Menu

Kërçovarët në Bukuresht dhe kontributi i tyre në prag të shpalljes së pavarësisë

User Rating:  / 2
PoorBest 
KUMTESË
ME RASTIN E 100 VJETORIT TË NGRITJES SË FLAMURIT

Nga Dr.sc.Ilmi VELIU Kërçovarët në Bukuresht- Dr.sc.Ilmi VELIU, drejtor i Muzeut të Kërçovës dhe specialist i Mesjetës për BallkaninPër shkak të reaksionit të egër në tokat shqiptare, që ende gjendeshin nën osmanët, një rëndësi gjithnjë e më të madhe marrin në këtë periudhë kolonitë shqiptare në mërgim: Rumani, Bullgari, Stamboll, Egjipt etj.

Veprimtaria patriotike e këtyre kolonive shqiptare filloi të organizohej gjithnjë e më shumë dhe gjithnjë e më mirë. Në gjirin e këtyre emigrantëve u themeluan një numër i shoqërive kulturore, të cilat dhanë një ndihmesë të çmuar për të mirën e arsimit, kulturës  dhe Lëvizjes Kombëtare në atdhe[1].

Në fund të vitit 1884, patriotët shqiptarë të mërguar në Bukuresht, organizuan një kuvend të rëndësishëm ku u vendos që aty, në vend të degës  “Shoqëria e të Shtypurit shkronja shqip” me qendër në Stamboll, të formohej një shoqëri patriotike më vete me emrin “Drita” e Bukureshtit[2].

Patriotët kërçovarë të udhëhequr nga Mulla Nashyt Zajazi, Sefedin Kërçova, Emin Çalluke Zajazi, Kamber Limku, Rexhep Novosella, Jusuf Tuhini, Mehmedali Haranjelli e të tjerë, për shkak të numrit shumë të madh të kërçovarëve në Bukuresht, dhe me qëllim që të organizoheshin sa më mirë, vendosën që të organizoheshin në një shoqëri më vete me emrin “Kolonia Shqiptare Kërçovare” e cila do të vepronte si degë e shoqërisë patriotike “Drita” të Bukureshtit, dhe të gjitha urdhërat dhe planet ti merrte nag kryesia e Shoqërisë Drita[3].

Kjo shoqëri kërçovare që do ti përmbahej edhe programit të Shoqërisë së Stambollit, grumbulloi disa qindra antarë dhe iu vu punës për të ndihmuar në botimin e librave dhe gazetave shqip, dhe shpërndarjen e tyre edhe në atdhe)[4]. Mbajti lidhje dhe bashkëpunoi ngushtë, përveç me shoqërinë “Drita” të themeluar më 1884 në Bukuresht edhe me shoqërinë “Dituria” të themeluar më 1887 poashtu ne Bukuresht, me shoqërinë “Dëshira” e themeluar më 1893 në Sofje, dhe me shoqërinë “Vëllazëria e Shqiptarëve,, e themeluar më 1894 në Egjipt)[5].

Në vitet e fundit të shekullit XIX, kjo shoqëri e vazhdoi bashkëpunimin me  shoqatën “Shoqëria e Shkronjave” e cila ishte riorganizuar dhe kishte marrë emrin “Komiteti Shqiptar” në krye gjithnjë me Samiun dhe Naimin)[6].

Kjo shoqëri kërçovare me emrin “Kolonia Muhammedane Shqiptare Kërçovare”, në bashkëpunim me shoqëritë tjera që përmendëm, synonte të zhvillonte dhe ta zgjëronte lëvizjen arsimore kulturore kombëtare dhe të shtonin dashurinë e shqiptarëve për gjuhën dhe atdheun, të forconin ndjenjat e tyre patriotike dhe të fuqizonin lëvizjen për çlirimin e vendit)[7].

Këtë që themi e bazojmë në dokumentet e zbuluara në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë. Është fjala për një artikull të shkruar nga Sefedin Kërçova në vitin 1937, e që e ka botuar revista “Java” e datës 24 tetor 1937, Tiranë.

Ballina e revistës shkruan se është revistë ekonomike, letrare e shoqërore, del çdo të diele, Viti I nr.30. Në fund të faqes shkruan se pronari i revistës ka qenë Ikbal Çira, rruga Hoxha Tahsini nr.15. Aty ku është e shkruar përmbajtja, artikulli i shtatë me rend është edhe ai për të cilin unë do të bëj fjalë e që titullohet: “Pak fjalë mbi përpjekjet e shqiptarëve të Kolonisë Shqiptare Kërçovare”, nga Sefedin Kërçova.

Artikulli fillon në faqe 9 me një mbititull të nënvizuar, Nga Lëvizja Kombëtare, dhe në mes është titulli: Pak fjalë mbi përpjekjet e shqiptarëve të “Kolonisë Muhammedane Shqiptare Kërçovare”  në Bukuresht)[8].

Me kënaqësi vërejmë, thotë Sefedin Kërçova, se prej një kohe, revista ,,Java,, ka hapur  shtyllat e saj, duke i dhënë rëndësi të veçantë Historisë Kombëtare dhe dëshmorëve e veteranëve për çlirimin e vendit shqiptar nga sundimi i të huajve)[9].

“Kur akoma Shqipnia ndodhej nën sundimin e të huajëve, në vitin 1907, akoma i ri nga mosha, ndodhesha në Bukuresht, thotë Sefedin Kerçova)[10]. Rastësisht e takova Pandeli Evangjelin i cili më dha disa këshilla mbi mënyrën e përhapjes së ideve kombëtare ndër shqiptarët që ndodheshin në Rumani, që të përpiqeshim, bashkërisht, sa të jetë e mundur, të vepronim sa më shumë, për çlirimin e atdheut nga zgjedha e huaj”[11]

“Kështu, bashkë me shokun tim të pandarë, Rexhep Novosellën, vazhdon ai, tubuam nji grup shokësh, që sa kishin ardhur nga vendlindja, dhe i dërguam që të mësonin në një shkollë shqip, te veterani Zotëri Mitëhat Frashëri. Ai në atë kohë kishte hapur një shkollë shqipe aty në Bukuresht, dhe shqiptarët që ndiqnin këtë shkollë, dilnin me plot ide kombëtare, dhe pastaj na shoqëronin në çdo aktivitet e mbledhje për çështje kombëtare që bëhej në Koloninë Shqiptare të Bukureshtit)[12].”

Ballina e revistës "Java"Në fund të artikullit, në formë të një fusnote redaktori i revistës jep të dhëna për autorin e artikullit, duke thënë se, Revista “Java” me kënaqësi e boton artikullin e Zotëri Sefedin Kërçova, një nga patriotët më të shquar kërçovarë dhe nga përpjekësit më fanatik  për lirinë e kombit. Zotëri Kërçova, thotë redaktori, në Rumani kishte një pozitë mjaft të mirë materiale, por atdhe-dashuria e tij e detyroi t’i braktisë të tëra, për tu kthyar në Shqipëri dhe ti shërbente kombit)[13].

Nga të dhënat që na ofron një autor tjetër për këtë patriot të Kërcovës, Dr.Sadin Xhaferi, (I lindur në Zajaz e që jeton në Tetovë) në librin e tij “Shqiptarët e Rumunisë”, thotë se Sefedin Kërçova paraqitet si luftëtar për lirinë e popullit shqiptarë edhe gjatë viteve 1940-45)[14].

Më 1941, në kohën kur Shqipëria arriti ta shtijë nën kontrollë edhe pjesët tjera të Shqipërisë që më herët kishin qenë nën sundimin e Ish Jugosllavisë (SKS) dhe të shtrijë kontrollin në pjesën më të madhe të teritoreve shqiptare, Sefedin Kërçova ka qenë i emruar si prefekt i Shipkovicës, të rrethit të Tetovës.

Por pas viteve 1948, kur Shipkovica, Tetova, po edhe vendlindja e tij Kërçova mbetën përsëri nën Jugosllavinë e Titos, ai nuk pranoi vazhdimin e jetës nën robërinë serbosllave por  vendosi të shkojë. Vendoset në  Tiranë ku jetoi deri në ditët e fundit të jetës së tij.[15]

Sefedin Kërçova në vazhdim të artikullit na informon për aktivitetet kombëtare të një patrioti tjetër, shumë të madh të Zajazit, të cilat aktivitete ai i paguajti me kokë në vitin 1917.

Ishte ky Mulla Nashit Zajazi i Liman Hoxhës nga një familje shumë e shkolluar dhe e edukuar, si në rrugën fetare ashtu edhe në atë kombëtare, familja e Liman-Hoxhës ose si që e njeh popullata vendase familja e Liman hoxhallarëve të Zajazit të Kërçovës.

Në këtë kohë në Bukuresht, thotë Sefedin Kërçova, shumë i dituri Mulla Nashit Zajazi, i cili në rrugën “11 Junë“ kishte hapur një kafene, të cilën e kishte shndërruar në fole mbledhjesh për shqiptarët e mërguar atje, ku shpërndante falas libra e abetare në gjuhën shqipe, të shtypura në një shtypshkronjë, për blerjen e të cilës dha të holla edhe Shoqata Kërçovare[16].

Ky trim, me nam e i pa lodhshëm, Mulla Nashyt Zajazi, pasi kontriboi shumë vite me rradhë në përhapjen e idesë kombëtare, në vitin 1917 u kthye në Zajaz të Kërçovës, ku po për këtë çështje u burgos nga pushteti bullgarë të cilët, pas Luftës së I Botërore, i kishin marrë nën sundim edhe një pjesë të  trojeve shqiptare, u dënua me vdekje  në gjygjin e Manastirit, dhe pastaj më 1917 ,te ura e Shkupit e varën në litarë, duke e bërë therorë për idenë e shenjtë kombëtare.[17]

Të dhënat që na jep Sefedin Kërçova për veprimtarinë patriotike të Mulla Nashit Zajazit vërtetohen edhe nga të dhënat gojore që na i kanë dhënë pleqt e Zajazit, si Xhezo Abaz Lila, Ali Ramë Dedja, Zyli Bajram Metës, Shemshi Rihan Dedja, e që disa nga ata nuk jetojnë më, vërtetuan se Mulla Nashit Zajazi u varë në litarë nga bullgarët më 1917 te ura e gurit në Shkup për shkak të veprimtarisë së tij patriotike[18]. Ata shqaruan se Mulla Nashit Zajazi, në mënyrë sekrete kishte sjellur nga Bukureshti në Zajaz, abetare dhe kishte angazhuar Mulla Qerim Tafmunin që nxënësit (talebet)që ua mësonte mësimbesimin, tua mësonte edhe alfabetin shqip. Zbulohet nga sigurimi sekret bullgarë dhe ekzekutohet te Ura e Gurit me varje në litarë.

Në vazhdim, përmes artikullit të tij, Sefedin Kërçova na njofton se në vitin 1912, pak para se të shpallet indepedenca shqiptare, nga Stambolli ka shkuar në Bukuresht, patrioti i madh, Ismail Qemali, të cilit ne kërçovarët, thotë ai, i organizuam një darkë solemne dhe një pritje madhështore. Unë dhe shoku im shumë i ngushtë, Rexhep Novosella, shkuam dhe e morën nga hoteli Bristol, ku ishte vendosur, dhe pas nderimeve dhe respektit që i bëmë, ai të gjithë neve na mbajti një fjalim të zjarrtë, ku na informoi për planin e tij madhështorë, shkuarjen në Shqipëri dhe ngritjen e flamurit atje.

Ai kërkoi nga ne që ti bënim të mundur takimin me disa krerë të politikës Rumune proshqiptare, që do ta përkrahnin shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga ai dhe mëvetësimin e shtetit shqiptar.

Ndër politikanët rumun që ne i mundësuam të takohet, e që ishte  më proshqiptari, Take Jonesku, i cili në bisedën e sipër i dha kurajo Ismail Qemal Beut që të shkonte dhe shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe se forcat politike rumune  do ti jepnin përkrahje të fuqishme.)[19].

Në mikpritjen e Ismail Qemalit në Bukuresht, kishte marrë pjesë e gjithë  kryesia, po edhe antarët e shoqatës “Kolonia Shqiptare Kërçovare” të cilët janë të prezentuar në një fotografi në mes të faqes 10 të revistës ,,Java,, e që janë 12 persona. Në fund të fotografisë kemi emrat e kryesisë së shoqatës ato janë, Rexhep Novosella, Mustafa Reka, Jusuf Tuhini, Sefedin Kërçova, Bajram Tuhini, Mehmedali Haranjelli, Hysen Zajazi, Emin Zajazi, Kamberr Limku-Kërçova dhe Rexhep Fasko Greshnica)[20].

Përveç Mulla Nashit Zajazit, fjalë shumë të mëdha, Sefedin Kërçova thotë edhe për shokun e tij të ngushtë, Rexhep Novosella. "S’ka shqiptar nga të mërguarit në Rumani, që s’i  njeh veprat e tij patriotike e sakrificat e tij financiare, për bamirësi dhe ndihma për studentët shqiptarë që ndodheshin në Bukuresht. Ky zotëri ka kontribuar për idenë kombëtare, pa marrë parasysh pengesat, duke sakrifikuar edhe fitimet nga puna e tij e lodhshme")[21].

Sipas informatave që na jep autori i artikullit del se Rexhep Novosella ka jetuar në një qytet të Rumanisë, Ploesht dhe jo në Bukuresht.[22] Edhe        sipas fjalëve të Xhelko Maksutit, doktor i shkencave të historisë dhe djalë i Sefedin Maksutit nga Novoselli i Kërçovës, del se Rexhep Novosella ka qenë patriot i madh, dhe ai i ka paguar të gjitha harxhimet për darkën e organizuar më 5 nëntor 1912, ditën kur Ismail Qemali erdhi në Bukuresht dhe mbajti tubimin e famshëm historik në mesin e shqiptarëve të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit[23].

Nga malli që kishte për atdhe, Rexhep Novosella, shpesh i ka tubuar kërçovarët në restorantin e tij “Kapsha” ku i ka gostitur, dhe kanë biseduar për fatin e shqiptarëve në kurbet dhe në vendlindje. Qëllimi i tij ishte që tu ndihmojë shqiptarëve jasht atdheut, në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të tyre kombëtar, thotë në vazhdim të artikullit të tij, Sefedin Kërçova[24].

Historiani i madh rumun me origjinë shqiptare, Xhelko Maksuti thotë se  është e denjë të shënohet veprimtaria e tij patriotike, e shtjelluar në shumë plane, që nga thirrja e shqiptarëve në takime e biseda, të cilat tubime  u bënë periodike, e deri te ndihma në të holla për mbështetjen e disa veprimeve patriotike që do të çonin në shpëtimin dhe ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë tokësore të shtetit shqiptar[25].

E ndihmuan financiarisht këta kërçovarë, madje, edhe Ahmet Zogun, duke menduuar se më mirë do të ishte që Shqipërinë ta udhëhiqte një shqiptar se sa ta udhëhiqte një jo shqiptarë si që ishte Princ Vidi. I kanë pasur miq, thotë Gjelko Maksuti, dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me Ibrahim Temon, Asdrenin etj. Kanë sponzoruar botime librash, gazetash, dhe aksione tjera në favor të komunitetit shqiptar në Bukuresht[26].

Në vitin 1949, me ardhjen e komunizmit dhe me rastin e nacionalizimit të pasurisë nga ana e komunistëve në Rumani, shumica e kërçovarëve qenë të detyruar që të ktheheshin dhe ta braktisnin Rumaninë, duke lënë atje të gjithë pasurinë e tyre. [27] Edhe  ata që vazhduan të jetonin atje mbetën të varfër.

U kthyen të varfër për nga xhepi, thotë Sefedin Kërçova, por të pasur për nga shpirti e përvoja jetësore. Krenarë për kontributin që dhanë për shqiptarët dhe avancimin e kauzës së tyre kombëtare gjatë gjithë qëndrimit dhe veprimit të tyre në Rumani.

Me shokët e mij, thotë Sefedin Kërçova, edhe pas shpalljes së idepedencës shqiptare, nuk e kemi pushuar punën për ta shtuar sa më shumë patriotizmin në mesin e shqiptarëve këtu në Rumani.Te gjithë shqiptarët e rrethit të Kërçovës, Gostivarit, Tetovës e Shkupit, vinin këtu për të bërë kurbet, duke u deklaruar si turq dhe pas predikimeve tona të shumta, ata pastaj ktheheshin në vendlindjet e tyre me plot ideja kombëtare dhe shqiptarë me plot kuptimin e fjalës, duke përhapur propagandën kombëtare edhe  në vendin ku u kthyen të jetonin.)[28]

Në artikullin e lartpërmendur, Sefedin Kërçova vë në dukje shërbimet e Dr. Ibrahim Temos dhe Dr. Vasilaq Zografit e që u kanë bërë shërbime të çmueshme vëllezërve të tyre shqiptarë për të gjitha nevojat shëndetsore, nga sëmundjet e ndryshme e sidomos sëmundja e tifos.)[29]

Rexhep Greshnica dhe Emin Zajazi që janë në fotografinë që e ka botuar revista “Java” e që kanë qenë antarë të kryesisë së shoqatës, kanë qenë njëri nga Zajazi i njohur në fshat edhe me nofkën Emin Çallukja dhe tjetri nga fshati Greshnicë. Emin Zajazi kthehet në Zajaz diku kah vitet e 50 të shekullit të kaluar. Shumicën e pasurisë e kishte hargjuar për çështjen kombëtare kurse ajo pak pasuri që i kishte mbetur ia kishte konfiskuar regjimi komunist atje.

Tregojnë ata që i kanë njohur se ai dhe shokët e tij nga Kamerr Limku e Rexhep Novosella kanë qenë persona shumë të ngritur dhe intelektualë të mëdhenj, por në Kërçovë, përveç mësuesve të parë të asajë kohe, askush tjetër nuk e kuptonte brengën dhe dhimbjen që mbanin ata në shpirt, për copëtimin e tokave shqiptare, dhe mbetjen e shqiptarëve nën Sërbosllavi.

Emin Çallukja vdiq në Zajaz kah vitet e 60 duke i ia lënë pasurinë që kishte në fshat njërit nga nipërit e tij nga familja më e ngushtë, Nexhat Çallukes me gjithë amanetin që në Zajaz e Kërçovë ta vazhdonte luftën dhe aktivitetin patriotik dhe kombëtarë.[30].

Rexhep Fasku i Greshnicës ka qenë i lindur në fshatin Greshnicë të Kërçovës. Ka shkuar në Bukuresht shumë i ri, ku atje lidhet me patriotët shqiptarë që kanë vepruar në dobi të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ai nuk kthehet më në vendlindje nga frika se do të persekutohej nga qeveria shoviniste serbe. Në Greshnicë ka lënë një vajzë që ka qenë e martuar te Xhelili i Xhelkut në Llagje dhe e cila ka lënë pas tre djem.

Sipas fjalëve të Xhelko Maksutit, del se Shaban Fasku ka qenë një nga patriotët më të shquar dhe nga përpjekësit më fanatik për lirinë e kombit. Nuk kemi të dhëna tjera për veprimtarinë patriotike të Rexhep Faskut nga Greshnica[31].

Të dhënat që na jep Sefedin Kërçova në artikullin e tij në revistën Java i verifikojmë edhe me të dhënat që i gjejmë në librin Historia e Shqipërisë, nga grup autorësh të redaktuar nga Petrika Thengjilli, 1991[32], Tiranë, ku në faqe 148 thuhet se patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut, pas nisjes për në Bukuresht, të Ismail Qemalit e të Luigj Gurakuqit, ndërmorrën të gjitha masat për pritjen e këtyre patriotëve, dhe marrëveshjen se si do të veprohej që Shqipëria të shpëtohej nga copëtimi në mes të shteteve ballkanike[33].

Në fillim të nëntorit 1912 Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, nga Stambolli shkuan në Bukuresht ku me 5 nëntor organizuan një mbledhje të kolonisë shqiptare të atjeshme ku u vendos të formohet një komitet drejtues që të merrte në dorë qeverisjen e vendit pas shpalljes së pavarësisë; një komision që të mbronte përpara Fuqive të Mëdha të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe një komitet në Bukuresht që të bashkërendonte veprimet e komiteteve brenda dhe jashta Shqipërisë.)[34]

Më 21 nëntor 1912, Ismail Qemali, me shumën e të hollave që i mblodhën shqiptarët e Bukureshtit dhe 15 shokë që vazhduan ta shoqëronin drejt Vjenës, e në mesin e tyre edhe tre përfaqësuesit e Kolonisë Kërçovare: Mulla Nashit Zajazi, Sefedin Kërçova e Regjep Novosella, shkuan në Vjenë, dhe prej atje në Durrës e Vlorë, me mendimin e shpalljes së pavarësisë së të gjitha tokave shqiptare. Mirëpo, pasi që koha nuk priste dhe forcat serbe  gati kishin pushtuar shumicën e tokave shqiptare, ende pa arritur përfaqësuesit e disa krahinave, me 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali me shokë, ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë e të gjitha trojeve shqiptare dhe e emëroi qeverinë e parë, e cila thirrej në emër të të gjithë trojeve shqiptare, e që më vonë Evropa vendosi që pavarësia e shpallur të vlejë vetëm për një pjesë të territoreve shqiptare, që më vonë do të quhet Shqipëri, ose si u quajt nga ne shqiptarët jasht këtyre kufijve si Shqipëria Londineze, Shqipëria e Sakatuar, Shqipëria pa gjymtyrë, etj, etj., [35].

Sipas meje kjo ishte ngjarja më e kobshme në Historinë e Popullit Shqiptarë. Nga njëra anë u bë mirë që mori fund sundimi bizantin njëmijë vjeçar, sundimi i Car Dushanit, ai osman 6 shekullorë, por nga ana tjetër, shqiptarët, që deri atëherë edhe pse të robëruar, trojet i kishin pasur të bashkuar nën një sundues, që asnjëherë në të kaluarën, këto troje, nuk kishin qenë kaq të ndara, dhe tash, pas kaq shekujsh, për herë të parë në historinë e tyre të  dhimbshme, trupi i Shqipërisë pritet si me thikë, në disa copa, dhe këtë ngjarje shqiptarët e festojnë qe 100 vjet, duke thënë se festojnë shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Dhe sot pas 100 vjetësh, edhe nji herë, urime shqiptarëve për festën e coptimit të tokave të tyre.

Mulla Nashyt Zajazi Sefedin Kërçova

Kërçovarët në Bukuresht


[1]).Historia e Shqiperise,Grup autorësh, 1991,Tiranë, faqe, 131..

[2]).Op.citf.132.

[3]).Revista Java,nr.30, 24 tetor, 1937, Tiranë, faqe, 9.

[4]).Ibid.

[5]) Historia e Shqiperise, op.cit. faqe, 132.

[6]).Ibidem.

[7]).Sefedin Kërçova, Pak Fjalë mbi përpjekjet e shqiptarëve të “Kolonisë shqiptare Kërçovare” në Bukuresht, Revista Java, nr.30,op.cit. faqe, 9.

[8]).Sefedin Kërçova, Op.cit, pg. 9.

[9]).ibid.

[10]).Ibid.

[11]). Sefedin Kërçova, Op.cit, pg. 9.

[12]). Ibid. ; C.f. Historia e Shqiperise, op.cit. 132..

[13]). Sefedin Kërçova, Op.cit, pg.11.

[14]).Sadin Xhaferi, Shqiptarët e Rumunisë, Tetovë,2002, f.23.

[15]).S.Xhaferri, op.cit..24.

[16]).Sefedin Kërçova, Op.Cit, pg.9.

[17]).Ibid.; Historia, op.cit. faqe132, ku vërtetohet se Sërbia, Greqia dhe Bullgaria përpiqeshin, secila për vete, të përfshinin sa më shumë toka shqiptare që nuk u tajkonin atyre, duke përdorur edhe bandat e armatosura për të vrarë popullatën vendasë.

[18]).U bisedua me njerzit e lartëpërmendur në tetor 2007, e që jënë në moshën mbi 100 vjeçare.I.V.

Poashtu u bisedua edhe me Huma Ahmedin, nga familja e Met Xhakës, e cila kishte pasur rast ta shihte  Min Qalluken duke kaluar nëpër rrugët e fshatin për të cilin thotë se ka qenë I veshur bukur në stilin evropjan, me tesha të zeza dhe kollare për qafe e që banorët e atëhershëm të veshur me tesha kombëtare, e kanë shiquar me habi dhe kërshëri të madhe. Tash, thotë huma e kuptoi se sa njeri I madh ka qenë ai për Zajazin, por ne atëherë nuk kemi ditur kurgja për aktivitetet e tija patriotike dhe kombëtare.

[19]).Revista Java, op.cit. pg.10, ; Faqe të kësajë reviste i kamë gjetur  në “Arhivin e Institutit të Historisë” në Tiranë.

[20]). Sefedin Kërçova, Op.Cit, pg.10..

[21]).Ibid.

[22]).Ibid

[23]).Dr.Sadin Xhaferri, Op.cit.124. Sadin Xhaferri i ka vizituar shqiptarët e mbetur në Rumuni dhe ka botuar disa të dhëna që ka mundur ti mbëledhë atje.

[24]).Sadin, Op.cit.125.

[25]).Ibid

[26]).Ibid.125.

[27]).Sadin Xhaferri, Op.cit.126.

[28]).Revista Java, op.cit. faqe, 11.

[29]).Ibid.

[30]).Intervistë me Shemshin e Hatemit Rihanit nga Dedallarët e Zajazit. Shemshi Rihan Dedja kishte pasur rast ta takonte Min Qalluken (Emin Zajazin) dhe ai skjaron se popullata e gjërë e pa shkolluar nuk kanë mundur ta kuptonin vlerën dhe madhështinë e atij përsoni I cili të gjith jetën dhe pasurinë I ja kishte kushtuar çështjes kombëtare. Shemshiu poashtu tregon se ai shpesh ka shkuar te shkolla e fshatit ka biseduar më mësuesit që I ka takuar atje dhe është kënaqur duke I parë nxënësit duke mësuar shqip, për të cilën shqipe ai kishte hargjuar shum para duke blerë abetare në Bukuresht dhe duke ua dhuruar shqiptarëve të atjeshëm në kohën kur Zajazi kishte qenë nën sundimin sërb dhe të gjithë kishin qenë të detyruar që të mësonin nq gjuhën sërbe.

[31]).Dr. Sadin Xhaferi, op.cit. pg. 127.

[32]).Historia e Shqiperise, op.cit. 148...

[33])Ibid

[34]).Historia e Shqiperise,op.cit,149.

[35]).Historia, op.cit. 130.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm