Menu

Lush Bytyqi, atdhetar dhe idealist i dinjitetshëm

User Rating:  / 3
PoorBest 

Lush Bytyqi 1948 - 2005

Kush e di për të satën herë, me dhembje kisha dëgjuar, se si ai vuajti aq shumë. U burgos e maltretua gjatë kohës së okupimit disa herë barbarisht, nga policia pushtuese e Serbisë, u sëmurë nga keqtrajtimi fizik e psikik i tyre dhe nuk mundi të shërohej më kurrë.

Megjithatë, përkundër të gjithave sa përjetoi, ky burrë mbeti gjithmonë i fortë e i pathyeshëm dhe nuk u dorëzua asnjëherë para okupatorit as atyre që e tradhtuan! 

Nga pozicioni që ai asokohe mbante, ndihmoi veprimtar politik, aktivist kombëtar e patriot të denjë, të përndjekur politikisht nga sistemi pushtues dhe bashkëpunëtorët e okupatorit serb.

Liroi të arrestuarit të cilët i sillnin të prangosur për aktivitete liridashëse anti-serbe dhe anti-jugosllave, hapi shtigje dhe trasoi rrugë për veprimtarinë e tyre liridashëse, liroi vet si dhe ndikoi edhe tek të tjerët, te gjykatës e prokuror kudo mundej e arrinte, për lirimin e atyre që angazhoheshin me gjithë zemër, për ngritjen e statusit politik të Kosovës dhe çuarjen përpara të çështjes shqiptare.

Koha përfundimisht dëshmoi, se qëndrimi burrëror i tij dhe veprimtaria e pastër atdhetare, ishin art më vete bashkë me aktet tjera të shenjta e të pa harruara patriotike të Lush Bytyqit, vlera e të cilave jo vetëm se duhet të ruhet e çmohet lartë, por edhe të mos harrohen, mohohen as injorohen, asnjëherë dhe në asnjë kohë.

Në dekadën e parë të pasçlirimit, me zhurmën shurdhuese dhe pompozitetin fals që u bënin bëmave të veta, disa nga të ashtuquajturit heronj të pasluftës, kishin vendosë gjithkund atmosferë diktati, grabitë komplet historinë dhe marrë mbi vete çdo heroizëm e lavdi, duke mos pranuar përmendje emrash të tjerë as lejuar që të citohen veprat e dikujt tjetër.

Sado që vitet kalonin, koha nuk e shuante falënderimin deri në pafundësi për veprën atdhetare dhe të gjitha ato sa Lushi në motet më të vështira bëri për shqiptarët.

Ballafaqimi në momente të vështira me të, kur ai e dëshmoi veten në vepër se ishte atdhetar i njëmendët, më shtyu që të kërkoja ndonjë tekst, fotografi, deklaratë a shkrim publicistik mbi jetën dhe veprën e Lushit, të paktën ndonjë të dhënë sado të shkurtër apo të kufizuar mbi bëmat e tij prej shqiptari të vërtetë, por më kot.

Çuditërisht thuaja se gati askund, nuk flitej as dëgjohej gjë për jetën dhe veprën e tij, njerëzit sikur ende druanin ta thonin realitetin edhe për ata që nuk bartnin petkun e pushtit, nuk mbanin pozita me përgjegjësi apo dhe ishin larguar tërësisht nga kjo jetë, ani pse në motet më sfiduese, ai dëshmoi patriotizmin më të çiltër, qëndrimin e pa luhatshëm kombëtarë dhe mbështetjen e pa kusht ndaj bashkëkombësve në nevojë dhe atdheut që kërkonte çlirim.

I ardhur në jetë më 20 dhjetor të vitit 1948, në fshatin Poçestë të Pejës, dhe rritur kullave të gurta dukagjinase me mitet dhe legjendat e trimërive tradicionale shqiptare, Lush Bytyqi si njëri ndër kuadrot më të mirë dhe më atdhedashës, u ngrit shpejtë edhe në gradime profesionale dhe mori pozicionet udhëheqëse me rëndësi, në njësitë e atëhershme të sigurisë për Kosovë.

Madje, profesioni as uniforma, nuk e ndryshuan atë si person, nuk ndikuan në qëndrimin kombëtar të Lushit, as atë korrekt e njerëzor të tij, të cilat ishin dhe mbetën kurdoherë pro-shqiptare dhe margaritar lavdie për çdo kohë.

Për aq më tepër, ballafaqimi me padrejtësitë që u bëheshin  shqiptarëve, nga sistemi i kohës, tek ai rriti dhe forcoi edhe më tepër ndjesinë kombëtare dhe urrejtjen ndaj pushtuesit. 

Pozitën në të cilën atëbotë e solli profesioni, Lushi jo vetëm se nuk e shfrytëzoi asnjëherë, për përfitime personale a familjare, e as për të “nënvlerësuar” origjinën, shoqërinë e popullin që i takonte, por si patriot që ishte, ai qysh nga fillimi, prioritet pati gjithmonë çështjen kombëtare, mbajti  qëndrim të denjë atdhetar dhe bashkëjetoi me fatin tragjik të popullit të vet të shumëvuajtur nga mbarë Kosova.

Krejt këto, nuk kaluan pa sprova të mëdha dhe sfida të mundimshme, ndaj vetëm personaliteti i pathyeshëm dhe formimi i dinjitetshëm kombëtar i Lush Bytyqit, i ndihmuan atij të qëndronte i fortë dhe tejkalonte me sukses çdo të papritur e peripeci.

Shërbimi në Rogovë të Hasit

Me vendimin e atëhershëm të organeve  për siguri të Kosovës, në aksionin e zëvendësimit të kuadrove të vjetra të cilat njiheshin për vrazhdësi kundër shqiptarëve të cilët me këmbëngulje pengonin freskimin me kuadro të reja të shkolluara në Kosovë dhe bllokonin çdo reformë në njësitë e sigurisë, megjithatë nga viti 1980, në vend të udhëheqësit të vjetër-uar edhe për nga mosha, Fazli Krasniqit, komandant i njësisë policore në Rogovë të Hasit, do të emërohej i riu, Lush Bytyqi.

Atëbotë, edhe pse ai ishte vetëm 32 vjeçar, si kuadër i dalluar dhe i ardhur nga fryma e re në radhët e policisë shqiptare, punoi me shumë përkushtim, dinjitet e devotshmëri të pashoqe kombëtare, deri me përjashtimin e tij nga puna më 1990, kur falangat e Millosheviqit, morën pushtetin mbi Kosovë.

Ardhja e tij në krye të kësaj njësie, për herë të parë në gjithë historikun e ekzistencës së saj, ndryshoi çdo gjë për të mirë.

Ai jo vetëm se ndërroi mënyrën e drejtimit dhe formulën e udhëheqjes, por i dha fund edhe trajtimit çnjerëzor të bashkëkombësve, siç veprohej më parë nga dashamirët e sistemit jugosllav dhe bashkëpunëtorët e Serbisë.

Që në fillim të punës së tij, Lushi shpejtë dhe me vendosmëri, ndërmori dy vendime me rëndësi jetike për banorët vendor:

1. Ndaloi qysh në ditët e para veprimtarinë spiunuese ndaj bashkëkombësve dhe mënjanoi kështu edhe përçarjet ndër-shqiptare të cilat për dekada me radhë, vetëm sa ishin trashur dhe bërë mollë sherri në trojet tona të pushtuara.

2. Shkatërroi rrjetin e spiunëve shqiptar, të organizuar që nga koha e Rankoviqit dhe forcuar e lënë trashëgim prej komandantëve shqipfolës pro-serb, si; Bajram Krasniqi, Fazli Krasniqi dhe zëvendëskomandanti Shaban Mangjolli (drenicas), të cilët jo vetëm se për kohë të gjatë, mbajtën postin e komandantëve, por edhe keqtrajtuan dhjetëra shqiptar të pafajshëm në këtë stacion policor, dhe jo vetëm aty...

Lushi edhe pse i ri në moshë, ai ishte dhe mbeti nga kuadrot e rrallë shqiptarë me poste komanduese, që edhe në ato kohë të vështira, pati guximin të merrte mbi vete gjithë barrën e përgjegjësisë, që të mos keqtrajtoheshin bashkëkombësit e vet, për shkrime parullash "Kosova Republikë", për aq sa mundej e arrinte nën kushtet e asaj kohe, lejonte veprimtarinë patriotike dhe lironte djemtë atdhetar që policët pro-jugosllav, sillnin zvarrë si irredentist e armiq të sistemit okupues për ti dënuar dhe syrgjynosë me shumë vite nëpër burgjet e regjimit okupues të Serbisë.

Si e njoha unë Lushin

Që nga ditët e para të ardhjes së tij në këtë post, të gjithë banorët shprehnin hapur kënaqësinë dhe flisnin me gëzim se si Lush Bytyqi, vërtetë po dëshmohej shqiptar i njëmendët, njeri i fjalës dhe burrë i besës i cili shqepte (dru) spiunët dhe shquhej për atdhetarizëm të lartë.

Nga patriotizmi dhe atdhedashuria i tij, pata fatin të përfitoja edhe unë, e kushedi sa të arrestuar të tjerë politik, të akuzuar për veprimtari të ashtuquajtur “irredentiste”, anti-serbe e anti-jugosllave.

Vetëm ai, guxonte që në vend se të na dërgonte në burg, gjatë bashkëbisedimit, të na gjente të “pa-fajshëm” dhe lironte në “mungesë” provash, si dhe falte veprimet tona “armiqësore”, si të ishte prindi ynë, e jo kryepolic, ndaj të gjithë ata që ranë në duar të tij, dhe njohën personalisht Lushin, kanë ruajtur kujtimet më të mira për te.

Të tillë e njoha dhe unë Lushin, që në vitin 83, kohë kur në Kosovën e pushtuar, gjaku rinor i shqiptarëve atdhetarë nuk gjente qetësi në përpjekjet për barazi kombëtare dhe ngritjen kushtetuese të Kosovës në rang Republike.

Në fakt, qetësia e kombit u prish që me ri-okupimin sllav të trojeve shqiptare, në vitin 1945, kurse pabarazia e vazhdueshme kombëtare e kushtetuese e Kosovës me pjesët tjera të federatës jugosllave, quan disa herë në shpërthimin e pakënaqësive dhe përsëritjen e protestave të pareshtura studentore.

Vazhdimësia e tyre u shfaq edhe më fuqishëm, më 11 Mars të vitit 1981, në Prishtinë, për tu zgjeruar pastaj, në muajin Prill e Maj të atij viti, anë e mbanë vendit dhe trojeve të pushtuara shqiptare kudo, që nga kryeqendra e Kosovës deri në Tetovë, Dibër e Gostivar të Iliridës!

Në fundmarsin e vitit 1983, me insistimin tim, edhe ne një grup të rinjsh nga fshati Demjan i Hasit, planifikonim që në oborrin e Shkollës Fillore të fshatit, në shenj solidarizimi me këto ngjarje historike, të organizonim një protestë sado modeste, të cilën për shkaqe kamuflimi, u detyruam ta emërtonim si manifestim kulturoro-sportiv, moto me të cilën, arritëm të merrnim edhe pëlqimin e Drejtorisë së Shkollës për mbajtjen e tyre.

Por për çudinë time, (se siç u pa më vonë, “shokët” e mi e kishin ditur që me kohë), pikërisht ditën që ne shkuam për ta informuar drejtorin e atëhershëm mbi numrin e ekipeve pjesëmarrëse dhe atë të shikuesve të mundshëm që priteshin të vinin në manifestim, ai me një dozë të papërmbajtur nervoze e stërkeqje të pakontrolluar, tejet agresiv dhe tendencioz e atakues deri në kacafytje, me arsyetimin se kishte informata të sigurta, se si unë, në shenjë solidariteti me demonstratat e pranverës së vitit 1981, tek ai kisha paraqitur një si manifestim sportiv, ndërsa në fakt përgatitja protestë "armiqësore".

Mu vërsul me akuza të papërmbajtura nga më të ndryshmet, duke më  vërshuar me emërtimet si “irredentist” armik të Serbisë dhe vëllazërim-bashkimit jugosllav, me ç`rast u nxeh aq shumë sa që kërkoi të largohesha edhe nga objekti i shkollës, gjë që unë nuk pranova ngase shkollën e konsideroja objekt shoqëror dhe jo pronë private të drejtorit.

Madje arroganca dhe qëndrimi antikombëtar i drejtorit dhe bodigardëve të tij që edhe atë ditë e “ruanin” me besnikëri, më shtynë që aty për aty t`ua rikujtova të treve, se solidarizimi me demonstratat e vitit 1981-nuk kishte ndaluar por vijonte të manifestohej kudo, ndaj edhe unë si shumica e shqiptarëve, u thash hapur se mbështesja me gjithë zemër statusin e Republikës për Kosovën.

Kaq mjaftoi që drejtori, me gjithë përgjegjësin publike për pozitën që si drejtor mbante, titullin "intelektual" në të cilin u pa se thirrej pa të drejtë dhe faktin se ne ishim fqinj, ai sikur ta kishte pritë gjatë atë moment, sa qel e mbyllë sytë, u nis me vrap drejt "Zyrës së Vendit" siç e quanim ne, në atë kohë, Zyrën e Gjendjes Civile, ku nga organet okupuese serbe, pak kohë më parë, ishin vendosur dy "Radiolidhje me frekuenca ajrore", prej nga bashkëpunëtorët e tyre besnik, lajmëronin rastet “armiqësore” të "irredentistëve" shqiptarë, siç konsideroheshin nga ata, kërkesa aktet përkrahëse për Republikën e Kosovës.

Pasi që administratori i zyrës, me arsyetimin se nuk kishte qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, nuk kishte pranuar të lajmëronte policinë, drejtori pa një- pa dy, kishte marrë vet radiolidhjen dhe më kishte lajmëruar me emër e mbiemër, në polici si autor i parullave “armiqësore” "Kosova Republikë", prishës i  rendit e qetësisë publike dhe organizator i protestave “armiqësore” që priteshin të mbaheshin në oborrin e shkollës, me insistimin tim për Republikën e Kosovës.

Në fakt u çudita shumë kur policia erdhi dhe më arrestoi vetëm mua, por jo edhe "bashkëveprimtarët" e mi, me të cilët deri më atë ditë, kot shpresoja se me ta, kishim të njëjtin qëndrim dhe ideal kombëtar.

Babai im i ndjerë, me të kuptuar se çfarë kishte ndodhur, para se të më arrestonin, më tha të mos flisja asnjë fjalë dhe as nënshkruaja kurrfarë dokumenti, lidhur me aktakuzën e ngritur nga policia, në bazë padive që spiunët e Serbisë kishin bërë, pa praninë e komandantit Lush Bytyqi, sepse vetëm për Lushin, të gjithë ishin bindur dhe kishin besim të fortë, se është shqiptar i njëmendët, mbanë qëndrim të arsyeshëm kombëtar dhe nuk bënë veprime të pa menduara mirë, ndaj bashkëkombësve të vet.

Me të arritur në stacionin policor, kuptova të vërtetën e pakëndshme se dëshmitarë të aktakuzës që më rëndonte, nuk ishin më vetëm dy bodigardët e drejtorit, por edhe dy ish “shokët” e mi, ndaj gjendja tani ishte komplikuar edhe më  tepër, ngase për ndryshim nga bodigardët e drejtorit, që nuk dinin shumë për mua, ish “shokët” e mi, dinin më tepër nga ato që bëja “ilegalisht” dhe njihnin më shumë detaje mbi veprimet e mia.

“Bodigardët” S.M. dhe S.P. arrija ti kuptoja disi, pasi që ata mezi kishin mbaruar nga një shkollë të mesme, duke marrë notat më të ulta kaluese me para e njohësi, dhe vetëm drejtori A.S. sigurisht me pëlqimin e sekretarit për arsim në komunën e Gjakovës, Bogoljub Isajlloviqit, jo vetëm se i kishte punësuar si mësues të klasave të larta në shkollën 8-vjeqare të fshatit por dhe emëruar si anëtarët kryesor të pleqësisë së asaj shkolle, të cilët vit për vit vendosnin se cili arsimtar a profesor i diplomuar, guxonte të pranohej për të punuar në shkollën e fshatit tonë.

Kurse ajo që më çudiste më së shumti, ishte fakti se përse edhe ish "shokët" e mi, më kishin tradhtuar, për të cilët kuptova se, si për A.C. ashtu edhe për K.B. në kohën sa ata, qëllimisht ishin shoqëruar me mua, kisha bërë gabimin e madh duke mos u rezervuar nga ta dhe besuar më tepër se ç ‘duhej atyre.

Madje, ata edhe kishin zgjeruar radhët e informatave të dhëna policisë, përveç atyre të thëna para drejtorit, lidhur me mbështetjen e demonstratave dhe përkrahjen e statusit të Republikës për Kosovën, duke shtuar se ato nuk ishin fjalët e vetme as veprimet e tilla të parat.

Sipas policisë, “shokët” e mi, kishin ofruar “mjaft” fakte se si, unë edhe më parë kisha bërë vepra të “dënueshme” dhe shkruar parulla me përmbajtje “irredentiste”, mbaja qëndrim armiqësor ndaj vetëqeverisjes dhe shprehesha hapur kundër bashkim-vëllazërimit me serbo-jugosllavët.

Se si, unë, kaloja net të tëra duke shkruar nëpër fshat, parullat “Kosova Republikë”, dhe në tubimet që asokohe mbante “lidhja socialiste” mbi gjendjen politike në Kosovë, deklarohesha publikisht për padrejtësitë e sistemit jugosllav ndaj shqiptarëve dhe statusin e pabarabartë të Kosovës, i cili duhej të ngrihet në rang Republike.

Ndërsa për planin mbi organizimin e protestës në oborrin e shkollës, kishin deklaruar se ishte plotësisht i saktë, i cili fillimisht do të niste si manifestim sportiv për tu shndërruar, pas thirrjeve nga ana ime, në demonstratë të gjerë, me brohoritjen e parullës, sipas tyre- “armiqësore”- Kosova Republikë.

* * * * *

Për fatin tim të keq, mu ditën që më arrestuan, në stacionin policor në Rogovë të Hasit, nuk gjendej udhëheqësi kryesor, z. Lush Bytyqi, por zëvendësi i tij i pështirë nga Drenica, Shaban Mangjolli.

Që në kontaktet e para me të, mu kujtua se sa e drejtë ishte shprehja që; Pleqtë gjithmonë thonin, se si; "Nga i miri del i keqi- nga i keqi del i miri", dhe këtë e vërtetoi vet ai, aty për aty, që në  ballafaqimin e parë me Shabanin, i cili jo vetëm se ishte ndër policët më famëkëqij, por kishte trashëguar gabimisht edhe emrin me nam historik, të Shaban Mangjollit të moçëm, ish bashkëluftëtarit të Azem Bejtës.

Shaban polici, përveç sjelljeve brutale dhe nostalgjisë së sëmurë pro-jugosllave, ishte edhe një tip me trup gorille, dhe mbi 2 metra i gjatë.

Në fillim, ai i bindur se unë tanimë isha i mbyllur, si zogu në kafaz, dhe nuk kisha se nga t`ia mbaja, veçse të pranoja çdo gjë, nisi të mi tregonte disa fletë të bardha mbi të cilat ishin të shkruara me dorë parullat; “Kosova Republikë”, pastaj më pyeste me zë të lartë e kërcënues se a ishin të miat dhe a i kisha shkruar unë ato.

Ai përsëriste në çdo të dytën fjalë, se si “shokët” e mi, tanimë kishin vërtetuar disa herë se unë jo vetëm që i kisha shkruar por edhe vendosur natën ato, nëpër shtyllat e përçuesve të rrymës elektrike në fshat, disa prej të cilave, sipas asaj që ai thoshte, ata vet i kishin mbledhur dhe dorëzuar në polici.

Ndaj më kërcënonte se pa e zgjatur shumë, unë nuk kishte nevojë të shtiresha kinse  prisja Lushin të kthehej, por duhej ta pranoja menjëherë se përveç shkrimit të parullave "armiqësore", kisha planifikuar edhe demonstratën siç më kishte akuzuar edhe drejtori, të cilën, sipas tij, vetëm falë dëshmitarëve vigjilent, (ish shokët e mi), që me të marrë vesh këtë nga unë, menjëherë kishin informuar drejtorin dhe ai organet e hetuesisë, pas të cilave policia kishte arrit ta parandalonte me kohë “këtë akt armiqësor” dhe arrestonte mua në momentin e duhur si autor.

* * * * *

Heshtja ime e nervozonte aq shumë, sa që në një çast, ai u ngrit nguli fort si bualli këmbët e tij të fuqishme mbi  tokë, dhe me të dy duart e tij të mëdha, kapi tavolinën që kishim midis nesh, e cila edhe pse me një distancë të vogël, megjithatë, ende na ndante nga njëri tjetri, e shtyu atë aq furishëm dhe me sa forcë që pati në drejtim timin, sa që po të mos isha ngritur shpejt dhe zmbrapsesha duke e mbajtur nga ana ime edhe unë me duar, aq sa mundja dhe arrija, kisha përshtypjen se nga goditja me rrethin e saj të fortë, do të mi thyente të gjitha brinjët dhe ndante trupin në dysh.

Ato çaste, më shumë se çdo gjë tjetër, dëshiroja që ai të ishte sadopak më i vogël dhe më i pa fuqishëm, se sa që në të vërtetë ishte, ngase me fuqinë e tij si të buallit të egër, jo vetëm se më mbante të mbërthyer fort për muri, por për  çdo moment më dukej, se do më ndahej fryma e binte të fikët nga mundimi.

Pa marrë parasysh se çfarë përjetoja unë, ai sa vinte e bëhej edhe më i egër deri në stërkeqje, duke më kërcënuar se po atë ditë, do të më mbyste me duart e tija të mëdha dhe nuk do të lejonte që unë të dilja më i gjallë nga stacioni policor, pa pranuar të gjitha ato që kishte spiunuar drejtori dhe dëshmitarët e tij.

Sa herë mundohesha ti zhvendosja pak duart e mpira nga dy anët e murit ku ai më kisha mbërthyer, e lëvizja qoftë edhe njërën këmbë nga shtrëngimi i tepërt, shkopi gome në dorën e tij të stërgjatë më arrinte kudo, më qëllonte derisa lodhej, shante e ofendonte dhe çirrej si i tërbuar me tërë zërin që kishte, derisa nuk ndjeja më se çfarë bëhej me mua. 

Pikërisht në ato çaste kur mendova se tanimë përfundojë çdo gjë dhe unë gjithsesi duhej të shkoja në burg, erdhi Lushi nga Gjakova, i cili që jashtë kishte dëgjuar çjerrjet dhe britmat e çmendura të Shaban Mangjollit, ndaj u fut me nguti brenda, dhe pasi më gjeti gati në gjendje gjysmë-kome, u prek edhe ai shumë, qortoi fort zëvendësin e tij pro-jugosllav për sjelljet brutale dhe e nxori jashtë si një idiot.

Edhe sot më kujtohet dhe rri përgjithmonë parasysh, momenti i veçantë, kur Lushi mu afrua ngadalë e njerëzisht dhe si për ngushëllim, zgjati dorën me ndrojtje ta vinte mbi supin tim të djathtë, por nga instinkti i frikës se edhe ai do të më qëllonte, pa-dashur lakova trupin dhe iu shmanga dorës së tij.

E vërejta se më pa me shqetësim, ofshani me dhembje dhe më tha me zë të ulët e ngadalë...mos ki frik nga unë!

Gjatë tërheqjes së kokës time në anën e majtë, ai kishte vërejtur pjesën e ënjtur në mes qafës dhe cepit të krahut tim, ndaj kërkoi në mënyrë prindërore, që ti epja dorën e djathtë, prej nga tërhoqi lartë, mëngën e këmishës time dhe pa të ënjturat tjera në të gjithë krahun të cilat kishin filluar tanimë të mavijoseshin nga goditjet e zëvendësit të tij me shkop gome.

I ndërroi pamja në fytyrë, sikur ai të ishte fajtor, dhe më pyeti me ndrojtje, nëse kisha të ënjtura të tilla edhe në pjesë të tjera të trupit.

Më solli një gotë ujë, tërhoqi tavolinën në mes dhe ofroi karrigen të ulesha, pranë tavolinës e cila deri pak më parë, gati më pat lënë në vend, që tani ulur pranë saj me duart e mbështetura mbi të, të bisedonim në qetësi me Lushin.

Mirëpo, sapo mendova se tanimë uvertura më e vështirë për mua kaloi, trokiti dera sërish me rrëmbim, ishte përsëri Shabani, me tubën e letrave që nga hutimi, kur e nxori Lushi përjashta, ai i kishte marrë ato me vete.

Ia lëshoi i nervozuar mbi tavolinë, dhe si me qortim i tha Lushit; na shihi krejt se çfarë ka bërë ky irredentist dhe armik i vëllazërim bashkimit.....

Lushi ua lëshoi një sy dhe vendosi mbi to fletoren e tij, në të cilën kush e di se çfarë shënimesh mbante.

Drejtoi shikimin nga unë dhe paksa i zbehur në fytyrë, tha le ti harrojmë, pak ato që të kanë ndodhë me Shabanin

Tani unë dua të flasë sinqerisht me ty, siç flet prindi me djalë..,

Por pasi që unë do të të pyes me besim të plotë, dua që edhe ti, të ma thuash vetëm të vërtetën fjalë për fjalë

-Urdhëro i thash!

-I sheh këtë tubë letrash mbi tavolinë?

-Po i shohë!

-Mos rastësisht ishin tuat dhe të kanë humbur ndokund?...

- Të miat ishin por nuk më kanë humbur askund, vet i kam shpërndarë, u përgjigja

-Lushit i ndërroi përsëri pamja në fytyrë dhe më pa në sy i habitur.

Ndoshta u çuditë edhe për faktin, sesi unë që deri atëherë, përkundër gjithë atij terrori psikik dhe fizik, nuk kisha thënë asnjë fjalë të vetme, tani para tij pranoja të gjitha, dhe bisedoja me të, vërtetë sikur të isha duke biseduar me babain tim në shtëpi.

-Kishte dijeni A.S.(drejtori) për këto parulla, apo keni pasur me të ndonjë zënkë tjetër edhe më parë, ndaj tani, ai shfrytëzoi rastin të të lajmëronte në polici

-Nuk e di, të ketë pasur apo jo dijeni ai për to, por dy shokët e mi (të kthyer në dëshmitar) mund ta kenë ditur.

-Ndërsa unë me A.S. nuk kisha ndonjë problem, përveç ndonjë mospajtimit për nota, që më dukej se ma bënte pa të drejtë, kaq.

-pa të drejtë the?...

-Po-pa të drejtë!

Mësimet, si ua shpjegonte; mirë, keq, apo edhe hiq ?!....

-Mësimet?!... nuk na i shpjegonte fare, shënonte titullin në tabelë, na urdhëronte ta lexonim me radhë në klasë, si të ishte libër leximi, dhe në fund na thoshte, mësojeni në shtëpi, pa shpjeguar asnjë fjalë.

- Ndodhte të linte edhe djemtë në riprovim?

- Jo sa më kujtohet mua- u përgjigja!

-Po, vajzat...?!

Po, i thash

pse?... 

....ishin vërtetë ato aq të "dobëta" në mësim, sa që një vit të tërë të vinin në shkollë dhe të mos arrinin të merrnin një notë kaluese (vetëm) në lëndët që ai mbante?!

-Hë,....tani si të them, vazhdova unë,.....vetëm për faktin se për momentin gjendem në konflikt me të, nuk është e drejtë të supozojë se ato meritonin notat më të larta....

-...por e vërteta është se, një notë mesatare-kaluese meritonin gjithsesi, i thash.

-Si sillej ai në klasë, përdorte shprehje të pamoralshme (sekssiste) gjatë orëve të mësimit

-Po, ndodhte, u përgjigja

- Nxori një bllok të vogël me shënime nga gjepi dhe kontrolloi shprehjet abuzuese për të cilat prindër të ndryshëm disa herë ishin ankuar se si ai gjatë orëve të mësimit, para vajzave të tyre minorene përdorte, si dhe emrat e gjysmë maturanteve më të bëshme në klasë, të shantazhuara dhe të lëna qëllimisht, në vitin e fundit të shkollimit në riprovim nga ai.

Pasi që Lushi, ishte shumë i sjellshëm, kishte krijuar shpejt afri me njerëzit dhe ishte kthyer në "zyrtarin" më të besueshëm, prindërit- bijat e të cilëve kishin probleme të tilla në shkollë, qanin edhe hallet familjare me të, ndaj ai kishte pothuajse të gjithë emrat e vajzave që kishin njoftuar familjet e veta për telashet me këtë (ish) mësues në shkollë.

Madje, disa prindër të frustruar me degën komunale të arsimit në Gjakovë, e cila nuk i priste as gjente zgjidhje për ta, kishin shkuar të kërkonin ndihmën e Lushit, në mënyrë që përveç ngacmimeve seksuale dhe lënies së qëllimshme, vitin e fundit të shkollës fillore në riprovim, bijat e tyre të mos ngelnin edhe pa dëftesa shkollore, nga drejtori në fjalë, i cili më parë ishte mësues i histori-gjeografisë, por që- nuk merrte mundimin ti shpjegonte ato kurrë.

-Ti duhet ta kesh njohur F.M, ishit bashkë në një klasë me të-apo?! më pyeti...

-Po i thash!

-Mendon se vërtetë nuk i dinte ajo shtetet me të cilat kufizohet Jugosllavia, pasi që nuk iu dha dëftesa dhe në klasën e VIII, u la në riprovim.

-Jo, nuk mendoj ashtu. 

-dhe këtë për faktin se të vetmen temë që ai shpjegonte dhe përsëriste pareshtur, si papagalli, gjatë gjithë kohës në klasë, ishte Jugosllavia, republikat e Jugosllavisë, shtetet me të cilat kufizohej Jugosllavia, pastaj Serbia, krahinat e “Serbisë” etj...Kosova krahinë e Serbisë...etj- duke na përsëritur qindra herë me cinizëm se “si” Kosova ishte “pjesë e Serbisë”, “krahinë e Serbisë” etj.

Atëbotë, ne nuk guxonim të dinim asgjë, vetëm për Shqipërinë dhe tejet pak për Kosovën, kurse për shtetet me të cilat kufizohej Jugosllavia, ishte i detyruar secili nxënës medoemos ti mësonte dhe pa marrë parasysh djalë apo vajzë, në klasën time nuk kishte një të vetëm, që ato nuk i dinte.

Atëherë, për këtë shkak, paska ndodhë dhe kacafytja ndërmjet gjyshit të F.M. dhe drejtorit-apo ish mësuesit të gjeografisë, i cili edhe në riprovim i kishte parashtruar asaj të njëjtën pyetje!....

-Me cilat shtete kufizohet Jugosllavia?!.. 

-Por me të dëgjuar pyetjen F.M., i ishte drejtuar me hidhërim atij; a vetëm për këtë pyetje, nuk më keni dhënë dëftesën?

... po ti gjatë gjithë vitit, nuk ke shpjeguar asgjë tjetër, dhe mbi këtë temë të kam dhënë dhjetëra herë përgjigje...

...e megjithatë.... vetëm për këtë unë duhej të vija në riprovim!?... dhe ja kishte plasur vajit..

Plaku i mërzitur, ishte munduar ta qetësonte të mbesën duke e lutur që të mos qante.

Dhe i bindur se ajo, i dinte mirë ato shtete, pasi që edhe atij në shtëpi, ia kishte thënë kush e di sa herë...e kishte lutur të mbesën që ajo të përgjigjej në pyetje....

Duke i thënë; po fol moj bij, ti ato mi ke mësuar edhe mua në pleqëri.... thuaj me radhë; Austria, Magjarri, (Magjarria-në gjuhën sllave,-Hungaria) Rumuni, Bugari .....etj,.. he këtij...p... e... s...amës ..., se këto vjet i bana, por njeri më të poshtër nuk më paskan pa sytë... dhe kishte ngritur kërrutën (shkopin ndihmës të pleqve) që ta qëllonte në klasë.

A.S, kishte ik nga klasa ku mbahej riprovimi dhe në vend të tij, pas pak ishte paraqitur drejtori i atëhershëm-derisa ky vet-ende ishte mësues, i cili vetëm i kishte thënë plakut; mixhë shkoni te shtëpia se do t`ua dërgojmë dëftesën!.

Vaji i F.M, gjatë gjithë rrugës, nuk kishte pushuar, duke e mbajtur dhe plakun për krahësh, që ai të mos mbetej në rrugën 3-4 kilometërshe që atëbotë, duheshin ta bënin këmbë, deri në lagjen periferike Muhadër, të cilën ajo 8 vite me radhë, dy herë në ditë duhej ta kalonte, nga shtëpia në shkollë dhe shkolla në shtëpi, për tu lënë vitin e fundit, jo vetëm në riprovim, por edhe pa dëftesë të shkollës fillore, atëherë 8-vjeqare.   

Trajtimi i kësaj teme, sikur e trandi edhe një herë Lushin, nga një ëndërr e keqe.

-Dëgjo më tha, këtë drejtor vërtetë as unë nuk e kam fare në qejf.

Bile, pas shumë ankesave nga prindërit, me insistimin tim, përgjegjësit shqiptar të sektorit për arsim në komunën e Gjakovës, dy-tre vite a më tepër kanë insistuar, që për sjelljet e tij amorale, ta përjashtonin nga shkolla dhe hiqnin të drejtën atij, për të punuar në procesin arsimor.

....., vetëm ky serbi Bogoljubi (Isajlloviq) bëhej përherë pengesë dhe nuk lejonte përjashtimin e tij.

Megjithatë, pas disa insistimeve, personeli shqiptar i degës së arsimit në Komunë, për shkak të imoralitetit dhe shprehjeve sekssiste të tij para nxënëseve minorene në vitet e fundit të shkollimit fillor, kishin arrit që ta përjashtonin A.S. nga shkolla duke ia ndaluar atij edhe punësimin në procesin mësimor.

Mirëpo, vetëm pas gjashtë-shtat muajsh ece-jakësh, sekretari i sektorit për arsim në Gjakovë, serbi Bogoljub Isajlloviqi, siç flitej asokohe, kishte intervenuar deri në Beograd dhe arrit më në fund, që edhe pa dëshirën e prindërve dhe pëlqimin e kuadrove shqiptar,jo vetëm ta kthente atë në punë, por dhe bënte edhe drejtor në shkollën e fshatit Demjan.

* * * * *

.....Ç ‘drejtor mund të jetë ky-pyeti Lushi me habi, i cili pas gjithë atyre që ka bërë më herët, edhe në këto kohë të liga për shqiptarët, kur i madh e i vogël, nga krejt Kosova janë ngritë në këmbë për barazi statusore dhe të drejta kombëtare, në vend se të hesht e të mos bëzajë më, ai vazhdon me avazin e tij të vjetër dhe lajmëron edhe ish nxënësin e vet, në polici!?...,

-Athua për spiunimet që ai bënë, siç veproi edhe me ty tani, fshati juaj i vunë atij nofkën Rankoviq !?....

-E shohë se nuk kanë faj, shumë prindër që janë ankuar tek unë për sjelljet e tij, të cilët më me dëshirë e quanin atë me nofkën famëkeqe-rankoviq, sesa t’ia përmendin emrin e vërtetë të tij....

-Ndoshta kjo puna e spiunimit, është çmimi, që ky duhet t`ia paguaj Isajlloviqit për favoret që ai i bënë, i thashë si me shaka...

...le të jetë si të dojë, por kësaj radhe, ai i ka bërë hesapet pa hanxhiun, tha Lushi, sepse vendimet këtu i marrë unë e jo A.Rankoviqi as B. Isajlloviqi.

* * * * *

- Mbeta i impresionuar, se sa mirë e dinte gjendjen dhe njihte njerëzit Lushi edhe në fshatrat përreth, përfshi madje edhe nofkat e atyre që përditshmëri kishin keq-sjelljen dhe pjesë të jetës-spiunimin.

-.....sinqerisht më vije keq për të gjitha sa të kanë ndodhur, shtoi më tej ai, por dua të ta bëjë me dije ty dhe gjithë të tjerëve, se edhe ndërmjet neve “në uniforma”, ka dallime të mëdha, dhe për fat të mirë, nuk jemi të gjithë shabana, e as sikur Shabani, më siguroi edhe një herë Lushi.

-...dhe megjithëse mbajmë këto uniforma, ne jemi shqiptar, kurse republikën,edhe pse ende nuk po mund ta themi hapur, e duam edhe ne.

Të gjithë shqiptarët të cilët e kanë Kosovën në zemër, e duan edhe Republikën, ndaj atë e dua dhe unë, tha Lushi!.

Madje, siç do ta shohësh tani....edhe vendimin për ty e marr unë.... e jo Shabani as....shokët e Bogoljubit

....unë e kam në dorë këtë punë dhe unë kam vendosë të të falë!

- ëëë !?-pëshpërita si në ëndërr,

-nuk u besoja veshëve të mi, për ato që dëgjoja

Unë do të të liroi, përsëriti Lushi,.....dhe pikë!!!

-u ngrina në vend nga habia, nuk dija ç`të them, nuk më vinte as një fjalë e vetme më në gojë...,  

-....nuk gjeja mënyrën se si ta falënderoja, as shprehjen e duhur mirënjohëse për aktin e tij burrëror e kombëtar, 

...nuk arrija ti drejtoja, asnjë fjalë të zgjedhur, siç ai vërtetë e meritonte në ato momente të veçanta për mu...

-Por, para se të të liroj, vazhdoi ai, ti duhet të më premtosh një gjë.... 

-E ajo është, pyeta unë me kureshtje?...

-...të më japësh fjalën tha, se ti do ta "harrosh" problemin që ke me drejtorin dhe nuk do zihesh më, me të as me dëshmitarët, për faktin që ai të ka lajmëruar në polici.

-Dëgjove!?....

-heshta një moment...

-hëë-dëgjove përsëriti dhe një herë Lushi,...

po i thashë dëgjova, duke u shfryrë thellë nga një ndjenjë që ma zinte frymën....

Po ku ta gjejë atë forcë, i thashë unë tani, që të përmbahem pas gjithë atyre që ai më shkaktoi 

Dëgjo mirë...më tha....dhe këtë mos e hiq nga mendja asnjëherë.

Ti nuk guxon, të hysh në konflikt me drejtorin as dëshmitarët për rastin në fjalë, përndryshe unë nuk mund as tani të të lirojë dhe detyrohem që qysh sonte të të dërgojë në Pejë.

Madje, ti duhet patjetër ta kesh me dije, se po ndodhi të kesh probleme me ta, ne detyrohemi të të arrestojmë përsëri dhe pas arrestimit të serishëm, tani për shkak të përplasjeve fizike me cilindo prej tyre, do të ri-aktualizohet për së dyti edhe problemi i parullave dhe protestës, të cilën ani pse ata të lajmëruan para kohe dhe nuk lejuan as ta mbaje, bashkimi i rasteve penale kundër teje do të të dërgojë për disa vite në burg.

Ndaj unë po të liroj, por me kushtin që të thashë dhe vetëm nëse ti më premton këtu dhe mban premtimin e dhënë edhe pasi të shkosh në shtëpi, se nuk do zihesh as fjalosesh më, për ato sa të kanë ndodhur, me asnjërin nga ta.

Po ta them troç dhe ti vet e di këtë, apo ndoshta ke dëgjuar deri më tani, se unë aspak nuk i kam në qejf spiunët, siç nuk i dua as zënkat ndërmjet shqiptarëve, kjo është e para.

Ndërsa problemi i dytë është, se po u fjalose ti me ta, Lushi nuk mund të të ndihmoj më.....këtë duhet ta kesh parasysh!

Ndaj le ti lëmë zënkat me njëri tjetrin dhe tu përkushtohemi bashkërisht problemeve tjera më me rëndësi që rëndojnë mbi Kosovën.

-dhe po ta përsëris edhe një herë, se ashtu siç e do ti, e duam edhe ne Kosovën...

.....kuptove?...

Po i thashë dhe po fluturoja nga gëzimi...

Na dora dhe ik tani më tha.....

.....ik sa më shpejtë dhe shko tek familja jote në shtëpi sepse edhe prindërit tu janë shastisur, duke pritur gjatë gjithë ditës se çfarë do të ndodhë me ty.

Ik dhe kujtohu për fjalët që të thash, nuk dua të hysh në probleme me ata që të porosita dhe me askënd tjetër, se ne shqiptarët kemi punë më të mëdha...... nëse jemi të zotët ti bëjmë, më tha...

I shtrina dhe unë dorën time, ai pa mbi të edhe një herë vrragët e goditjeve me keqardhje....

Pasi ma lëshoi dorën ngadalë, më pa në sy dhe më tha shko tani, shko dhe ki kujdes e ruaju, se nuk dëshirojë të të shoh, as dëgjojë më se ke rënë përsëri në duar të policisë.

Kishte filluar të errej, e derisa unë arrita në shtëpi, nuk dukej më asgjë.

Babain tim ndjesë pastë, e gjeta tek dyert e oborrit me cigaren e ndezur në dorë. Kishte humbur në mendime duke mos ditur se çfarë po ndodhte me mua.

Më pa me ndrojtje edhe ai, më mori ngadalë, ngrykë dhe pyeti me frikë....a je mirë?!

-Kurse nëna po sillej sa andej sa këndej nëpër oborr, pa mundur të hynte brenda as zinte kund vend.

Nuk u besoj syve kur më pa, mu hedh në qafë dhe fillojë të qante...

* * * * *

Asokohe Lushi vërtetë më fali dhe liroi, por “Rankoviqi” dhe Isajlloviqi nuk ma falën kurrë. Unë edhe pas diplomimit dhe mbarimit të studimeve për “Gjuhë e Letërsi Shqipe” nuk munda të punojë në arsim asnjëherë, gjatë asaj kohe.

Ata kishin shpërndarë tanimë lajmin, mbi qëndrimet e mija kombëtare, dhe me verdiktin e vulosur prej tyre, unë konsiderohesha i “Pa përshtatshëm –politikisht”! 

* * * * *

Por përkundër të gjithave sa kanë ndodhur dhe me gjithë vitet e klauara, nga atëherë, Lush Bytyqi ishte dhe mbeti përgjithmonë heroi im dhe i shumë të tjerëve, të cilëve në ditët e vështira u ndihmoi krejt sa mundi.

Ai ishte nga shqiptarët e rrallë me poste komanduese, që edhe në ato mote të vështira, pati guximin të merrte mbi vete gjithë barrën e rëndë të përgjegjësisë, për të liruar djemtë atdhetar që policët pro-serb, me akuzat si irredentist e armiq të sistemit  jugosllav, i sillnin zvarrë në zyrat e policisë, për mundime të mëtejme dhe vuajtje e syrgjynosje me shumë vite nëpër burgje të pushtuesit serb.

U angazhua personalisht dhe përkrahu e ndihmoi edhe përmes të njohurish e rrethit të gjerë shoqëror që kishte, kudo mundi e arriti me gjithë zemër, ata që patën nevojë për ndihmën e tij, të cilët vepronin sinqerisht dhe nuk kursenin veten e tyre, për ngritjen statusore të Kosovës dhe quarjen përpara të ëndërrës për çlirimin e saj.

Ai ishte dhe mbeti nga shqiptarët e pakët, që postin komanduese të kohës, nuk e shfrytëzoi për burgosjen dhe keqtrajtimin e bashkëkombësve të vet, por ndihmonte, lironte dhe shpëtonte të rinjtë shqiptarë kudo mundej dhe arrinte.

Nga viti 1980, Lushi ishte emëruar Komandant i degës policore në Rugovë të Hasit, ku qëndroi deri më 1990, kohë kur nga forcat pushtuese të Millosheviqit, në Kosovë do të vendosej gjendje e jashtëzakonshme, futeshin masat e dhunshme nga Serbia dhe Lushi si kuadër i dinjitetëshëm kombëtar do të përjashtohej ndër të parët nga puna dhe arrestohej nga ta.

Shkarkimi dhe burgosja e Lush Bytyqit

Qëndrimi kombëtar i kuadrove komanduese shqiptare, solidarizimi dhe ndihmesa ndaj veprimtarëve të çështjes kombëtare, si dhe kundërshtimi i masave të dhunshme të Millosheviqit, asokohe konsideroheshin kundërvajtje dhe të dënueshme nga organet pushtuese serbe.

Ndaj, sistemi okupues i Serbisë, jo vetëm se largoi Lush Bytyqin, ndër të parët nga puna, por pa kaluar shumë kohë edhe arrestuan dhe burgosën atë padrejtësisht.

Patriotizmi i çiltër i Lushit,u përdor si shkas nga politika barbare e Serbisë dhe Millosheviqit, që në vitin 1991, ta akuzonin si nacionalist, anti-serb e anti-jugosllav përkrahës i irredentizmit shqiptar etj, dhe për dhjetë ditë me radhë, ai të mbahej në izolim të plotë e keqtrajtohej çnjerëzisht, në të gjitha format dhe mënyrat më barbare të mundshme, psikike dhe fizike, në lokalet e burgjeve policore të Pejës.

Fat, në këtë fatkeqësi të tij, ishin kuadrot ende të mbetura shqiptare, nëpër pozitat udhëheqëse, të cilat Millosheviqi nuk kishte mundur ti mbushte aq shpejt me serb e malazez.

Ndaj, ata edhe morën vendim që në “mungesë” të fakteve të lirohej Lushi.

Por, peripecitë nuk kishin mbarim, edhe pas lirimit të tij nga shqiptarët, ai do të vihej nën survejim të përhershëm të Serbisë, përcjellje spiunësh pro-serb dhe të gjitha llojet e shantazhit e mbikëqyrjeve agjenturore sllave, deri në ditën e çlirimit të Kosovës nga Serbia.

Përgatitja për vetëmbrojtje

Pas daljes nga godinat policore të burgjeve në Pejë, Lushi nuk qëndroi duarkryq dhe pothuajse gati në heshtje e pa zhurma të mëdha, qysh në ato vite të vështira, nisi jo vetëm të mendojë për sigurinë e familjes, por edhe të angazhohet konkretisht për mbrojtjen e saj.

Peripeci të cilat, para aksioneve tragjike të okupatorit serb me të vrarë e të plagosur mbi shumë familje shqiptare në Kosovë, i përjetonin nga afër edhe fëmijët dhe bashkë-familjarët e tij.

Të gjitha këto, e shtynë Lushin që të betohej se armiku nuk do ta zinte më kurrë duarthatë, ndaj dhe përpiqej pareshtur të ndërmerrte të gjitha masat e mundshme për vetëmbrojtje.

I mbetur pa punë, ai do të ngushtohej aq shumë financiarisht, sa që për të mos i shtrirë dorën armikut, do të detyrohej të punonte edhe si roje nate në firma të ndryshme private shqiptare, duke ndenjur pa gjumë, nga mbrëmja deri në mëngjes, për mbajtjen e vetes dhe të familjes së vet me bukën e gojës.

Megjithatë, edhe në gjendjen që ishte dhe përkundër të gjitha vështirësive që rëndonin mbi të, me përpjekjet e tij në fshehtësi të thellë, ai do të arrinte të krijonte edhe arsenalin e nevojshëm me mjete mbrojtëse për qëndresë të armatosur, kundër pushtuesit.

Fatkeqësisht edhe në ato vite të vështira, përkundër shantazhit dhe terrorit masiv mbi shqiptarët, strukturat e fshehta të policisë serbe, kishin mbërri që në rrjetin e tyre të spiunazhit, të inkorporonin edhe bashkëpunëtorë shqiptar.

Ndaj, siç do të arrinin përmes tyre të kontrollonin në shumë vende dhe familje, që kishin filluar të pajiseshin me armatim e municione për vetëmbrojtje, edhe Lushin disa të njohur do ta bindnin kinse policia pushtuese serbe, i kishte rënë në gjurmë edhe atij, ndaj çdo çast pritej që t`ia kontrollonin për armë shtëpinë.

Kështu që, vetëm pak kohë para se të jetësohej ëndrra e tij për përdorimin e tyre kundër okupatorit, i brengosur se arsenali i mbledhur me shumë mund, po binte në duart e pushtuesve, pa shkrepur asnjë plumb kundër tyre, Lushi armët e grumbulluara, ishte detyruar ti dërgonte në një vend të "sigurt" për ti groposur ato thellë nën dhe, të mbështjella mirë e me kujdes, që të mos dëmtoheshin nga lagështia e tokës.

Vjedhja e armatimit

Derisa Lushi, sipas asaj që i ishte thënë, priste më droje, çdo ditë çastin e kontrollimit policor në shtëpinë e tij, ndërkohë në vend të kontrollit i cili nuk po vinte, i gjithë arsenali i armëve të tij, ishte “hetuar” dhe “tërhequr”, pa-dukshëm nga njerëz të “panjohur”.

Megjithatë, ai duke menduar se edhe miqtë e tij ishin po aq besnik, sa edhe vet, i bindur se edhe personi që e kishte paralajmëruar për rrezikun e kontrollit policor, ishte një dashamirë i njëmendët i tij, vazhdonte ende të besonte se armët e fshehura me shumë vështirësi, ndodheshin të sigurta aty ku ai i kishte lënë, dhe askush tjetër nuk e dinte vendndodhjen e tyre.

Ndaj, sapo forcat pushtuese policore dhe paramilitare serbe, filluan gjuetinë ndaj shqiptarëve, duke hyrë lagje më lagje dhe shtëpi për shtëpi të Gjakovës për kapjen e tyre, ai në  ditën kritike do nisej me shpejtësi për sjelljen e armëve dhe shpërndarjen e tyre njerëzve të besueshëm me të cilët edhe ishte marrë vesh për organizimin e vetëmbrojtjes, pasi që ato, për atë ditë, ai edhe i kishte ruajtur.

Por me të arritur atje, Lushi nuk kishte mundur tu besonte syve të vet, i befasuar se si vendi ku ai kishte fsheh armatimin, tanimë ishte "lëvruar” me “kujdes” i tëri dhe tërhequr i gjithë arsenali i armëve të grumbulluara me shumë mundi- ndër vite, siç dyshonte tanimë, nga ndonjë “i besuar” i tij, ngase tjetër kush nuk e dinte se ku dhe ç ‘kishte në atë vend. 

Gjendje më të rëndë, kishte kohë që nuk kishte përjetuar, ndaj pothuajse asnjëherë në jetë nuk ishte ndjerë aq keq.

I tmerruar nga vjedhja e armatimit, ai kontrolloi disa herë jo vetëm aty por edhe rreth vendit ku e kishte fshehë armatimin, dhe pasi që nuk gjeti asgjë, përveç ndonjë gjurme të parëndësishme e mbetur nga ngutja e “grabitësve”, ai i dëshpëruar do të nisej për tërheqjen sa më të shpejtë të familjes nga vendi ku e pritnin, por ishte vonuar shumë duke gropuar më kot pa gjetur asgjë, dhe me tu kthyer u gjend i rrethuar edhe vet bashkë me dhjetëra familje tjera dhe qindra bashkëkombës të tij shqiptar, nga forcat okupuese serbe.

Burgosja e serishme e Lushit

Pas kapjes, nga pushtuesit serb, barbarët do ta burgosnin sërish Lushin, dhe mbyllnin e izolonin për rreth një muaji, duke filluar nga 13 prilli deri më 10 maj të vitit 1999, në  bodrumet e fabrikës së lëngjeve “Ereniku" që gjendej në dalje të Gjakovës dhe pranë rrugës për Prishtinë.

Aty ai përsëri do të maltretohej e keqtrajtohej aq rëndë, sa që nga andej jo vetëm se nuk do të dilte më  i shëndoshë por edhe i shkatërruar fizikisht, gjë që do të qonte në sëmundjen fatale të tij, nga e cila nuk mundi më të vinte në vete as shërohej kurrë.

Një pasdite të vonë, të vitit 2015, me vranësira dhe shi, mora kontakt për herë të parë me Nexhdetin, djalin e vetëm të Lushit. Me të Lamë edhe një takim në Cyrih të Zvicrës dhe biseduam disa herë më vonë edhe përmes telefonit.

Hapat e tij ma kujtuan kreshnikun e kohës, lindur në Poçestë të Pejës, heroin e rritur kullave të gurta dukagjinase me këngë heroizmi e trimërie dhe legjenda tradicionale shqiptare, të cilat i përcolli dhe trasoi me besnikëri edhe Lushi, për tu bërë sinonim i tyre edhe vet.

Në bisedat e përsëritura me djalin e Lushit, dëshiroja të kem sa më shumë informacione të dorës së parë dhe ndonjë fotografi të veçantë të heroit tim. 

Pjesën më të madhe të ngjarjeve, mi tregoi ai në detaje, ashtu siç më shpjegoj edhe dëshirën e flakët të Lushit për inkuadrim në policinë e Kosovës së sapo çliruar dhe ndihmesën që ai ëndërronte të jepte për krijimin e forcave të reja të sigurisë së atdheut të tij të lirë. 

Ai më foli edhe për vështirësitë, zhgënjimet dhe pengesat që i bëheshin pareshtur Lushit nga rrjeti i infiltruar kriminal në policinë e Gjakovës, e deri te pensionimi i detyrueshëm i tij, rëndimi i sëmundjes dhe vdekja e parakohshme e babait.

Inkuadrimi i Lushit në Policinë e Kosovës së Re

Më kishin thënë edhe më parë, ndërsa tani edhe po dëgjoja rrëfime autentike, të dhëna dhe dëshmi reale, se si Lush Bytyqi edhe pas lufte, vuajti shumë më tepër, se sa që e dinim ne. 

Para lufte, u burgos, mbajt në izolim dhe keqtrajtua disa herë nga pushtuesi, megjithatë edhe ashtu siç ishte i shkallmuar fizikisht dhe me gjendje të rënduar shëndetësore, nga dëshira për të dhënë edhe ai ndihmesës e tij në krijimin e organeve të reja të rendit dhe mbarëvajtjen e sigurisë në vend, sektorë parësorë ky dhe me shumë rëndësi për atdheun e sapo çliruar, Lushi u mundua me mish e me shpirt, që të kontribuonte për rreth një vit, në policinë e Gjakovës.

Ai, harroi të gjitha vuajtjet e vështirësitë personale dhe vetëm dëshironte që me çdo kusht ti përkushtohej me tërë qenien punës për ngritjen me profesionalizëm dhe vënien e rendit dhe rregullit në sistemin e ri të sigurisë në vend, që nga ditët e para të çlirimit të tij, me dëshirën që ashtu siç e kishte dashur gjithmonë atdheun shumë, të ndihmonte sa më mirë edhe shtet-ndërtimin e Kosovës së lirë

Injorimi i profesionistit

Insistimi i këtij burri që edhe pas gjithë atyre vuajtjeve dhe përjetimeve nga pushtuesi i cili gati e kishte paaftësuar për tërë jetën, të jepte gjithë atë që mundej e dinte edhe në liri, mbeti vetëm dëshirë, ngase qëllimshëm ai u la gjithmonë, larg angazhimit të njëmendët dhe përherë i mënjanuar nga çdo aktivitet i vërtetë profesionist ku më së miri mund të ofronte dijen dhe aftësitë e tij.

Udhëheqjen e policisë vendore, tanimë e kishin marrë në dorë, jo njerëz të përkushtuar e profesionist, por avangardistë e injorant tipik dhe egoist të pandreqshëm, të cilët për përfitime personale, anashkalonin njerëzit më profesionist, duke mos përjashtuar as format kriminale të veprimit.

Ndaj sa e rëndonte sëmundja, aq më tepër e mundonin pengesat e pareshtura nga tendencioziteti, mosdija, injoranca dhe agresiviteti, i rrjetit të strukturave kriminale, të cilat që nga fillimi ishin instaluar me vrazhdësi, brenda organeve të rendit dhe kishin uzurpuar me forcë vendet kryesore udhëheqëse në policinë, prokurorinë dhe strukturat komunale të Gjakovës, siç do ta konfirmonte rreth 15 vite më vonë, përmes një deklarate publike më 25 Nëntor të vitit 2015, vet Mimoza Kusari. 

“Kusari Lila: Në Gjakovë ka rrjet të organizuar kriminal mes policisë, prokurorisë dhe ish-strukturave komunale”

http://archive.koha.net/?id=1&l=86002 25 Nëntor 2015“

Ndaj pas një viti përpjekjeje vetëmohuese, Lushi i dërmuar dhe dëshpëruar tërësisht, ishte detyruar që vet ta linte punën dhe kthehej në shtëpi, për tu marrë tani e tutje, vetëm me sëmundjen e tij e cila nga zhgënjimi që kishte përjetuar, sikur ishte rritë e marrë hov edhe më tepër dhe sa vinte e keqësohej për çdo ditë.

Mjerisht përkundër të gjitha vuajtjeve dhe përjetimeve më të vështira që ai kaloi, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, edhe fati sikur nuk deshi të vihej në anën e tij. Ai edhe vdekjen, ashtu sikurse jetën, e pati tejet të vështirë dhe me dhimbje të mëdha.

Megjithëse Lushi shijoi çlirimin dhe lirinë e Kosovës, sëmundja nuk e lejoi, që ta përjetonte edhe pavarësinë e tokës ku ai u lind e rrit dhe dha çdo gjë për ardhmërinë e saj!

Vdekja e parakohshme

Njeriu që aq shumë e deshi vendin dhe popullin e vet, i kaloi me brengë në shpirt dhe zemër të pa qetësuar edhe ditët e fundit të jetës së tij, duke mos ditur për të ardhmen asokohe ende të papërcaktuar të fatit të atdheut.

Kështu që pas shtrirjeve të disahershme në spitale, më 8 shtator të vitit 2005, Lush Bytyqi, u nda përgjithmonë nga jeta, në qendrën spitalore të Shkupit, vdekja e parakohshme e të cilit e mundoi shumë edhe familjen.

Kohë të gjatë, kisha ëndërruar edhe unë, që ta shihja Lushin edhe një herë për gjallje të tij, falënderoja për të gjitha dhe përjetoja edhe një takim burrëror me heroin tim të pavdekshëm.

Megjithatë, natyra nuk vendosi sipas dëshirave tona dhe fatkeqësisht ndodhi ajo që më së paku e dëshiroja, lajmi i hidhur për vdekjen e tij, më tronditi e dëshpëroi pa fund, por dhe më nxiti që ta rikujtoja, të paktën në këtë mënyrë.

Të ndriçoja qoftë edhe pjesërisht, me këta rreshta disa nga bëmat e tij kombëtare dhe falënderoja nga zemra për të gjitha sa ai ka bërë për ne, për vendlindjen e atdheun, Kosovën dhe popullin e tij.

Interesant ishte fakti se shumë njerëz me të cilët rrija prej kohësh, dhe të tjerë që herë pas here nëpër tubime të ndryshme shqiptarësh në vend dhe diasporë takoja, edhe pse i pyesja me kureshtje për Lushin, më kot, sikur tu flisja për ndokënd të panjohur apo që "moti" të harruar, pas vdekjes së tij, të gjithë bënin sikur nuk dinin më asgjë për të.

Megjithatë, qëndrimi atdhetar që mbajti dhe vepra kombëtare që ai dëshmoi, e bënë atë të paharrueshëm dhe pjesë të historisë së pavdekshme për brezat e tanishëm dhe ata që do të vijnë pas nesh, ani pse u shua herët dhe nuk ishte në moshë aq të shtyrë sa të vdiste kaq i ri.

Ndjeja sinqerisht keqardhje të madhe për largimin e dhembshëm të tij, ndjejë sidomos për faktin se vdekja e mori pikërisht në kohën ku flitej më së tepërmi për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, të ëndërruar ndër shekuj dhe të dëshiruar shumë nga ai dhe shqiptarët kudo.

Trupi i pajetë i këtij burri të devotshëm të kombit dhe atdheut, nga Shkupi, në përcjellje të familjarëve, miqve e dashamirëve, që tanimë, fatkeqësisht ishin dukshëm më të pakët në numër, se sa dikur, kur njerëzit kërkonin dhe merrnin atë që u duhej prej tij, do të nisej rrugës dhe itinerarit të famshëm historik të Grykës së Kaçanikut, prej nga do të kthehej në Gjakovë për varrim dhe amshim të përjetshëm në tokën e atdheut të lirë. 

Përveç meje që për kohë të gjatë, gjendesha në Mërgim, edhe të tjerët, të cilëve dikur Lushi na ofroi mbrojtje prindërore, trajtoi aq njerëzisht dhe shpëtoi nga dënimet drakonike të pushtuesve serb, për një apo arsye tjetër, ndoshta nuk mundën të ishin, as ata të pranishëm në varrimin e tij, që ashtu siç e do tradita, të paktën ti hidhnin nga një grusht dhe mbi varr.

Dhe në shenj kujtimi për atë që ai bëri për ne, sa ishte gjallë, ta falënderonim njerëzisht secili, thoshim të gjithë për herë të fundit, lamtumirë dhe lavdi jetës e veprës tënde kombëtare, heroi ynë Lush Bytyqi!

Zoti të bekoftë përgjithmonë atje ku je-Shpëtimtari ynë i shenjtë!.

Për çudi, vetëm Lushi, sikur u harrua nga të gjithë, vetëm për atë nuk u tha as shkrua gati asnjë fjalë meritore, nuk u përgatitën tekste të veçanta, as publikuan dokumentar domethënës-e autentik, ani pse, sot e gjithë kohën në youtube mund të gjesh me dhjetëra emisione laramane edhe mbi "ilake" e bashkë-familjar, orkestruar në mënyrë bombastike nga televizioni publik, i cili mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptar.

Edicione mbi “Bujkun shkrimtar”, “Shumarin (pylltarin) patriot”, spiunin “Pleqnar” që paguan shtrenjtë autorë dokumentarësh, për paraqitjen sa më pompoze para kamerave të televizionit publik, veshur me petkun e “burrave” të pa qenë bujar as fisnik, të shpifur edhe si këngëtar (banal) që për “100 herë”- “ia kalon” edhe vet Bajrush Dodës, “Bariun poet”, “Traktoristin eseist” e çka jo tjetër, por jo edhe për Lush Bytyqin, atë sikur e harruan edhe shokët e vet.

Fakt është se vërtetë ky shkrim për Lushin, lindi natyrshëm dhe u punua me gjithë shpirt, nga përmbajtja e të cilit ndoshta nuk mund të përjashtohen as emocionet, por më e mira nga gjithë ato mote të vështira mbetet që-fatbardhësisht, ai nuk kishte nevojë për zbukurimin as lavdinë e askujt, vet ishte hero!

Vepra e tij u shndërrua në krenari e cila jo vetëm se nuk mund të tjetërsohet, heshtet as venitet kurrë, por bashkë me kohën, rritet e zmadhohet dhe përgjithmonë mbetet meteor shkëlqyes në përjetësi.

Gani Qarri, Cyrih

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm