Menu

Mic Sokoli, Heroi legjendar i Lidhjes Kombëtare Shqiptare

User Rating:  / 11
PoorBest 

Mic Sokoli, (1839-1881)

Historia e etnisë sonë të lavdishme kombëtare, qysh në kohët më të vjetra, nxori nga gjiri i saj figura të njohura dhe emra të shquar trimash e heronjsh popullorë që u shndërruan në krenari ndriçuese të kombit. Ata mbetën shembulli më i shndritshëm i këtij vendi, të cilët me gjithë kalimin e shekujve, edhe sot e kësaj dite, ende rrezatojnë madhështi e nderim gjithëkombëtar. Trima të tillë, tërë jetën dhe veprimtarinë e vet ia kushtuan Atdheut dhe lirisë së tij. Si përherë, ata ideal të parë dhe të vetëm, deri në fund të jetës sublime, patën ruajtjen e të gjitha trojeve shqiptare dhe çlirimin e tyre nga pushtuesit e shumtë.

Në pranverën e vitit 1881,Lidhja Kombëtare Shqiptare e Prizrenit, do të shënonte epopetë më të mëdha në historinë luftarake të saj, kur nën komandimin e Dervish pashës ushtritë osmane, të rreshtuara në dy drejtime, filluan sulmet më të ashpra, kundër forcave shqiptare të vendosura në Slivovë dhe Shtime. Sprova e parë me ushtritë osmane të cilave ballë për ballë dhe trimërisht do t'u kundërvihej trimi Mic Sokoli, ndodhi më 20 prill të atij viti në Slivovë, ku heroi ishte vendosur me bashkëluftëtarët e tij, dhe qëndroi si dragua deri në vetëflijim.

Pra, njëri nga emrat më të ndritshëm, që vazhdon të shkëlqejë pafundësisht me heroizëm, për realizimin e qëllimit më madhor të kombit, gjithandej trojeve tona etnike, ishte dhe mbetet kryetrimi legjendar, Mic Sokoli, djali i parë i Sokol Ramës, i lindur më 1839, në Fang të Bujanit dhe mu në zemrën e Malësisë së Mirë.

Njëjtë si babai Sokol Rama edhe xhaxhai i tij, Binak Alia, ishin ndër prijësit kryesorë të kësaj treve. Ata organizuan dhe udhëhoqën me sukses disa nga kryengritjet më të mëdha të kohës, kundër pushtuesve osmanë dhe konstruksioneve të tyre politike, të ashtuquajtura Reforma të Tanzimatit, të cilat nuk sillnin asgjë të mirë për popullin tonë, përveç rritjes së taksave, varfërimit të pafund dhe rekrutimit të detyrueshëm ushtarak të të rinjve shqiptarë, për syrgjynosje shumëvjeçare nëpër vendet të huaja, të largëta e të përhumbura të Perandorisë Osmane, nga të cilat shumë sish nuk arrinin të ktheheshin më kurrë gjallë në atdhe.

Sipas të dhënave historike, Mic Sokoli u flijua heroikisht më 22 prill të vitit 1881, në Slivovë të Shtimes, në luftë kundër ripushtimit osman të trojeve tona kombëtare. Ai ra në mënyrën më sublime të mundshme, duke i vënë gjoksin e tij burrëror, grykës së topit të ushtrisë së Dervish pashës.

Mici jo vetëm se vinte nga një familje e njohur atdhetare, por ishte edhe njëri ndër prijësit dhe luftëtarët më të shquar e legjendarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai, edhe njohjen me luftën dhe tymin e barotit, do t'i përjetonte shumë i ri, qysh në moshën 6-vjeçare. Ishte koha kur, në vitin 1845,Krasniqja e prirë nga Binak Alia dhe babai i Micit, Sokol Rama, organizuan dhe udhëhoqën me sukses luftën e mijëra malësorëve për mbrojtjen e Bujanit dhe gjithë Malësisë Kreshnike, nga mësymjet e tërbuara osmane.

Vrasja e babait të Mic Sokolit

Sokol Rama dhe xhaxhai i tij, Binak Alia i Krasniqes së Madhe, siç u tha edhe më lart, njiheshin për qëndresë të fortë kombëtare dhe beteja të vendosura kreshnikësh, kundër shtypjes, robërisë dhe padrejtësive osmane. Në mënyrë të veçantë, ata kundërshtonin rritjen e taksave, rekrutimin e të rinjve, si dhe zullumet tjera perandorake ndaj shqiptareve, për mes të ashtuquajturave Reforma të Tanzimatit.

Në ato kohë të vështira, sipas tregimeve të Rrustem Bajram Mulosmanajt, në dokumentarët kushtuar Mic Sokolit dhe Kullës së tij, Mici ishte në moshën 13- vjeçare, kur çaushi turk, (Faruku) do t'ia vriste babain, Sokolin, duke e lënë atë jetim, që në moshën fëmijërore. Sipas po të njëjtit rrëfim, në dokumentarin e lartcekur, Mic Sokoli pati edhe dy vëllezër më të vegjël, Rrustemin dhe Miftarin, të cilët do të rriteshin nën kujdesin e nënë Galës dhe xhaxhait, Binak Alisë.

Në fakt, babai i Micit, Sokoli ishte djali i vëllait të madh të Binakut, i njohur me emrin Ramë Alia. Pas vrasjes së Sokol Ramës, Binaku jo vetëm se do të kujdesej për Micin, por si fëmija më i madh që ishte, do ta merrte kudo me vete, nëpër ndeja dhe tubime burrash, duke e rritur dhe edukuar atë në frymën më të mirë atdhetare, me idealin burrëror të qëndresës, besnikërisë dhe luftës së paepur kombëtare për çlirimin e Atdheut.

Madje edhe mëkimi i tij nga Lokemadhja, me tregimet për luftërat e zhvilluara nga të parët dhe historitë e shkëlqyera të trimërive të stërgjyshit Dash Sokolit, si dhe i frymëzimi me heroizmat shqiptare, gjithandej, që përcilleshin të përjetësuara në këngët me lahutë e çifteli nga rapsodët e moteve, e kalitën Mic Sokolin me trimëri dhe e bënë atë njërin ndër luftëtarët më të shquar dhe më të paepur kombëtar.

Sprovën e parë luftarake me pushtuesit osmanë, Mici do ta përjetonte që në moshën 15-vjeçare, dy vjet pas rastit tragjik të humbjes së babait, kur provoi të hakmerrej kundër çaushit osman, për vrasjen e babait të tij. Ndërsa kalitjet e vërteta për luftërat dhe përpjekjet e ardhshme ai do t'i përvetësonte me  pjesëmarrjen e tij në komitën e Sefë Koshares, që atëbotë vepronte në Malësi.

Beteja e parë, në të cilën Mic Sokoli mori pjesë, ishte ajo e vitit 1855, kur hordhitë malazeze do të vërshonin bjeshkët e Malësisë. Megjithëse, atë kohë Mici ishte i ri dhe vetëm në moshën 16-vjeçar, ai do t'i nxirrte malësorët nga rrethimi dhe grabiste malazezve edhe flamurin. Ky akt trimërie e guximi do ta shndërronte atë në prijës të kryengritësve, pasi që edhe sipas traditës, luftën mund ta udhëhiqte ai, i cili arrinte jo vetëm ta mundte armikun, por edhe t'ia rrëmbente atij flamurin në fushëbetejë.

Largimi i Micit nga Malësia

Në luftën e lartcekur, gjatë përballjes me kundërshtarët, sipas disa të dhënave nga libri i Sylejman Krasniqit, mbi jetën dhe veprën e heroit Mic Sokoli, për një çast, ai do të rrethohej nga një grup sulmuesish malazezë. Me atë rast, i gjendur aty afër në çastet më kritike, si luftëtar me përvojë që ishte, Micit me të shpejtë, do t'i vinte në ndihmë prijësi i Gashit, Ali Ibra. Pas këtij akti, Mici do t'ia falte gjakun e të atit, Ali Ibrës, vendim me të cilin nuk do të pajtohej edhe fisi i vet, paria e të cilit do ta detyronte heroin të largohej nga Malësia.

Sipas shkrimeve në librin e lartcekur, fillimisht, ai do të vendosej në fshatin Dardan i poshtëm, i cili duhet të ishte Krusha e Vogël, ku thuhet se gjendej edhe varri i stërgjyshit të tij emërmadh, Dash Sokolit. Pas një kohe ai do të vendosej në qytetin historik të Lidhjes Shqiptare, te atdhetari i Kombit, Ymer Prizreni, derisa një ditë, do ta vriste një tregtar të pasur dhe largohej nga aty, për të kaluar te Haxhi Zeka, në Pejë.

Por as në këtë qytet, Mic Sokoli nuk mundi të qëndronte gjatë, sepse edhe atje do të eliminonte funksionarë e ushtarë osmanë. Për këtë arsye, ai do të detyrohej që, në moshën 18-vjeçare, të dilte maleve për të bërë jetën e komitit, në çetën e Sylejman Vokshit. Aty do ta përvetësonte edhe më mirë përvojën ushtarake dhe artin e vërtetë luftarak.

I lindur për luftëra të mëdha dhe i kalitur për përballje heroike, Mic Sokoli do të bënte emër si pjesëmarrës aktiv i të gjitha përpjekjeve kombëtare, kudo që ato zhvilloheshin, për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Nga fundi i vitit 1862 Mici i ri do të kthehej në vendlindje. Ishte koha, kur Malësia u  sulmua përsëri nga forcat e Maxhar Pashës. Në luftë kundër tyre, Mici do të dëshmonte trimëri dhe vitalitet të pa shoq, duke shkatërruar me shpejtësi të gjitha urat mbi ujin e rrëmbyeshëm të Valbonës, si shkak i shirave të vjeshtës. Kështu, ai ua mbylli pushtuesve osmanë të gjitha shtigjet e mundshme nga mund të kalonin, në mënyrë që ata të mos hynin dot në vendlindje dhe Bujanin e tij historik.

Pra, ishin kohët, kur trojet tona etnike u bënë  pre dhe lakmi, jo vetëm e Perandorisë Osmane, por edhe e shteteve hegjemoniste fqinje. Ato nuk i pushonin sulmet, për shkëputjen e ndonjë cope të Atdheut, sa andej e sa këndej, duke e mësyrë atë pareshtur dhe nga të gjitha anët. Ndaj, Micin do ta shohim në të gjitha betejat e asaj kohe. Kudo që mori pjesë, ai do të shquhej për trimëritë e tij dhe do të dallohej si luftëtar i zoti e udhëheqës sypatrembur, gjithandej trojeve tona.

Lidhjes së sapo-formuar të Prizrenit, i duheshin pikërisht luftëtarë si Mic Sokoli, për kryerjen me sukses të operacioneve ushtarake, mbrojtjen e Atdheut, në çdo cep të tij dhe çuarjen përpara të Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Ndaj, që në fillimshtatorin e vitit 1878, në kuadër të degës së Lidhjes për Gjakovën dhe rrethinat e saj, ajo do ta dërgonte Micin me bashkëluftëtarë, kundër mareshalit osman, Mehmet Ali pashë Maxhari, i cili kishte zbarkuar aty në emër të vendimeve të Kongresit të Berlinit me detyrën e dorëzimit të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi.

Por, i ndjekur nga forcat e Lidhjes, mareshali otoman do të gjente strehim në Kullën e Avdullah pashë Drenit, mikut të tij nga Gjakova, i cili megjithëse edhe vetë ishte shqiptar dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Prizrenit që nga formimi i saj, tradhtoi rëndë interesat e Kombit, përkundër vërejtjeve të Lidhjes, duke marrë në mbrojtje mareshalit otoman.

Ndaj, kjo edhe u bë shkas, që rreth kullave të tij të zhvilloheshin luftime të rrepta, ndërmjet dy taborëve shqiptare.

Kështu, pas tri ditë e net beteje të përgjakshme, do të vritej mareshali Mehmet Ali Pashë Maxhari, si dhe qindra luftëtarë, nga të dyja palët. Megjithatë, përkundër gjaknxehtësisë së Micit dhe rënies së shumë bashkëluftëtarëve të tij në këtë betejë, edhe pas vrasjes së mareshalit osman dhe mundjes së mbrojtësve të tij, sipas dr. Skënder Rizës, me porosi të Lidhjes, luftëtarët shqiptarë do të përmbaheshin nga hakmarrja.(Skënder Rizaj, "Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze, 1877-1885", Prishtinë 1978).

Por, vetëm 10 ditë pas vrasjes së Maxhar pashës, nga spiunë të shteteve, si Rusia, që nuk ua donin të mirën shqiptarëve dhe e shihnin me shqetësim ringjalljen etnike të tyre, gjë të cilën Lidhja e Prizrenit, me platformën e saj kombëtare, e kishte sjell në jetë, papritmas, në Prizren do të plagosej njëri nga udhëheqësit më të shquar i saj, heroi Ymer Prizreni.

Në librin e Sylejman Krasniqit, kushtuar jetës dhe veprës së Mic Sokolit, në faqet 475-477, thuhet se dy persona të panjohur iu afruan ndërtesës së Lidhjes dhe e plagosën Ymer Prizrenin. Po atë natë, u njoftuan Sylejman Vokshi dhe Mic Sokoli, të cilët ende gjendeshin në Gjakovë. Me të arritur në Prizren, Mici donte t'i bënte "rrafsh" të gjitha konsullatat e huaja, sikur mos ta ndalonte Sylejman Vokshi. Mendimi i tij ishte që; së pari, të kontrolloheshin vendet e dyshimta.

Ndaj, që në mëngjesin e ditës së nesërme, nga forcat vullnetare të Lidhjes, do të kapeshin tre spiunë të zëvendës-konsullit rus, Ivan Kuriakoviqit. Ata ishin paguar nga ai personalisht dhe strehuar, me porosinë e tij, në kishën ortodokse serbe. Kurse shtatë të tjerë, gjithnjë sipas shënimeve në faqet e lartcekura të librit "Mic Sokoli", u gjetën në tavanin e komandës së xhandarmërisë osmane, në atë qytet, të cilët do të pushkatoheshin pa procedura të stërzgjatura, me t'u kuptuar qëllimi i ardhjes së tyre në Prizren.

Si kuadër i shquar i Lidhjes së Prizrenit, Mic Sokoli mori pjesë, jo vetëm në sulmet kundër Mehmet Ali Pashë Maxharit, në Gjakovë dhe qërimin e spiunëve e atentatorëve të huaj, të cilët provuan ta vrisnin kryetarin e Lidhjes në Prizren, por edhe në betejat për mbrojtjen e kufijve veriorë të vendit, nga serbo-malazezët, që nga Tregu i Ri (Novi Pazari), Rozhaja, Plava e Gucia dhe gjithandej, ku rrezikoheshin tokat tona, nga vërshimet sllave.

Heroi ynë do të shkëlqente edhe në luftimet e Nokshiqit, si dhe në të gjitha përballjet e zhvilluara, për mbrojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Tuzit e vendeve të tjera të Shqipërisë Etnike, nga mësymjet e forcave pushtuese malazeze. Qysh me fillimin e sulmeve në Nokshiq, për ta thyer mbrojtjen shqiptare në atë pjesë dhe për të hyrë në Plavë e Guci, në luftimet e 4 dhjetorit 1879, Mic Sokolin do ta shohim në radhët e para të asaj beteje, e cila do të shtrihej nga Nokshiqi deri në Velikë, me ç'rast mbrojtësit shqiptarë do t'i shkatërronin plotësisht forcat pushtuese malazeze.

Ushtarët e Lidhjes, me shtabin e kryesuar nga Jakup Ferri, pas kalimit të forcave malazeze mbi Lumin Lim, në tokat tona kombëtare, të cilat udhëhiqeshin nga Mark Milani, do ta shkatërronin urën e vetme mbi lum dhe dëmtonin të gjitha barkat për kalimin e tij.

Ata arritën që t'i rrethonin dhe asgjësonin, gati tërësisht, forcat e Mark Milanit,të cilin thuhet se vetëm kali do ta shpëtonte, për qafën e të cilit ishte lidhur, duke e tërhequr nëpër ujin e ftohtë të lumit, gjatë ikjes së tij të turpshme, i ndjekur nga luftëtarët shqiptarë.

Të dëshpëruar me humbjen e betejës së parë, nga 7 gjerë më 9 janar të vitit 1880, forcat pushtuese malazeze do ta përsëritnin sërish sulmin për marrjen e Plavës dhe Gucisë. Nga pala shqiptare, luftimet do t'i udhëhiqte Ali Pashë Gucia. Ndërsa, për guxim të pashoq, edhe kësaj radhe do të dalloheshin trimat nga Malësia, si Mic Sokoli e Ali Ibra. Kurse luftëtarët shqiptarë, të udhëhequr nga trima të tillë, më 8 janar të atij viti, do t'i shkatërronin tërësisht forcat pushtuese malazeze.

Po ashtu, edhe më 22 prill të vitit1880, Mic Sokolin do ta shohim në luftën e Hotit dhe të Grudës, kundër ofensivave malazeze. Sipas dr. Aleks Budës, mbrojtjen e tyre e udhëhoqi Hodo Sokoli, i cili mbante gradën e kolonelit në xhandarmërinë perandorake. Me atë rast, luftëtarët shqiptarë korrën edhe një fitore të madhe në mbrojtjen e tokave të tyre, duke i mundur forcat malazeze dhe detyruar ato që të tërhiqeshin, deri në Podgoricë.(Aleks Buda, „Shkrime Historike-2",Tiranë 1986, faqe 184).

Përveç sukseseve kundër pushtuesve hegjemonistë malazezë, më 4 janar të vitit1881, forcat e Lidhjes do ta çlironin nga pushtuesit osmanë edhe Shkupin, kryeqytetin e vilajetit të Kosovës.

Ndërsa më 18 janar Mic Sokoli edhe një herë do të dëshmonte trimërinë e tij, në krye të 3000 luftëtarëve të gardës, me sulmin nga Gërmia kur bashkë me luftëtarët tjerë të Lidhjes Shqiptare, po atë ditë, çliruan Prishtinën, kurse më 25 Janar Mitrovicën, si dhe qytetet tjera më të mëdha të vilajetit, rast pas të cilit, sipas dokumenteve historike, tre muaj më vonë ushtria osmane do të ndërmerrte një ofensivë të madhe, kundër forcave të Lidhjes Kombëtare Shqiptare. ("Historia e Popullit Shqiptar-II", Tiranë,  2002, faqe 175).

Ndaj, në pranverën e vitit 1881, për ndaljen e turrit të dhjetëra mijëra trupave osmane, të cilët kishin mësyrë Kosovën, Lidhja e Prizrenit do ta vendoste Mic Sokolin, me bashkëluftëtarë nga Rrafshi i Dukagjinit dhe Malësia, në njërën nga pozicionet më strategjike të mbrojtjes. Këtu, ata edhe do të hynin në histori, për qëndresën e tyre heroike.

Forcat e armikut, duke zbuluar korridorin e fshehtë, prej nga luftëtarët shqiptarë i sulmonin ushtarët osmanë, në pamundësi që të kalonin në drejtim të Slivovës, ku përball tyre qëndronin burrërisht trimat e Kombit me Mic Sokolin në krye, do të fillonin goditjet me artileri malore, mbi pozicionet e mbrojtësve shqiptarë, duke u shkaktuar atyre humbje të mëdha.

Rënia heroike e Mic Sokolit

Siç dihet nga të gjithë shqiptarët, beteja kryesore, me të cilën u përjetësua heroi Mic Sokoli, do të zhvillohej më 22 prill të vitit 1881, në vendin e quajtur Slivovë, ku u zhvilluan luftimet më të ashpra në mes të trupave kombëtare të Lidhjes dhe hordhive pushtuese aziatiko-osmane. Aty, ai do të bënte aktin më sublim, të një heroi të papërsëritshëm e legjendar, duke hyrë trimërisht në dyluftim, jo vetëm me ushtarë e oficerë të pushtuesit shekullor, por edhe me njërin nga topat e artilerisë malore të ushtrisë osmane, i cili u shkaktonte shumë dëme bashkëluftëtarëve të tij.

Pasi kishte hetuar se shtegu i tyre i fshehtë, prej nga ata sulmonin forcat e Dervish Pashës, ishte zbuluar dhe bërë cak i sulmeve me topa të artilerisë osmane, Mici me disa bashkëluftëtarë do të turreshin drejt kodrës, ku ishte vendosur artileria e armikut. Madje, vendosmërinë për t'i shkuar trimërisht, deri në fund luftës dhe për ta mbaruar heroikisht përballjen me asqerinë osmane, sipas këngës popullore, Mici pa fije droje, do t'ia shprehte edhe vetë mbretit:

Mic Sokoli vesh jelekun,
Hip në tel, kuvend me mbretin:
Do ta djegë ty, mbret, asqerin,
Se na e prishi Pasha vendin!...

Në mungesë të municionit, që po u mbarohej dhe pamundësisë për kundërvënie me armë të njëllojta, ai me guxim të pashembullt do ta mësynte vetë edhe topin e tyre. Kështu, Mici do të matej personalisht edhe me atë përbindësh të hekurt, në dyluftimin trup më trup, siç diti të bëhej shembull vetëm ky hero. Kjo përpjekje legjendare do ta përjetësonte heroin, për shëmbëlltyrën e tij të papërsëritshme dhe trimërinë e paparë kurrë më parë, deri atëherë.

Se ç'burra të përmendur luftuan atje dhe cilët trima me zë, nga Malësia, ranë heroikisht në përballjen për jetë a vdekje me jeniçerët e Dervish pashës, të cilëve baballarët e tyre edhe pse nuk lanë vend pa i kërkuar, as varret nuk mundën t'ua gjenin, e shpjegojnë më së miri këta rreshta të këngës popullore:

A mi patë Smajlin e Micin
Fyt e më fyt, than me Dervishin
Na ka pre ai Smajl Mehmetin,
Hup' e tretë Smajl Hysenin;
Fort po e lyp' atë baba i vet,
I shploi vorret, por nuk e gjet!...

Ndaj, me gjithë shtat plagët, që Mici kishte marrë në trup, gjatë marshimit drejt artilerisë osmane, gjakut që i kullonte dhe fuqitë e dërmuara, që sa vinin e i rëndoheshin nga goditjet e pareshtura të plumbave të pushtuesit, ai do t'ia zinte grykën topit osman, me gjoksin e tij prej malësori, i cili me energjitë e fundit, si të një dragoi mitik, përbindëshin që villte zjarr e hekur mbi shqiptarë, kishte mundur ta shtynte në greminë dhe "ekzekutonte" me vetpëlcitje.

Me atë rast, osmanët e tmerruar nga frika, do ta tërhiqnin këmbëzën me litar dhe predha, e sapo-vendosur në grykën e tij, do të eksplodonte në vend dhe shkatërronte jo vetëm topin, por do të vriste edhe ushtarët osmanë, përreth.

Mungesa e trimave, do t'u binte shpejt në sy të gjithë bashkëluftëtarëve. Madje, siç thuhet në këngë, babai i Smajl Hysenit, pasi që trupi i të birit, bashkë me atë të Mic Sokolit, ishin copëtuar nga shpërthimi i topit, tanimë, të shkatërruar osman dhe ai me gjithë hapjen e të gjitha varreve, nuk kishte mundur ta gjente askund të birin as Micin e vdekur, do t'i bënte thirrje Bajraktarit, që t'i mblidhte burrat dhe t'i përhapte malit, për gjetjen e trimave, ku ata kishin rënë duke luftuar trimërisht:

Hysen Smajli i hipi atit,
Fort po i thërret Bajraktarit:
Mblidhi burrat e shkepi Malit!...

Man Avdia, bajraktar i atëhershëm i Krasniqes, do t'u drejtohej pjesëtarëve të fisit, që luftonin krah për krah me heronjtë e asaj beteje të madhe, për gjetjen e Mic Sokolit dhe Smajl Hysenit, të cilët që me kohë, e dinin se ata ishin nisur, të flijoheshin në dyluftim me Dervish Pashën:

Man Avdia e pyet fisin:
Mos m'i patë Smajlin dhe Micin?
Fyt e më fyt, thanë, me Dervishin!...

Me këtë akt të pashembullt, duke rënë edhe vetë heroikisht, Mic Sokoli do të fitonte pavdekësinë përgjithmonë dhe kthehej në mit heroizmi të papërsëritshëm, për të gjitha kohët nga atëherë e deri më tani, në gjithë historinë tonë kombëtare.

Vetëm Mici me shokë, arriti që edhe topin e pushtuesve osmanë, ta bënte të heshtet nga vetëpëlcitja, shpërthimi i fuqishëm i të cilit kishte copëtuar trupin e heroit dhe vrarë grupin e bashkëluftëtarëve të tij.

Njëri prej tyre, mendohet se ishte Smajl Hyseni, nga ata që e përcollën heroin, deri te bateria e artilerisë osmane. Të gjithë këta luftëtarë trima u vranë bashkë me komandantin e tyre, Mic Sokolin.(Kristo Frashëri, "Lidhja Shqiptare e Prizrenit", Tiranë, 2012).

Mic Sokoli ishte në moshën 42-vjeçare, kur u flijua heroikisht, dhe në mënyrë të tillë të fisshme, në përballjet e rrepta për jetë a vdekje me forcat pushtuese të Dervish Pashës, pikërisht si në legjendat e moçme për mbrojtjen e  Shqipërisë Etnike, duke lënë gruan e tij të re dhe një djalë e një vajzë të pa rritur, bashkë me ëndrrën e lindur por ende të parealizuar për liri.

Me gjithë humbjen e pazëvendësueshme, akti i tij i frymëzoi të gjithë kryengritësit shqiptarë kudo. Për disa dhjetëvjeçarë, ata përtërinë dhe freskuan vazhdimisht radhët e tyre me luftëtarë dhe heronj të rinj, duke mos i pushuar asnjëherë përpjekjet, deri në çlirimin e plotë të Atdheut dhe përzënien përfundimtare të pushtuesve osmanë nga trojet e tyre amtare.

Të impresionuar nga akti sublim dhe mënyra e pa-shembullt e vetëflijimit të Mic Sokolit, këtij burri të rrallë, iu kushtuan jo vetëm shkrime e kronika të panumërta, por edhe vepra të shumta, arti dhe kulture, gjithandej trojeve shqiptare.

Heroizmi i treguar, e ngriti atë në piedestalin e legjendave më të ndritshme kombëtare, për bëmat e të cilit këngët epiko-historike ende jehojnë, gjithandej trojeve tona etnike dhe kudo ka shqiptarë. Ato, jo vetëm e përjetësuan dhe e bënë atë, të pavdekshëm, por ende e mbajnë gjallë emrin dhe veprën e Mic Sokolit, që nga ajo kohë e deri më sot.

Përveç këngëve, miteve dhe legjendave për të, shkrimtari nga Kosova,  Sylejman Krasniqi, në vitin 1979,  ka botuar një roman të papërsëritshëm, deri më tani, për jetën dhe veprën e Mic Sokolit. Atëkohë, ai është vlerësuar me "Çmimin e Republikës", në Shqipëri.

Ky burrë legjendar është përjetësuar edhe në vepra arti e pikture. Ndër to, dallohet punimi i Sali Shijakut. Aty, mjeshtri i pamjeve impresionuese me ngjyra, e lartëson trimërinë e heroit me paraqitjen e çastit më sublim, nga akti legjendar i vënies së gjoksit mbi grykën e topit osman, pikturë e cila është nderuar me shumë çmime.

Kontributi madhor i Mic Sokolit për mbrojtjen e Shqipërisë Etnike, nuk do të harrohet kurrë. Ai u bë, përgjithmonë, diell i përhershëm rrezatues, që shndritë pareshtur dhe kudo për shqiptarët. Kurse akti i tij martirizues, mbeti shembull i përjetshëm frymëzimi për të gjithë brezat, që luftojnë për liri dhe çlirim kombëtar.

Kulla e Mic Sokolit

Në vendlindjen e tij, në Fang të Bujanit, përveç historive, legjendave dhe tregimeve sublime për jetën dhe veprën e Heroit, edhe sot e kësaj dite, që nga vitet e largëta kur thuhet se ajo u ndërtua, qëndron krenare në themelet e pa lëkundura etnike, Kulla-Kala e Mic Sokolit, ku ai u rrit dhe burrërua. Si kështjellë e moteve, ajo ende ruan të freskëta kujtimet e ngjarjeve më të bujshme kombëtare, nëpër të cilat kaloi Malësia dhe shqiptarët në përgjithësi, gjatë periudhave më të vështira kohore. Bashkë me imazhin mitik të të zotit të saj, kjo Kështjellë-qëndrese, qysh nga vitet kur është ngritur me aq madhështi, mbetet e veçantë si për formën ashtu edhe për lartësinë e saj karakteristike-trekatëshe e cila dallon nga kullat tjera simotra në Malësi dhe Rrafshin e Dukagjinit, ku ato kryesisht janë dykatëshe.

Fortesa e gurtë e Heroit të Bujanit dhe mbarë Malësisë e më gjerë, megjithëse u dogj tri herë: një herë nga pushtuesit osmanë dhe dy herë nga ata malazezë, ajo kurrë nuk ra, por çdo herë u ri-ngrit dhe mbijetoi, si feniksi nga hiri i trupit të vet, e mbrujtur me kronika të pasura e të shumta fitoresh dhe dëshmi guximi e trimërie të pashembullta, që përcjellin heroizmat e malësorëve kreshnikë, ashtu siç ishte edhe vetë historia e qëndresës së pamposhtur të Malësisë dhe vepra e martirit fitimtar të Kombit tonë, Heroit Mic Sokoli.

Muret prej guri të asaj Kulle, ngritur që në fundin e shekullit XVIII, ngjajnë si kështjellat e pamposhtura , me pamjen dhe tiparet e fortifikatave vendore të Malësisë, gjithmonë kryengritëse, tanimë të kthyera në fortifikata historike dhe objekte kulti e shtëpi muzeore që flasin me fakte mbi vitet e lavdishme të këtij populli.

Ato qëndruan të palëkundura, para të gjitha goditjeve të pareshtura të armiqve të ndryshëm ndër më të egërit, nëpër kohë, duke i përballuar stoikisht sulmet e cilitdo pushtuesi të  huaj. Madje edhe në vitin 1862, kur Maxhar pasha do ta gjuante atë me predhat e topave "krup", të cilët numëroheshin si armët më moderne artilerike të kohës, mureve të saj, as ai nuk mundi t'u shkaktonte asaj ndonjë dëm për tu theksuar dhe që vlen të përmendet. Ndaj, qëndrueshmërisë mitike të kësaj Kulle historike, banorët vendës do t'i këndonin:

Kulla të forta, kullat e Fangit,
I bëjnë ballë topit Sulltanit;
Kulla të forta me harsan,
Topi i turkut s'ka çka u banë!...

Nga dyert e një Kulle të tillë, doli ky hero i ynë i papërsëritshëm kombëtar i cili në një duel mitik dhe të paparë dyluftimi, mundi edhe topin e një ushtrie nga më të mëdhatë perandorake, kur me trupin e tij prej vigani i zuri frymën, e bëri të pëlcasë në vend dhe të heshtë, përgjithmonë.

Kulla e Mic Sokolit nuk është e njohur vetëm për traditat atdhetare të brezave, që rriti. Por ajo çmohet e kujtohet edhe për tubimet historike të burrave të Malësisë, si dhe kuvendet e udhëheqësve të njohur të kryengritjeve kombëtare, që ata organizuan për çlirimin nga pushtuesit osmanë dhe mbrojtjen e tokave të Atdheut, nga synimet e shteteve hegjemoniste fqinje, të cilat synonin pushtimin dhe copëtimin e tyre.

Ndaj, me të drejtë, si për vlerat e larta historike, kulturore dhe kombëtare që ajo ka, ashtu edhe për bëmat e të zotit të saj, Kulla e heroit Mic Sokoli, si njëra nga 11 monumentet më me rëndësi në rrethin e Tropojës, është shpallur objekt i mbrojtur historik, nga Instituti i Monumenteve të Kulturës Kombëtare.

Sipas shpjegimeve të Rrustem Mulosmanajt, me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në vitin 1978, kjo kështjellë qëndrese do të restaurohej me një kujdes të veçantë dhe një përpunim të pasur arkitektonik, duke i dhënë asaj origjinalitetin e kullës së fortifikuar të Malësisë, në të cilën janë vendosur stenda me eksponate muzeore, objekte historike, si dhe relikte të familjes dhe vet Heroit Mic Sokoli.

Të gjitha këto argumente na ofrojnë edhe më shumë me Malësinë dhe kullat e saj tipike, siç na njohin më për së afërmi edhe me jetën e veprën heroike të Mic Sokolit. Ekzistenca dhe ruajta me kujdes e këtyre relikteve kombëtare, na njeh edhe me jetën e trimave tjerë të shquar të Krasniqes së Madhe, Gashit, Bytyçit dhe gjithë Malësisë, si dhe me përpjekjet e pareshtura që zhvilluan burrat e saj, për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtuesit e huaj, pa kursyer as veten e tyre.

Sipas emisionit dokumentar, kushtuar Mic Sokolit dhe Binak Alisë, kjo Kullë ka mbi 90 frëngji të ndryshme: dyshe dhe treshe, të shpërndara në të katër anët e mureve të saj. Fakt i cili dëshmon më së miri se ajo, që nga themeli e deri në çati, gjatë gjithë ekzistencës së saj, shërbeu edhe si kala e pamposhtur lufte, në përballje me armiqtë e shumtë.

Këtë Kullë, thuhet se e ngriti babai i Micit, Sokol Rama dhe e ndërtoi atë aq të fortë, sa që të mos kenë çfarë t'i bëjnë as goditjet e topit. Madje, sipas piktorit Avdullah Gjongecaj, mbi dyshemenë me dërrasa të Kullës, shtruar me mbulesa të trasha, anash saj, janë të vendosur jastëkë (karakteristikë), të cilët kanë strukturë dhe pamje të kulturës mijëvjeçare hasjane. (Shoqata Atdhetare "Dukagjini", Grupi i veprimit lokal, "Bjeshkët e Namuna", në Festën e Gështenjave).

Pra, në këtë Kullë-Kala, u rrit dhe edukua heroi ynë kombëtar, Mic Sokoli, vepra kolosale e të cilit bëri që t'i këndohen përjetë këngë, të shkruhen kujtime dhe të thuren historitë më të ndritshme luftarake për të. Gjithashtu, me aktin heroik të tij, Mici vërtetoi se edhe betimin kombëtar të dhënë për mbrojtjen e Atdheut, e çoi me besnikëri deri në vend, ashtu siç vazhdon ta dëshmojë përjetshëm edhe kënga kushtuar veprës më sublime të këtij Heroi:

Mic Sokoli,  n'dy tagana,
Rruga e mbar', i ka thanë nana,
Lufto bir, ti, për Shqipni,
Mos le turqit këtu me hi!
Mic Sokoli ni fjalë p'e e flet,
Po i thotë' nanës, ti, mirë mbeç,
Se pa u farue Malësia krejt,
Këtu nuk hynë, krajl as mbret!...

* * * * *

Burimet:

1. "Historia e Popullit Shqiptar-II", Tiranë,  2002, faqe 175
2. Sylejman Krasniqi, "Mic Sokoli", 1978, Tiranë
3. Libri "Krijuesit e Historisë", Prishtinë, 2012
4. Kristo Frashëri, "Lidhja Shqiptare e Prizrenit", Tiranë, 2012
5. Rexhep Dedushaj, "Krahina e Plavë-Gucisë në shekuj", Nju Jork, 1993, faqe 116.
6. Aleks Buda, „Shkrime Historike-2", Tiranë, 1986, faqe 184
7. https://www.shqiperia.com, „Betejat e fundit te Lidhjes dhe shtypja e saj" (prill 1881)
8. "Kulla e Mic Sokolit, në Bujan, Tropojë-Shqipëri" (www.youtube.com/watch?v=hPf237y3unc)
9. Kulla e Banak Alisë dhe Mic Sokolit, në Bujan"(www.Youtube.com /watch)
10. "Tradita e banesave të veriut: Kullat, historia që po zhduket", (Shqiptarja.com/ 09 shtator 2014)
11. Shoqata Atdhetare "Dukagjini", Grupi i veprimit lokal "Bjeshkët e Namuna", në Festën e Gështenjave.
12. Wikipedia.

Gani Qarri-Zyrih

 



Komente   

 
+6 #2 Përshëndetje z.Musaj!Autori 2015-04-25 20:32
I nderuari miku im, Selim, falënderimet më të përzemërta, për gjithë përkrahjen dhe sqarimet e mrekullueshme, shtesë, që bëni në çdo komentu tuajin. Sigurisht, çdo autor, do ndjehej mirë dhe i nderuar, me shprehje të tilla kaq të zgjedhura dhe tejet frymëzuese, si këto që dini ti bëni vetëm Ju. Shëndet, jetë të gjatë e plot suksese dhe gjithë të mirat miku im i nderuar!
Respekt!
Quote
 
 
+5 #1 Heroi Mic SokoliSelim Musaj 2015-04-25 19:18
Pershendetje te perzemera miku Gani Qarri.. E lexova me nje fryme kete punim,.-qe pa ndrojtje mund ta quaj kryeveper per heroin Mic Sokoli.. Si nip i njerit prej luftetarve te tij, Ahmet Zeneli, i cili ra ne mbrojtje te trojeve etnike nga shkjau serbomalazez,..dua te uroj: -Te punofte mendja e dora edhe per shume vite ne sherbim te zbardhjes sa me mire te historise se lavdishme te popullit malesise se gjakoves per mbrojtjen nga armiq te shumte.
Quote
 

Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm