Menu

Zogu nuk e ndihmoi, por e ndëshkoi Shotë Galicën

User Rating:  / 0
PoorBest 

Shote Galica 1895-1927

Rikujtesë në prag të 90-vjetorit të vdekjes së Shotë Galicës

Nga Bedri TAHIRI

Më 3 tetor 2003, me Skënder e Veton Misirin vizituam Fushë- Krujën. Aty gjetëm atë që edhe mendonim ta kërkonim, Ibrahim Drevinjën, plakun që e nderon mbarë qyteti, të birin e Selim Çaushit, nga Taraxha e Artakollit, bashkëpunëtorit të Azem Galicës.

-Mirë se vini, burra kosovarë!- na thotë ai duke na përqafuar me një mallëngjim të thellë e të papërmbajtur. Dhe, evokime, përmallime, lot, rrëfime. Biseda rrjedh shtruar, duke na kthyer tej prapa, atje te betejat e lavdishme të kaçakëve trima...

Për familjen Drevinja dija edhe me herët nga historia, por tashmë dëshminë e kisha të gjallë përpara.

-Po për Shotën ç'mund të na thuash?- e cytim sa për t'ia çelur gojën, sepse gati ishte harruar nga përmallimi.

-A, mos më ligështoni, se Shotë Galica më nuk bën nëna!- nis ai dhe lotët ia zunë grykën. Kur u sëmurë, bashkë me nënën time, Nailen, vajtëm në spitalin e Tiranës, që atëherë ishte te Sahatkulla dhe e pamë. Nëna ka qenë gjuhëshpatë. Doktor Besimit (ashtu e quanin) dhe motrave që e këqyrnin, u thoshte: Kini kujdes, po nuk u shërua Shota, flokët do t'jua shkuli me rrënjë! Por, ajo vdiq shpejt. Vdiq në mjerim të plotë. Të vetmen pasuri që kishte, kalin e Azemit, e shiti për kafshatën e bukës për jetimët që kishte me vete. Zogu nuk e ndihmoi Shotën. Ai bile e u mundua ta helmoi...Dhe e varrosëm për gazep, dy herë ia ndërruam vendin...

Autori me Ibrahim Drevinjën pranë Lapidarit të dëmtuar të Shotë Galicës në Fushë-Krujë

Me insistimin tonë vajtëm edhe te lapidari, tashmë i dëmtuar plotësisht.

-Kjo është marri që nuk durohet, shfren ai i pezmatuar në kulm dhe përpiqet t'i fshehë lotët që i vërshuan faqeve të rrudhosura. Kur e patëm nisur lapidarin, ky vend ishte gropë e madhe, mezi e mbushën më gurë nga Krasta e Krujës, u gëzuam të gjithë dhe punonim vullnetarisht hiç pa u lodhur. Sot shihe si është bërë, për marre të zotit, sikur të mos kishte njerëz fare këndejpari...

- Do t'i bashkojmë sërish Azemin e Shotën dhe do t'ua ngrisim një Lapidar të madh në Galicë,- i them unë.

Atij i buzëqesh fytyra dhe shton: mirë, mirë, por kjo Heroinë e ka vendin edhe këtu, edhe ne do t'ia bëjmë një Përmendore tjetër më të mirë se kjo.

Me Ibrahim Drevinjën, Skënder Misirin dhe Haki Thaçin

Në të ndarë, nuk na lëshon pa na shpënë në shtëpinë e vet, që të na e tregoj odën kosovare. Dhe, fare në fund, në të ikur, na e jep edhe një pagurë me raki rrushi që vetë e bënin në shtëpi. Atë na e mbushi mbesa e Rrahimës, mbesës së Azemit, e cila më 1920, kur s'kishte veçse pesë vjeç, i kishte shpëtuar zjarrit të shkaut.

Shota për Shotën

Sakaq, fare rastësisht, ia bëheu nipi i tij, i biri i Shotës së re, Haki Thaçi me prejardhje nga Ozdrimi i Skënderajt. Ai edhe pse i zënë me punë, vendosi të na shoqëronte deri në fund ...

Për pak kohë qëndrojmë edhe në shtëpinë e Shotë Gashit- Thaçit, plakës shtatëdhjetëvjeçare, e cila ndjehet krenare dhe e mban për nder emrin e hallës së vet, Shotë Galicës. Për herë të parë po e merrnim vesh se ekzistuaka një Shotë!!!

-Siç më thoshte babai,- nis rrëfimin ajo, pas rënies së Azem Galicës, dada Shotë me dy vëllezërit: Salihun dhe Metin, me Bekë Hysenin, me disa jetimë dhe me ndonjë shok tjetër, erdhën në Shqipëri, këtu në rrethin e Fushë-Krujës. Kosovarët ishin punëtorë të mëdhenj dhe të palodhshëm. Edhe këtu, ku kishte veç male me shkurre, djerrina e moçale katandisësh, nisen të gjallonin për lakmi...

Salihu u martua me Hate Qelajn nga Leçina e Drenicës dhe patën tetë fëmijë: tre djem: Tafilin, Halilin, Beqirin dhe pesë vajza: Salën e Shotën (binjake), Trashjen, Shakjen dhe Maliqen.

Shota - mbesa e Shotë Galicës

Mua ma lanë emrin e dadës Shotë. Për këtë ndjehem shumë krenare. Edhe gjithë rrethi më ka çmuar dhe nderuar hatri i emrit. Këtë emër e mban edhe Gjimnazi i Fushë-Krujës. Edhe përurimin e Lapidarit, nëse nuk gaboj diku më 1962, e mbajë mend fort mirë. Por, si është bërë sot, nuk më merr malli as ta shoh,- përfundon kjo malësore, të cilën fati e kishte lidhur me Skënder Thaçin nga Ozdrimi, me të cilin kishte nëntë fëmijë...

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm