Menu

Avni Kondi kishte bërë betimin: Për lirinë e atdheut do jap edhe gjakun tim!

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nga Xhevahir Cirongu - Kanë kaluar mbi 73 vite, kur atëhere në ato vite lufte mbarëbotrore të vitit 1942, kobzeza e luftës nazifashiste kishte mbuluar si një re e zezë edhe tokën e qiellin shqiptar. Rënkonte toka shqiptare nga ajo çizme e zezë okupatori, e cila po i merrte frymën shqipes sonë. Nuk mund të rrinin duarkryq djamtë e vajzat shqiptare, por me vetdije ata morën armët e dolën malit për lirinë e atdheut. Në shekuj shqiptarët kanë luftuar me përkushtim kundër çdo okupatori, të cilët janë munduar për t'i marrë vatrat e trojet stërgjyshore shqiptarëve. E migjithatë, armiqtë e kombit tonë s'kanë mundur dot ta mposhtin shqiptarin, me gjithë barbarizmat që kanë ushtruar ndaj tij. Një shprehje e urtë e popullit tonë thotë: ''Shqiptari e do atdhenë si shqiponja folenë!''. Pushtuesit e kanë kuptuar vetëm atëherë kur ju është djegur toka nën këmbët e tyre, sapo kanë shkelur tokën e shqipes. Vetëm atëherë ata kanë kuptuar këtë thënie të urtë të larë me ujë floriri e të shkruar me gjak.

Avni Kondi

- Kush ishte Avni Kondi?

Për të mësuar diçka më shumë rreth jetës e veprimtarisë së dëshmorit të atdheut Avni Kondi, neve na u desh të takonim njerëzit e afërtë të tij, por edhe shokë e bashkëluftëtarët të cilët janë të paktë gjallë sot, sepse kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë lufte e vitit 1944. Për të shkruar këtë shkrim, shkak u bënë festimet e 70 vjetorit të çlirimit të atdheut nga okupatori nazifashistët italianë e gjermanë. Ishte 15 shkurt i vitit 1918 kur lindi Avni Kondi. Pikërisht, ajo kohë tjetër e zymtë për fatet e atdheut tonë, sepse lufta e parë botërore që u zhvillua kryesisht në ballkan, solli coptimin e trojeve shqiptare nga qarqet e shtetet shoviniste të fqinjëve tanë e ato evropiane. Mali i Tomorrit ishte ngarkuar nga dëbora e bardhë që zbriste gjer poshtë në fshatin Bargullas të skraparit. Pemët kishin veshur ''kostumin'' e bardhë dimëror, kurse nënë Mahmude e Rakip Kondi kishin tjetër ''kostum'',- bardhësinë e gëzimit shpirtëror të lindjes së djalit të tyre, që më pas e pagëzuan me emrin e bukur e burrëror, Avni. Vitet iknin njëra pas tjetrës, e Avniu hidhte shtrat si një lis i moçëm që mposht çdo furtunë. Qysh i vogël, aty ku zhvilloheshin biseda rreth zjarrit në vatrën e shtëpisë që flitej për fatet e atdheut dhe lirinë e tij, mori mësimet e para patriotike e atdhetare. Fisi Kondi shquhet për qëndrimin e tyre patriotik e atdhetar. Ishte Hajredin Kondi nga Bargullasi i cili ka qënë patriot i njohur në Prefekturën e Beratit, i cili ka marrë pjesë në ngritjen e Flamurit më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë. Babai i Avniut, Rakipi, u fliste shpesh fëmijëve për këtë njeri trim e patriot që luftoi për çështjen kombëtare. Edhe Avniu, ndonëse i vogël, u frymëzua dhe u burrërua para kohe kur dëgjonte të tilla biseda të ngrohta atdhedashurie nga prindrit e të afrmit e tij. Fisi Kondi u lidh fuqishëm qysh në fillim me LANÇ. Ata bënë betimin para flamurit të Kombit e atdheut, se do jepnin edhe jetën po të ishte nevoja. Avniu dilte shpesh atje mbi kodrat e fshatit, dhe ashtu, nëpër skutat e fsheta të mendimeve i bënte shumë pyetje vetes se, si do jetë e nesërmja dhe fati i atdheut!? I kujtohej prilli i vitit 1939-ës, atëhere kur qielli shqiptar u nxi nga avionët e italisë fashiste. Ishte 15 shkurti i vitit 1942, pikërisht ajo datë që kishte lindur Avniu, kur nënë mira Mahmude i tha si me shaka: ''Bir i nënës o Avni,- eja të puth në ballë, se m'u bëre sa ai lis atje në fund të arës, ku sipër tij ka hapur krahët pjergulla që na jep raki rrushi..!''. Edhe Avniu e përqafoi dhe e puthi në sy nënën s'bashku me lotin që i rridhi nga gëzimi atë çast. Në odën e fisit ''Kondi'' këndohej e hidhej valle atë natë dimri të atij viti, sepse festohej ditlindja e Avniut. I ati, Rakipi, u ngrit në këmbë, e mori një valle burrash. Si mbaroi së kërcyeri vallen iu drejtua të birit me këto fjalë: ''Biri im Avni! ,- dhe shikimin e treti tek arma që ishte varur në mur. – E di baba, - ajo ka kaq kohë që po më pret mua,...!''. Pikërisht, më 14 mars të vitit 1942, kur në fshat po çelinin lulet e pranverës, atje mbi fshat te Bregu i Koronit, Avniu përcillet nga prindërit e gjithë të afrmit me pushkën hedhur supit drejt Qafës së Kulmakut. – ''M'u kthefsh me lirinë e shqipërisë, o bir, - i tha nënë Mahmude dhe i ati Rakipi!". Ndërsa, atje mbi fshatin Bargullas, lart në malin Tomorr zbardhte bora.

Qysh më 14 mars të vitit 1942, Avni Kondi del partizan, duke u rreshtuar në fillim në çetën e Skraparit me komadant Mestan Ujaniku. Avniu e puthi armën në sy të shokëve të çetës, dhe bëri betimin. Që atë atëherë, ai nuk e lëshoi armën, por luftoi me trimëri e guxim të rrallë ndaj pushtuesve të atdheut.

... Atdheut do i fal edhe gjakun...!

Ishte data 15 gusht e vitit 1943, Avni Kondi inkuadrohet në radhët e Brigadës së Parë Sulmuese Partizane, pikërisht në batalionin e dytë të kësaj Brigade. Ai, tashmë ishte burrëruar më shumë, sepse aksionet luftarake që kishte zhvilluar çeta e Skraparit kundër pushtuesve, i dhanë guxim e trimëri për të vazhduar deri në fund qëllimin e tij që kish vënë vetes: Çlirimin e Shqipërisë! Në betejën e gushtit të po këtij viti, që u zhvillua në Vidhkuq të Korçës kundër forcave italiane, Avniu plagose rëndë. Me këmbënguljen e tij, ku ende plaga s'ishte shëruar mirë, kthehet në Brigadë për të vazhduar misionin luftarak për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Lufta kundër okupatorit nazifashist në janar-shkurrt, atë dimër të vitit 1944-ës, po bëhej edhe më e ashpër. Forcat partizane luftonin me guxim e trimëri, sepse kishin edhe mbështetjen e popullit. Në këtë kohë, Brigada e Parë Sulmuese merr marrshimin drejt Shëngjergjit- Tiranë. Në këtë marrshim ishte edhe Avni Kondi. Plaga iu vështirësua, prandaj me urdhër të Shtabit u vendos në një bazë të fshatit Selitë, nga ku edhe të bëhej mjekimi i plagës. Në muajin gusht- shtator të '44-ës, ai kthehet në Brigadë, pavarsisht se plaga s'ishte shëruar mirë e kullonte gjak. Kështu, në këtë gjendje Avni Kondi merr pjesë në luftimet e përgjakshme që u zhvilluan në Dibrën e Madhe në Maqedoni. Aty, ai plagoset lehtë në kokë.

-Avni,- i tha një nga shokët që po i mjekonte plagët, duhet të mjekohesh e pastaj si të shërohesh mirë, eja në Brigadë. Janë dy plagë...!? -Jo dy, por shtatë të jenë, unë s'ndahem nga Brigada,- i kthen përgjigjen ai.

Nëntor 1944. Lufta që zhvillohej për çlirimin e Tiranës ishte shumë e ashpër. Gjermani nuk lëshonte pozicione.

Luftohej në çdo skaj deri në rrugicë më rrugicë të kryeqytetit e rrethinat e tij. Kudo ishin ngritur barrikada. Kompania që drejtonte Avniu, hasi në një qëndresë tepër të egër, ngaqë armiku ishte egërsuar edhe më shumë nga ky rrethim fatal për atë. Në betejën për çlirimin e Tiranës, ai mbante detyrën e nënkomandant kompanie. Një tank armik ishte afruar drejt pizicionit ku ishte Avni Kondi. Në drejtim të gjermanëve e tankut hedh një bombë. Tanku qe afruar edhe më shumë drejt pozicionit të tij. Kur pa s'e e kishte mbuluar gjaku gjithë trupin, u hodh si një shqiponjë drejt tankut gjerman. – Mos, - i thirri një nga shokët, por....Avniu ..., në këtë betejë për çlirimin e Tiranës, më 11 nëntor 1944, i fal gjakun e jetën lirisë së atdheut për të mbetur gjithmonë i pavdekshëm. Emri i dëshmorit të atdheut Avni Kondi është i shkruar në histori, sepse dëshmorët e kombit emrin e shkruan me gjakun e tyre në gonxhen e lirisë, për të mbetur të pavdekshëm në altarin e Atdheut. Kështu, Avniu çoj në vend amanetin që bëri para prindrëve kur u betua te Bregu i Koronit atje mbi fshat se, do jap gjakun e jetën për lirinë e atdheut. Në librin ''Lufta për çlirimin e Tiranës'' të ish Komandantit të Brigadës Parë Sulmuese, Mehmet Shehu, midis të tjerash shkruan: ''Avniu luftoi heroikisht sa mbaron jetën ndënë zinxhirët e tanksit. Vetëm çeliku mundi ta përkulë këtë guximtar të rrallë''. Në nëntor të vitit 1945, Avni Kondi Dekorohet me ''Medaljen e çlirimit'' me këtë motivacion: ''Ka marrë pjesë në rrjeshtat e Ushtrisë Nacionale Çlirimtare Shqiptare, dhe me armë në dorë ka luftuar kundër okupatorit dhe tradhëtarëve deri në çlirimin e plotë të Atdheut dhe të popullit Shqiptar''.

Sekretari/ (Koço Tashko) / Kryetari i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (Dr. Omer Nishani). Po kështu dekorohet me ''Medalen e Trimërisë'' 1945, dhe me ''Medaljen e Kujtimit'' 1942- 1943, më 7 korrik të vitit 1947. Avni Kondi, djali nga fshati Bargullas të Skraparit, i cili derdhi gjakun për lirinë e Shqipërisë do të kujtohet në breza, sepse te gjaku i dëshmorëve qëndron e sotmja dhe e ardhmja e të nesërmes, përparimi dhe zhvillimi i shoqërisë e të kombit tonë.

Durrës, 11 Janar 2015.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm