e gjendjes,Perandoria otomane u premtoi shqiptarëve edhe lejimin e mësimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla, si dhe të drejtën për bartjen e armëve nga malësorët, arritje të cilat pa kontributin e Zeqir Halilit me bashkëluftëtarët e tij trima, nuk mund të paramendoheshin lehtë.

Zeqir Halili dhe Isa Boletini

Pjesëmarrja e Zeqir Halilit, nuk do të mungonte as në kuvendet e mëdha popullore të organizuara nga figurat më të larta të kombit, ashtu siç nuk do të mungonte kontributi i tij as në luftërat dhe betejat e zhvilluara në vitet 1899 -1903, nga Lidhja e Pejës, për çlirimin e atdheut dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare, të cilat figurën atdhetare të Zeqir Halilit, do ta bënin edhe më të ndritshme, në Kosovë dhe Shqipëri.

Zëri i kushtrimit të dhënë nga ai do të jehonte edhe në ditët kur armiku nuk e priste as besonte dhe shumë burra të tjerë heshtnin para fuqisë së pushtuesit, por jo edhe Isa Buletini e Zeqir Halili. Ata u prinë betejave, në të cilat do të shkëlqenin si udhëheqësit më të shquar të trevave kreshnike, duke dëshmuar shpirtin e tyre kryengritës dhe të pa epur e luftarak edhe në kohën kur, sipas këngëtarit popullor:

Kërkush luftës s'un ja nisi
Veç Krasniqja e Zeqir Halili
Në Mitrovicë Isë Buletini

Isa Boletini dhe Zeqir Halili, ishin burra që organizonin nga një luftë për vjet

Prijësit heroik dhe populli liridashës i këtyre trojeve, nuk gjetën qetësi as në grahmat e fundit të Perandorisë pushtuese turke, e cila duke parandjerë vdekjen e shpejt, kishte ashpërsuar shqelmat dhe bënte kërdinë mbi shqiptarët me aksione dhe ekspedita nga më të egrat ushtarake.

Sikur të mos mjaftonin veprimet e saj, duke parë se osmanët i kishin vitet e numëruara në Ballkan, tanimë-kundër shqiptarëve, kishte ngritur kokën me arrogancë edhe Perandoria Ruse.

Madje, me qëllim të përgatitjes së terrenit, për pushtimin e trojeve të tyre etnike nga fqinjët hegjemonist sllav -si shtete aleate të saj, qeveria ruse deri në vitin 1902, kishte hapur konsullatat e veta në qytetet kryesore shqiptare, si në Manastir, Shkup, Durrës, Shkodër, Prizren etj, e një të tillë, kërkonte me këmbëngulje ta hapte edhe në Mitrovicë, vend në të cilin atëbotë ishin përqendruar interesat kryesore ruso-serbe, ku përmbaroheshin planet strategjike dhe përgatiteshin aksionet ushtarake për pushtimin e Kosovës.

Ndaj në mënyrë që konsulli rus të mund të vendosej në Mitrovicë, para ardhjes së tij, qeveritarët turq, kinse nën presionin e Rusisë,heroin Isa Buletini i cili bashkë me Bajram Currin e Zeqir Halilin, u takonin plejadës së burrave të mëdhenj të kombit, të cilët kundër çdo pushtuesi ishin në gjendje ta ngritin popullin në luftë, do ta detyronin atë që të shkonte në Stamboll përkohësisht.

Megjithatë, ardhja e oficerit të artilerisë ruse, Grigor Shçerebin si konsull në Mitrovicë, i cili më parë kishte shërbyer edhe në Shkodër e Selanik, do ta komplikonte aq shumë gjendjen, sa që shqiptarët e kalitur nga prijës si ai edhe pa pranin e Isa Buletinit, do të qoheshin në kryengritje kundër konsullit të pa dëshiruar rus.

Madje "Diplomati" të cilin garnizoni turk në Bair të Mitrovicës, bëri sikur u detyrua nga presioni i vendorëve ta strehonte në kazermat ushtarake, me rastin e shpërthimit të kryengritjes kundër vendosjes së tij në Mitrovicë, si oficer i artilerisë ruse që ishte, përkrah komandantit otoman Seid Beu, Shqerebin do të komandonte me topçinjtë e garnizonit turk, duke bërë kërdi jo vetëm ndaj kryengritësve por edhe kundër banorëve të pafajshëm shqiptar.

Gjakderdhja që po u shkaktonte oficeri i maskuar si "konsull", bashkëkombësve të tetarit shqiptar Ibrahim Muhaxhiri (Gjilani apo Karadaku), mbiemri i të cilit përshkruhet në disa mënyra,pasi që edhe familja e tij, vetëm disa vite më parë ishte dëbuar me dhunë nga vendbanimet shqiptare të rrethit të Nishit dhe vendosur si "refugjat" në një fshat në afërsi të Gjilanit, me sytë e errësuar nga trishtimi, do ta hiqte pushkën dhe vriste në vend "konsullin" rus.

Pas këtij akti heroik, pasoi dënimi i rëndë Perandorak ndaj Ibrahimit dhe syrgjynosja e tij në kazamatet e Kalasë së Gazipashës, ku thuhet se pas dy vitesh, trimi shqiptar do të vdiste i dërmuar nga torturat e oficerëve turq.

Qëndrimi armiqësor i xhonturqve ndaj prijësve dhe popullit shqiptar

Vështirësitë e panumërta të popullit tonë nën pushtimin shumë shekullor turk, as pas vendosjes së kushtetutës, nuk do të pushonin.

Përkundrazi ato zgjerohen e përkeqësohen edhe më tepër, sidomos pas ardhjes së xhonturqve në pushtet të cilët menjëherë pas zgjedhjeve dhe qysh në mbledhjen e parë konstituive të parlamentit, më 17 dhjetor të vitit 1908,hodhën poshtë kërkesat e drejta të shqiptarëve për shkollim në gjuhën amtare si dhe ua mohuan kategorikisht kombësinë, me qëllim të asimilimit të plotë të tyre.

Madje, megjithëse xhonturqit e dinin se pakënaqësia e shqiptarëve nuk drejtohej kundër kushtetutës por kundër qëndrimit të tyre, për tu liruar nga premtimet e dhëna prijësve tanë kombëtar, të cilët mbështetën vendosjen e xhonturqve në pushtet edhe me organizim tubimesh masive, ata do të përpiqeshin ti zhduknin të gjithë udhëheqësit kryesor të lëvizjes kombëtare shqiptare, përfshi edhe Isa Buletinin, përkundër kontributit që ai dha në korrik të vitit 1908,si organizator i Kuvendit të Ferizajt, ku në mesin e mijëra pjesëmarrësve ishte edhe Zeqir Halili e axhallarët e tij.

Kështu, që në gusht të vitit 1908, xhonturqit do ta shpallnin Isa Buletinin "armik" të kushtetutës dhe kërkonin kokën e tij, gjë që detyroi atë, nga Mitrovica të vendosej në Buletin.

Madje, më 22 nëntor të vitit 1908, xhonturqit dërguan mbi 1500 ushtarë, të pajisur me artileri dhe armatimin më modern në Buletin, për zhdukjen e tij, ku pas një luftimi që zgjati tërë ditën, mbetën të vrarë 3 shqiptarë dhe rreth 30 ushtarë turq.

Edhe në Manastir, i cili atëbotë njihej si qendër drejtuese e klubeve, xhonturqit përgatitën atentate kundër udhëheqësve të shquar shqiptarë përfshi edhe atë në Korçë kundër Dervish Himës.

"Turqit e rinj" në përgjithësi u treguan shumë armiqësor ndaj popullit shqiptar, e sidomos në vitin 1909, kur si pasojë e të korrurave të dobëta dhe bojkotimit të mallrave austriake nga qeveria xhonturke, gjendja ekonomike në Shqipëri ishte keqësuar deri në atë masë, sa që shumë pjesë të trojeve shqiptare kërcënoheshin nga uria.

Megjithatë, në vend se t'ua lehtësonin tatimet, siç u kishin premtuar shqiptarëve para ardhjes në pushtet, xhonturqit filluan të kërkonin jo vetëm shlyerjen e taksave për vitin 1909, por ti bënin borxhli ata edhe për tatimet e dy viteve paraprake, madje sipas një ligji ushtarak të aprovuar, po në gushtit të vitit 1908, ata urdhëruan edhe rekrutimin e të rinjve në ushtrinë e Perandorisë.

Sipas Zekeria Canës, xhonturqit në gusht të vitit 1908 shpallën ligjin e ri mbi shërbimin e detyruar ushtarak për të gjithë shtetasit e perandorisë, dhe filluan të mbledhin taksat, jo vetëm për vitin1909 po edhe ato të prapambeturat e dy viteve më parë. (Zekirja Cana,"Lëvizja kombëtare shqiptare në kosovë, 1908-1912", fq.57)

Duke ditur se aksionet e nisura turke, do të kundërshtoheshin edhe me luftë nga prijësit e kombit, qeveria e xhonturqve u vu prapë në ndjekje të Isa Boletinit, i cili me 700 kryengritës, atë kohë ndodhej në rrethinat e Pejës.

Ndaj, më 20 mars të vitit 1909, Xhavit Pasha me 3000 ushtarë, 16 topa dhe forca të shumta të kavalerisë, nga Mitrovica do të vinte në Pejë, prej nga më 24 mars do të nisej për në Isniq, ku me kërcënime se do t'u digjte shtëpitë dhe pasurinë, kërkoi nga krerët shqiptarë të dorëzonin Isa Boletinin, të paguanin taksat dhe dërgonin djemtë ushtarë.

Për aq më keq, Perandoria turke, nuk mjaftohej as me kaq, ajo pas ndalimit të klubeve dhe shkollave në gjuhën shqipe, duke synuar t'i nënshtronte tërësisht shqiptarët, t'i çarmatoste dhe detyronte ata të paguanin taksat, si dhe rekrutonte të rinjtë me forcë në ushtrinë osmane, në fillim majin e vitit 1909, nga Shkupi drejt Gjakovës, do të niste një ekspeditë të re ushtarake, drejtuar po nga Xhavit Pasha, komandant i Divizionit të 18 të Mitrovicës, i cili ndërmori masa të ashpra ndëshkimore, të cilat vazhduan deri në muajin tetor të vitit 1909.

Ndaj, më 16 maj të atij viti,në krye të 10 batalioneve të këmbësorisë, të pajisura me 32 topa, Xhavit Pasha do të hynte përsëri në Pejë, duke lënë atje tri batalione "që të ruanin qetësin", për tu kthyer vet në Gjakovë, ku tani do ti ftonte krerët e Malësisë, nga të cilët kërkoi që të dorëzoheshin të gjitha armët, të bëhej regjistrimi i popullsisë atje, të mblidheshin taksa të dyfishta për bagëtinë dhe të zgjeroheshin dritaret e kullave dhe shtëpive.

Meqë prijësit e kësaj treve historike, kundërshtuan kërkesat e tij, Xhavit Pasha u nis me pesë batalione këmbësorie dhe dy bateri artilerie për ta nënshtruar me forcë Malësinë.

Zeqir Halili në Has

Siç ishte vendosur në Kuvendin e Lidhjes së Pejës, të mbajtur nga 23-29 Janar të vitit 1899, ku të 450 delegatët pjesëmarrës nën drejtimin e Haxhi Zekës, nga programi prej 11 pikësh, "Lidhjen e Besës" ndërshqiptare zgjodhën si pikën vendimtare për mbarëvajtjen e organizimit në luftë dhe shpëtimin e kombit nga pushtimi, ky vendim do të respektohej nga të gjithë.

Kështu që prijësit shqiptar, para fillimit të çdo lufte, së pari duhej të tuboheshin në kuvende për lidhjen e besës në mes tyre, në mënyrë që të bashkonin armët për t'iu kundërvënë armikut, siç do të vepronin edhe trimat e Malësisë, në krye me Zeqir Halilin e Bajram Currin, të cilët si përfaqësues të Krasniqes do të bashkoheshin te Qarri (Has) për lidhjen e besës me fiset tjera, ku rol primar në këtë ngjarje të shënuar kishte Zeqir Halili siç e cekë edhe rapsodi në rreshtat vijues:

U qun krasniqja janë ra te Qarri
Ranë tu Qarri janë besatue,
Fol Zeqir qysh po na thue

Zeqiri do tu thoshte trimave se e "kem da mendjen" me luftue, ndaj ata do të bashkoheshin për mbrojtjen e Malësisë nga sulmet e hordhive të tërbuara turke, pasi që sipas vargjeve të së njëjtës këngë, Xhavit pasha tanimë kishte qitur 12 topa në Qafë të Morinës;

Dymbëdhjetë topa na i grabiti,
Në Qafë t'Morinës Pasha na i qiti

Luftën të cilën nuk kishte mundur ta niste askush tjetër,në Morinë do ta nisnin kreshnikët e Krasniqes me në krye gjeneralin e Malësisë Zeqir Halilin kurse në Mitrovicë Isa Buletini, trimëria e të cilëve do të përjetësohej me realizëm të admirueshëm në kronikën e kohës të quajtur- këngë:

Kërkush luftës sun i'a nisi
Veç Krasniqja e Zeqir Halili
Në Mitrovicë Isë Buletini

Përveç transmetimeve epike, trimëritë e kreshnikëve i pasqyron në mënyrë besnike edhe historia sipas së cilës sulmeve shkatërruese të ushtrisë turke, do tu përgjigjeshin flakë për flakë trimat e bashkuar të Krasniqes, Gashit, Bytyqit, Hasit dhe Rekës, me në krye Zeqir Halilin e Bajram Currin.

Ata, më 12 qershor të vitit 1909, në Qafë të Morinës sulmuan ushtrinë e Xhavit Pashës,nga të katër anët, duke vrarë rreth 800 ushtar e plagosur shumë të tjerë si dhe detyruar pashain turk të tërhiqej me turp në Gjakovë, i cili pas humbjes së betejës, do të pyeste me habi, Zot kësaj Lufte kush ja nisi?!, për të cilin rapsodi nuk do duhej të kërkonte shumë dhe as nuk e kishte të vështirë ti ofronte përgjigje, ngase emrat e tyre ishin të njohur dhe nga të gjithë diheshin;

Në Qafë të Morinës Zeqir Halili
Në Mitrovicë Isë Buletini!

Kryengritjes së malësorëve kundër ekspeditës së ushtrisë turke, do t'i bashkoheshin edhe hoxhallarë shqiptar, për të cilët kombi kishte shumë vlerë dhe atdheu ishte mbi të gjitha, mbijetesa e tyre vendosej në radhë të parë edhe nga ata, shembuj të shenjtë atdhetarie, të cilët do të përjetësoheshin me krenari, në vargjet e këngëve si kjo:

Veç Krasniqja, Krasniqja e Gashi
Halit Dula e Hoxhë Dollapi

Reagimi i deputetëve shqiptar në parlamentin xhonturk

Ekspeditat ushtarake turke, kishte kohë që shkaktonin vrasje dhe shkatërrime të papara mbi shqiptarët, ndaj edhe në parlamentin turk, do të reagonte ashpër Hasan Prishtina e Fuat Pasha të cilët në fillim të qershorit të atij viti, do të paraqitnin një interpelancë në kuvend duke kërkuar nga ministri i Brendshëm shpjegime rreth ekspeditave në Kosovë.

Xhonturqit të tërbuar pas humbjeve nga përballjet me kryengritësit e Zeqir Halilit në Qafë të Morinës, as që donin të dëgjonin për ndalimin e ekspeditave të tyre barbare dhe antinjerëzore, përkundrazi ata vetëm ndërruan kahen e tyre për hakmarrje dhe gjenocid të mëtejshëm mbi shqiptarët.

Qeveria e "turqve të rinj",jo vetëm se nuk hoqi dorë nga përdorimi i forcës për nënshtrimin e popullit tonë me zjarr e hekur, por në fundin e qershorit të vitit 1909, ndërmori një ofensivë të ashpër hakmarrëse në drejtim të Rugovës së Pejës duke kthyer në gërmadha fshatrat e të dy anëve të Grykës së Rugovës, vrarë pleq e fëmijë dhe çnderuar vajza e gra. (Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912-Historia e Shqipërisë" historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_13.php.)

Duke parë masakrimet që bëheshin nga ushtria osmane, kudo, opinioni publik, diplomatët e huaj e sidomos ata austriak, si dhe shtypi ndërkombëtar kishin filluar të merreshin më seriozisht me gjendjen e rëndë në trojet tona kombëtare duke kërkuar përmbajtjen e sistemit pushtues otoman, dhe ndalimin e barbarive xhonturke mbi shqiptarët.

Edhe gazeta "Korça" më 14 shtator të vitit 1909, do të shkruante; "u ranë shqiptarëve më qafë, pa shkak të vërtetë"

Kurse rreth një javë më vonë, më 20 shtator të po atij viti, gjakatari otoman dhe antishqiptari i përbetuar, Xhavit Pasha, në një intervistë dhënë gazetës "Progres de Salonique" do të mundohej ti kamuflonte barbaritë që shkaktonte duke deklaruar se kinse qëllim i ekspeditave turke, ishte "likuidimi i disa rebelëve"për të vërtetuar vetëm pak kohë më vonë, para gazetarëve anglez, italian, francez etj., se "nuk do të prehej i qetë, para se t'ua shtypte kokën shqiptarëve" gjë që alarmoi edhe më tepër prijësit kombëtar dhe detyroi ata për ndërmarrje urgjente të masave mbrojtëse.

Reagimi i shqiptarëve dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme

Tendencat për vazhdimin e ekspeditave të një pas njëshme, dëmtimet aq shkatërrimtare, dhe kërcënimet për shtypjen e kokave të shqiptarëve, nga fundi i vitit 1909, nxitën krerët e tyre të formonin në Stamboll Komitetin e fshehtë "Ja vdekje - ja Liri" i cili përveç organizimit të kryengritjes së përgjithshme, u përpoq të formonte edhe një qendër të vetme drejtuese, si dhe publikimin e një organi qendror të shtypit, për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.

Ndaj, që në fillim pranverën e vitit 1910, filluan gjithandej të mbaheshin tubime për përgatitjen e kryengritjes, kurse veprimet e armatosura antiosmane nisë që në mars të atij viti, kështu që organizimi i qëndresës së shqiptarëve të Kosovës po kthehej shpejt dhe sigurt, në kryengritje të armatosur kundër regjimit barbar xhonturk.

Gjendja e krijuar kërkonte mobilizimin e të gjitha trojeve për çlirim nga Perandoria Turke, ndaj i ftuar nga Isa Buletini, Zeqir Halili do të merrte pjesë edhe në Kuvendin e mbajtur në prill të vitit 1910, te "Verrat e Llukës", ku ndër të parët, do të zotohej për zbatimin e vendimeve dhe realizimin e tyre me besnikëri, deri në çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare nga Turqia.

Në anën tjetër, vrasja e majorit Rushit Beu, komandanti i ushtrisë turke në Pejë dhe plagosja e Haki Beut, mytesarif i atij qyteti, shqetësoi aq shumë qeverinë xhonturke, sa që më 7 prill të vitit 1910, ajo do të mbante me urgjencë një mbledhje me eksponentët kryesor të shtetit, dhe me dekretin perandorak të sulltan Mehmet Reshatit V-t,do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e kryengritjes të cilat përfshinin Kosovën dhe Malësinë.

Porta e Lartë urdhëroi me shpejtësi Ministrinë e Luftës Mahmut Shefqet pashën që të përgatiste sa më parë një ekspeditë nga më të mëdhatë ndëshkimore kundër shqiptarëve, në krye të së cilës do të vihej Shefqet Turgut pasha, njëri nga gjeneralët më gjakatar të asaj kohe që kishte ushtria otomane.

Nga mesi i muajit Prill, forcat turke arritën në afërsi të Kaqanikut ku, pas luftimeve të ashpra ndërmjet 40 mijë trupave turke dhe 6 mijë kryengritësve shqiptar të ndarë në dy pikëqëndrime strategjike, 3000 në Kaqanik nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe 3000 në krye me Isa Buletinit në Carralevë, luftëtarët e ardhur nga të gjitha viset shqiptare në mesin e të cilëve edhe ata të Malësis së mirë, nga mesi i prillit e deri më 10 maj të vitit 1910, do të bënin një qëndresë aq heroike sa që Perandoria turke do të detyrohej që nga 40 mijë ushtar sa kishte në front, ta rriste numrin e tyre në 50 mijë, duke i përforcuar edhe me 70 bateri artilerie.

Por,qeverisë xhonturke nuk do ti mjaftonin vetëm përforcimet me ushtarë e armatime, ndaj bashkë me to, ajo vendosi ta dërgonte edhe vet ministrin e luftës Mahmut Shefqet pashën, për udhëheqjen operacioneve ushtarake, ngase as gjenerali më i mirë që pati ushtria osmane siç cilësohej atë kohë, gjakatari Shefqet Turgut pasha, nuk arrinte ti thyente 5-6 mijë luftëtarët heroik shqiptar të cilët me trupat kreshnik, jetën dhe gjakun e tyre, mbronin heroikisht tokën e të parëve.

Madje,me gjithë rritjen e numrit të ushtarëve në 50 mijë sosh, 70 bateritë e artilerisë dhe ardhja e ministrit të luftës, vetëm pas rreth një muaji luftimesh, kur shqiptarëve kishin filluar tu mbaroheshin municioni dhe ushqimet, si dhe ranë e u plagosën shumë trima në fushën e nderit, forcat turke mundën të ecnin përpara por vetëm ngadalë dhe gjithmonë nën breshërinë e luftëtarëve shqiptar, të ndarë në grupe më të vogla taktike, që me gjithë vështirësitë vepronin gjithandej Kosovës.

Kjo bëri që trupat turke, përkundër numrit të madh, armatimit të shumtë e më modern që posedonin dhe ndihmën e vazhdueshme të bashkëpunëtorëve të shitur vendës, vetëm më 1 qershor të atij viti, të arrinin në Pejë dhe Gjakovë.

Sulmi i dytë në Qafë Morinë

Me qëllim të shuarjes së tërësishme të qëndresës së armatosur të shqiptarëve dhe Lëvizjes së përgjithshme Kombëtare në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës, gjatë muajve qershor dhe korrik të vitit 1910, Qeveria Xhonturke do t'i niste dy divizione ushtarësh turq, për operacione të gjera luftarake edhe në zonat e tjera të Rrafshit të Dukagjinit, si dhe drejt Lumës e Dibrës kurse nëntë batalione ushtarësh, do të kalonin përmes Qafës së Prushit në zonën e Hasit, me qëllim të daljes së tyre nga atje në Shkodër.

Shefqet Turgut pasha dhe ushtria pushtuese turke, për shtypjen e qëndresës kombëtare, brenda dy vitesh do ti vërsulej dy herë Malësisë së Mic Sokolit dhe të Binak Alisë përmes së cilës donte të kalonte në Shkodër. Ndaj duke ditur se kjo nuk mund të arrihej pa një luftë të vështirë, ai do të niste edhe një herë gjeneralin Xhavit Pasha, për vendosjen e topave të artilerisë turke në Qafë të Morinës, por tanimë me shumë më tepër ushtarë dhe armatime.

Me gjithë luftimet e pandërprera, shkatërrimet e mëdha dhe mbledhjen e armatimit, sipas Dr. Jusuf Bajraktarit, nën udhëheqjen e Zeqir Halilit dhe Bajram Currit, edhe një herë në Qafë të Morinës, 2000 kryengritësit e bashkuar të Krasniqes, Gashit, Bytyqit dhe fiseve të tjera do t'i bënin ballë heroikisht një divizioni, tanimë prej 15-18 batalionesh këmbësorie, disa skuadrash kalorësie dhe 5 bateri artilerie, etj. (Dr. Jusuf Bajraktari, "Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, 1878-1912", Prishtinë, 1998).

Kryengritësit u bënë pritë gjithashtu forcave osmane që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit edhe në Qafë të Kolqit, ku 200 malësor.... u shkaktuan humbje të mëdha. (historia.shqiperia.com/rilindja/ Kreu _11.php "Kryengritja e Kosovës e Vitit 1910" Kreu XI )

Ndërsa, në anën tjetër trimi Mehmet Shpendi,në krye të malësorëve kryengritës, në luginën e Shalës dhe të Thethit, do të zinte Qafën e Agrit, dhe të gjitha shtigjet nga mund të kalonte ushtria turke, i cili me bashkëluftëtarët e tij, jo vetëm se do ta bllokonin aty për 7 ditë e net, ushtrinë e Shefqet Turgut Pashës, por edhe do ta thyenin me turp dhe detyronin të tërhiqej nga Lugina e Shalës dhe e Thethit. Turgut Pasha mundi të kalonte vetëm përmes Pukës, për të arritur më 24 korrik të vitit 1910, në Shkodër.

Është interesant të ceket me këtë rast, se si për koincidencë, qeveria xhonturke, pikërisht më 24 korrik të vitit 1910, do të merrte vendim për mbylljen e të gjitha klubeve dhe shkollave në gjuhën shqipe, të hapura nga viti 1908, duke ua mohuar çdo të drejtë njerëzore dhe kombëtare shqiptarëve.

* * * * * * * * * *

Për aq sa është e njohur nga fakte dhe dokumente historike, pinjollët e familjes së Binak Alisë, duke filluar nga Mic Sokoli, Binaku vet, të katër djemtë e tij dhe i nipi Zeqir Halili, gjatë gjithë jetës dhanë kontribut të madh e të pamohueshëm dhe përherë do ti përgjigjeshin ndër të parët, zërit të Atdheut, qoftë si luftëtar të denjë apo edhe udhëheqës të dalluar kryengritjesh, të cilët, për aq sa dihet publikisht, gjithmonë iu përmbajtën me besnikëri anës kombëtare dhe nuk duruan kurrë të huaj as bashkëpunuan ndonjëherë me pushtues të vendit.

Megjithatë, pasi që në ndonjë shkrim gjen edhe mendime tjera,si bie fjala për Shaban Binakun, mbi të cilin me apo pa të drejt, hidhet hije dyshimi, për qëndrimet e mbajtura para betejës së Qafë Morinës, më 1909, do të ishte mirë dhe në interesin e përgjithshëm që historianë të paanshëm dhe profesionist të licencuar ta thonë fjalën e tyre, ashtu si u zhvilluan ngjarjet, pa përbaltje as zbukurime të realitetit,në mënyrë që njerëzit të njihen me të vërtetën dhe figurat eminente të "shpërlahen" nga dyshimet, qoftë të vëna në rreshta këngësh dhe të shprehura në formë lutje, si; "Për riza të Zotit...... "Mos i hani paret e kralit", a ndonjë shkrim i ngjashëm, nëse nuk kanë mbështetje burimore dhe janë të pa argumentuara me fakte.

Për dyshimin, momentalisht të supozuar, këtu më poshtë mund të lexoni pjesë nga shkrimi i Dodë Progni-t, me titull; "Qëndresa e Malësisë së Gjakovës kundër ekspeditës ndëshkimore xhonturke të komanduar nga Xhavit Pasha, Pranverë 1909" ku ndër të tjera thuhet;

......."Pasi nuk mori asnjë përgjigje nga krerët e Malësisë deri me 25 maj, gjë që do të thoshte se ata nuk ishin dakort me zbatimin e kërkesave, me 26 maj Xhavit Pasha në krye të 12000 ushtarëve të pajisur me dhjetëra topa e mitraloza u nis në drejtim të Malësisë duke djegur e përvëluar fshatërat gjatë rrugës dhe u përqendrua në fshatin Ponoshec.7) Këtu ai në vazhdim të kursit të pacifikimit mori takim përsëri me disa krerë të Malësisë, në mesin e të cilëve ishte dhe Shaban Binaku, i njohur deri atëherë për qëndresë antiosmane, të cilëve u kërkoi nënshtrimin e Malësisë ndaja urdhërave të qeverisë. Si duket krerët në këtë takim u thyen përpara presionit, ose premtimeve të Xhavitit, dhe i dhan fjalën se do të bënin çishte e mundur për të penguar qëndresën e armatosur të Malësisë.8) Dhe në fakt,në kuvendin e madh të Kolgecajt që u mbjat në fillim të muajit qershorë dhe ku mori pjesë Gashi e Krasniqja "burrë për shpi", këta krerë në kundërshtim me vullnetin e vegjëlisë bënë përpjekjë për të penguar qëndresën e armatosur, duke trumbetuar forcën dhe egërsinë e ekspeditës së Xhavit Pashës, e cila sipas tyre "do të digjte e shkatërronte gjithë Malësisnë." 9) Mundë të mendohet se fjalën në Ponoshec këta krerë u detyruan ta jepnin sa për të shpëtuar aty për aty kokën e tyre, por qëndrimi që mbajtën në mbledhjen e Kolgecajt, duke kundërshtuar organizimin e qëndresës, dhe sidomos mungesa e tyre në betejën e Qafës së Morinës, nuk mundë të quhet ndryshe veçse kapitullim."

(Dode Progni, Mon.03 May 2010 www.nasergashi.com/t3188-qendresa-e-malesise-se-gjakoves...)

Varja e Avdullah Hoxhës dhe Shaban Binakut

Në anën tjetër, pas luftimeve dhe qëndresës heroike shqiptare gjatë gjithë vitit 1910, përveç vrasjes dhe torturimeve të kryengritësve tjerë, gjenerali gjakatar turk, Shefqet Turgut pasha, për shkak të veprimtarisë së tyre kombëtare, më 27 nëntor të vitit 1910, do të ekzekutonte me varje në mes të pazarit të Gjakovës edhe Shaban Binakun nga Bujani si dhe Abdullah Hoxhën, fetar nga fshati Kovaçe i Gashit të Gurit, që të dy nga Malësia, të cilët vetëm pak vite më vonë, thuhet se do ti shpaguante Zeqir Halili, duke vrarë tre oficer të lart otoman.

Por të kthehemi edhe një herë te krye-personazhi i këtij shkrimi, vitet dhe ngjarjet që lanë gjurmë në jetën dhe luftën e tij si patriot i madh e idealist i dalluar si dhe besnik e atdhetar i flakët, veprimtaria e të cilit vazhdon të shkëlqej pa asnjë trazim, çiltër dhe ndritshëm si Dielli pranveror mbi bjeshkët e Shkëlzenit dhe Malësinë e tij të mirë.

Luftë dhe valëvitje flamuri më 1911 në Malësinë e madhe

Viti 1911, mendohej të kalonte në përgatitje të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, pasi që gjatë luftimeve të vitit 1910, përveç vrasjeve, maltretimeve dhe çarmatosjes së shqiptarëve, shumë të zhvendosur të ikur nga trojet tona etnike kishin kaluar në Mal të zi, përfshi vojvodën e Kastratit Zenel Shabani me 400 veta nga treva e tij, Dedë Gjon Luli me 400 nga Hoti, si dhe shumë refugjat nga vise të ndryshme etnike, numri i të cilëve kishte arritur në disa mijëra.

Ndaj nën këto rrethana megjithëse kishte kërkesa për fillimin e menjëhershëm të saj, pas refuzimit të shteteve hegjemoniste fqinje për mbështetjen e një kryengritje të përgjithshme dhe armatosjen e shqiptarëve, Komiteti i Manastirit udhëzonte bashkëkombësit që atë vit të formonin çeta luftëtarësh deri në 50 veta, kudo që arrinin dhe të fusnin sa më shumë armatim në trojet e tyre, për fillimin e një kryengritje gjithëkombëtare në vitin 1912.

Por,më 14 mars të vitit 1911, me qëllim nënshtrimin e shqiptarëve, Mali i zi, do tua ndërpriste ndihmat refugjatëve që ishin atje, gjë që do të ndikonte në ndryshimin e planeve dhe përshpejtimin e tyre.

Ndaj, për shkak të presioneve malazeze, nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit, i cili disa herë në ditë të vështira kishte gjetur strehë, bukë e përkrahje si në kohën e Binak Alisë edhe nga pasardhësit dhe nipi i tij Zeqir Halili, më 24 mars të atij viti do të shpërthente kryengritja e malësorëve të Hotit, para kohës së planifikuar.

Megjithatë edhe nën ato rrethana, kryengritja e udhëhequr nga një hero si Dedë Gjon Luli, shënoi shumë suksese, kulmi i të cilave u arrit me ngritjen e flamurit kombëtar, më 6 prill të vitit 1911 në Deçiç nga Dedë Gjon Luli.

Madje, edhe pse shumica e trevave shqiptare të veriut ishin çarmatosur nga ekspeditat ushtarake turke të cilat zgjatën deri në fund të vitit 1910, thirrjes së Isa Buletinit më 23 marsit të vitit 1911, përcjell nga përfaqësuesit e Kosovës më 15 prill të atij viti në Jug të Shqipërisë, iu bashkuan edhe viset jugore të saj. (www.shqipëria.com Kryengritja në Malësinë e Mbishkodrës 1911)

Kontributi i Zeqir Halilit në luftërat çlirimtare të vitit 1912

Më 11 janar të vitit 1912, pas shumë problemesh,më në fund Parlamenti i Perandorisë turke do të shpërndahej. Të nesërmen, më 12 janar, paria shqiptare e drejtuar nga Ismail Qemaili dhe Hasan Prishtina do të mbanin një Mbledhje në periferi të Stambollit, e cila sipas vendit ku u mbajt, në histori do të njihej si Kuvendi i Taksimit. Aty, u vendos që Kombi shqiptar të marrë në duart e veta, fatin e tij dhe vendi të drejtohet prej një qeverie shqiptare. (Prof. Dr. Hakif Bajrami: "Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?")

Ndaj, në muajt prill dhe maj të vitit 1912,në të gjitha krahinat filluan mbajtjet e tubimeve për Lidhjen e Besës ndërmjet shqiptarëve. Një tubim të tillë, nën udhëheqjen e Bajram Currit e Zeqir Halilit, do ta mbanin edhe prijësit e Krasniqes, Gashit, Bytyqit, Hasit dhe Rekës, në mbështetje të kuvendit historik të Junikut dhe fillimin e kryengritjes së përgjithshme kombëtare për çlirim nga Perandoria turke.

Në këtë luftë çlirimtare që pasoi pas lidhjes së shumë besave në krahina të ndryshme, si emërues i përbashkët për luftë unike do të shërbejnë Vendimet e Kuvendit të Junikut 21-25 maj 1912. (Prof. Dr. Hakif Bajrami: Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?)

Kuvendi i Junikut (21-25 maj 1912)

Për jetësimin e vendimit të prijësve shqiptar dhe organizimin e kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, Hasan Prishtina do të kthehej ndër të parët në atdhe, kurse Ismail Qemali, pa vonuar do të nisej në misione diplomatike për sigurimin e përkrahjes së Pavarësisë së Shqipërisë e cila parashihej të shpallej atë vit.

Si vend më i përshtatshëm për mbajtjen e një Kuvendi me kaq rëndësi, do të zgjidhej Juniku, në të cilin nga 21 deri më 25 maj të vitit 1912 do të mbaheshin punimet e kuvendit dhe merrej vendimi historik për fillimin e kryengritjes së përgjithshme kombëtare.

Zeqir Halili si trim e luftëtar i dalluar dhe patriotë i shquar i kombit që ishte edhe kësaj radhe, zërit të atdheut për çlirim nga Perandoria turke dhe luftës kombëtare për Pavarësi, do ti përgjigjej shpejt dhe me vendosmëri ashtu siç e kishte traditë ai, tani e sa kohë, duke bashkuar Krasniqe e Gash, Bytyq, Has e Rekë dhe fiset tjera të Malësisë për të nisur i pari kryengritjen, që në pranverën e atij viti.

Atbotë, për heroizmat dhe përpjekjet e tij të pareshtura anti-osmane do të shkruante pothuajse i gjithë shtypi i kohës,e në mënyrë të veçantë gazetat që dilnin në gjuhën shqipe si "Liria" (1908-1910) nga Mithat Frashëri në Selanik, "Dielli" (1909-1910)Fan Noli,Faik Konica, etj...në Boston, "Shkupi"(1911-1912) Jashar Erebara në Shkup, "Drita" (1901-1908) Shahin Kolonja në Sofje, "Korça" (1908-1910) Sami Pojani Korçë, etj. si dhe do t'i këndoheshin këngë të zgjedhura epike, nga opusi i gjerë i popullit të tij të robëruar, i cili nga heronj të tillë me besim dhe entuziazëm priste çlirimin dhe arritjen e lirisë.

Bashkë me Bajram Currin, i cili po-ashtu i takonte fisit të madh të Krasniqes dhe ishte me origjinë nga Malësia,disa ditë para se të fillonin luftimet me garnizonin turk të vendosur në Qafë të Prushit, sipas të vjetërve, thuhet se ata të dy-do të vendoseshin në Has, në Kullën e Hysen Selmanit të Qarrit, të cilin e kishin edhe si "vëlla"nga fisi, prej nga do të niseshin në sulm dhe udhëhiqnin betejën e njohur të Qafës së Prushit, ku do ta shkatërronin garnizonin turk, të vendosur atje, si dhe kapnin shumë municion e armatime, me të cilat do të pajiseshin kryengritësit e Hasit, Krasniqes, Gashit dhe Bytyçit, të cilët pak kohë më vonë do të nisnin sulmet për çlirimin e Gjakovës.

Suksesi i kryengritësve të udhëhequr nga Bajram Curri, dhe Zeqir Halili, në Qafë të Prushit, sipas Hasan Prishtinës jo vetëm që do t'u jepte zemër të gjithë luftëtarëve shqiptarë dhe shpirt kryengritjes së përgjithshme kombëtare e cila kishte marrë përmasa të mëdha dhe shtrihej shpejt e me guxim gjithandej, anë e mbanë hapësirave të Kosovës.

Nga aty fitoret e luftës nuk patën të ndalur, deri me ngritjen e flamurit kombëtar dhe shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë.

Bajram Curri e Zeqir Halili, në këtë betejë dëshmuan edhe një herë se Malësia e mirë si pjesë e ndritur e Dardanisë së vjetër, është vendlindje e shumë trimave të kombit me të cilët në krye, ushtarët e lirisë së trojeve tona, nga arenat e luftërave të mëdha, në sa e sa përballje me armikun, dolën faqebardhë.

Ata, si dikur edhe sot, janë dhe mbeten krenaria e kombit të të gjithë shqiptarëve kudo.

Luftimet për çlirimin e Gjakovës i drejtonin Bajram Curri, Zeqir Halili, Bajram Daklani e Ali Binaku me shtatë nipat e tij nga Krasniqja e Malësisë kreshnike, një betejë e suksesshme e filluar natën për ta zbardhur ditën edhe me një fitore mbi Gjakovën e çliruar.

Më 22 korrik të vitit 1912, ishin kreatorët e fitoreve, si Bajram Curri, Zeqir Halili, Bajram Daklani etj, të cilët në krye të 12000 kryengritësve të Malësisë dhe Rrafshit të Dukagjinit, do të hynin në Prishtinë si çlirimtarë, kurse nga aty me 6000 luftëtarë do të niseshin drejt Shkupit, për çlirimin e tij si kryeqytet i vilajetit të Kosovës.

Pas sukseseve të njëpasnjëshme nga krahina në krahinë më 5 gusht të vitit 1912,me urdhër të Bajram Currit,200 luftëtarë pararojë me në krye Bajram Daklanin, do të hynin si çlirimtarët e parë në Shkup ku Bajram Daklani po atë ditë,për herë të parë pas rreth 500 vitesh robërie, do ta ngrinte me krenari Flamurin Kombëtar të fitores, ndërsa më 13 gusht të po ati viti, në ballë të 6000 kryengritësve, në Shkup do të arrinte edhe Bajram Curri e Zeqir Halili, me ç'rast Bajram Curri do ti lironte mbi 1000 të burgosurit shqiptar, të ngujuar padrejtësisht nga pushtuesit xhonturq.

Zeqir Halili, kontribuoi shumë edhe për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë siç do të dallohej edhe në luftimet kundër pushtuesve serbo-malazezë për mbrojtjen e tokave tona, duke mos dorëzuar armët as pas ardhjes së ushtrisë Austro-Hungareze në vendin e shqipeve, deri në momentet e fundit të jetës së tij.

Ndaj, është vështirë të gjenden luftëtar dhe prijës të tillë të pa epur si Zeqir Halili, i cili një jetë-gjatë, shkëlqeu si diamanti në përpjkekjet e pareshtura për liri, pa u lodhur asnjëherë, nga përballjet e vështira me armiq dhe pushtues të shumtë të trojeve shqiptare.

Elani i tij luftarak, vërtetohet edhe një herë më tepër në dokumentarin kushtuar Binak Alisë, nga mesi i të cilit për disa minuta flitet edhe për Zeqir Halilin, ku sipas një raporti të gjetur në arkivat e luftës së Malit të Zi, të datës 15 tetor 1912, thuhet se Bajram Curri dhe Zeqir Halili, nga 2 maji (i atij viti), do të sulmonin çdo ditë pozicionet e forcave malazeze, që tentonin ti zaptonin trojet tona etnike.

Pushtimet e tokave shqiptare nga fqinjët hegjemonist

Megjithëse për shpërbërjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, rol vendimtar patën kryengritjet shqiptare të shekullit XIX dhe fillim-shekullit XX, e në mënyrë të veçantë luftërat e viteve 1908-1912, të cilat quan në dëbimin përfundimtar të Perandorisë turke nga kjo pjesë e Evropës, me gjithë kontributin që shqiptarët dhanë si dhe të drejtën e tyre për liri dhe shtet-formim, Fuqitë e Mëdha me qëndrimet e tyre indiferente deri në përbuzje ndaj popullit tonë, do ti zhgënjenin shumë shqiptarët, sidomos gjatë luftërave ballkanike të viteve 1912-1913.

Madje, përkundër asaj se më 28 Nëntor të vitit 1912 Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare dhe kërkonte nga Fuqitë e Mëdha njohjen e shtetit të sapo-shpallur shqiptar si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat pothuajse kishin zaptuar të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët, ato për rreth një vit gati sa heshtën fare, për ti shpërblyer pas një vitit agresorët me më tepër se gjysmën e tokave tona, të pushtuara që më parë dhe pranuar vetëm rreth gjysmën e mbetur të tyre si gjysmë-shteti shqiptar, nga data 29 korrik e vitit 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Madje, po ato Fuqi të Mëdha, të cilat pas çlirimit të Shkupit që në gusht të vitit 1912, menjëherë dhe në mënyrë ultimative, pas katër ditësh gjendje lufte (Dr.Hakif Bajrami, "DVOR" letra e A.Rajsit.....), do ti detyronin pa të drejt kryengritësit shqiptar të çarmatoseshin dhe ktheheshin të dëshpëruar në shtëpitë e veta, duke lënë vendin pa mbrojtje, dhe hapur dyert e pushtimit në të gjitha anët, hap e krah, vendeve hegjemoniste fqinje të cilat nuk vonuan të zaptonin trojet tona, përkundër deklaratave famoze të Fuqive të Mëdha para kryengritësve shqiptarë, kinse nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve me luftë.

Në anën tjetër, Perandoria turke në vend sa ta njihte dhe pranonte Shtetin e Pavarur Shqiptar, vazhdonte edhe më tej të deklaronte me kokëfortësi se si tokat tona i takonin Perandorisë.

Pretendimi turk mbi tokat tona, ishte edhe një pretekst i mirëseardhur për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat të ndihmuara financiarisht e ushtarakisht me armatim dhe mercenarë të shumtë rusë, në emër të "çlirimit" të popujve ortodoksë nga shteti "osman" në tetor të vitit 1912, ti shpallnin luftë Turqisë, për të pushtuar me forcën e armëve, tokat shqiptare.

Megjithëse ato vite shqiptarët vërtet luftuan si trimat, fatkeqësisht përpjekjet për mbrojtjen e trojeve tona etnike, nuk do të përfundonin as pas shpalljes së Pavarësisë kombëtare, ngase shtetet hegjemoniste fqinje sapo kishin filluar tu suleshin si hienat, për grabitjen dhe copëtimin sa më parë të tyre, nga të gjitha anët.

Ndaj, edhe pse vendi ende nuk e kishte marrë veten nga plagët e luftës me Perandorinë, luftën me pushtuesit e rinj e kishte në prag dhe zëri i atdheut, luftëtarët me nam si Zeqir Halili me shokë, do ti ftonte për t'u dal zot përsëri tokave të të parëve,dhe mbrojtur shtetin e ri të sapo-shpallur si të Pavarur, nga sulmet e shovinistëve serbo-malazez dhe grek të cilët donin të përpinin deri në fund çdo pjesë të atdheut dhe zhduknin nga faqja e dheut çdo gjë shqiptare.

Veprimet e fqinjëve hegjemonist nuk ishin të papritura për shqiptarët ata tanimë ishin mësuar me qëllimet e tyre grabitqare, ndaj ashtu siç edhe pritej, më 13 tetor të vitit 1912, Serbia sulmoi Kosovën, Shqipërinë veriore dhe viset lindore në Iliridë. Mali i Zi, Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën Këlmendin, Pejën e Gjakovën e më von edhe Shkodrën, Greqia Janinën dhe tërë Çamërinë si dhe viset e Shqipërisë së jugut deri në Shkumbin, ndërsa Bullgaria në Lindje synonte të arrinte në Korçë dhe më në thellësi të zemrës së Shqipërisë së Jugut.

Përveç pushtimit të tokave tona, ushtritë zaptuese të vendeve hegjemoniste fqinje, shkaktuan masakra dhe terror të paparë mbi popullsinë e pambrojtur civile. Për shembull, në fillim të luftimeve në Lumë, serbët nisën ti vrisnin shqiptarët me pushkë, kurse më vonë do ti thernin ata me thika dhe bajoneta.

Ndaj, gazeta britanike "Daily Telegraph" do të shkruante: "Historia nuk njeh masakrime më të tmerrshme se ato të gjeneralit serb, Bozhidar Jankoviq, mbi shqiptarët".

Kurse për krimet serbe gjatë muajve shtator -tetor të vitit 1913, në Dibër e rrethinë, do të mbante shënime edhe shkrimtari ynë i mirënjohur Haki Stërmilli, të cilat na flasin me këtë gjuhë trishtuese: "Tabakhaneja, që dikur ishte thertore bagëtish në qytet, tani (nga serbët) është kthyer në thertore shqiptarësh,....etj. Vrasjet dhe gjenocidi mbi popullin tonë do të vazhdonin, deri me ardhjen e Austro-Hungarisë, në trojet tona.

Madje, forcat austro-hungareze, do ta ndiqnin ushtrinë serbe, jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe nga vet Serbia, e cila me gjithë vrasjet dhe gjenocidin që kishte ushtruar mbi shqiptarët në shtëpitë dhe tokat e tyre, deri pak kohë më parë, tani me ndihmën e Esat Pashë Toptanit dhe bashkëpunëtorëve tjerë shqiptar, do të kalonte pa therrë në këmbë, mes për mes maleve dhe fushave të Shqipërisë së ndarë në klane rivalizuese, për tu rigrupuar në ujdhesat e "Greqisë".

Vetëm luftëtarët si Bajram Curri, Isa Buletini Zeqir Halili, Dy Bajramat e Malësis etj., do të luftonin pareshtur edhe në ato vite të kobshme kundër të gjitha forcave pushtuese të vendeve hegjemoniste fqinje, sidomos kundër atyre serbo-malazeze.

Madje Zeqir Halili me bashkëluftëtarët e tij,i ndihmuar edhe nga Bajram Mani, bajraktar i Krasniqes dhe Bajram Nimani udhëheqës i njohur i Malësis, nuk do ti ndalonte luftimet as në muajt korrik e gusht të vitit 1915, si në Qafë të Morinës, ashtu edhe në Gash e Krasniqe, i cili në krye të malësorëve kryengritës, do të arrinte që në vitin 1916, me zjarrin e pushkës t'i dëbonte përfundimisht forcat pushtuese serbo-malazeze, nga Malësia.

Baroni austro-hungarez, Franc Nopça (1877-1933), i njohur si ekspert i Gjeologjisë, Etnologjisë, Historisë etj. u mor gjatë me studimet albanologjike, historinë dhe të drejtën kanunore në trevat e veriut, i cili pas studimeve të gjata në trojet shqiptare, do të shkruante rreth 54 vepra mbi popullin, historinë dhe gjeografinë e vendit tonë për tu kthyer në shkencëtar udhërrëfyes mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ai në librin "Udhëtime nëpër Ballkan" në kujtimet e tij, gjatë një tubimi në Kishën e Rajës, e përshkruan Zeqir Halilin si personalitetin më të rëndësishëm të shtatë bajraqeve,atje.

Vrasja e dy Bajramave dhe Zeqir Halilit

Si udhëheqës me shpirt kryengritës, luftëtar besnik dhe idealist i paepur i motos "Ja vdekje, ja Liri", atij do ti vinte një vdekje e pamerituar, krejt ndryshe nga ajo që e kishte menduar ai dhe të tjerët për të. E përgatitur në heshtje, papritur dhe e organizuar në mënyrë tinzare,jo e drejtë dhe tejet e pa denjë për Zeqir Halilin, mori me pabesi këtë frymëzues të madh të kauzës kombëtare, i cili përherë mbeti ushtarë i përkushtuar i atdheut. Ndaj ai kishte legjitimitet dhe arsye të forta, të mos pajtohej me të gjitha veprimet e cilitdo njësit austro-hungarezë në trojet shqiptare.

Madje, në gjendjen çfarë ishte dhe para rreziqeve që ndodhej vendi, i rrethuar në çdo anë prej grupesh kriminale që vinin të armatosur nga shtetet hegjemoniste fqinje për terrorizimin e banorëve shqiptar në zonat kufitare, ai pati të drejt të binte në kundërshtim të papajtueshëm me kërkesat e austro-hungarezëve për çarmatosjen e malësorëve si dhe tendencat e tyre për burgosjen e banorëve kryengritës të Malësisë, të cilët armët i kishin pjesë të jetës ndaj dhe nuk pranuan t'i dorëzonin asnjëherë.

Por, në vijim, le të kalojmë te shkaqet e vrasjes së tij.

Sipas asaj që dëshmojnë pasardhësit e familjes dhe stërnipat e nderuar të Zeqir Halilit, vëllezërit Agim e Shkëlzen Mulosmanaj, shkaku që do ta qonte Zeqirin në konflikt me forcat austro-hungareze,ishte një rast i cili edhe në këtë kohë, mendohet të ketë qenë i pa qëllimtë, dhe nga ata shpjegohet me sa vijon:

Disa muaj para vrasjes së Zeqir Halilit, një Kaçak i strehuar në malet pranë vendit të quajtur Qafa e Luzhës, aty ku ndan rruga për Bytyq, do të dëgjonte zhurmën e patrullës ushtarake austro-hungareze e cila kalonte atypari dhe në përbërjen e saj, kishte edhe një doktor.

Personi në fjalë, duke menduar se për shkak të mosdorëzimit të armës, patrulla e përmendur, ishte vënë në kërkim të tij, nga frika e çastit, shtie në drejtim të ushtarëve, me ç'rast një nga plumbat do ta vriste doktorin.

Megjithatë, fatkeqësisht vetëm disa vite pas shuarjes së Zeqir Halilit, do të merrej vesh se autori i vrasjes kishte qenë dikush tjetër, madje një kaçak i "përtej Drinit" i cili ditën kritike, rastësisht qëlloi në atë vend, ndërsa me origjinë, duhej të ishte nga Puka apo rrethina e saj.

Pasi që dorasi kishte ikur në thellësi të maleve të cilat ishin shtëpi e beden mburoje për te, por tokë e panjohur dhe e frikshme për njësitin austro-hungarezë, ata në pamundësi të kapjes së autorit, do të rrethonin fshatin Luzhë dhe tubonin gjithë banorët në Xhamin e fshatit, duke kërkuar tu tregonin se kush e kishte vrarë doktorin austriak.

Megjithëse askush nuk dinte, ushtarët lirojnë vetëm grat dhe fëmijët, por jo edhe burrat të cilët të lidhur dy nga dy do ti nisnin në drejtim të Bujanit, për ti vrarë në shenj hakmarrjeje.

Ndërkohë, të liruarit e alarmuar, njoftojnë Zeqir Halilin dhe kërkojnë ndihmën e tij për shpëtimin e burrave luzhjanë. Ndaj gjenerali kryengritës i Malësisë së mirë nuk mund ta përpinte në heshtje një padrejtësi të tillë.

Ai, mobilizon shpejtë "ushtarët" e tij dhe rrethojnë patrullën austro-hungareze në oborrin e Xhamisë së Bujanit, ku (sipas vëllezërve mulosmani) kishin detyruar burrat e marrë peng të Luzhës që ti hapnin vet varret e tyre, para se ti pushkatonin.

Zeqir Halili me të arritur në vendin e ngjarjes, njofton udhëheqësin e patrullës austro-hungareze, se ata ishin të rrethuar dhe i jep atij një ultimatum të shkurtër për lirimin e menjëhershëm të burrave të pafajshëm.

Nga frika e konfrontimit të armatosur, njësiti austro-hungarez, aty liron burrat e marrë peng, por me tu kthyer në Qaf të Luzhës, varin hoxhët e fshatit Luzhë dhe Pacit të Bytyqit, për të cilët thuhet se është ngritur edhe një përmendore në kujtim të tyre.

Madje, ata kishin trishtuar për vdekje edhe një të ri, të cilin për shkak të moshës minore e falin, por nga frika që kishte pësuar, me të arritur në derë të shtëpisë, thuhet se kishte vdekur nga traumat e saj.

Ushtarët e mllefosur austro-hungarez, jo vetëm se nuk do ta harronin shpejt turpërimin e përjetuar, por nga bashkëpunëtorë shqiptar dhe spiun dashakëqij vendor, të cilët nuk ua donin të mirën dy Bajramave as gjeneralit të Malësisë, do ta keq-informonin komandën austro-ungareze, kinse doktorin e tyre, me ndihmën e Bajram Manit dhe Bajram Nimanit e kishte vrarë vet Zeqir Halili.

Ndaj papritur e pa-kujtuar, vetëm pak kohë para se ushtria austro-hungareze të tërhiqej nga trojet shqiptare, në mëngjesin e 18 gushtit të vitit 1918, njësiti i postës ushtarake të Tropojës do të organizonte një ekspeditë të armatosur, me ç'rast në vendin e quajtur Malet e Policës, së pari do ti vrisnin të dy bajramat; Bajram Manin atëbotë "Bajraktar" i Krasniqes dhe Bajram Nimanin nga fshati Margegaj, trima të njohur dhe kryengritës me nam të Krasniqes të cilët nga viti 191o e deri më 1915, ishin bërë shembull për luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese turke dhe atyre serbo- malazeze, si bashkëluftëtar të ngushtë të Zeqirit.

Bajram Mani dhe Bajram Nimani

Bajram Mani dhe Bajram Nimani

Vetëm, disa orë më vonë dhe pak kilometra më tej, njësiti i "nemces" siç quheshin austro-hungarezët nga banorët vendës atë kohë, do ta vriste edhe Zeqir Halilin, derisa ai pushonte i qetë dhe pa ndonjë parandjenjë të keqe, me familjen e tij pranë Qafës së Markofqës në Bjeshkët e Gjarprit, si pikë e zgjedhur për pushime nga paraardhësit e tij.

Pas këtyre vrasjeve, malësorët e Krasniqes dhe Gashit, të prirë nga Rexhep Abdullahu, do ta sulmonin postën e ushtrisë austro-hungareze në Tropojë të vjetër, ku do të zhvillohej një përleshje e ashpër, me ç'rast do të vriteshin disa pjesëtar të forcave austro-hungareze, për shkak të vrasjes së dy Bajramave dhe prijësit të shumë luftërave e betejave kombëtare Zeqir Halilit.

Kështu përfundoi jeta e dy dy burrave të dalluar dhe luftëtarëve trima të Malësisë si dhe e një udhëheqësi të shquar, të denjë e të pa epur kombëtar, nga më të shquarit e kohës, nga pinjollët e familjes së Binak Alisë, Malësisë dhe trojeve shqiptare kudo.

Mirënjohjet dhe harresa ndaj Zeqir Halilit

Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Tropojës, për merita të veçanta atdhetarie, luftarake e trimërie, urtësie, bese e bujarie, më 18 janar të vitit 1983, bazuar në vendimin Nr.02, Zeqir Halili, do të shpallej "Dëshmorë i Atdheut"!

Ndërsa, sipas nismës së një grupi intelektualësh,mbështetur në Ligjin Nr.8652, të datës 31.07.2000, me rastin e 90 vjetorit të rënies, me datën 14.08.2008, Zeqir Halilit do ti ndahej "Mirënjohja e Komunës" së Bujanit.

Kurse më 1 tetor të vitit 2013, Lidhja e Historianëve të Kosovës "Ali Hadri" dega në Deçan, i ndau "Mirënjohje" Familjes së Zeqir Halilit.

Më shumë hollësi se si ai vuajti, qëndroi dhe luftoi për 30 vite me radhë kundër pushtuesve dhe armiqve të kombit, nuk ishte e lehtë të sigurohen, madje ato sikur motet e mëdha i kishin marrë me vete për tu mbuluar nga vitet jo tërësisht-dashamirëse nëpër kohë, me hijen e trashur të harresës, nga "pakujdesia" shoqërore dhe shtetërore, si histori.

Ndaj si parandjenjë jo e mirë që ndoshta edhe vet e pati, sado që të gjitha argumentet dëshmojnë se Zeqir Halili deri në vdekje mbeti kryengritës i përhershëm, përkundër përpjekjeve të pareshtura dhe gjithë viteve të kaluara me pushkë në dorë, ai do të shkonte me plagë të hapura në trup e shpirt dhe dëshirën e paplotësuar për të parë një herë në jetë, atdheun e tij të lirë.

Madje, sikur mos të mjaftonin vështirësitë që kaloi, si dhe luftërat e betejat e mëdha që ai mbijetoi duke qëndruar përherë në ballë të tyre, si rrallë ndonjë prijës a udhëheqës tjetër, gjatë 30 vitesh qëndrese kundër turqve, serbo-malazezve dhe austro-hungarezëve, të cilët më në fund do ta vrisnin në befasi, është i dhembshëm fakti se gati me të njëjtin fat apo ngjashëm, do të pësonin edhe të bijtë si dhe jo pak nga bashkë-familjarët dhe pasardhësit e tij.

Por pasi që ai vetë më nuk mund të flas, dhe përmendorja e tij, bënë sikur nuk shqetësohet shumë për harresën që iu bë emrit dhe veprës së heroit në shoqëri, për Zeqir Halilin si luftëtar i devotshëm i kombit, sikur mjaftojnë ato pak metra dhe, ku pushon i qet trupi i tij, mbuluar me tokën e të parëve për të cilin ai dha aq shumë, sa ishte gjallë.

Ndaj nga dita e kobshme kur Zeqir Halili i Krasniqes u nda nga jeta në mënyrën që ne tanimë e dimë, familjar e të njohur, sa herë kalojnë pran varrit ku ai ra, nuk përmbajnë dot lotët e dhembjes që u rrjedhin nga sytë, kurse natën, siç qajnë motrat për vëllain e shuar me tradhti, zanat e malit të cilat dikur ndriçonin shtigjet nga ai nxitonte në luftë, tani e një shekull, mallkojnë pabesinë dhe shtojnë vajin për vrasjen prapa shpine të tij.

* * * * *

Burimet:

  • 1. (Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912-Historia e Shqipërisë" historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_13.php.)
  • 2. https://www.shqiperia.com/ "Kryengritjet-kunderosmane
  • 3. Zekirja Cana,"Lëvizja kombëtare shqiptare në kosovë,1908-1912"
  • 4. ."Libri "Krijuesit e Historisë" Prishtinë 2012.
  • 5. www.shqipëria.com "Kryengritja në Malësinë e Mbishkodrës 1911"
  • 6. historia.shqiperia.com/rilindja/ Kreu _11.php "Kryengritja e Kosovës e Vitit 1910" Kreu XI )
  • 7. www.shqiperia.com "Shqipëria gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 1908 dhe Kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909"
  • 8. (Prof. Dr. Hakif Bajrami: Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?)
  • 9. Dr. Jusuf Bajraktari, "Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, 1878-1912", Prishtinë, 1998".
  • 10. Wikipedia "Franc Nopça"

Për fund, dua të falënderoj përzemërsisht vëllezërit Agim dhe Shkëlzen Mulosmanaj, për ndihmën me dëshmi, dërgimin e fotografive origjinale të, Zeqir Halilit si dhe kopjet e mirënjohjeve të tij.

Gani Bajram Qarri, 12 Nëntor 2014, Cyrih

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm