Menu

Amaneti i Vehbi Ibrahimit: Më varrosni në Kosovë

User Rating:  / 1
PoorBest 

Dëshmori Vehbi Ibrahimi

Dëshmorët nuk i takojnë më asnjë partie politike, qoftë ajo e djathtë apo e majtë, ata i takojnë mbarë kombit shqiptar, prandaj edhe quhen DËSHMORË TË KOMBIT. Unë ju përshëndes në emrin e BKDSH, brenda dhe jashtë trojeve etnike si dhe timin personal, duke uruar që brezi i ri të mësojë nga shëmbëlltyra e dëshmorëve dhe ta duan Atdheun dhe t'i kushtohen idealit për realizimin e ëndrrave të dëshmorëve: ribërjen e Shqipërisë Etnike, Demokratike, të asaj Shqipërie të bashkuar me Kosovë e viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavinë: Iliridën, Kosovën Lindore, Sanxhakun, Plavë e Guci, Hot e Grudë, Ulqin e Tivar si dhe të Çamërisë martire.

Dëshmori i parë i mërgatës, është VEHBI IBRAHIMI, të cilin e vrau UDB-a gjakatare, më 10 tetor 1981, në Bruksel, para derës të shtëpisë së tij dhe e plagosën gruan e tij me dy plumba në qafë. Ndërsa, më 13 maj 1981, në Frankfurt, u krye atentati i parë ndaj veprimtarit RASIM ZENELAJ, arkatarin e Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare (BKDSH) dhe sponzorin e shtypit tonë „BESA SHQIPTARE", të cilin e gjuajtën me 7 plumba revolveri, me qëllim likuidimin e tij fizik nga kjo botë. Por, ai i shpëtoi vdekjes, duke mbetur i paralizuar, përjetësisht, në karrocën invalidore, madje dy plumba i mbetën në trup, afër palcës kurrizore, të cilët, mjekët nuk guxuan me ia nxjerrë, sepse e rrezikonin jetën e tij.

Rasimi ka qenë veprimtar i devotshëm për çështjen kombëtare. Ishte financuesi i shtypit „BESA SHQIPTARE", sepse e kishte një firmë private të ndërtimit. UDB-ës i pengonte shtypi i ynë, sepse e nxiste popullin në revoltë e kryengritje kundra Jugosllavisë okupatore, që shtypte popullin shqiptar pamëshirshëm. Plagosja e rëndë e Rasimit, nuk e ndërpreu shtypin tonë, të cilin e financonin anëtarët besnikë të Besëlidhjes Shqiptare dhe ai shtyp u botua deri më 1999.

Pas rastit të Rasimit, në shënjestër të UDB-ës ishte nënkryetari i BKDSH-së VEHBI IBRAHIMI, të cilin Jugosllavia e akuzonte për shumë vepra antijugosllave, sepse Vehbiu e kishte krijuar Shtabin Ushtarak „MBROJTJA E SHQIPËRISË ETNIKE". Dhe, për çdo atentat apo sulm në përfaqësitë jugosllave, në Bruksel, ata e akuzonin Vehbiun dhe ia mëveshnin atij, pa marrë parasysh se a i kishte krye ato veprime apo i kishte krye dikush tjetër, që nuk kishte lidhje me Vehbiun.

Por, ajo më e keqja: një refugjat nga Kosova shkon me gruan e tij në Bruksel te Vehbia dhe rrinë në shtëpinë e tij 5-6 muaj, hanë e pinë dhe flejnë pa paguar asnjë qindarkë. Në vend falenderimi, ky far "patrioti, me bateria", me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së Vehbiut, shkruante, në një gazetë majtiste në Kosovë, se si, gjoja, Vehbiu kishte organizuar një ekspert të lartë kimie, nga Japonia, që ai të prodhojë një helm special, që nuk lënë gjurma, për ta hedhur në ujësjellsat e Beogradit, Kragujevcit e të Kralevës... Diçka të tillë, që nuk e ka bërë as Hitleri! Dhe, nga ana tjetër, ku i mori Vehbiu gjithë ato të holla, me paguar „ekspertin japonez", kur ai, i shkreti, memzi ia dilte me një rrogë te vogël, për t'i ushqyer 5 (pesë) fëmijë të mitur dhe gruan. Kurse në librin kushtuar Musa Hotit, shkruen po për këtë rast, por, tash, thotë se Experti paska qenë nga Hollanda e jo nga Japonia, siç pati gënjye më 2001.

Vehbiu ka bashkëpunuar me Ramiz Zekollin, Gani Azemin, Musa Hotin e, një kohë të shkurtër, edhe me Enver Hadrin. Ka qenë shumë aktiv. U ka ndihmuar refugjatëve nga Kosova, Maqedonia dhe Kosova Lindore, që të vendosën dhe stabilizohen në Belgjikë. Ka qenë antikomunist i përbetuar, andaj edhe ishte në shënjestër, jo vetëm të UDB-ës jugosllave, por edhe të SIGURIMIT shtetëror shqiptar, sepse këta të fundit mendonin se komunizmi do te jetojë edhe njëmijë vjet e jo të shkatërrohet, siç u shkatërrua. Me Vehbiun kam bashkëpunuar ngusht për 9 vjet. Nji ditë do të zbardhën ato aktivitete, por tash është ende heret.

Në Kongresin e Dytë të BKDSH, që u mbajt më 14 e 15 prill 1979, u zgjodh nënkryetar i kësaj Besëlidhje. Dhe, njëkohësisht e udhëhiqte Komitetin „MBROJTJA E SHQIPËRISË ETNIKE", që ishte pjesë përbërëse e KQ të BKDSH-së. Ka marrë pjesë me delegacionin e BKDSH, më 3 tetor 1978, që shkoi në Parlamentin Europian në Bruksel, ku u takuam me deputeni Dr. Willy KUIPERS, sekretar i atëhershëm i këtij Parlamenti. Atij ia dorëzuam një Memorandum mbi gjendjen e padurueshme të shqiptarëve në Jugosllavi dhe zhvilluam një bisedë të gjatë me atë deputet, duke ia dorëzuar edhe Hartën e Shqipërisë Etnike, ku ishin vizatuar me ngjyra dalluese territoret e okupuara shqiptare. Zoti Kuipers e fliste rrjedhshëm gjermanishtën, ashtu që nuk patëm nevojë për përkthyes. Vehbiu ka marrë pjesë në çdo demonstratë, që e ka organizuar Besëlidhja si dhe në ato që i organizonin të tjerët.

Më 17.9.1981 Besëlidhja pati organizuar një demonstratë anti- jugosllave në Stuttgart, ku muar pjesë edhe Vehbiu, me disa shokë nga Belgjika. Mbas demonstratës erdhi në shtëpinë time ku edhe buajti. Gjatë bisedave të gjata, më shfaqi brengën se së shpejti do ta vret UDB-a jugosllave, ku kish marrë informata nga Kosova. M'u lut që kufomën e tij t'a dërgoj në Kosovë. Unë i thashë se këtë nuk do të lejojë, në asnjë mënyrë, UDB-a dhe Ambasada jugosllave ne Bruksel, por eshtrat tuaj do të dërgohen në Kosovë, kur ajo të çlirohet dhe, nëse jam gjallë deri atëherë, ta japi besën se kam me e krye këtë amanet.

Kam pasë frikë se mos po vdes pa u çlirua Kosova dhe do t'i mbes borxh mikut dhe bashkëluftetarit besnik, prandaj u pata lënë amanet shokëve, që ishin me moshë të rinj, që ata në vend timin, të kryejnë këtë amanet. Dha, Zoti dashti e m'u dha rasti, pas çlirimit të Kosovës nga NATO-ja dhe UÇK-ja, ta kryej amanetin e mikut tim, tashmë, dëshmor i lirisë. Më 1 Prill 2001 u bë rivarrimi i dëshmorit Vehbi Ibrahimi, në vendlindjen e tij, në fshatin Uglar të Gjilanit, ku muarën pjesë disa mijëra qytetarë të Kosovës. Ndër ta edhe Hysen Tërpeza, tashmë, në amëshim.

Të dielën, më 18 shtator 1981, kur e përcolla Vehbiun në stacionin e trenit dhe u përshëndetëm, Ai vazhdoi rrugën deri në Stuttgart, aty ka zbritur dhe ka shkuar për Ludvigsburg, e nga andej, me taksi, ka shkuar te Jusuf Gërvalla, i cili e ka pritur sipas traditës shqiptare. Nuk e di se çka kanë biseduar, sepse ishim marrë vesh që as me letra, e as me telefon mos me folë, për çështje sekrete, por vetëm gojarisht kur të takohemi. Mjerisht, krye 3 jave e vrasin, siç thashë më lart. Ashtu që ato sekrete i muar me vete në varr.

Me Isufin e Bardhoshin jam takuar, më 15 shkurt 1980, në Göppingen, ku isha me Rasim Zenelin. Biseda ka zgjatë 5 (pesë) orë dhe ka qenë konstruktive. Mirëpo, mbasi u kthye në Untergrupenbach dhe mbas disa ditëve, kur e kanë pasur një mbledhje me shokët e tij veprimtarë, ai u ka folur për takimin me mua dhe bisedat që i kemi zhvilluar. Në mes të pjesëmarrësve të kësaj mbledhje, fatkeqësisht, ka qenë edhe spiuni i UDB-ës jugosllave, me nofkën „Sijalica", që, në fakt, është Ibrahim Kelmendi. Ai ka qenë edhe spiun i Sigurimit Shqiptar, ka vepruar edhe kundër emigracionit politik të Shqipërisë në Perëndim dhe i ka shkaktuar dëme të mëdha, sidomos LPK-së, duke denoncuar veprimtarinë e saj te policia sekrete jugosllave.

Ekzistojnë disa akuza se agjenti jugosllav, Ibrahim Kelmendi, është përgjegjës për vrasjen e tre dëshmorëve në Untergruppenbach: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka. Këtë e pohojnë disa ish bashkëpunëtorë të tij, të cilët, pas këtij krimi, janë distancuar ndaj tij. Ky person është përgjegjës, për sabotimet e bëra në radhët e UÇK-së dhe vrasjeve enigmatike, të disa veprimtarëve të dalluar, sepse ishte futë në kupolën udhëheqëse të LPK-së në Perëndim dhe në SHP të UÇK-së, në Tiranë. Ai është një komunist stalinist i qëlbur, i cili e ka kritikuar ashpër Jusuf Gërvallën, duke i thënë: „Me sa mend je takue me atë ballist, zogist, fashist dhe udbash", (fjala ishte për mua). Jusufi u ka besuar fjalëve të këtij „patrioti" dhe i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet ndërmjet nesh.

Me 17 janar 1982 ngjau atentati i përgjakshëm ne Untergrupenbach, të Landit Baden Würtemberg, ku humbën jetën tre atdhetarë të devotshëm: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Kadriun nuk e kam njoftë personalisht, por, sidoqoftë, kjo ka qenë një tragjedi për Kosovën dhe, prandaj, na i nderojmë edhe këta tre dëshmorë, sepse, siç thashë në fillim: dëshmorët, pas vdekjes së tyre, nuk i takojnë më asnjë partie. Ata i takojnë mbarë kombit shqiptar, prandaj edhe quhen - Dëshmorët e Kombit.

Vehbi Ibrahimi, përveç me anëtarët e Belëlidhjes, Dega në Belgjikë, ka bashkëpunuar edhe me persona tjerë, të cilët kanë qenë të pa parti ose i kanë takuar ndonjë organizate tjetër. Postulati i tij ka qenë: me i bashkuar të gjithë shqiptarët, pa dallim gjinie, feje, krahine apo ideologjie, për ta luftuar bashkarisht okupatorin e trojeve etnike shqiptare. Një prej këtyre bashkëpunëtorëve, ka qene edhe MUSA HOTI, që vrau nënpunësin e Ambasadës jugosllave në Bruksel, të cilin, më 2004, në mënyrë misterioze, e vranë në Belgjikë. Varrimi i tij u bë në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

Kurse me Enver Hadrin Vehbiu ka pasur, në fillim, kontakte e bashkëpunim, deri sa nuk ndërhyri Ambasada e Shqipërisë në Paris, duke i thënë Enverit se Vehbi Ibrahimi është një ekstremist, i cili e lufton edhe shtetin Shqiptar. Andaj, Hadri filloi t'i bishtnojë bashkëpunimit me Vehbiun dhe ky e kuptoi dhe u distancua ndaj Enver Hadrit. Tek mbas disa vitesh, kur u vra Vehbiu, Enveri filloi të veprojë për çështjen kombëtare, duke krijuar KOMITETIN PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE DHE LIRIVE TË NJERIUT NË KOSOVË, me seli në Bruksel, përçka i kushtoi me jetë, ku më 1990, agjentët e UDB-ës e vranë në mes të Brukselit dhe, për çudi, vrasësit ikën nga vendi i ngjarjes, krejt qetësisht! U dasht të kalojnë 10 vjet, deri sa u zbuluan atentatorët ndaj Enver Hadrit, kurse atentatorët e Vehbi Ibrahimi, të Musa Hotit dhe të Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, sot e atë ditë mbetën mistere, të pa zbuluara!?

Dëshmorët e Mërgatës shqiptare: Vehbi Ibrahimi, Enver Hadri, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Musa Hoti, u flijuan për lirinë e Atdheut, në moshën më të mirë dhe në vlugun e veprimtarisë patriotike dhe çlirimtare. Ne, sot, i nderojmë dhe përpiqemi të mësojmë nga veprat e tyre heroike, për rrugën drejt çlirimit të trojeve të robëruara dhe të ribashkimit të tyre në një shtet, në Shqipërinë e Lirë Etnike e Demokratike.

Vehbi Ibrahimi e kuptoi se do të vritej, por, megjithatë, nuk u tërhoq nga veprimtaria e tij në shërbim të Atdheut. Pra, ai bëri detyrën, i vetëdijshëm se vrasja e tij ishte e afërt. Dhe, burimi i kësaj trimërie ishte ideali i madh, ndjenja e lirisë dhe e dashurisë për Atdheun. Tashmë, Atdheu, Kosova e lirë, është radha ta vlerësojë, në masën e duhur, veprën e Vehbiut. Dhe, ne, Besëlidhja Shqiptare, kërkojmë që ushtarit të devotshëm dhe fort të përkushtuar për lirinë e Kosovës, Vehbi Ibrahimit, t'i akordohet titulli i lartë e suprem - Hero i Kosovës.

EMIN FAZLIJA
Kryetar i Komitetit Kombëtar të Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare – BKDSH-së

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm