Menu

Ndue Perlleshi kohë pas kohe ishte strehue në familjen e Gjeloshve

User Rating:  / 0
PoorBest 

Ndue Perlleshi 1908-1949

Pasi këto ditë lexova një shkrim të autorit të nderuar Tom Mrijaj me titull "Nacionalisti Ndue Perlleshi", të publikuar në media elektronik, dt. 11 gusht 2016, për hirë të faktit historik, më duhet të jap këtë shpjegim:

Nga Dr.sc. Nikë Gjeloshi - Nikë GjeloshiE para, shkrimi pasqyron një histori individuale e kolektive të Lugut të Drinit lidhur me veprimtarinë atdhetare të Ndue Perlleshit, i cili në fund të Luftës Dytë Botërore qe bërë legjendë për shumë rrethe të Dukagjinit e të Mirditës (u vra nga partizanët shqiparo-jugosllav me 29 gusht 1949).

Në të vërtetë, pos shumë familjeve në rrethin e Gjakovës dhe Lugun e Drinit, të cilat e kishin ndihmue e strehue Ndue Perlleshin, ai shumë herë ishte strehue edhe në shtepinë e Familjes së Lulash Gjeloshit, në Rakoc.

Ndue Perlleshi bashkë më Prof.Ymer Berishen, Marie Shllakun, Shaban Demen, Ndrecë Nikollen e të tjerë strehoheshin në "Lluga" të Gjeloshve. Në "Lluga" u dërgohej ushqimi, nga djem të besueshëm, kurse naten strehoheshin në Oden e pritjes në katin e dytë të shtëpisë së ndërtuar me gurë – kulla e Gjeloshve.

Dëshmi: Dëshmitar ende të gjallë, që u kanë dërgue ushqimin Ndue Perlleshit e të tjerëve janë: Mon Sokol Martini dhe Gjergj Lulash Gjeloshi. I pari rapsod popullor, kurse i dyti djali më i ri i Lulash Gjeloshit, i cili strehonte në shtëpi Ndue Perlleshin me ca shokë të tjerë. Që të dy këta dëshmitarë pas përmbytjes së fshatit Rakoc në Hidrosistemin e "Radoniqit" në vitin 1978, nga atëherë jetojnë në Pejë (Gjergji edhe në Nju Jork).

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas aneksimit të Kosovës që i bëri Serbija – Jugosllavia konform vendimeve të Kuvendit të Prizrenit më 8, 9 e 10 korrik 1945 (historiku, tradhtia e Kuvendit të Prizrenit dihet botërisht bashkë me akterët e atij Kuvendi, edhe nga ca shkrime të mia arkivore me të cilat pata hedhë dritë për veprimtarinë antikombëtare të atyre akterëve, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore e lan Kosovën nën Serbi për 45 vjet), Ndue Perleshi me të tjerë ishte dalë në ilegalitet për të luftue regjimin komunist që po instalohej dhe për ta bashkue Kosovën me Shqipërinë.

Në vjeshtën e vitit 1945, ekspeditat ndëshkuese të partizanëve kishin arritë edhe në fshatin Rakoc: për ta "spastrue vendin nga shqiptaromëdhenjtë, ballistët e nacionalistët". Një ekspeditë e tillë kishte arritë në krye me kryeprokurorin famkeq Ali Shukria, dhëndrin serb, të pa shkollë... Ajo ekspeditë kishte identifikue "Ballistin" Zef Lulash Gjeloshin, djalin e madh të Lulashit, shumë vite më vonë babai im.

Në lëndinën e fshatit Rakoc ishin tubue të mëdhënjë e të vëgjël për të parë ekzekutimin publik të Zef Lulash Gjeloshit, mbasi ai akuzohej se e kishte strehue ballistin e armikun e popullit Ndue Perlleshin me shokë. Ç'është e vërteta nuk kishte asnjë dëshmi apo provë për akuzën që i bëhej Zefit nga prokurori famkeq Shukria që ta prezantonte para popullit. Për dëshmi apo prova kishte insistue t'i dinte edhe familja Gjeloshve dhe vet Zefi që po 'pritke' urdhërin e ekspeditës së ekzekutimit. Insistimi i familjarëve në pafajësi dhe fakti se nuk kishte asnjë dëshmitar që të pohonte se në Kullën e Gjeloshve ishte strehue Ndue Perlleshi, nuk merret si argument.

Shpëtimi i Zefit nga pushkatimi do të ndodhë për shkak të një dëshmie tjetër. Në fakt, Zefi një ditë të acarit të madh të dimrit 1944/45 kishte shkue për të pre dru, jo larg Shtëpisë në malin "Lugu i Potokut". Aty kishte diktue një familje hebre (burrë e grue me dy fëmijë 11 e 14 vjeçar). Kishin pre ca dru, dhe bashkë me atë familje hebre, gjysmë të ngrirë nga acari, mbërrinë në shtëpi. Pas disa ditësh të strehimit e ushqimit, familjën hebre, e identifikuar nga kryefamiljari Josephi, bashkë me njërin nga vëllezërit Zefi, i përcjellë deri në kufi me Shqipërinë, diku në Qafë të Morinës. Hebreu Josephi në shenjë falënderimi i kishte dhënë një letër Zefit që të dihej se ka strehue një familje hebre. Letra kishte përmbajtje falënderimi për gjetjen e asaj familje në mal, strehimin në shtëpi dhe përcjelljen e saj deri në Shqipëri. Ajo letër e shpëton Zef (Zymer) Lulash Gjeloshin nga pushkatimi i ekspeditës së prokurorit famkeq Ali Shukria, në lëdinën e fshatit Rakoc.

Miku im dhe i Tom Mriajt, tashmë i ndjerë, studiuesi Jetish Kadishani i cili ka publikuar monografi për Ndue Perlleshin, më kishte dhënë një ekzemplar të asaj monografie në vitin 2009. Pasi e lexova, i pata preferuar ta plotësonte me faktin që e shënova më lartë dhe ai më pat premtuar se do ta bëjë plotësimin... Nuk e di ndodhi apo nuk ndodhi ribotimi i monografisë së Ndue Perllelshit nga miku Kadishani apo jo, dhe a u plotësue me atë pjesë që unë i dhashë bashkë me dëshmitë, mbasi miku Kadishani vdiq në vitin 2010.

Për fund: Në rast të publikimit të sërishëm të shkrimit për nacionalistin Ndue Perlleshi, aty ku përmendet fshati Rakoc, autori do të bënte mirë ta theksonte edhe këtë fakt historik lidhur me strehimin e Ndue Perlleshit në shtëpinë e gjyshit t'im Lulash Gjeloshit, dhe të njëjtën ta plotësonte me dëshmitarët e gjallë të cilët ato kohëra të vështira, shumë herë i kishin sjellë ushqime fshehurazi Ndue Perlleshit me ca shokë, në 'Llugat' e Gjeloshve.

email:This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm