Menu

Luftërat e popullit Shqiptarë në trojet etnike të Nishit dhe të Toplicës

User Rating:  / 0
PoorBest 

Luftërat e popullit Shqiptarë në trojet etnike të Nishit dhe të Toplicës - Për tu arsimuar dhe rrezistuar planeve çfarosëse nga Principata e Millan Obrenoviqit dhe Naçertania e Garashanit 1844

Shkruan: Reshat AVDIU *  Korrik, Preshevë  2014 - Gjatë viteve të 70 të shekullit të XIX, Perandoria Osmane, përsëri do të hynte në një krizë edhe më të thellë se ajo e viteve 1853-1856, gjatë Betejës së Sevastopullit të Krimes. Zaten nga ajo kohë Perandoria Osmane, do të fillonte të qëndronte në këmbë të qelqta, ishte bërë fare e qartë siç do të deklaronte atëbotë K. Marksi se: “Përpjekja e qeverisë turke për të hyrë në rrugën e qytetërimit pësoi një dështim të vajtueshëm”[1].

Borxhet nga kapitali i jashtëm për vitin 1875, ndaj Portës së Lartë, e kalonin limitin prej 5.3 miliard franga ari, nga kjo shumë ajo i kishte marrë jo më shumë se 3 miliard franga ari edhe këto mjete kreditore nga kapitali perëndimor, ishin harxhuar pothuajse për qëllime joproduktive ekonomike. Nga kjo shumë kreditore, Porta e Lartë ishte detyruar që 37%, t’i paguante dhe ç’lyente kamatat e huave vjetore, në pamundësi që t’i paguante edhe më tutje këto kamata të larta kreditore,në tetor të vitit 1875 do të deklaronte zyrtarisht falimentimin e saj. Për të dalë nga kjo gjendje e vështirë krize, Porta e Lartë, qe e detyruar t’i linte peng të ardhurat e saja doganore, pastaj do t’i linte si peng, shumë; truste, kartele dhe monopole tjera që i mbante dhe i zotëronte gjer atëherë.

Kriza Lindore mes viteve 1865-1875, më së tepërmi ishte nxitur dhe potencuar, me vrasjen e konsullit francez dhe atij gjerman në Selanikun e Shqipërisë Natyrale. Gjatë majit të vitit 1876, kjo zënkë dhe vrasje ishte bërë për shkaqe konvertimi fetar, sepse një e krishtere e paska pranuar kinse fenë islame. Me të arritur kjo e konvertuar me tren në Selanik, për t’u takuar në rezidencën e tij, me valiun e vendit. Nja 150 njerëz të krishterë i kishte tubuar konsulli; i SHBA-ve, për ta sulmuar vajzën, asaj do t’ia grisnin ferexhenë me të cilën ajo e kishte mbuluar fytyrën e saj dhe me dhunë, do ta mbyllnin në shtëpinë e një krishteri selanikas[2]. Kjo sjellje e konsullit Amerikan i kishte irrituar pamasë, banorët e Selanikut të besimit islam, kjo skenë e turpshme ishte kryer në prani të tyre dhe publikisht. Në këtë mënyrë, kishte shpërthyer konflikti ndërfetar me ç’rast ishin vrarë konsujt diplomatik, vrasja e tyre, do t’i irritonte edhe më tepër qeveritë e Fuqive të Madha të botës krishtere dhe se me këtë incident ndoshta edhe të qëllimshëm, Kriza Lindore e 1875 edhe më tepër do të acarohej.

Fuqitë e Madha Perëndimore, që ishin atëbotë kredidhënëse, kishin filluar ta intensifikonin, gjithnjë e më tepër diktatin e tyre ekonomik dhe politikë, mbi pushtetin e kalbëzuar të Perandorisë Osmane. Prodhimit primitiv perandorak, do t’i shtohej edhe barra e kapitalit të huaj, kështu që taksat e larta doganore të importit në krahasim me ato të eksportit,e kishin dëmtuar në rend të parë: zejtarin, tregtarin dhe një sërë të veprimtarive të ultë manufakturale të feudalizmit të vonë, nëpër shumë troje etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore të Nishit dhe në ato të Toplicës dhe më gjerë. Kjo gjendje evajtueshme që sundonte atëbotë në: Nish,Toplicë, Vidin, Pirot, Prokupje, Kurshumli, Leskovçe, Vrajë etj. më së tepërmi i kishte goditur edhe vet qarqet borgjeze shqiptare.

Kjo pakënaqësi, e masave të gjëra të vegjëlisë popullore shqiptare me ato të borgjezisë klasore, do të shprehej gjatë vitit 1879. Ndërsa  Vaso Pashë-Shkodrani në librin e tij me titull: “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”. Në këtë vepër ai, e paraqiti gjendjen e vajtueshme që ishte grumbulluar ndër popullatën shqiptare në Shqipërinë Natyrale dhe gjithandej nëpër trojet shqiptare të Nishit dhe të Toplicës. “Tregtia kishte pushuar për mungesë rrugësh dhe sigurie, ndërsa bujqësia pësoi fiasko të madhe, nga ana e myltezimëve (taksave), industria mbeti pa punë për mungesë inkurajimi”. Me këto fjalë Pashko Vasa, do ta karakterizonte situatën e rënd që ishte krijuar ndër popullatën shqiptare që administrohej atëbotë nga Perandoria Osmane.

Gjendja ekonomike, ishte bërë edhe më e vështirë për shkak të mungesë së përgjithshme të parave, kjo mungesë kishte ardhur si rezultat, i ndërprerjes për një kohë relativisht të gjatë të mos pagesës nga ana e haznave (arkave) shtetërore. Pas shpalljes nga Porta e Lartë, të bankrotimit gjegjësisht falimentimit. Në këso rrethanash të krijuara nga vet Porta, kjo e fundit i kishte detyruar tregtarët në perandorinë e saj, që për pagesa të veçanta të aplikohej huaja. Këto hua sipas Pashko Vasës, “gjëja vullnetare u bënë me kohë një institucion i qëndrueshëm i shtetit osman”[3].

Prapë, sipas Pashko Vasës një barrë tjetër edhe më e rënd për popullatën shqiptare vazhdonte të ishte shërbimi ushtarak, “i cili ka qenë i rënd për vitet e fundit për arsye të luftërave të vazhdueshme, i ka rreshtur shqiptarët... dhe i ka larguar nga punët e tokës krahët më të fortë”[4]. Porse edhe këta nizam të dhënë për Portën e Lartë, do të ishin si të thuash të kotë dhe nuk pritej ndonjë garanci optimale ndaj kombit shqiptar në përgjithësi nën hegjemonizmin dhe kolonializmin feudal turk, mbi ruajtjen e tërësisë së tokave shqiptare si në Shqipërinë jugore, veriore, lindore, dhe perëndimore. Shqiptarët dita-ditës, do të mbusheshin me zemërim karshi Portës, që ua kishte lënë duart e lira agjenturave të huaja, të cilat nën maskën e shkollave  fetare të krishtera ortodokse, bënin  një luftë propaganduese mjaft aktive midis shqiptarëve në favoret djallëzore të vendeve fqinje me orientime të krishtera. Dhe se veprimtaria e tillë djallëzore mbi shkombëtarizimin, ishte lehtësuar dhe mundësuar nga vet Porta e Lartë e Stambollit, ajo vazhdonte ta ruante ndarjen e vjetër administrative fetare dhe ndarjen e krahinave shqiptare në vilajete dhe sanxhaqe. Porta, do ta njihte gjuhën e kombësive joshqiptare si gjuhë të dytë zyrtare krahas turqishtes, kështu që nga viti 1871 në Janinë do të fillonte të dilte gazeta zyrtare në turqisht dhe greqisht, ndërsa në Prizren gjatë atij viti do të botohej e njëjta gazetë zyrtare turqisht dhe serbisht. Ndërsa shqiptarët si komb ne vete që ishin Porta e Lartë, i identifikonte ata me besimin fetar islam që e kishin dhe do t’i paraqiste ata si turq. Porse shqiptarët islam, si nëpër trojet etnike të Shqipërisë Etnike, pastaj nëpër trojet shqiptare të vjetra të Nishit,Toplicës,Pirotit,Tërnit, Prokupjes, Leskocës, Vrajës etj. Filluan përpjekjet e tyre për hapjen e shkollave fetare në gjuhën shqipe, zaten këto vilajete dhe sanxhaqe të formuara nga Porta e Lartë, siç e kemi cekë më lart në pjesën dërmuese ishin të banuara me etnos shqiptarë të besimit islam.

Dëshira e tyre e madhe për t’u arsimuar edhe se ajo mbahej në gjuhën turke, shihet nga një shkrim në “Diturinë Islame” nga historiani ynë i mirënjohur mbi problematikën e shqiptarëve për t’u shkolluar në Shqipërinë e Vjetër Verilindore, Dr. Sabit Uka ja se siç shprehet ai:“Burimet mbi të cilat mbështeten këto pak të dhëna janë të provincës osmane, serbe, shqiptare dhe gjermane. Ndër burimet më të vjetra janë ato osmane, që i kishte shënuar udhëpërshkruesi i mirënjohur turk Evlia Çelebiu, si shkolla të mesme ruzhdije që i kishte përshkruar ai ishin në Vrajë, Leskovçe, Nish dhe Ak Pallangë etj. (Zaten vetëm se në Nish, në kryeqendrën urbane të trojeve etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore deri para viteve 1877-1878, do të ishin 13 xhamia dhe 6 mesxhide, ndërsa vetëm se në saxhakun e tij ishin mbi 48 xhamia dhe se pranë ç’do xhamie shqiptare, ishte nga një shkollë mejtep. Një numër i tyre ishin si shkolla të mesme ruzhdije, ndërsa në kryeqendrën e Pashallëkut të Beogradit, deri para dëbimit përfundimtar të shqiptarëve më 1867, ishin 157 xhamia, kurse në tërë Pashallëkun e Beogradit, do të ishin mbi 275 xhamia. Dhe se pranë çdo xhamie siç thamë edhe më lart ekzistonte nga një shkollë fillore iptidaie dhe nga një paralele parashkollore sibiane pastaj nëpër xhamit ma të mëdha në Pashallëkun e Beogradit ishte e domosdoshme edhe nga një shkollë rushdie e mesme.

Gjer para Kryengritjes së Parë Serbe më 1804. Në Orashac, ku do të vendosej të bëhej kryengritja e Shumadisë dhe atë në pjesën qendrore të Pashallëkut të Beogradit, me në krye Karagjorgje Petroviqin e Selaçkës. Ai që në rininë e tij të hershme kishte qenë hajdut, kurse në prag të kryengritjes ishte fshatar i pasur. Porse potenca e gjithë kësaj është diku tjetër se gjer para kësaj kryengritje të vegjëlisë të popujve në Pashallëkun e Beogradit, pothuajse të gjithë serbët si minoritet nën Perandorinë Osmane, ishin konvertuar në islam. “Rusia që nga fillimi i Kryengritës së Parë Serbe, me lutjen dhe kërkesë e eprorëve serbë u dha kryengritësve ndihma në të holla dhe ndërhyri te Porta për përmbushjen e kërkesave të tyre”[5]. Ndërsa gjer nga fundi i Kryengritjes së Dytë Serbe më 1812, gjegjësisht me formimin këshillin drejtues serb më 1805, kur të deleguarit serbë u kthyen ne Serbi nga Rusia si; Prota Nenadoviqi dhe Bozho Grujoviqi e sollën me vete Jakovin dhe e vendosën në Këshillin serb që e kishte për detyrë që në një afat sa ma të shkurt të fillohej përmes Jakovit, rikthimi dhe propagandimi i fesë ortodokse sllavo-ruso-serbe. Deri sa serbët si kolektivitet ishin shortuar në islam që nga mesjeta e këtej edhe ata shkonin nëpër këto faltore të shumta islame dhe nëpër shkollat ekzistuese pran këtyre xhamive në Pashallëkun e Beogradit. Pastaj, nuk ishte kurrfarë risie, kur myftiu i Beogradit, Jusuf Haxhi-Spahiqi, shpeshherë deklaronte se ne kemi qenë serb të islamizuar nga turqit.  

Nga të dhënat e Evlia Çelebiut, që bëjnë fjalë për banorët e Sanxhakut të Nishit ai i vë në spikamë vetëm se disa qendra urbane dhe sipas të gjitha gjasave edhe ekzistencën e disa shkollave nëpër këto qendra urbane të Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Kurse nga ana tjetër me interes të veçantë janë disa të dhëna mjaft interesante që i paraqesin; Dr. Hasan Kaleshi dhe Dr. Hans Jurgen, pastaj të dhëna mjaft të dobishme janë edhe ato të Dr. Jashar Rexhepagiqit. Ndërsa, nga provenienca serbe me interes të veçantë shkencor sipas Dr. Sabit Ukës, për shkollat: iptidaie, sibiane dhe për ato të mesmet ruzhdie po i cekim disa burime të pakta  nga historiografia arkivale serbe, që i kishte shënuar atëbotë publicisti M. Dj. Miliçeviqi ku thotë mes tjerash: “Shqiptarët nuk kanë shkolla të veta në gjuhën shqipe, porse shqiptarët e besimit islam mësojnë nëpër shkollat turke, kurse shqiptarët e besimit ortodoks mësojnë nëpër shkollat serbe, ndërsa ata të besimit katolik mësojnë në shkollat katolike. Këtu është fjala për shkollat dhe nxënësit shqiptar gjithandej nëpër trojet etnike të Nishit, Toplicës, Ak Pallangës, Pirotit, Tërnit, Kurshumlisë, Prokupjes, Leskovçës, Masuricës Vrajës, Bujanocës, Preshevës etj. Miliçeviqi më tutje thotë se shqiptarët e këtyre viseve shqiptare e çmojnë shumë fenë dhe gjuhën e tyre, bile-bile për gjuhën e tyre thonë se e ka ruajtur qenien dhe kombin shqiptar dhe e çmojnë si gjuhë të shenjtë”. Më pastaj, autori vazhdon: “Të gjithë shqiptarët e besojnë Zotin, duke theksuar se Zoti e krijoi çdo gjë në natyrë, pastaj edhe vetë botën. Shqiptarët nga natyra janë të zgjuar dhe gjithnjë e potencojnë se çdo komb duhet të respektohet dhe nderohet, pastaj askujt nuk duhet t’i bëhet dhe shkaktohet ndonjë gjë e keqe dhe ndonjë e pa mirë. Shqiptarët, i takojnë tri konfesioneve fetare si të besimit islam që janë me shumicë pastaj të besimit ortodoks dhe atij katolikë. Shqiptarët, mbi të gjitha e vlerësojnë traditën dhe zakonet e tyre, pastaj traditën dhe ngjarjet e ndryshme historike kombëtare i përcjellin me lahutë, këtë instrument ata e çmojnë shumë. Prandaj, çdo gjë që shpie mbi  mbrojtjen dhe ruajtjen e traditës kombëtare shqiptare, thonë se feja e shqiptarit është shqiptaria”[6].

Është edhe një burim tjetër arkival i proveniencës serbe në cilin thuhet: “Shqiptarët e çmojnë shumë fenë, por mbi të gjitha ata e çmojnë dhe e vlerësojnë kombin e tyre shqiptar”[7]. Të gjithë popujt në botë duhet të mësojnë dhe të marrin shembull nga kombi shqiptarë mbi tolerancën dhe respektimin e çdo sekti fetar që ndodhen në mesin ton, të këtij populli të stërlashtë në hapësirë dhe kohë dhe me një kulturë civile qysh nga antikiteti iliro-dardan. Shembulli më i freskët është britma tmerruese, e një vashe shqiptare e besimit krishterë nga malësia e mbi Shkodrës, ajo ishte nxënë në befasi në rrugë nga dy ushtarë turq.

Ata kishin filluar ta abuzonin moralisht malësoren shqiptare, ajo kishte filluar të thërriste dhe kërkonte ndihmë në gjuhën shqipe, atypari rastësisht po kalonte një burrë shqiptar duke u kthyer nga lutjet e pesë vakteve në xhami, kur e sheh atë skenë abuzive e nxjerrë nga brezi koburen dhe i vret dy ushtarët turq.

Për ta pasur një orientim, të përciptë, mbi shtrirjen demografike të shqiptarëve në trojet etnike të Nishit dhe të Toplicës në Shqipërinë e Vjetër Verilindore, këtu po i paraqesim trevat më të rëndësishme, ku deri para viteve 1877-1878, kishte banor shqiptarë. Dhe se trevat e Nishit dhe të Toplicës, në brendinë e tyre i ngërthenin këto rrethe: Të Prokupjes, Kurshumlisë, Bllacës pastaj të Leskovçës me rrethinë ku dalloheshin regjionet: E Veternicës, Pusta-Rekës me ato të Jabllanicës. Kurse rrethi i Vrajës, dallohej me trevat e saja, jo edhe aq të mëdha siç ishin: Gërdelica, Polanica, Surdulica, Masurica e tjera. Derisa rrethi i Nishit pati shumë banor shqiptarë, ndërkaq në rrethin e Pirotit dhe në atë të Bella-Pallangës nuk kishte shumë shqiptarë. porse elementi shqiptarë dominohej me shumicë në viset e gjëra të Toplicës. Dhe m’u për këtë në gjuhën turke dhe në atë serbe quhej “Arnautllëk” dhe se Pusta-Reka, me një pjesë të Jabllanicës së Epërme, e që serbisht gjuhej: “Pustareči Arnautlk”[8].

Shumë kush me emërtimin Toplicë e Nishit i përfshinë tërë trevat etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, siç u vërejt edhe më lartë, se shumë treva tjera, ku kishte shqiptarë me termin Toplicë e Nishit, do të mbeteshin pa u përfshirë në shtrirjen demografike shqiptare. Sepse etnos me përkatësi shqiptare kishte edhe nëpër të gjitha qendrat urbane të lartë përmendura, natyrisht në disa vendbanime kishte më pakë e disa tjera kishte më shumë shqiptarë. Nga vetë fakti se në trevat e përmendura shtrihej dhe jetonte fisi iliro-dardan, çka na e bënë të mundur të supozojmë se nga cila kohë e antikitetit dhe nga mesjeta e hershme, janë vërejtur shqiptarët në këto treva. “Rastësisht përmenden shqiptarët në shekullin XIII në Kurshumli”[9]. Pastaj në shekullin e XV, janë vërejtur toponime me shprehje shqipe si: Arbanashka, fshati dhe mali Albanas, fshati Arbanasci (fshati dhe lumi Arbanas). Ndërsa në shekullin e XII, Pjetër Budi i famshëm e patë hapur në Prokupje, përveçse tjerash edhe shkolla shqipe.

Nëpër shumë fshatra shqiptare në Shqipërinë e Vjetër Verilindore, ishte organizuar mësimi fillor, këtë e dëshmon një burim osman ku thuhet se: ”Mësimi fetar nëpër mejtepe, zakonisht organizohej pranë xhamive dhe mesxhideve, por ndodhte shpeshherë që shqiptarët ku ishin më të organizuar do të ndërtonin nëpër fshatrat e tyre shkolla përkatësisht mejtepe. Në bazë të disa burimeve tregimtare dhe të atyre historiografike vërehet se mësimi fillestar dhe ai i mesëm fetar zhvillohej mbi parimet kuranore, duke e kultivuar dhe zhvilluar tek nxënësit dhe të rriturit tjerë tolerancë fetare ndaj konfesioneve tjera besimtare dhe mos përbuzjen e feve tjera nga ana e shqiptarëve të besimit islam. Ndalohej me mësime kuranore si për të vegjlit ashtu edhe për të rriturit shpifjet, gënjeshtrat, plaçkitjet, korrupsioni, kamata, mundimi i shtazëve etj. Këto të dhëna na i jep Dr. Jashar Rexhepagiqi në artikullin e tij me titull” “Zhvillimi i arsimit dha i sistemit shkollor i shqiptarëve në Jugosllavinë e vitit 1918.

Vendbanimet etnike shqiptare në Shqipërinë e Vjetër Verilindore, të cilat gjer nga vitet 1877-1878, ishin më tepër se 700 sosh dhe se nëpër to kishte shkolla të shumta sibiane iptidaie dhe ruzhdie. Këto shkolla fetare gravitonin sipas Dr.S.Ukës, si në: Kojçiq, Resincë, Pllanë e Madhe, Pllanë e Vogël, Sfarqë e Madhe, Breznicë, Plakiq, Suvidoll, Gërgur i Epërm, Tërnavë, Bullain, Bllacë, Dragushë, Konjushë, Jashanicë, Sylishë, Bardhovë, Konxhel, Rudar, Kastrat, Obërtincë, Qyqallë, Statovc, Starasellë, Kutllovc, Toçan, Xhigol, Magash, Tërmkoll, Novosellë, Tmavë, Kodër, Podrime, Zhinipotok. Pastaj shkolla fetare kishte edhe nëpër fshatrat: Bregovinë, Kacabaç, Mojkovc, Retkocer, ky fshat sipas gojëdhënave i kishte rreth 250 shtëpi. Pastaj mejtepe kishte në Bërjanë të Epërme dhe në Pukovc, ky i fundit ishte fshat tejet i madh shqiptarë. Pastaj mejtepe dhe ndërtesa të xhamive kishte edhe në regjionin në mes Sijarinës,Tupallës dhe Gërbavcit dhe se më vonë në afërsi të kësaj xhamie ishte ndërtuar shkolla, që quhej “shkolla e xhamisë” -kjo shkollë edhe sot e kësaj dite ende ekziston. Pastaj  shkolla fillore mejtepe (iptidaie-v. a.), kishte edhe nëpër këto fshatra: Beoqinë e Epërme, Reçicë, Pallashnik, Alabanë që do të thotë në Albanë. Derisa në Arbanashkë nuk dimë se a kishte shkolla fillore fetare, ndërsa në Vllasinë, Surdulicë, Llugojnicë, Gurgurovc kishte shkolla fillore fetare. Pastaj, shkolla fillore iptidaie sipas Dr. S. Ukës, kishte edhe nëpër këto vendbanime të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, si në: “Zllatë, Jashanicë, Jellashnicë (Allashnicë), po ashtu mejtepe kishte edhe në Dragidell, Teqe, Gegël, Magash, Gllasovik, Stullcë, Bojnik etj”[10].

Shkolla fillore iptidaie, kishte pastaj edhe nëpër qendrat urbane në Arnautllëkun e Nishit. Atëbotë përmendej se vetëm në Nish, kishte 13 xhamia dhe 6 mesxhide, në qoftë se nisemi nga supozimi se pran çdo xhamie ekzistonte nga një mejtep, prandaj aty duhej të ishin 19 mejtepe. “Ndërkaq, Evlia Çelebiu në Nish përmend 22 mejtepe”[11]. Kjo do të thotë se për 150 vjet më vonë më 1878, është dashur të kishte më tepër se 22 mejtepe? Mirëpo, në dy burimet përafërsisht të njëjta gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX, është shënuar se në: “Nish ishin 9 shkolla fillore fetare mejtepe. Sipas këtyre burimeve arkivale osmane vërehet se është shtuar numri i shkollave të mesme ruzhdie. Në Pirot Evlia Çelebiu, kishte shënuar se aty kishin qenë 7 shkolla fillore. Ndërkaq Leskovçën  dhe Vrajën Evlia Çelebiu nuk e përmend fare? Sipas burimeve historiografike vërehet se në Prokupje, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kishin qenë 4 mejtepe, ndërsa në Leskovçe po ashtu ishin 4 shkolla fillore iptidaie, kurse në Vrajë ishin 5 mejtepe, në Kurshumli kishte qenë një mejtep. Pastaj në këto shënime përmendet edhe një mejtep në Tërn (Znepole të Bullgarisë se ky territor gjer para viteve 1877-1878 ishte në kuadër të Shqipërisë së Vjetër Verilindore-v. a.), ku deri para vitit 1878 kishte shumë shqiptarë.”[12].

Pra, sipas këtyre dy burimeve, që kanë të bëjnë me shënimet e Sallmanës regjistrim ky i vitit 1873/74, këtu për Sanxhakun e Nishit thuhet se kishin qenë rreth 40 shkolla fillore iptidaie. Ndërsa rreth 150 vjet më parë vetëm se Nish, sipas Evlia Çelebisë kishin qenë 22 mejtepe. Sipas Dr. S. Ukës, kjo nuk do të duhej të jetë reale dhe e saktë, aq më parë kur dihet se në Sanxhakun e Nishit, nga Pashallëku i Beogradit dhe nga të 6 nahijet e saja; “gjatë viteve 1804-1867 patën ardhur dhe ishin vendosur një numër jo edhe i vogël i shqiptarëve”[13]. Kjo do të thotë se nuk ka arsye pse të zvogëlohej numri i mejtepeve deri në atë shkallë?! Nga kjo del se shënimet arkivale serbe AS, MUD; të lartë cituara nuk janë komplete dhe gjithë përfshirëse.

Shkollat e mesme-ruzhdie fetare gjysmë laike dhe medresetë nëpër trojet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, kishin filluar të rriteshin e jo të zvogëloheshin siç e paraqesin shënimet e proveniencës serbe. Sipas  disa shënimeve tjera osmane të Hati-Sherifit të Gjylhanesë ku thuhet mes tjerash se: ”Pas aprovimit të Hati-Sherifit të Gjylhanesë më 1839 reformat në fjalë dhanë rezultate pozitive në arsim”[14]. Atëbotë fillojnë me të madhe  sidomos nëpër qendrat urbane të hapeshin shkolla të mesme dhe të ulëta, të quajtura ruzhdie si dhe shkolla të mesme dhe të larta iptidaie. Edhe medresetë të cilat ishin hapur më herët, ku atëbotë do ta shtonin edhe më tepër numrin e shkollave shqipe në provincat etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, pastaj nëpër ato troje vërehen edhe shkolla normale. Sipas shënimeve të Sallmanës të vitit 1874 vetëm se në Nish vërehen: “Një shkollë ruzhdie dhe dy medrese, ndërsa në Pirot nuk kishte shkolla të mesme. Në Vrajë ishin dy medrese, në Prokupje një shkollë e mesme ruzhdie dhe një medrese, kurse në Kurshumli ishte një medrese”[15].

Tyrbe dhe teqe nëpër qytetet e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, janë vërejtur disa sosh; shembull në Nish Evlia Çelebiu thotë dhe i përmend tri teqe, ndërsa në Pirot një tyrbe etj. Kurse në shënimet e shek. XIX, në Leskovcë janë vërejtur 10 teqe, kurse në Vrajë 6 teqe, (ndërsa si krye bektashian,i të gjitha teqeve të Vrajës ishte Baba Beka i Vrajës-v. a.), ndërsa në AAK Pallangë ishin 2 teqe, kjo që do të thotë se nëpër tri qytete të Shqipërisë së Vjetër të Nishit dhe të Toplicës, kishte më tepër teqe sesa xhamia, d.m.th. kishte më tepër përfaqësues shqiptarë shiitë me tarikate të ndryshme sesa përfaqësues sunit. Në Pirot janë vërejtur tri teqe, ndërsa në  Nish  përmenden  të  kenë  qenë dy tyrbe, kurse në  Prokupje përmenden 4 tyrbe. “Duhet vënë në pah se edhe përfaqësuesit e shiitëve, kanë qenë dashamir të mëdhenj të arsimit”[16].

Në të gjitha qytetet e zëna ngoje dhe nëpër fshatrat ka mbizotëruar gjuha shqipe[17]. Vetëm se në Pirot, është përdorur gjuha turko-osmane, por vetëm si gjuhë e çarshisë, gjuha turke ishte prezent në Nish dhe Vrajë. Kurse në Prokupje dhe Kurshumli pjesa myslimane përbëhej tërësisht nga shqiptarët, në Prokupje ishin vetëm 4 familje turke dhe disa familje çerkeze, ndërsa në Kurshumli thuhet se ishin vetëm 2-3 persona serb, të tjerët që të gjithë ishin shqiptarë. Në Leskocë ka dominuar gjuha shqipe ngase rrethina e këtij regjioni ishte i banuar me shqiptarë e jo me turq[18].

S’do mend se të gjitha shkollat e lartpërmendura nuk ishin vetëm se të shqiptarëve, sidomos kjo vlen për Pirotin dhe Nishin, ku në mesin e shqiptarëve kishte edhe nxënës: turq, çerkez dhe tatar. Këta të fundit vijnë dhe vendosen nëpër qytete dhe fshatrat e Shqipërisë së Vjetër Verilindore pas  luftërave ruso-çerkeze  1833-1859  dhe Luftës së  Krimes 1853-1856.

Kurse pjesa tjetër e çerkezëve dhe tatarëve, vendosen në Sanxhakun e Nishit dhe në Kosovë gjatë vitit 1864. Pastaj duhet theksuar fakti se shkollat fetare, si bie fjala për medresetë e ndryshme dhe shkollat gjysmë laike të quajtura ruzhdie, këto shkolla ishin me klasë të ulëta të shkollës së mesme. Kurse shkollat iptidaie, ishin shkolla të mesme me klasë të larta, këto shkolla fillojnë të hapen dhe funksionojnë qysh nga viti 1830, nëpër qytete dhe nëpër disa fshatra të mëdha. Aty, përveçse çështjes fetare të traditës islame nga Kur’ani, që ishte në gjuhën arabe, mësoheshin edhe shumë lëndë tjera të përgjithshme si: matematika, gjeografia, filozofia, retorika (oratoria-v.a.), higjiena, medicina, astronomia, mësimi i shkencës juridike pastaj përveç se gjuhës arabe, mësohej edhe gjuha turke dhe ajo persiane etj. Sado që disa lëndë mësoheshin përmendsh, prapë se prapë shkollat e mesme ishin mjaft të  dobishme, porse këto shkolla nuk mund t’i ndiqte masa e gjerë popullore, por një numër shumë i vogël i nxënësve[19].

Xhamia e Islam Agë-Gjakovalisë në Nish

Foto: (Xhamia e Islam Agë-Gjakovalisë në Nish. Këtë xhami dhe 48 xhamit tjera në Arnaullëkun e Nishit dhe në atë të Timokut, i kanë ndërtuar shqiptarët dhe turqit, pasi që këta të fundit në shekullin e XIV, i kishin pushtuar tokat etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Pikërisht gjatë kësaj kohe shqiptarët të krishterë të këtyre trojeve, gradualisht kishin filluar të kalonin nga krishterimi në islamizëm. Krahas faltoreve krishtere kishin filluar t’i ngritin edhe faltoret islame turke. Ndërsa, faltorja e mbetur e Nishit dhe faltoret tjera në Shqipërinë e Vjetër Verilindore, ishin ngritur në periudhën ndoshta më të rëndë të sundimit osman. Kurse turqit mongol-senxhuk, kishin ngecur në robërimin dhe pushtimin e mëtutjeshme të tokave dhe shteteve të reja. M’u për këtë ngecje turqit ishin dobësuar shumë ekonomikisht dhe ushtarakisht edhe xhamia shqiptare e Islam Agë-Gjakovalisë,  dhe xhamitë tjera në Pashallëkun e Beogradit, që ishin jo më pak se 270 sosh, ishin të ndërtuara nga materiali shumë i dobët nga qerpiçët. Për këtë arsye, disa dekada më vonë, kishte lindur nevoja që këto faltore islame të rindërtoheshin.

Sipas shënimeve arkivale serbe AS, MUD; nga Miodrag Medari dhe dëshmive autentike të shqiptarëve të dikurshëm autokton të Nishit, thonë se mbi themelet ekzistuese dhe në vendin e njëjtë të tokës shqiptare të Nishit më 1870, xhamia e mbetur e Islam Agë-Gjakovalisë, ishte rinovuar dhe adaptuar plotësisht me material të fortë dhe të qëndrueshëm. Imam i fundit për vitet 1877-1878, kishte qenë shqiptari nga Gjakova Islam Aga dhe m’u për këtë edhe xhamia e Nishit, ashtu ishte emërtuar, ku edhe sot gjendet në qendër të Naissusit në këtë anë të Dardanisë së dikurshme lindore. Në atarin e vakëfit të kësaj xhamie shqiptare, shihen disa ngrehina ndërtimtare serbe, këto janë të ngritura, mbi atarin e varrezave të qytetarëve autokton të Nishit. Kjo xhami shqiptare edhe sot e kësaj dite shërben për kryerjen e ritualeve fetare islame, të cilën piromanët vandal serb shumë herë e dogjën dhe e shkrumbuan në hi e pluhur. Ashtu siç vepruan edhe me 13 xhamitë tjera ekzistuese të Shqipërisë së Vjetër Verilindore të Naissusit iliro-dardan, vendlindjes të Shën Konstandinit të Madh, i cili kishte jetuar dhe e kishte sunduar Dardaninë Lindore, që nga vitet 306-337 të e. s. i cili mbret dardan mes viteve 340 dhe 400 të e. s. do ta ngrittë dhe themelonte gjatë sundimit romak Konstandinopolin, Stambollin e sotëm).

Në bazë të disa të dhënave tregimtare dhe historiografike, nëpër shkollat fetare dhe mejtepet tjera, ekzistonin kushtet higjieno-pedagogjike teje të vështira, sepse ndaj nxënësve zbatoheshin masa ndëshkuese shumë të rrepta dhe jo humane, pastaj nga ana tjetër nëpër dhomat e mësimit kishte dysheme me dërrasa, por vetëm se tokë, dritaret ishin të vogla dhe zakonisht mungonin edhe bankat shkollore[20].

Duhet theksuar se institucionet arsimore shqiptare,si ato fetare dhe ato gjysmë laike, që ishin konstatuar në viset shqiptare të Sanxhakun e Nishit, ato ishin të pakta. Aq më parë kur dihet se aty gjer para viteve 1877-1878 patën jetuar rreth 200.000 banorë shqiptarë, që i popullonin më se 600 vendbanime etnike shqiptare, qofshin këto vendbanime nëpër fshatra apo nëpër qendrat urbane[21].

Në lidhje me gjendjen e jomyslimanëve në Arnautllëkun e Nishit dhe  në atë të Toplicës nuk ka shënime arkivale adekuate. Thuhet se në Nish deri para vitit 1878 u vërejtën disa shqiptarë katolik që ishin në lidhje me dioqezën e Prizrenit. Kurse për  shqiptarët ortodoks thuhet se janë asimiluar në serb, për arsye se ishin shumë të pakët në numër dhe të shpërndarë nëpër meset të dominuar nga serbet e Karpateve,kështu ndodhi edhe me disa shqiptarë të besimit islam, që patën mbetur pas vitit 1878, të shpërndarë nëpër mjediset serbe dhe si të tillë ishin asimiluar.[22]

Duhet të themi se në mesin e popullatës shqiptare ekzistonin tre konfesione fetare, që e mundësuan këtë popull të stërlashtë gjatë historisë, që ta pasurojë kulturën e tij fetare dhe atë të përgjithshmen-kombëtare. Vet ekzistimi dhe prania tek ne shqiptarët e të tria konfesioneve fetare, me të vërtetë i kontribuoi rritjes së autoritetit të popullit ton. Aq më parë kur dihet se tek shqiptarët gjithnjë u manifestua toleranca e madhe fetare. Prandaj, çdo porosi fetare për çdo individ shqiptarë, i njërit apo i tjetrit konfesion, e ka për detyrë patriotike që edhe më tutje ta ruaj dhe kultivoj këtë visar të tolerancës fetare dhe të jetë syçelë që të mos bijë në ndonjë grackë eventuale ngado që ajo tentohet të vij, se na e prishë harmoninë ndërfetare dhe kombëtare, që për këtë traditë shumë të çmuar na e kanë lakmi edhe popujt më të zhvilluar to botës. Pastaj sipas Dr. Jashar Rexhepagiqit i cili thotë: “Ai popull që e çmon lartë, kombin dhe fenë, është komplet, ai e çmon vetveten dhe e mundëson që të çmohet dhe nderohet edhe nga të tjerët dhe anasjelltas, do të ishim të zhveshur nga të mirat madhështore dhe hyjnore, në këtë botë dhe në botën e amshueshme, nga kombi dhe feja në qoftë se nuk i çmojnë të tjerët ”[23].

Pamje nga Masurica

Pamje nga Surdulica

Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së  Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë.

 


[1] K. Marks & F. Engels, Vepra të botuara gjermanisht vëll. IX. Fq.7

[2] R. Avdiu, këtu në këtë qytet të Shqipërisë së Vjetër, kishte lindur dhe ishte rritur shqiptari Qemajl Beu, kreatori dhe arkitekti i Turqisë demokratike e që turqit e quajnë Qemajl Ataturku Baba i Turqisë. Zaten edhe babai i heroit të popullit shqiptar Qemajl Stafa e kishte emërtuar djalin e tij, Qemajl në shenjë respekti dhe përkujtimi që e kishte Familja Stafaj për shqiptarin selanikas Qemajl Ataturkun edhe shtëpia e kuqe sot ku ka lindur ky burrë shteti në Selanik është shndërrua ne shtëpi muze. Edhe vëllai i Qemajl Stafës, Veli Stafa i veprës “Qortim Vjeshte”, që i kishte pëlqyer shumë poetit tonë të mjerimit M. Gj. Nikollë-Migjenit, do ta dëshmonte ketë se Qemajli ishte emërtuar në shenjë respekti për kreatorin e Turqisë demokratike. Ai perveçse që e nxorri Turqinë nga injoranca feudale, ai pastaj e hoqi sheriatin nga judikatura shtetërore, e zavedësoi fesin me kapelën evropiane pastaj alfabetin arab e zavendësoi me atë latin etj. 

[3] HISTORIA E POPULLIT SHQIPTAR II, Tiranë, 1965. fq. 108.

[4] Po aty.

[5] Milutin Petrović i Milo Strugar, HISTORIJA VII. Beograd ,1994. str.85.

[6] M. Dj. Miličević, Kneževina Srbije, Beograd,1876. str. 470

[7] AS, MUD-P- 1881, Srpske novine 1881, 32 dana 12-III-1881 187 Beograd. 

[8] Dr. Vidosava Nikolić-Stojančević, Leskovac i oslobođeni predeli Srbije Leskovac,1975 str. 130-131, skice i mape.

[9] Dr. Vasa Čublilović, Politički uzroci seoba na Balkanu od 1860-1880, 660 s.c VI tom VII Beograd,1930. str. 43. Porse këta akademik serbë gjithmonë ia patën zilinë shkollave fetare dhe atyre laike në Shqipërinë e Vjetër Verilindore.

[10]Jovan  J. Jovanović. Pusta Reka citirana dela, pomenuo na str. 3, 50, 72-73 itd.

[11] Evlia Çelebiu, fq. 62-64.

[12] Dr. Hans Jürgen,  Dr. Hasan Kaleshi dhe Dr. Jashar Rexhepagiqi Zhvillimi i arsimit në Kosovë më 1818, vepra të cituara fq. 295.

[13] Dr. Radmila Tričković, Leskovac u XVIII (1683-1804). Leskovački zbornik br. XI. Leskovac,1971. str. 12: Dr. Tihomir R. Đjođjević, Iz Srbije Kneza Miloša stanari i naselja Beograd str. 146.

[14]Dr. H. Kaleshi dhe Dr. H. Jürgen vepra të cituara fq. 146.

[15] Dr. Jashar Rexhepagiq, Zhvillimi i arsimit vep. të cituara fq. 117.

[16] Dr. Muhamed Pirraku, Kultura kombëtare vep. të cituara fq. 182-183.

[17] Dr. Hans Jürgen dhe Hasan Kaleshi, vepra të cit. fq. 182-183.

[18] Dr. Jovan Hadži-Vasiljević, Arbanaška Liga, Kongra Beograd, 1909 fq. 40 dhe Mr. Sabit Uka, “Shpërngulja e Shqiptarëve nga Sanxhaku Jugor 1877-1878 dhe vendosja e tyre në Rrafshin e Kosovës Prishtinë,1991 fq. 30.

[19] Dr. Jashar Rexhepagiq, Zhvillimi i arsimit vep. të cituara 38-42; dhe Dr. Hasan Kaleshi dhe Hans Jürgen, vepra të cituara fq.295-300. 

[20] Dr. Vidosava Nikolić-Stojančević, Leskovac i oslobođeni predeli Srbije, 1877-1878. Leskovac,1979. str. 90-93.

[21] Mr. Sabit Uka, “Shpërngulja e shqiptarëve nga Sanxhaku Jugor 1877-1878 dhe vendosja e tyre në Rrafshin e Kosovës”, Prishtinë 1991. fq. 30

[22] Reshat Avdiu, shih më gjërë mbi këtë dukuri në librin, “Terrori serb ndaj shqiptarëve të Masuricës dhe Vranjës” (1878-1999) Preshevë,2006.  fq. 128, 129 dhe 344.

[23] Dr. Jashar Rexhepagiq, Zhvillimi i arsimit në Kosovë më 1918. fq.32-33

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm