Menu

Fillimi i luftës së dytë Serbo-Osmane gjatë viteve 1877-1878....

User Rating:  / 0
PoorBest 

....Në trojet etnike të Shqipërisë së vjetër verilindore të Nishit, Toplicës, Leskovcës e Vrajës....

Shkruan: Reshat AVDIU * - Reshat AvdiuSerbët i shpallën luftë Perandorisë Osmane më 13 dhjetor, tri ditë pas rënies së Plevnes, ndërkaq në luftë hynë më 15 dhjetor të vitit 1878. Shkaku kryesor pse serbët e prolonguan fillimin e luftës ishte qëndresa e madhe osmane në Plevne të Rumelisë atje në Bullgari dhe se kjo mbrojtje titanike nga ana e Osman Nuri Pashait kishte shkaktuar nervozizëm të madh tek pala ruse. Meqë Perandoria Osmane ishte e zënë në luftë me rusët këtu në trojet e vjetra etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, kishte angazhuar shumë pakë forca mbrojtëse ushtarake. Sipas shënimeve të Dr. Sabit Ukës dhe të Petar Opaçiqit, një barrë shumë të madhe të luftës mbrojtëse atëbotë e kishin marrë vet shqiptarët e viseve autoktone shqiptare si nga: Nishi, Toplica, Tërni, Piroti, Kurshumlia, Prokupja, Leskoci, Vrajës etj.

Sa i përket luftës serbo-osmane, atëbotë serbët kishin organizuar për këtë luftë okupuese 5 korparmata me ushtarë të rregullt dhe me forca  tjera, jo të rregullta serbo-bullgare dhe me një kuadër oficerësh të stërvitur shumë mirë në mesin e të cilëve ishin edhe shumë zabarozhë dhe kozak rusë të përgatitur deri edhe në detale për këtë luftë kolonialiste. Në ballë të kësaj ushtrie serbo-ruse, ishte venë vetë princi serb Millan Obrenoviqi. Korpusi i Shumadisë ishte nën komandën e Jovan Belimarkoviqit,Korpusi i Javorit nën  komandën e Tihomir Nikoliqit, Korpusi i  Moravës me kom. Millojko Leshnjanin, Korpusi i Ibrit me në krye kom. Stefan Biniçkin dhe korpusi i Timokut me kom. Gjuro Horvatiqin, sipas Dr. S. Ukës aty ishin bërë edhe shumë ndërrime. Kurse  si  udhëheqës ushtarak si  më të  shquar në ushtrinë shqiptaro-osmane ishin: Halil Pashai, Zija Pashai, Hafiz Pashai Hasan beu, Jusuf efendiu etj. të cilët nuk treguan gjithaq aftësi ushtarake në mbrojtjen e Nishit.

Forcat serbe me mjaft humbje të mëdha arritën që me 18 dhjetor 1877 të hynin në Leskoc, kurse më 21 dhjetor 1877 dhe me 25 dhjetor 1877 forcat ushtarake shqiptaro-osmane u detyruan të largoheshin nga Kurshumlia[1]. Nga ana tjetër ushtria serbe arriti ta rrethojë shumë ngushtë Nishin dhe me 5 janar më 1878, forcat ushtarake shqiptaro-osmane me në krye Halil dhe Zija pashainë, ishin detyruar të tërhiqeshin pothuajse pa luftë nga Nishi, kryeqendër kjo e Shqipërisë së Vjetër Verilindore dhe se ushtria e serbe futet në të. Nga kjo del sipas P. Opaçiqit dhe Dr. S. Ukës se komanda shqiptaro-osmane e Nishit, nuk kishte forca të mjaftueshme për t’i mbrojtur qendrat urbane e lere më vendbanimet fshatare të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, nga hordhitë e egra të ushtrisë serbo-ruse. Si duket qëllimi kryesor i Komandës Supreme shqiptaro-turke, ishte ta mbronin vijën e demarkacionit kufitar: Prepollc-Samakovë-Kitkë-Mali i Shën Ilijës mbi Vrajë.

Luftërat nëpër fshatra dhe viset malore të Shqipërisë së Vjetër Verilindore i bënin vetë shqiptarët. Madje, në shumë raste shqiptarët arrinin suksese në pengimin e depërtimit të forcave ushtarake serbe. Luftërat mes shqiptarëve dhe ushtrisë serbe nëpër fshatra nuk ishin të barabarta, sepse kjo pjesë luftarake e shqiptarëve ishte e armatosur shumë dobët me armë të demoduara, pastaj këtyre shqiptarëve në rend të parë u mungonte komanda ushtarake dhe kuadri i oficerëve të aftë. Kështu pra shqiptarët i përballonin armatës serb me artileri e komandë nga oficerë të shkolluar dhe të ndihmuar nga Rusia-Cariste. “Por megjithatë nëpër disa vende, qëndresa e shqiptarëve ishte edhe mbi heroike, themi kështu ngase në disa vise  pak a shumë malore  shqiptarët mbroheshin vetë, pa ndihmën e ushtrisë së rregullt osmane”[2]. Më 22 dhjetor 1877 u përleshën forcat serbe me ato shqiptare, beteja zgjati 7, orë rresht për nga masiviteti ajo ishte teje e madhe, saqë rapsodi popullor e kishte derdhë tërë gjenialitetin e tij shpirtërorë gradativë, në këngën regjiake për trimërinë e rrallë që e kishin treguar disa udhëheqës shqiptarë në atë betejë të madhe si më të shquarit që kishin treguar trimëri dhe mençuri luftarake ishin: Jup Topojani dhe Sahit Gega:

Kur bërtiti Jup Topojani,
Në shtatë llogore u dha zjarrmi.
Sahit Gega hipë në gjokë
Yrish po banë e drejt në top[3].

Më 24 dhjetor 1877, rreth 3.000 shqiptarë të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, zhvilluan luftime shumë të mëdha dhe i detyruan dy reparte ushtarake serbe të tërhiqeshin me humbje shumë të mëdha. Ndërsa në një luftim tjetër afër Kurshumlisë më 25 dhjetor më 1877, zhvillohen luftime të mëdha mirëpo forcat osmane detyrohen të tërhiqen”[4].

Njëra nga rezistencat ma të mëdha mes ushtrisë shqiptaro-osmane dhe asaj serbe, ishte beteja e Nishorit afër Pirotit, në të cilën betejë përveçse turqve kishte shumë shqiptarë, çerkezë dhe tatarë të Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Sipas shënimeve arkivale serbe, këtu si kryekomandant do të ishin Hasan Ali beu dhe Jusuf efendiu dytë këta pashallarë shqiptarë. Serbët e sulmuan më 23. XII. 1877, fortifikatën në fshatin Dubin Dell, nga ana e majtë e Nishavës, ndërsa sulmi tjetër me Ivanoviqin në krye u bë më 24. XII .1877, më këmbësori dhe me artileri. Sipas një burimi arkival serb thuhet se ushtria shqiptaro-osmane e kishte përgatitur një mbrojtje të shumëfishtë me disa rreshta zinxhirore edhe zjarri kundër sulmues hapej nga disa rreshta përnjëherë dhe ishte shumë vështirë të depërtohej drejt  llogoreve të luftës shqiptaro-osmane. Dhe mu për këtë qëndresë titanike të shqiptarëve dhe turqve, komandanti serb Ivankov hasi në vështirësi të mëdha, pasi kishte humbur shumë ushtarë ishte detyruar  të tërhiqej. Të nesërmen ushtria serbe, e përforcuar edhe me forca  tjera  shtesë, së cilës i printe  “Ratomir  Putniku-Kragujevci,  ky  çetnikë shka ishte avancuar për vojvodë dhe si shef i shtabit të Komandës Supreme, pas luftës ngadhënjyese të Kumanovës më 1912”[5]. Për merita që kishte treguar ai për terror të pa parë ndaj popullatën autoktone shqiptare të Shqipërisë së Vjetër të Iliridës. Ky Ratomir Putniku me vojvodën tjetër serb Svetozar Haxhiun, gjatë viteve 1877-1878, arritën ta organizonin sulmin e sinkronizuar të një pas njëshëm dhe shumë të fuqishëm ndaj popullatës autoktone të Shqipërisë së Vjetër Verilindore të Nishit dhe të Toplicës. Për tri ditë radhazi ushtria okupuese serbe u detyrua të tërhiqej dhe se në fushë betejë si ushtria serbe njashtu edhe ajo shqiptaro-turke, lanë mjaft ushtarë të vrarë dhe të plagosur, veç tjerash është shënuar numri i të vrarëve dhe të plagosurve që ishin: 68 serb të vrarë dhe 413 të plagosur, aty ishte vrarë edhe oficeri i lartë serb Millutin Karanoviqi. Në të gjitha sulmet e ndërmarra serbe ndaj popullatës autoktone shqiptare të Nishit dhe të Toplicës, ata humbën mjaft ushtarë. Dy autor serb: Petar Opaçiqi dhe Sava Skoku, flasin edhe për precizitetin e të shtënave të palës kundërshtare, do të thotë të ushtrisë shqiptaro. Ata thoshin, sapo ushtarët serb e nxirrnin kokën, për ta marr në shenjë armikun, ata sakaq qëlloheshin m’u në kokë nga forcat shqiptare. Prandaj, komanda serbe me kohë, e kishte hetuar precizitetin e plumbave të armikut, kishte urdhëruar të ndërpritej sulmi dhe ishin kthyer nga kishin ardhur. Porse kthimi i batalionit serb ishte vështirësuar pa masë dhe kishte rënë në situata të atilla saqë s’mundej të kthehej prapa dhe as të shkonte përpara. Porse këtij batalioni vrastarë serb i arrin në ndihmë Brigada e Knjazhevcit, e klasit të parë nga ana lindore e Bardhovës (Bjellovës), dhe forcat e Divizionit të Shumadisë. Në këtë situatë të rëndë krahu i majtë i forcave të armatosura shqiptaro-turke, në fshatin Bllacë (Bllatë), e zhvillojnë një betejë të madhe, pasi që forcat serbe,  e marrin pozitën e favorshme në Suvidollë, i kishin urdhëruar burizanët që t’u bien burive për sulm. Pasi hasin në zjarr të fortë nga ana e kundërshtarit, saqë rrallë  ndonjë ushtar serb mundte të shpëtonte nga plumbat e ushtrisë mbrojtëse shqiptare, komanda serbe  detyrohet  që  sërish ta  ndërpresë  zjarrin e  luftës dhe pas 11 ditë luftimesh forcat shqiptare detyrohen të largohen nga fortifikatat e tyre dhe kështu Piroti bie në duart e serbëve. Qendra ushtarake e Pirotit ishte atëbotë njëra ndër bazat më të madha në  Perandorinë Osmane, në të cilën bazë kishte mjaft shumë ushtarë (nizamë) shqiptarë nga Shqipëria e Vjetër Verilindore, që kishin fituar simpati dhe lëvdata të shumta nga eprorët ushtarak të kësaj baze. Luftimet  pastaj vazhdojnë dhe zhvillohen, rreth fshatrave Bërjanë e Epërme dhe Bërjanë e Poshtme, të cilëve u vijnë në ndihmë shqiptarët e Stubllës dhe  Kasabashit. Pas një përleshje të rreptë afër malit  Kasabash, shqiptarët tërhiqen drejt fshatit Guanicë, ku u bashkohen edhe shqiptarët e Dubovës. Pasi luftojnë tri orë rresht detyrohen të tërhiqen, për t’i vazhduar përsëri luftimet me ushtrinë e shkaut rreth fshatit Krivaçë dhe teqesë së këtij fshati shqiptar, ku edhe vet shehu i këtij fshati u priu 200 shqiptarëve të armatosur dobët ndaj ushtrisë së shkaut, me ç’rast ishin zhvilluar luftime të një intensiteti më të vogël. Është me rëndësi të ceken fjalët e udhëheqësve ushtarak serb të cilët tregonin se: “Neve shpesh-herë, na duhej të luftonim në të gjitha drejtimet jo vetëm se kundër forcave  osmane, por edhe kundër atyre shqiptare nëpër shumë fshatra veç e veç. Sidomos duhet të vihet në pah luftimet e vogla dhe ato të mëdha, duke filluar që nga 6 janari e gjer më 17 janar të vitit 1878 dhe se në luftimet brenda tri-katër ditësh, të datave 19, 20, 21 dhe 22 janar 1878,  përveçse që ishin vrarë shumë ushtarë, ishin vrarë edhe pesë oficer dhe një kolonel  serb”[6].

Sipas Dimitrije M. Petroviqit, i cili tregon për qëndresën e madhe të shqiptarëve nga Topanica e Toplicës. Shqiptarët e këtyre anëve etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, luftonin pa ndërprerë kundër ushtrisë serbe dhe i shkaktonin kësaj dëme të mëdha. Një grup prej 13 shqiptarësh, luftuan derisa nga të gjitha anët u rrethuan, ata i zunë të gjallë ushtria serbe dhe që  të  13 i  vrau. Të  tjerët e vazhduan luftën  dhe  fare  nuk  e ndërprenë atë. Siç thuhet nëpër këto burime arkivale serbe AS, MUD; ata e sulmonin ushtrinë herë nga njëra anë e herë nga ana tjetër dhe kështu i sulmonin dhe i vrisnin ushtarët serb, mirëpo sa vinte, ata mbeteshin gjithnjë e më pak.  Njëri prej tyre, i quajtur Halim Topanica, pasi i mbyti dhe i plagosi disa serb u ngujua në shtëpi. Pastaj Dimitrie Petroviqi thotë më tutje: Ai shqiptari vazhdoi me të shtëna kundër ushtrisë sonë dhe atij kurse si nuk mund t’i afroheshin ushtarët tanë. Më në fund, serbët i dalin nga ana e kundërt dhe shtëpisë ia japin zjarrin! Serbët më parë e thirrën atë të dorëzohej, duke i premtuar se do t’i falej jeta, por ai nuk e ndërpreu luftën dhe kështu u dogj në shtëpi për së gjalli. Ky rast në një mënyrë na e përkujton trimin tonë kombëtarë Oso Kukë-Shkodranin, komandantin e njësive vullnetare shqiptare i cili më 1862, u gjend i rrethuar shumë rënd në njërën nga fortesat e ishullit të Vraninës atje në Liqenin e Shkodrës. Për të mos rënë i gjallë në duart e sulmuesve barbarë serbo-malazias që ishin afruar shumë afër fortesës, për një moment i jep zjarr kullës së barotit dhe e hedh në ajër vetën dhe cubat serbo-malazias që po përgatiteshin të hynin në fortesë për ta zënë div-dragoi shqiptarë. Edhe meshkujt e dyja Topanicave nuk u dorëzuan, por vazhduan të luftonin heroikisht, siç tregon Dimitrie Petroviqi, Komanda Serbe ia dha zjarrin Topanicës së Epërme, e cila u dogj në tërësi, ndonëse në të kishte familje me fëmijë. Kështu askush nuk u kursye por të gjithë i dogjëm për së gjalli në zjarr, përfundon rrëfimin e tij, D. Popoviqi[7].

Prapë sipas D. M. Popoviqit në betejën e fshatit Maçkofc dhe Cërkivishtë ndodhi një ngjarje mjaft e papritur dhe mjaft tragjike. Serbët e sulmojnë fshatin Maçkovc  dhe Cërkvishte dhe fillojnë të përparojnë gjer sa iu ishin afruar istikamit, do të thotë një lloj barrikade e asaj kohe. Kur ushtarët   serbë  fillojnë të  shtënë  kundër  mbrojtësve  shqiptarë  të  atyre fshatrave, ku me siguri ishin edhe disa ushtarë të rregullt serbë të cilët me jataganë në dorë, disa nga ata arrijnë t’i zënë dhe t’i mbysin që të gjithë. Ushtria serbe, ishte e pajisur jo vetëm me pushkë por edhe me topa. Porse, të gjitha këto mjete  luftarake nuk mjaftuan,  ngase ushtarët serbë i  kaploi paniku dhe filluan të ikin. Në fillim kjo ikje e ushtarëve serb thotë D. Petroviqi ishte e rregullt, por më vonë ikja ishte çrregulluar dhe më ushtarët serb nuk mundë t’i zinte dhe ndalte askush dhe se ikja ishte tejet e furishme.

Luftime të mëdha dhe mjaft të ashpra sipas D. Petroviqit, u zhvilluan edhe nëpër shpatinat dhe kreshtat e maleve të fshatit Bardhovë e Gash, pastaj luftime të ashpra u zhvilluan edhe nëpër shpatinat dhe kreshtat e maleve të fshatrave Mikulan dhe Banjskë. Aty ishin shquar oficerët serb D. Petroviqi dhe Mihajllo Zhivkoviqi, që e kishin udhëhequr Korpusin e Studenit gjegjësisht Studençanit[8]. Sipas Dr. S. Ukës, vërehet se nëpër këto anë të Shqipërisë së Vjetër Verilindore: “Ishin zhvilluar luftime të mëdha ku shqiptarët diku me disa ushtarë të rregullt turq e mbronin çdo fshat, çdo mal e çdo shpat dhe diku-diku shqiptarët luftonin të vetmuar kundër serbëve fshat më fshat”[9].

Pastaj në Arkivin e Shkupit, ka dëshmi që flasin për vrasjen e dy prijësve shqiptar afër fshatit Maqedonc në Shqipërinë e Vjetër Verilindore ku thuhet mes tjerash se: “ Nuhë Gërbeshi, i priu një grupi shqiptarësh prej më tepër se 200 vetash, në një përleshje ballë për ballë me forcat  serbe ku i shkaktoi humbje të konsiderueshme Divizionit të Danubit. Aty i vrau dhe i plagosi 37 ushtarë serbë”[10]. Pastaj këto luftime kishin zgjatur dhe ishin zhvilluar në anën e Pustarekës, në fshatin Maqedoc. Ku këtyre luftime, do t’i bashkohej edhe Rrustem Goga me një grup luftëtarësh shqiptarë të cilët kishin luftuar trimërisht kundër hordhive pushtuese të ushtrisë vrastare dhe piromane serbe. “Nuhë Gërbeshi dhe Rrustem Goga, duke  luftuar  heroikisht në  ballë  të grupeve shqiptare,  që të dy  u  vranë heroikisht në rrethinën e fshatit Maqedonc”[11]. Siç shihet nga këto burime arkivale të Shkupit, aty ishin vrarë edhe 25 luftëtar shqiptarë, ka pasur raste të shumta kur ushtria e shkaut t’i ketë ç’farosur dhe djegur rrafsh për tokë deri në shtëpinë dhe banorin e fundit, ato vendbanimet autoktone shqiptare të Nishit dhe të Toplicës, në Shqipërinë e Vjetër Verilindore.

Edhe historiografi  nga Vraja, Dr. J. H.Vasileviqi, ky antishqiptarë i përbetuar kishte shkruar dhe potencuar mbi trimërinë e shqiptarëve në mbrojtjen e Toplicës dhe viseve tjera të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, gjatë viteve 1877-1878. Dhe se sipas këtij autori serb thuhet se:“shqiptarët kura-kurës nuk e kishin kursyer as edhe jetën dhe gjakun e tyre të shtrenjtë në këto luftëra. Ata luftuan heroikisht në të gjitha frontet në Toplicë, Gërdelicë, Polanicë, Vrajë dhe nëpër viset tjera, dhe nuk  dorëzoheshin dot të gjallë. Ndonëse në këto beteja pak kush prej tyre shpëtoi do të thotë luftuan trimërisht për çdo fshat për çdo shteg për çdo rrugë dhe për çdo pëllëmbë toke. Bile-bele në frontin e Gërdelicës shqiptarët, të ndihmuar nga ushtria e rregullt osmane, i thyen dhe i zmbrapsën sulmet serbe dhe se për pesë ditë e mbajtën të gozhduar në vend ushtrinë serbe. Dhe kështu ushtria serbe kurrsesi nuk mundi të bënte as edhe një hap përpara, kështu shqiptarët thotë Dr. J. H. Vasileviqi, luftuan me tërë qenien e tyre dhe shpeshherë mbroheshin me shpirt ndër dhëmb, duke mos e llogaritur fare se a janë nën mbrojtjen qendrore të ushtrisë osmane apo jo. Shqiptarët me vendosmëri dhe me këmbëngulësi i mbrojtën viset e Dërvenit, të Leskocit e sidomos Luginën e Vetërnicës dhe Luginën e Polanicës, duke e ndalur me kryeneçësi depërtimin e ushtrisë serbe. Mirëpo, kur e panë se nuk janë në gjendje ta mbronin edhe më tutje Luginën e Vetërnicës, sakaq kalojnë në viset malore të saj dhe atje vazhdojnë të mbrohen, siç e kishin mbrojtur me vendosmëri Grykën e Gërdelicës dhe ashtu u përpoqën ta mbronin edhe Grykën e Moravës. Si fuqi kryesore turke, këtu u paraqitën shqiptarët ku llogaritej se morën pjesë në këto luftime diku rreth 6.000-7.000 luftëtarë shqiptarë”[12].

Për ta evituar gjenocidin e ushtrisë vrastare të Millan Obrenoviqit dhe kohortës së tij sodomiste, që ushtrohej ndaj shqiptarëve autokton të rrethinës së Masuricës dhe qarkut të Vrajës më 1878. Sheh Maksut Presheva, do ta organizonte një rezistencë të fuqishme ndaj ushtrisë serbe në   mbrojtje  të  muhaxhirëve  në  Grykë  të  Gërdelicës.  Kjo  qëndresë titanike e shqiptarëve me Sheh Maksut-Preshevën, shprehet në këngën popullore në këto anë e cila thotë:

Maksut Shehu po e rreh telin
Në Gërdelicë po e çon asqerin
Baba Sheh në këmbë u çua,
Në Gërdelicë në luftë me shkua[13].

Sipas Dr. S. Ukës “forcat e Knjazhevcit, afër fshatrave Slishan dhe Gajtan, hasën në rezistencë të fortë nga armata shqiptare. Zaten shumicën e fshatrave i mbrojtën vetë shqiptarët, kurse forcat ushtarake osmane i mbronin qendrat dhe vijat kyçe, ndërsa viset malore fare nuk  mbroheshin. Mbrojtja dhe rezistenca e shqiptarëve atëbotë luante një rol vendimtarë, ngase vetë lufta shqiptare me forcat serbe e mundësoi tërheqjen e masave shqiptare, për ndryshe ushtria dhe sidomos vullnetarët serbë dhe bullgarë do të kishin bërë masakra shumëfishë më të mëdha”[14]. Ndaj popullatës së pafajshme autoktone shqiptare të viseve të Nishit dhe të Toplicës.

Luftime të mëdha u zhvilluan më 9 janar në fshatin Kapshticë, aty Brigada Serbe e Smederevës hasi në një qëndresë dhe rezistencë shumë të fortë të shqiptarëve, të cilët luftën përpos që e kishin zhvilluar me armë,  atë e kishin zhvilluar edhe me zhurmë dhe britma të madhe. Më 11 janar të vitit 1878, shqiptarët së toku me asqerët e ushtrisë së rregullt të Perandorisë Osmane, do t’i sulmonin nga mbrapa forcat serbe të Moravës dhe mjaft do t’ia dobësonin krahun e majtë Divizionit të Moravës, që marshonte drejt Visokës, ky divizion serb u ndesh  me luftëtarët shqiptarë që ua kishin zënë pritën nga të gjitha anët. Më 17 janar, thuhet në burimet arkivale serbe: “Divizioni i Moravës që përpiqej ta kapte dhe pushtonte bregun e majtë të Kosanicës, ku nga të gjitha anët ishin koncentruar grupe të mëdha shqiptarësh të armatosur me martina, të cilët na i sulmonin ushtarët tanë në shumë drejtime. Nga Svinjishtja dhe Tërha shqiptarët u tërhoqën, pasi luftuan deri edhe në fishekun e fundit për ta mbrojtur: Tërhën,Tërpezën dhe Herticën,ku shumica e tyre u vranë. Edhe në Slishan shqiptarët u përpoqën t’i mbronin në veçanti viset malore shqiptare. Pastaj marshimet tona, thuhet në këtë burim, bëheshin ngadalë dhe me shumë kujdes: Ditën e parë kaluam nga pozicioni i Cërkvishtës në atë të Slishanit ditën e dytë kaluam nga pozicioni i Slishanit në atë të Gajtanit dhe Vërtopit në Madan, pastaj të katërtën ditë kaluam nga pozicioni i Madanit në atë të Svinjishtes dhe Zagragjës, ndërsa në ditën e pestë kaluam nga Zagragja në Tërpezë afër Merdarit”[15]. Nga këto të dhëna arkivale serbe, shihet se shqiptarët luftuan me këmbëngulje dhe vetëmohim të lartë për ta mbrojtur çdo shteg dhe pëllëmbë të tokës së vet atërore, të Shqipërisë së Vjetër Verilindore.

Pasi që ushtria serbe i kishte pushtuar qendrat urbane të Shqipërisë së Vjetër Verilindore siç ishin: Prokupja, Nishi, Piroti, Leskoci etj. Atëbotë Komanda Supreme Serbe në marrëveshje me Komandën Ruse, do t’i organizonte dhe koordinonte të tre korpuset serbe si atë të Shumadisë, Moravës dhe të Timokut. Kështu që ushtria serbe më 6 janar më 1878, do të fillonte ta sulmonte ushtrinë osmane dhe atë shqiptare, që i kishin zënë pozitat e tyre frontale të luftës në vijën: Prepollc-Samakov-Kitkë-Shën Ili mbi Vrajë. Qëllimi kryesor dhe imediat i ushtrisë serbe, ishte që në vazhdën e këtyre operacioneve pushtuese të depërtonte në Kosovë, që ishte njëherazi edhe qëllimi i fundit dhe kryesor i Serbisë dhe Rusisë. Princi rus Nikollajeviqi,i cili ishte vëllai i perandorit të Rusisë Aleksandër Nikollajeviqit të Dytë, i këshillonte serbët atëbotë kështu: ” Ndonëse kemi nevojë,  Zoti  na ndihmoftë,  për ndihmë në frontin  e Bullgarisë,  prapë se prapë është më me dobi që ju ta sulmoni ushtrinë osmane (shqiptare-v. a.) në Samakovë. Kjo planifikohej kështu: Korpusi i Shumadisë, duhej të kalonte nëpër Luginën e Moravës Jugore për në Vrajë dhe pastaj ta vazhdonte marshimin e saj drejt Grykës së Konçulit, për ta pushtuar Prishtinën. Porse qëllimi i parë dhe kryesor i ushtrisë serbo-ruse, ishte që me çdo kusht të pushtohej, Vraja e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, si pikë mjaft strategjike për ta okupuar pastaj  tërë Kosovën. Ushtria serbe e planifikonte që Korpusi i Moravës ta sulmonte Kurshumlinë, ku më pastaj do të kalonte nëpërmes luginës të lumit Banjskë dhe në vazhdim do t’i sulmonte fortifikatat shqiptaro-osmane të Samakovës, pastaj planifikohej të pushtohej Besiana. Në marshin pushtues serb, ishte planifikuar që Korpusi i Timokut t’i sulmonte trupat shqiptare për ta pushtuar pastaj Medvegjen dhe  Gallapin, ku e kishte si pikësynim ta vazhdoj depërtimin në drejtim të Prishtinës për ta okupuar tërë Kosovën, këtë aksion ushtarak e kishte marrë përsipër për ta kryer krahu i djathtë i armatës serbe i Korpusit të Moravës. Në ndërkohë princi serb Millan Obreniviqi, kishte urdhëruar që Korpusi i Moravës dhe ai i Timokut të jen nën një komandë të përbashkët. Sipas urdhrit të komandantit të Korpusit të Moravës dhe nënkolonelit Stevan Biniçkit, forcat e Divizionit të Ibrit duhej t’i sulmonin forcat shqiptare në drejtim të Prepolcit. Porse forcat ushtarake osmane me ato shqiptare do t’i kundërsulmonin forcat kolonialiste serbo-ruse në Prepollac dhe në fushëgropën e Prepoles, kështu ndeshja e dy ushtrive bëhet me 6 janar të vitit 1878. Që në fillim ushtria osmane me forcat jo të rregullta shqiptare treguan epërsi dhe e kishin marr Kurshumlinë. Forcat serbe në këtë luftë dy orësh rresht gjoks për gjoks, e fyta-fyt  me forcat shqiptare ma në fund ushtria serbo-ruse, e merr arratinë e ikjes dhe pëson një disfatë të rëndë duke humbur shumë ushtarë dhe ishte kthyer në pozicionet e saja të mëparshme d.m.th. në fshatin Lushnje, të Arnaullëkut të Nishit dhe Toplicës. Në atë luftë do të vritej edhe komandanti i batalionit të Studeniçanit, kështu që ushtria serbe fillon të ikte  dhe  të  zmbrapsej,  kurse  shqiptarët  dhe  ushtria  e  rregullt  osmane fillojnë t’i ndjekin ata. Me kot komandanti serb Mashiq Vlladimir, tentonte t’i ndalte me revole në dorë ushtarët e frikësuar. Komandanti në fjalë habitet me këtë ikje dhe papritmas bie në dorë të kundërshtarëve shqiptarë të  cilin gabim e  paguan me kokë  sepse e vrasin. Pas vrasjes  të oficerit Mashiq, ikja e ushtarëve serbë merr përmasa aq të mëdha saqë siç thuhet në një burim arkival serb, kur ishte përhapur ky lajm, paniku kishte filluar të merrte përmasa aq të mëdha sikurse të ishte ndonjë epidemi,disa ushtar serbo-rus ikën deri në Grykën e Jankut . Ushtria osmano-shqiptare me në krye Hafiz Pashain kishin mundësi që ta merrnin edhe Nishin. Mirëpo, Hafiz Pashai ishte i vetëdijshëm, se me ato forca ushtarake që i kishte në dispozicion,  edhe po qe se do ta merrte Nishin, nuk do të ishte në gjendje ta mbante atë. Bile pak më vonë Hafiz Pashai do ta lëshonte pa luftë Kurshumlinë dhe do ta vazhdonte luftën nga fortifikatat e ujëndarës Prepole-Merdar-Samakovë-Kitkë e gjer në Vrajë. Nga kjo lehtë mundë të supozohet se Komanda Supreme Osmane, nuk i kushtonte aq rëndësi të madhe mbrojtjes së Vrajës, sesa i kushtonte vëmendje të madhe për ta pushtuar atë ushtria serbo-ruse. Duke supozuar se në përleshjen paraprake ushtria serbe ia kishte dhënë ikjes së pakontrolluar , megjithatë  në atë betejë të vrullshme ushtarake nga të dyja palët ndërluftuese. “Forcat serbe brenda kësaj kohe me disa gjini ushtarake e sulmojnë fortifikatën kryesore të Samakovës, por prapë pësojnë disfatë në fshatin Raçë”[16].

Luftimet në fjalë nëpër regjionet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, nuk jepen në mënyrë kronologjike, por tregohen veç e veç për çdo ditë luftimesh. Këtu jepen vetëm se disa shënime për datën 28 janar 1878 dhe për disa ditë tjera, gjer më 3 shkurt të vitit 1878. Sipas shënimeve arkivale serbe, “dy korpuset e ushtrisë serbe e sulmojnë Samakovën me rrethinën e saj pa ndërprerë, për shkak të mbrojtjes së jashtëzakonshme filloi Samakova të quhej Plevna e dytë”[17].

Më 28. I. 1878 komanda serbe e kishte filluar sulmin me një ushtri të madhe kundër Hafiz Pashait, këto sulme ishin të drejtuara direkt kundër, popullatës autoktone shqiptare të Nishit dhe të Toplicës. Këto veprime ushtarake serbe  do të  kryheshin nga korpusi i Moravës në  koordinim me Brigadën e Krushevcit dhe të përforcuar me Batalionin e Tërnavës dhe atë të përkrahura edhe me dy bateri malore dhe me gjashtë batalione të tjera që vinin nga Lugina e Banjskës dhe Brigada e Parë e Jagodinës, e cila në vetvete i përfshinte edhe tre batalione shtesë me në krye komandantin Sava Petroviqin i cili i printe edhe Brigadës së Krushevcit të klasit të  II, dhe njësive tjera kalorësie. Të gjitha këto forca ushtarake serbe e sulmuan ushtrinë osmane tok me mjaft shumë forca tjera shqiptare,forcat ushtarake serbe qenë të ndihmuara edhe nga njësitet e artilerisë. Sulmin më të madh serbët e filluan më 31 janar 1878 në orën 9, Korpusit të Moravës i erdhi në ndihmë edhe Korpusi i Timokut me të gjitha  gjinitë ushtarake, këtyre forcave te rregullta serbe u ndihmonin edhe vullnetarët serb, bullgarë dhe ata rusë. Këta iu vërsulën dhe i ranë ushtrisë së rregullt osmane dhe asaj shqiptare që udhëhiqej nga strategu ushtarak shqiptari Hafiz Pashai. Por Brigada e Aliksincit arriti t’i afrohej istikamit dhe redutit (bunkerit) kryesor të ushtrisë turko-shqiptare, por ishte detyruar të tërhiqej me humbje shumë të mëdha. Më vonë Brigadës së Aliksincit i bashkohet, Brigada e Jagodinës. Tash serbët kishin vendosur t’i sulmonin mbrojtësit osmano-shqiptarë-çerkezë dhe të tjerët nëpër bunkerët e vegjël dhe se rreth orës 14, më dy shkurt 1878, serbët i ofrohen redutit (bunkerit) kryesor rreth 50-100 m, mirëpo hasin në mbrojtje të fuqishme dhe detyrohen sërish të tërhiqen duke i lënë në fushë të betejës më se 300 ushtarë të vdekur dhe shumë tjerë të plagosur[18].

Sipas Dr. S. Ukës më 3 shkurt 1878 Divizioni i Danubit bashkohet me forcat tjera ushtarake serbe-ruse si me atë të Aliksincit, Jagodinës, Krushevcit, Çaçakut dhe të Quprisi të cilat njësi ushtarake serbe ishin të përcjellura me dy njësi tjera shtesë kalorësie. Kështu që tërë kjo masë e madhe e ushtrisë serbe e sulmojnë ushtrinë e rregullt osmane dhe atë shqiptare kësaj ushtrie mbrojtëse i printe si zakonisht strategu shqiptar Hafiz Pashai. Mirëpo, vija luftarake mbrojtëse; Prepollc-Samakovë-Kitkë, që ishte edhe si vijë e ujëndarësve mes kufirit të Toplicës, Llapit dhe Gallapit, mbrohej me trimëri dhe guxim të pashoq. Dhe se e tërë ajo armatë serbe me shumë vullnetarë nga Rusia, Bullgaria dhe Rumania, e përcjell  edhe me  artileri  jashtëzakonisht të  madhe  detyrohej të tërhiqej, natyrisht me humbje shumë të mëdha duke lënë në frontin e luftës shumë ushtarë dhe vullnetarë të vdekur dhe të plagosur. Kështu që tërë ato sulme të pareshtura të ushtrisë serbe për të depërtuar në Kosovë nuk u sendërtuan aq lehtë[19].

Këtu paraqiten disa të dhëna me të cilat dëshmohet qëndresa e shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit, kundër agresorit barbar serb, me qëllim që t’i mbrojnë trojet etnike të veta dhe nderin e familjeve shqiptare në (Shqipërinë e Vjetër Verilindore-v. a.). Kjo rezistencë  ishte  shumë  e madhe kur të merren parasysh kushtet dhe mundësitë në armatim të shqiptarëve, kjo rezistencë është për t’u çmuar shumë lartë dhe vlerësuar nga shumë këndvështrime. Pastaj Dr. S. Uka, do të vazhdonte dhe do të shprehej, se me të gjitha këto skena e krime që i përjetuan shqiptarët e të gjitha moshave dhe gjinive, është vështirë të përshkruhet me kaq fjalë dhe shprehje historike dhe se këto shënime të gjertanishme janë tejet fragmentare, kur dihet se brenda 5-6 javësh u zbrazën me se 700 fshatra përkatësisht afro 300 mijë banor shqiptarë  që mbetën pa shtëpi pa tokë dhe pa asgjë të gjallë dhe u detyruan ta marrin arratinë dhe botën në sy, duke iu nënshtrua gjatë ikjes torturave më barbare[20].            

Sa i madh ishte territori mbarëshqiptarë, nuk dihet saktësisht. Qarku i Toplicës me atë të Prokupjes që populloheshin kryesisht me shqiptarë i kishte 3.679 km2 ose 33% të territorit[21]. Nga tërë Sanxhaku i Nishit në Shqipërinë e Vjetër Verilindore ishin të banuar me shumicë me shqiptarë pastaj shqiptarë kishte shumë edhe në Qarkun e Vrajës dhe në atë të Nishit dhe Timokut. Nga 10.972 km2, rreth 5498 populloheshin tërësisht me popullatë etnike shqiptare kurse pjesa tjetër e këtij territori ishte me popullatë heterogjene shqiptare-serbe dhe turke etj. Porse, sa ishte territori shqiptarë? Kur përveçse Toplicës, në Shqipërinë e Vjetër Verilindore, kur Fuqitë e Mëdha Evropiane ia japin Serbisë kurse pjesët tjera etnike shqiptare këto fuqi ia japin Malit të Zi dhe Greqisë. “Kështu që Shqipëria, që do të formohej gjatë viteve 1912-1913, do t’i kishte në kornizën e saj shtetërore vetëm se 28.562 km2 territor, kurse jashtë kufijve të saj do t’i mbeteshin rreth 62.270 km2[22]. Territori mbarëshqiptar  deri para Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit i kishte 130.000 km2. 

Tetor, Preshevë  2014

*Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë.


[1]Petar Opačić i Savo Skok, cit. dela str. 217-223, srpsko-turskih ratovi 1877-1878 Beograd, 1981 god.

[2]Po aty.

[3] Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare, Tiranë, 1992 fq. 39.

[4] Dr.S.Uka,Jeta dhe veprimtaria e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit,Prishtinë 1995.f.57

[5]Historija Srbije za učitelje i preobraženu društvo škole: Nikola Gaqeša, Ljiljana Mladenović i Dušan Živković Beograd,1994. str. 64. Edhe këto të dhëna arkivale serbe janë të shkëmbyera nga shumë shënime historiografike të tyre.

[6]Petar Opačić i Savo Skok, Srpsko-turski ratovi 1877-1878. Beograd,1981. str.161-165.

[7]Dimitrie M. Popović, Borba u Toplici 1877-1878, Arhiv Srbije Beograd,1878. Këto punime Arkivale Serbe gjer më tani nuk janë publikuara, por sipas disa informative ende të pakonfirmuara sllavo-serbe, ka gjasa se është botuar një punim historiografik me titull “Toplički ratovi” dhe mbahet si material si mjaft sekret nga AASHS e Beogradit SAN-a. Nëse kemi sukses të arrijmë deri tek ky material do ta botojmë të përkthyer si shtojcë të kësaj monografie, për brezat e ardhshëm shqiptarë në kërkim të trojeve të veta etnike shqiptare në Shqipërinë e Vjetër Verilindore, si të: Nishit, Toplicës, Pirotit, Tërnit, AAK Pallangës, Kurshumlisë, Prokupjes, Leskovçës, Vrajës etj.

[8]Dimitrie Petrović,cit. dela, Beograd,1879. str.72-76. Edhe këto shënime të lartë cituara arkivale serbe janë nga dora e parë d.m.th. nga vetë udhëheqësi ushtarak pjesëmarrës nëpër këto luftime nëpër trojet e Shqipërisë së Vjetër Verilindore atëbotë. 

[9] Dr.S.Uka,Jeta dhe veprimtaria e shqiptarëve të Saxhakut të Nishit Prishtinë,1995.f.61.

[10] AHT-2,  Skopski Arhiv, Rat Srbije sa Turskom, Beograd,1878, str. 102-120.

[11]Po aty.

[12]Dr. Jovan Hadži-Vasiljević, Pokret Arnauta za vreme srpsko-turskih ratova 1877-1878 Ratnik LIX, Beograd, 1905. str. 52-53. Edhe këto shënime janë të shkëmbyera nga shënimet arkivale serbe AS, MUD; (Arhiv Srbije, Ministarsvo Unutrašnjih Dela).

[13] Reshat Avdiu, Terrori serb ndaj shqiptarëve të Masuricës dhe Vranjës 1878-1999. Preshevë, 2006 fq. 117.

[14]Dr. Sabit Uka, Jeta dhe veprimtaria e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit 1912, Prishtinë,1995. fq. 62. Më gjërë: Dr. Jovan Hadži-Vasiljević, Pokret Arnauta za vreme srpsko-turskih ratovi 1876-1877-1878, Ratnik LIX, Beograd 1905 str. 52-53.

[15]AHT-2, Skopski Arkiv, Rat Srbije sa Turskom. Beograd, 1879 str. 102, 120, 149, 150, 151. Edhe këto shënime arkivale janë të huazuara nga Arkivi i Serbisë AS, MUD.

[16]AHT-2, Skopski Arhiv, Rat Srbije sa Turskom, Beograd, 1879. str. 120-151.

[17]Po aty.

[18]Petar Opačić i Savo Skok, citirana dela str. 270-275, i Jovan Hadži-Vasiljević citirana dela str. 48-53.

[19] Petar Opačić i Savo Skok, cit. dela str 275-277.

[20]Dr. S. Uka,Vendosja dhe pozita e shqiptarëve në Kosovë.

[21]M. Gj. Miličević, Kraljevina Srbije i Novi krajevi. Beograd, 1884 str. 15.

[22] Q. Pllana, Metamorfoza apo udhëkryqi i ri Kombëtar, Prishtinë. 1993, fq. 32.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm