Menu

Mehmet Shpendi - apo Shaljani i Tetë

User Rating:  / 6
PoorBest 

Mehmet Shpendi (1851-1915)

Mehmet Shpendi i njohur edhe si Sokol Shpendi u lind në vitin 1851 në fshatin Pecaj të Shalës së Dukagjinit dhe vdiq i masakruar në pabesi më 15 korrik të vitit 1915, në vendin e quajtur Plan nga gjenerali malazez, Radomir Veshoviq.

Treva e Dukagjinit në Shqipëri ndodhet në mes të Malësisë së Madhe dhe Malësisë së Gjakovës apo Malësisë së mirë, siç do ta quante atëbotë i famshmi Binak Alia, pra dy amëve të njohura të luftës së pashuar për liri, flaka e të cilave nuk pushoi deri në çlirimin përfundimtar të atdheut nga pushtuesit.

Ndërsa sipas një shkrimi mbi fshatin Isniq, shaljanët kanë prejardhjen nga Pashtriku i Gjakovës, e nëse ky variant është i saktë, atëherë i bie që Shaljanët të jenë me origjinë nga Hasit,(G.Q.)prej nga do të zhvendoseshin në trevën e njohur të Dukagjinit, në mes të dy malësive. https://sq-al.facebook.com/fshati.../628096853945051

Vendlindja e Mehmet Shpendit asokohe i takonte vilajetit të Shkodrës, trevës së mirënjohur të historisë së Shtat Shaljanëve mitik, të rënë në luftimet me zaptit e Vezirit Ibrahim pasha, i cili vetëm pak vite më parë kishte trashëguar në pushtet, Mahmut Pashë Bushatliun e famshëm.

Por ky, ndryshe nga i vëllai, që kishte liruar malësorët nga tatimet dhe regrutimi në ushtri, si dhe u kishte dhënë edhe të drejtën e bartjes së armëve, Ibrahim pasha, do tua hiqte atyre të gjitha privilegjet e gëzuara deri atëherë, si dhe ftonte parinë e secilit fis, veç e veç-në sarajin e tij për pranimin e heqjes së armëve, me ç`rast ata që nuk pajtoheshin me kushtet e reja të pashait, i vriste aty për aty, në mënyrë publike dhe me zhurmë e tellall, në vendet më të qarkulluara të qytetit të Shkodrës.

E për jetën e rëndë që atëkohë bënin shqiptarët, flasin më së miri vargjet e kësaj kënge kushtuar 7 shaljanëve legjendar:

Ne Veziri po na thërret
Mos me shku kaçak na qet
E me shku të gjithëve na pret

Pra, një gjë ishte e sigurt, sido që të veprohej, gjasat për mbijetesë ishin të vogla, shqiptari kryengritës dhe të parët e fiseve asokohe, ose duhej të kalonin jetën maleve si kaçak të ndjekur nga pushteti ose detyroheshin të luftonin ashtu si mundnin dhe dinin, për të shpaguar veten dhe të tjerët në ato vite dramatike, ndaj duke mos parë rrugëdalje tjetër para kësaj fatkeqësie;

Të shtat shaljanët lidhën Besën,
Në Saraj të shkojnë të vdesin

Me atë rast, në valën e parë të luftimeve njëri nga ta do të shpëtonte. Emri i tij në këngë përmendet si Deli Pjetra i cili me gjithë plagët në trup do të arrinte që të shkonte deri në vendlindje dhe tu epte lajmin e hidhur trevës së Shalës.

Lidhja e Besës atëbotë, për secilin ishte ligj i pathyeshëm dhe me asnjë kusht nuk mund të shkelej. Ajo respektohej pafundësisht jo vetëm nga burrat por edhe nga grat e fisit të cilat edhe kur ishin në pyetje bijtë e tyre, thyerjen e Besës, e përjetonin si turpin më të madh që mund tu ndodhte, mallkim i cili nuk mund të pranohej dhe konsiderohej më i rëndë se vet vdekja.

Ndaj edhe nëna e Deliut me të parë të birin se po vinte, i drejtohet me fjalët:

Pse ke ardhë, ku i ke lënë shokët
Për ty nëna këputsha flokët

Këputja apo ndukja e flokëve, bëhej në rastet më të rënda dhe në majën e pikëllimit si një nëmë që nuk mund të shlyhej me asgjë, ishte damka më e madhe që mund ti vinte një nëne apo një femre e cila sipas traditave të moçme të Malësisë, në rastet kur detyrohej ti ndukte flokët, nga ai moment ajo mbyllej përgjithmonë brenda shtëpisë dhe nuk dilte më që ta shihte kush përjashta. Me një damkë si kjo, as me kushtin e shpëtimit të vet jetës së tij, Deli Pjetra nuk mund ta njolloste të ëmën, ndaj edhe do kthehej për të vdekë si burrat bashkë me shokët në saraj.

Për Mehmet Shpendin, gjithashtu thuhet se ishte pinjollë i njërit nga 7 heronjtë e pa harruar të Shalës, kënga e të cilëve edhe pse nga viti 1806 kur edhe mendohet se u zhvillua kjo ngjarje e dhembshme, me gjithë kalimin e një historie kohore mbi 200 vjeçare, ende këndohet me ëndje dhe vazhdon ta përkujtoj me pietet të veçantë trimërinë e flijimit të tyre, brenda sarajeve të Vezirit në Shkodër.

Si pasardhës i denjë i trimave të tillë dhe prijës e përfaqësues historik i asaj vatre të pashuar kryengritjesh, Mehmet Shpendi me betejat që udhëhoqi dhe trimëritë që tregoi, sidomos gjatë tri viteve të fundit të sundimit otoman në trojet shqiptare nga 1910 deri më1912 të shekullit XX, do të kthehej në hero të vërtetë, jo vetëm të Shalës por edhe të Kombit në tërësi, i cili deri në rënien e tij të dhembshme u shqua për udhëheqje të vendosur dhe qëndresë e trimëri të pashoqe, kudo që u bë pjesë e kryengritjeve të pareshtura kombëtare.

Radomir Veshoviq 1871-1938Edhe ai si shumë prijës të tjerë popullor nga trevat kufitare me Malin e Zi, përveç betejave me pushtuesit turq, nuk ndaloi asnjëherë luftimet edhe kundër pretendimeve të njohura të ushtrisë pushtuese malazeze, këtij shteti të vogël hegjemonist me pretendime më të mëdha se vet-vetja, mësymjet e shpeshta të të cilit, ai i mposhti çdo herë me sukses, deri me vrasjen e tij në besë, më 1915, nga armiku i përbetuar i shqiptarëve, gjenerali  famëkeq malazez, Radomir Veshoviq (1871-1938).

Veshoviq, atëkohë ishte ministër i mbrojtjes dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Malit të Zi, nën komandën e të cilit, të ndihmuar edhe nga ushtria serbe nën drejtimin e gjeneralit serb Bozhidar Jankoviq, më 1915, malazezët do të pushtonin edhe një herë Shkodrën.

Po ky gjeneral, (Radomir Veshoviq) dhe gjithë ushtria malazeze, më 21 janar të vitit 1916, do të kapitullonin pa kushte, para forcave austro-hungareze, duke dorëzuar të gjithë armatimin dhe pajisjet luftarake që kishin, kurse ushtria pushtuese serbe, përfshi edhe gjeneralin famëkeq Bozhidar  Jankoviq, duke ikur nga ndjekja hap pas hapi e forcave austro-hungareze, do të kalonin mes përmes Shqipërisë, për tu strehuar në Greqi.

Mehmet Shpendi, siç u tha edhe më parë, vinte nga fisi kryengritës i Shalës dhe një familje të dalluar kombëtare e me tradita të larta atdhetarie, e cila ndryshe njihej si familja e Shpend Sadrisë, e respektuar jo vetëm në fshatin ku jetonte, por në gjithë krahinën e Dukagjinit dhe të dy Malësive kreshnike.

Madje burri heroik i Shalës, i cili u shqua në shumë luftëra për trimëri dhe qëndresë të vendosur kombëtare, duke mos pushuar së luftuari për Atdhe deri në vdekjen e tij makabre, nuk do të dorëzohej as atëherë kur do mbetej me vetëm 30 bashkëluftëtar të cilët njëjtë si ai, nuk do të shiteshin me para dhe as mashtroheshin me premtime, megjithëse shumë të tjerë, për një apo arsye tjetër, do ti dorëzonin armët dhe nënshtroheshin sundimit turk të asaj kohe.

R. Siliqi njëri nga poetët e viteve të fundit të Rilindjes Kombëtare, që u këndoi me krenari trimërive të të parëve, tek libri “Pasqyra e ditëve të përgjakshme”, botuar në Trieste me 31 korrik të vitit 1912, në kronikat historike të kryengritjeve nga korriku i vitit 1908 deri në gushtin e vitit 1911, ku tingëllon fuqishëm himni i kombit për bashkim dhe kushtrimi i luftës për liri, flet me pietet edhe për trimëritë e Mehmet Shpendit.

Sipas tij, edhe pse për asgjësimin e heroit, Bedri beu do të organizonte disa ofensiva me rreth 400 ushtar të armatosur me armët më moderne dhe 4 topa artilerie, të gjitha përpjekjet e tij do ti shkonin huq, ngase Mehmet Shpendi i cili ishte përbetuar që pa dhënë së pari jetën, të mos dorëzonte as armën, çdo herë do t`ia dilte mbanë, duke lënë gojëhapur jo vetëm beun por edhe ushtarët e shumtë dhe oficerët e lart turq.

Veprimtaria luftarake e Mehmet Shpendit, merr hov sidomos nga viti 1878,pas formimit të Lidhjes së Prizrenit, kur i prirë nga Flamuri saj, vihet prapë në krye të përpjekjeve për liri, duke marrë pjesë në shumë beteja të ashpra për mbrojtjen e trojeve shqiptare që aso kohe, përveç ekspeditave turke, rrezikoheshin pareshtur edhe nga pushtuesit malazezë të Knjaz Nikollës.

Mehmet Shpendi ishte bashkëpunëtorë i ngushtë dhe bashkëluftëtar i pandashëm i Isa Buletinit me të cilin ai dhe Dedë Gjo Luli jo vetëm luftonin e nënshkruanin memorandumet e njohura me kërkesat më të bujshme historike dhe kombëtare drejtuar Fuqive të Mëdha Evropiane, por kalonin edhe darkat e ndejat nëpër miq e dashamirë bashkë.

Ai, kurdo që u paraqit nevoja u gjend edhe përkrah tribunit të mirënjohur popullor Bajram Currit dhe udhëheqësve tjerë të dalluar të Malësisë dhe kombit mbarë, të cilët jo vetëm se e mbajtën dhe e strehuan në vitet më të vështira, por ata si idealin kombëtar ashtu edhe përpjekjet për çlirimin e atdheut i kishin pjesë të përbashkëta të jetës dhe veprimtarisë së tyre patriotike në të gjitha kohët dhe vendet ku qëndrohej e luftohej për liri.

Heroi Mehmet Shpendi bashkë me Dedë Gjon Lulin, shkëlqyen me trimëritë e treguar qysh në betejën e Rrzhanicës kundër forcave malazeze të komanduara nga Mark Milani, i cili edhe vet ishte bir i një nëne shqiptare, duke e thyer atë me turp, në sulmin pushtues që kishte nisur në krye të ushtrisë malazeze, kundër trojeve tona kombëtare në atë pjesë të Atdheut.

Sipas të dhënave historiko-biografike, nëna e Mark Milanit ishte shqiptare e besimit katolik dhe bij e fisit të kuqit, e martuar me një serb nga Podgorica. Ajo pati dy djem; Mark dhe Teodor Milanin, të cilët në vitet më të vështira të kombit tonë, do të tregoheshin si cenuesit më të egër, agresiv dhe të pa skrupull ndaj popullit dhe trojeve shqiptare.

Por, le të kthehemi edhe një herë tek historia e heroit të kombit tonë Mehmet Shpendi, trimëritë e të cilit ishin të pa mbaruara dhe të shumta për t’u numëruar që të gjitha, ndërsa heroizmat e treguara gjatë luftimeve në Velikë, Pepaj, Nokshiq e Rrzhanicë, e bënë të pavdekshëm këtë hero e prijës të dalluar të Shalës e Dukagjinit si dhe mbarë Kombit Shqiptar.

Ndaj ashtu siç i kishte veprat, atij i thureshin edhe këngët:

Në bjeshkë të Shalës mblidhet jezeri
Mehmet Shpendi e rrok manxerrin
Hyp mbi shkrep e pisket si zana
Mbushet bjeshka me djem azgana

Në vitin 1890, për organizimin me sukses të qëndresës në ato troje, dhe dalë sa më mirë zot popullit të asaj ane, trimi Mehmet Shpendi, në Shalën e tij kryengritëse, themelon një formacion luftëtarësh kombëtarë me emrin "Djelmënia e Shalës", të cilin e udhëhoqi në luftëra dhe kuvende burrash, kudo  merreshin vendime të mëdha dhe me rëndësi jetike për mbrojtjen e trojeve shqiptare, duke i udhëhequr  ata me sukses për 25 vite me radhë, derisa u vra me pabesi nga malazezët në vitin 1915.

"Djelmnia e Shalës" ishte forca më e madhe kombëtare e shqiptarëve në ato treva dhe vendimet e “Djelmnisë ”pranoheshin kudo. Vetëm ato ishin të plotfuqishme për të gjithë; për popull dhe për krenë e bajraktar, si në kohë lufte ashtu edhe në raste paçesh të përkohshme të cilat ishin të pakta dhe të shkurtra në ato anë.

Mehmet Shpendi vendosmërinë e tij në kuvende e dëshmonte me fjalë, kurse trimërinë e ngjiste lartë e më lartë me vepra në betejat e pa reshtura kombëtare kundër pushtuesve të të gjitha ngjyrave, qofshin ata turq apo edhe serb e malazez, sa herë që populli dhe trojet e të parëve të tij, rrezikoheshin nga armiqtë e shumtë.

Me "Djelmninë e Shalës”, ai jo vetëm se do t’u dilte në mbrojtje fshatrave të Rrjollit dhe Lohës, nga tendencat e pareshtura turke për ndëshkimin e tyre, por në vitin 1897 doli edhe kundër futjes pa luftë të ushtrisë turke në Shalë dhe trevën e Dukagjinit kudo.

Mehmet Shpendi me "Djelmnin e Shalës" asokohe do të sillnin edhe një "Sund" autokton, apo Ligj vendor për ato anë, i cili nuk u njihte të drejtën krenëve as bajraktarëve për tu dalë në mbrojtje, marrë në besë dhe ofruar ndihmë pushtetarëve, oficerëve apo edhe ushtarëve pushtues turq, kur ata u bënin keq shqiptarëve.

Festimi i "Hyrjetit" turk dhe lirimi i të  burgosurve shqiptar

Prej qatë sene që erdh "Hyrjeti" kurrë Kosovës s`ju nda gazepi" do të këndonte sa e sa herë rapsodi i mirënjohur kombëtar Dervish Shaqa, por në fakt pas ardhjes së xhonturqve në pushtet më 1908, vuajtjet u shtuan edhe më shumë, gjithandej trojeve tona dhe për të gjithë shqiptarët kudo.

Burgosja dhe keqtrajtimet ndaj bashkëkombësve të heroit nuk pushonin as gjatë ceremonive festive siç ishte rasti edhe me përurimin e organizuar për hyrjen në fuqi të “Hyrjetit” apo kushtetutës së vitit 1908,kur qeveritarët xhonturq shënonin me manifestime shpalljen e saj edhe në Shqipëri, kushtetutë e cila më shumë u fliste për to, se sa në të vërtetë u ofronte e aq më pak u garantonte të drejta shqiptarëve.

Në ceremoninë që mbahej në Shkodër, ku ishte i ftuar edhe Mehmet Shpendi, Valiu i Vilajetit të Shkodrës u fliste me pompozitet për të "mirat" që do tu sillte edhe shqiptarëve kushtetuta, ndërsa Mehmet Shpendi do të pyeste me ironi, duke i prerë fjalën atij, se si një Vali turk mund tu premtonte aq shumë të drejta dhe liri shqiptarëve derisa shokët dhe bashkëluftëtarët e tyre të cilët u munduan gjatë për vendosjen e kësaj Kushtetute edhe me rastin e festimit të saj, mbahen të mbyllur në burgjet perandorake.

Valiu, duke ditur pezmin që mund të shkaktonin fjalët e tij, vonoi të përgjigjej, ndaj duke parë hezitimin e Valiut që të fliste mbi atë temë, Mehmet Shpendi do tu drejtohej të pranishmëve me zë të lartë dhe fjalë shpërthyese:

O burra, këta që na ftuan neve si "miq" në këtë festë ku po na folin për të drejta dhe liri, si ka mundësi që shokët tanë i mbajnë të mbyllur, kurse me ne të festojnë......kush i thotë vetit shqiptar, ejani t’i lirojmë vëllezërit tanë, sepse lirinë dhe të drejtat që po na garantuaka kushtetuta, po aq sa ne, i duan edhe ata!

Thirrjes së Mehmet Shpendit do ti bashkoheshin menjëherë 200 bashkëkombës të pranishëm, të cilët do të hapnin dyert e burgut dhe lironin të gjithë të burgosurit shqiptarë.

Për trimëritë e tij të madha, rolin e pazëvendësueshëm në organizime dhe udhëheqje luftërash e betejash të vështira si dhe besnikërinë e dëshmuar ndaj shokëve e bashkëluftëtarëve të tij, Poeti Risto Siliqi kështu do të shprehej për Mehmet Shpendin:

S’e tradhtoi kurrnji soj krejet
Top as pushkë’ s’mund ta frikojnë,
Sytë i ka si shkëndi rrfeje,
Me të këqyrën të shitojnë.

Heroizmi në Qafën e Agrit

Për cilësitë udhëheqëse të Mehmet Shpendit, trimëritë që ai ishte në gjendje të dëshmonte dhe qëndresat heroike që dinte të organizonte, flet më së miri fakti se nga 9 deri më 17 korrik të vitit 1910,pas një lufte heroike për 8 ditë e net me radhë, në Qafën e Agrit, ai me vetëm 3000 bashkëluftëtarë trima dukagjinas, kishin arritur t’i thyenin me turp dhe t’i kthenin prapa rreth 12000 forca pushtuese turke të pajisura me armatimin më modern të kohës, të cilat operonin nën komandën e gjeneralit më të ashpër otoman të asaj kohe, komandantit të Divizionit të Shkodrës, Shefqet Turgut pasha.

Kjo ngjarje heroike e udhëhequr me aq sukses nga Mehmet Shpendi, do të përjetësohej edhe me këngët më të zgjedhura epike nga populli shqiptar:

Turgut pasha ish çuditë
Se çdo gur i dukej pritë
Prej çudie ai mori frikë
Ktheu ushtrinë e u nis me ikë

Blerja e krerëve të kryengritjes

Për fat të keq si edhe tek disa raste tjera në trojet shqiptare, atje ku nuk bënte punë pushka dhe topi, frontin e pathyeshëm shqiptar, jo rrallë e ç `bënte paraja e pushtuesit. Ndaj, duke parë se marrja e Shalës dhe Dukagjinit me forcë ishte e pa mundur, Turgut pasha, para një populli të lodhur e të varfëruar nga luftërat e pareshtura, përveç mashtrimit për falje, ai do të fuste në lojë edhe paranë duke blerë krerët e asaj treve me të holla, në mënyrë që shqiptarët ta pranonin çarmatosjen dhe ai të futej pa luftë në Dukagjin.

Por edhe me këtë rast, megjithëse shumica e prijësve do të mashtroheshin nga premtimet dhe nënshtroheshin pagesave të Turgut pashës duke dorëzuar edhe armatimin që kishin siguruar me mund, Mehmet Shpendi bashkë me 35 shtëpi tjera të Shalës nuk do ti dorëzonin armët me luftë, as “shisnin” ato për para, ndërsa gjatë marshimit të ushtrisë turke në Shalë e Dukagjin, ata do të dilnin maleve me gra dhe fëmijë për ti shpëtuar ekspeditës së egër otomane dhe vazhduar luftën ngado që mundeshin kundër pushtuesve turq.

Asokoh edhe moti sikur ishte kthyer kundër shqiptarëve, dimri i vitit 1910,do të vinte me acar e të reshura të mëdha si dhe ngrica të egra e të papërballueshme, ndaj të ngushtuar nga të ftohtit dhe bora e maleve, në pamundësi për të shpëtuar fëmijët dhe mbijetuar me familje nën ato kushte si dhe për të mos u dorëzuar tek forcat e Turgut pashës, ata do të detyroheshin që përkohësisht të emigronin në Mal të Zi, pa i ndërprerë lidhjet dhe bashkëveprimet me patriotët e trevës së tyre, duke vazhduar armatosjen dhe përgatit me të gjitha mundësitë organizimin e betejave të reja, të cilat do të fillonin që me ardhjen e pranverës në Dukagjin.

Edhe sipas veprimtares së njohur angleze dhe mikes së madhe të kombit tonë, zonjës Edit Durham, e cila në ditët më të vështira qëndronte atje ku vëzhgonte nga afër vuajtjet e popullit shqiptar nën robëri dhe përpjekjet e kryengritësve shaljanë për çlirim nga pushtuesit, në librin kushtuar Shqipërisë të botuar më 1909, mes tjerash do të shkruante, “Mehmet Shpendi ishte i bindur se po të armatosej Shala si duhej, edhe e vetme do të qëndronte e pathyeshme në luftë!”

Shaljanët, duke mos harruar kontributin e madh për çështjen shqiptar dhe për hir të gjithë asaj që shkrimtarja dhe studiuesja e mirënjohur angleze Edit Durham bëri edhe për Malësinë e Malësorët e asaj ane, në rrugën që qon drejt Thethit, fshatit më malor në veri të Shqipërisë, rrëzë malit me mbi 2500 metra lartësi mbidetare, Komuna e Shalës, në shenjë miradije dhe kujtimi ka ngriti një Pllakë Guri ku i është gdhendur me kujdes portreti dhe nderuar denjësisht figura e zonjës Durham duke i dhënë asaj një epitet të veçantë nderues dhe emërtuar atë madje edhe  si “Mbretnesha e Malësorëve“, ne shenjë mirënjohje të pafund për punën e madhe përgjatë viteve të fillim shekullit XX në trojet shqiptare.

Memorandum pas Memorandumi

Përpjekjet e Mehmet Shpendit për çlirimin e vendit, kudo që ai ndodhej, nuk pushuan asnjëherë. Në fillim të vitit 1911, ende pa dal mirë pranvera, Mehmeti do të shkonte në Shkodër për tu bashkuar me patriotët Isa Buletini, Dedë Gjon Luli, Hasan Bushati etj., me të cilët që më 23 mars të ati viti, do të nënshkruanin së bashku një memorandum pesë pikësh dhe dërgonin Fuqive të Mëdha evropiane, përmes të cilit do të kërkonin:

1. Të garantohej paprekshmëria e trojeve shqiptare

2. Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe të mësohet në shkollat e të katër vilajeteve të tyre.

3. Nëpunësit të jenë vendës dhe të pranohet kombi shqiptar

4. Tatimet vendore të përdoren në vend për rregullimin e jetës së popullit aty.

5. Ushtarët shqiptarë të shërbejnë vetëm në vilajetet e Shqipërisë.

Sipas shkrimeve të gazetës “Drita” e cila atëbotë dilte në Manastir, më 30 mars të vitit 1911, pasi që më 24 mars të ati viti, tanimë kishte filluar kryengritja në Malësinë e Madhe, Mehmet Shpendi, Isa Boletini  Dedë Gjon Luli, Zenel Shabani i Kastratit, Haxhi Muja i Tuzit dhe disa emra të tjerë prijësish të njohur të krahinave shqiptare, do të takoheshin në Cetinë të Malit Zi, për nënshkrimin edhe të një Memorandumi drejtuar Fuqive Evropiane me të cilin kërkonin autonominë e Shqipërisë.  Gazeta “Drita” 27 prill 1911

Ndërsa, pas luftimeve të përgjakshme ,malësorët trima ende pa kaluar as dy javë nga fillimi i tyre, më 6 prill të vitit 1911, në majën e Malit Deçiç, me krenari do ta ngrinin Flamurin Kombëtar ,kurse për realizimin me sukses të kërkesave të memorandumit, ata do t’u bënin thirrje të gjithë banorëve shqiptarë kudo në fshatra dhe qytete, që të mos u bindeshin organeve qeveritare turke dhe as të mos bashkëpunonin me pushtetarët otoman.

Takimi te Ura e Shalës dhe ngritja e Flamurit në Abat.

Në aktivitetet e pareshtura kombëtare të Mehmet Shpendit, ndrit edhe takimi me të gjitha fiset e asaj treve i organizuar më 28 maj të vitit 1911  në vendin e quajtur, te Ura e Shalës, ku nga pjesëmarrësit e kuvendit, do të vendosej që i gjithë Dukagjini si dhe mbarë Malësia e Madhe, të ngrihej në kryengritje të armatosur kundër turqve.

Rreth një muaj më vonë, pra më 23 qershor të vitit 1911 si përfaqësues i “Djelmënis së Shalës”, Mehmet Shpendi do ta nënshkruante edhe Memorandumin e Greçës.

Madje, përkundër angazhimeve të pareshtura politike, ai nuk do ti pushonte as aksionet luftarake si dhe udhëheqjen e betejave të armatosura, të cilat pas kushtrimit të heroit Dedë Gjo Luli, siç u cek edhe më lart, që nga 24 marsi i vitit 1911 tanimë kishin filluar dhe kryengritja e nisur do të vazhdonte deri më 2 gusht të ati viti, duke u shkaktuar forcave pushtuese turke dëme të mëdha dhe pasiguri të përhershme për qëndrimin e tyre të mëtejmë në ato treva liridashëse.

Emrit të Mehmet Shpendit i shtohet shkëlqimi edhe më tepër në luftimet e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare të vitit 1912,duke i bërë jehonë historisë së çlirimit sidomos në gushtin e ati viti, kur në krye të luftëtarëve dukagjinas pas luftimeve historike përkrah Bajram Currit e Zeqir Halilit do të hynin bashkë dhe ballëhapur, si heronj kombëtar në Shkupin e çliruar.

Aktiviteti kryengritës i Mehmet Shpendit ishte i pranishëm në çdo cep të atdheut kudo që luftohej dhe përgjatë të gjitha përpjekjeve kombëtare, deri në Shpalljen e Pavarësisë së Trojeve Shqiptare më 1912.

Madje, i entuziazmuar me çlirimin e Atdheut dhe Rilindjen e Kombit, kur nga gjithë ato luftëra e beteja të ashpra Shqipëria do të shpallej Shtet më Vete, ai me krenari do të ngrinte Flamurin Kombëtar edhe në trevën e ti, duke zgjedhur si vendin më të përshtatshëm për këtë ngjarje të madhe historike, vet logun e Kuvendit të burrave të Shalës, në Abat.

Duke pasur parasysh përpjekjet e tij të pareshtura patriotike, Mehmet Shpendin edhe Akademiku Mark Krasniqi me të drejtë do ta cilësonte si njërin nga heronjtë e Plejadës së Patriotëve më të mëdhenj të Kombit Shqiptar. (Akademik Mark Krasniqi “Gjurmë e Gjurmime” 1979 Prishtinë).

Vrasja me tradhti e Mehmet Shpendit

Fatkeqësisht me gjithë kontributin e tij dhe përpjekjet e pareshtura kombëtare që ndër vite u zhvilluan, gëzimi për Pavarësinë e Shqipërisë dhe çlirimin e shqiptarëve, si për të gjithë popullin tonë ashtu edhe për heroin Mehmet Shpendi nuk do ishte i plotë as jetëgjatë.

Siç është e njohur nga historia, pas përzënies së forcave turke me luftën e shqiptarëve nga trojet tona, shtetet hegjemoniste fqinje sipas orekseve të tyre të sëmura, pa vonuar do të mësynin dhe copëtonin Shqipërinë nga të gjitha anët. Kurse në vitin 1915, ushtria pushtuese malazeze, përveç tjerash do të niste sulmin edhe për pushtimin e Dukagjinit të Mehmet Shpendit.

Ndaj, ata duke ditë trimëritë e shaljanëve dhe aftësitë luftarake të prijësit heroik të asaj treve si Mehmet Shpendi, gjenerali malazez Radomir Veshoviq, do ta ftonte udhëheqësin e Shalës në një bisedë “dypalëshe”, kinse për lidhjen e një marrëveshje armëpushimi me shqiptarët, siç do ti thoshin atij.

Gjenerali famëkeq Veshoviq, megjithëse u kishte premtuar udhëheqësve shqiptar se në kohën sa do të zgjatnin bisedimet ai nuk do ta sulmonte Dukagjinin, në anën tjetër kishte mashtruar Mehmet Shpendin dhe bashkëpjesëmarrësit e delegacionit shqiptar kinse do t’i dërgonte ata për bisedime të drejtpërdrejta me Krajl Nikollën në Cetinë.

Dhe pasi i kishte shëtitur rreth e rrotull gjatë gjithë ditës, gjoja se udhëtonin për bisedime te Krajl Nikolla, Veshoviqi shfrytëzoi mos prezencën e Mehmet Shpendit, për futjen e 1500 ushtarëve malazezë në trojet shqiptare nga Ura e Mesit ku ishin përqendruar që më parë, duke kaluar fshehurazi qafën e Boshit dhe vendosur në Dakaj të Dukagjinit.

Por me gjithë mungesën e Mehmet Shpendit, shaljanët trima do ti prisnin në mënyrë të merituar mysafirët e paftuar atje, me ç`rast pas një beteje të shkurtër, ushtarët malazezë do të mundeshin dhe dorëzoheshin pa kushte që të gjithë.

Më 5 korrik të vitit 1915, sipas traditave luftarake të kohës, pas çarmatosjes të palës së mundur në fushëbetejë, ushtarët e kapur malazez si rob lufte, do të kalonin nën pushkët e kryqëzuara të luftëtarëve shqiptar tek Ura e Shalës, të cilët nga shaljanët pastaj do të përcilleshin deri në qafë të Pejës, për tu lënë të lirë të ktheheshin në Mal të Zi.

Por me të marrë vesh këtë lajm gjenerali Veshoviq, do të lidhte në pabesi Mehmet Shpendin dhe dërgonte një brigadë tjetër ushtarësh malazezë në vendin e quajtur Plan. Madje, aty do të vinte edhe vet Veshoviqi, ku në mënyrën më të ulët dhe cinike do të sillte të lidhur gjithë delegacionin e tradhtuar dhe të marrë peng shqiptar me në krye Mehmet Shpendin.

Ditën e 15 korrikut të vitit 1915 në afërsi të vendit të quajtur Qeresh, gjenerali malazez Radomir Veshoviqi, përkundër "besës" që i kishte dhënë Mehmet Shpendit dhe delegacionit shqiptar, ai do të urdhëronte masakrimin e Mehmet Shpendit, Marash Delisë, Çun Nikës dhe gjithë atyre që i shoqëronin ata, bashkë me 72 banorët e vendit të quajtur Plan, burra, gra dhe fëmijë, duke mos bërë asnjë përjashtim.

Dhe derisa të gjitha aktet më të rënda të Ferrit të Dantes luheshin mbi trupin e heroit, bashkëpunëtorëve të ngushtë dhe shqiptarëve vendor të zënë rob, nën dhembjet e mëdha të tragjedisë së pashembullt që ushtrohej mbi ta, duke parë edhe masakrimin e fëmijëve nëpër djepa, grave dhe të gjithë banorëve të pafajshëm të Planit pa përjashtim, që ushtrohej para syve të tij me bashkëluftëtarë, Mehmet Shpendi i lidhur duarsh e këmbësh, në pamundësi për të bërë gjë, para se të vdiste, nën goditjet makabre të gjeneralit Radomir Veshoviq, shqiptarëve kudo, do tu linte këtë porosi:

Tokë e Qiell, dorëzanë ua paça lanë
Kurrë besë shkjaut, mos me i zanë!

Amanet të cilin me dëshirë do ta kishte thënë që në agimin e hershëm të po asaj dite edhe Çerçiz Topulli, vrarë po ashtu me urdhër të  gjeneralit Veshoviq, njërit nga armiqtë më të mëdhenj të kombit tonë, i cili pas masakrimit të mbi 2000 shqiptarëve të Kosovës dhe rrethit të Shkodrës, më 15 korrik të vitit 1915, kishte zgjedhë mu fushën e famshme të Shtoit ku dikur Shaljanët legjendar kishin lidhë besën me “shoqi-shoin” vend të cilin vite më parë malazezët e kishin pushtuar dhe tanimë kthyer edhe në shesh ekzekutimi të patriotëve më të shquar të këtij populli të shumëvuajtur si Çerçiz Topulli që luftonin kudo, nga jugu në veri për mbrojtjen e atdheut të tyre.

Gjenerali famëkeq Veshoviq, si Ministër i mbrojtjes dhe udhëheqës i përgjithshëm i ushtrisë malazeze, atë ditë që nga mëngjesi i hershëm e kishte filluar me gjakosjen e shqiptarëve, duke ekzekutuar qysh në agim, heroin Çerçiz Topulli dhe Mustafa (Muço) Qulli në Shtoj-in, dikur të famshëm.

Kurse në orët e pasdrekes së po asaj dite makabre, në një vend tjetër, të quajtur Plan, gjenerali Veshoviq do ta ekzekutonte edhe Mehmet Shpendin apo "Shaljanin e Tetë", i cili për shumë vite mbrojti me sukses ato vise që të mos binin në duart e malazezëve, që patën pushtuar Tivarin, Ulqinin, Shtoin, por edhe Shkodrën ku Çerçiz Topulli kishte shkuar të luftonte dhe Isa Buletini me bashkëpunëtorë të organizonin çlirimin e saj, sikur pak dit më vonë, të mos arrinin forcat austro-hungareze, ardhja e të cilave do të prishte përkohësisht planet e kryengritjes.

Por, megjithëse që me 16 Janar të vitit 1916, ushtria e këtij vendi pati nënshkruar kapitullimin, një numër i pjesëtarëve të saj dhe xhandarmërisë malazeze kishte ngelur ende në uniformë dhe e armatosur, kinse për të ruajtur rendin dhe qetësinë derisa forcat austro-hungareze ta merrnin në dorëzim edhe atë pjesë, të jashtë qytetit.

Kështu që, armiku i rryer dhe gjenerali i përbetuar antishqiptar Radomir Veshoviq, do ti shfrytëzonte deri në momentet e fundit të gjitha mundësit dhe armët e forcave të tij, për asgjësimin e figurave kryesore kombëtare, me qëllimin e qartë, që shqiptarët edhe pas marshimit të forcave austro-hungareze dhe dëbimit të pushtuesve malazez nga trojet e tyre, të mos arrinin të organizoheshin shpejt e si duhet dhe as bënin ndonjë gjë me rëndësi për të atdheun e shkatërruar nga pushtimet sllave.

Ndaj në mënyrë pothuajse të ngjashme me likuidimin e dy heronjve pararendës si Çerçiz Topulli dhe Mehmet Shpendi, deri sa ai kthehej nga Cetina dhe duhej të kalonte përmes një shtegu të pa shmangshëm siç ishte ura mbi lumin Ribnica pran Podgoricës, që gjatë dimrit mbante shumë ujë, sipas urdhrit të gjeneral Veshoviqit, më 23 Janar të vitit 1916, me tu ngjitur mbi urën e vjetër turke të ati lumi, papritur Isa Buletinit do ti bllokoheshin të dy anët e saj, për ta vrarë-vet të shtatin bashkë me djem dhe nipa, gati si në legjendën e 7 Shaljanëve të moçëm, fis të cilit njëjtë si Mehmet Shpendi i takonte edhe ai vet.

Ura e Ribnicës tani,-në stinë vere

Kështu, brenda një periudhe rreth 6 mujore, nga një gjeneral i vetëm i një ushtrie të një nga vendet më të vogla në rajon, tanimë të shpartalluar kundërshtare siç ishte kriminel Radomir Veshoviq, numrit të shuar të figurave më madhore të popullit tonë në prita dhe tradhti, do ti shtoheshin edhe tre heronj kombëtar, nga tri kënde të veçanta dhe anë të ndryshme të trojeve tona etnike si Çerçiz Topulli nga Jugu, Mehmet Shpendi nga Dukagjini në Veri dhe Isa Buletini nga Veri-lindja e Atdheut, humbjen e të cilëve jo vetëm se do ta përjetonin rënd, por edhe ndjenin gjatë, të gjithë shqiptarët pa përjashtim.

Burimet:

  • 1. Lahuta e Malsisë "Mehmet Shpendi" faqe 460-versioni anglisht. 2005 I.B. Taurus & Co.Ltd, New  York")
  • 2.Risto Siliqi “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” Trieste 31 Korrik 1912
  • 3. Pal Doçi, “Mehmet Shpendi i pari i djelmënisë së Shalës” Tiranë 1966
  • 4. Akademik Mark Krasniqi  “Gjurmë e Gjurmime1979 Prishtinë
  • 5. Shqipëria.com, ”Kryengritja e Kosovës e vitit 1910
  • 6. Shqipëria.com, Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912
  • 7. Libri “Krijuesit e Historisë” 2012 Prishtinë
  • 8. Youtube, “Mehmet Shpendi”
  • 9. Prel Milani "Studime"
  • 10. Wikipedia

Gani Qarri Cyrih

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm