Menu

Projekte të aleatëve të mëdhenj për statusin ndërkombëtar dhe kufijtë e Shqipërisë gjatë luftës së dytë botërore

User Rating:  / 0
PoorBest 

Pamje nga Konferenca e Londrës

  • - Marrëdhëniet e Aleatëve të Mëdhenj me Shqipërinë kanë në thelb dy përbërës: së pari, ndihmëne e tyre ushtarake, materiale e morale, dhe së dyti, vizionin për të ardhmen e shtetit shqiptar të pasluftës
  • - Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste shënoi fundin e ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar
  • - Gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB) në BM dhe SHBA u hartuan disa studime për Shqipërinë
  • - Ja cilat ishin interesat britanike në Ballkan dhe për të "garantuar" të ardhmen e shtetit shqiptar
  • - Britanikët hodhën të parët idenë e vënies së Shqipërisë nën mandatin e tyre
  • - Politika britanike ndaj Shqipërisë dukej se ishte ende e turbullt, edhe në periudhën mars-korrik 1943
  • - Ballkani nuk përbënte ndonjë zonë atraktive për interesat amerikane
  • - Për kufijtë e Shqipërisë së pasluftës janë hartuar jo pak studime si nga Anglia ashtu edhe nga SHBA

Nga Prof. Dr. Hamit KABA - Instituti i Historisë/QSA

Gjatë LDB Shqipëria për shkak të rezistencës së saj kundër pushtuesve italianë e gjermanë u radhit në krah të fuqive aleate dhe dha një kontribut të çmueshëm e modest në konfrontimin më të madh botëror të historisë. Për këtë arsye ndërmjet Shqipërisë dhe Aleatëve të Mëdhenj u vendosën marrëdhënie bashkëpunimi, të cilat erdhën gjithnjë në ngritje dhe që me kalimin e kohës u institucionalizuan e materializuan në forma të ndryshme. Lufta e popullit shqiptar fitoi kështu përmasa ndërkombëtare dhe u shndrrua në një hallkë modeste në zinxhirin e koalicionit botëror antifashist. Për herë të parë që nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, shqiptarët u bënë pjesë e një aleance fituese duke ndjekur rrjedhën e duhur të zhvillimeve ndërkombëtare. Marrëdhëniet e Aleatëve të Mëdhenj me Shqipërinë kanë në thelb dy përbërës: së pari, ndihmëne e tyre ushtarake, materiale e morale, dhe së dyti, vizionin për të ardhmen e shtetit shqiptar të pasluftës, për pavarësinë, statusin ndërkombëtar dhe kufijtë e tij. Pa nënvleftësuar e anashkaluar raportin e parë me aleatët, i cili është i njohur e trajtuar jo pak në literaturën historike shqiptare e të huaj, më lejoni që në ligjërimin tim të përqëndrohem tek aspekti i dytë, pra tek vizioni i Aleatëve të Mëdhenj për të ardhmen e Shqipërisë dhe kufijtë e saj pas LDB.

1. Statusi ndërkombëtar i Shqipërisë

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste shënoi fundin e ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar. Reagimet e qeverive të vendeve evropiane e ballkanike për arsyje tashmë të njohura ishin pothuajse inekzistente. Qeveria britanike e njohu zyrtarisht pushtimin dhe aneksimin e Shqipërisë.[i] Një deklaratë e butë për mosnjohjen e pushtimit italian të Shqipërisë u bë nga Sekretari Amerikan i Shtetit më 8 prill 1939. Gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB) në BM dhe SHBA u hartuan disa studime për Shqipërinë, me objekt statusin ndërkombëtar dhe kufijtë e saj. Ato u përgatitën kryesisht nga institucione të specializuara në shërbim të Forin Ofiss-it (Foreign Office), apo të Departamentit të Shtetit (Department of State). Shumica e studimeve britanike që njohim u hartuan nga "Instituti Mbretëror i Çështjeve Ndërkombëtare, Kërkimi me Jashtë dhe Shërbimi i Shtypit" Ballioll Kollixh, Oksford (Royal Institute of International Affairs, Foreign Research and Press Service, Balliol College, Oxford) në Londër, ndërsa ato amerikane nga Sektori i Çështjeve të Evropës Jugore dhe Sektori i Studimeve Territoriale. Fragmente të studimeve sovjetike për Shqipërinë kemi hasur në ndonjë botim dokumentar rus të viteve të fundit[ii], si dhe në disa dokumente të veçanta të arkivave britanike e amerikane.Studimet e lartpërmendura nuk duhen konsideruar si politika zyrtare të qeverive aleate, por si lëndë e parë që ushqente politikën e tyre.

Interesat britanike në Ballkan

Për të ruajtur interesat britanike në Ballkan dhe për të "garantuar" të ardhmen e shtetit shqiptar dhe kufijtë e tij, janë hartuar projekte të ndryshme nga institucione të specializuara në Britaninë e Madhe e SHBA, brenda të cilave do të gjente zgjidhje edhe problemi shqiptar: përkatësisht në formën e një Federate apo Konfederate; Bashkimi apo Pakti Ballkanik; Federatë të Vendeve të Evropës Lindore. Janë projektuar gjithashtu skema të tilla, si vënia e shtetit shqiptar nën një mandat britanik apo amerikan, protektorat, madje edhe vendosjen e shtetit shqiptar nën mbikëqyrjen e një organizmi kolektiv,të ngjashëm me Lidhjen e Kombeve, e cila mund të krijohej pas mbarimit të LDB apo për një Shqipëri neutrale nën kontrollin ndërkombëtare dhe me sovranitet të kufizuar etj. Duhet të pranojmë, se pavarësisht nga vlerat e tyre, dhe dëshira e mirë për ndërtuar një shtet normal shqiptar, në një pjesë të studimeve amerikane për qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë vihet re një lloj mosnjohje e mirë e realitetit shqiptar, veçanërisht për zhvillimet e brendshme të Shqipërisë. Ndonëse vet hartuesit e tyre pranojnë se "qëllimi është ndihma ndaj Shqipërisë dhe jo kontrolli i huaj mbi të", disa skema e propozime të tyre për statusin ndërkombëtar dhe qeverisjen e Shqipërisë gjatë periudhës së tranzicionit duken larg realitetit. Sidoqoftë, duke bërë një vështrim krahasues ndërmjet studimeve britanike e amerikane, do të gjykoja se alternativat e paraqitura nga SHBA për problemet e kufijve të Shqipërisë, ishin më realiste e të pranueshme se ato britanike,por asnjëherë të mjaftueshme për të përmbushur aspiratat e shqiptarëve.

Britanikët hodhën të parët idenë e vënies së Shqipërisë nën mandatin e tyre

Britanikët hodhën të parët idenë e vënies së Shqipërisë nën mandatin e tyre, apo të SHBA. Kjo ide e përsëritur edhe më mbrapa do të dështonte, se as Britania e Madhe dhe as SHBA nuk kishin interesa të tilla në Shqipëri, që të përligjnin ekzistencën e një mandati mbi të, por as shqiptarët nuk e dëshironin këtë formë të tejkaluar qeverisjeje. Shqiptarët kishin dhënë prova mëvetësie dhe qeverisjeje të sukseshme, veçanërisht në vitet 1921-1939. Ideja e një mandati amerikan mbi Shqipërinë, që u servir nga Komiteti Ballkanik në Londër, në korrik 1942 u kundërshtua si nga Zogu ashtu edhe nga Faik Konica. Konica gjykonte, se shqiptarët kishin aftësi qeverisëse, të cilat ishin dëshmuar me nxjerrjen e 35 kryeministrave prej tyre, gjatë sundimi osman e më tej. Për Konicën nuk ishte Shqipëria, por Greqia që kishte nevojë për mandat. Duhet thënë se LNÇL nuk fare ide për këto projekte gjatë luftës, të cilat ndryshonin kryekëput nga konceptet e saj për shtetin e ardhshëm. Politika britanike ndaj Shqipërisë dukej se ishte ende e turbullt, edhe në periudhën mars-korrik 1943, kur në rrethet e larta ushtarake britanike shtrohej rebusi, se si do ta konsideronin Shqipërinë, një vend mik apo territor të pushtuar, në rast se trupat e tyre do të zbarkonin në Shqipëri. Këtë udhëkryq do ta zgjidhte ministri i jashtëm britanik me përgjigjen e tij, se Shqipëria duhet të trajtohet juridikisht si territor mik nën administratën britanike. Dilema britanike për të ardhmen e Shqipërisë dhe kufijtë e saj vazhdoi edhe në mbarim të luftës. Në arkivat britanike ka një numër dokumentesh që i dëshmojnë qartazi këto dilema.

Ballkani nuk përbënte ndonjë zonë atraktive për interesat amerikane

Ballkani nuk përbënte ndonjë zonë atraktive për interesat amerikane dhe Shqipëria nuk përbënte ndonjë përjashtim nga kjo politikë. SHBA ndonëse nuk kishin ndonjë interes të veçantë në Shqipëri, dërguan në vend misionet e tyre, për të ndihmuar e bërë më efektive rezistencë e shqiptarëve, ndonëse Shqipëria nuk bënte pjesë në listën e vendeve që përfitonin nga programi amerikan i huadhënies (Lend-Lease). Presidenti Rusvelt nuk e kishte përfshirë Shqipërinë ndërmjet vendeve me rëndësi vitale për SHBA. Megjithë këtë, SHBA dërguan misionin e tyre të parë në Shqipëri në nëntor 1943. Dërgimit të tij i parapriu një studim i gjatë i OSS, duke u mbështetur në argumentimin e veçantë se SHBA nuk e kishin njohur asnjëherë pushtimin italian të Shqipërisë. Misioni amerikan në Shqipëri nuk e arriti ndonjëherë numrin e britanikëve në këtë vend, megjithëse ndihma nuk ishte e pakët. Për sytë e shqiptarëve të kahjeve të ndryshme politike e ushtarake gjatë periudhës së luftës, por edhe pas saj, imazhi i amerikanëve ishte më i mirë dhe më i besueshëm se i britanikëve.

2. Kufijtë e Shqipërisë

Për kufijtë e Shqipërisë së pasluftës janë hartuar jo pak studime si nga Anglia ashtu edhe nga SHBA. Duke mos pasur mundësi t'i përmend ato, mund të shprehem pa hezitim se përgjithësisht ato priren nga ideja e lënies në fuqi të kufijve të caktuar nga Konfernca e Londrës e vitit 1913, pavarësisht se shtrohen edhe alternativa të tjera për ndryshimin e tyre në favor të Shqipërisë, apo vendeve fqinje. Studimet amerikane duken më realiste për këtë problem se sa ato britanike, por në asnjë rast ato nuk përmbushin pritshmërinë e Shqiptarëve.

Nëse do të bëja një krahasim mbi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe kufijtë e saj gjatë Luftës së Parë Botërore (LPB), Konferencës së Paqes të Parisit të vitit 1919, Konferencën së Ambasadorëve në Paris (nëntor 1921), me pozitën e saj gjatë dhe në mbarim të Luftës së Dytë Botërore (LDB), do të nënvizoja veçoritë e mëposhtme:Së pari, gjatë dhe pas LDB nuk ndodhi sikurse në LPB, kur problemi i pavarësisë së Shqipërisë mbeti pezull e u rihap në Konferencën e Paqes së Parisit. Përkundrazi, tre aleatët e mëdhenj anglo-sovjeto-amerikanë, në dhjetor 1942, riafirmuan të drejtën e ringritjes së shtetit të pavarur shqiptar pas mbarimit të luftës, dhe i njohën popullit shqiptar të drejtën për të vendosur për formën e qeverisjes dhe për të zgjedhur qeverinë që ata dëshironin mbi bazën e Kartës së Atlantikut. Këto vendime mbetën pikë reference dhe të pandryshueshme në periudhën e mëpasme, me gjithë dilemat e krijuara në mbarim të luftës, si rezultat i fitores së Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe epërsisë sovjetike në Ballkan. Ajo ç'ka mbeti e diskutueshme, sipas mendimit tim, të mbështetur në dokumentacionin më të fundit britanik e amerikan, ishte natyra e pavarësisë së shtetit shqiptar, nëse ai do të ishte plotësisht i pavarur, apo do të kalonte një periudhë prove të një sovraniteti apo vetëvendosjeje të kufizuar.

Së dyti, problem delikat dhe i diskutueshëm ishte ai i kufijve të Shqipërisë. Në dhjetor 1942 tre Aleatët e Mëdhenj ndërmorën aktin më të rëndësishëm të periudhës së luftës, duke deklaruar zyrtarisht ringritjen e shtetit të pavarur shqiptar të pasluftës. Deklarata britanike u shpall më 17 dhjetor 1942 në Dhomën e Komuneve një javë pas deklaratës amerikane. Deklarata e Iden-it për Shqipërinë mbyllej me dy rezerva të përgjithëshme. E para nënkuptonte planet e ardhshme britanike për krijimin e një federate apo konfederate te vendeve të Ballkanit, brenda së cilës do të ishte edhe Shqipëria, ndërsa e dyta e linte të hapur problemin e kufijve të saj, e cila do të merrej në shqyrtim në Konferencën e Paqes. Sekretari Iden (Eden) do të deklaronte në Dhomën e Komuneve më17 dhjetor 1942: "Qeveria e Madhërisë së Tij e shikon çështjen e kufijve të shtetit shqiptar pas lufte, si një çështje që do të duhet të merret në shqyrtim në Konferencën e Paqes". Me këtë deklaratë qeveria britanike shpallte mosangazhimin e saj për ruajtjen e kufijve të shtetit shqiptar të paraluftës dhe ekspozimin e tyre ndaj pretendimeve greke. Ndërhyrjen e qeverisë greke në emigracion për këtë problem e pranon qartazi P. Dikson më 18 dhjetor 1942, në takimin e tij me sekretarin e ambasadës amerikane në Londër, zotin Kou (Coe). "Në lidhje me problemin e kufijve, deklaronte Dikson, ne morëm në konsideratë pretendimet e forta greke në lidhje me kufijtë jugorë të Shqipërisë".

Deklarata e SHBA, e paraqitur nga Cordell Hull më 10 dhjetor 1942, ndryshonte nga deklarata britanike në dy elementë jo të parëndësishëm, sepse ajo vlerësonte rezistencën aktuale të popullit shqiptar kundër italianëve dhe i referohej Kartës së Atlantikut, për formën e qeverisjes dhe qeverinë që do të zgjidhnin shqiptarët pas luftës. Ky ndryshim solli një farë shqetësimi në FO, e cila ngarkoi ambasadori britanik në Washington, lordin Halifax që të kërkonte sqarime në DSH. Edhe deklarata e qeverisë sovjetike shpallte simpatinë e saj për luftën e guximshme çlirimtare të patriotëve shqiptarë, dhe dëshirën për t'a parë Shqipërinë të çliruar nga zgjedha e pushtuesve fashistë dhe pavarësinë e saj të rivendosur. SHBA, në deklaratën e tyre të 10 dhjetorit 1942të paraqitur nga Sekretarit i Shtetit Hull, nuk e përmendën fare problemin e kufijve të ardhshëm të Shqipërisë, gjë që nuk u prit mirë as nga qeveria greke në emigracion, dhe as nga qeveria britanike e cila do të kishte dashur që qeveritë e dy vendeve të flisnin me një zë të vetëm. Qeveria greke dhe ajo britanike i kërkuan qeverisë amerikane që ta modifikonte deklaratën e saj për Shqipërinë dhe ta përshtaste atë me deklaratën britanike, duke e lënë të hapur çështjen e kufijve. Një kërkesë e tillë iu e bë e njohur zëvendës Sekretarit Amerikan të Shtetit Wells, nga ambasadori grek në Washington, Cimon Diamantopulos, më 21 dhjetor 1942. Por, Wells do të përgjigjej se "deklarata amerikane kishte qenë standarde, si edhe për vendet e tjera të okupuara", ndërsa shtonte më tej se,"kjo qeveri nuk ka bërë dhe nuk merr ndonjë angazhim sekret në lidhje me ndryshimet territoriale të ndonjë vendi tjetër, dhe se askush në Kombet e Bashkuara nuk do të marrë ndonjë vendim përfundimtar lidhur me këto rregullime deri në përfundim të luftës". Qeveria amerikane nuk pranoi as "sugjerimin e veçantë" të ambasadorit grek, që të pranonte në heshtje dhe me rezervë ndryshimet që mund të bëheshin në të ardhmen për kufijtë. Më 23 dhjetor 1942 qeveria amerikane do hidhte poshtë zyrtarisht kërkesën greke të lartpërmendur. Ky qëndrim iu bë i ditur edhe ambasadorit britanik në Washington, Halifaks (Halifax), qeveria e të cilit kishte kërkuar nga qeveria amerikane që "të shprehte diçka më shumë në lidhje me Shqipërinë". Kërkesa britanike u cilësua si e pakuptimtë". Qeveria greke në emigracion vazhdoi tu kushtonte vëmendje dhe ndjeshmëri të veçantë çdo shprehjeje apo fraze që dilte nga institucionet apo zyrtarë të lartë të SHBA, të cilat përmendnin direkt apo indirekt kufijtë e Shqipërisë.

Tiranë, 12 nëntor 2014

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm