Menu

Pushkën, po ta lë amanet ty Baba! - Nehat Jahiu

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nehat Jahiu

Nga Nehat Jahiu

PUSHKËN, PO TA LË AMANET TY BABA!

Lufta kishte filluar. Fushat e malet po digjeshin flakë e zjarr. Luftonin bijat dhe bijtë më të mirë të lirisë e të atdheut. Kishin ardhur krushq e dasmorë në këtë dasëm nga të gjitha trojet tona. Në çdo anë ndjehej erë baroti.

Nuk kursehej aspak jeta për ideal e për liri. Vetëm kështu duan të luftojnë e vdesin vashat e djemtë e rinj. Ishin fillimet e luftës. Granatohej fort fshati "Lulkuqe" të cilin shekuj me radhë e kishin halë në sy të gjitha pushtetet që vinin e shkonin. Banorët e këtij fshati gjithnjë i kishin rezistuar armikut, kur ai donte t'u shkelte nderin e kur kërkonte t'ua merrte arat në fushë, e korijet në mal. Në ndihmë të kësaj lufte kishin ardhur shumë djem trima nga të gjitha trojet shqiptare. Kishin ardhur në Iliridë, aty ku shkeleshin me dhunë të drejtat e shqiptarit. Politika kursesi nuk mund ta zgjidhte nëpërkëmbjen kombëtare të popullatës së këtyre trevave. Sa më shumë kalonte koha aq më shumë po thellohej gjendja e rëndë e të drejtave shqiptare në këtë vend. Shqiptarët historikisht kishin treguar se kurrë nuk i kishin marrë askujt diçka me dhunë. Shqiptarëve u ishte marrë gjithçka që iu takonte, aty ku kanë jetuar me vite e shekuj në trojet e tyre. Sa e sa herë ia kishin luajtur gurin e kufirit këtij populli të lashtë e paqëdashës? Bishat e kafshonin dhe gjithmonë gjatë kafshimit e coptuan pak nga pak, për ta ndarë në disa pjesë, nga trungu i saj. Edhe pse shumë herë e kafshuan dhe e coptuan, shqiptarët kurrë nuk qëndruan duarkryq. Trojet shqiptare gjithnjë kishin lindur e rritur trima për t'i dalë zot atdheut. Për liri e trojet e tyre ata nuk kishin kursyer kurrë gjakun dhe jetën.

Dëshmori i kombit Shpend Karadaku dhe prindi i tij tashmë i ndjer Mërgim Karadaku

Edhe gjatë vitit 2001 shqiptarëve të Iliridës iu ishte bërë një ngulfatje kombëtare. Koha ecte! Padrejtësia thellohej edhe më shumë. Poltika jo vetëm që nuk mund ta zgjidhte, por edhe nuk donte ta zgjidhte këtë çështje. Të gjitha rrugët ishin të mbyllura. Tani nuk kishte mbetur rrugë tjetër, pos vashat dhe djemtë e kësaj ane të ndihmuar nga vashat e djemtë e ardhur nga trojet e tjera shqiptare të merrnin armët dhe mos të zgjasin dorën e lypsarit. Vetëm me anë të grykës së pushkës të kërkonin barazinë e tyre kombëtare që iu takonte në tokat ku kishin lindur, rritur, e vdekur të parët e tyre. Lufta po merrte vrull të madh dhe nuk kishte kthim mbrapa derisa të realizoheshin idealet e tyre. Tashmë kishin filluar të binin edhe dëshmorët e parë të kombit. Ata derdhnin gjakun dhe falnin jetën duke luftuar në frontet e luftës. Ishin betuar dhe këtë betim donin ta realizonin deri në fund. Edhe atë ditë kur u zhvillua një betejë e fortë trimat luftonin pa u ndalur. Së bashku me trimat në front ishte edhe Shpend Karadaku një djalë trim mbi trimat. Një plumb kobzi do ta qëllojë luftëtarin dhe do t'i hapte plagë të përgjakura Shpendit. Ai do të binte në altarin e lirisë. Do të binte në këtë tokë të shenjtë e të lashtë që shumë herë ishte ujitur me gjak. Para se të vdiste trimi buzëqeshi së bashku me lulet e lirisë që kishin lulëzuar në pranverën e vonuar. Amaneti i fundit i tij ishte, që lufta të vazhdonte deri në fund të plotësimit të idealit të tyre. E pushkën me të cilën kishte luftuar dhe iu përgjak para se të binte dëshmor, e la amanet që t'i dorëzohej babait të tij Mërgim Karadaku.

Trimi i lirisë e dëshmori i kombit do të varrosej, mu në atë vend ku kishte rënë heroikisht duke luftuar. Pushkën e morën dhe e ruajtën si sytë e ballit shokët e tij të luftës që ia kishte lënë amanet dëshmori Shpend Karadaku. Ata e ruajtën derisa erdhi babai i tij Mërgim Karadaku dhe ia dorëzuan në dorë si amanet të djalit, Shpendit. I ati i Shpendit do ta vazhdonte luftën së bashku me shokët e të birit.

Mërgim Karadakun e kisha njohur qysh herët në shkollën e mesme. Ai ishte një atdhetar i madh i çështjes kombëtare me ideale të forta dhe kurrë nuk u gjunjëzua para armikut, për liri e atdhe. Vite të tëra kishte kaluar nëpër burgje por kurrë nuk ishte dorëzuar dhe nuk ishte thyer nga ideali i tij për kombin shqiptar. Ai hodhi armën në krah dhe iu bashkangjit luftës së bashku me shokët e djalit të tij, Shpendit, për të realizuar dëshirën, vullnetin dhe amanetin e të parëve të kësaj toke. Mërgim Karadaku nuk e derdhi kurrë një pikë loti për rënien e të birit në luftë, por gjithnjë me kokën lart vazhdonte amanetin e tij.

Lufta kishte mbaruar... Të gjithë luftëtarët e lirisë u kthyen në shtëpitë e tyre. Edhe Mërgim Karadaku një ditë do të përshëndetet tek varri me djalin e tij Shpendin. Do të përshëndetet me të gjithë shokët e tij të luftës dhe do të kthehet pranë familjes së tij në Kosovë. Ditët kalonin njëra pas tjetrës dhe së bashku me kohën gjithashtu po ecnin edhe vitet. Mërgim Karadakut po i zbardheshin flokët me brymën e asaj vjeshte kur do të udhëtonte në një rrugë pakthim. Mërgimi do të ndërrojë jetë duke shkuar në amshim. Do të shkojë në botën e djalit të tij dhe shokëve që kishin rënë në altarin e lirisë. E kishte marrë malli të takohej me djalin e tij Shpend Karadaku dhe shokët e tij, dëshmorët e lirisë. Shkoi për të mos u kthyer. Një ditë përsëri do të kthehen të gjithë së bashku dhe do e plotësojnë amanetin e të gjithë atyre bijave dhe bijve që ndër shekuj kishin flijuar për çlirimin dhe bashkimin e trojeve të tyre që ishin coptuar e ndarë si degët nga trungu i tyre i lashtë.

Kopertina e librit - Kujtim i gdhendur në mall - Nga autori Nehat Jahiu

(Nga libri "Kujtim i gdhendur në mall", 2017)

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm